Kategoritë: Maqedonia

Qytetarët: Aspak besim në institucionet

Pas publikimit të bisedave telefonike nga opozita, qytetarët thonë se nuk kanë aspak besim tek institucionet, dhe pikërisht për këtë arsye, nuk ndihen të sigurt. Disa prej personave që anketoi ekipi i televizionit Alsat, shprehen të zhgënjyer nga sistemi dhe pushteti.
Situata është e prishur, edhe marrëdhëniet ndëretnike janë të përkeqësuara. Pa pasur ndonjë tollovi nuk do të përmirësohet asgjë. Pa u ndërruar qeveria që e kemi. Duhet të ndërrohet e gjithë qeveria dhe udhëheqësi tanë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për komunitetin shqiptar apo maqedonas”.
S’ka siguri, çfarë sigurie ata po na e i përgjojnë telefonat, Zaevi ato që i publikoi ka diçka.. A është Gruevski fajtor apo kush nuk e dimë por… ”
“Jo, sepse çdo moment mund të ndodhë diçka. Për çfarë shkaku? Për shkak të shtetit”
“Jo, aspak sepse situata është e tillë. Si është situata? Dihet se si është situata”
“A ju beson institucioneve në shtet? Jo, fare, fare, kujt ti besosh, cilave institucione”
“Jo aspak, prushi është mbuluar me hi. Hiri është hequr tani ka dalë prushi. Na kanë gënjyer, na kanë mashtruar, i kanë bërë gjenocid popullit shqiptar. Popullata shqiptar në Maqedoni doli në protesta për rastin Monstra, e dha kontributin e saj kurse tani mbetet të vendosë gjyqi”
“Situata që moti është e përkeqësuar. Sepse krimi lulëzoj, askush nuk do ta luftojë. Madje policia është e përfshirë në krime. I gjithë ekzekutivi shtetëror është i përfshirë, kjo është një sitatë shumë e rëndë për Maqedoninë. Por mendoj se i ka ardhur fundi kësaj qeverisjeje”
“A ndjeheni i sigurt për momentin? “Sot për sot fare jo, si një shërbyes i dikujt ndjehem”
A i beson policisë, tjerave institucione. Jo askujt nuk i besoj”
Ndonëse kanë humbur shpresën në zgjidhjen e problemeve në mënyrë institucionale, qytetarët vlerësojnë se njohja me të vërtetën do kontribuoj në forcimin e së drejtës dhe mirëqenies qytetare. Ferikan Iljazi

Përgjimet kapin edhe intelektualë të pavarur dhe gazetarë shqiptarë

Kush do të jenë intelektualët e pavarur, gazetarët, analistët dhe personalitete tjera shqiptare që koketuan me pushtetin aktual.Në materialet e përgjimeve që disponon opozita maqedonase janë edhe gazetarë shqiptarë, analistë, intelektualë të quajtur të pavarur dhe personalitete tjera publike shqiptare.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, janë emra të ndryshëm të personaliteteve publike si gazetarë të 35ve, intelektualë e emra të tjerë personalitetesh se si kanë mbajtur lidhjet dhe kanë koketuar me funksionarë shtetëror ministra, zyrtarë të lartë të MPB-së, funksionarë të tjerë shtetëror.

Materialet përfshijnë periudhën e përgjimeve nga viti 2009 – 2013, dhe se supozohet për dhjetëra biseda midis funksionarëve më të lartë qeveritarë shqiptarë dhe maqedonas me personalitete publike shqiptare, të cilat nxjerrin në shesh lidhjet e tyre dhe funksionimin e përbashkët përmes skenareve të ndryshme të përgaditura.

Mësohet se janë biseda midis ministrave të BDI-së me intelektualë të ashtuquajtur të pavarur dhe gazetarë shqiptarë, për lidhjet e tyre më shumë se profesionale, bizneset dhe koketimet për të përfituar beneficionet e pushtetit.

Në mesin e këtyre përgjimeve dyshohet për lidhje të përfitimeve materiale, biznese të ndryshme dhe skenare të tjera me prapavijë politike.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka theksuar se disponon me materiale të mbi 20 mijë personave të përgjuar. Pritet që të bëhen publike një pjesë e madhe e tyre ku do të dalin në shesh edhe të vërteta tjera. (INA)

SHBA do mund të aplikojë masa ndalese për politikanë, gjykatës, gazetarë dhe biznesmenë

Një pjesë e politikanëve, përfaqësues të gjyqësisë, gazetarë, biznesmenë dhe zyrtarë të tjerë të Maqedonisë mund të përballen me “sanksione” nga administrata amerikane.Sipas gazetës “Vest”, administrata amerikane mundet që shumë personaliteteve publike të këtyre sferave t’ua anulojë vizat apo edhe t’ia ndalojë hyrjen në SHBA, tek të cilët ka dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Kjo masë mund të hyjë në fuqi, në rast se kriza politike në Maqedoni vjen në një situatë të mosrespektimit dramatik të të drejtave të njeriut. Kjo masë përveç ndalesës, përfshin edhe bllokimin e llogarive bankare dhe pronave të shtetasve të Maqedonisë që i kanë në SHBA.

Masa të ngjajshme janë aplikaur për shumë zyrtarë dhe personalitete publike të vendeve që nuk respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por edhe shkelin frymën e demokracisë. (INA)

A do të dal e vërteta për dënimet e shqiptarëve për “terrorizëm” në Maqedoni

Përgjimet a do të nxjerrin të vërtetën për dënimin e dhjetërave të rinjve shqiptarë përmes proceseve të dyshuara dhe të montuara.Në Maqedoni burgjet janë duke vluar nga numri i madh i të dënuarve shqiptarë me dhjetëra vite burg e deri në burgim të përjetshëm të dënuar me vepra penale për terrorizëm, informon agjencia e lajmeve INA.

Dënimet e shqiptarëve mbeten drakonike, lidhur me rolin që kishin Gjykatat e Shkupit, posaçërisht te ata që konsiderohen si raste të montuara.

Viktima të këtyre proceseve politike që vërshuan pas vitit 2001, menjëherë pas konfliktit futën nëpër burgje qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Opinioni i gjerë mirë i din dënimet për civilët e Brodecit, Sopotit, dënimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së për vënien e bombave në Kumanovë dhe hekurudhën që lidhet me Serbinë, dënimi me burgim të përjetshëm për dy qytetarë të fshatit Haraçinë, dënimi për ish-pjesëtarët e Rakovecit, dënimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së nga Tetova, Ibrahim Sulejmani, gazetarin kumanovar Agim Behluli i dënuar po ashtu për terrorizëm, por edhe shumë raste të tjera që kanë çuar në burg kryesisht ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë të Kumanovës, Agim Islami (27) nga fshati Rashçe të Shkupit, dhe Almir Drlanjin (31) nga Shkupi më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri, i akuzuari i katër për dhënien e ndihmës është akuzuar me gjashtë vite burg. Rexhail Qerimi, Agim Islami dhe Ramadan Shaqiri kanë qenë ish-pjestarë të UÇK-së, mirëpo ata në gjykatë kanë pohuar se asnjëherë nuk janë njohur, raporton agjencia e lajmeve INA.

Kësaj i shtohen edhe listat e MPB-së për aktivistë dhe personalitete politike nga diaspora, të cilët me vite nuk guxojnë të vijnë në Maqedoni, për shkak të fletëarresteve nga autoritetet e Shkupit.

Rastet me dënime të larta janë ato të Sopotit me rreth 200 vjet burg, Brodecit me 192 vjet burg, ish-pjesëtarët e Kumanovës e Shkupit për shpërthimet e vitit 2003 në Kumanovë dhe Likovë.

Shumica e të dënuarve që po dergjen nëpër burgjet e vendit janë kryesisht ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Përveç vuajtjes së tyre nëpër burgje, familjet e tyre po pësojnë rëndë duke mos qenë të ndihmuar dhe duke u lënë në harresë. Shumica e pjesëtarëve të familjeve kanë ndërruar jetë, për shkak të dhimbjes së tyre për fëmijët e tyre.

Ekspertët e drejtësisë, shprehen kundër këtyre dënimeve kaq të mëdha, dhe e udhës sipas tyre, është, “që të kërkohet rishqyrtimi i lëndës te shumica e rasteve”.

Revolta e familjeve dita ditës po shtohet dhe se janë paralajmëruar masa radikale në kërkim të përsëritjes së rasteve që kanë të bëjnë pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, ku janë të dënuar shumica e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Përgjimet e fundit mund të nxjerrin në shesh shumë prapaskena dhe procese të montuara të përgaditjes së këtyre skenareve dhe dënimeve drakonike të ish-pjestarëve të UÇK-së. Familjarët e të dënuarëve presin që të dal e vërteta, sepse ata janë të bindur se bëhet fjalë për procese të montuara dhe për pafajësi të djemëve të tyre. (INA)

Mijalkov – Llatas: Thaçi jostabil, Ahmeti më i mirë dhe parimor

Ja se çfarë flasin drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov me gazetarin Llatas për koalicionimet e shqiptarët. Në një bisedë të shefit të shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov dhe kryeredaktorit të TV Sitel, Dragan Pavloviq – Llatas, flitet për zgjedhjet dhe koalicionimet e ardhshme me partitë shqiptare.

Në bisedën e shtruar, Llatas thotë se nëse do të arrihen 55 deputetë nga VMRO-DPMNE, atëherë në koalicionin të merret PDSH nga shqiptarët dhe jo BDI.

Por këtë e refuzon shefi i shërbimit sekret, Mijallkov duke theksuar se Thaçi është jostabil dhe më parimor dhe më i mirë për politikë është BDI dhe Ali Ahmeti.

Ja edhe biseda e tyre në minutën e 9.00 të materialit të përgjuar:

Llatas: Me 55 deputetë ti mundesh edhe Thaçin të bësh koalicion.

Sasho: Po, ama jo, ai është jostabil.

Llatas: Ali Ahmeti është më principiel dhe më i mirë për politikë…

Sasho: Po po, unë mendojë se ne do t’i befasojmë, ta dijsh. (ina)

Ambasadori amerikan vazhdon agjendën e takimeve për krizën në Maqedoni

Ambasadori i ri amerikan në Shkup, Jess Baily ka vazhduar agjendën e tij dhe misionin diplomatik në mbështetje të tejkalimit të krizës politike në MaqedoniPas takimeve me liderin e VMRO-s, Nikolla Gruevski dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, ai sot ka takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe zv.kryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi.

Në këto takime është biseduar lidhur me krizën e krijuar politike dhe tensionimin e saj pas publikimit të afersë së përgjimeve nga ana e opozitës.

Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA do të ndihmojnë Maqedonisë në rrugën drejtë prosperitetit, demokracisë së zhvilluar dhe shtetit ligjor.

Ambasadori Baily tha se SHBA gjithashtu mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe se në realizimin e këtij synimi nevojitet edhe zbatimi i reformave të nevojshme.

Ndërkaq, lidhur me aferën masive të përgjimeve, Ahmeti ka theksuar nevojën e veprimit pa emocione dhe me racionalitet si dhe të përfshirjes sa më të shpejtë të komunitetit ndërkombëtar në lehtësimin e dialogut politik si dhe hetimin dhe procedimin e rastit të përgjimeve masive bashkë më autoritetet vendore.

“Ky shqetësim serioz ka vënë në sprovë institucionet e vendit dhe kapacitetin demokratik, por kjo çështje mund të tejkalohet me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe angazhimin shumë serioz dhe të menjëhershëm të Brukselit, ka shtuar Ahmeti.

Zëvendëskryeministri Xhaferri e njohu ambasadorin Baily për dinamikën e implementimit të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar se zbatimi i kësaj marrëveshje dhe integrimi në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. (INA)

Mbetet enigmë shpërthimi i mbrëmshëm para Gjykatës së Shkupit

Policia nuk ka dhënë asnjë informatë shtesë rreth shpërthimit të mbrëmshëm që ndodhi para pallatit të Gjykatave. Të kontaktuar nga ALSAT, nga sektori për punë të brendshme në Shkup, thonë se nuk ka asgjë të re nga rasti i mbrëmshëm dhe se mbeten në informatat e publikuara në buletinin zyrtarë të MPB-së. Në buletin thuhet se rreth orës 19:30 është denoncuar një shpërthim në bulevardin “Goce Dellçev”. “Pjesëtarë të policisë kanë dalë në vend ngjarje ku kanë konstatuar se bëhet fjalë për mjet shpërthyes nga i cili nuk është shkaktuar dëm material si dhe nuk ka të dëmtuar. Janë kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe mjeti shpërthyes është marrë për ekspertizë të mëtejshme”, thuhet në njoftim. Policia ka ndërmarrë masa për zbardhjen e më tejme të rastit. Ndryshe ky është rasti i tretë i cili deri më tani mbetet i pazbardhur nga shpërthimet ku cak kanë qenë institucionet më të larta shtetërore.

Paraprakisht u njoftua se persona të panjohur kishin hedhur dy predha në objektin e Qeverisë duke dëmtuar vetëm fasadën e objektit. Policia nuk ka arritur ende të zbulojë motivet dhe as autorët e sulmit ashtu si edhe autorët e dy shpërthimeve që ndodhën në afërsi të stacionit policorë në Tetovë dhe stacionit policorë në Kumanovë në të njëjtën ditë në interval prej disa minutave. Arben Zeqiri

Zaev: Jemi gati për anonimët, do të marrin përgjigjen

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev iu përgjigj kërcënimeve të të ashtuquajturve “Anonymous” të cilët paralajmëruan se do të publikojnë gjëra që sipas tyre, opozita ka dashur t’i fshehë. Në profilin e tij në Facebook, kreu i LSDM-së u ka bërë thirrje autorëve të fillojnë me publikimin e së vërtetës, por jo vetëm në Facebook.“Jemi gati për të ashtuquajturit “anonymous”… le të fillojnë e pastaj do të shohin se çdo të thotë “anonymousw të vërtetë. Jo vetëm në Facebook. Flisni për të vërtetën kudo që mundeni”, shkruante Zaev në profilin e tij.

Dy ditë më parë në rrjetin Youtube u paraqit një video që mban vulën nga Anonymous-Maqedoni, e cila kërcënon Zaevin dhe kundërshtarët e tjerë të pushtetit, se do të publikojë materialeve komprometuese për ta.

“Ne luftojmë për liri! Ne luftojmë për drejtësi! Kjo që ndodh në Maqedoni është skenar i përgatitur nga shërbimet e huaja dhe mercenarë e shërbëtorë nga vendi. Me qëllim që e vërteta të jetë e hapur për të gjithë, por e vërteta e plotë, jo e pjesshme, e përzgjedhur dhe e montuar, ne e piratuam çerdhen e atyre që e krijojnë gjithë këtë e që janë të lidhur me personin Zoran Zaev”, thuhet mes të tjerash në videon e publikuar.

Por, qëndrimi i këtij grupi u hodh poshtë nga një tjetër grup që pretendon të jetë Anonymous-i i vërtetë në Maqedoni. Sipas këtij grupi të dytë, pas videos që qarkullon në rrjete sociale nga grupi i parë, qëndron pushteti dhe keqpërdor qëllimin e vërtetë të Anonumous-ve.

“Përgënjeshtrim. Faqja jonë nuk ka bërë video të tillë dhe ne nuk qëndrojmë pas saj. Dyshojmë se videoja është bërë për qëllime të caktuara politike. Mos bini pre e tyre. Anonimët nuk janë dhe asnjëherë nuk do jenë të përcaktuar politikisht”, thuhet në reagimin e tyre.

35t ndërkohë citojnë një prej anëtarëve të vetëshpallur si “Anonymous-ët e vërtetë, të thotë se ky manipulim është vepër e Ministrisë së Brendshme e cila synon që përmes lojës së dyfishtë të publikojë telefonatat e përgjuara të të gjithë atyre që kundërshtojnë pushtetin. Megjithatë, këto akuza deri tani nuk janë komentuar nga policia. Benjamin Arifi

Kriza politike, Han në takime maratonë me liderët politikë

Takimet maratonë të komisionarit evropian për zgjerim Johanes Han në Shkup përfunduam pa ndonjë rezultat konkret. Zyrtari i lartë evropian madje vendosi të mbante të fshehtë mesazhet e Brukselit në drejtim të zgjidhjes së krizës politike edhe pse mësohet se gjatë takimeve me aktorët politik nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje konkrete. Pas takimit me Gruevskit, Han madje tha shkurt se ndonjëherë mos publikimi i këtyre bisedave mund të nxis progres. “Shpresoj se në fund do të arrijmë progres domethënës për perspektivën evropiane të vendit. Ndonjëherë është më mirë të zhvillohen biseda të brendshme me qëllim që të arrihet progres”, tha Johanes Han, komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi.

Ndryshe nga herët e tjera, në vend që zyrtari i lartë të pritej në qeveri, ka qenë Han ai i cili priti kryeministrin Gruevski në një drekë pune në rezidencën e Bashkimit Evropian në Shkup. Pas takimit me komisionarin Han, Gruevski gjithashtu shmangi komentet nëse janë diskutuar propozime konkrete, por tha se kishin shkëmbyer mendime.

“Folëm edhe për situatën aktuale politike. E treguam të vërtetën respektivisht atë që po ndodh. Kishim shkëmbim mendimesh”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.

Cila është e vërteta?

“E vërteta është ajo që e tregova publikisht”, u përgjigj Gruevski.

Komisioneri Evropian Johanes Han më herët takoi edhe liderin e opozitës Zoran Zaev, për të dëgjuar argumentet e tij rreth situatës aktuale. Zaev ka siguruar Han se do të vijoj procesin e publikimit të gjitha aferave korruptive dhe kriminale të qeverisë.

“Skandali i përgjimit të 20 mijë qytetarëve dhe ndërhyrja e qeverisë në funksionimin e Prokurorisë Publike, gjykatave, kurdisja e proceseve gjyqësore, janë një pjesë e vogël e dëshmive që i posedojmë për shkatërrimin e rendit kushtetues të Maqedonisë nga ana e Nikolla Gruevskit, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij”, ka theksuar Zaev në takimin me komisionerin Han. Ndërkohë që Han pas takimit me liderin e opozitës shkurt tha se po përpiqet të gjejë zgjidhje politike që do të jetë në interes të shtetit, por pa dashur ta bënte publike.

Në agjendën e ngjeshur të komisionarit Han, ishin edhe takimet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, me Presidentin Ivanov, zv/kryeministrin Fatmir Besimi si dhe kreun e parlamentit Trajko Veljanovski. Ivanov në takimin me Han ka theksuar se mbështet procesin e zbulimit të aktiviteteve që janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet dhe sanksionimin e autorëve të veprave penale. Ndërkohë që në takimin me Veljanovskin, siç kumtojën nga kabineti tij, Han ka theksuar se edhe deputetët evropianë janë të gatshëm t’i ndihmojnë kolegët e tyre maqedonas për kapërcimin e situatës aktuale. Nga ana tjetër në takimin mes zv/kryeministrit Fatmir Besimi dhe komisionarit Han në qendër të bisedës kanë qenë liria e 35ve, gjyqësia, lufta kundër krimin dhe korrupsionit si dhe marrëdhëniet ndëretnike. Semra Jakupi

Zaev në ‘Rruga drejt…’, do publikojmë gjithçka që posedojmë

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev është sonte ekskluzivisht në ALSAT, në kuadër të emisionit “Rruga Drejt”. Zaev flet për gjithçka posedon, e që kanë të bëjë “bombat e përgjimeve” që ka nisur të shpalos tashmë.“Edhe pse është e dhimbshme, nga bisedat e përgjuara, tani e kuptoj më së miri përse Ahmeti sillet në këtë mënyrë me partnerin e koalicionit. E kuptoj edhe Menduh Thaçin!”, – ka deklaruar Zaev. Kreu i opozitës flet edhe për rastin “Monstra”, madje madje, hap edhe një kapitull të ri, “A ka pasur vrasje me urdhër, ndaj personave të caktuar në Maqedoni”. Në emisionin e sotëm do të flitet gjerë e gjatë, dhe Zaev theksoi se gjithçka që posedon si dëshmi, do të publikohet pa mëdyshje, brenda 30 apo 45 ditëve të ardhshme.

Në atë drejtim, nëse mundet diçka pozitive të nxirret nga deklarata e djeshme e liderit të BDI-së, Ahmeti, se edhe ai bëri thirrje, gjithçka që ka, për individë dhe institucione, kush është përfshirë në akte kriminale bëjnë thirrje të publikohen, ajo që të huton është se ata kanë ministër të Drejtësisë, e nga ana tjetër nuk i besojnë edhe vetë gjyqësorit ndërsa janë pjesë e këtij pushteti dhe e ftojnë Bashkësinë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë dhe të monitorojë tërë këtë proces.

“E shkretë barrë që e mbaj në vetvete. Tani, këta muaj i hapën të gjitha dyert dhe dritaret. Dini gjithçka, edhe gjëra që nuk i keni dashur t’i dini asnjëherë. E kuptoj edhe Ali Ahmetin pse reagon kështu, e di edhe Menduh Thaçin pse sillet kështu, di gjithçka! E di edhe se ministri i Drejtësisë, sa ka ndikim në këtë përputhje të shtetit nga partia, sepse merr telefonata çdo orë, dhe e di sa është ajo fuqi.. Por njëkohësisht nuk mund ta shpjegoj pse është i pamjaftueshëm reagimi në këtë pjesë. Sepse jo vetëm kjo që them tani, se ministri i Drejtësisë nuk është pjesa përfundimtare e gjyqësisë, këtë e dinë të gjithë, mbi të ka edhe qeveri…”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Po, por u bë derisa ishte ministri i VMRO-së…

“Mihajllo Manevski, po ajo u kalua ashtu sepse Gruevski e kaloi ashtu. Tani kur nuk është Mihajllo Manevski, dihet se është mekanizëm kontrollues, që ka kaluar në duar të tjera, por në përgjithësi ajo që tani është me rëndësi, erdhi momenti! Nuk ka më kalkulime, pra erdhi momenti dhe e bën hapin e vërtetë, ose mbetesh si një kalkulues; të të mbajë mend shoqëria dhe historia në këtë kohë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”,deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së. Alsat-M