Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

A u duhet shqiptarëve në ish-IRJM një “Asociacion i Komunave Shqiptare”?

Maqedonia etnike harta

 

Ishte vetëm çështje kohe kur ndonjëra nga partitë shqiptare në ish-IRJM do të abuzonte me situatën delikate të krijuar me insistimin e Serbisë për “Republikën Serbska” në Kosovë, duke bërë paralelizma mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në ish-IRJM.  Dhe ashtu ndodhi.

 

Partia erdoganiste Alternativa, e sapodëbuar nga koalicioni qeverisës me LSDM dhe BDI, doli me “shashkën patriotike” të thirrjes drejtuar partive shqiptare BDI, ASH dhe BESA, të cilat drejtojnë Komuna në RMV, të ngrejnë nismën për themelimin e “Asociacionit të Komunave Shqiptare në RMV”, duke kërkuar që ky Asociacion të ketë po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”.

Motivi skajshmërisht abuzues i krerëve të kësaj partie, i bën moskokëçarës për pasojat dhe pikëpyetjet që ngren kjo iniciativë: – Do ishin dakord ata që “Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë” të ketë kompetenca ekzekutive, në mënyrë që në saje të paralelizmit, këto kompetenca t’i ketë edhe “Asociacioni i Komunave shqiptare në ish IRJM”? Cilat janë pasojat nga refuzimi i pritur i kësaj iniciative nga partitë  tjera shqiptare të akomoduara në pushtetin qendror dhe atë lokal? A i jepet mesazhi i gabuar bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët në ish IRJM janë kundër iniciativave për të vetëvendosur dhe për t’u vetëqeverisur?

Padyshim, çdo kërkesë e shqiptarëve të cilët përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë në ish-IRJM, për ridefinimin e shtetit dhe sistemit qeverisës, nga ai unitar në federativ/konfederativ është e drejtë dhe e ligjshme.  Është zgjidhja e vetme që atyre do t’u jepte mundësinë për t’u vetëqeverisur në njësitë e tyre shtetërore. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të gëzonin të gjitha të drejtat kolektive si popull autokton dhe shtetformues, jo vetëm që përfaqësuesit e tyre politikë do ju jepnin llogari drejtpërdrejt zgjedhësve në vend të partive sllave, jo vetëm që do të ishin në gjendje të zbatojnë politika kombëtare zhvillimore, arsimore dhe kulturore me buxhetin që ju takon, për të parandaluar egzodin e të rinjve jashtë vendit, por kjo do të shuante edhe konfliktet dhe do të relaksonte njëherë e mirë marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend.

Por jo duke imituar më pak se 4% kolonë serbë në Kosovë, të mbledhur rreth grupeve kriminale serbe që zbatojnë urdhërat e Beogradit në Kosovën me mbi 90% shqiptarë! Kërkesa për “Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë” nuk është një kërkesë e ligjshme e banorëve të Kosovës që mund të merret si shembull, por një rrugë e tërthortë, invazive, hegjemoniste e Beogradit, për të formuar “Rebpublikën Serbska” në Kosovë, që do të coptonte dhe Bosnjëzonte Kosovën, për ta shëndruar atë në një shtet jofunksional, dhe në këtë mënyrë, në një pre të lehtë që në një të ardhme të afërt ta kthente përsëri si pjesë të Serbisë.

Shqiptarët në ish IRJM, që edhe sipas Censusit të fundit i cili nuk fitoi besueshmërinë jo vetëm të shqiptarëve, por gjithë popujve të regjionit, përfaqësojnë 30% të popullsisë, nuk kanë nevojë për një rrugë të ndërmjetjme për të realizuar të drejtat e tyre kolektive, aq më pak duke marrë shembullin e serbëve të Kosovës!

Zgjidhja është shumë e vonuar, por një hap larg!

Mjafton që krerët e korruptuar të partive shqiptare të heqin dorë nga shtëpitë milionshe në lagjet ekskluzive të Shkupit, postet, tenderat dhe përfitimet e tjera në shkëmbim të mercenarizmit të tyre politik, dhe të tërhiqen jo vetëm nga pushteti ekzekutiv, por edhe nga ai legjislativ, duke kushtëzuar çdo komunikim me palën tjetër, me ridefinimin e kushtetutës dhe të shtetit,  për të fituar pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon shqiptarëve.

E nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë, janë vetë qytetarët shqiptarë ata që duhet t’i detyrojnë, duke mbushur sheshet dhe rrugët e qyteteve të tyre, për të luftuar sot për një të ardhme më të mirë dhe vende pune për fëmijët e tyre, për dallim nga ajo që kanë bërë deri tani, duke kërkuar vende pune për veten e tyre në shkëmbim të nënshtrimit ndaj këtyre partive.

Është kaq e thjeshtë!

 

Afrim Fanda

Shkatrimi i gjurmëve arkeologjike ilirie të shqiptarëve në Shkup. Pse partitë shqiptare heshtin?

dardanet“Ndryshimet kushtetutese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, si popull shtet-formues duhet të miratohen… shqiptarët do ta mbështesin në tërësi identitetin maqedonas” deklaroi lideri i BDI z. Ali Ahmeti në takimin e kryeministrit shqiptar z. Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga “Maqedonia e Veriut”, më 10 janar 2023.

 

Por z. Ali Ahmeti nuk është kreu i vetëm i partive politike shqiptare që mbështet identitetin “maqedonas” të bashkëqytetarëve të tij sllavë, në dëm të interesave të bashkëqytetarëve të tij shqiptarë, të cilët kushtetuta e vendit i konsideron si pakicë e ardhur!

Kështu, z. Arben Taravari votimin e ndyshimeve kushtetutese, si kusht për hapjen e negociatave me BE, e konsideron si “një mundësi shumë të mirë për afirmimin ndërkombëtar të identitetit maqedonas”. Ndërsa, kërkesën e shqiptarëve për të drejtën e tyre të pamohushme dhe të domosdoshme për “riorganizimin dhe ridefinim të shtetit” e konsideron si “frustracion” i cili mund të paraqitet vetëm në rast të “rezikimit të perspektivës evropiane”.

Ndërkohë qëndrimi i partive Alternativa dhe Besa, tani më dihet qartë – historia e shqiptarëve fillon me Perandorinë Osmane dhe konvertimin në fenë islame. Ndaj nuk janë të interesuar fare për të kaluarën e vjetër, “të pafe” të shqiptarëve!

 

Gjetjet arkeologjike të shumta përfshirë edhe këto të ditëve të fundit, që dëshmojnë për Shkupin kryeqendër të Dardanisë, bien ndesh me projektin sllav të identitetit “maqedonas”, që Shkupin e konsideron kryeqytetin e shtetit komb të “Maqedonisë (së Veriut)” dhe shqiptarët pakicë në këtë shtet. Ndaj keto gjurmë arkeologjike dhe këto site arkeologjike duhet të zhduken nga faqja e dheut dhe te zëvendësohen me pallate moderne dhe asfallt që mbulon historinë e vjetër – të vërtetë dhe tregon vetëm historinë e re – atë të mashtrimit dhe përvetësimit.

 

Lufta për legalizimin e identitetit “maqedonas” të përvetësuar nga sllavët, e maskuar me “perspektivën evropiane të shtetit” është “kauza” politike e partive shqiptare, që sqaron heshtjen e tyre gjatë këtyre ditëve, dhe angazhimin e tyre prej mercenarëve që kanë marrë detyrat nga padroni, në këmbim të privilegjeve që u jep pjesëmarrja e në pushtet.

 

Heshtin edhe institucionet e shtetit shqiptar, të zhytyr në krim dhe korrupsion, në vazhdimësi të sjelljes së pushtetit monist, që në mbrojtje të ideollogjiive internacionaliste, shqiptarët jashtë kufirit i la në mëshirën e sllavëve.

 

E Kosova, shpresojmë që mos të harrojë se kryeqyteti i Dardanisë nuk është në Kosovën e Ahtisarit, por në Shkupin e shqiptarëve të “Maqedonisë”!

Afrim Fanda

 

Ju lumtë juve krerëve trima të ASH, për këtë përkrahje pa rezervë për kushtet e kryeministit Albin Kurtit për Asociacionin njëetnik të Komunave me Shumicë Serbe.

Albin ASHPor na sqaroni pak, kush janë këto „QARQE TË NDRYSHME NACIONALISTE“ në Ballkanin Perëndimor, që do ta shfrytëzonin këtë „precedent të rrezikshëm për stabilitetin rajonal“ të krijuar nga kërkesat shoviniste të Beogradit!?

Kroatët? Malazezët? Bosnjakët? Sllovenët?

Apo mos e keni fjalën për shqiptarët?

Po shqiptarët „gëzojnë të drejta të garantuara sipas standardeve më të larta evropiane” !?

Sqaroni pak shqiptarët, çfarë është qëndrimi i juaj për faktin që 30,8% serbë në Bosnje dhe Hercegoninë kanë njësinë e tyre shtetorëre (Republika Serbska) dhe kroatët me 15,4% janë popull shtetformues dhe kanë kantonet e tyre në Federatën Boshnjake, e gjithe kjo në shtetin konfederal me pesë nivele qeverisëse. Ndërkohë që për shqiptarët, 30% të popullsisë në ish IRJM, mjafton statusi i pakicës në shtetin me regullim unitar?

Jeni dakord me këtë status kushtetues të shqiptarëve?

Apo hyrja në koalicionin bashkëqeverisës me LSDM dhe BDI i sqaron të gjitha?

Sqaroni pak opinionin shqiptar, se çfarë e bën një parti shqiptare, pjesëmarrja në ekzekutivin e shtetit që diskriminon me kushtetutë shqiptarët?

Besoj e dini, sepse e keni sqaruar shumë mirë kur bëhej fjalë për BDI-në!

AF

„Republika Serbe në Kosovë“ nuk kalon!

kurti u zmbrapsCili është mesazhi i vërtetë, psikologjik, që fshihet në prapavijën e fushatës të orkestruar nga LDK, PDK, AAK, kundër Albin Kurtit dhe “zmbrapsjes” së tij, përmes 6 kushteve të pakapërcyeshme për Vuçiçin për “Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë”:

 

“Ja e shihni, edhe Albin Kurti e pranoi Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë”, ashtu siç e pranuam dhe e nënshkruam edhe ne”. Pra “edhe Albin Kurti, Vetvendosja janë të prishur dhe të shitur siç jemi ne”. Pra, rrjedhimisht “të jesh i prishur dhe i shitur nuk është diçka e keqe, sepse kështu jemi të gjithë”

Është e padiskutueshme përkrahja që ka Albin Kurti në qëndresën e tij kundër rrezikut të “Republikës Serbe Në Kosovë” tek çdo shqiptar me vetëdije minimale kombëtare, si brenda, ashtu edhe tek shqiptarët jashtë Kosovës.

Por është shumë e gabuar që e drejta e pamohueshme e shqiptarëve autoktonë në ish IRJM për njësinë e tyre shtetërore përmes federalizimit të ish IRJM si dhe e drejta e shqiptarëve autoktonë në luginën e Preshevës dhe Malin e Zi për autonomi territorialo-politike, të përdoret si kërcënim e jo si e drejtë e pakushtëzueshme dhe e pakrahasueshme me kërkesat e Beogradti në emër të një grushti kolonësh paramilitarë serbë në Kosovë.

Afrim Fanda

Monolog mbi Dinjitetin nga Nderi i kombit Mirush Kabashi

Më falni, çfarë të bëja më thua ti?

Ah të gjeja një të fortë, një të madh…

P.sh një politikan apo pushtetar edhe të mbrohesha nga ai?

Ndërsa unë për turp ta përqafonja? Të varesha pas tij dhe si kacavjerrsa trungut që i lutet atë ta lëpija e kështu tu lartësoja jo më fuqitë e mia?

Jo o tungjatjeta!!!

Apo të bëj siç bën çdo horr, çdo legen. Për të mëdhenjtë bejte, të shndërrohesha në gaztor pa turp por me shpresë se mbase po i qesh nga simpatia ndonjë ministri buza për marrëzitë e mia?

Jo or tungjatjeta!!!

Të përulem, të telendisem dhe për një kothere buke si bolla të zvarrisem?

E duke shkarë të ndotem gjunjë e lëkurë dhe nga përulja shpina të më krruset e të bëhem urë?

Jo or mik, tungjatjeta!!!

Oh më mirë të këndosh, të ëndërrosh e të qeshësh i vetmuar por i lirë…

Të vështrosh sypetrit edhe tja thuash me drithëtirë dhe fesin, fesin të ma vesh mbi sy si ta ka ënda.

Për një po, apo për një jo të luftosh apo të të shkasë penda.

E të punosh pa gajle për pasuri, për lavdi, mor sikur dhe në hënë të të ngjisin, të mbetesh njeri.

Dhe të mos shkruash edhe të mos thuash gjësendi që zemra sta thotë, porse diçka që vetes ti thuash gojëplotë kënaqu miku im…

Se çdo pemë apo frut që mblodhe sti dhanë sadaka, në kopshtin tënd i mblodhe .

E në të dhëntë rasti të fitosh ndonjë çmim kult apo arit të mos kesh pse të thuash në sajë të Çezarit, por vetëm vetes tënde tja njohësh për meritë.

E kështu dukë i përbuzur të gjitha bimët parazite, ndonëse nuk do të rritesh vigan si plep me fletë, nuk ka gjë, mjaft paksa të rritësh por di që je ngritur vetë.

Si më falni? Ç’më ka zënë ky vesi i marrëzisë që dua ti bëj të gjithë armiq?

Më detyroni ju. Po po ju që i zini të gjithë miq.

Dhe u qeshni plot nur e gjithë gaz, me buzët rrudha -rrudha siç kanë pulat pas.

Ndërsa unë miqësinë e sëmurë apo miqësinë mediokre dua ta rralloj dhe them me gaz në zemër –Ja dhë një armik që shtoj.

Ja ky është zakoni im. Dua tju neveritem intrigantëve, atëherë ndjej gëzim.

Oh si më bëhet zemra ta dish të vërtetën mik, kur shikoj që më sulmojnë me ato vështrimet fikse atëherë tu bësh sehirin.

Kur nxjerrin vrer selie, pështymë e jargë nga goja këto kërma fëllishtërsie.

Miqësia e sëmurë që juve ju ka rrethuar, më përngjan me ato kollarot ngrirë-praruar të Italisë ku qafa të rri si qafë pate.

Jo sigurisht që kështu ju vjen mirë miqve, zotërisë tate se balli pa karakter dhe moral që ta pengojë, lehtë-lehtë nga çdo anë mund të anojë.

Ndërsa mua që dinjiteti më shtyp kuptohet qartë me thumb më shpon, që kryet t’i mbaj gjithnjë lart.

Një armik më shumë është një gjemb i ri vërtet, më nxjerr telashe por më shton edhe një stoli.

Sepse siç ishin qaforet që mbanin burrat spanjollë, dinjiteti është një hallkë por edhe një aureolë…

Memoria: Asgjë për të hequr nga ky status, edhe 5 vite më vonë! Për të shtuar sa të duash…!

 

Shoqata e te burgosurve politik ALBJa, ky është dallimi, të jetosh në shtetin tënd, apo i mbajtur peng nga ca shpirt-shitur, në një krijesë artificiale, të huaj për ty siç është IRJM!

 

Shteti shqiptar, edhe përkundër problemeve të shumta, dëmshpërbleu para ca ditësh të përndjekurin e fundit politik, dhe kësaj kategorie që simbolizojnë ndërgjegjen dhe sakrificën e kombit për liri, ju dha zyrë me fonde të shtetit pikërisht në një godinë me një institucion të rëndësishëm siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit (siç shihet dhe nga fotografia e bashkëngjitur).

Ndërsa në IRJM, shteti në duart e sllavo-maqedonasve dëmshpërbleu një me një, vetëm sllavo-maqedonasit bullgarofil. Udhëheqësi i BDI-së, i cili shmangu burgun duke bërë pazare me sigurimin shtetëror të Jugosllavisë së atëhershme dhe duke ikur ne Zvicër, shmangu punën në atë shtet duke siguruar dokumentin se vuan nga sëmundja e Skizofrenisë, kurrë nuk përmendi të burgosurit politik në fjalimet e tija patetike, as në institucionet kur përfaqësonte shqiptarët e as jashtë saj. Grumbulloi rreth vetes të tjerë shpirt-shitur, në mes tyre bile edhe disa ish të burgosur politik, duke u dhënë pozicione dhe vende pune në shtet, të cilët, për një grushtë para, mbyllen gojën dhe injoruan vëllezërit e tyre të një gjaku që sakrifikuan jetën ose vite nga jeta e tyre për të mirën e përgjithshme.

Afrim Fanda

Qeni leh aty ku ha, thotë populli…

BilliQeni leh aty ku ha, thotë populli. Për ata që financojnë dhe mbështesin islamin politik, me të cilin janë brumosur themeluesit e “Lëvizjes Besa”, të gjitha vajzat dhe gratë e pambuluara janë “kurva” që “dëgjojnë muzikë të zhurmshme, pinë alkool dhe bëjnë pornografi”. Ndaj dhe Bilall Kasami, në shenjë besnikërie ndaj vijës politike të “sulltanit”, kryen me zell detyrën e “policisë së moralit”

Por problemi nuk është tek Bilall Kasami, dhe jeniçerët e “Lëvizjes Besa” e as tek “Aleanca për Shqiptarët” që bashkë me VMRO i dhanë Lëvizjes Besa fuqinë e pushtetit lokal për të vënë në zbatim islamin politik të Erdoganit. Problemi është se këta djem dhe këto vajza për të cilët flet Bilall Kasami, zgjedhin rrugën më të lehtë, apolitike, për t’u përballur me realitetin kryekëput politik: veshët në lesh, symbyllur në ndonjë vend pune, më së miri në ndonjë OJQ… dhe të kënaqur në gjumë. Problemi është sa sa here që realiteti i hidhur ua nxjerr gjumin, vazhdojnë e vazhdojnë të habiten me realitetin e hidhur politik që i rrethon!

https://www.youtube.com/watch?v=f9NJSBiMyto…

Afrim Fanda

Fabula: MOS ARGUMENTONI ME GOMERË

luani Gomari

Gomari i tha tigrit:

– “Bari është blu”.

Tigri u përgjigj:

– “Jo, bari është i gjelbër”.

Diskutimi u ndez dhe të dy vendosën ta paraqesin atë në arbitrazh, dhe për këtë ata shkuan para luanit, mbretit të xhunglës.

Tashmë para se të arrinte lëndina në mes të pyllit, ku luani ishte ulur në fronin e tij, gomari filloi të bërtiste:

– “Madhëria e juaj, Madhëria e juaj, a është e vërtetë që bari është blu?”.

Luani u përgjigj:

– “E vërtetë, bari është blu.”

Gomari nxitoi dhe vazhdoi:

– “Por, Tigri nuk pajtohet me mua dhe më kundërshton dhe më bezdis, të lutem ndëshkoje.”

Atëherë mbreti deklaroi:

– “Tigri do të dënohet me 5 vjet heshtje”.

Gomari u hodh i gëzuar dhe vazhdoi rrugën, i kënaqur dhe duke përsëritur:

– “Bari është blu”…

Tigri e pranoi dënimin e tij, por megjithatë e pyeti luanin:

– “Madhëria juaj, pse më dënuat mua?, bari është i gjelbër.”

Luani u përgjigj:

– “Në fakt, bari është i gjelbër”.

Tigri pyeti:

– “Po pra, atëherë, pse më dënon mua?”.

Luani u përgjigj:

– “Kjo nuk ka të bëjë me pyetjen nëse bari është blu apo jeshil.

Ndëshkohesh, sepse nuk është e mundur, që një krijesë e guximshme dhe inteligjente si ti, të humbasë kohë duke debatuar me një gomar, e mbi të gjitha, të vijë të më shqetësojë edhe mua me atë pyetje”.

Humbja më e keqe e kohës është debati me budallain dhe fanatikun, të cilit nuk i intereson e vërteta apo realiteti, por vetëm fitorja e besimit dhe iluzionit të tij. Asnjëherë mos humbisni kohë në argumentime që nuk kanë kuptim…

Ka njerëz që, sado prova dhe prova t’u paraqesim, nuk janë të aftë për të kuptuar ose janë të verbuar nga egoja, urrejtja dhe inati dhe gjithçka që duan është të kenë të drejtë edhe nëse nuk kanë.

Kur injoranca bërtet, inteligjenca hesht.

Paqja dhe qetësia juaj vlejnë më shumë.

Billionaire’s Wisdom

Derisa kroatët dhe boshnjakët, flasin hapur, gjatë gjithë kohës për të kaluarën e tyre të largët dhe të afërt, duke kujtuar krimet, viktimat, si dhe duke festuar betejat e fituara në luftën e tyre të ashpër me okupatorët serbë, shqiptarët heshtin për të kaluarën e tyre plot dhimbje, vuajtje, tmerre, të shkaktuara nga po i njëjti agresor dhe ideologjia në shërbim të këtij agresori.

Madje edhe serbët ngulin këmbë për të kaluarën, por duke luajtur me mjeshtri rolin e viktimës që po dëmtohet.

Në Kosovë, e në veçanti në ish IRJM kërkohet nga faktori ndërkombëtar dhe zbatohet me dëgjueshmëri dhe bindje nga klasa politike shqiptare që të harrohet e kaluara, madje edhe ajo e afërt, gjithmonë, në funksion të “stabilitetit të rajonit”. Ndërsa klasa politike në Shqipëri, “harron” vullnetarisht të kaluarën, duke patur frikë të përballet me të.

Por çfarë klase politike, çfarë intelektualësh, çfarë rinie prodhon shoqëria shqiptare, e cila hesht për të kaluarën, pranon dhe jeton me padrejtësinë që buron nga kjo e kaluar dhe ka frikë të përballet edhe sot me këtë padrejtësi? Klasë politike të korruptuar dhe të shitur, pseudointelektualë në shërbim të këtyre të parëve dhe rini në gjumë pa ëndra, pa energji për ndryshime dhe zhvillim.

 

Në vazhdim të sa më sipër, ju ftoj të lexoni shkrimin me të njëjtën temë, të përkthyer nga unë (nga verzioni anglisht), të gazetarit rus Vladimir Yakovlev, djali i gazetarit të famshëm rus Yegor Vladimirovich Yakovlev:

 

“Jam pagëzuar sipas pas gjyshit tim.

Gjyshi im Vladimir Yakovlev ishte një vrasës, një xhelat gjakatar, një çekist*. Ndër viktimat e shumta të tij janë edhe vet prindërit e tij.

Ai vrau të atin duke e akuzuar per spekulator. Kur e mori vesh nëna e tij, stërgjyshja ime, vari veten.

Kujtimet e mia më të lumtura të fëmijërisë lidhen me një apartament të vjetër, të gjerë, në rrugën Novokuznetskaya, për të cilin familja jonë ishte shumë krenare. Siç kuptova më vonë, ky apartament nuk u ble, as nuk u ndërtua, por u mor me forcë – nga një familje e pasur biznesi në Moskë.

Më kujtohet dollapi i vjetër ku ngjitesha për të kërkuar ushqim. Dhe divani i madh i rehatshëm në të cilin gjyshja më lexonte tregime në mbrëmje. Dy kolltukët e mëdhenj prej lëkure, të cilët, sipas traditës familjare, përdoreshin vetëm për biseda veçanërisht të rëndësishme.

Siç mësova më vonë, gjyshja ime, të cilën e doja shumë, punoi me sukses si spiune, provokatore, për pjesën më të madhe të jetës së saj. Ajo përfitoi nga prejardhja e saj fisnike për t’u afruar me njerëz të ndryshëm dhe për të provokuar të njohurit e saj për t’u konfrontuar me të. Më pas ajo përpilonte raporte zyrtare për policinë secrete, duke përshkruar këto biseda.

Divani mbi të cilin më treguan histori, karriget, bufeja dhe të gjitha mobiljet e tjera nuk u blenë nga gjyshërit e mi. Ata thjesht i zgjodhën nga një magazinë speciale, ku furnizoheshin me mobilje nga shtëpitë e moskovitëve të pushkatuar.

Nga kjo magazinë çekistët* i mobilonin banesat falas.

Nën vellon e hollë të injorancës, kujtimet e mia të fëmijërisë janë të mbushura me frymën e plaçkitjes, vrasjes, dhunës dhe tradhtisë. Janë të njomur me gjak.

Dhe unë, kush jam unë vetë?

Të gjithë ne që jemi rritur në Moskë, jemi nipër viktimash dhe xhelatësh. Të gjithë ne, absolutisht të gjithë. Pa përjashtim.

Nuk kishit viktima në familjen tuaj? Pra, ka pasur vrasës.

Nuk kishte vrasës? Pra, ka pasur viktima.

Nuk kishte as viktima as ekzekutues? Pra, ka sekrete këtu. As mos e dyshoni!

Më duket se ne e nënvlerësojmë shumë ndikimin e tragjedive të së kaluarës ruse në psikikën e brezave të sotëm. Psikikës time dhe tëndes.

Kur vlerësojmë shkallën e tragjedisë që lidhet me të kaluarën ruse, zakonisht numërojmë të vdekurit. Por për të vlerësuar me të vërtetë shkallën e ndikimit të këtyre tragjedive në psikikën e brezave të ardhshëm, nuk janë të vdekurit, por të mbijetuarit që kanë rëndësi.

Të vdekurit janë zhdukur të gjithë. Por të mbijetuarit janë prindërit tanë dhe prindërit e prindërve tanë.

Të mbijetuarit – janë të vejat, jetimët, ata që kanë humbur të dashurit e tyre, të mërguarit, ata që u bënë vrasës për të shpëtuar veten… në emër të idesë apo fitores, ata që shklën…shitën ndërgjegjen, u kthyen në xhelatë. , të torturuarit dhe torturuesit e tyre, të përdhunuarit, të gjymtuarit, të grabiturit, ata që shkruan raporte, të tretur nga pikëllimi, faji apo besimi i humbur, të poshtëruarit, të uriturit për vdekje, robëria, pushtimi, kampet.

Dhjetëra miliona njerëz kanë vdekur. Të mbijetuarit? Qindra miliona.

Qindra miliona janë njerëz, frikën e tyre, dhimbjen e tyre, ndjenjën e të qenit nën një kërcënim të vazhdueshëm që buron nga bota e jashtme – ia kanë përcjellë atë fëmijëve të tyre, të cilët nga ana tjetër, duke i shtuar kësaj dhimbjeje vuajtjet e tyre.

Statistikisht, nuk ka asnjë familje të vetme në Rusi sot që në një mënyrë apo në një tjetër të mos ketë marrë me vete pasojat e tmerrshme të mizorive të paprecedentë që kanë zgjatur në vend për një shekull.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se sa ndikon përvoja jetësore e tre brezave të njëpasnjëshëm të paraardhësve tuaj në perceptimin tuaj individual të botës sot? Nëse jo – mendoni për këtë.

M’u deshën vite për të kuptuar historinë time të familjes. Por kjo është arsyeja se pse tani e di më mirë se nga vjen kjo frikë e vazhdueshme, e paarsyeshme. Ose fshehja e tepërt. Ose pamundësia absolute për të ndarë dhe ndërtuar marrëdhënie të ngushta. Ose ndjenja e vazhdueshme e fajit që më ka ndjekur që nga fëmijëria – në fakt për aq kohë sa mbaj mend.

Në shkollë na flisnin për mizoritë e fashistëve gjermanë. Në universitet – për krimet e Hóng Wèibīng kineze dhe Kmerët e Kuq Kamboxhian.

Ata thjesht harruan të na thonë se vendi ku ndodhi gjenocidi më i tmerrshëm, i paprecedentë në shkallën dhe kohëzgjatjen e tij nuk ishte Gjermania, as Kamboxhia, as Kina – por vetë vendi ynë. Dhe këtë tmerr të gjenocidit më të tmerrshëm në historinë njerëzore e përjetuan jo kinezët apo koreanët, por tre breza të familjes së tyre.

Ne ende mendojmë se është më mirë të mos e dimë.

Në fakt është më keq se kaq. Shumë më keq se kaq.

Ajo që nuk dimë vazhdon të ndikojë tek ne përmes gjumit të fëmijëve, përmes marrëdhënieve tona me prindërit. Thjesht kur nuk e dimë, nuk jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tij dhe jemi të pafuqishëm për ta kundërshtuar atë.

Pasoja më e tmerrshme e traumës së trashëguar është pamundësia për të qenë të vetëdijshëm për të. Dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj, një paaftësi për të kuptuar shkallën e kësaj traume dhe shkallën e perceptimit tonë të realitetit sot.

Dhe nuk është aq e rëndësishme se kush e personifikon saktësisht këtë frikë për cilindo prej nesh, të cilin ne e perceptojmë si një kërcënim – Amerika, Kremlini, Ukraina, homoseksualët, turqit, Evropa “e mjerueshme”, kolona e pestë, apo thjesht shefi. të punës ose polici i hyrjes dhe metrosë.

Ajo që është më e rëndësishme është nëse e kuptojmë se deri në çfarë mase frika jonë individuale sot dhe ndjenja jonë e kërcënimit të jashtëm janë në të vërtetë vetëm fantazma e asaj të shkuare që kemi aq frikë ta shikojmë në sy.”

*(çekist – anëtar i Çeka, organizatë e policisë sekrete sovjetike)

Afrim Fanda

Tetova dhe pornografia politike në prag të zgjedhjeve të parakohshme për Këshillin Komunal

IluzioniTeksa në këto ditë gushti në Tetovë, po shijoja freskinë e Sharit që mbrëmja ja sjell dhuratë të përditshme qytetit të Tetovës,  rrugëve kryesore të qytetit me dhimbje po shikoja po të njëjtën pamje si para zgjdehjeve vendore të vitit të kaluar, që tanimë pothuajse askujt nuk i le përshtypje: kazanë të tejmbushur me plehra, që mbushin edhe gjysmën e trotuarit përreth kazanëve, dhe si për ironi, pranë tyre “bilboarde” me slogane të partive, që këtë herë garojnë me kandidatët e tyre për zgjedhjet e parakohshme për këshillin komunal të Tetovës. Slogane për faqe të zezë, qesharake, apsurde, pa asnjë lidhshmëri llogjike me realitetin, por që shpalosin qartë etjen e partive për ta shtënë në dorë pushtetin lokal në qytetin më strategjik shqiptar në ish IRJM.

 

Kështu, krerët e BDI vazhdojnë me sloganin e tyre të vjetër “Bashkë… për Tetovën”. Bashkë me kë? Këtë e dinë vetëm ata, por nga përvoja e deritanishme mund të konkludojmë se e kanë fjalën për misionin e përbashkët politik me dy partite sllave, LSDM dhe VMRO-DPMNE, për të vazhduar degradimin e Tetoves (deri tani mjaft të suksesshëm).

Krerët e “Lëvizja Besa”, të cilët në zgjedhjet e kaluara vendore as me ndihmën e ASH, VMRO-DPMNE dhe LSDM, të gjitha bashkë, nuk arritën të siguronin shumicën në këshillin komunal, tani e kërkojnë këtë nga qytetarët përmes sloganit “Shumicë për 8ovën”, dhe duke ofruar pazare, ose më saktë kushte “patriotike” tetovarëve: “na jepni shumicën nëse doni që rruga “Strasho Pinxhur” të quhet “Mujdin Aliu”. Pa sqaruar tetovarët se pse këtë nuk e bënë deri tani, dhe duke lënë të nënkuptohet se “pengesë” për këtë ishin dy këshilltarët e “Më mire për Tetovën”, me ndihmën e të cilëve vitin e kaluar siguruan shumicën në Këshillin Komunal.

Slogani i hallall partisë “simotër” e LB, Alterntivës, “Tetova ka alternative”, na kujton paralajmërimin e presidentit Makron, për agjendën e islamit politik erdoganist të rezikshëm, të imponuar shqiptarëve si alternativë ndaj BDI. “Tek popullata shqiptare në RMV po punohet nga disa shërbime te huaja për turqizimin e tyre… dhe qëllimi është që deri në vitin 2050 të ketë një rritje drastike të përqindjes së turqve në RMV” ishte paralajmërimi i Makron, i cili të përforcohet akoma më shumë, kur lexon “alternativën” që na ofrojnë në deklarimet e tyre publike përplot ikonografi patriotike turke disa eksponentë të LB dhe Alteraniva, të cilët në fillim shkruajnë turqisht, pastaj “maqedonisht” e në fund shqip.

Ndërkohë krerët e ASH zgjodhën sloganin më ironik të mundur: “Jepi zë rinisë”.

Çfarë zëri ofrojnë partitë shqiptare të rinjve pa shpresa, pa motive dhe frymëzime politike, të përballur me një pasiguri absolute ekonomike dhe sociale?  Përse po largohen kaq masivisht të rinjtë shqiptarë nga Tetova dhe qytetet e tjera shqiptare në ish IRJM? Pikërisht nga pabarazia e tmerrshme sociale ku në punë hyjnë vetëm militantët e partive, të detyruar për prostituim politik për “padronët” politikë të partive, të cilët shesin ndikimin dhe fuqinë e tyre në përpjekje për të siguruar arritje dhe perfitime personale, gjë të cilën bota quan “prostituim politik”.

Te shqetëson dhe deprimon fakti qe nje numër kaq i madh i të rinjve dhe të rejave jane te gatshëm te bëhen pjese e pornografive partiake duke shkelur mbi dinjitetin dhe te ardhmen e tyre, kur sheh “billboardet” me të te rinj e te reja, të reshtuar si ushtarë partishë me në ballë injorantë me mendësi provinciale që prej vitesh kane uzurpuar partite, pushtetin dhe në përgjithësi hapsirën politike të shqiptarëve në ish IRJM. Te shqeteson fakti që ka kaq shum “prostituta intelektuale”, te gatshëm të shesin edhe mendimet e tyre këtyre injorantëve, dhe me te pavertetat ose me gjysem te vertetat e tyre të mbajne gjalle pushetin e tyre, duke demtuar te ardhmen e brezave të tërë.

Të shqetëson dhe deprimon fakti që edhe ata pak të rinjë që, në pamje të pare, nuk kanë pranuar të jenë ushtarë të bindur partish, ndaj garojnë sit ë pavarur në këto zgjedhje, nuk kanë guxim të ballafaqohen me faktin që të nxjerr sytë, se janë të drejtat kolektive të mohuara, të konsideruara si rrezik për shtetin unitar në duart e partive sllave, përgjegjesë për qytetet e pajetueshme shqiptare. Dhe për mjerim, këto shqetësime të shprehura nga të tjerët, i quajnë “radikale”. Ndaj nuk kanë guxim ta pranojnë faktin e pamohueshëm se degradimi kaq i shprehur i qytetit të Tetovës nuk është një problem teknik keqmenaxhimi që do zgjidhej me transparencën e diskutueshme të siguruar nga ata, por pasojë e abuzimit politik dhe korruptiv me pushetin lokal nga ata, që duart e lira për korupsion dhe kriminalitet në pushtetin lokal i kanë si shpërblim për dëgjueshmërinë dhe shërbimet që i kanë bërë dhe akoma i bëjnë pushtetit qendror në duart, herë të LSDM-së e herë të VMRO-së. Mungesa e guximit i bën të verbër për faktin që të nxjerr sytë, se pushteti qendror në duar e LSDM dhe VMRO, vetëm 40 km larg, kështu e do Tetovën: pa plan urbanistit, me rrugë të pista dhe me gropa, trafik kaotik, paligjshmëri dhe mungesë rendi, e mbrojtur nga vet ligji dhe rendi …! Sepse nga këto qytetet të pajetueshme, merret më lehtë vendimi për të ikur!

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë vazhdojnë akoma të brohorasin dhe admirojnë “mbretërit lakuriqë”, krenarë për “veshjen e tyre të bukur”. Derisa një ditë, shpresojmë sa më shpjejtë,  nga turma e frikësuar e qytetarëve, të dalin  “fëmijët” e H.K. Andersenit  që do të guxojnë të thonë “por mbreti është lakuriq!”

Afrim Fanda