Sulejman ef. Rexhepi – Dromca memoaresh “KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË” (100-114)

Sulejman Rexhepi100. Nuk më vie inat se tallen me mua, më vie inat pse mendojnë se jam budalla

I rrasi me rrena mediat Agron Vojnika! Gjithë botën e informoi se Sulejman Rexhepi u dekorua me “Imazhi i Kombit” nga Akademia e Shqipërisë. Për ta menaxhuar këtë publicitet u inkuadrua edhe sekretarica ime Muzemil Osmani, të cilin këta “puçistat” po e quajnë Zymbyl Aga. Se nga e morën këtë emër dhe pse po e quajnë kështu, këtë mund ta dijnë vetëm ata, kurse unë mund të them se edhe ky pseudonim po i shkon mirë.

Nisi që të kërkojë nga të gjithë myftinjtë, nga Medreseja dhe Fakulteti që, tufa tufa të vijnë dhe të ma urojnë këtë dekoratë të cilën e ëndërron çdo shqiptar. Nisën të vijnë rend me rend. Nisi të më vie edhe mu mirë, nisa ta harroj se tërë kjo ishte një lojë dhe një trik. Megjithatë, të jem i sinqertë, të mos bëhem edhe unë hipokrit sikur këto grupe, tek secili që vinte e vëreja në fytyrë ardhjen e dhunshme të tij, mosbindjen e tij se kisha marrur një çmim me aq prestigj. Vinin, ma uronin, më hidhin surratit nga një kofë me lavdërata dhe iknin.

Po kur u bë një ditë rreshti tamam si në Dedinje kur prisnin qytetarë nga e gjithë Jugosllavia për t’i shprehur nderimet e fundit Josip Broz Titos. Kolonë e gjatë me nxënës, profesorë, personeli teknik. Të gjithë ishin ngritur në këmbë që të vijnë e të më urojnë, kurse në zyren time nuk mund të futen më shumë se dhjetë vetë përnjëherë. Atë ditë u lodha, madje u lodha dhe duke i sharë me mend. Po aq budalla ishin ata që nuk e kuponin se tërë kjo punë ishte një truk dhe një e ngulme nga Agron Vojnika. A nuk e shihnin se në tavolinë po ua tregoja jë figurë qesharake që nuk i jepte personalitetet që do të vlerësohej si “imazh i kombit”! Për herë të parë jam bindur se, kot shkollojmë teologë, kot mbajmë profesorë e profesoresha, të cilët nuk kanë asnjë gram qytetarie, nuk kanë asnjë gram kulturë të përgjithshme, aq më pak kulturë kombëtare.

Më kot u munduam që myslimanëve të vendit t’ua shesim sapunin për djathë. Shumë shpejt e kuptuan se kjo dekoratë në fakt ishte shumë e kotë, ishte dekoratë manipulative, e disa hajnave që themelojnë fondacione e forume sa për t’i rjepur naivët e budallejtë. Ndërsa bota ka me bollëk të tillë. Por, unë nuk jam budalla, në sy i kuptoja të gjithë ata që vinin për të më uruar se, në fakt, ata vinin vetëm sa për ta testuar budallallëkun tim, kurse unë i prisja vetëm sa për ta testuar budallallëkun e tyre. As ata nuk ishin të bindur në dekoratën time por as unë nuk isha i bindur në sinqeritetin e tyre. Megjithatë, ardhjet e shpeshta, kolonat e gjata, pritje përcjelljet, urimet e përzemërta, të gjitha këto, për hirë të kësaj mirësjellje, më nxisnin që ta besoj gënjeshtrën dhe hilen: “po, unë Sulejman Rexhepi, u dekorova me “Imazhi i Kombit”! Thjesht, më vinte mirë dhe lezet t’i besoj kësaj gënjeshtre! Megjithatë, me këtë rast kam edhe një peng: si nuk u bë i gjallë bashkëpunëtori im me të cilin punova më së gjati në karrierën time, hafëz Zenun Berisha? Si nuk erdhi ai për të më uruar. Gjithnjë ka qenë xheloz dhe me plotë inat karshi sukseseve të mia. Unë atë e xhelozova vetëm një herë në jetën time!

 

101.Si ia mora Sllobodan Bogoevskin Zenun efendi Berishës

Ja ku filloi ftohja e Zenun Berishës që nisi ta shfaq karshi meje. Deri në këtë kohë kishim qenë bashkëpunues të mrekullueshëm. Por, po vika një moment kur thyhet gota dhe kur ajo më nuk ngjitet.

E kisha shpallur Jakup Selimovskin për murted dhe, interpetimi autentik i kësaj akuze nënkuptonte apel deri te të gjithë myslimanët për ta likuiduar fizikisht. Kështu të paktën e shpjegonte Selimovski nëpër mediat maqedonase. Ky interpetim e kishte alarmuar edhe policinë e vendit por edhe organet e tjera të drejtësisë. Më silleshin si hiena përreth por unë ua përzieja duke ju sjellë intepretime të tjera. Mu për këtë rast, kishte ardhur kryeudbashi maqedonas, Sllobodan Bogoevski në BFI dhe, pa dijeninë time kishte realizuar një takim me Zenun Berishës, sekretar i atëhershëmi BFI-së.

Menjëherë e kuptova lojën dhe hilen e maqedonasëve! E nisën përçarjen tonë dhe faktorizimin e Zenun Berishës. Në BFI, para syve të mi, në prezencën time, dikush të tentojë e ta faktorizojë Zenun Berishën? Po unë për çfarë isha aty! Boguevski a duhet të shkojë te Zenuni apo të vijë te unë? Pastaj, pse bëhen kaq budalla këta të shërbimeve, mendojnë se mund t’ua sqarojë problemet Zenuni më mirë se unë? Menjëherë i dhashë urdhër shefit tim të kabinetit, Shinazi Memetit që t’ua prishë ndejen, duke e thirrur të vijë në kabinet Zenun Berishën. Zenuni erdhi por, erdhi i çartur, tepër shumë i nervozuar, desh mi nxori sytë se pse u solla në këtë mënyrë. Në pyetjen time se ç’ka Bogoevski që vjen te ti, Zenuni, thjesht, ma priti “mos ha mut, boll të kam duru, mos më shty me e nxjerrë patllakun e me ta qi nanën e me të vra në vend”! Nuk e zgjata më shumë, sepse Zenuni ishte njeri i fjalës. Nëse nuk zbythesha unë, ai do të gjuante me revole, ishte krejt budall njeri. Megjithatë, atë sharje ia mbajta në xhep. Thashë më vete se, do t’ia nxjerr në mënyrë shumë të kulturuar, ashtu siç di unë. Doni të dini se si ju hakmora Zenunit? Thjesht, ia mora Sllobodan Boguevskin!

Përmes kanaleve të mia, e kurdisa një takim me Bogoevskin dhe, në takimin tonë të parë ia prita rrëmbimthi: “po ti a mendove se Zenuni është më faktor se unë, apo ke menduar se ai është informatori më i fuqishëm se unë? O Sllobo, Kibla jote për shqiptarët e vendit jam unë, prandaj, drejtohu kah unë”!

Pse jo? Më mirë unë të jem i lidhur me strukturat e shërbimeve sekrete, se sa t’i lë kundërshtarët e mi të cilët do të kërkonin kundërshpërblim që të ma dridhin kolltukun në BFI. I njoh unë të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Asnjë nuk është i denjë madje as të spiunojë si duhet. Të marrin më qafë kot e kot. Spiun për spiunë – ja ku më kanë mua! I shpejt, profesionist, realist!

 

102.Kur ta përziejnë me kos

Nuk i thënë kot “shërbimi intelegjent”! Do me thënë se është në gjendje ta ngulë secilin intelektual veç e veç. Pak me tru, pak me forcë, pak me shpërblime, pak me shantazh e me kërcënime, kryesorja të të vënë në shërbim!

Nuk e hëngra që të shkoj shumë larg lidhur me çmimin “imazhi i kombit”! Nuk u trimërova dhe nuk u hazdisa, e mora me rezervë. E dija se dikush po pret që unë të shpërfaqem si më i madhi i kombit dhe të lëshohem në konfrontim me të gjithë, deri sa të më diskreditojnë e të më bëjnë përallë. Me këtë dekoratë nuk e hëngra, kurse ma kurdisën një tjetër, nga një “organizatë ndërkombëtare”! Natyrisht, me 20 mij euro pranova që ta marr dekoratën “lideri fetar”, por, tërë këta nocione ishin në gjuhën angleze dhe tingëllonin shumë fort! Në këtë lojë u lëshova, sepse, çuditërisht aty do t’m’i sillnin dy ish-prsidentë shqiptarë: Fatmir Sajdiun si dhe Aleksander Mojsiun! Që të dy ishin ftuar që të ligjërojnë në një tryezë që do ta organizonte një organizatë e kotë e një turku të Gostivarit, të cilin bashkëpunëtorët e mi e shohin çdo ditë çajtoreve dhe skutave, tamam si një hajn. I kishte ftuar presidentët që të ligjërojnë në një tribunë ndërkombëtare për ç’gjë i kishte paguar nga një mijë euro honorar. Pse mos të vinë! Dhe, i kishin shfrytezuar si karrem për mua, dhe unë u kapa në atë grrep sepse kur mora vesh se do të prezantojnë edhe këta dy ish-presidentë, oganizata fantazmë seç më mori disi autoritet! E bleva edhe atë dekoratë dhe, e cila ishte edhe më e kotë se sa ajo e “Imazhit të kombit”!

Ja pra ku shkon “shërbimi intelegjent”! Kishte themeluar një fantom organizatë ndërkombëtare, të udhëhequr nga dy-tre turq matrapazë, bashkëpunëtorë të shërbimit sekret dhe, kishin lëshuar sekserë që në atë “manifestim” të prezantonin edh dy nga presidentët shqiptar, ardhja e tyre do të mundësohej nga paratë e mia që do t’i jepja si sponsor për çmimin “lider fetar” i cili do të më dhurohej në fund të ligjerimit të presidentëve të cilët do të merrnin honorar po nga paratë e mia! Për më tepër, ish-presidentëve i ishte thënë se me këtë rast, pas ligjeratave të tyre, kjo organizatë nderkombëtare do ta dekoronte “liderin fetar të myslimanëve të Maqedonisë”!

 

Të gjithë u manipuluan, vetëm unë jo, me përjashtim që u mashtrova duke ua dhënë matrapazëve 20 mij euro për një çmim ndërkombëtar të kotë. Sërish kolona të gjata për të më uruar. Sërish unë në siklet, sepse realisht e ndjeja se edhe përgëzuesit e dinin që ishte çmim i kotë. Epo, vetëm sa ma shtuan inatin që të gjurmoj pas ndonjë çmimi ndërkombëtar dhe t’i çmendi të gjithë. Nëse e do nevoja do ta djegi tërë buxhetin e BFI-së për një dekoratë serioze ndërkombëtare. Veçse nuk e kam të qartë, pse më kërkojnë lekë për dekoratë? Po unë e meritoj, biografia ime është roman më vete. Biografi më të pasur nuk ka asnjë kryetar, president e kryeministër i Evropës dhe më gjërë. Epo, kështu është dekoratat jepen ose me njohtësi ose me para. Për merita ka respekt të thellë, e jo dekorata. Kurse mua më duhen dekoratat, hiç nuk ma ndinë për respekt.

 

103.Unë njeriu i Amerikës

Loja e shërbimeve intelegjente maqedonase më kishte lodhur në shpirt. Një jetë të tërë në bashkëpunim, në shërbim, në kundërshtim, në përndjekje dhe sërish në bashkëpunim më këtë shërbim! Dhe në fund, kapak i dhanë këta mangupë, “puçistët”! Po ndjeja se po më shterronin fuqitë, se pleqëria më kishte mbështetur për muri, se sëmundjet e ndryshme që më kanë kapur në këtë moshë po më bëjnë të dukem si një foshnje që mezi pret të thithë. Nuk po gjejë ndonjë faktore cicëmadhe ku mund të thithë e të më kthehen fuqitë. Këtë ndiesi të pakëndshme ia pata shprehur në një ditë ramazani, njëfarë gazetari nga Shqipëria që Maqedoninë e ka bërë teren përfitimi. Ferdinand Samarxhiu, kishte arrdhur për një emision për muajin e Ramazanit dhe, këtij ia shpreha këtë dhembje, duke kërkuar si i mjerë prej tij që të më caktojë një takim me presidentin shqiptar, z. Ilir Metën, meqë më tha se ishte bërë këshilltar i tij. Në bisedë e sipër, Ferdinandi më doli me një propozim shumë interesant. Më tha se funksionojnë disa kanale që mund të më sjellin dekoratë nga presidenti Amerikan, z. Donald Tramp, si dhe nga ai i Shqipërisë z. Ilir Meta. Lobimet janë shumë të shtrenjta, por që përfundojnë me dekorime! Të dy kanalet funksionojnë në Shqipëri! Qenka një organizatë masonerike, e themeluar prej hebrenjëve, të cilët janë të lidhur me zyren presideenciale amerikane e cila shpërndanë mirënjohje në emër të presidentit anekënd botës, për secilin individ që është në përputhshmëri me politikat amerikane, në fakt, me politikat masonerike të hebrenjve. More, i thashë, Ferdinand Samarxhiut, jam në gjendje të bëhem edhe rabin, vetëm të marr mirënjohje që ka nënshkrimin e presidentit amerikan! Po, tha, Ferdinandi, mos u mërzit, sepse këtë mirënjohje deri më sot nga shqiptarët e ka marryr ky e ky, ky dhe ky dhe, në fund, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj! Kur ma tha këtë, mu bënë sytë filxhan! Në këtë bord të këtij fondacioni masonerik, më tha se është edhe Ilir Meta si dhe shumë ministra të tij, të partisë së tij! Sa kushton, e pyeta Samarxhiun. Po ja, më tha, Kyeministri ka paguar 180 mij dollarë. Për ty mund të kushtojë pak më shtrenjtë, sepse, asgjë nuk të lidhë me politikën amerikane, për dallim nga Ramushi! 250 mij euro vendosën që çmimin e Donald Trampit të ma sjellin në Shkup, madje të ma ndajë ndonjë përfaqësues amerikan! Pasi u morëm vesh mirë e mirë, pas një javë sërish erdhi Samarxhiu te unë dhe, më tha se, për kaq para nuk ka llogari të vie amerikani nga Florida e të ma dorëzojë dekoratën, plus që, manifestimi duhet të shoqërohet edhe me ndarje të disa dekoratave të tjera, që mos të del puna se nuk ka njerëz të tjerë proamerikanë. Më tha që t’i gjejë edhe nja dy-tre persona të tjerë, të cilët do të paguajnë nga nja 20-30 mij euro për të marrë dekoratë në emër të Universitetit të Floridas ku punon i tërë stafi që merret me këto lobingje. Fola me Qani Nesimin dhe me Shaqir Fetahun, të cilët, mezi kishin pritur që të dekorohen. Fol, thanë, sa duhet do të paguajmë, vetëm të dekorohemi bashkë me ty, do të jemi shumë të nderuar. Ju thashë që t’m’i sjellin nga 30 mij euro se do t’ua jap unë. Natyrisht, Samarxhiut ia dhashë nga 18 mij euro, të tjerat i futa në xhepin tim. I treti ishte Feriz Dervishi, njëfarë kinse bisnesmeni nga Kumanova.

Por, një muhabet i Ferdinandit sikur ma zbehu dëshirën për këtë dekoratë. Ai më tha se, funksionon edhe një lobing i cili mund të ma sigurojë dekoratën presdenciale të Shqipërisë, për të cilën do të duhej të paguaja 300 mij euro. Natyrisht, jo për Ilir Metën por, ato para do të përdoreshin për të paguar, rrymë, ujë, telefona, nxemje, freskim të hapësirës së Presidencës. Kështu po funksiononte në tërë botën. Përfitimet nga lobingjet nuk po hykan në xhep të presidentit por po shkuakan në fond të mirëmbajtjes së presidencës! 300 mij euro? Sikur ta kem këtë dekoratë do të piknin përdhe të gjitha ato pseudonime policore “Zhiko”, “Zharko”, “Sheriat”… `

 

  1. Në BFI ka plotë para, veçse tregoni ku ka dekorata

Kur erdhi Ferdinand Samarxhiu për t’i marrur paratë bashkë me një profesor, Ylli Pajën, i cili që nga barku vërehej se është shpirt i pangopur, dhe pastaj të ma sillnin dekoratën e Trampit, ma treguan edhe vendimin e zyres që paskësh vendosur të më dekorojnë por që, duhej të plotësohej edhe një kusht: të zhvilloja pak propagandë kundër mjekrrave, kundër xhihadistëve, kundër vehabistëve. Më thanë që presidenti Amerikan do ta shpallte si kryeqytet të Izraelit Jarusalemin dhe se ambasadën amerikane do ta dislokonte në këtë qytet. Unë duhej ta përshëndesja këtë gjest dhe të flisja, nëse jo publikisht, të paktën nëpër xhemat. Po more, si jo, ju thashë, flas unë sa të doni ju, sepse këta arabët janë popull injorant, as që marrin vesh se çka kam folur unë. I shikoni se çfarë populli janë, pa fije kulture, pa asnjë bagazh historik e kulturor, janë si kafshë që ju turren bustave e përmendoreve mijëravjeçare për t’i shkatërruar. Ata janë të pacivilizuar e të paarsimuar, sepse, universitetet e tyre, sidomos ajo e Medines prodhojnë vetëm terrorista, radikalista dhe asgjë tjetër. Ja, më tha, profesor Ylli Paja, pikërisht këto gjëra t’i thonit, pse jo edhe publikisht, qoftë kjo edhe përmes ndonjë televizori lokal. Do t’ua bëni shumë qejfin amerikanëve. Po po, do ta flas këtë, ju thashë. Madje, edhe Jerusalemi! A e ka shpallur Pejgamberi vend të shenjtë, sidomos xhaminë aty, gjatë natës së Israsë dhe Miraxhit! Po myslimanët janë budallenj e nuk e kuptojnë politikën amerikane. Amerika futet aty për ta ruajtur atë qytet të shenjtë, atë vend që e bekoi Pejgamberi ynë. Amerika ka respekt për Muhamedin a.s. e jo myslimanët e egër që janë në gjendje t’ia vënë flakën edhe Xhamisë ku u fal Pejgamberi ynë, vetëm e vetëm mos ta lënë në duart e hebrenjëve. E di unë, kjo është politika e Trampit që e dislokon amabsadën amerikane në këtë qytet, vetëm e vetëm që mos t’i lë mundësi askujt për ta dëmtuar apo për ta sulmuar Jerusalemin ku gjendet xhamia në të cilën Pejgamberi ynë për herë të parë u bë imam duke ju prirur në namaz të gjithë pejgamberëve të më parshëm. Ndaj kësaj mrekullie Amerika ka respekt të padiskutueshëm, prandaj edhe e merr nën mbrojtje dhe siguri të veten këtë qytet, dhe jo sepse këtë e paskan kërkuar hebrenjtë.

Pas kësaj ligjerate, u mrekullua Ferdinand Samarxhiu, kurse profesori Ylli Paja ngeli pa fjalë, duke më thënë se, jam diplomat karriere por, një ligjeratë kaq racionale e të mrekullueshme nuk e kisha menduar kurrë. Bravo “reis ulema”, më tha Paja! I morën paratë duke më premtuar se, vetëm sa të plotësohej edhe kjo fushatë proamerikane në CV-në time, menjëherë do të vinte dekoarata, por që nuk do të duhej të vonohej më shumë se nja një muaj.

Pas kësaj, nuk rreshta së foluri. Në të gjitha studiot ku me jepej rasti flisja për arabët si për popull të kotë, pa histori, pa kulturë, si të egër, vrasës. Dhe, me këtë e dija se po rrezikoja që ta humb tërë përkrahjen nga arabët por edhe nga turqët. Edhe ashtu nuk më kishte mbetur më interesimi për BFI-në të cilën po e shoh gjithnjë e më shumë tek fundoset, mendjen e kisha te dekoratat. Më duheshin edhe këto dy dekorata që të mbylleshin gojat e këqia që papushuar e theksojnë pseudonimin tim policor “Zharko”, “Zharko”, “Zharko”… Ta marr unë dekoratën e Trampit dhe të Metës e, pastaj, në rrotë t’samës le të shkojnë të gjithë, me gjithë BFI-në.

 

  1. Përmes Donalld Trampit te Ilir Meta 224

Në një ndeje të veçantë me botuesin e Gazetës 55, z. Fahri Balliun si dhe gazetarin që i thotë vetes “mjeshtër i madh”, pas drekimi të përbashkët me Ilir Metën, Fahri Balliu më tërhoqi në një kënd dhe më tha që, mos të rri e mos ta takoj shum Ilir Metën, sepse, edhe ashtu është shumë i dyshimtë. Mileti do të pyesi se, çfarë i lidhë Ilir Metën me Sulejman Rexhepin? Prej kur këta dy shokë? Edhe ashtu është nën llupën amerikane si njeri më i korruptuar në vend, prandaj, gjithçka që më duhet prej tij duhet të shkojë përmes Ferdinandit dhe meje, më tha Balliu.

Më thanë që unë t’i bëja gati lekët se gjithçka do të shkojë si në tëlynë. Nëse e do nevoja Ilir Meta do të vie edhe në Shkup dhe në sy të shkijeve do të ma dorëzojë dekoratën presidenciale. Çmimi për blerjen e dekoratës tashmë ishte caktuar, fiks 300 mij euro, kurse ceremonia spektakolare që do të përgatitej me këtë rast do të kushtonte minimum edhe nja 120 mij euro! Nga pala shqiptare nuk do të kishte kurrfarë problemi, sepse tashmë e kishte hapur portën e madhe z. Donald Trampi. Ilir Meta do ta kishte shumë të lehtë për ta justifikuar ndarjen e dekoratës, madje duke u motivuar nga dekorimi me dekoratën nga ana e presidentit amerikan. Kur më dekoron presidenti amerikan, pse të hezitojë presidenti shqiptar! Fundja, mua më duhej kjo dekoratë, le të kushtojë sa të kushtojë. Myslimanët ma kanë hak këtë dekoatë, i kam udhëhequr, ua kam zhvilluar jetën fetare islame, i kam shkolluar, i kam ngritur kulturalisht e fetarisht, i kam prezantuar denjësisht brenda e jashtë! Tani, le të ma paguajnë këtë dekoratë!

E shoh që djemëve të mij nuk i bëhet shum qejfi, sepse më me ëndje do t’i zhvasnin ato 3-400 mij euyro se sa të shkonin në xhepin e Ilirit dhe të sekserëve të tij. Megjithatë, më duhet mua, kam frikë se po më del shpirti me nofkën “Zharko” të pafshirë. Kjo dekoratë do t’i eliminojë të gjitha pseudonimet policore të cilat po ma nxijnë jetën. Atyre ju dola hakut, ja, me paratë që u grumbulluan për t’u ndihmuar shqiptarët e Hasanbegut dhe rrethinës që u përmbytën nga vërshima tragjike, Sulës së vogël ia bleva Golf 7-shin, direkt nga salloni, 37 mij euro. Po kaq ia dhashë edhe nipit tjetër, djalit të Zuhejrit i cili, e shoh unë, gjithnjë e më shumë po më hidhërohet se po e favorizoj nipin tjetër, djalin e Zeglulit, Sulën e vogël. Nuk më bëjnë punët! E kam sjellë veten që dashurinë e bijve të mi ta blejë me para! Apo unë nuk po lë pas kurrfarë pjelle, djem që e duan babain e tyre vetëm për para! Edhe njëra edhe tjetra!

Javën e ardhshme, në Strugë do të takohem me Fahri Balliun dhe Ferdinan Samarxhiun, për t’ua dorëzuar ratën e parë prej 80 mij euro. Një javë më vonë do të takohemi në Pogradec, te qendra turistike “Drilon” dhe, aty do ta marrin ratën tjetër prej 70 mij euro. Aty do të caktohet dita kur do të më duhet ta jap tërë shumën kurse këta miq të mij do të ma tregojnë datën e saktë se kur do të organizohet ceremonia e ndarjes së dekoratës presidenciale enkas për mua, liderin historik të myslimanëve të Maqedonisë. Jo vetëm lider fetar, por edhe kombëtar, sepse, asnjë nga liderët, as nga politikanët, as nga veprimtarët e ndyshëm, nuk është dekoruar nga presidenti shqiptar. Ja, unë Sulejman Rexhepi, me plotë meritë – do të dekorohem nga i madhi dhe i ndershmi, ekselenca e tij, z. Ilir Meta.

 

  1. Kam bërë djem apo ujk e dhi

Pasi më vdiq gruaja, ngela në duart e djalit të madh, Zeglulit. Në traditën shqiptare është që pleqtë të shkojnë me djalin e vogël, sugarin, por, ja që ngela me Lulin! Arsyeja është sepse Luli është më zemërbutë, është më nikoqir ka gruan më të zonja për t’u përkujdesur për mua. Edhe djali i vogël, Zuhejri do të kujdesej mirë për mua, por, ja që me Zeglulin jam më i sigurtë. Zuhejri është tip nervoz dhe, ai nervoz unë nervoz do të bëhemi gaz i botës, kështu që më mirë te Zegluli.

Nga ana tjetër, Zuhejri është më i sinqertë, kurse Zegluli është rjepç, me pasë mundësi më rjep deri në palcë. Është më dallaverxhi, është shpenzues i madh, pi, ha, me shumë shokë, besa me shumë shoqe, ndoshta i ka edhe kolege por, dyshoj! Prandaj, duke e ditur karakterin jo stabil të tij, me qëllim që t’ia ruaj familjen, t’ua mësoj harmoninë familjare, kam vendosur që të dorëzohem nën përkujdesin e Zeglulovicës! Mbi të gjitha, me këtë djalë më lidhë edhe djali i tij, nipi im, Sula i vogël, për të cilin jam në gjendje të blej edhe helikopter, sepse kam para, dhe t’ia plotësoj të gjitha dëshirat e kërkesat. Është fëmijë që tashmë e kam mësuar me standard të lartë, nuk më shpenzojnë të gjithë profesorët e Medresesë sa më shpenzon ai vetë. Por, nejse, e ka hallall, sepse e dua më shumë se gjithçka në këtë jetë. Edhe pse është i vogël, është trim, i gatshëm të gjuajë me armë, të vrasë për mua, të kallë Shkupin për mua. E kam përgatitur dhe kalitur për turlifarë të papritura. Dhe, këtij nuk mund t’i rrijë karshi askush, as baba i vet, përveç meje.

Nga ana tjetër, kjo e ka irituar me polotë të drejtë djalin tjetër, Zuhejrin. Nuk u tregova prind i mirë, nuk di as vetë se si e kam bërë këtë ndarje kaq të madhe, nuk e di se pse Zeglulin e konsideroj si djalë kurse Zuhejrin si ta kem një këshilltarë nga ata shumë këshilltarë që i kam. Po çfarë këshilltarë!? Të gjithë janë sahanëlëpirësa dhe unë as që i këshilloj ndonjëherë, me përjashtim të këshillave që i marr nga Zuhejri. Kjo e bën shumë të lumtur atë dhe, me këtë metodë sikur kam arritur që ta ballansoj dashurinë ndërvëllazërore, të mos kenë inatë e urrejtje por të duhen mes vete dhe të ndjehen si të nderuar: njëri me para e tjetri me këshilla! Jo një herë kam vepruar ashtu siç më ka këshilluar Zuhejri, qoftë kjo edhe në dëm të Zeglulit. Kam dashur t’ia bëj me dije se, edhe pse nuk jetoj me të, megjithatë, ai është kryesori që më orienton në këtë jetë, angazhimi i tij vlenë për mua si përkujdesje mbretërore, kurse angazhimi i Zeglulit më vlenë aq sa vlenë përkujdesja e një shërbëtori.

Megjithatë, shpesh përballem me një akt që më flet se kjo sjellje e imja nuk mjafton që t’i detyroj të duhen ne mes vete vëllezërit. Sepse, i vogli po e sheh fort mir se si të gjitha xhepat, natë e ditë, po i zbrazi vetëm në sofrën e Zeglulit, kurse me Zuhejrin po sillem si me të gjithë këshilltarët e tjerë. Ata marrin rrogë dhe nuk ka se çfarë kërkojnë në hisen time familjare! Këtë ndiesi po e ndjenë edhe Zuhejri im. Është po ky këshilltarë që më tregon se nëpër cilët shtigje të ec deri te kapja e ndonjë shume të madhe të parave kurse, shpërblimi për të është shumë simbolik. Është po ky që gjenë mënyra, që angazhohet dhe që porositë t’m’i mbulojnë gjurmët që shpiejnë deri te pasurimi i paligjshëm, kurse si shpërblim ia siguroj vetëm një rrogë të zëvendësdrejtorit të Medresesë. Hajde se bollë e ka. Fundja, unë nuk jam prej najlloni që të ndahem në dysh: një copë e imja te Zegluli e copa tjetër te Zuhejri. Aty ku do të rri dhe ku do të gjejë prehje shpirtrore aty edhe do ta shpenzoj dhe do ta lë trashëgimi tërë kapitalin tim. Po nëse do dikush – le të plasë kah b…

 

  1. Më mirë në dorë të shkjaut se sa në dorë të Zeglulit

Për këto tri decenie që jam në krye të Bashkësisë Fetare Islame, kurrë më parë nuk kemi qenë në këtë kollaps shkatërrimtarë. Ikën paratë duke i paguar dekoratat. E vë b… në prush dhe bëj be se më janë dashur, jo se kam shpenzuar kot e kot, thjesht më janë dashur dekoatat. Ndryshe si t’i rrënoj ato pseudonime policore! Kisha një shpresë se do të dalë nga ky qorrsokak me projektin e qendrës tregtare që do ta ndërtojmë në Gostivar si dhe me investimet konkrete që do të bëhen në oborrin e ish-Komunalecit.

Nga ana tjetër, po shoh se edhe me shëndet nuk jam mirë. Në çdo spital ku kam qenë, që nga ato të Austrisë e deri te ato të Turqisë, të gjitha ma japin të njëtën diagnozë, sikur të jenë marrur vesh, apo, sikur të ishin mësuar nga puçistët që njëzërit të më çmendin! Thonë se, paskam sheqer të fshehtë, dhe se ky sheqer po e nxitka prodhimin e yndyrërave në gjak, me çrast po më mbyllen kapilaret e vogla, damarët e imta të cilat po ma komplikojnë punën me këmbë si dhe me sy. Po ndjej se po më lënë fuqitë dhe se nuk e kam shumë gjatë. Prandaj, Zegluli, nisur nga mësimet e tij policore, më propozoi që të blejmë nja 3-4 makina bluajtëse të dokumenteve, si dhe ta bëjmë një revizion me njerëz të jashtëm por të besueshëm, me qëllim që të fshihen të gjitha gjurmët e dallavereve dhe të hajnisë. Këtë ia kishte propozuar vetë sekretari im i leshit, Irsal Jakupi, i cili kishte marrur vesh se Zegluli disa herë ka tërhequr para nga kaca e BFI-së dhe kurrë nuk i ka kthyer. Veç kësaj, po i njëjti i kishte propozuar Zeglulit që ta heqim projektin e Gostivarit nga duart e Ali Baragonit, sepse, nëse më ndodhë mua diçka, për shembull vdekja, ky projekt të jetë në duart e njeriut të sigurtë që do të menaxhohej nga vetë Zegluli. Më pëlqeu ideja, prandaj, i thashë që ta marrë revizionin në duart e veta dhe le të gjejë njerëz profesionistë e çka të dojë le të bëjë, vetëm se në fund të dalim të gjithë të pastër.

Zegluli im, Irsali të cilin vetëm tash po e kupoj se pse i thonë “Bagdatski llopov” (sepse, i ati i tij qenka shumë i vogël në afinitete për vjedhje në krahasim me Irsalin), si dhe një mik i Zeglulit, i bashkësisë etnike boshnjake, një kinse ekspert bankar nga policia financiare, i hyjnë krehjes së dokumenteve si dhe revizionit të plotë. Allah-Allah, dolën turlifarë hajduku që kishin vjedhur sa kishin mundur. Thashë që të gjithëve t’u tërhiqet vërejtja me qëllim që të sinjalizohen personat që kanë vjedhur dhe jo të mbajnë gishtin drejt meje. “Polici financiar” arriti që t’ia shlyejë të gjitha borxhet, të gjitha dokumentet që flisnin se Zegluli im e kishte sakatosur arkën e BFI-së, ndërsa, në krehje e sipër të dokumenteve, siç më tregoi boshnjaku, e kishin zbuluar edhe një dokument të Irsal Jakupit që flet se ai kishte tërhequr 165 mij dollarë dhe që kurrë nuk i kishte kthyer! Këtu vie shkathtësia e “Bagdatski llopovit”, me lotë në sy, me lutje e përulje, lutet që të fshihet edhe ky borxh, kurse në kundërshpërblim do të bëjë çmos që projekti i Gostivarit të kalojë në duart e “policit financiar”! Kjo “ekspertit” të jashtëm të revizionit do t’i pëlqejë shumë dhe, ashtu do të ndodhë. Pa më treguar fare mua, e kishin falur Irsal Jakupin, kurse, kishin vendosur që dokumentet e projektit të Gostivarit t’ia lënë të gjitha në duar, madje deri në finalizim, policit financiar! Më erdhi si vetëtimë mbi kokë ky vendim por, sakaq Zegluli më bindi që mos të flas shumë, sepse, “boshnjaku” tashmë na paska në dorë. Hajnia paska qenë shumë e madhe dhe, e vetmja mënyrë për ta blerë boshnjakun paska qenë ky vendim: t’ia besojnë atij projektin e Gostivarit. Hilja e Zeglulit: të ma marrë projektin dhe t’ia japë boshnjakut, me qëllim që, nesër-pasnesër, kur do ta marrë pjesën e vet, ta fshehë këtë pjesë nga Zuhejri, duke e ditur tashmë ky se projekti i është dhënë boshnjakut nga vetë babuçi! Tamam skenar policor! Por kurrë nuk do ta kem të qartë se pse e falën Irsal Jakupin! E bënë me 165 mij dollarë, pa i lanë pas kurrfarë dokumenti! Me të ardhur plasja nga inati…

 

  1. Si të rimëkëmbet Myftinia e Shkupit

Pse më intereson vetëm Myftinia e Shkupit? Natyrisht, sepse është Myftini më e madhja, rrjedhimisht edhe prona është më e madhe, ka më shumë dyqane, më shumë vend ndërtime. Më herët, kur unë si referent kisha mundësinë që të angazhohem rreth dyqaneve, nuk ua nënshkruaja askujt kontratën pa më dhënë përqindje, pare xhepi. Pastaj, kur u bëra Kryetar i BFI-së më vinte vështirë, myftinjtë që i emërtova më tepër u angazhuan për xhepin e tyre se për mua. Në kohën e Rexhep Nuredinit kur ishte Myfti, mezi arrita ta marr një dyqan për Zeglulin tim, por, turku i mallkuar, njëfarë Avni Engyli, më detyri që ta dorëzoj dyqanin ose do të më bënte përallë. Nuk e dëgjova por ai në mbledhjen e parë të kryesisë së Bashkësisë Islame dha dorëheqje pikërisht për dyqanin që e mora unë. Më takonte, sepse kisha bërë punë të mëdha për myslimanët e Maqedonisë. Jo vetëm një dyqan, por, tërë vakëfi i kësaj Myftinie më takonte, duhej të më falej mua si peshqesh për afirmimin e myslimanëve të vendit që e kisha bërë në shumë takime e kongrese. Por turku ma pengoi këtë gëzim, prandaj, që atëherë kurrë më turq nuk kam lejuar në kryesi. Turqfolës po, por, të gjithë turqfolësit nga kompleksi i tradhëtisë së tyre, vetëm ta shihni se si më përkulen, tamam si para “Sulltan Sulejmanit”!

Kur e ndërrova Kushtetutën dhe kur ia caktova vetes një mandat të përhershëm në krye të BFI-së, atëherë, normalisht, nisa t’i caktoj kufijtë e pasurisë sime, që përbëhet nga pagesa të majme, nga përqindje e shpërblime që më takojë, nga toka e dyqane, nga vetura e super telefona, nga shtëpia e hotele, nga pjesëmarrje në bisnes e në bisnes aksione. Këta kufij shtrihen ekskluzivisht në suaza të Myftinisë së Shkupit, prandaj, këtë Myftini kam lejuar ta udhëheqin vetëm të dëgjushmit dhe ata që pranojnë të punojnë për mua. Të giithë ata që vetëm pak përzihen në këtë pronë e në këtë pasuri sakaq i kam shpallur, të paaftë, puçistë në pasurinë time, jo “ushtarë besnikë”, dhe të gjithë i kam ndërruar, pa përtesë. Shkupi dhe territori i saj ka hoxhallarë të mirë, ata janë kujdestarë të jetës fetare si dhe të zhvillimit të islamit, shërbëtorë të mirë të islamit dhe, këta hoxhallarë fare nuk kanë nevojë për një “kryesi” të tipit Myftini. Për këtë organ kam nevoj vetëm unë, sepse, dikush duhet të më hapë rrugë ligjore e fetare që unë të vijë sa më lehtë deri te shtimi i pronave dhe i pasurisë sime. Së fundmi në krye të kësaj Myftinie solla vehabistët sepse e dija që ata kanë nevojë për pasurim të “lëvizjes” së tyre dhe që, në këtë aktivitet të tyre do të përfitoja edhe unë. Në momentin kur i hetova se ky pasurim shkonte më shumë për ata se për mua, i ndërrova. Tani i solla po ata të cilët i kisha akuzuar dhe diskreditur në opinion si “bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete maqedonase”! Nesë nuk janë, atëherë duhet të më bindin. Dhe mua mund të më bindin vetëm nëse pranojnë të punojnë për mua. Asgjë nuk kërkoj prej tyre përveçse të mos m’i prekin dyqanet dhe pronën në Çarshi që e kam në emër të Lamallarave. Janë gjithësej 7 dyqane. Këtë fond personal mendoj ta shtoj edhe nga objekti që do të ngritet në hapësirën e ish-Komunalecit. Aty një llopatë beton nuk mund të hidhet pa më garantuar të paktën 7 bisnes-hapësira si dhe dy kate të plotë me apartamente. Këtë punë duhet ta ec Myftinia aktuale e Shkupit. Dhe, kam përshtypjen se këta do të punojnë në favorin tim, për dy arsye: e para, që të më dëshmojnë se nuk janë spiunë maqedonas dhe, e dyta, që të ma bëjnë me dije se kam gabuar kur i kam vlerësuar si të këqinj, sepse, ja se sa përkujdesen për të mirën time. Unë ua kam bërë me dije: nëse nuk punojnë për mua, të gjithë do t’i shpall pederastë, madje do të jenë të filmuar se si e hanë qepën…

 

  1. Unë dhe kolaboracionistët e mi

Qysh vite më parë e kisha hetuar pakënaqësinë e Afrim Tahirit, për të cilin isha i bindur se do të më luftonte pa kompromis e pa dhimbje në përpjekjet e mia për të manipuluar, për të punuar mbrapsht vetëm e vetëm për të krijuar një pasuri solide që do të ma siguronte një karrige në lozën e Lazim Destanit, Behgjet Pacollit e Ilir Metës, tre shqiptarë më të pasur në botë.

Prandaj, Afrimit ia kisha krijuar disa armiq të brendshëm të cilët nga inati kaluan në “miq” të mi besnikë. Ishte kjo një strategji për t’ia ngulur Afrim Tahirit si përgjegjës i punëve administrative dhe juridike në BFI. Shpejt e shpejt, pas ndryshimeve kushtetutare në Institucionin tonë, bëmë disa ndryshime nenesh pa e informuar Afrimin si dhe e bëmë edhe procesverbalin falls, duke e deponuar nënshkrimin tim në Regjistrin Qendror si autoriteti dhe përgjegjësi më i ri i BFI-së. Me këtë akt e sigurova përjetësinë time në BFI e kjo më dha forcë e kurajo për të çëruar hesape me të gjithë të pabindshmit!

Afrim Tahiri nuk do t’i miratonte veprimet e mia që do t’i bëja, kurse ata të Myftinisë së Shkupit kishin filluar të më shantazhojnë, kishin gjetur fakte se unë posedoja disa dyqane prandaj kërkonin që të ecnin gjurmëve të mia, të pasurohen edhe ata si unë. Pasurimi i tyre do të thoshte varfërimi im, prandaj, i ula në një degë dhe i detyrova që ta prenin po atë degë ku i kisha ulur. Ranë dhe e thyen qafën, kurse Afrim Tahiri e përjetoi atë që e përjeton limoni. Shtrydhet e shtrydhet, me lëngun e limonit vriten bakteriet kurse vetë limoni hidhet në plehëra!

Sakaq, pa kurrfarë baze juridike fillova të emërtoj myftinj të ri, diku të shkarkoj, diku të ngarkoj, diku të manipuloj e t’i përdor si kuorum e si votë në vendimmarrje. Se a po veproj mirë a jo, këtë mbase një ditë do ta thotë vetë gjykata. Nëse do të ketë respekt për moshën time, natyrisht vetëm do të ma tërheq vërejtjen dhe unë, si i keqtrajtuar nga organet e drejtësisë, do të uli kokën dhe do të nis me ankesa nëpër oda e takime me xhemat. Nëse do ta llogarisin si krim, atëherë, natyrisht, përgjegjësia nuk do të bie vetëm mbi mua, por edhe mbi ata që e kanë lejuar dhe miratuar aktivitetin tim. Do të thonë “ne nuk e kemi ditur”! Ia kam frikën sidomos Myftiut të Tetovës Qani Nesimit dhe Myftiut të Shkupit Qenan Ismailit. Pastaj me këta dy do të solidarizohen dhe myftiu i Manastirit, ai i Prilepit, i Shtipit, i Dibrës! Të gjithë këta janë të emërtuar në mënyrë fallco, këtë e dinë edhe vetë ata, prandaj, bashkëpunimi i tyre me mua, si me një keqbërës dhe kryrës i një vepre penale, do të trajtohet si bashkëpunim kolaboracionist. Nuk mundet ta ha vetëm unë e të tjerët të fërkojnë duart duke thënë “shyqyr, iku ky e mbetëm ne”, “kur të ngordhë peshkaqeni shpëtojnë peshqët”! Peshqët shpëtojnë prej peshkaqenit dhe jo edhe prej rrjetit për peshkim!

Më mbanë shpresa se, derisa kemi buxhet në BFI për të paguar avokatë e procese gjyqësore, gjykatës e prokurorë, unë do ta shtyej sa më larg, por, në ditën kur do të shterret ky grazhd, mund t’m’i aktiviojnë të gjitha lëndët që mund t’i kenë ngritur por që i mbajnë në sirtar. Atëherë, me mua do të ikin të gjithë ata që më ndihmuan. Do të shpëtojnë vetëm ata që më luftuan. Dhe bota do të jetë e tyre, e luftëtarëve që nuk m’u bindën. Veç ishalla nuk do të kërkojnë që të më konfiskohet pasuria dhe prona e paluajtshme të cilat nuk do të mund t’i arsyetoj asnjëherë. Vetëmse një gjë është e vërtetë: të gjithë trembëdhjetë myftinjtë më binden sot sepse të gjithë kullosin në livadhin tim. Nëse një ditë ma konfiskojnë tërë pasurinë, të gjithë do të ikin, duke mos pranuar të ma mbrojnë qoftë një fije bari nga ky livadh. Jam i vetëdijshëm që nuk janë shokë e bashkëluftëtarë, prandaj edhe natë e ditë derdh mallkim mbi ta. Prandaj asnjërin prej tyre nuk e kam bekuar siç e bekova Nikolla Gruevskin, sepse ky është përfaqësues i asaj force që do t’ua thejë kurrizin këtyre myftinjëve të interesit.

 

  1. Sulejman Rexhepi si “Sulltan Sulejmani”

Në një takim të liderëve fetarë nga Europa Juglindore, të organizuar nga Dijaneti i Turqisë, larg mjeteve të informimit dhe në një konfidencë shumë të rreptë na e zbërthyen një projekt që e kishte qeveria e Eroganit. Kthimin e perandorisë Osmane në këto treva, por në mënyrë më të kulturuar. E vetmja portë për kthimin e kësaj Perandorie na paskan qenë Bashkësitë Islame. Duhej t’i nënshtroheshim Dijanetit, duhej ta pranonim centralizimin e financave si dhe kontrollin e rreptë mbi vakëfin. Nëpër Bashkësi Islame duhej të punësonim pjesëtarë nga bashkësia etnike turke, kurse financat do të na caktoheshin nga Dijaneti si dhe nga qeveria turke.

Ua kuptova hilen menjëherë! Liderët fetarë më të dobët, e pranuam me gjithë qejf një propozim të tillë. E pranoi edhe djaloshi i sapoemërtuar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, pastaj e pranoi edhe Naim Tërnava, Zukorliqi i Sanxhakut, ai i Bosnjës e pranoi me të dy duar, po ashtu edhe ai i Bullgarisë, i Rumunisë etj. Kur i pyeta këta të mitë se pse e pranuan një poshtërim të tillë, ma kthyen se, një ëndrrallë e tillë turke kurrë nuk mund të realizohet, sepse, nuk do ta pranonin qeveritë dhe institucionet e ndryshme të shteteve respektive dhe se me rëndësi ishte që të financoheshin prej qeverisë turke. Po ju thashë a e kuptoni ju se çka do të thotë centralizim i financave dhe kontroll mbi vakëfin??? Do me thënë se ju, të gjitha fitrat, zeqatet, kurbanët, kontributet e ndryshme, duhet t’i dorëzoni te Dijaneti, por edhe të gjitha pronat. Tash e tuje, kontratat për shfrytëzim të pronave të vakëfeve do të nënshkruan mes shfrytëzuesit dhe Dijanetit? Edhe Skënderi edhe Naimi më thanë se, myslimanët e tyre dorëzojnë shumë pak kontribute, kështu që, do të dorëzojnë aq sa marrin, kurse do të marrin shumëfishin e tyre, për çgjë po duhet të vrapojnë pas arabëve për të siguruar financa. More, ju thashë, dojnë me e kthy babën turk në vilajet, ndërsa që të dy u qeshën si të marrë.

Unë nuk pranova. Në asnjë mënyrë. Madje me plotë mburrje mund të them se unë jam shkaktari që ua minova atë projekt. Osmanlinjtë të kthehen në vendet tona! Kurrë! Edhe nëse kthehen do t’i vras si  lepuj! Shiko t’i politikën idiotike. Ta dorëzojmë pasurinë tonë kurse ata do të na financojnë sipas programeve të tyre. Duke e pasur tërë këtë kapital që e ka BFI-ja, ta sjell punën që t’ua shtri dorën turqve?! Kurrë!

Më morën e më nderuan duke më shëtitur poshtë e lartë, duke më joshur me lloj-lloj ofertash dhe, në fund, më çuan edhe te një hapësirë ku i ruanin rrobet dhe armët e “Sulltan Sulejmanit”! Më lutën që të vishem, meqë e kam emrin Sulejman dhe, të provoj njëherë se si duket të jeshë Sulltan Sulejman! U vesha! Nuk u vesha për ta përjetuar kënaqësinë e të qenurit Sullan Sulejman, por u vesha për inat për ta përjetuar kënaqësinë e të pordhurit të rrobeve të Sulltan Sulejmanit! Pra, kjo ishte arsyea se pse u vesha si Sulltani dhe se pse dola në fotografi, të cilat pastaj i shpërndava gjithandej. Thjesht, deshta që ta dijnë të gjithë shqiptarët e dynjasë se, unë, Sulejman Rexhepi, sapo i pordha rrobet e Sulltan Sulejmanit. Për këtë duhet të shkruajnë gazetarët shqiptarë dhe jo të më bëjnë përallë se pse qenkam veshur si Sulltan Sulejmani.

Në BFI mblidhen me miliona dollarë nga buxheti i myslimanëve të mij dhe, turqët insistojnë që këtë buxhet t’ua dorëzoj atyre! Po ky buxhet mblidhet për mua e jo për turqët. Nuk ua jap kurrë, kurse ata duhet ta dijnë që, nëse janë myslimanë të mirë, le të na dhurojnë edhe më shumë mjete sepse, kemi nevojë dhe, myslimani i mirë kurrë nuk jep për t’u lavdëruar dhe as që kërkon llogari. E jep paranë dhe nuk i intereson më tej. Jo po tani turqëve do t’ju raportojmë se si po i shpenzojmë paratë e tyre. Kjo nuk është as vëllazëri e as islam!

 

  1. Si deshta që BFI-në ta shëndërroj në subjekt politik

Nuk ka më para në BFI! Një krizë e rëndë do ta kaplojë këtë Institucion. E vetmja mënyrë për të mbijetuar dhe në mbijetesë e sipër për të zhvilluar bisnes të mirë është politika. Jo vetëm kjo por, të jeshë politikan do të thotë edhe të jeshë jasht çdo rrezeje të institucioneve të drejtësisë. Për më tepër, nëse arrinë të bëhesh deputet, e ke edhe imunitetin e garantuar!

Strukturën organizative si BFI-ja nuk e ka asnjë subjekt tjetër. Infrastrukturën e garantuar si BFI nuk e ka asnjë subjekt tjetër. Buxhetin po, llogari mos t’i japish askujt, po! Por, megjithatë, të mungon imuniteti! Nga ana tjetër, duke e marrur lakmi jetën time si dhe popullaritetin tim të gjithë liderët politik, kam hetuar se tek ata po shtohet gjithnjë e më shumë një urrejtje e papar kundër meje. Janë në gjendje që të ma ngulin! Prandaj, po ngutem që sa më parë ta formoj një parti politike, ta shndërroj BFI-në në subjekt politik dhe t’i detyroj të gjithë liderët e mutit të më biejnë në sexhde. Unë jam lider i një milion myslimanëve në Maqedoni, të cilët, logjikisht mua duhet të ma japin votën e jo Ali Ahmetit apo Menduh Thaçit. Unë jam edhe më trim se ata, edhe më patriot por edhe më fetar! Nuk jam as marksist, as leninist por as shovinist e seperatist! Madje, komunist kam qenë më i madh se çdo lider tjetër! Formova edhe sektorin për diasporë në BFI, me qëllim që të bijmë në kontakt me diasporën, me elektoratin tonë duke e shfrytëzuar buxhetin e BFI-së. Veç kësaj, kisha menduar se do ta shtojmë buxhetin edhe më shumë duke dalur në terren e duke kontaktuar me myslimanët tanë. Por, e hëngrëm palidhje. Më tepër shpenzuam dhe po shpenzojmë duke lëvizur në diasporë me qëllim që t’i bindim se duhet të na përkrahin ne dhe institucionet tona, ndërsa ata po qëndrojnë gjithnjë e më larg neshë. Më shumë po shpenzojmë duke i vizituar se sa po sjellim para në buxhetin tonë. Ata nuk po japin, ne po shpenzojmë, myslimanët e vendit nuk po japin, kurse paratë e buxhetit po avullohen!

Mbase është momenti i fundit që, edhe ato pak para që kanë ngelur nga buxheti të shfrytëzohen duke agjituar për partinë që do ta themelojmë dhe, të ikim të gjithë nga BFI-ja. Këtu nuk ka më bukë.

Kush të dojë perspektivë dhe karrierë, le të më bashkangjitet mua në partinë time dhe, ecim, por, fillimisht duhet të më betohen “Mulla Sulë të betohemi se nga rruga jote nuk largohemi”!

Në “Tivoli” e takova Adnan Ismailin. E luta që të më ndihmojë dhe të më përkrahë në idenë time, kurse ai, pa një pa dy, ma hodhi në tavolinë projektin e tij. Edhe ai po themelonte parti dhe, më tha që mos t’i shpenzoj paratë e myslimanëve të vendit por të kyçem në partinë e tij. Natyrisht, i thashë të më lë të mendohem, kurse intimisht ndjeva se Adnan Ismaili ma futi sa krahu! Sepse, të jem korrekt, me të nuk mund t’i mas bolet. Adnan Ismaili është më kombëtar, më fetar, më menaxhues, më autoritativ, më i shoqërueshëm, më i përkrahur, më i pranueshëm para faktorit ndërombëtar, se sa unë! Plani më dështoi, prandaj, me t’u kthyer në shtëpi, i mblodha djemtë dhe ju thashë: bij të mi, shpërndahuni kah të mundeni e si të mundeni, mbauani mikrofonat liderëve politikë dhe ata le të këndojnë e ju kërceni, sepse na janë mbyllur të gjitha shtigjet. Eh more Mulla Sulë: kishën s’e deshte, xhamisë s’ia dite rendin, ku n’hamam do me e ba vendin! Na ka ngelë vetëm edhe Ali Ahmeti. Po thonë se është shizofren! Hajt se i fry unë duke ia këndu ndonjë kullevallah dhe e shëroj saksalem. Por edhe ai duhet të këndojë për mua. Unë një këngë për të, ai dy për mua. Uh po jetë e gjatë që kishte qenë! E megjithatë nuk po arrij t’i rehatoj këta dy bijtë e mi që e paskan pasur nafakën e glacës së sorrave.

 

  1. Tradhtar si Ali Ahmeti apo patriot si Mulla Sula

I dhamë kararin që ta ndihmojmë Ali Ahmetin, sepse, nëse vjen në pushtet Menduh Thaçi, do ta shkatërrojë BFI-në, nëse vjen Adnan Ismaili, do të marrë fund epoka e patriotizmit shqiptar, i cili do të diktohet nga turkofilat.

Në marrëveshje me Ali Ahmetin, duke e shkoqur qengjin e pjekur, u dakorduam që si kundërshpërblim për angazhimit tim të ma avansonte Zeglulin në polici, të ma punësonte në administratë Zuhejrin si dhe të më linte të vendos unë për tre drejtorë dhe për tre zëvendësdrejtorë, meqë vetë kisha hequr dorë nga të kandiduarit si për deputet ashtu edhe për kryetar komune. Ali Ahmeti parimisht ishte dakorduar dhe, pas kësaj, ne nuk ia shqepëm mishit dhe planeve të përbashkëta. Megjithatë, unë shkova edhe një hap përtej, në disponim Ali Ahmetit ia lashë edhe buxhetin e BFI-së. Këtu si duket ai krijoi përshtypjen për mua si për një njeri të krisur dhe, që pas zgjedhjeve ai nuk u bë më i gjallë. Për të fituar fituam bindshëm por, për të ndarë poste ngelëm askund. Premtime plotë. Kisha kërkuar gjatë një bisede që të ma punësonin Zuhejrin tim si ndonjë shef në Higjienën Komunale por, shikoni shpirtërat e fëlliqur, aty, në atë vend e çuan nipin tim! Do me thënë ata planifikojnë përplasje familjare te unë! Të bëhem edhe unë i poshtër si nimi im?

Për më tepër, që nga momenti kur u dekorova nga presidenti amerikan, Donald Tramp, dhe nga presidenti shqiptar Ilir Meta, për vlerat e mia të larta fetare e patriotike, si duket i ngeli hatri i madh Ali Ahmetit dhe më nuk më ka folur. U ka dhënë urdhër edhe të tjerëve që mos të ma hapin telefonin. Më lanë si ai sendi në shi! Epo, kësaj i thonë tradhëti! Shumë keq. Unë për vete nuk jam mësuar që të tradhëtoj si Ali Ahmeti! Unë jam i edukuar që t’i qëndroj besnik fjalës. Vetëm ai që ka besë mund të jetë patriot, të tjerët, gjithnjë tradhëtojn.

Ku ngelën premtimet e Ali Ahmetit! Papapa sa premtime ka dhënë në sofër deri sa e shkoqte mishin e pjekur, phaaa, sa respektin që ma bënte, sa lavdin në qiell për mua, si për një njeri me ndikim absolut në Maqedoni. Në fakt ai theksonte shumë projekte e plane, shumë ide rreth ngritjes së autoritetit të BFI-së, shumë fjalë për ndihma konkrete financiare, kurse unë, me modestinë time, nuk doja ta ngarkoj shumë, nuk i kërkoja asgjë tjetër përveç avancimit të Zeglulit dhe punësimit të Zuhejrit.

Po e ndjej se fuqia po më braktis, se nuk i dihet punës sime, prandaj edhe nuk po dua që ikja ime ta gjejë Zuhejrin në Medrese, si zëvendësdrejtor. Vjen tjetri dhe ma hedh djalin në rrugë. Tridhjetë vite babain reis e në fund biri të hidhet në rrugë! Prandaj edhe u angazhova në BDI-në e Ali Ahmetit. T’i neutralizojë armiqtë e mi që të më hakmerren. E vendosa me gjithë shpirt që ta bëj mik të ngushtë Ali Ahmetin, të paktën të kem për fund të jetës një mik shpirti, se mjaft më me armiqësi. Një jetë të tërë duke prodhuar vetëm armiq e kundërshtarë.

Paskam gabuar diku! Nuk di se ku? Mbase pse jam takuar me Zajevin pa konsultime paraprake me Ali Ahmetin, mbase pse jam takuar me udhëheqësit e drejtorisë për zbulim e kundërzbulim, pa konsultimin me Ali Ahmetin. Dikush më tha se nuk do të ma falë talljen që ia bëra në Zajaz kur i thashë se Ali Ahmeti është lideri i të gjithë shqiptarëve, sepse, intimisht ai e di shumë mirë se unë jam lider i vërtetë i të gjithë shqiptarëve, madje edhe lider i tij. Po, hajt thashë, t’ia rris pak namin. Por, a i rritet nami derrit! E falënderoj Zotin që unë nuk tradhëtova, që i qëndrova besnik duke ia siguruar e blerë një fitore të madhe, sepse jam patriot. Ai, le të tradhëtojë, nuk ka problem. Fundja, tradhëtari tradhëtinë e ka profesion!

 

  1. Jeta nuk qenka vetëm bardh e zi

Si duket, të gjithë paskan pritur që të plakem, të sëmurem dhe të më hedhin në rrugë si qenin e zgjebosur. Sa isha i ri e i fortë, dridheshin para meje. Më kujtohet se si një herë, pas një zënke të kunatave në mes vete, në mes të natës i kam nxjerrë të gjithë anëtarët e familjes jasht, me prindër, me vëllezër, me kunata e me fëmijë në djep, të gjithë në oborr, gaditu e para tytës së qiftes së mbushur me saçma për arusha! Sot pesë para nuk i jep askush për mua. Mezi po presin të përfundojë epoka ime.

Në BFI nuk na bëjnë punët. Gabimin jetik e bëra që në momentin kur e dhashë Afrim Tahirin për Mustafa Dautin, kur i nxora sytë me gishtat e mi, kur në vend të bukës zgjodha m… Aty më kapi pastaj mallkimi i Zotit. Le të dalë vetëm një shqiptarë e një mysliman në Maqedoni e në botë dhe le të thotë se në cilin sekond të kohës unë isha keq sa e kisha krah të djathtë Afrim Tahirin. Tani më mori pusi, më solli Zoti në derexhe që të argëtohem e ta shtyjë pleqërinë me Mustafa Dautin, prej të cilit nuk mësoj asgjë përveç stileve dhe metodave se si të vjedhi, si të pasurohem jashtëligjshëm, si të kënaqem. Kjo është jetë?

Bashkësia Fetare Islame po falimenton, këtë hall po ma dijnë të gjithë dhe, askush nuk po denjon të më ndihmojë, sidomos këta faktorët politik të vendit. As Zajevi, as Ali Ahmeti, as Adnan Ismaili. Të huajt më kanë eliminuar. Bota është mbyllur për mua. Edhe nëse më thërrasin diku, më trajtojnë si të lajthitur, më i nderuar del ndonjë kryetar bashkësie i ndonjë vendi të panjohur se sa unë!

Tërë ditën po e dëgjoj këngën “Sa pata qura e qurana, pata miq e jarana”! Po më ngushëllon kjo këngë, po më vetëdijëson! Por, nuk po e kuptoj një fakt tjetër: shpesh po më ndodhë që, megjithatë, të gjej ndonjë quran, por, nuk ka ngelur asnjë jaran. Ku po treten miqtë! Apo kënga flet për një periudhë kur qurani ka qenë pasuria më e madhe me të cilën është nderuar ndonjë mik. Tani, pasuri është bisnesi! Ke bisnes ke miq, pra, miq bisnesesh. Siç e pata Ali Ahmetin, Nevzat Bejtën, Talat Xhaferi, Izet Mexhitin, Visar Ganiun etj. Tani që kanë kuptuar se nuk kemi para, tani kur e dinë se të gjitha paratë e BFI-së i shpenzova për të ardhur ata në pozita, nuk kanë nevojë për mua, nuk ma ngrisin as telefonin!

As me shëndet nuk jam fort mirë! Këmbët po më dhëmbin shumë, shputat, thembrat. Pas operimit të zorrës së trashë në Turqi sikur ndjehem më mirë, hemorroidet më mbytën. Yndyrërat në gjak kanë prekur kulmin, po më thonë që të nis e të marr insulin se nuk i kam mirë punt as me sheqer. Nervat më kanë ardhur buzë çmendisë. Po më mpihen krahët, buzët, imunteti më ka rënë në zero. Po më duhet të aktroj, mos të jap shenjë se jam keq me shëndet, sepse, këta pak miq që më kanë ngelur mezi po presin që t’i gëzohen lajmit se, ja, po vdes Mulla Sula. Nuk dua t’ua shkaktoj këtë kënaqësi. Dua që t’i mbaj shërbëtorë të mi deri në frymën time të fundit, sepse, nuk e meritojnë respektin më të madh se sa ndaj një shërbëtori. Duhet të më shërbejnë, sepse, cili njeri në botë do të kishte pranuar që t’i vinte nëpër poste të rëndsishme, edhe pse nuk e meritojnë as titullin çoban! Përjashto këtu myftiun e Tetovës, Qani Nesimin, i cili me atë fjalim që e mbajti me rastin e dekorimit tim nga Donald Trampi, do të ngelë në historinë e njerëzimit. Edhe ky nuk kishte pasur miq, sepse të gjithë po e urrejnë për shkak se pranoi të heq dorë nga titulli akademik vetëm e vetëm të më shërbejë mua. Po më mirë të më shërbejë mua se sa turlifarë profesori injorant.

A e meriton respektin Shaqir Fetahu, i cili, një jetë të tërë është ngritur vetëm në ato shkallë që i përkasin tradhëtisë dhe dallavereve. Po Myftiu i Dibrës, Ramazani? Po çka meriton më tepër se një dash dhe një fyell bythës Myftiu i Kërçovës, Murat Iseni, i cili më shumë ka karrierë si spiun se sa si hoxhë! Çka meriton nëse jo vetëm një dash myftiu i Strugës, Salim Sulejman pederasti i cili, të paktën një sekond nuk u tregua burrë. A e keni parë ndodnjëhrë Myftiun e Manastirit?! Analfabet absolut, si ai i Shtipit që është në po të njëjtin rang intelektual me atë të Resnjës, Prilepit dhe Velesit. A do ta kishte pranuar dikush për bashkëpunëtor siç e pranova unë, Myftiun e Kumanovës, Abedin Imerin, i cili deri te ky post erdhi përmes shumë spiunimeve dhe eliminimeve të kolegëve të vet. Po ky Myftiu i ri i Shkupit, Qenan Ismaili, të cilit nuk i vie as era burrë? Nëse nuk do t’i jepja post unë ku do të përfundonte ky dhe të tjerët. Të gjithë do të bëheshin shërbëtorë, por jo shërbëtorë të xhematit, sepse e përtojnë këtë punë, e konsiderojnë si ofendim, por, do të punonin si shërbëtorë të shërbimeve sekrete! Ja pra këta i emërtova myfti, ndonëse nuk i plotësojnë kriteret për të qenë madje shërbëtorë të mi. Edhe shërbimin e bëjnë të natyrës spiuneske, sepse, këtë profesion e kanë, të vetëdijshëm se më lehtë është të jeshë spiun se sa hoxhë. Jeta duhet të kalohet sa më lehtë…

 

  1. Sot ua përsosa fenë

Lexues të mi, të dashur besimtarë, sot ua përsosa fenë. Përfundova librin tim me memoare. Gjithësej 114 memoare. A nuk e përsosi edhe Allahu Fuqiplotë fenë tonë përmes Kuranit me 114 sure?! Mund ta përfundoja edhe më herët por, jo, sepse, ky libër me memoare, nuk do ta kishte pastaj po atë rëndësi siç e ka Kurani!

Besimtarë të dashur, mos shani, mos vidhni, mos i bëni keq njëri tjetrit, respektoni prindërit, mikun, shokun, fqiun. Edukoni dhe rrisni fëmijë që do të kenë respekt ndaj njeriut. Nipa rrisni me përalla, me lodra, me mësime islame, rritni me hallall e në rrugë të mbarë.

Mos e dëmtoni vakëfin, mos lini vakte pa falur, agjëroni, mos vrisni, mos ua hani hakun jetimëve, mos e vidhni zeqatin, mos i keqpërdorni fitrin, mishin e kurbanëve. Mos i vidhni ndihmat humanitare të destinuar sidomos për ata që pësojnë tragjedi nga vërshimat e shirave të rrëmbyeshëm.

Mos i mashtroni njerëzit, mos ju premtoni gjëra të parealizueshme, mos u merrni përqindje, mos punoni me kamatë, rrini sa më larg zinasë, sa më larg mesazhve erotike, sepse edhe ato janë një formë e zinasë.

Mos gënjeni, mos hani nga dy kilogram gështenja, mos pini kinder birra sepse edhe ato janë haram, mos e bëni hallall haramin, as haramin mos e bëni hallall. Mos korruptoni, luftojeni nepotizmin, jepni udhë meritokracisë. Mos kërkoni që të tjerët të vjedhin për ju, të tjerët të gënjejnë për ju, të vrasin, të burgosin, të keqrajtojnë, sepse, epitetin kriminel e keni të garantuar.

Të dashur besimtarë, ja, i keni 114 memoare, pandam 114 verseteve kuranore! Lexoni me kujdes dhe mos më trajtoni si të çmendur. Të gjitha ngjarjet janë të vërteta e të përjetuara. Një numër prej tyre janë të njohur për dikë, e një numër për dikë tjetër, shkurt, të gjithë miqtë e mi të ngushtë i dinë këto ngjarje, por, ja që deshta t’i lë edhe në formë të shkruar që t’i dijnë të gjithë besimtarët. Mos më merrni për të çmendur, as për budalla, sepse këto të vërteta që po ua them nuk po ua them, thjesht se më ka lënë mendja, por, mbi të gjitha, që të jem i sinqertë me ju dhe të jem në anën tuaj. Shpresoj që pasi të lexoni këto memoare kurrë nuk do të lejoni që të veproni siç kam vepruar unë, sepse, memoar pas memoari keni vërejtur vetë se çfarë jete kam jetuar, çfarë fati i zi më ka përcjellë dhe çka po lë pas, si pasojë e kësaj jete pa shije. Unë u mashtrova, u dhashë pas kësaj bote, ju mos gaboni, mos lejoni që të bëheni gaz i botës e banor i xhehenemit.

Mos i vidhni shokët, sepse është haram, mos i detyroni që t’ua paguajnë drekat e darkat, sepse është haram, nëse i detyroni të paguajnë, të paktën faturën mos ia fryni sepse edhe kjo është haram. Lexoni, vëllezër të dashur, lexoni sa më shumë, sepse ky është urdhër i Zotit dhe, nëse nuk keni se çka të lexoni, lexoni të paktën memoaret e mia.

Ma merrni këtë vepër si unikat, sepse nuk keni memoare të tilla në gjuhën shqipe, është kontribut shumë i sinqertë në letërsinë shqiptare.

U shkrua shumë për mua dhe ju mos i merrni për të vërteta. Të vërtetat për mua janë vetëm ato që i shkruaj vetë unë. Prandaj, m’i merrni këto memoare të vërteta dhe, dijeni, iu qasa këtij zhanri vetëm e vetëm që mos t’ju jap shans të tjerëve që të shkruajnë për mua. Për mua shkruaj vetë unë, prandaj, ja, lexoni!

Uroj që, pas këtyre fjalëve të mia prekëse, sado pak t’ju bind që të ma bëni hallall! Më dërgoni selame sa herë që t’ju kujtohem.

Gjithmonë selame për ju!

Sulejman ef. Rexhepi, Reisul Ulema i BFI në RM

 

Copyrights: J A V O R J A© www.javorja.wordpress.com Copyrights: J A V O R J A© www.javorja.wordpress.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>