Çmimin Nobel në Fizikë e merr edhe një shkencëtar gjerman

Nobe FizikÇmimi Nobel në Fizikë këtë vit iu dha britanikut Penrose dhe gjermanit Genzel e amerikanes Ghez. Të tre kanë bërë kërkime mbi Vrimat e Zeza.

Gjysma e çmimit Nobel të këtij viti në fizikë i takon Roger Penrose nga Britania e Madhe dhe gjysma tjetër Reinhard Genzel nga Gjermania dhe Andrea Ghez nga Shtetet e Bashkuara për hulumtimet e tyre për Vrimat e Zeza. Kjo u njoftua nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm. Genzel është drejtor i Institutit Max Planck për Fizikë jashtëtokësore në Garching afër Mynihut.

Penrose e merr Çmimin për zbulimin se formimi i vrimave të zeza është një parashikim solid i teorisë së relativitetit të përgjithshëm. Genzel dhe Ghez, nga ana tjetër, nderohen për zbulimin prej tyre të një objekti kompakt supermasiv në qendër të galaktikës sonë.

Metoda gjeniale matematikore

Penrose shpiku metoda gjeniale matematikore për të hulumtuar teorinë e përgjithshme të relativitetit të Albert Ajnshtajnit, njoftoi Komiteti Nobel. Ai ka treguar se kjo teori të çon në formimin e Vrimave të Zeza, atyre përbindshave në kohë dhe hapësirë ​​që përpijnë gjithçka që u afrohet. Genzeli dhe Ghezi zbuluan se një objekt i padukshëm dhe jashtëzakonisht i rëndë dominon orbitat e yjeve në qendër të galaktikës sonë. Një Vrimë e Zezë supermasive është shpjegimi i vetëm i njohur aktualisht për këtë.

Pas Çmimit Nobel në Mjekësi dhe Fiziologji, çmimi në fushën e Fizikës është Çmimi i dytë Nobel që jepet këtë vit. Vitin e kaluar, Çmimin Nobel në Fizikë e mori kozmologu kanadezo-amerikan James Peebles për njohuri mbi evolucionin e universit dhe astronomët zviceranë Michel Mayor dhe Didier Queloz – ata zbuluan eksoplanetin e parë që sillet rreth një ylli të ngjashëm me diellin.

Në traditën e Wilhelm Conrad Röntgen-it

Çmimi Nobel në Fizikë – si çmimet për mjekësi, kimi, letërsi dhe përpjekjet për paqe – jepet që nga viti 1901. Themeluesi i tij, shpikësi dhe industrialisti suedez Alfred Nobel, kishte vdekur pesë vjet më parë. Në testamentin e tij ai kishte vendosur që me pasuritë e tij të ngrihej një fondacion, interesat e të cilit t’u paguheshin atyre që kishin bërë shpikjet dhe zbulimet më të mëdha dhe më të dobishme për njerëzimin në vitin e kaluar.

Çmimin e parë Nobel për Fizikë në 1901 e mori gjermani Wilhelm Conrad Röntgen për zbulimin e “rrezeve X”, rrezeve X që më vonë morën emrin e tij, zbuluesi i radiografisë. Hera e fundit që një gjerman ka fituar çmimin Nobel në Fizikë ka qenë në vitin 2007: Peter Grünberg nga Qendra Kërkimore Jülich e Shoqatës Helmholtz u nderua së bashku me francezin Albert Fert për kontributin e tij në hulumtimin e rezistencës-gjigande-magnetike, e cila përdoret për leximin e hard disqeve kompjuterike.

Kancelarja Angela Merkel uron fituesin

Kancelarja Angela Merkel e përgëzoi shkencëtarin gjerman Reinhard Genzel për marrjen e Çmimit Nobel në Fizikë.

Merkeli tha në Twitter se Genzeli kishte bërë një hulumtim revolucionar për Vrimat e Zeza në hapësirë. Ministrja gjermane e Shkencës Anja Karliczek foli për një gëzim të madh për të gjithë ambjentin shkencor në Gjermani.

Genzeli tha në Deutschlandfunk se kërkimi i tij mund të mos ketë ndonjë efekt të menjëhershëm praktik. Por ai e ndihmon njerëzimin të kuptojë se nga vjen dhe çfarë është universi. Çmimet do të jepen në 10 dhjetor. Ato shoqërohen me rreth 950.000 euro për çdo kategori.

aud (tgsch, dlf)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>