Gjykata refuzon kërkesën e Belerit për t’i mundësuar betimin si kryebashkiak

BeleriNë Shqipëri, Gjykata e Posaçme refuzoi sot kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, për t’u pajisur me leje të posaçme për të bërë betimin pranë Këshillit Bashkiak. Zoti Beleri, u arrestua dy ditë përpara votimeve të 14 majit nën dyshimet për shitblerje vote, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet janë mbyllur dhe ka nisur procesi ndaj tij nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Zoti Beleri arriti të shpallej fitues, por nuk ka mundur të bëjë betimin, akt i cili do ta zyrtarizonte atë si drejtues të bashkisë.

 

Në nisje të seancës së sotme, anëtarë të shoqatës “Omonia”, e cila përfaqëson interesat e pakicës greke në Shqipëri, organizuan pasdite një manifestim përpara dyerve të gjykatës, duke protestuar për mbajtjen e zotit Beleri në qeli. “Himara më 14 maj zgjodhi kryetarin e Bashkisë. Çdo vendim ndryshe nga ai që do populli, është i papranueshëm. Koha që tallja të marrë fund”, shkruhej në postimin e Omonias, që njoftonte protestën.

Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur për të bërë betimn, ka kaluar në një kalvar gjyqësor. Pas refuzimit të kërkesës nga Drejtoria e burgjeve, gjykata e Durrësit e përcolli për interpretim rastin në Gjykatën e lartë, e cila u shpreh se kompetenca për t’u vendosur i takonte Gjykatës së Posaçme.

Në seancën e sotme zoti Beleri deklaroi se “gjykatat kanë bërë ping pong”, me rastin e tij, duke folur për një “proces tërësisht politik” dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në zvarritjen e çështjes. “Janë kërcënimet publike të kryeministrit qe e kanë sjellë situatën deri në këtë pikë”, është shprehur ai.

Akuza ndaj kryeministrit lëshoi në fund të seancës edhe zoti Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, e cila e kishte zotin Beleri, kandidat të saj në zgjedhjet në Himarë, të mbështetur nga grupimi i ish kryeministrit Sali berisha dhe Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta. “Teksti, muzika, orkestrimi dhe interpretimi, janë të gjitha të realizuara nga një autor, kryeministri i vendit. Belerit prej 7 muajsh i privohet e drejta e të zgjedhurit, ndërsa komunitetit të Himarës, i privohet e drejta që të zgjedhë”, deklaroi zoi Dule. Sipas tij rasti Beleri “po krijon një precedent tejet të rrezikshëm që cënon Shtetin e së Drejtës, demokracinë funksionale dhe prezumimin e pafajësisë”.

Seanca e sotme u ndoq dhe nga ambasadorja greke në Shqipëri. Kjo çështje ka çuar në një përplasje të fortë mes dy vendeve. Greqia, reagoi menjëherë pas arrestimit të zotit Beleri, duke kërcënuar se ky rast do të kishte pasoja në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Athina foli fillimisht për shkelje të të drejtave të pakicave, dhe më pas për shkelje të të drejtave politike. Me gjasë, Greqia do të vejë veton, për të bllokuar hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Komisionit europian për grup-kapitujt e parë.

Pak ditë më parë kryeministrit Edi Rama tha se qëndrimi i tij për të mos ndërhyrë në një çështje që i takon vetëm drejtësisë, nuk ndryshon, pavarësisht rrezikut të bllokimit nga ana e Greqisë të avancimit të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, duke u shprehur se rasti Beleri, “nuk ka asnjë lidhje me kushtet e procesit të bisedimeve”.

Rasti Beleri, Rama: Nuk ndryshojmë qëndrim, pavarësisht pengesës greke në BE

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se qeveria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, pavarësisht se Greqia po kushtëzon hapjen e bisedimeve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, për grup kapitujt e parë, si hap drejt procesit të anëtarësimit. Në mënyrë të përsëritur, zoti Rama i është kundërpërgjigjur kërkesave të Athinës, se bëhet fjalë për një çështje që i takon drejtësië dhe se në mënyrë kategorike nuk mund të ndërhyjë.

Javën e ardhshme zoti Rama pritet të jetë në Bruksel, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Europian me Ballkanin Perëndimor. Duke folur për këtë, në Kongresin e Partisë socialiste, ai tha se nga 27 vendet anëtare, vetëm Greqia “e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore”.

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar në zgjedhjet vendore të 14 majit, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, u arrestua dy ditë përpara votimit, nën dyshimet për shitblerje të votës. Ai, megjithatë, arriti të fitonte me një diferencë shumë të ngushtë votash. Aktualisht çështja e tij është në gjykim. Greqia, reagoi menjëherë duke kërcënuar Shqipërinë se ky rast do të kishte pasoja në rrugëtimin e saj të integrimit europian. Ajo foli fillimisht për shkelje të të drejtave të pakicave, dhe më pas për shkelje të të drejtave politike, duke qenë se disa kërkesa të përsëritura të zoti Beleri, për të kryer betimin, ndonëse në gjendje arresti, janë refuzuar nga gjykatat shqiptare.

Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij, se rasti i zotit Beleri “nuk ka asnjë lidhje as me Bashkimin Europian, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave ku Shqipëria ka shkëlqyer, në kuptimin e plotë të fjalës ka shkëlqyer, në procesin e përbashkët të skanimit të pozitës së saj aktuale”. Ai nënvizoi se qëndrimi i qeverisë shqiptare “nuk ndryshon as deri në 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit. Dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë, jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim është shumë më kokëfortë sesa ne. Drejtësia për Shqipërinë është sot si uji që sapo ka nisur të dalë me vështirësi në një shkretëtirë ku brez pas brezi ishte e trashëguar gojëdhëna se “nuk do dilte kurrë”.

Komisioni europian i ka rekomanduar vendeve anëtare nisjen, brenda dhjetorit, të bisedimeve për grupkapitujt e parë, ose ato që njihen si “Themeloret”, ku përfshihen shteti i së drejtës dhe reforma në administratën publike, për të cilat procesi i shqyrtimit analitik (screening) ka përfunduar që në verë.

Greqia fillimisht refuzoi të nënshkruante letrën që Komisioni, sipas procedurës, duhet t’i dërgonte Shqipërisë duke i kërkuar asaj hartimin e udhërrëfyesit për këto çështje, që përbëjnë dhe parakushtet për hapjen e bisedimeve për grupin e parë. Në fund të muajit nëntor, Greqia, bëri një hap pas. Por, ajo ka ende mundësi të bllokojë procesin. Komisioni europian do të përgatisë një vlerësim mbi udhërrëfyesit e paraqitur nga pala shqiptare, për të informuar më pas vendet anëtare, se Shqipëria i plotëson kushtet. Dhe ky vlerësim duhet të marrë sërish miratimin e vendeve anëtare, në takimin e radhës të Këshillit europian, në gjysmën e dytë të dhjetorit.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>