Sulmet kibernetike, presidenti Begaj mbledh Këshillin e Sigurisë

Shqipëri, presidenca e RepublikësNë Shqipëri presidenti Bajram Begaj mblodhi sot këshillin e sigurisë kombëtare për të diskutuar mbi sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse.

 

Shqipëri u gjend në muajin korrik nën një sulm masiv kibernetik që prekur infrastrukurën shtetërore të informacionit. Autoritetet thanë se pas një hetimi të thelluar, të kryer nga ekspertë të Microsoft-it, FBI-së amerikane dhe ekspertë të tjerë ndërkombëtarë, ishte zbuluar qartësisht se pas tij qëndronte qeveria e Iranit. Për këtë arsye në fillim të shtatorit ajo morri një vendim të fortë duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.

Tre ditë më pas dhe pak orë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përmendur mes këtyre aktiviteteve, sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, një tjetër sulm goditi sistemet e policisë shqiptare.

Sipas njoftimit nga presidenca shqiptare gjatë mbledhjes së sotme “u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare”.

Gjatë takimit është vlerësuar po ashtu se “mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë tona, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë”.

Sipas njoftimit zyrtar “Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen”.

Shtetet e Bashkuara dënuan menjëherë sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, duke shprehur solidaritetin e tyre si dhe duke ofruar mbështetje për forcimin e sistemeve shqiptare të informacionit. Po ashtu dhe Nato-ja, dërgoi në Tiranë, një ekip të posaçëm për vlerësimin e situatës dhe ndihmës që mund të ofronte.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>