Tiranë: Gjykata Kushtetuese pro marrëveshjes me Italinë

Gj KushtetueseGjykata Kushtetuese votoi pro marrëveshjes me Italinë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm, duke i hapur rrugë ratifikimit të saj nga Kuvendi i Shqipërisë.

Vendimi rreth marrëveshjes me Italinë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm u mor në seancën e tretë të mbajtur për këtë çështje me një diferencë të ngushtë prej 5 votash pro, nga 9 që janë gjithësej anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në njoftimin e shpërndarë për mediat Gjykata argumenton se marrëveshja nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk e ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, sipas vendimit të trupës së gjyqtarëve, në të dy zonat ku vepron Pakti për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Po sipas gjykatës ‘’Protokolli për Migracionin” mund të negociohej me autorizim të kryeministrit, si dhe të nënshkruhej prej vetë kryeministrit.

 

Marrëveshje mes kundështimesh

Marrëveshja e nënshkruar mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, u prit me kundështime nga opozita në Shqipëri. 30 deputetë të së djathtës e konsideruan paktin mes dy vendeve si cënues të Kushtetutës së Shqipërisë, por dhe të ligjit ndërkombëtar, duke ngritur një padi në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor të vitit 2023.

Gjykata Kushtetuese e mori në shqyrtim padinë, që për rrjedhojë solli pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. Seancat në Institucionin më të lartë të gjyqësorit u shoqëruan me protesta edhe nga një grup aktivistësh të shoqërisë civile, që u shprehën kundër ngritjes së kampit të refugjatëve në Shqipëri.

Pas vendimit të së hënës ata u mblodhën sërish duke organizuar në mënyrë simbolike ‘’një homazh për Gjykatën Kushtetuese”.

 

Dy qendra pritëse për emigrantët e paligjshëm

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Romë më 6 nëntor të vitit të kaluar, në Shqipëri do të ngrihen dy qendra për pritjen e emigrantëve të paligjshëm nga Italia. Pika e parë do të jetë në Shëngjin, aty ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një tjetër qendër në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Në bazë të marrëveshjes, nëse Italia i refuzon kërkesat për azil, Shqipëria më pas do t’i dëbojë migrantët. Fëmijët dhe gratë shtatzëna do të përjashtohen nga marrëveshja. Qendrat do të menaxhohen nga Italia dhe do nisin të funksionojnë këtë vit. Atje pritet të strehohen rreth 3.000 vetë njëkohësisht.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>