Tiranë: Opozita kërkon të ndryshojë 7 ligjet e reformës në drejtësi

bashaPartia Demokratike është gati të ndryshojë 7 ligjet e reformës në drejtësi, sepse, sipas saj, u shtrëmbëruan nga shumica socialiste dhe nuk sjellin një vetting të vërtetë, por vetëm kapjen e drejtësië nga qeveria.

Kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha, tha sot para protestuesve tek tenda në shtitoten Dëshmorët e Kombit, se kryeministri Edi Rama ka frikë nga vetingu i vërtetë dhe drejtësia e vërtetë, prandaj e përjashtoi opozitën nga 7 ligjet, duke thyer premtimin që dhanë para para partnerëve euro-atlantikë.

Zoti Basha tha se Partia Demokratike e bëri detyrën e vet në Parlament me ndryshimet kushtetuese, që i hapën rrugë një drejtësie të pavarur kundër krimit dhe korrupsionit, por opozita u përjashtua nga procesi, që shumica të kapte institucionet e reja të drejtësisë.

“Kujt i shërben një drejtësi e kapur nga Edi Rama?! Kurrsesi nuk mund ta pranojmë, por nëse në të vërtetë janë ata që nuk kanë frikë nga Vetingu, ju them që menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe pas korigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vetingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur” – tha ai.

Ligjet e reformës në drejtësi janë hartuar me asistencën e drejtpërdrejtë të SHBA dhe BE. Ligji mbi prokurorinë speciale antikorrupsion dhe byronë kombëtare të të hetimit kaluan me konsensus nga PS dhe PD, ndërsa për ligjin e vettingut u shpreh pozitivisht edhe Gjykata Kushtetuese. Por opozita thotë se socialistët kanë bërë shtrembërime në to.

“Partia Demokratike do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut. Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le ti hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë” – tha zoti Basha.

Sot ishte dita e pestë e protestës së opozitës para kryeminsitrsë, ku po kërkohen zgjedhje të lira të garantuara nga një qeveri teknike.

Partia Demokratike vendosi të bojkotojë edhe parlamentin, ky vendim i fundit nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët.

Komisioneri europian për zgjerimin, Johannes Hahn, tha se debati politik duhet zhvilluar në parlament e jo jashtë tij.

Komisioneri Hahn vuri në dukje pasojat negative që do të kishte ky vendim mbi procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

“Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është i domosdoshëm për t’iu bashkuar Bashkimit Europian” – tha ai. – Parlamenti ka në axhendë reforma thelbësore, si ngritja e organeve të rivlerësimit, pjesë e reformës në drejtësi, si dhe Reforma zgjedhore, me rekomandimet e OSBE/ ODIHR, të cilat sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Këto reforma sipas zotit Hahn, janë të domosdoshme që Shqipëria të ecë drejt integrimit në BE.

Edhe eurodeputeti Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë në Parlamentin Europian, tha në Tiranë se “bojkoti i parlamentit është rruga jo e duhur, sepse rrezikon zbatimin e reformës në drejtësi” dhe se “tani është koha që fjalët për këtë reformë të shndërrohen në vepra”. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>