Asnjë afrim të qëndrimeve në ditën e parë të bisedimeve mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Pas takimeve të ndara dhe drekës së përbashkët të punës me euro-deputetëve Eduard Kukan, Riçard Houit dhe Ivo Uajgëll, delegacionet e dy partive nga Shkupi kanë mbetur në qëndrimet e tyre fillestare për zgjidhjen e krizës.
LSDM-ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi se dalje e vetme nga kriza është dorëheqja e Qeverisë aktuale dhe formimi i Qeverisë kalimtare, me mandat të organizojë zgjedhje të pavarura dhe korrekte. Pa përmbushjen e kësaj kërkese, social-demokratët nuk do të vijojë bisedimet për temat e tjera. Kjo është e papranueshme për VMRO-në, e cila tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e saj fillestar se nuk do të merr pjesë në asnjë qeveri, që nuk ka marrë paraprakisht legjitimitetin në zgjedhje.
Partia e Gruevskit kërkon kthimin e LSDM-së në Kuvend, përpara hapjes së kapitujve të tjerë. Qëndrimet e dy partive ndeshen edhe sa i përket dorëheqjes së Prokurorit Publik, ndërsa VMRO DPMNE-ja duket se është e gatshme të bisedojë për ndryshimin e strukturës udhëheqëse të RTVM-së. Temë e hapur për bisedime është edhe pastrimi i listës zgjedhore dhe ndarja e partisë nga shteti.
Dy partitë rivale pritet të ndeshen edhe për procedurat juridike, tashmë të filluara në Prokurorinë Publike, për rastin “Puçi” dhe për rastin e përgjimeve. VMRO DPMNE-ja kërkon që të vazhdojë procedura kundër Zaevit për rastin “Puçi” dhe të mos ndikohet nga politika, si dhe të monitorohet nga ekspertë ndërkombëtarë. Sipas LSDM-së, sistemi aktual gjyqësor tashmë nuk ka kredibilitetin e nevojshëm për procedimin e rasteve të një rëndësie kaq të madhe. Partia e udhëhequr nga Zaevi kërkon prokuror të ri publik dhe përfshirje të ekspertëve ndërkombëtarë, për të hetuar rastin “Puçi”, por edhe aferën e përgjimeve, bashkë me të gjitha indikacionet për shkelje të ligjeve dhe kushtetutës, që dalin nga bisedat e përgjuara.
Takimet e delegacioneve të pushtetit dhe opozitës me euro-deputetët ishin të mbyllura për mediat, ndërsa pjesëmarrësit nuk dëshirojnë të japin detaje nga bisedimet. Megjithatë është tashmë e qartë se në raundin e parë të bisedimeve në Bruksel, VMRO dhe LSDM nuk janë marrë vesh për asgjë, përveç për vazhdimin e negociatave pas festës së Pashkëve. Benjamin Arifi
QËNDRIMET E LSDM-SË QËNDRIMET E VMRO-SË
Qeveri kalimtare Nuk ka Qeveri kalimtare
Dorëheqje e Prokurorit Publik Prokuror Publik mbetet Zvërlevski
Dorëheqje e kryesisë së RTVM-së Mund të bisedohet
Pastrim të listës zgjedhore Mund të bisedohet
Të mos kthehen në Kuvend Kthimi në Kuvend para kapitujve tjerë
Funksionarët të ndiqen penalisht Vazhdon procedura kundër Zaevit