Gjergj Bojaxhi në garë për Bashkinë e Tiranës

 Gjergj

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, pasi shpalli kandidaturën, ai tha se politika është kthyer në problemin kryesor për qytetarët dhe se ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje tjetër

Në Shqipëri, zoti Gjergj Bojaxhi, një figurë e njohur publike, njoftoi se do të përfshihet në garën për zgjedhjet e ardhshme vendore, për kreun e Bashkisë së kryeqytetit si një kandidat i pavarur.

Në intervistën e tij të parë pasi shpalli kandidaturën, zoti Bojaxhi thotë për Zërin e Amerikës se jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin, sipas tij, politika është kthyer në problemin kryesor për qytetarët, e se për këtë arsye, ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje tjetër. Në Tiranë shtoi ai, politika i ka shërbyer interesave klienteliste dhe jo atyre të qytetarëve.

Zoti Bojaxhi, ju sot shpallët kandidaturën tuaj në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Si erdhi ky vendim?

“Ky është një vendim që nuk është marrë lehtë. Por nga ana tjetër situata që ne kemi në vend, mënyra se si ne bëjmë politikë, shqetësimet tona si qytetarë që nuk zgjidhen, e bëjnë shumë të lehtë të marrësh vendime të tilla. Nuk po e gjejmë më veten as të përfaqësuar nga partitë politike, në të gjithë spektrin e tyre. Mendoj se ka ardhur koha që të fillojmë kuptojmë se partitë politike nuk janë më zgjidhje për problemin që ne kemi qoftë më Tiranë qoftë në përgjithësi në Shqipëri, por kanë filluar të bëhen problem që ne kemi. Dhe ka ardhur koha që ne të fillojmë të gjejmë zgjidhje të tjera, dhe ky kandidim i mbështetur nga një grup qytetarësh është pikërisht një hap i tillë”.

Megjithatë, ju praktikisht po synoni të thyeni gati gati një tabu’. Jo vetëm në Tiranë por thuajse dhe në të gjithë Shqipërinë mbizotërojnë dy forcat kryesore politike. Aq më tepër që këtë vit Tirana merr dhe një peshë edhe më të madhe për shkak dhe të ndarjes së re territoriale. Dhe ju vetë në fjalën tuaj të shpalljes së kandidaturës u shprehët për një sfidë të vështirë…

“Padyshim që është një sfidë e vështirë. Eshtë e vërtetë që është një tabu’, por është i vërtetë edhe fakti që ne kemi një vend që ka varfëri, që nuk ka një përspektivë për zhvillim ekonomik, për punësim për të rinjtë. Një vend i cili nuk po na zgjidh më problemet që ne kemi. Unë mendoj se kjo është një tabu’ shumë e lehtë për t’u thyer, nëse marrim parasysh se vetë shqiptarët duan të thyejnë tabunë e varfërisë, të keqmenaxhimit, të abuzimit me hapësirat publike”.

Cilat janë sipas jush problemet kryesore me të cilat ndeshet sot Tirana?

“Unë do të thoja që nëse do të përpiqeshim të diskutonim teknikisht, problemet kryesore janë padyshim transporti, trafiku, ajri i ndotur, mungesa e hapësirave të gjelbërta, mungesa e shkollave, ne e dimë që shumica e tyre janë me dy turne. Në këtë këndëvështrim duket sikur problemet janë teknike. Ne mendojmë që problemet janë thelbësisht politike. Klasa politike e ka përdorur Tiranën si një mandat për të abuzuar, për t’i shërbyer interesave klienteliste dhe kjo është Tirana që ne kemi sot. Ne nuk kemi një qytet pa trotuare e pa rrugë se nuk kemi urbanistë që nuk dinë projekte. Por kemi një qytet pa trotuare e pa rrugë të asfaltuara sepse klasa politike e përdor Tiranën për të kënaqur grupe të ngushta interesi dhe jo për t’i shërbyer qytetit”.

Pse mendoni se do të mund të sillni te qytetarët e Tiranës këtë pjesë të munguar. Në fund të fundit edhe ju vetë vini nga një eksperiencë politike…

“Unë e konsideroj një përvojë politike të nevojshme në mënyrë që të jem sot një kandidat i mirë, I prezantuar përpara qytetarëve të Tiranës. Unë mendoj se nuk do të isha një kandidat i mirë nëse nuk do t’a kisha patur atë përvojë administrative dhe politike”

A mendoni se mund të përbëjë një pengesë fakti që ju vini nga e djathta. Pavarësisht se ju nuk jeni aktiv në jetën e Partisë demokratike, por ju jeni anëtar I saj. Dhe ju vetë nuk e keni mohuar këtë. Dhe kjo ndoshta mund të krijojë një farë mosbesimi tek ajo pjesë e së majtës e cila mund të mos e shohë veten te e majta aktuale?

“Unë besoj se qytetarët shqiptarë, dhe atë të Tiranës në vecanti, e kanë parë gjithnjë Gjergj Bojaxhiun, si një njeri, si një individ, si një administrator I cili kudo ku ka qenë ka bërë një punë dhe ka punuar për interesin publik. Unë nuk kam bërë kurrë militantin dhe nuk kam mbrojtur kurrë me pathos dikë apo dicka që është e padrejtë. Dhe për këtë kam marrë kudo vlerësimin e qytetarëve të Tiranës, kudo ku kam qenë. Dhe nuk kam dëgjuar kurrë që dikush të më thotë se nuk të mbështes në punën që po bën se je në një parti apo një tjetër”.

Fushatat vetë janë jo pak të kushtetueshme. Përballë keni dy partitë më të mëdha që kanë burime qoftë financiare dhe njerëzore. Ju si mendoni ta përballoni këtë fushatë. Nga do t’ju vijnë fondet, cila do të jetë mbështetja juaj financiare?

“Mbështetja jonë financiare do të vijë nga qytetarët e thjeshtë dhe nga grupe interesi që do të jenë nga grupe interesi të cilat do të jenë të deklaruara, publike dhe jo të kriminalizuara. Përsa i përket kostos së fushatës, mund të them se fushatë të shtrenjtë kanë nevojë të bëjnë ata që duan të blejnë apo vjedhin vota. Dikush që kërkon të bëjë një fushatë të drejtëpërdrejtë dhe përballë qytetarëve, nuk e ka fushatën e shtrenjtë. Përkundrazi do të thoja që e ka shumë të përballueshme”.

Tani që kufijtë e Tiranës janë zgjeruar së tepërmi. A ju duket e mjaftueshme koha prej afër 2 muaj e gjysëm?

“Kam përshtypjen se kandidatët e tjerë nuk kanë nisur ende fushatën, madje nuk e dimë as kush janë . Megjithatë është më mirë një hap në drejtimin e duhur se sa një hap që nuk është bërë kurrë”.

Pse zgjodhët të shpallni kandidaturën në një vend të hapur, jo sipas një formule klasike që është ndjekur deri më tani. Ka ndonjë domethënie? Në sfond kishte një grup të rinjsh…

“Nuk janë një grup të rinjsh. Janë një grup qytetarësh. Profesionistë të cilët janë secili  në punën e tyre në fushën e tyre. Njerëz që nuk kanë nevojë as për punësime në shtet, apo për tendera në shtet. Simbolika është shumë e qartë. Ne po e bëjmë këtë për t’ja marrë Tiranën, partive politike. Ato janë shkaku që ne kemi sot këtë qytet, që kemi këto problematika. Dhe ka ardhur koha të tregojmë se gjërat mund të bëhen ndryshe dhe mund të jenë të suksesshme duke i bërë ndryshe”.

Projekti juaj nis dhe përfundon këtu me këtë garë? Nëse do të  arrinit të fitoni, mbyllet ky projekt, apo angazhimi juaj, apo qoftë dhe beteja për të përmirësuar Tiranën do të vazhdojë dhe më tej?

E para nuk është projekti im. Eshtë projekti i një grupi njerëzish. Unë jam thjesht kandidatura e përzgjedhur për ta përfaqësuar këtë projekt. Dhe përsa kohë qytetarët e TIranës japin një mesazh të qartë që e duan këtë lloj ndryshimi, e duan një qeverisje tjetër, një qeverisje ndryshe, ne nuk do e ndalojmë punën tonë derisa kjo të bëhet realitet, në Tiranë dhe në Shqipëri, pse jo”. (voa)

Skena e krimit dhe imazhet 3D

Policia dhe organet e hetimit shpesh varen tek rikrijimi i skenës së krimit për të kuptuar më mirë zhvillimin e ngjarjes. Një institut në Zvicër thotë se një telnologji e avancuar e realitetit virtual mund të përdoret për rindërtimin e ngjarjeve në momentin e krimit.

Shkencëtarët në Insitutin e Mjekësisë Ligjore në Zurih të Zvicrës po krijojnë teknologji të reja që mund të ndihmojnë organet e hetimit, gjykatësit dhe avokatët që të kuptojnë më mirë skenat e krimit dhe madje të kryejnë edhe autopsi virtuale.

Syzet Oculus Rift, të përdorura për lojrat elektronike, së bashku me programin kompjuterik Forensic Holodeck, krijojnë skenën e krimit me ndihmën e  skanuesve tre dimensionalë. Hetuesit përdorin imazhet tre dimensionale për të rikrijuar skenën e krimit bazuar në dëshmitarët dhe regjistrimet nga kamerat e përgjimit.

Në një rast, teknologjia ndihmoi prokurorët të provonin veprimet e një vrasësi, gjë që ndikoi në shpalljen  e tij fajtor.

Eksperti Steffen Ross tregon se si funksionin kjo:

“Skanojmë skenën e krimit dhe trupin e vdekur, nëse ka një të tillë dhe pastaj ndërthurim sëbashku të gjitha të dhënat në programin kompjuterik për të krijuar skenën virtuale në një model tre dimensional.”

Programi rindërton trajektoret e plumbit, siç tregon kjo vijë e verdhë me të kuqe:

“Kemi mundësi të shikojmë më mirë trajektoret e  predhave që më parë ishin në pamje dy dimensionale.” 

Një tjetër teknoligji e re nga ky institut është roboti i quajtur Virtobot, që ekspertët mjeko-ligjor mund të përdorin për të realizuar autopsi virtuale në detaje.

Shkencëtari Robert Breitbeck thotë se sistemi ofron një model tre dimensional të trupit të njeriut:

“Skanojmë pjesën e plagës në madhësi dhe ngjyra reale dhe e ruajmë atë për ta kombinuar me informacionet tre dimensionale të skanuara nga policia dhe ne. Në bazë të këtyre ndërtojmë imazhet virtuale tre demensionale për rastet e vrasjeve apo aksidentet e trafikut.” 

Sistemet në fjalë janë në përdorim në disa vende të botës. (voa)

Greqia hedh vështrimin nga Rusia

Greqia

Greqia përpiqet ta financojë ekonominë edhe me para “jashtë BE”. Preferenca e Athinës për Moskën, sipas medieve, po sjell shqetësim në BE.

Për të mbështetur ekonominë që lëngon të vendit, Greqia po kërkon burime financimi edhe jashtë Bashkimit Evropian. Përfaqësues të qeverisë greke ia konfirmuan këtë numrit online të së shtunës të revistës “Der Spiegel”. Greqia përpiqet të sigurojë investime dhe financim jashtë BE, “para së gjithash nga Kina”, u tha nga Athina.

Interesi kinez dhe investimet kineze në Greqi nuk janë temë e re. Edhe planet e qeverisë greke, që portin e Pireut t’ua “shesë” plotësisht kinezëve nuk tërheqin vëmendjen. Kinezët kanë në këtë port gjithsesi një pjesë të aksioneve, me Grupin e tyre Cosco, kujton në numrin e së dielës (29.03.2015) Neue Zürcher Zeitung.

Ajo që tërheq vëmendjen evropiane dhe ka sjellë edhe reagimet e para janë planet e Athinës për të kërkuar mbështetje ekonomike nga Rusia. Meqenëse negociatat e Athinës me Brukselin për financimin e borxheve greke po avancojnë me shumë vështirësi, Greqia luan kartën e pozicionit të saj gjeopolitik. Sipas informacioneve të “Spiegel”-it, Greqia është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë për ta siguruar ndikimin rus në tregun energjetik të rajonit. Athina do të përshëndeste investime ruse dhe kineze edhe në sipërmarrje greke shtetërore me humbje, si në Hekurudhën Greke dhe në Portin e Selanikut.

Në këtë kuadër, ministri grek i Energjisë, Panajotis Lafazanis dhe zëdhënësi i Syrizas në Parlament kanë nisur sot (30.03.2015) një vizitë dyditore në Moskë. Sipas Spiegelit, përfaqësuesit e qeverisë greke pritet t’i kërkojnë Rusisë ta ulë çmimin e gazit për ekonominë greke. Gjithashtu pritet që Greqia të kërkojë të përjashtohet nga embargoja ruse ndaj BE për produkte të tilla si frutat e freskëta.

Cipras në 8 prill në Moskë

Po jo vetëm kaq. Në 8 prill, në Moskë do të qendrojë vetë kryeministri i qeverisë greke, Alexis Cipras. Vizita bëhet një muaj më herët se planifikimi. Sipas vëzhguesve, Cipras mund të tatojë pulsin në Moskë edhe nëse Rusia është e gatshme të mbështesë më kredi Greqinë.

Që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e jep mbështetjen vetëm në kuadër të “afërisë” që ndiejnë dy kombe ortodokse për njëri-tjetrin, kjo mund të merret me mend. Putini mund të shfrytëzojë shansin ta përçajë BE dhe të forcojë ndikimin në Evropën Juglindore, druhen në Bruksel dhe në Berlin.

Disa politikanë kryesorë të Syrizas ndihen më afër me Moskën se me Brukselin, konstaton revista “Der Spiegel”. Ministri i Energjisë, Lafazanis, kreu i platformës ekstremiste të majtë të Syrizas tha në një intervistë të shtunën se “Bashkimi Evropian i gjermanizuar po na mbyt me plotëkuptimin e fjalës.”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber paralajmëroi që Cipras përpiqet t’i kundërvërë kundër njeri-tjetrit shtetet e BE në kurriz të popullit grek. Kjo është “një strategji shumë e rrezikshme”. Ndërsa Herbert Reul, kryetar i Grupit CDU/CSU në PE citohet me fjalët: “Anëtarësimi në BE do të thotë veprime të parashikueshme dhe besim – dhe jo truke. Ai që luan me zjarrin dhe kërkon tani ndihmë në Rusi, mund të djegë gishtat!”. Edhe kryetari i Komisionit të Evropës në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum i tha Spiegelit: “Ai që kërkon edhe më tej ndihma nga BE, duhet të ketë busull që tregon nga Brukseli, jo nga Moska.” (dw)

Irani i madh, Jemeni i vogël

Irani dhe Arabia Saudite përplasen në Jemen. Arabia Saudite mund të humbasë shumë dhe Irani mund të fitojë shumë. Me Jemenin Teherani do të fuste edhe një shtet tjetër në sferën e tij të influencës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, foli qartë: aksionet ushtarake saudite duhet të ndërpriten “menjëherë”, deklaroi ai pak pas sulmeve të koalicionit të drejtuar nga Riadi kundër pozicioneve të Huthi në Jemen. Ai paralajmëri se sulmet “do të acaronin tensionet në rajon.”

Natën duke u gdhirë e enjte koalicioni, i përbërë nga disa shtete sunite, kreu për herë të parë sulme ajrore mbi Jemen. U qëlluan baza ushtarake të Huthi në Sanaa dhe në provincën Amra në veri të vendit. U qëllua edhe pallati presidencial në Sanaa i marrë nga Huti në fillim të janarit. Që nga fillimi i sulmeve janë vrarë 39 njerëz.

Arabia Saudite thotë se i kryen sulmet për të rrëzuar presidentin Abebd Rabbo Mansur Hadi. Irani ka një shpjegim tjetër. Atë e shprehu kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme, Manour Haghighatpour, në një deklaratë të shkurtër: “Arabia Saudite ka nisur një bixhos të madh (“Great Gamble”) dhe atë me siguri që do ta humbasë.

Loja e Madhe e fatit, një aludim për “The great game”, garën e shteteve koloniale evropiane në shekullin 19 për supremaci në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Haghighatpour duke e quajtur këtë “lojë” tani “bixhos”, lë të kuptojë se Arabia Saudite nga këndvështrimi iranian ndjek një kurs, përfundimi me sukses i të cilit gjithçka tjetër mund të jetë, por jo i sigurtë.

Në fakt politika e jashtme saudite as në bashkëpunimin me Uashingtonin nuk ka qenë edhe aq e suksesshme vitet e fundit. Në eceejaket për Sirinë, Irakun dhe Libanin, Riadi ka humbur dhe Teherani ka fituar. Të gjitha shtetet ndodhen tani nën ndikimin iranian. Për shtetet sunite në rajon ky është një zhvillim alarmant. Ata kanë frikë gjithnjë e më të madhe, se mund ta humbasin ndikimin në rajon. “Irani e di, se si mund të lozë me fobitë arabe”, shkruan gazeta Foreign Policy mbi lëvizjet e fundit në luftën e vjetër për pushtet mes sunitëve dhe shiitëve.

Edhe pse Teherani e mohon se është ushtarakisht aktiv në Jemen, shtetet arabe janë skeptike. “Vitin e fundit një parlamentar iranian tha se të tri kryeqytetet arabe, Bagdadi, Damasku dhe Bejruti, ndodhen ndërkohë nën kontrollin e Teheranit. Kjo ka ngritur shqetësimet se Sanaa mund të ishte e katërta”, shkruan Foreign Policy.

Politologu Valid al-Saqaf i universitetit të Stockholmit i konsideron të pabaza këto frikëra. Me të vërtetë Siria, Libani dhe Iraku ndodhen sot nën ndikimin e Teheranit. “Në Jemen nuk ka qenë kështu, para se të vininnë pushtet huti në aleancë me ish presidentine jemenit Saleh”, thotë Al-Saqaf në bisedë me DW. Se sa të vendosur janë për të zgjeruar lidhjet me Teheranin, huthi e demonstruan në fund të janarit. Menjëherë pasi morën pushtetin në Sanaa, vendosën 28 fluturime javore ndërmjet Jemenit dhe Iranit. Më parë nuk kishte patur asnjë fluturim.

Shtetet sunitë tremben se avionët kanë në bord jo vetëm mallra të padëmshme, por edhe armë. Por është e vështirë të gjenden dëshmitë, siç është e vështirë të dëshmohen aktivitetet ushtarake të Iranit. Sepse në asnjë nga vendet e përmendura Irani nuk është i angazhuar zyrtarisht me trupa të rregullta. Në Siri Teherani është i pranishëm vetëm indirekt, përmes këshilltarëve ushtarakë dhe trupave elitë. Se sa forca janë, vetëm mund të supozohet. Që Irani mbështet qeverinë e Irakut në luftën kundër organizatës terroriste “Shtetit islamik”, është pranuar tani nga Teherani.

Nëse në Jemen do të forcohen huthi, Arabia Saudite do të ndodhej para një situate të re. Fqinji i saj verior, Iraku, do të ishte po ashtu një aleat i Iranit si Jemeni. Vendi do të ishte rrethuar nga shtete shiite.

Në fakt Irani mohon se është i përfshirë në Jemen. Por kjo nuk është fort e besueshme. Në janar 2013 rojet bregdetare jemenite kapën një anije të vogël iraniane mallrash, që kishte raketa tokë ajër në bord. Në Arabinë Saudite besojnë se ato ishin destinuar për huti.

Sukseset e tyre ushtarake duhet ta shqetësojnë Arabinë Sauditre, sepse huthi me pushtetin mbi Jemenin mund të marrin në dorë edhe kontrollin e një pjese të lundrimit ndërkombëtar. Në pikën më të skajshme jugperëndimore Jemeni kufizohet me Bab al-Mandab, “Derën e Lotëve”. Kështu quhet ngushtica detare jo më e gjërë se tridhjetë kilometra, ku deti Arabik ndahet me detin e Kuq. Ndërsa ky i fundit lidhet me Mesdheun përmes kanalit të Suezit. Këtë rrugë detare e kalojnë edhe shumë cisterna, që furnizojnë Europën me naftë.

Por nëse Irani është me të vertetë i interesuar është e pasigurtë. Bisedimet bërthamore ndodhen në raundin e fundit vendimtar. Të gjitha palët kanë interes për të arritur një marrëveshje. Ajo edhe pasi të arrihej mund të pengohej së paku pjesërisht përmes një ndikimi të hapur apo të fshehur në Jemen. Irani ka pas vetes vite të gjata të embargos. Prandaj Teherani zor se do të ishte i interesuar ta zgjasë atë sërish duke treguar agresivitet në Jemen. (dw)

Euro 2016- Shqipëria tashmë mund të ëndërrojë “Francën”

Shqip_Arm_golli_dyteKombëtarja e Shqipërisë ka bërë hapin e madh. Fitorja e rëndësishme ndaj Armenisë i hap rrugën Kombëtares Kuq e Zi drejt realizimit të ëndrrës së madhe, kualifikimit në kampionatin europian “Francë 2016”.

Një përmbysje e mrekullueshme me të gjithë përbërësit e një skuadre të madhe, karakter, zemër, forcë dhe besim për të mos u dorëzuar kurrë, e gjitha e arritur në një atmosferë të mrekullueshme me tifozerinë Kuq e Zi në ‘Elbasan Arena’.

Tashmë situata në grup ka ndryshuar dhe llogaritë e pikëve janë shpresëdhënëse. Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë në grup, me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, ndërsa Portugalia pas fitores ndaj Serbisë qëndron në krye me 9 pikë. Për Serbinë dhe Armeninë praktikisht gjithçka ka përfunduar pasi renditen të fundit me vetëm një pikë. Shqipëria vijon rrugën e saj  me 4 ndeshjet e rradhës.

Tashmë të paktën vendi i tretë që siguron play-offin është mëse i mundshëm e madje ekzistojnë dhe shanset reale që Shqipëria të sigurojë një biletë për në Francë edhe duke u kualifikuar si skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve, ndërkohë që mund të synojë me këmbë në tokë vendin e dytë.

Kuqezinjtë e De Biasit do të zbresin sërish në fushë në 4 shtator, kur do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën, në një sfidë që në situatën aktuale ngjason pikërisht si një play-off për vendin e dytë, por përpara atij takimi do të luhet një ndeshje tjetër e rëndësisë maksimale.

Një betejë që ndryshe nga të tjerat nuk do të luhet me zemër e grintë, por me mendje te kthjellët e fakte. Në datën 17 prill, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të japë verdiktin e saj përfundimtar në lidhje me ndeshjen e ndërprerë në Beograd me Serbinë. Në Lozanë, Shqipëria kërkon 3 pikët dhe drejtësinë. Beteja e Shqipërisë në KAS ka të bëjë në fakt me shumë më tepër se 3 pikët, pasi në thelbin e saj qëndron e drejta, por produkti i një fitoreje eventuale do t’i jepte Kuqezinjve kryesimin e Grupit I, duke rezultuar një tjetër hap gjigant drejt arritjes më të madhe në historinë e futbollit shqiptar. /a.g/

Përfundon protesta e veteranëve, listat dalin javën e ardhshme

protesta-ovl-fotoxhemail-sllovinja-6Ish – luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndërprerë protestën pak minuta më parë. Përfundimi i kësaj proteste erdhi pas një takimi që zhvilluan përfaqësuesit e ish – luftëtarëve të UÇK-së me anëtarët e komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK, pas këtij takimi ka thënë për media se ka marrë premtimin se deri javën e ardhshme do të bëhet publikimi i plotë i listave.

Protestuesit veteranë të UÇK-së kaluan rrethimin e oborrit të qeverisë dhe kërkuan të takohen me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas KosovaPress, mes protestuesve dhe policisë pati përleshje, por ndërkohë forcat e policisë krijuan një kordon para hyrjes kryesore dhe nuk lejuan askënd të futet brenda objektit. Në oborrin përpara godinës së qeverisë ishin të pranishëm edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi vazhdimisht bëri thirrje që mos të përdoret dhuna nga ana e protestuesve veteranë.
Sipas tij protestuesit nuk kanë nevojë të përleshen me policinë, pasi këtu kanë dalë për t’i kërkuar të drejtat e tyre e që janë publikimi i të gjitha listave.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së po zhvillon sot një protestë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale./k.s/

HAGË – GJNP-ja urdhëron rikthimin në burg të Shesheljit

HAGË – GJNP-ja urdhëron rikthimin në burg të Shesheljit
HAGË, 30 mars /ATSH-AFP/ – Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (TPIY) urdhëroi sot rikthimin në burg të ultranacionalistit serb, Vojislav Sheshelj, liruar përkohësisht në muajin nëntor, pasi ai kishte deklaruar disa here se nuk do të paraqitej para Gjykatës.

TPIY-ja urdhëroi instancën e ngarkuar me këtë çështje të anulonte menjëherë vendimin për lirimin e përkohshëm të Shesheljit dhe urdhëroi rikthimin e njësinë e ndalimit të OKB, në Hagë”, njoftoi Gjykata në një komunikatë.

“Ky vendim nuk më intereson, sigurisht që nuk do të rikthehem në Hagë me vullnetin tim të plotë”, deklaroi Sheshelj.

“Pres që ”kalorësia” të zbarkojë me shumë pompozitet për të më arrestuar, por ata ende nuk janë shfaqur”, theksoi ai.

Pas vendimit të TPIY-së, është policia serbe që duhet të kryejë detyrën për arrestimin e Vojislav Sheshelj, mjeshtër i provokimeve që prej rikthimit nga Haga./
/ec/ a.jor.

Vargje poetike

Vargjet janë të thurura para 23 vitesh, duke shprehur vizionin tim të ndodhive dhe ngjarjeve me të cilat ballafaqohej shqiptarizmi, ku për fat jo të mirë, ca gjëra na kanë nxënë akoma edhe sot si para dy decenieve.

Shkruan: Bejtullah Sadiku

EMRI I MALLKUAR

U lind me një emër të ri
Me u bë mbretëri
Duke sundu e përbi
Që gjithë tjerët me i pas n´kujdesi.

Kjo zgjati shumë
Deri sa u bënë shkrumë.
Kërkuan rrugëdalje për emër t´ri
Por në fund mbetën n´vetmi.

Ndryshimet i bënë qesharake
Të keqijat plot maskarallaqe,
prap tentuan e u munduan
emrin prap me ia ndërruar.

Mbajtja e vendit ishte veç kuvend
Se e dinjin ku dhëmbi u dhemb,
emri ishte vetëm intrigë
për të dominuar këta të perbitë.

Edhe kjo lehte u pa
se u pajtuan me u nda,
por nga turpi s´patën ç´bçjnë
veç t´mbajnë emrin se shkuan të tanë.

Kjo qe mbajtje veç prej zori
se e panë më, kush si nxori
me arsye e qëllim
t´mbulojne fajin n´emertim.

Mbaje ruaje ashtu gjysmak
se aspak s´na jet merak.
Vehten mashtrove e u hutove,
por, popullin tënd e ngushtove.

Drama e emrit s´ka përfundu
ndërmjet vehdi duke u coptu,
se u takoj të gjithëve atyre
që i detyrove me u largu.

Hiç pa turp e pa njerëzi
për një emer u berët hi.
Vratë, pretë e shkatruat,
por të vehtit, trefish i gropuat.

Emri emrat i gropoj,
emrat tjerë i hutoj.
Emrat, emrat i kërkojnë
pse nuk gjinden, ata vajtojnë

Ju që mbani emra,
Ju që vini emra,
Ju që zhdukni emra,
U zhduket e u fshitë, por emri tokë ka me u perbijtë.
(PSEUDO) PATRIOTIZMIT

Hec e nga pa përtesë
për popull t´ngratë e t´shkretë
se i duan t´mirën t´mbesë
si gjithë të tjerët për jetesë.

Punë, jetë e egzistencë
si gjithë të tjerët për një far rrnesë,
duke dashur si çdo kush
por, janë duke na lënë si askush.

Fjalë e të ngame sa te duash,
punë e vepra në minimum,
kënaqim vehten edhe pa krye punë,
duke u shpallë patriota t´hutum.

Patriota e demokrat
gojën plot me dokrra thatë,
se t´kaluarën e shkatruam,
por tani, edhe të ardhmen e ngatruam.

E ngatruam edhe e koklavitëm,
duke bredhur anë e mbanë,
pa e pyetur vehten: pse dualëm n´këto anë?
Dhe ku e lamë nënën, që vajton hiç pa u ndalë?!

Edhe zogjtë cicëronjin disi të idhëruar,
se foletë e tyre ua kishin shkatruar,
e ushqimin s´kishin ku me e grumbulluar.
Se ate qe u ofruan, nuk i kënaqte si ai që ishte i dëshiruar.

Bredhin zogjte prej dege e në degë të lisit,
fluturime e cicërime pa u rahatisur,
pa patur mundësine e qetësinë me kurdisur,
por të vendosur me mbetë, aty ku janë lind e rritur.

Koha plot mjegullirë, të rreshura, acarr bore e shi,
me vetëtima si breshër plot stuhi.
Por, edhe kjo një ditë do të kishte të ndalë,
si dielli, kur del e nxenë nëç´do ane.

Atëhere të shpresojmë se:
Bujku do të lavron,
punëtori do të prodhon,
minieri do të gërmon,
mjeku do të shërron,
nënëpunësi do të punon,
mësuesi do të arsimon,
edukatori do të edukon,
e të gjithë nga pak vendin ta ndërtojmë e përparojmë.
Ne fund:
Këngëtarët këngës do t´ia thojnë, e do na ket do hije
Atdheut t´i këndojmë, se arrijtëm t´a ndërtojmë,
dhe sa më shumë të ndihmojmë,
si Evropën t´a përparojmë.
Se vetëm kështu …

armikut mund t´i tregojmë,
se shqiptari është shqipëtarë,
dhe kështu dinë të qëndron.
Unik e të bashkuar,
dhe si gjithë të tjerët ka me jetuar,
dhe amanetin e të parëve me e realizuar!
Lavdi të gjithëve atyreve që u bënë viktimë për komb, atdhe, e shqiptari!
Rrofshin sa malet të gjithë patriotët e vërtetë të kombit, që punojnë e luftojnë realisht e objektivisht për të drejtat legjitime të popullit shqiptarë!
Turp e marri për të gjithë ata dokraxhi, që ngopin dhe kënaqin vehten, në emër dhe për emër shqiptarizmi?!
Nëse i ka:
Le t´i turpërohen emrit që e mbajnë, le t´i turpërohen nënës që e loton dhe vajton, le t´i turpërohen Vëndit martirë qeë kurri nuk (don të) vdes, dhe le t´i turpërohen Shqipërisë së bashkuar, që më se ndal dot kushi!…

Bejtullah Sadiku, 28 Tetor, 1992 Krefeld-Gje

Negociata me dyer të mbyllura në Bruksel

1_100730040

Treshja e deputetëve të Parlamentit Evropian konfirmoi sot përmes një komunikate fillimin e negociatave për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.

Eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt përmes një deklarate për mediat kanë informuar se të hënën më 30 mars në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel do të nisin negociatat midis dy partive politike VMRO-DPMNE dhe LSDM, me qëllim të tejkalimin e krizës politike në Maqedoni.

Tre eurodeputetët kanë bërë të ditur se negociatat do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Siç mësohet, nga pala e VMRO-DPMNE-së është caktuar ministri i jashtëm Nikola Popovski, ndërsa nga pala e opozitës maqedonase zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmila Sheqerinska. Në këto negociata janë përjashtuar përfaqësuesit e partive kryesore shqiptare dhe se deri tani nuk ka asnjë përgjigje për pjesëmarrjen e ndonjërit nga përfaqësuesit e tyre, për shkak të formatit tashmë të përcaktuar. Treshja evropiane pritet të ketë rol lehtësues dhe jo ndërmjetësues, që palët përmes dialogut të arrijnë pikat e përbashkëta të një marrëveshje të mundshme. Pritjet e Brukselit janë që opozita të kthehet në Parlament dhe ti jepet fund krizës politike, duke i hapur rrugë zgjidhjes institucionale për aferën e përgjimeve dhe rastin “Puç” të ngritur kundër Zoran Zaev.

Dialogu në Bruksel pritet të zgjas për disa orë dhe se është përcaktuar një orar nga ora 11 deri në orën 18 të pasdites, me ç’rast përveç tre eurodeputetëve do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Komisionit Evropian. (INA)

Këto janë pikat e rezolutës që pritet të miratohet nga Kuvendi

Kuvendi i Kosoves

Kuvendi i Kosovës pritet që në pjesën e dytë të seancës së sotme të votoj rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi paraprakisht në pjesën e parë të kësaj seance Kuvendi ka hedhur poshtë rekomandimet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje si parashtruese e kërkesës për interpelancën e kryeministrit, shkruan zeri.info

Rezoluta e propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së:

Rezolutë për të vënë drejtësi për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga Serbia ndaj popullatës së Kosovës, dëmet e luftës të shkaktuar ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës si dhe për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton dhe përsërit përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për bashkëpunim dhe integrim në strukturat dhe mekanizmat euroatlantike si dhe shprehë gatishmërinë për të vazhduar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesimin procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Republika e Kosovës është dhe mbetet partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm në kuadër të partneritetit euro-atlantik dhe i përkushtohet pa kompromis zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin se edhe me kalimin e më shumë se një dekade pas përfundimit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, gjenocidi dhe krimet e luftës ndaj popullatës së Kosovës nuk janë ndëshkuar. Dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës nuk janë kompozuar si dhe fati i shumë personave të zhdukur gjatë luftës ende nuk është ndriçuar. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh keqardhje që edhe institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtar, brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës nuk kanë kontribuar mjaftueshëm në adresimin e këtyre çështjeve që janë aq të ndjeshme dhe të rëndësishme për popullin e Kosovës.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton se kryerja e krimit të gjenocidit si dhe të krimeve kundër njerëzimit gjatë luftës janë shkeljet më të rënda të normave të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare. në kuadër të kësaj Kuvendi i Republikës së Kosovës i referohet instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e krimit të gjenocidit. Kuvendi i Republikës së Kosovës poashtu i referohet Konventës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Focë e cila garanton të drejtën për të ditur për fatin e personave të zhdukur.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh bindjen se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës kanë për detyrë që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për të vënë drejtësi për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës në pajtim me të gjitha të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtat ndërkombëtare në përgjithësi. Kuvendi i Republikës së Kosovës poashtu shpreh bindjen se procesi i drejtësisë tranzicionale jo vetëm që do të kontribuoj në vënien e drejtësisë, por edhe do të nxisë përafrimin dhe pajtimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, në dobi të një shoqërie të qëndrueshme që respekton dhe jeton sipas vlerave dhe parimeve euro-atlantike.

5. Duke i marrë parasysh të gjitha qëndrimet dhe pikëpamjet të thëna më sipër, Kuvendi i Republikës së Kosovës obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të merrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të filloj të gjitha procedurat e mundshme politike dhe juridike qofshin ato vendore apo ndërkombëtare për të vënë drejtësi për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga Serbia ndaj popullatës së Kosovës, dëmet e luftës të shkaktuara ndaj popullit dhe pasurisë së Kosovës si dhe për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës. /Zëri/