Bizneset shqiptare në Itali regjistrojnë mbi 30 mijë ndërmarrje

Vazhdojnë të shtohen ndërmarrjet individuale të emigrantëve me banim në Itali, duke arritur kuotën prej 335 mijë

Nga raporti i Dhomës së Tregtisë rezulton se, në çdo dhjetë ndërmarrje individuale, njëra është me pronar të huaj. Në radhitjen e shifrave, të parët janë marokenët me 64 mijë biznese, më pas kinezët, e të tretët emigrantët shqiptarë me 30 mijë e 700 biznese individuale.

Ndër to, shumica dërrmuese, 23 mijë janë në sektorin e ndërtimeve, shifër që i radhit shqiptarët të parët në këtë sektor.

Nga analiza e shifrave dhe e ecurisë së tyre, del se sipërmarrjet e të huajve kanë aftësi më të mëdha për të përballuar krizën në krahasim me ato italiane.

Krahasimi i numrit të sipërmarrjet e reja të hapur dhe ato që janë mbyllur gjatë vitit të kaluar konfirmon se edhe sistemi prodhues italian po hapet gjithnjë e më shumë ndaj të huajve dhe se sipërmarrjet i këtij lloji mbeten një prej rrugëve më të mira për integrim dhe kohezion social të të huajve. / Top Channel

SHBA të shqetësuara me përfshirjen iraniane në Jemen

JemenSekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq derisa rajoni po destabilizohet.

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha se Washingtoni është “shumë i shqetësuar” për mbështetjen e Iranit për kryengritësit shiit në Jemen, pas raportimeve se një flotë detare e Iranit ishte nisur drejt këtij vendi të Gjirit Persik.

Press TV e Iranit, raportoi të mërkurën se anije luftarake iraniane janë drejtuar për në ujërat afër Jemenit, ku fushata ajrore e drejtuar nga Arabia Saudite po përpiqet të pengojë përparimin e kryngritësve huthi.

Admirali Iranian Habibollah Sayyar, tha se flota do të ofrojë siguri për “linjat transportuese të Iranit” dhe do të mbrojë interesat e vendit në det të hapur. Ai tha se kjo po bëhet edhe për të mbrojtur anijet nga sulmet e piratëve.

Sekretari Kerry tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë  nga afër mbështetejen iraniane ndaj kryengritësve.

“Irani duhet ta ketë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq derisa rajoni po destabilizohet dhe njerëzit po përfshihen në luftime të hapura përtej vijave kufitare ndërkombëtare dhe në vende të tjera”, tha ai.

Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara, që e mbështesin fushatën e sulmeve ajrore arabe, “qartazi nuk po kërkojnë konfrontim”.

“Por, ne nuk do të largohemi nga aleancat tona dhe as nga nevoja për të qëndruar në krah të atyre që ndjehen të kërcënuar nga pasojat e veprimeve që mund të bëjë Irani”, tha sekretari Kerry.

Irani bën thirrje për armëpushim

Presidenti Iranian, Hassan Rouhani, bëri thirrje që t’i jepet fund fushatës së sulmeve ajrore të Arabisë Saudite dhe aleatëve arab në Jemen, duke theksuar se fushata nuk mund të ketë sukses dhe vendet e rajonit duhet të punojnë për një zgjidhje politike.

“Një komb i madh si Jemeni, nuk do të përulet para bombave. Të mendojmë për t’i dhënë fund luftës. Le të mëndojmë për një armëpushim”, tha Rouhani të enjten në një fjalim televiziv.

“Të bëhemi gati t’i ulim njerëzit e Jemenit në tryezën e bisedimeve dhe të vendosin për të ardhmen e tyre… Ta pranojmë se e ardhmja e Jemenit është në duart e qytetarëve të Jemenit dhe të askujt tjetër”, tha Rouhani.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i bëri thirrje Pakistanit që të angazhohet për një zgjidhje politike, gjatë një vizite në Islamabad, pak pasi që Arabia Saudite i bëri thirrje Pakistanit që të bëhet pjesë e koalicionit.

Tensionet janë të larta në Jemen, për shkak të konfliktit ndërmjet kryengritësve huthi dhe forcave besnike të presidentit të njohur ndërkombëtarisht, Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 600 njerëz janë vrarë dhe mbi dy mijë e 200 janë plagosur gjatë luftimeve në Jemen. UNICEF-i tha se të paktën 77 fëmijë janë vrarë gjatë konfliktit. (voa)

Kumbarët e haraçit

Haraç, definicion ky që në Kosovë është shndërruar në sinonim të komandantëve matrapazë të luftës, që sot janë pjesë të institucioneve, drejtorë të ndërmarrjeve, pronarë të aseteve të Kosovës.

Për 16 vjet me radhë plaçkitën, uzurpuan, grabitën e çfarë jo tjetër në emër të luftës. Madje jo pak nga ata janë edhe përfaqësues të diplomacisë së Kosovës, s’prish punë pse ata janë thjesht analfabetë dhe pjesë e strukturave kriminale të institucionalizuara të Kosovës.

Varësisht nga fuqia politika, këta ish-komandantë, kanë evoluar edhe me pozicione të tyre. Dikush nga uzurpimi e haraçi nëpër kioska e dyqane kanë kaluar në talle të tenderëve publikë milionësh. Të tjerë bëjnë politikë për interesa të biznesit, dikush merret me diplomaci. Kush s’ka arritur të marrë ulësen e pushtetit, e ka gjetur vetën me kazino e  aparate të lojërave të fatit, duke i lakmuar shokët e luftës në pushtet. Të gjithë këta akterë të plaçkës nisën shtrirjen në emër të luftës, që gjoja e kanë bërë për çlirimin e Kosovës.

Biznesmeni Eroll Vitaku është vetëm njëri nga shumë biznesmenë që pati guximin të rrëfejë rastin e tij nga halli i madh që ka pasur prej banditëve të luftës. Foli publikisht në emisionin “Puls”, duke përmendur se kush ishin haraçkërkuesit e tij. Gjendja e tij fizike, fasha në hundë, vetëm sa të jepnin një pasqyrim të terrorit që kanë ushtruar grupe banditësh mbi të.

Emrat e komandantëve, Rustem Mustafa (Remi) e Latif Gashi (Lata), nuk ishin befasi.

Lajmi ishte guximi i këtij qytetari të Kosovës, që në këtë ambient gangsterësh, ku secili prej tyre ka një lidhje në polici apo gjykatë, të dalë e të flasë publikisht.

E pritshme është që të dy këta ish-luftëtarë të UÇK-së ta mohojnë të kenë kërkuar haraç, njësoj sikurse edhe shumë ish-komandantë, shokë të tyre të luftës, që sot s’ia dinë skajin pasurisë që kanë, ato shtëpi e prona milionëshe.

Kur pyeten, ata tregojnë për “sakrificat” gjatë luftës, sesa shumë e kanë pritur ditën kur Kosova të shpallet shtet i pavarur. Janë po këta kërcënues e shatazhues, që njëmend po i gëzojnë ditët në liri.

Janë thirrur në emër të luftës për të përfituar në secilin rast që u ka dalë përpara. Kanë besuar se euforia e pasluftës do të zgjasë pa mbarim.

Por, Vitaku është vetëm një shembull i njërit prej shumë qytetarëve të tjerë të Kosovës që ua kanë vënë lakun në fyt, komandantët që në emër të luftës prej 1999-s vazhdojnë të plaçkitin çfarëdo që u del përpara.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë se për gjithë këto vite haraçi nuk filloi e mbaroi me pronarët e dyqaneve të Pallatin të Rinisë në Prishtinë. Vitaku e riaktualizoi një krim që është i shtrirë në tërë territorin e Kosovës. Bosët e haraçit kanë të ndarë territoret, bizneset, menaxhimin e aseteve të Kosovës varësisht nga cila zonë e luftës vijnë.

Normalisht, jo të gjithë e shtrijnë këtë terror mbi qytetarët e këtij vendi, duke kërkuar haraç në mënyrë klasike. Shantazhi për përfitim shtrihet në forma dhe nivele të ndryshme.

Ata thonë se e filluan luftën për ta bërë Kosovën e pavarur, me tërësinë e saj territoriale, e në fakt sot janë kapësit dhe plaçkitësit e shtetit.

Remi e Lata nuk janë emrat e vetëm që kanë epitetin e haraçkërkuesve. Shokët e tyre të luftës, që zotërojnë fuqi financiare në partitë e krahut të luftës, disa në pushtet e disa në opozitë, pa asnjë biznes janë nëntoka e krimit.

E kur krerët e krahut të luftës flasin për korrupsion dhe elementet që aludojnë në të, asnjëherë nuk deklarohen për luksin e tyre, bashkë me vëllazëri… Partitë e krahut të luftës kanë dëshmuar elemente të njëjta të ushtrimit të terrorit mbi popullatë në emër të luftës. E gjithë këtë pushtet e kanë arritur duke u thirrur në emër të luftës, derisa janë pasuruar jashtëligjshëm. Kurse, faturën e izolimit e denigrimit po e paguajnë qytetarët për shkak të veprimeve që ka bërë një grup kriminelësh.

Ata askush nuk ka guxuar t’i luftojë me mjete ligjore, që nga mbarimi i luftës. Këta “patriotë” që sot ankohen se “Gjykata Speciale do ta dëmtojë imazhin e Kosovës”, e kanë fundosur imazhin duke përvetësuar çfarëdo që u ka rënë dorë.

Cili prokuror apo gjykatës vendor e ka guximin të merret me këta individë që e kanë shtrirë fuqinë në secilin sektor, të cilët mbajnë peng njerëz me shantazhe e përgjime?

Është e natyrshme që këta nuk e mbështesin themelimin e Gjykatë Speciale, sepse e duan Kosovën të tillë siç është, pa drejtësi dhe ligje që ndëshkojnë. Ky është ambienti më i përshtatshëm për të ushtruar terror jo vetëm verbal.

Kosovës i ka ardhur koha të pastrohet nga njollat, sepse barrën për denigrimin e Kosovës nuk kanë pse ta bartin dy milionë banorë të saj.

Një e mirë që po i ndodh këtij vendi, janë zërat që s’po kanë frikë të flasin për ata që s’është guxuar t’u përmendet emri tash e 16 vjet! (zeri/Arbana Xharra)

“Rusia do ta njohë Kosovën, posa t’i duhet ndonjë favor prej SHBA-ve”

Shtetet e Bashkuara e kanë marrë sërish ‘komandën’ në rajon, vlerëson analisti politik Dushan Janjiq, duke iu referuar mesazheve të muajve të fundit të cilat po i vijnë Serbisë nga qendrat politike dhe financiare botërore.

Arsyeja për këtë, sipas tij është kriza ekonomike dhe zgjerimi i Rusisë nëpërmjet sektorit të energjisë në Evropë dhe faktin se BE-ja iu kthye vetvetes duke lënë pas dore Ballkanin.

Janjiq për Tanjug pohoi se ka besim që SHBA-të do të bëhet “lojtar kryesor” në rajon, ku gjithashtu do të jetë më aktive në sferën diplomatike dhe të mediave, si dhe në mbështetje të shoqërisë civile, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ishte në gjendje t’i përgjigjet sfidave të krizave të mëdha ekonomike dhe sociale, përkatësisht veproi si “një shoqatë e aksionarëve të vegjël dhe të mesëm” dhe nuk u kujdes për Ballkanin.

“BE-ja kishte mundësi të ishte tërheqëse për Ballkanin, përkatësisht të inkurajojë dhe monitorojë Serbinë, Kosovën drejt BE-së, por fatkeqësisht ajo iu rikthye vetvetes”, tha Janjiq, duke shtuar se çështja e integrimit në BE, por edhe Marrëveshja e Brukselit “nuk ka edhe aq vlerë”.

Sipas Janjiqit, kjo është edhe arsyeja “pse askush në Bruksel nuk është ngazëllyer shumë dhe nuk u shqetësua për ndaljen e përkohshme të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Ai beson se SHBA-të dhe BE-ja dëshirojnë që Serbia t’i bashkohet një ditë BE-së dhe NATO-s, ndërsa Serbia për Rusinë nuk shërben si një shtet për investim, por si një vend i shkëlqyer për të matur marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Për të, Rusia e mban Kosovën si ‘karrem’ dhe kur ta njoh pavarësinë e saj, kjo historie do të përfundojë, duke shtuar se shteti rus do ta njoh shtetin kosovar në momentin kur i duhet ndonjë favor prej shtetit amerikan.

“Serbia do të thotë se Rusia nuk do ta japë Kosovën, por një ditë kjo do të ndodh”, tha Janjiq. (zeri)

Mbi një miliardë euro ekonomi e paligjshme

Luftimi i ekonomisë joformale, i cili në Kosovë ka marrë përmasa të mëdha, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, nuk do të mund të luftohet nëse nuk ka sundim të rendit dhe ligjit.

Hulumtimet e bëra nga organizatat financiare ndërkombëtare dhe ato vendore, tregojnë se ekonomia joformale në Kosovë dëmton buxhetin e vendit për rreth një miliardë euro në vit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky nivel i lartë i ekonomisë joformale ndikon negativisht jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në funksionimin e institucioneve të saj.

“Nëse thuhet se informalitet ka pasur para një viti apo dy, në më tepër se 1 miliardë euro, atëherë është një përqindje e madhe e asaj që kishte mundur të jetë në buxhetin e Kosovës”.

“Mbi të gjitha, problemi është se përveç kësaj forme të informalitetit e cila është e drejtpërdrejtë, duhet të analizohen pasojat tjera negative zinxhirore të informalitetit, në rend të parë nuk ka barazi në treg, në rend të dytë favorizohen më tepër kompanitë që janë pjesë e këtij procesi sesa ato që kryejnë obligimet”, shton Geraxhliu

Niveli i lartë i ekonomisë joformale dhe krimit ekonomik në Kosovë, kishte zënë vend gati në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare.

Në këto raporte ishte theksuar se përveç deklaratave publike për luftimin e krimit ekonomik dhe financiar, ekzekutivi i vendit nuk kishte treguar vullnet dhe gatishmëri të duhur për luftimin e këtyre dukurive.

Lufta kundër ekonomisë joformale është pjesë e obligimeve që duhet të kryej Kosova për t’ia hapur vetës rrugët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gërxhaliu thekson se emëruesi i përbashkët për zgjidhjen e probleme që vinë deri tek informaliteti është sundimi i rendit dhe ligjit.

“Derisa nuk do të ketë sundim të rendit dhe ligjit, ne do të flasim për informalitet, por do të jetë shumë vështirë që të luftohet dhe këtë duhet ta shtrijmë në një rrafsh krejt tjetër”.

“Nuk mund të ketë qasje selektive në luftën kundër infomalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar. Ligji duhet të vlejë për të gjithë, dhe tek atëherë kur kemi një gjithë përfshirje dhe e marrim me seriozitet këtë sfidë atëherë do të ketë rezultate pozitive”, vlerëson Gërxhaliu.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se janë duke punuar që të krijojnë një barazi në treg duke luftuar ekonominë e paligjshme.

Në zbutjen e ekonomisë së paligjshme në Kosovë, një rol të rëndësishëm kanë edhe Doganat e Kosovës.

Zëdhënësi i këtij mekanizimi, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në tre mujorin e parë të këtij viti kanë shënuar rritje të të hyrave, gjë që siç thekson ai, tregon se ekonomia e paligjshme në Kosovë ka shënuar rënie.

“Ne rrisim nivelin e të hyrave gati çdo vit. Rritja e të hyrave krahasuar tre mujorin e parë të këtij viti me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është për 2 për qind. Kjo tregon se informaliteti në Kosovë ka shënuar rënie”, shton Stavileci.

Qeveria e Kosovës që nga viti 2012, ka vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Në atë kohë, ishte themeluar edhe Task-Forca e përbërë nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, që kishte për qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal. (rel)

Ministri i Shtetit Roth: “Zgjerimi i BE edhe në interesin tonë.”

Pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE sjell avantazhe për të dyja palët, thotë Michael Roth, Ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane, në intervistë për DW.

DW: Komisioneri i parë i BE-së për Zgjerimin, Günter Verheugen, në 2004 pati mundësinë të pranojë dhjetë vende si anëtarë të rinj, pasardhësit e tij mirëpritën të paktën tre shtete të reja anëtare, komisioneri aktual për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë në seancën e tij të parë, se në pesë vitet e ardhshme nuk do të pranohen vende të reja. A mund të flitet akoma për një perspektivë të qartë anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Michael Roth: Perspektiva e qartë e pranimit, pra oferta jonë për anëtarësim në BE, mbetet po e njëjta. Por nuk është vetëm në dorë të Bashkimit Europian. Në një masë të konsiderueshme është edhe në dorë të drejtuesve politikë dhe ekonomikë, si dhe të shoqërive civile në vendet kandidate, nëse janë të gatshme për t’i plotësuar kriteret përkatëse, që janë parakusht për pranimin.

DW: Por kur në Bruksel thuhet fare qartë, se në pesë vitet e ardhshme nuk pranohet asnjë vend, në disa vende të Ballkanit përhapet frika e “një kandidature të përhershme”. A mund ta kuptoni këtë frikë?

Michael Roth: Unë dua t’i inkurajoj shtetet e Ballkanit Perëndimor, që duan të bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian. Nuk ka diskutim: rruga, që kanë përpara tyre është pa dyshim e vështirë, por ia vlen. Ne nuk jemi vetëm një bashkësi ekonomike, por në rradhë të parë një bashkësi vlerash. Duke patsr parasysh përvojat e vështira në bisedimet e pranimit në dekadat e mëparshme në proceset e afrimit me BE, ne fokusohemi fort në çështjet e shtetit ligjor, demokracisë, bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, në pavarësinë e mediave, por edhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale. Dhe kështu duhet bërë. Në fillim duhen zgjidhur çështjet më të vështira. Nga kjo mund të krijohen pakënaqësi, sepse nuk ka përparime thelbësore. Për këtë kam mirëkuptim, por u bëj thirrje të gjithë partnerëve në bisedime, nëse rruga që në fillim pastrohet nga gurët e mëdhenj e të rëndë, atëherë rruga në drejtim të BE, por edhe për t’u bërë anëtar i BE-së është në fund të fundit më e lehtë.

DW: Çfarë mendoni për vlerësimin se Ballkani Perëndimor edhe për shkak të orientimit të ri të politikës së jashtme ruse është një krah i zbuluar i BE-së?

Michael Roth: Vendimtare është të mos i lemë vetëm qeveritë, por edhe shoqëritë civile me orientim nga Evropa. Gjermania përpiqet të kontribuojë, që afrimi me BE-në të marrë një dinamikë të re. Dua të kujtoj konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor në gusht 2014, që vazhdon sivjet në Vjenë. Iniciativën gjermano-britanike, që është bërë ndërkohë politikë e BE, për të rigjallëruar më në fund procesin në Bosnjë-Hercegovinë. Ka një sërë projektesh bilaterale. Ajo, që unë do të dëshiroja, do të ishte që Bashkimi Evropian të ishte më i dukshëm në këto vende.

DW: Përse nuk është i dukshëm Bashkimi Evropian në këto vende?

Michael Roth: BE bën shumë, por me sa duket, ne flasim pak për këtë. Nëse procesi i pranimit kuptohet vetëm si proces teknik, që ekspertët nga Brukseli takohen me ekspertët e kryeqytetit përkatës dhe negociojnë pas dyerve të mbyllura për detajet e pranimit, nuk ka si të jetë mirë. Ne duhet të kemi kujdes që ta përfshijmë qysh në fillim shoqërinë civile. Që gjatë procesit të pranimit na duhet përmirësimi i jetës ekonomike dhe sociale sidomos i të rinjve.

DW. Kohët e fundit mediat gjermane kanë informuar shpesh për një rrezik terrorist nga Evropa Juglindore. Ka prova për luftëtarë nga Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia dhe Kosova, që luftojnë për IS. Si e vlerësoni këtë rrezik?

Michael Roth: Kjo është po aq shqetësuese, siç janë edhe ndoshta 3000 të ashtuquajturit “luftëtarë të huaj” nga Gjermania, që bëjnë gjëma për këtë organizatë terroriste. Ballkani Perëndimor është një rajon multifetar, multietnik dhe multikulturor me një islam evropian me karakter laik dhe duhet të mbetet i tillë. Shtetet dhe shoqëritë e tyre duhet të vazhdojnë të punojnë, që etnitë dhe fetë e ndryshme të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyrë paqësore e me respekt dhe të jetojnë së bashku. Shtetet si Shqipëria mund të shërbejnë këtu si model. Përndryshe çështja e “luftëtarë të huaj” është një problem për të gjithë BE-në dhe bën të qartë edhe një herë se siguria jonë rritet, nëse mund t’i hapim Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë.

DW: Cilat janë shanset për liberalizimin e vizave për kosovarët në zonën Shengen?

Michael Roth: Kjo është një çështje e rëndësishme për popullatën atje. Eksodi masiv nga Kosova na preokupon shumë. Ne duhet të kontribuojmë, që gjendja sociale dhe ekonomike, veçanërisht e të rinjve në Kosovë të stabilizohet. Për lehtësimin e vizave duhet të plotësohen disa kritere. Komisioni Evropian po zhvillon aktualisht bisedime edhe me Turqinë dhe vende të tjera. Unë shpresoj që së shpejti do të bëjmë një përparim edhe me Kosovën. Por kjo varet nga plotësimi i kërkesave përkatëse.

DW: Çfarë ndikimi ka patsr vala e fundit e emigrimit nga Kosova në këtë proces?

Michael Roth: Unë kam frikë se njerëzit ndonjëherë joshen me premtime të rreme në Gjermani. Sigurisht qëndron, që e drejta e azilit është një e drejtë individuale dhe e hapur për çdo refugjat. Por me një kuotë të njohjes nën një për qind, njerëzve u ngjallen shpresa të rreme, që sjellin vetëm zhgënjim. Prandaj ne duhet të krijojmë qartësi në lidhje me Gjermaninë, por edhe me situatën ekonomike në Kosovë, e cila duhet të na nxisë për të bërë më shumë për të përmirësuar kushtet e jetës dhe punës në Kosovë. E këtë detyrë e ka në rradhë të parë qeveria e Kosovës. Qeveria gjermane e mbështet atë. Prej vitesh ne ofrojmë ndihmë të ndërsjelltë, BE jep ndihma të parapranimit, një pjesë e madhe derdhet për kualifikimin, si dhe në projekte për zhvillimin ekonomik. Dhe përveç kësaj tani së fundi qeveria gjermane ka vënë në dispozicion një milionë euro, të cilat që nga marsi 2015 shkojnë në projekte për riintegrimin e të kthyerve dhe për të mbështetur fillimin e aktivitetit në Kosovë.

DW: E parë nga gjendja shumë e keqe ekonomike, për njerëzit në Kosovë njohja e plotë e pavarësisë së shtetit është një çështje shumë e rëndësishme. Janë pesë shtete të BE-së, që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Dhe në Prishtinë presin edhe mbështetje nga Berlini në këtë çështje. Si i shikoni shanset, që të ndryshojë diçka?

Michael Roth: Të gjitha proceset e pranimit bazohen në parimin e unanimitetit. Në parimin e unanimitetit nuk ka për të ndryshuar asgjë. Kjo e bën procesin mjaft të vështirë. Nuk duhen humbur shpresat, por me këmbëngulje të bëhet punë bindëse. Njohja e Kosovës vazhdon të jetë një çështje shumë e ndjeshme në vende të caktuara.

DW: Fëmija i dytë me probleme në këtë rajon është Bosnjë-Hercegovina, si një shtet i papërfunduar dhe pjesërisht si faktor destabilizues për të gjithë rajonin. Siç e shikoni zhvillimin e fundit në Bosnjë-Hercegovinë? Nisma e re gjermano-britanike po tregon sukseset e para, apo jo?

Michael Roth: Në rradhë të parë jam i kënaqur që iniciativa gjermano-britanike ka rënë në tokë pjellore. Ajo përpiqet që të kapërcejë bllokimin e viteve të fundit në Bosnjë. Ajo është e lidhur me një perspektivë konkrete. Ne duam të ndihmojmë për të përmirësuar gjendjen social-ekonomike të njerëzve. Nëse ky shtet më në fund reformohet në atë mënyrë, që të ketë një shans, për t’u anëtarësuar një herë në BE, atëherë qytetaret dhe qytetarët përfitojnë konkretisht nga kjo. Të menduarit në bazë të entiteteve dhe etnive për mua personalisht është i huaj. Tregon, se duhet rritur besimi i ndërsjellë.

DW: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Gjermanisë dhe Serbisë dhe bashkëpunimin me zotin Vuçiç? Sepse ka ende dallime të qarta rreth Kosovës.

Michael Roth: Ne bashkëpunojmë mirë me qeverinë aktuale serbe, por ne presim angazhime të qarta ndaj kodit evropian të vlerave dhe një zbatim ofensiv të kushteve për anëtarësim, për shembull forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit.

DW: Ju flisni për pritje të qarta të qeverisë gjermane, a përfshihet këtu edhe njohja e plotë të Kosovës nga ana e qeverisë serbe?

Michael Roth: Ne kemi marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo duhet të plotësohet. Ne nuk e bëjmë këtë për t’i munduar serbët, por sepse i gjithë BE-ja përfiton nga marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Le të marrim shembullin e Qipros. Me pranimin e Qipros ne kemi sjellë në BE një konflikt rajonal, që është ende i pazgjidhur. Kjo e rëndon Bashkimin Evropian në kapacitetin e tij për të vepruar. Prandaj çdo konflikt rajonal, që zgjidhet para anëtarësimit, është një vlerë më tepër për rajonin, një vlerë më tepër për gjithë BE-në dhe në shembullin konkret, një vlerë më shumë për Kosovën dhe Serbinë.

DW. A do të ishte e pranueshme për BE-në dhe Gjermaninë një Serbi neutrale dhe në miqësi të hapur me Rusinë?

Michael Roth: Kush është në BE, nuk është neutral. Ne kemi një qëndrim të përbashkët dhe këtu bën pjesë gatishmëria për t’u marrë vesh për një qëndrim të përbashkët në lidhje me Rusinë. Kjo nuk do të thotë që të ndërpriten marrëdhëniet e veçanta historike, kulturore, ekonomike dhe politike me një shtet tjetër, si për shembull me Rusinë. Edhe ne nuk i ngrijmë marrëdhëniet tona, pavarësisht nga sanksionet. Përkundrazi ne duam të bisedojmë me Rusinë dhe udhëheqjen ruse. Por kurrë nuk duhet të krijohet përshtypja,sikur vihet Rusia dhe BE-ja përballë njëri-tjetrit.

Anëtari i Parlamentit Michael Roth (SPD) është që nga dhjetori 2013 Ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Bisedën e zhvilloi Benjamin Pargan.

Koment: Erdogani kërkon aleanca

erdoganVizita e presidentit Erdogan në Teheran është pjesë e dredhimeve të Turqisë ndërmjet arabëve dhe iranianëve. Një vizion bindës në politikën rajonale nuk duket gjëkundi, komenton Thomas Seibert.

Fillimisht presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikon epshet për pushtet të fqinjit lindor Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme, pastaj shkon në Teheran për të zhvilluar bisedime harmonike me presidentin Hassan Rohani. Episodi është tipik për Erdoganin: bubullimë retorike, e ndjekur nga pragmatizmi.

Si kryetar qeverie me eksperiencë të gjatë presidenti i sotëm turk ka pjesë në izolimin e Turqisë në rajon. Kjo mbetje vetëm ishte pasojë e padëshiruar e një projekti ambicioz. Qeveria islamike-konservatore e Erdoganit e kuptoi pranverën arabe si një mundësi për të zgjeruar ndikimin e Turqisë në gjithë atë pjesë të botës dhe për të krijuar aleanca të sigurta me vëllezërit muslimanë sunitë.

Plani i Erdoganit dështoi

Plani dështoi në themel. Në Egjipt partneri i Erdoganit Mohammed Mursi u rrëzua nga ushtarakët, marëdhëniet ndërmjet dy vendeve më të rëndësishme të rajonit janë edhe sot të helmuara. Meqenëse Vëllazëria Muylimane është e dyshimtë si potencial rreziku edhe për pushtetin e sundimtarëve në vende të tjera arabe, lindën tensione ndërmjet Turqisë, Arabisë Saudite dhe aktorëve të tjerë.

Në të njëjtën kohë u përkeqësuan në mënyrë dramatike marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin, Irakun dhe Sirinë. Në Ankara kritikët thonin, se në vend që të arrihej gjendja e dëshiruar, “zero probleme” me fqinjët, një sllogan i dikurshëm i ish-ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit të tanishëm Ahmet Davutoglu, Turqia tani ka mbetur me “zero miq”. Me krenari një këshilltar i Erdoganit foli për një “izolim të nderuar”.

Kërkimi i një rrugëdaljeje

Në raportin me Iranin nuk ndodhi kriza e madhe. Por rivaliteti tradicional midis vendit sunit të NATO-s, Turqisë, dhe armikut shiit të Shteteve të Bashkuara, Iranit, çonte në grindje të vazhdueshme.

Konflikti i Jemenit i dha së fundi mundësinë Erdoganit për të rifituar besimin e humbur në kampin sunit. Ankaraja sinjalizoi mbështetjen e saj për aksionin ushtarak të Arabisë Saudite në Jemen, ndërsa Erdogani veproi kundër gjoja pretendimeve hegjemoniste rajonale të Iranit. Në shtetet e Gjirit ishin të kënaqur, por në Teheran kritika e Erdoganit shkaktoi një zemërim aq të madh, saqë u diskutua për anullimin e udhëtimit të tij në kryeqytetin iranian.

Mot i mirë në Teheran

Erdogani nuk hoqi dorë nga planet e tij të udhëtimit dhe në Teheran u përpoq ta paraqiste veten si ndërmjetësues në konfliktin në Jemen. Qëllimi i tij nuk janë shiitët dhe sunitët, por të gjithë myslimanët, tha ai. Gjithashtu Turqia do të paraqitet si partnere e Teheranit, nëse lehtësimi i sanksioneve pas marrëveshjes së fundit bërthamore do të mundësojë rritjen e eksporteve turke në Iran. Kjo nga ana tjetër mund t’i sjellë Turqisë kritika të reja nga arabët sunitë, të cilët i frikësohen forcimit të iranianëve.

Herët apo vonë Turqia me dredhat e saj ndërmjet arabëve dhe iranianëve mund t’i krijojë vetes vështirësi. Të sjellësh motin e mirë në Teheran, nuk do të mjaftojë përgjithmonë. Një vizion bindës i politikës rajonale të Turqisë nuk duket gjëkundi. (dw)

TA BRAKTISËSH SHTËPINË

shtepia

Është mesditë me shi dhe e ftohtë në Bilincë të Gjilanit dhe burrat e 6 familjeve të mbetura janë mbledhur të diskutojnë për një vendim që, pothuajse, shumica e kanë marrë më herët.

Ata kanë vendosur ta lënë fshatin dhe të ikin jashtë Kosovës. Tregojnë dokumentet e marra që janë leje kalimi nëpër Serbi, shumica me afat të shkurtër.
Midis tyre është krejt i heshtur imami i fshatit Artan Asllani, i heshtur deri në momentin kur i kërkojnë që të mos vijë ta hapë xhaminë, sepse nuk do të ketë më xhemat aty.
Për të fundin rit, imami ngre zërin më lart dhe jehona e thirrjes së ezanit oshtin maleve të brezit kufitar me Serbinë. Ndien se nuk do të ketë më kush ta dëgjojë në këtë fshat.
E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe me shkollën, e cila tashmë numëron 11 nxënësit e fundit.
Midis ashpërsisë së halleve dhe humbjes së shpresës, vendimi duket i vështirë, por i pakthyeshëm për ta.
Fitim Rashiti ka qenë njëherë në Hungari, por tash sërish do t’ua mësyjë kufijve të këtij shteti. “Nuk jetohet këtu. Po duhet me ia vjedh malin vëllai –vëllait prej skamjes, pastaj po na zënë policia. Dënimi 1000 euro, kështu që më mirë të shkoj të vdes diku atje sesa të vdes këtu. Ata (politikanët udhëheqës) kanë bërë luks për vete e na nuk po kemi bukë m’u ngi“, thotë ai.
FejzuallahXhemaili thotë se po të kishte mundësi, do të ikte. “ Jetoj duke prerë dru në mal. Dy dënime më kanë ardhur me nga 6 muaj burg. E kam shitur edhe lopën e vetme. Tash duhet të shkoj në burg. U kam thënë të m’i marrin edhe fëmijët, se s’kam ku ti le e me çka t’i ushqej. Nuk kam me se, përndryshe edhe unë do të kisha ikur”, tregon ai, i ulur në një qoshe të shtëpisë së tij, prej së cilës pikon uji.
Përveç kësaj, djali i tij, 13 vjeç, e ka këmbën e lënduar dhe i nevojitet shërim jashtë vendit. Fëmija ishte lënduar rëndë teksa me të atin po merrte dru në mal.
E në mbrëmje do të jetë vetëm drita e shtëpisë së tij që do të ndizet në tërë lagjen e braktisur. Shtëpia dydhomëshe dhe gjysmë e shkatërruar, ku varfëria mbulon çdo cep të saj, e shpërndarë midis pak orendive dhe enëve, do të vazhdojë të mbështillet nën ankthin për bukën e ditës së nesërme. Por, Fejzullahu nuk do ta braktisë fshatin.
Kjo do ta bëjë atë banorin e një fshati pothuajse fantazmë, që deri tani kishte rreth 120 shtëpi. E ai qysh tani po i ndien vetminë dhe izolimin.
Derisa në Bilincë valixhet e fundit janë bërë gati për t’u nisur, të tjera valixhe po zbrazen në fshatin Zallq të Istogut. Aty, të kthyerit e parë nga fluksi i fundit i të ikurve duken edhe më të pashpresë.
Kadri Hyseni ka humbur punën dhe pothuajse të gjitha që pati. “Ndiej frikë dhe pasiguri. Qysh të jetohet kështu”, thotë ai.
E frikë dhe pasiguri po ndiejnë edhe fqinjët e tij serbë që janë kthyer nga Serbia. Nebojsha Drljeviq tregon për kushtet e rënda të jetës. “
Unë nuk punoj as gruaja nuk punon. Jetojmë me një ndihmë sociale. Kjo nuk është e mjaftueshme, nuk është asgjë për të jetuar 6 anëtarë të familjes nga kjo asistencë ”, i thotë ai Radio-Kosovës.
Në këtë fshat, për t’i parë tri realitetet e të kthyerve, nuk është dukur ende askush nga ministria që udhëheq bashkëfshatari i tyre, zëvendësministri për Kthim,Qaush Balaj, njëherësh ushtrues detyre i ministrit.
Balaj “nuk e di” çfarë telashesh kanë të kthyerit në fshatin e tij e as në vendet e tjera. Ministria e Brendshme, e cila e udhëheq procesin e riatdhesimit, i ka lënë jashtë përkujdesjes të kthyerit e eksodit të fundit. Për ta, ministria ofron vetëm të dhëna për numrin e të kthyerve.
Kjo i ka bërë edhe më të pashpresë ata që po kthehen.
Të ikurit dhe të kthyerit kanë thelluar mjerimin edhe më shumë te komuniteti rom. Fatmir Krasniqi,i kthyer së fundi nga Gjermania në Fushë-Kosovë, thotë se nuk ka as strehë e as bukë për fëmijët. ”As tokë, as shtëpi, as bukë, as asgjë. Po marrim bukë nëpër kontejnerë bërlloku. Po mbledhim kanaçe me gruan dhe fëmijët, por nuk po del asgjë”, thotë ai.
E megjithatë, ministri i Brendshëm Skender Hyseni dhe ai Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ende flasin për një situatë, sipas tyre, “të menaxhueshme”.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave (EUROSTAT), vetëm në vitin 2014 në vendet e BE-së kërkuan azil 37900 kosovarë. Ministria e Brendshme e Hungarisë, përmes postës elektronike, i ka konfirmuar Radio Kosovës se emigrimi i kosovarëve, përmes kufijve të saj, po vazhdon, por në masë më të vogël. Të dhënat e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) flasin për afro 200 mijë të ikur që nga viti 1999. Sipas Ministrisë së Kthimit dhe asaj të Brendshme, deri tani janë kthyer rreth 70 mijë persona. Megjithatë, shifrat e plota për të ikurit dhe të kthyerit ende mungojnë. Vitin e fundit, Qeveria ka shpenzuar vetëm 0.19 përqind nga buxheti i përgjithshëm në kontrollin e imigrimit ilegal. Ndërkohë indikatorët e uljes së varfërisë që nxitin ikjen, sipas Bankës Botërore, mbesin në trendet njëjta.
Ftohtë dhe prerë, vendet e Bashkimit Evropian po vazhdojnë t’i rikthejnë të ikurit nga Kosova, duke e forcuar kontrollin e kufijve. Në tre muajt e parë të këtij viti janë kthyer 2400 persona, kryesisht të ikur së fundi.
Megjithatë, për Gojart Krasniqin, nga Miradia Epërme, thirrja se në Kosovë mund të jetohet, nuk tingëllon e vërtetë. Ai është kthyer nga Gjermania para pak ditësh dhe ka prekur edhe njëherë palcën e dëshpërimit. Ky 22-vjeçar thotë se do të ikë sërish. Për të, korrupsioni është fillimi i të gjitha rrugëve në Kosovë. Për më tepër,ai do vazhdojë të figurojë si një ikur ilegalisht. “Jo këtu nuk kam shpresë. Këtu veç me vjedhje e korrupsion, ndryshe nuk mund të jetosh si duhet”, thotë ai.
Pasi kanë kaluar ditë e net të rënda nëpër kufij, male e strehimore dhe shpesh e kanë shpenzuar edhe pasurinë e vetme, ata që provuan të iknin me shpresën për të jetuar më dinjitetshëm, po kthehen edhe më të thyer.
Të ikurit dhe të kthyerit e të gjitha etniteteve flasin gjuhën e skamjes dhe të pasigurisë, sepse realiteti i Kosovës u ka blatuar edhe për shumë kohë tagrin e pashpresës dhe të dëshpërimit. (rtk)

Shtohen presionet për zbardhjen e “bombave” për “Monstra”

Familjarët e viktimave të vrarë në liqenin e Smilkovcit tre vite më parë janë takuar me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.

Ata në këtë takim kanë kërkuar nga Zaev që ti dorëzoj të gjitha materialet që disponon lidhur me këtë krim makabër që ndodhi më 12 prill të 2012 në liqenin e Smilkovcit në periferi të Shkupit, ku u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar maqedonas. Lidhur me këtë masakër, autoritetet maqedonase përmes një operacioni “Monstra” arrestuan dhjetëra shqiptarë, gjashtë prej të cilëve më pas u dënuan me burgim të përjetshëm si autorë të vrasjes, mirëpo ky dënim shkaktoi edhe revoltë dhe protesta masive të shqiptarëve, duke theksuar se bëhet fjalë për proces të montuar.

Goran Nakevski, babai i njërit nga viktimat theksoi se nga Zaev ka kërkuar që ti jap të gjitha materialet që disponon lidhur me këtë masakër.  Nga ana tjetër, Zaev ka theksuar se do të publikojë të gjitha materialet që disponon lidhur me përgjimet. Familjarët maqedonas kanë theksuar se presin që këto materiale të kenë efektin e tyre dhe të nxisin një proces për zbardhjen e plotë të vrasjes së pesëfishtë.

Nga ana tjetër, edhe familjarët shqiptarë të gjashtë të dënuarve kërkuan kohë më parë që lideri opozitar maqedonas të zbardh të gjitha materialet që disponon lidhur me vrasjen në Smilkovc. (INA)

 

Në vitin 1908, Shkupi ishte qytet me shumicë shqiptare, e Prizreni nuk e kishte asnjë turk

shkupi

Në Shkup, sipas statistikave të vitit 1908-1909, shumica e popullatës ka qenë shqiptare. Kjo statistikë, që shihni në dokumentin më poshtë, mendohet se është e realizuar nga pushteti i kohës, pra Perandoria Osmane.

 

statistika 1908Sipas saj, në Shkup para një shekulli kanë jetuar 50.258 shqiptarë, 9264 serb dhe 29080 bullgarë (asnjë maqedonas, siç quhen sot), transmeton Telegrafi.

Tetova ka pasur 52076 banorë shqiptarë, ndërsa Gostivari 23197 shqiptarë. Po ashtu, edhe në këto të dhëna përdoret termi bullgarë për banorë sllavë.

Tuzi ka qenë qytet me 100 për qind banorë shqiptarë. E njëjta vlen edhe për Kaçanikun. Prishtina kishte 60968 shqiptarë e 11093 serbë. Peja kishte 50440 shqiptarë e 13303 serbë.

Prizreni kishte 64569 shqiptarë, 17219 serbë e asnjë turk. Ndërsa, Gjakova kishte 70963 shqiptarë e 687 serbë.

Në tabelë mund të gjeni edhe të dhënat për qytetet tjera të Vilajetit të Kosovës, përfshirë numrin e banorëve sipas kombësisë dhe përqindjen.

Në të gjitha qytetet shqiptarët përbënin shumicën. /Telegrafi/