Audit ndërkombëtar kontratës me Bankers

rama

Shpërthimi i pusit në Marinzë, kryeministri Rama: Kompania 100 përqind përgjegjëse. Të dëmshpërblejë banorët dhe të paraqesë sa më parë planin e rehabilitimit

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të kërkojë angazhimin e një auditi ndërkombëtar për të vlerësuar kontratën që shteti ka me kompaninë kanadeze Bankers Petroleum. Deklarata e kryeministrit vjen pak ditë pas shpërthimit të një pusi në zonën e Marinzës, i cili shkatoi dëme të shumta në zonën e banuar përreth. Zoti Rama tha se kompania duhet që një orë e më parë të bëjë dëmshpërblimin e plotë të banorëve, ndërkohë që ministri i tij i Mjedisit Lefter Koka, në takim me banorët e Marinzës u shpreh se nëse rehabilitimi i zonës nuk bëhet brenda afateve të përcaktuara do të kërkohet dhe prishja e kontratës.

Kryeministri Edi Rama përdori sot tone të ashpra ndërsa për herë të parë u shpreh për situatën e krijuar në Marinzë, ku pak ditë më parë shpërthimi i një pusi u shoqërua me pasoja të shumta dhe të rënda për banorët e zonës. “Përgjegjësia është 100% e kompanisë. Kompania duhet të dëmshpërblejë 100% të gjithë të dëmtuarit. Duhet ta bëjë këtë një orë e më parë. Duhet ta bëjë sipas standardeve ndërkombëtare, sepse, pavarësisht sesi mund t’i dukemi ne, njërit apo disave që nuk flasin shqip, në vendin tonë ne jemi po kaq ndërkombëtarë sa ndërkombëtarët dhe jo vetëm meritojmë, por do të sigurojmë që çdolloj ndërkombëtari, sado i pasur që të jetë, nëse bën biznes në Shqipëri, të mos guxojë të trajtojë asnjë shqiptar sikur të jetë një qenie e dorës së dytë”, u shpreh kryeministri.

Bankers Petroleum është kompania më e madhe dhe me aktivitetin më të gjerë në nxjerrjen e naftës në Shqipëri. Ajo ka qenë shpesh në qendër të debateve lidhur me përfitimet që pala shqiptare ka patur nga kontrata e lidhur me kanadezët që në vitin 2004. Kryeministri Rama tha sot se do të kërkojë një audit ndërkombëtar pikërisht për vlerësimin e kësaj kontrate: “Ne do të marrim falë ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, edhe rezultatin e të gjithë problematikave që ka kompania me kontratën, me shtetin dhe me qytetarët shqiptar dhe për çdo problematikë që do të rezultojë si një problem mes kompanisë dhe shtetit, kompania do të vihet para përgjegjësisë, njësoj siç vihet para përgjegjësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Francë, në Gjermani apo kudo qoftë. Ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk jemi Kanadaja, nuk jemi Franca, nuk jemi Gjermania, ne jemi Shqipëria dhe nuk kemi luksin që të mbyllim sytë, apo që të humbasim qoftë edhe një litër naftë nga kjo pasuri që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe nuk mund të na e marrin të huajt dhe të na e zhvatin si t’iu teket atyre. Kjo histori do mbarojë”.

Kryeministri tha se kompania duhet që një orë e më parë të paraqesë planin afatmesëm të rehabilitimit të zonës. Ndërsa ministri i Mjedisit Lefter Koka, në takim me banorët e zonës, paralajmëroi prishjen e kontratës nëse nuk do të respektohen afatet e rehabilitimit: “Në shtator të vitit 2014, kemi nisur inspektimet në këtë zonë. Në tetor kemi vendosur një masë administrative për kompaninë dhe në fund të shkurtit kemi kërkuar pezullimin e aktivitetit. Do të vazhdojmë veprimet tona ligjore. I drejtohem Albpetrolit si enti kontraktues me kompaninë Bankers, nëse nuk do të vendosë dhe nuk do të rikthejë zonën, brenda afateve të mirëcaktuara, në një parametër optimal, do t’i kërkojmë largimin dhe prishjen e kontratës me kompaninë”.

Veprimtaria në zonën e pusit që shpërtheu është pezulluar, dhe ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri duke folur për këtë cështje në komisionin e Aktiviteteve prodhuese të parlamentit nënvizoi se nuk do të bëhet asnjë veprim derisa të ketë një projekt të qartë e të integruar se si do të shfrytëzohet më tej zona. (voa)

Athinë-Moskë: bashkëpunim, por jo kredi

cipras putin 2

Rusia dhe Greqia duan t’i zgjerojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike, si në sektorin energjetik. Edhe ndalimi nga Rusia i importeve të ushqimeve greke mund të zbutet. Ciprasi megjithatë nuk kërkoi kredi për vendin e tij.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe kryeministri grek, Alexis Cipras nënshkruan në negociatat e tyre në Moskë disa marrëveshje. Ndër të tjera ata ranë dakord që viti 2016 të jetë vit i miqësisë së përbashkët, si dhe një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik. Edhe një bashkëpunim më i ngushtë në fushën energjetike synohet. Kështu Greqia mund të marrë pjesë për shembull në projektin e gazsjellësit Turkish Stream, i cili do të sjellë gaz përmes Turqisë deri në Greqi dhe në shtete të tjera evropiane.

Jo kredi nga Moska

Megjithatë, Athina nuk do të marrë nga Moska kredi për të pakësuar borxhet e saj shtetërore. Putini deklaroi se qeveria greke nuk bëri kërkesë për këtë. Droja për një kërkesë të tillë greke u shqiptua në prag të vizitës nga disa shtete evropiane. Megjithatë, të mundura janë kredi për projekte konkrete të infrastrukturës, tha Putini. Rusia do të konkurojë si ofruese njësoj si shtete dhe institucione të tjera.

Qeveria gjermane pati shprehur në prag të vizitë shpresën, që Ciprasi të mos i vinte pikëpyetje unitetit të BE në konfliktin e Ukrainës. “Gjithçka që është vendosur deri tani në lidhje me çështjen e sanksioneve, është mbështetur edhe nga grekët dhe ne shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin.

Edhe Komisioni Evropian pati kërkuar që të gjitha shtetet të flasin “me të njëjtën gjuhë” me Rusinë.

Para takimit, politikanë rusë sinjalizuan se me sa duket Rusia është e gatshme që ta zbusë embargon për produkte agrare greke. Këtë e deklaroi ministri i Ekonomisë, Aleksej Uljukajev.

Por kjo çështje do të diskutohet të enjten, në takimin midis Ciprasit dhe homologut të tij rus, Dmitri Medvedjev, ku do të marrë pjesë edhe ai, tha Uljukajevi, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov u tregua i revoltuar për kritikën e politikanëve të BE ndaj udhëtimit në Moskë të kryeministrit grek. Kur një anëtar i BE vepron në përputhje me interesat e tij kombëtare, kjo fshikullohet menjëherë si josolidare, tha ai.

Edhe Ciprasi nuk e pranoi kritikën e politikanëve të BE. “Disa duhet të pushojnë së komentuari çdo lëvizje tonën, sikur Greqia të ishte një koloni borxhesh”, tha ai. Greqia do të përpiqet edhe më tej t’i zgjidhë problemet brenda Evropës. “Por si shtet sovran ajo ka të drejtë të lidhë marrëveshje edhe me shtete jashtë Evropës”, tha Cipras. (dw)

Tsipras viziton Moskën

cipras putin

Kryeministri i majtë grek Alexis Tsipras u takua sot në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin. Greqia, në krizë financiare,  është e përfshirë në negociata të vështira me kreditorët e saj evropianë. Qeveria e zotit Tsipras, një koalicion i së majtës radikale dhe i së djathtës nacionaliste, u zgjodh në janar të këtij viti dhe qysh nga fillimi vazhdon të flirtojë me Moskën.

Vizita e zotit Tsipras në Moskë ka ngjallur shpresa të mëdha në Athinë por është bërë shkak edhe për pikëpyetje diku tjetër në Evropë.

“Qëllimi i vizitës sime është që ne së bashku të përpiqemi për t’u dhënë një vrull të ri marrëdhënieve tona në mënyrë që të dy vendet të përfitojnë dhe që kjo të jetë në favor të qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon,” tha zoti Tsipras.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vizita nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për të dy vendet:

“Për fat të keq vitin e kaluar shkëmbimi i mallrave midis dy vendeve ra 40 për qind. Kjo është arsyeja pse unë besoj që kjo vizitë nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë. Ne duhet të analizojmë atë që mund të bëjmë për të rivendosur shkallën e mëparshme të rritjes.”

Dje, ministri rus i bujqësisë, tha se qeveria e tij mund të shqyrtojë heqjen e Greqisë, Hungarisë dhe Qipros nga embargoja e Rusisë, e vendosur si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të rolit të saj në krizën Ukrainë.

Greqia, e cila që nga viti 2010 varet nga paketa ndërkombëtare e shpëtimit prej mëse 240 miliard dollarësh, do të mbetet pa fonde brenda pak javësh nëse nuk arrin një marrëveshje me kreditorët, që ata të zhbllokojnë të paktën një pjesë të këstit të fundit prej 7.2 miliard eurosh nga paketa e shpëtimit.

Vizita e zotit Tsipras mund të sqarojë nëse ai i sheh marrëdhëniet e tij me Rusinë si një element trysnie për bisedimet me Bashkimin Evropian, apo thjesht synon të përmirësojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Greqisë dhe të thellojë lidhjet tradicionalisht të ngrohta mes të dy vendeve. (voa)

Në qershor Kosova dorëzon raportin për liberalizimin e vizave

kosova pasaport

Me 20 prill Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian vlerëson progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Sipas vëzhguesve angazhimi i qeverisë në hapat e fundit mund të sjellë një raport pozitiv.

Në fund të muajit prill, Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane i kryesuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të mblidhet për të analizuar çështjen e liberalizimit të vizave, përkatësisht progresin në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian. Kështu ka deklaruar Adrian Prenkaj, këshilltar për integrime europiane i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas tij Kosova është në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura.

“Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura në dialogun për liberalizim të vizave. Presidentja Jahjaga do të thërrasë më 20 prill takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ku do të vlerësohet progresi i deritanishëm, si dhe hapat e ardhshëm në përmbylljen me sukses të këtij procesi”, ka thënë Adrian Prenkaj.

Muaji qershor tashmë disa herë po përmendet si koha, kur Kosova përmbush të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa me pas, siç thuhet, është në duar të Komisionit Evropian që ta marrë vendimin politik.

“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, deri në muajin qershor do të jenë të përmbushura të gjitha kriteret për këtë proces dhe pastaj raporti final do t’i dërgohet Komisionit Evropian për vlerësim e më pas pritet të ndodhin edhe hapat e tjerë”, tha Bekim Collaku gjatë një vizite, që zhvilloi të marten (07.04) në Paris, ku me zyrtarët francezë diskutoi pikërisht raportet kontraktuale BE-Kosovë, që pritet të ndodhin me nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së këtë verë dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Komisioni Evropian, më 19 janar të vitit 2012 nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Udhërrëfyesi për viza iu dorëzua autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012. Udhërrëfyesi ishte një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosovës i është kërkuar t’i përmbushë, që nga pasaportat biometrike, nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhesim, ndalja e migrimit ilegal, demarkacioni i kufirit të Kosovës me vendet fqinjë, regjistrat civilë e shumë kritere të tjera deri te miratimi i një sërë ligjesh, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Bashkimi Evropian vazhdon të kritikojë institucionet e Kosovës që nuk kanë përmbushur kriteret, ndërsa nga Qeveria e Kosovës fajin tash ia hedhin Brukselit, që nuk po e merr vendimin final për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë me regjim vizash për zonën Shengen.

Por si e shohin gjithë rrjedhën e këtij procesi njohësit e integrimeve evropiane?

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, i tha Deutsche Welles se institucionet e Kosovës para se ta adresojnë problemin te Komisioni Evropian për vonesa, duhet ta dëshmojnë, se i kanë përmbushur kriteret e kërkuara.

“Pa i adresuar në tërësi kushtet e udhërrëfyesit dhe dy palët e rekomandimeve konkrete, që kanë ardhur nga Komisioni Evropian (të fundit në korrik 2014), ne nuk mund të fillojmë fushatën e fajësimit të Komisionit Evropian, apo edhe të shteteve individuale. Në këtë relacion Qeveria është përpjekur që t’i adresojë shumicën prej kritereve, por ka shumë pak rezultate të prekshme, sidomos në bllokun tre të Udhërrëfyesit, sa i takon dëshmisë konkrete të luftës ndaj korrupsionit të lartë politik dhe krimit të organizuar. Ka gjithashtu pak dëshmi të përmirësimit të luftës ndaj krimit në përgjithësi dhe institucionet e drejtësisë po japin shenja shumë të ngadalshme të pavarësisë përballë ndikimeve politike”, thotë Fisnik Korenica.

Analisti Fisnik Korenica thotë se nëse qeveria e Kosovës angazhohet maksimalisht dhe seriozisht në përmbushjen e kritereve të mbetura, atëherë mund të pritet shumë shpejt një raport pozitiv nga Komisioni Evropian.

“Qeveria ende nuk ka ndërmarrë një strategji konkrete të adresimit të gjendjes së personave, që janë rikthyer dhe që do të rikthehen forcërisht e që i përkasin valës së fundit të migracionit dhe riintegrimit të qëndrueshëm të tyre në shoqërinë kosovare. Mungesa e luftës ndaj trafikantëve të migrantëve është një tjetër indikator, që reflekton për këtë joseriozitet. Megjithatë, nëse Qeveria angazhohet plotësisht dhe seriozisht, një raport pozitiv i Komisionit është i mundshëm, me kushtin që Qeveria të zgjohet nga gjumi dhe të japë rezultate konkrete.

Ndonëse plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave vazhdimisht është thënë se është një proces teknik, në Kosovë ky proces nga shumë udhëheqës të institucioneve interpretohet edhe si një proces, apo kriter shtesë politik i pashkruar, që Komisioni Evropan po e perdor në raport me Kosovën. Analisti Fisnik Korenica “kriterin politik” e ndërlidh edhe më faktin e valës së fundit të migrimit ilegal të kosovarëve, që ndodhi në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015.

“Ka rëndësi shumë të madhe edhe përshtatshmëria politike e Kosovës për shumë shtete individuale të zonës Shengen, sidomos për disa nga ato, që janë të acaruara nga Kosova për shkakun e valëve të fundit të migrimit të paligjshëm. Megjithatë në fazën, që jemi, ne nuk mund ta dimë, nëse këto vende do të japin votën kundër Kosovës në votimin e raportit të Komisionit në Këshill. Pa i pas permbushur kriteret teknike, dhe pa e pas marrë dritën e gjelbërt nga Komisioni Evropian, të gjitha aludimet për kinse politikën ndryshe të disa vendeve anëtare ndaj Kosovës janë spekulime. Kur çështja të ketë mbërritur në Këshill, pra pas propozimit pozitiv të KE-së, vota kundër e ndonjë anëtari të zonës Shengen do të mund të përkthehej në një drejtim të tillë. Por kjo është herët të vlerësohet”, thotë Fisnik Korenica.

Edhe një njohës tjetër i integrimeve evropiane, Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ( KCSF ), i tha Deutsche Welles, se viti 2014 ishte një vit i ngecjes së Kosovës në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

“Që nga hapja e dialogut të vizave në vitin 2012 Kosova ka patur trend të mirë të zbatimit të tij, por viti 2014 ka shënuar stagnim në zbatim, si pasojë e zgjedhjeve të përgjithshme dhe mungesës se qeverisë për 6 muaj. Kosova ka zbatuar mjaft nga kërkesat, por disa shumë të rëndësishme mbeten të plotësohen kete vit, siç është pakoja e 4-5 ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, fillimi i çertifikatave të sigurta, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe shënimi i trendit pozitiv në shtyllën e 3-të të rendit dhe sigurisë publike, që lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Fatmir Curri.

Sipas tij dhe Komisioni Evropian bart pjesën e vet të fajit, meqë nuk ka përdor gjuhë të njëjtë gjatë vlerësimit të kritereve të Kosovës, ashtu siç ka përdorur për vendet e rajonit. Fatmir Curri thotë se kriter politik në procesin e liberalizimit të vizave nuk ka pasur për vendet e rajonit, kriter të tillë deri tash nuk ka as për Kosovën, por zhvillimet politike dhe momentumi gjithsesi kanë ndikimin e vet.

“Zhvillimet politike dhe momentumi, nëse mendoni, atëhere po, kjo ka peshën e vet, meqë kishte një frymë pozitive për heqje të vizave para 3-4 vitesh. Sa i përket Kosovës, përpos zbatimit të kërkesave nga udhërrëfyesi, si shtesë do të shikohet ndikimi i heqjes së vizave në nivelin e sigurisë në BE dhe trendi i përgjithshëm i migrimit. Për të matur këto, do të shikohet shkalla e refuzimit të vizave, shkalla e atyre që refuzohen të hyjnë në zonën Schengen, numri i atyre që zihen ilegalisht duke qëndruar në BE, numri i azilkërkuesve dhe shkalla e përgjigjeve për kërkesat e vendeve të BE-së për të riatdhesuarit. Zhvillimet e muajve të kaluar do të kenë trend negativ në këta indikatorë. Pra edhe nëse plotësohen të gjitha kërkesat nga udhërëfyesi i vizave, me këta indikatorë Këshilli i Evropës do ta ketë të vështirë t’i bindë vendet anëtare në këshill për të hequr vizat për Kosovën”, thotë Fatmir Curri, drejtor i programit për integrim evropian, në KCSF.

Sidoqoftë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian tashmë disa herë e kanë përsëritur se Kosova ndodhet në kilometrin e fundit të procesit të liberalizimit të vizave. Këtë e tha gjatë një vizite në Prishtinë në fund të muajit shkurt vetë Komisioneri për Çështje të Migrimit dhe Shtetësi në Bashkimin Evropian, Dimitris Avramopoulos.

“Së shpejti do të jepet një lajm i mirë për Kosovën rreth liberalizimit të vizave. Rruga nuk është e largët, por normalisht duhen plotësuar kriteret. Kosova duhet të shënojë disa përparime të ndjeshme në luftimin e korrupsionit dhe migrimit të paligjshëm, para se të marrë datën e liberalizimit”, tha Dimitris Avramopoulos. (dw)

Mjekët po e mësojnë gjermanishten për të ikur nga Kosova

Në dhjetor të vitit që shkoi, Fidaim Meholli, ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Por, doktori i ri, që pas pak muajsh pret të licencohet për të kryer punën prej doktori, nuk ka ndonjë shpresë që shteti, ku ai është shkolluar, do t’i ofrojë një zgjidhje për punësim.

Ai paralel me studimet ka ndjekur edhe kurse të gjuhës gjermane, të cilat po i vazhdon edhe sot, pas përfundimit të studimeve. Arsyet e mësimit të gjermanishtes, për të riun nga Prishtina, ndërlidhen kryekëput me punësimin e tij dhe paperspektivën në Kosovë.

Thotë se paguan për dy nivele 350 euro vetëm e vetëm që të mësojë gjermanishten, duke synuar largimin nga Kosova.

Mjekët po e mësojnë gjermanishten për të ikur

“Arsyeja e mësimit të gjuhës gjermane është nevoja për punësim në Gjermani. Mungesa e vendeve të punës, e specializimeve të vonuara dhe edukimi jocilësor profesional po i shtyjnë shumë doktorë të sapodiplomuar, sikurse unë, që ta lëshojmë vendin në kërkim të një tregu më të mirë të punës”, thotë Meholli. (zeri)

Marinzë, ministri i Mjedisit inspekton zonat e prekura nga shpërthimi i gazit

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka inspektuar mëngjesin e së mërkurës zonat e prekura nga shpërthimi i gazit në Marinzë.

Zoti Koka theksoi se “do të rishikohen kushtet e kontratës me kompaninë Bankers” dhe shtoi se “nëse nuk plotësohen këto kushte, Bankers-it do i ndërpritet aktiviteti”.

Ministri i Mjedisit deklaroi gjithashtu se banorët e Marinzës do të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i gazit.

/ Top Channel

Analistë rusë për vizitën e Ciprasit në Moskë

Cipras

Në mes të krizës së borxheve, kryeministri grek Aleksis Cipras viziton sot (08.04.2015) Presidentin rus Vladimir Putin. Vëzhguesit mendojnë se Moska dhe Athina duan t’i japin njëra-tjetrës mbështetje politike.

Heqjen e sanksioneve të BE kundër Rusisë Greqia nuk mund ta arrijë – dhe më shumë se fjalë në takim nuk do të ketë, mendon Mihail Krutihin nga sipërmarrja konsultative RusEnergy. “Greqia nuk ka ndër mend që të largohet nga BE. Ajo jo vetëm që do të tregojë se ka aleatë jashtë BE, por duhet të tregohet në njëfarë mase solidare me Brukselin”, thotë eksperti. Po qendrimi aktual i Athinës i mjafton Kremlinit, thotë ish-kryeministri rus dhe bashkëkryetari i partisë opozitare “RPR-PARNAS”, Mihail Kasjanov në bisedë me DW. Meqenëse Greqia nuk është dakord me linjën e përgjithshme të BE, ajo e përçan që tani unitetin evropian. “Putini e ka izoluar veten nga bota e zivilizuar dhe ka në këtë situatë vetëm një objektiv: shkatërrimin e konsolidimit të brendshëm evropian dhe atij transatlantik, ” thotë Kasjanov. Putini do që BE t’i tërheqë vendimet e tij. Pastaj Rusisë i mbetej vetëm një armik: SHBA.

Por qeveria ruse ka edhe një shkak tjetër për afrimin me Greqinë, mendon Michail Krutichin. “Rusisë i mungojnë shumë aleatët, i mungojnë thjesht drejtues shtetesh, të cilët të ishin të gatshëm të ulen me Moskën në një tryezë negociatash. Kur Rusia është e lumtur për aleatë si Republikat Nauru dhe Vanuatu, atëherë kuptohet që është ëndërr që të gjesh dikë në Evropë, të gatshëm për t’i shtrënguar dorën udhëheqjes ruse,” thotë Krutihin.

Shumë vëzhgues besojnë se Moska përpiqet që ta sigurojë me kredi besnikërinë e shteteve të veçanta në Evropë. Këtu nuk është vetëm fjala për Greqinë, por edhe për Hungarinë, së cilës Rusia i premtoi pak kohë më parë një kredi prej 10 miliardë dollarësh, por edhe për Qipron, e cila mori në vitin 2011 2,5 miliardë euro nga Moska. Megjithatë ekzistojnë dyshime, nëse Athina dhe Moska do të bien dakord të mërkurën për ndihma financiare. “Një kredi do të ishte e lidhur me vështirësi të caktuara. Natyrisht që Rusisë nuk do t’i mbaroheshin paratë, por mund t’i dilte problem me rezervat”, thotë ish- kryeministri rus, Mihail Kasjanov.

Kurse Alexander Knobel, ekspert për tregtinë ndërkombëtare në Institutin Gaidar për politikën ekonomike mendon se Greqia nuk mund t’i kërkojë Moskës mbështetje financiare, nëse nuk do ta prishë përfundimisht me autoritetet financiare të BE. “Nuk besoj se do të arrihet të blihet Greqia. Në plan afatgjatë ajo është e lidhur me eurozonën”, thotë Knobel.

Por është e mundur që kryeministri grek të paraqesë në Moskë propozime të detajuara për pjesëmarrjen e sipërmarrjeve ruse në tendera, që kanë të bëjnë me të drejta për të kërkuar burime nëntokësore në bregdetin grek. Këtë ide e paraqiti edhe ministri grek i Energjisë, Panajotis Lafazanis në vizitën e tij në Moskë në fund të marsit. Por atëherë, Ministria ruse e Energjisë i pa si shumë të turbullta propozimet e tij.

Moska nga ana e saj mund të bëjë disa përjashtime për lëndë të para bujqësore ruse, që dërgohen për përpunim në Rusi. Në këtë mënyrë, Moska mund të ushqente një lobiist brenda BE, për ta përdorur atë pastaj si instrument për përçarjen e BE, mendon Knobel. (dw)

BE dridhet – Cipras në Moskë

Cipras

A do i japë Moska një kredi milionëshe kandidates për falimentim Greqisë, nëse Athina prezantohet si “kali i Trojës” në BE dhe shkelës i sanksioneve? Brukseli ndjek me nervozizëm pokerin politik të Athinës.

Komisioni i BE-së në Bruksel nuk mund të komentojë lidhur me vizitat shtetërore të kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare, edhe nëse ata janë aq të padëshirueshme si udhëtimi i Aleksis Cipras në Moskë. Kështu që një ditë para saj çdo gjë u përqëndrua në temën e pjeshkëve: Sikur Greqia të arrijë të anashkalojë embargon e tregtisë për produktet bujqësore, që qeveria ruse vendosi vitin e kaluar në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të BE-së, çfarë do të thoshte Komisioni? Që atëherë jo vetëm fermerët skocezë të salmonit dhe kultivuesit polakë të mollëve, por edhe fermerët grekë të pjeshkëve ankohen për humbje. Deri në 60 për qind të të vjelave ata e shesin zakonisht në Rusi. Para embargos tregtare Greqia eksportonte produkte bujqësore me vlerë prej 180 milionë euro në tregun rus, gati një të katërtën e prodhimit të saj. “Ne presim që të gjitha shtetet anëtare të trajtohen në mënyrë të barabartë”, deklaroi një zëdhënës, duke shtuar se politika tregtare është një kompetencë ekskluzive e BE-së.

Frika nga presioni

Një tjetër paralajmërim në drejtim të Athinës, për të mos dalë jashtë linjës, përsa i përket qëndrimit ndaj Rusisë. Këtu natyrisht nuk është fjala vetëm për pjeshka, por për më shumë. Gazeta ruse “Kommersant”, shkruante para vizitës së Cipras, se duhet biseduar për uljen e çmimit të gazit dhe për kreditë, që mund të jepen vetëm në këmbim të investimeve. Se për cilat ndërmarrje shtetërore greke është e interesuar Moska, mbetet fillimisht e hapur. Moska duhet të jetë e interesuar pë portin e Selanikut, negociatat e mëparshme për pjesëmarrjen ruse në furnizuesin e gazit Depa patën dështuar. Në vend të kësaj Greqia planifikon të ofrojë një zgjatje të tubacioneve të Turkish Stream nëpër territorin e saj, në mënyrë që të mund të furnizohet edhe Evropa juglindore.

As çështja e frutave dhe as ajo e gazit nuk do të ishin në parim të përshtatshme për të tronditur BE. Megjithatë Aleksis Cipras ka bërë javën e kaluar punë paraprake, për të demonstruar potencialin kërcënues të vizitës së tij në Moskë. Greqia mund të jetë një hallkë lidhëse mes Rusisë dhe Perëndimit, sanksionet e BE-së nuk sjellin asgjë. “Qeveritë e mëparshme greke nuk kanë bërë më të mirën për të penguar sanksionet për shkak të krizës në Ukrainë”, i tha ai agjencisë ruse të lajmeve Tass. Një shenjë e qartë se ai mund të bënte ndryshe, kur në qershor në samitin e BE do të duhet të bëhet zgjatja e këtyre sanksioneve. Dhe së fundi, arkitektura e re e sigurisë evropiane duhet të përfshijnë edhe Rusinë. Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz porositi në gazetën “Hannoversche Zeitung”, se Cipras nuk duhet t’i zhgënjejë partnerët në BE dhe nuk është e pranueshme, që në këmbim të ndihmës ruse ai vë në rrezik qëndrimin unik të Evropës në politikën ndaj Rusisë. Dhe kryetari i kristiandemokratëve në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, tha lidhur me këtë: “Kryeministri Cipras me vizitën e tij në Moskë bën një lojë të rrezikshme në kohë të vështira. Vendet e tjera të BE-së nuk do të bëhen pre e kësaj.”

Mesazhe kontradiktore nga Athina

Por në fillim të javës ministri i Financave Yanis Varoufakis hodhi poshtë dyshimin, se Athina do të veprojë në Moskë sipas motos: kredi miliardëshe me përçarjen e BE në sanksionet ndaj Rusisë. Greqia nuk kërkon ndihma financiare jashtë BE, siguroi Varoufakis, një gjë e tillë rregullohet brenda familjes evropiane. Por si çdo vend tjetër ne kemi marrëdhënie bilaterale, tha ai për një gazetë ekonomike në Athinë. Ekpertja e politikës së jashtme Judy Dempsey nga fondacioni Carnegie dyshon, nëse u duhet besuar garancive të t illa. Fundja Moska i ka huajtur edhe Qipros 2,5 miliardë euro, kur vendi ndodhej para falimentitmi në vitin 2011. Cipras përpiqet këtu me një taktikë shumë brutale, të konfrontojë BE me Rusinë. Dhe presidenti Putin do t’i hyjë lojës duke u përpjekur që të shkëpusë “krahun e dobët juglindor të Bashkimit Evropian“ dhe ta instrumentalizojë atë për qëllimet e tij

Në rradhë të parë ajo e sheh vizitën e Aleksis Cipras në Moskë, kaq shpejt pas vizitës së tij në Berlin, si një fyerje për kancelaren: “Merkel i ka shtruar qilimin e kuq dhe i ka kushtuar atij pesë orë të kohës së saj.” Ka treguar mirëkuptim të madh për problemet greke, por për Athinën flirtim me Putinin nuk do të mbetet tani pa pasoja.

Athina kërcënon BE

Strategjia e qeverisë greke në javët e fundi, është gjithnjë e më “trishtuar”, thotë Dempsey. Ata kanë përdorur dy kërcënime ekzistenciale për Evropë, Rusinë dhe ekstremizmin e IS, për të vënë nën presion partnerët e tyre evropianë dhe për të realizuar kërkesat e tyre. Ministri i djathtë populist i Mbrojtjes Kammenos kërcënoi tani përsëri në intervistë me gazetën britanike “Times, se” nëse BE-ja nuk rresht së ndërhyri në punët e brendshme greke, Greqia nuk do ta luajë më rolin e saj si mur mbrojtës kundër fluksit të luftëtarëve të IS. Bëhet fjalë më shumë sesa për stabilitetin e euros. Që në mars ai kishte kërcënuar se Athina mund të lejojë hyrjen e turmave të pakontrolluara të refugjatëve dhe xhihadistëve në Evropë.

“Cipras djeg të gjitha urat pas vetes”, thotë Judy Dempsey. Greqia duhet ta kuptojë më në fund, se çfarë rëndësie ka BE për vendin, dhe se sa i rëndësishëm ka qenë anëtarësimi në të dhjetëvjeäarët e fundit. Përveç kësaj pranohet se nga ana e BE janë bërë gabime në zbatimin e programeve të fundit të ndihmës. Megjithatë qeveria greke duhet të vërë më në fund në tavolinë një plan të besueshëm me reforma. Mënyra, se si ka vepruar deri tani, ka qenë joserioze dhe joprofesionale. Edhe politikani evropian i CSU Weber thotë: “Në vazhdimin e programit të ndihmës për Greqinë vlejnë vetëm veprat, dhe ato i mungojnë gjithmonë qeverisë greke.” Në vend të kësaj në Bruksel ndjekin me nervozizëm, se si Alexis Cipras luan lojën gjeopolitike, ndërsa e ardhmja e vendit të tij dhe uniteti i Bashkimit Evropian është në rrezik. (dw)

‘Šiptari’ , ‘Indianci’… fyerjet nga pushtetarët maqedonas

Bisedat e përgjuara në Maqedoni po zbardhin fyerje të rënda ndaj shqiptarëve nga ana e pushtetarëve maqedonas.

Janë ministra, kryetarë Parlamenti dhe publicistë maqedonas që fyejnë rëndë dhe nënvlerësojnë shqiptarët. Kjo ka të bëjë pikërisht me partinë shqiptare në pushtet BDI, e cila është në shënjestër të këtyre fyerjeve.

Në bisedat e përgjuara të lëshuara kohëve të fundit. Ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska dëgjohet duke i quajtur shqiptarët me emërtimin ‘shiptari’, apo porosia e saj se ‘duhet kapur për fyti shiptarët’ . Fyerje të tilla dëgjohen në bisedat e përgjuara edhe nga ministra të tjerë, që në çdo rast shprehin emërtime përbuzëse.

Por, së fundi një skandal i tillë ndodhi edhe dje kur në bisedën e përgjuar midis ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski, ky i fundit deputetët e BDI-së i quan indianë (indijanci).

Derisa po ndodhin këto fyerje të rënda, partia në pushtet po heshtë dhe se nuk është ndërmarrë asnjë reagim. Në këtë vijë janë edhe shumë shoqata joqeveritare dhe për të drejtat e njeriut që gjithashtu heshtin dhe nuk organizohet asnjë formë proteste. Kësaj heshtje i bashkëngjiten edhe deputetët e BDI-së që kohëve të fundit janë tejet aktiv nëpër rrjetet sociale.

Ditëve të fundit ka pasur vetëm një reagim nga Shoqata për Kulturën Shqiptare në Maqedoni, e cila lidhur me këto fyerje i ka drejtuar një letër publike kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Besoj qe duhet te turpëroheni kur dikush nga partneret e koalicionit me te cilët bashkëqeverisni, ofendon rende bijtë dhe bijat e asaj NENE SHQIPTARE për te cilën Ju kontribuat ne ngritjen e shtatores se saj. Besojmë dhe mbetemi me shpresë qe  do sa me shpejt te kërkoni shkarkimin e kësaj ministre ose do t`ju llogarisim kopil te nënës shqiptare, ngase këtu ofendohen rende edhe 153.000 votat me te cilët mburreni si subjekt politik”, thuhet në reagimin e saj.

Përkundër kësaj heshtje nga radhët e shqiptarëve, komuniteti rom organizoi një protestë simbolike para Qeverisë, pasi që ministrja e brendshme Jankullovska në bisedat e përgjuara përdor emërtimin ‘cigani’. (INA)

Daçiq: Edhe nëse e pranojmë Kosovën, nuk hyjmë në BE

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se edhe sikur Serbia të njeh pavarësinë e Kosovës, prapë nuk do të pranohet në BE, për shkak se sipas tij, ‘gjithmonë paraqiten kushte të reja’, transmeton zeri.info.

Në një intervistë dhënë për median serbe “Sputnjiku”, Daçiq ka thënë se Serbia nuk do të pranojë më kushte, për shkak se gjithmonë paraqiten kritere të reja.

Duke komentuar deklaratën e presidentit serb, Tomislav Nikoliq, i cili ka thënë se, nëse Serbia do ta njihte Kosovën, brenda një muaji do të bëhej pjesë e BE-së, Daçiq ëshët përgjigjur; ‘jo nuk do të bëhej pjesë e BE-së, sepse gjithmonë paraqiten kushte të reja’.

Prandaj sipas tij, Serbija nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim, dhe nuk do ta njeh asnjëherë pavarësinë e Kosovës. /Zëri/