Joschka Fischer: Ballkani Perëndimor me rëndësi strategjike për BE

Intervistë ekskluzive për DW e Joschka Fischer, ish-Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, që mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, zhvilluar ( 28.05.2015) në Tiranë.

Joshka FischerDW: Z. Fischer, ju dhe politikanë të njohur të vendeve anëtare të BE- Francë, Itali, Gjermani, që në një mënyrë ose tjetër keni luajtur një rol në zhvillimet postkomuniste në Ballkan – bashkë me kryeministrat e gjithë vendeve të rajonit po merrni pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po zhvillohet në Tiranë. Po synohet të arrihet një konsensus për projektet strategjike, që rajoni si një i tërë do të paraqesë në Takimin e Vjenës, në kuadër të Nismës së re të BE-së për Ballkanin Perëndimor, lançuar gushtin e kaluar nga kancelarja Angela Merkel. Sa i rëndësishëm është për BE-në një Ballkan që po i thotë ”JO” konfliktit dhe “PO”bashkëpunimit?

Joschka Fischer: Ballkani dhe sidomos Ballkani Perëndimor është jashtëzakonsisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Europë. Kjo nuk është thjeshtë një ide por një fakt. Nëse shikoni historinë, për t’iu larguar traditave të konfliktit dhe ecur drejt një mënyre të re bashkëpunimi, që konsiston në të qenit bashkë në rrugëtimin drejt BE, kjo është shumë e rëndësishme për gjithë të Europën.

DW: Në këtë përpjekje të rajonit për të lënë pas të shkuarën e konfliktit, shkrirja e akujve në marrdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës po shihet si një tregues ”par excellence” për hapjen e një faqeje të re në marrdhëniet mes vendeve fqinjë në Ballkanin Perëndimor. Cila është dobia rajonale madje europiane e kësaj që po ndodh në marrdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve?

Joschka Fischer: Shqiptarët dhe Serbët, para së gjithash, janë popuj fqinjë. Le t’i drejtohem përvojës sonë, të Gjermanisë me Francën. Franca ka qënë armikja e Gjermnanisë për gjyshin, stërgjyshin apo katragjyshin tim dhe ne kemi qënë armiku i Francës. Kësaj armiqësie i erdhi fundi kur burra shteti me kurajo, vendosën që jo konflikti por bashkëpunimi duhet të ishte faktori mbizotërues në marrdhënier me fqinjët, sepse fqinjësia nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ti e urren vendin tënd fqinj, apo e do fort, je i intersuar për atë apo nuk do t’ia dish, ai mbetet fqinji yt. Prandaj, mendoj që bashkëpunimi është e vetmja përgjigje e arsyeshme, që Beogradi dhe Tirana të ecin përpara dhe të forcojnë marrdhëniet mes tyre. Mendoj që zhvillimi i marrdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë ështe shumë i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ka ndikim pozitiv për Kosovën dhe shumë pika të tjera të nxehta. Dhe kjo është e rëndësishme për Europën gjithashtu. Europa duhet t’i japë një mbështetje të plotë dhe të fuqishme këtij zhvillimi.

DW: Z.Fischer, në mënyrë unanime të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit po i drejtojnë BE dhe Komisionit Europinan të njëjtin apel nga Tirana: mbështesni me financimin e projekteve rajonale strategjike paqen e shumëpritur por të brishtë në Ballkanin Perëndimor, që ajo të mos rrezikohet. A do ta dëgjojë BE këtë apel pa humbur?

Joschka Fischer: E kuptoj shumë mirë pozicionin e Ballkanit Perëndimor. Ky rajon po pyet: Çfarë po bën konkretisht BE? Ok, konferencat dhe seminaret e BE janë të mira për rajonin po ku është produkti, rezultati, substanca? Dhe për këto pyetje përgjigjen duhet ta japë Brukseli. Natyrisht, është një çështje e progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre drejt anëtarësimit në BE, që lidhet ngushtë me financimin e projekteve të rëndësishme strategjike për rajonin. Lidhja mes vendeve të rajonit shumë e rëndësishme, nëse dëshiron të kesh bashkëpunim rajonal të duhet të kesh rrugë, autostrada, linja hekurudhore dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet në Bruksel. Pastaj zbatimi bëhet këtu, në terren, në vendet e rajonit. Shpresoj që konferenca e ardhshme e Vjenës, që vijon konferencën e Berlinit , që u zhvullua në gusht të vitit të kaluar, do të sjellë progres në këtë drejtim, Nga perspektiva gjeo-politike kjo është shumë e rëndësishme. Europa është për momentin në një situatë jo shumë të mirë, kemi krizën në Europën Lindore, në Ukrainë , kemi krizën financiare që vijon në Greqi por nuk duhen lënë mënjanë sfida të tjera. Duhet kohë, duhet angazhim, nuk është një zbavitje afatshkurtër, nuk është një vrapim disa qindra metraah, por është një maratonë. Kjo nuk duhet harruar. Duhet një presion i vazhdueshëm ndaj Brukselit duke mbrojtur interesat e rajonit. Dhe prandaj konferenca e Vjenës do të jetë shumë e rëndësishme.

DW: Kanë mbetur rreth dy muaj nga zhvillim i kësaj konference. A do ta ketë rol drejtues Gjermania si lançuese e Nismës së re të BE për Ballkanin Perëndimor?

Joschka Fischer: Kjo nismë ishte inisiativë e kancelares Angela Merkel. Kjo nuk duhet harruar. Mendoj, që personalisht, vetë kancelarja është shumë e interesuat për këtë process. Edhe pse nuk kam votuar kurrë për atë, mendoj që me Nismën për Ballknain Perëndimor, kancelarja Merkel, bëri gjënë e duhur.

DW: Z. Fischer, BE ka “lodhje nga zgjerimi”, Ballkani Perëndimor po thotë me këmbëngulje se ka rrezik t’i mbarojë durimi i pritjes së gjatë për ditën kur do të bëhet pjesë e BE. Ku mund ta çojnë Europën dhe rajonin këto dy vektorë ?

Joschka Fischer: Nga njëra anë lodhja nga zgjerimi është fakt, nga ana tjetër, situata gjeopolitike në Europë nuk e lejon këtë lodhje. Në gjeo-politikë nuk ka vaakume. Europa ka interes, Ballkani Perëndimor është një rajon që i përket Europës. Nëse europianët nuk i kuptojnë interesat e tyre kjo do të krijojë problem për të gjithë ne, jo vetëm për rajonin e Ballkanit. Prandaj mendoj se është një mundësi e mirë që kriza gjeo-politike përqark Europës, të mprehë ndërgjegjësimin e liderëve europianë për rëndësinë gjeo-politike të rajonit, gjë që duhet të përdoret pa humbur kohë.

DW: Z. Fischer, ju keni qenë i lidhur me rajonin, më 1999 ju mbështetët pjesëmarrjen ushtarake gjermane në Luftën e Kosovës duke lënë mënjanë filozofinë pacifiste të të Gjelbërve, forcës politike ku ju bënit pjesë atëhere. Sot jeni në Tiranë mes gjithë kryeministrave të vendeve të rajonit. Çfarë ndjeni nëse meditoni për atëhere dhe tani?

Joschka Fischer: Jam sot në Tiranë shumë i emocionuar nga pjesëmarrja në Forumin Ekonomik të Vjenës e gjithë kryeministrave të rajonit, dhe nuk kam sesi të mos sjell ndërmend kur isha ministër i Jashtëm i Gjermanisë, në kohën e Luftës së Kosovës dhe pas përfunimit të saj. Tani rajoni ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ju përmendët në krye të kësaj interviste marrdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Këmbëngul ato janë faktori kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo është fantastike dhe jam vërtet i emocionuar.

Maqedonia në pritje të të dërguarit të posaçëm evropian

Komisari i BE-së, Johannes Hahn, dhe eurodeputetët Iwo Weigel, Richard Howitt dhe Eduard Kukan, priten të hënën (01.06) në Shkup. Ata vazhdojnë të ndërmjetësojnë mes VMRO­-DPMNE dhe LSDM për zgjidhjen e krizës politike.

shkupiBisedimet do t’i kryesojë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian komisari Johannes Hahn. Pas takimit javën e kaluar në Strasburg kjo është hera e dytë e bisedimeve mes kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe liderit të LSDM­-së opozitare, Zoran Zaev. Nga kabineti i komisarit Hahn u konfirmua informacioni, se njeriu i parë për zgjerimin e BE­së planifikon së shpejti një vizitë në Maqedoni.

Zëdhënësja e Komisionit E­vropian, Maja Kocijançiç, deklaroi për agjencinë shtetërore MIA, se: “BE edhe më tej duhet të angazhohet në mënyrë aktive me të gjithë liderët politik në Maqedonisë për zgjidhjen e krizës aktuale politike. Ne i shfrytëzojmë mjetet ekzistuese për zgjerim, si dhe procesin e lehtësimit të udhëhequr nga eurodeputetët dhe komisari Hahn. Ky është fokusi i angazhimit dhe mbështetjes së BE-­së”, thekson Kocijançiç.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Iwo Weigel, deklaron se ndërmjetësuesit evropianë nuk kanë për detyrë të japin propozime për zgjidhje, rreth saj duhet të merren vesh aktorët politik në Shkup. Sipas tij një marrëveshje do të duhej të arrihet para fillimit të verës, me qëllim që Maqedonia të mos rrezikojë edhe më tej ftesën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

BE duhet me vendosmëri të veprojë që të ndihmojë në stabilizimin e gjendje në Maqedoni, e cila ka perspektivë të qartë evropiane, konsideron euro- deputeti slloven dhe kryetari i delegacionit parlamentar për Maqedoninë, Alojz Peterle.“Natyra ndëretnike, ndërfetare, post- totalitare dhe ajo e pasluftës në Ballkan nuk duhet të nënvlerësohen. Nisma që të përfshihen dy liderët kryesorë politik në biseda është shenjë e mirë, se bëjmë çdo gjë që kriza të mos përshkallëzohet. Angazhimi ynë duhet të jetë më i gjerë dhe i vazhdueshëm, me angazhimin e nivelit më të lartë politik derisa të arrihet zgjidhje”, thotë Peterle.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski thotë se procesi i emërimit të përfaqësuesit special të BE-së në Maqedoni nuk është i lehtë dhe i shpejtë. Ky person duhet të identifikohet, të përzgjidhet dhe për të duhet të egzistojë pëlqim i gjerë si dhe të precizohet mandati i tij. E gjithë kjo procedurë kërkon kohë , thotë Fërçkovski. Sipas tijë pasi të shteren bisedimet e këtij lloji që po zhvillohen në këtë format do të jetë e domosdoshme që gjatë muajit qershor Uashingtoni dhe Berlini të inkuadrohen si ndërmjetësues në bisedime për krijimin e qeverisë kalimtare.

“Nuk besoj se kryeministri Gruevski do të japë dorheqjen, sepse kjo do të thotë të pranojë fajin. Vlerësoj se përmes bisedimeve ku do të jenë edhe ndërkombëtarët do të arrihet marveshje për formimin e qeverisë kalimtare, e cila do t’i mundësojë Gruevskit të tërhiqet me dinjitet”, thekson Fërçkovski.

Përfaqësues i fundit i BE-s në rolin e ndërmjetësuesit në Maqedoni ka qenë Alen Le Roa në periudhën pas kofliktit të armatosur në 2001.

Analistët: Qeveria kalimtare është shpëtimi nga kriza

Ardhja e komisarit Hahn dhe tre eurodeputetëve në Maqedoni do të vendosë një dinamikë të re në bisedimet, që po zhvillohen midis katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni, vlersojnë ekspertët. Profesori Mersel Bilalli, thotë se ka ardhur fundi i Gruevskit dhe se takimet e liderëve janë për dikë teatër, për dikë blerje kohe, kurse për ndokënd demonstrim i konstruktivitetit: “Pa dilemë se janë këto ditë të fundit të regjimit të Gruevskit, i cili do të mbetet i shënuar në histori për lidhjet me krimin e organizuar, që me mjeshtëri e mbulonte përmes një patriotizmi të rremë dhe nacionalizmi në kontinuitet. Me kyçjen e ndërkomëtarëve në bisedime, politika destruktive e Gruevskit do të marrë fund”, vlerson Bilalli.

Prof. Mirjana Maleska thekson se të gjitha masat demokratike për rëzimin e një qeverie janë konsumuar dhe nuk mund të bëhet më asgjë më shumë, veçse të pritet dorëheqja e qeverisë. “Si duket nuk mund të bëhet asgjë më shumë nga ajo që është bërë që qeveria të dorëhiqet. Duhet t’i ruajmë nervat dhe të shpresojmë që procesi negociues nuk do të stërgjatet, që të mos suprizohemi me ndonjë dhunë të re ndaj qytetarëve”, thotë Maleska.

Nëse BE dërgon ndërmjetësues në bisedime atëherë mund të pritet ndonjë zgjidhje e shpejtë e krizës politike në vend thotë analisti Ismet Ramadani. Sipas tijë ndërmjetësuesi eventual i BE-së nuk do të ketë vetëm rolin e vëzhguesit, por edhe të personit i cili në tavolinë do të paraqesë propozime konkrete për gjetjen e një zgjidhjeje për të tejkaluar krizën që ka përfshirë vendin.

“Me vet faktin që tani paralajmërohet ardhja e përfaqësuesi të BE-së, besoj se ai do të ketë autorizime që të fortë t‘u japë drejtim këtyre bisedimeve. Nëse në tryezën e bisedimeve është përfaqësuesi ndërkombëtar atëherë mund të pritet që zgjdhja të jetë e afërt”, nënvizon Ramadani.

​​Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, pret që kriza politike në Maqedoni të tejkalohet deri në fund të muajit qershor. Ai ftoi SHBA-në dhe BE-në të ndihmojnë që sa më parë të gjendet një zgjidhje për krizën e thellë në të cilën është zhytur vendi.“Ende po bisedohet për kornizën, për formatin, për shumë detaje. Në tavolinë po paraqesim edhe temat, por ende nuk kemi hyrë në detaje dhe nuk mund të themi se ka filluar procesi i negociatave”, thotë Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së. (dw)

Arrestohen funksionarë të FIFA-s

Pak para kongresit të FIFA-s autoritetet zvicerane kanë hapur një procedurë penale lidhur me alokimin e kampionatit botëror të futbollit në 2018 dhe 2022. Janë arrestuar edhe gjashtë funksionarë të lartë të FIFA-s.

fifaDy ditë para kongresit vjetor të Federatës Botërore të Futbollit FIFA prokuroria zvicerane ka hapur një çështje penale lidhur me caktimin e vendeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018 në Rusi dhe 2022 në Katar. Në këtë kontekst në selinë qendrore të Federatës Botërore të Futbollit FIFA në Zyrih janë konfiskuar të dhëna elektronike dhe dokumente, njoftoi autoriteti të mërkurën. Ka dyshime për veprimtari të paligjshme dhe për pastrim parash. U tha se hetimet nuk zhvillohen kundër personave konkretë. Më parë u ishte kërkuar institucioneve financiare zvicerane që të grumbullonin dokumentet bankare. “Të dhënat elektronike dhe dokumentet e siguruara sot, si dhe dokumentet bankare u shërbejnë si procedurave penale zvicerane, ashtu edhe atyre të huaja”, u shpreh prokurori.

Federata Botërore e Futbollit i ka përshëndetur në përgjithësi masat e prokurorisë zvicerane lidhur alokimin e kampionatit botëror në vitin 2018 në Rusi dhe në Katar në vitin 2022. Megjithatë shefi i komunikacionit Walter de Gregorio tha në një konferencë shtypi në selinë e FIFA-s në Zyrih: “Koha nuk është më e mira. Hapja e procedurës penale njëkohësisht me kongresin e FIFA-s.” Ai fillon këtë të enjte dhe do të vazhdojë, siç është planifikuar me zgjedhjen e presidentit të FIFA-s të premten. De Gregorio bëri edhe një herë të qartë se FIFA i ka kërkuar nëntorin e vitit të kaluar prokurorit të përgjithshëm që të hapë procedurën penale. “Kjo është e mirë për FIFA-n. Nuk është mirë për imazhin, emrin e saj. Por në sensin e transparencës, që ajo të të pastrohet, është mirë”, tha de Gregorio. “Në këtë kontekst FIFA është pala e dëmtuar.”

Mashtrim, shantazh, pastrim parash

Në të njëjtën ditë policia zvicerane arrestoi me kërkesë të SHBA disa funksionarë të FIFA-s, të dyshuar për korrupsion. Këtë e konfirmuan autoritetet gjyqësore vendase. Sipas autoriteteve zvicerane një lidhje midis këtyre dy procese nuk ka.

Drejtuesit e FIFA-s, sipas një raporti të “New York Times”, duhet të dorëzohen në SHBA dhe të akuzohen atje. Akuzat janë mashtrim, shantazh dhe pastrim parash. Një ndër gjashtë funksionarët e futbollit të arrestuar në Zyrih është, sipas njoftimeve të mediave, zëvendëspresidenti i FIFA-s Jeffrey Webb.

Aksioni i policisë në hotelin nobel të Zyrihut “Baur au Lac” është bërë me kërkesë të ministrisë së Drejtësisë së SHBA. Kundër 14 personave po hetohet nga prokuroria në Nju Jork. Bëhet fjalë për ryshfete dhe provizione të fshehura në vlerën e 100 milionë dollarëve që në vitet 90-të. Funksionarët fajësohen se kanë pranuar ryshfet për shpërndarjen e turneve të futbollit në Amerikën Latine dhe SHBA dhe për të drejtat televizive dhe të sponsorizimit.

“Ditë e trishtuar për futbollin”

Ndër të arrestuarit në Zyrih duhet të jenë anëtarë të komitetit ekzekutiv të FIFA-s. Köshtu edhe shefi i Federatës së Futbollit të Kosta Rikös, Eduardo Li, u arrestua nga policët me veshje civile.

Sipas “New York Times” dhe CNN shefi i FIFA-s Joseph Blatter nuk bën pjesë ndër të akuzuarit. Siç duket hetimet e autoriteteve amerikane kanë të bëjnë me pagimet e ryshfeteve për të drejtat e marketingut madje qö nga koha para marrjes së drejtimit nga zvicerani në vitin 1998.

79-vjeçari Blatter është favoriti kryesor në zgjedhjen në një mandat të pestë në kongres nö premten. Kandidati i vetëm rival është princi Ali bin al-Hussein nga Jordania, që deri tani nuk i është dhënë asnjë shans. “Kjo është një ditë e trishtuar për futbollin”, thotë sfidanti 39 vjeçar i Blatter-it. Duke patur parasysh rrjedhën e mëtejshme të hetimeve dhe masat nuk është e përshtatshme, “që në këtë moment të jepen komente”, thuhet në njoftimin e shefit të federatös jordaneze.

Në SHBA që prej tre vjetësh vazhdojnë hetimet edhe nga FBI kundër të mëdhenjve të dikurshëm të FIFA-a. Ish shefi i shoqatës të SHBA Chuck Blazer dhe ish zëvendësi i Blatter Jack Warner nga Trinidad dhe Tobago janë në mesin e të pandehurve për një sërë rastesh korrupsioni. Blazer thuhet se ka bashkëpunuar së fundi me hetuesit amerikanë.

Disa hetime të brendshme të Federatës Botërore të Futbollit u ndërprenë në dhjetor “pa rezultat”….

Dënohen 11 ish pjesëtarë të UÇK-së

Ata u shpallën fajtorë për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Sulejman SelimiNjë gjykatë në veriun e Mitrovicës, shpalli fajtorë dhe dënoi 11 pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte. Dënimet u shpallën në dy procese të njohura si Drenica 1 dhe Drenica 2.

Gjykata dënoi me 12 vjet heqje lirie Sami Lushtakun, aktualisht kryetar i komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore dhe ish komandant i zonës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa me 6 vjet heqje lirie dënoi ish ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, i cili gjatë një periudhe të luftës ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Lushtaku është shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së një civili shqiptar në shtator të vitit 1998 në një zonë në mes fshatrave Galicë dhe Dubovc të rajonit të Drenicës. Sipas trupit gjykues të drejtuar nga EULEX-i, “është vërtetuar se zoti Lushtaku në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së e ka vrarë një civil të burgosur shqiptar të panjohur, duke e qëlluar tre herë në kokë me revole”.

Ndërsa zoti Selimi, sipas gjykatës në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me një pjesëtar tjetër të UÇK-së “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar, i ndaluar në qendrën e ndalimit në Likoc në rajonin e Drenicës”.

Ndërsa në procesin Drenica 2, gjykata shpalli fajtorë dhjetë të akuzuar për keqtrajtimin dhe torturimin e dëshmitarëve të njohur si A dhe B, civilë që gjatë luftës ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Likoc të Drenicës.

Zoti Sulejman Selimi është shpallur fajtor dhe dënuar me tetë vjet heqje lirie. Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi janë dënuar më nga shtatë vjet heqje lirie dhe gjashtë të tjerë; Bashkim Demaj, Driton Demaj, Agim Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku janë dënuar me nga tre vjet heqje lirie.

Avokatët paralajmëruan ankesë ndaj vendimit të gjykatës duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të pambështetur në fakte.

Ndaj dënimeve të së mërkurës reaguan shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat thanë se ato ishin “vendime politike të orkestruara nga Beogradi, veprime antishqiptare dhe përpjekje e vazhdueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare, me tendenca për të barazuar atë me luftën kriminale dhe gjenocidale të Serbisë”.

Vendimi i së mërkurës mund të ndërlikojë procesin e ngritjes së Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare në krime lufte. Çështja pritet të hidhet në debat në parlament të premten më 29 maj, ndërsa opozita paralajmëron se do të kundërshtoje themelimin e asaj gjykate që ajo e sheh si cenuese të drejtësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Miratimi kërkon dy të tretat e votave të deputetëve dhe diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se dështimi i mundshëm mund ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Mbi 10 veta janë vrarë dhe mbi 5 mijë ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë e cila mori fund në qershor të vitit 1999 më ndërhyrjen e NATO-s. (voa)

Zaev: ‘Ekzistojnë dyshime serioze rreth rastit Monstra’

zaevKreu i LSDM-së Zoran Zaev theksoi se ekzistojnë dyshime serioze rreth rastit Monstra, duke u distancuar nga një shkrim i mëhershëm që citonte pikërisht atë.

Në një gazetë gjermane, “Di Cajt” sot shkruhet se Zaev kishte theksuar se të dënuarit për vrasjen në liqenin e Smillokovës janë të pafajshëm, dhe po e vuajnë më kotë dënimin në burg. Por sot, Zaev konfirmoi për gazetarët se deklarata e tij nuk ka qenë ashtu, pasi ai ka shprehur vetëm qëndrimin se ka shumë dyshime dhe mjegull për rastin. Ai tha se përgjimet për të do të shpallen shumë shpejt, edhe pse nuk precizoi datën. Zaevi ritheksoi se qytetarët do ta mësojnë të vërtetën pas shpalljes së bombave mbi këtë rast. Më herët, gazeta jepte alarmin, se në rast të vërtetimit të pafajshmërisë së të burgosurve për rastin mostra, nuk përjashtohej mundësia për tensione ndëretnike. Gazeta shkonte më tej, me apelet e cituara nga Zaev, për ruajtjen e unitetit të në popull. Alsat-M

“Bombat” e opozitës sot ‘shpërthejnë’ para Qeverisë

ZaevLideri i Lidhjes Socialdemokrate dhe i opozitës maqedonase Zoran Zaev do të vazhdojë sot me publikimin e audio-përgjimeve, me dëshmi të reja për veprimet e paligjshme të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Zaev, pas takimit të djeshëm të liderëve të katër partive më të mëdha të Maqedonisë, tha se “bombën” e radhës do ta publikojë para Qeverisë, aty ku, që nga protesta e madhe antiqeveritare e 17 majit, tashmë 10 ditë gjendet kampi me protestuesit të cilët kërkojnë dorëheqjen e Gruevskit dhe kabinetit të tij.

Sipas paralajmërimeve, sot mund të bëhen publike malverzimet e pushtetit rreth mbylljes së televizionit A1 dhe burgosjes së pronarit dhe drejtuesve të tij.

Ndër ngjarjet për ndriçimin e të cilave është paralajmëruar publikimi i “bombave” shumë shpejt, është edhe rasti i Liqenit të Smilkovës, nga prilli i vitit 2012. Fjala është për vrasjen e pesë maqedonasve, nga të cilët katër të rinj të moshës 18 deri 21-vjeç, rast ky në të cilin, në të ashtuquajturin proces “monstra” u dënuan shqiptarë me burg të përjetshëm.

Opozita, para fillimit të publikimit të materialeve komprometuese për Gruevskin me bashkëpunëtorë, paralajmëroi se ka përgatitur 102 dosje me audio-përgjime. Deri në ngjarjet e 9 majit në Kumanovë u publikuan 33 sosh, që deri tani kanë rezultuar me dorëheqjet e ministres së Brendshme Gordana Jankullovska, atij të Transportit Mile Janakievski dhe shefit të DSK-së Sasho Mijallkov. (alsat)

Zaev: Shqiptarët u dënuan pafajshëm për rastin “Monstra”

monstraNë intervistën për gazetën gjermane “Die Zeit”, lideri i LSDM-së kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar se e vërteta për rastin “Monstra” mund të shkaktojë përplasje në Maqedoni.

Është interesant se Zaev nuk e përmend termin “rasti Monstra”, por termin “rasti i Liqenit të Smilkovës”.
“Shtatë shqiptarët etnikë që janë dënuar për rastin e Smilkovës janë të pafajshëm. Ata pa faj po qëndrojnë në burg”, ka theksuar Zaev, duke shtuar se frikësohet se “e vërteta për këtë rast” mund të shkaktojë tensione te komuniteti shqiptar në Maqedoni.
“Mund të ketë edhe viktima. Për këtë arsye për momentin jemi duke zhvilluar negociata me komunitetin shqiptar që të gjejmë mënyrë për penguar një reagim të tillë. Patjetër duhet të jemi të kujdesshëm me të vërtetën. Duhet ta ruajmë unitetin e popullatës”, ka thënë Zaev.
I pyetur nëse ka frikë se situata mund të dalë nga kontrolli, Zaev është përgjigjur: “Po, në një masë janë shumë i shqetësuar. Patjetër duhet t’i përgatisim njerëzit për të vërtetën, patjetër duhet të jemi shumë të përgjegjshëm”.
Ai nuk ka precizuar nëse frikohet se viktima mund të ketë nga radhët e funksionarëve të partisë shqiptare në pushtet, si pasojë e revoltës së shqiptarëve për shkak se edhe pse ajo parti ishte në qeveri, nuk pengoi dënimet e përjetshme për të akuzuarit, por tallej në stilin “rastin Monstra duhet ta monitorojë FBI-ja”.  (rtk)

Vuçiç mbërrin në Tiranë, pritet nga kryeministri Edi Rama në Pallatin e Brigadave

rama vucicKryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbërriti në Tiranë të mërkurën rreth orës 11.00 për vizitën historike 2-ditore dhe në orën 11.30 u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin e Brigadave, ku Vuçiç u prit nga kryeministri Edi Rama.

Ceremonia u pasua me një takim kokë më kokë mes dy kryeministrave Rama dhe Vuçiç, për të vijuar pas orës 12.00 me takimin mes delegacioneve. Bisedimet mes palëve u zhvilluan në dy drejtime: për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe projekteve të përbashkëta rajonale mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Rreth orës 13.00 është parashikuar një konferencë për shtyp e dy kryeministrave.

Vuçiç do të pritet edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe rreth orës 16.00 do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, e më pas me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Në agjendë është paraparë edhe një darkë zyrtare mes dy delegacioneve.

Të enjten, kryeministri Vuçiç do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës.

Jozyrtarisht, bëhet e ditur se kryeministri serb do të shoqërohet në këtë vizitë nga disa anëtarë të kabinetit të tij që kanë lidhje me ekonominë dhe disa gazetarë të mediave publike.

/ Top Channel

Sylejman Selimi dënohet edhe me 8 vjet burg në “Drenica 2″

Sulejman SelimiËshtë shpallur edhe aktgjykimi edhe në rastin “Drenica 2″.

Në këtë rast Sylejman Selimi është dënuar me 8 vjet burg, Hysni Thaçi me 7, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku me nga 7 vjet burg.

Ndërkaq Fadil dhe Nexhat Demaku si dhe katër vëllezërit Demaj, Selman, Driton, Bashkim dhe Agim Demaj janë dënuar me nga tri vjet burg.

Trupi Gjykues ka gjetur fakte se të dënuarit Selimi, Thaçi, si dhe dy vëllezërit Demaku janë gjetur fajtor sepse janë gjetur fakte se kanë kryer dhunë trajtim mizor dhe të ngjashme ndaj dëshmitarëve A dhe B./KosovaPress/

LUSHTAKU DËNOHET ME 12 VJET BURG, SELIMI ME 6 VJET BURG

Sami LushtakuKryetari i Skënderajt Sami Lushtaku është dënuar me 12 vjet burg ndërsa ish komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi është dënuar me 6 vjet burg.

Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore në Mitrovicë ka arsyetuar vendimin me të cilin ka gjetur fajtor Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin.
Selimi është dënuar pasi që në Gusht dhe Shtator të vitit 1998 ka rrahur në disa raste dëshmitarin A, në Likovc.

Po ashtu Sylejman Selimi në disa raste ka shkuar tek dëshmitari A, dhe e ka shkelur integritetin e tij si dhe e ka kërcënuar me jetë, transmeton KosovaPress.

Në këtë rast ai ka demonstruar karakteristika të torturës ndaj dëshmitarit A.

Ndërsa për Sami Lushtakun, trupi gjykues ka numëruar si fakt se Lushtaku me pistoletën e tij të markës TT, ka shkrepur tri herë në një person, ndërsa kjo ka ndodhur në mes të fshatrave Galicë dhe Dubovc.

Sipas trupit gjykues faktet janë vërtetuar në bazë të dëshmive të dëshmitarit A dhe B.

Periudha kohore prej 24 maj 2013 deri 19 dhjetor 2014, do të iu llogaritet si vuajtje e dënimit.

Ndërkohë që për harxhimet e gjykatës Sami Lushtaku është dënuar me 1000 euro ndërsa Sylejman Selimi me 1200 euro. (rtk)