Kosova pret të vrarët e Kumanovës

Dhjetë ditë pas vrasjes trupat e nëntë kosovarëve, që morën pjesë në konfliktin e Kumanovës, pritet të sillen në Kosovë gjatë ditës së sotme (e enjte).

Për “riatdhesimin” e kosovarëve ka konfirmuar Prokuroria në Shkup përmes një përgjigjeje të kthyer në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Kjo e fundit kërkoi listën me personat e vdekur, si dhe informacione të detajizuara për mënyrën se si do të kthehen trupat e të vrarëve në Kosovë.

Se një përgjigje konform kërkesës së Prokurorisë është kthyer në MPJ, e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoni, Valdet Xhaferi, i cili nuk ka dhënë detaje rreth përmbajtjes së përgjigjes duke u arsyetuar se përgjigjja i është dorëzuar Ambasadës së Kosovës në Shkup.

I njëjti një ditë më parë ka konfirmuar se Kosova ka kërkuar nga Maqedonia “sigurimin e listës së personave të vdekur, sigurimin e mundësisë që një grup ekspertësh nga Kosova të bëjnë obduksionin e trupave të vdekur, si dhe detaje që kanë të bëjnë me transportimin e trupave të vdekur nga Maqedonia në Kosovë”… (zeri)

Rrëfimi ekskluziv i ushtarit të UÇK-së për aksionin e Kumanovës

uck anonimEnde e ka të freskët plagën nga plumbi që mori më 9 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Po të freskëta i ka edhe kujtimet për atë të shtune ku humbi shokët në përleshjen që zgjati afro 48 orë në këtë vend.

Njëri nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pjesë edhe e strukturave udhëheqëse, që ishte pjesëmarrës në luftimet e Kumanovës rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Fjala në detaje se çfarë ndodhi. Ai tregon për organizimin e UÇK-së, shtrirjen e saj, financimin e strukturën komanduese.

Ushtari që dëshiron të mbetet anonim, shpjegon se kush mori para nga Qeveria maqedonase për të përgatitur skenarin e sulmit në Kumanovë. Ai rrëfen për Gazetën Fjala se kush i tradhtoi e si u vranë bashkëluftëtarët e tij.

 

Gazeta Fjala: Kush jeni ju dhe kënd e përfaqësoni?

Ushtari: Ne jemi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, përfaqësojmë popullin, civilët të cilët janë të maltretuar që nga viti 2001 deri në vitin 2015.

Gazeta Fjala: A ekziston UÇK-ja?

Ushtari: Po ekziston.

Gazeta Fjala: Sipas jush ekziston UÇK-ja edhe pse nuk e kemi parë asnjëherë, mirëpo vetëm kemi dëgjuar për të. A ka strukturë organizative?

Ushtari: Ka strukturë organizative, janë të gjitha sektorët e përcaktuar.

Gazeta Fjala: Do të thotë e ka një hierarki?

Ushtari: Të gjitha i ka, deri te gjykata e UÇK-së.

Gazeta Fjala: Prej kur ekziston kjo?

Ushtari: Kjo ekziston, ka ekzistuar, por është riaktivizuar në vitin 2013, ka filluar riorganizimi.

Gazeta Fjala: Pse?

Ushtari: Për arsye që marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar asnjëherë, as 2 përqindëshi i asaj marrëveshje nuk është realizuar, ka qenë gjithmonë një kufomë të cilën është mundu që qeveria ta ngjallë dhe populli ja ka dhënë besimin 2 apo 3 herë që atë kufomë ta ngjallë. Por e panë që ajo kufomë nuk ngjallet dhe e kemi parë të arsyeshme që ne të dalim sërish përpara dhe ti mbrojmë.

Gazeta Fjala: Deri tash nuk kemi parë konkretisht një ushtar të UÇK-së…?

Ushtari: Edhe në vitin 90-ta kur ka dalë, kur ka qenë për herë të parë UÇK-ja, edhe ata nuk kanë dalë. Prandaj edhe këtu duhet, janë hapat të cilat paraqiten.

Gazeta Fjala: Kush janë këta ushtarë, kush është komandanti i tyre?

Ushtari: Janë djem që i ka lind nana shqiptare, që kanë gjak të nënës shqiptare.

Gazeta Fjala: A janë vetëm nga Kosova, Maqedonia…?

Ushtari: Jo, janë nga të gjitha trojet. Sepse ajo tokë nuk është vetëm e atyre që jetojnë në Maqedoni, Iliri. Por janë troje të gjithë shqiptarëve që ne e kemi obligim, qysh kur shqiptarët e Maqedonisë kanë ardhur në vitet 90 deri në 99, kanë ardhur tek ne, ashtu edhe ne e shohim si detyrë si obligim moral, për ti shkuar në ndihmë.

Gazeta Fjala: A paguhen prej dikujt këta ushtar, kush i financon?

Ushtari: Këta paguhen vetëm prej mobilizimi, kurse paga e këto të tjera as nuk fliten, ato janë vetëm gënjeshtra të Ali-ut (Ali Ahmeti), Menduh-it (Menduh Thaçi), Sashos (Sasho Mijallkov – ish shef i shërbimit sekret të Maqedonisë) e të tjerëve.

Gazeta Fjala: Aksioni i fundit është Kumanova, kur Ushtria Çlirimtare Kombëtar ka marrë përsipër aksionin që ka ndodhur atje. Përse është zgjedhur pikërisht Kumanova, përse  Lagja e Trimave?

Ushtari: Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk e ka zgjedhur vetëm Kumanovën. UÇK nuk është nisur për në Kumanovë. UÇK është nisur për institucionet. UÇK nuk ka punë me civil, por ka punë me institucione të cilat dita e ditës do të vijnë parasysh dhe do të shihen.

Gazeta Fjala: A mund të na sqarosh më tepër?

Ushtari: Mbesin gjërat ende jo të qarta mirë për arsye tonat.

Gazeta Fjala: … Është folur shumë për sulmin në Kumanovë, thonë se është organizuar prej kosovarëve..?

Ushtari: Kosovarët nuk e kanë organizuar. Aksionin e kanë organizuar vet qytetarët e pa kënaqur të iliridës, jo kosovarët.

Gazeta Fjala: Në qoftë se mundesh të na sqarosh Iliridën. UÇK Iliridën e sheh në të gjitha trojet Shqiptare?

Ushtari: Ilirida është pjesa ku është caktuar, është zaptuar nga Sllavo-Maqedonët.

Gazeta Fjala: Sa ushtarë kanë marrë pjesë në rastin e Kumanovës?

Ushtari: Nuk është një numër ende i përcaktuar dhe i saktë, sepse kemi pasur aty edhe ndërhyrje nga vetë qytetarët që kanë dalë në ndihmë, prandaj nuk mund të jepet një numër shumë të saktë të tyre. Por, aty kosovarët kanë qenë pjesë, shqiptarët e Kosovës sepse këta me këtë term kosovarë dëshirojnë ta ndajnë si popull. Por, shqiptarët nga Kosova kanë qenë së paku diku 5% apo 10%, dhe shteti Maqedoni kur e ka bërë krimin nuk ka shikuar me bo arrestime tek populli maqedon, por është orientuar më shumë tek shqiptarët e Kosovës, për arsye që me e gjuajt një arsye të tyre qysh e kanë traditë me bo një fitore të mundshme ndaj Kosovës gjoja se ju jeni ata. Na nuk jemi ata që kërkojmë luftë por kur imponohet lufta në nuk kemi ku shkojmë. Ne jemi aty ku na thërrasin vëllezërit tanë.

Gazeta Fjala: Nëse mund të mbesim ende tek kjo pjesa e numrit të ushtarëve që kanë marrë pjesë. Ju thatë se keni një strukturë organizative…?

Ushtari: Shtabet ekzistojnë në secilin qytet ku ka Maqedoni. Në çdo qytet ka shtabe të ndryshme. Janë strukturat dhe janë udhëheqësit pikërisht nga vet shqiptarët e Maqedonisë.

Gazeta Fjala: Do të thotë ditën kur ka ndodhur rasti në Lagjen e Trimave, nuk ka qenë cak Lagja e Trimave?

Ushtari: Jo, cak ka qenë Qeveria maqedone. Nuk ka qenë cak i UÇK. UÇK qysh në vitin 2001 ka tregu që nuk ka punë me civil, por ka punë me shtetin maqedon.

Gazeta Fjala: Por, pse ndodhi pikërisht aty?

Ushtari: Po, pikërisht sepse ka qenë skenar i përgatitur nga qeveria Gruevski.

Gazeta Fjala: A janë dhënë para nga qeveria Gruevski? Flitet për 2 milion euro që janë dhënë. Tash akuzohet UÇK se i ka marrë paratë?

Ushtari: Flitet, edhe do të vazhdojë të flitet. Por ato para ata luftëtarë të cilët ishin aty, drejtpërdrejtë nuk kanë marrë para. Parja e tyre ishte ideali dhe asgjë tjetër. Por këtu personi i cili e ka organizuar ka qenë një strukturë e lidhur ngushtë nga Sasho. Ai ka marrë urdhër nga Gruevski dhe Sasho bashkë me Jankullovën dhe me ministrin e financave që e përgaditën shumën prej 2 milion eurove,  siç po flitet, edhe pse ne nuk kemi dëshmi për atë. Dhe këto para janë dërguar tek shqiptari, i cili punon në Shërbimin Sekret Maqedon. Ai shqiptar në thonjëza, ja dërgon shumën vëllaut të vet, shokut të vet, i cili është zbuluar nga ana jonë, mirëpo i cili mbetet ende identitet i mbyllur, dhe kjo shumë me siguri i është dorëzua atij. Dhe këta persona, ky personi i fundit i cili ka pranuar shumën nga ish bashkëpunëtori i Sashos e ka dërguaar…

Gazeta Fjala: Ky personi a është në mesin tuaj, a ka qenë në mesin tuaj?

Ushtari: Jo, ky person nuk ka qenë në luftë. Ky person është zhduk disa orë para se të ndodhë aksioni. Gjithçka ka qenë e përgatitur nga ky shqiptar, në thonjëza.

Gazeta Fjala: Para se të ndodhë aksioni ka qenë pjesë e UÇK-së, që ju e njihini por nuk doni ta përmendni emrin e tij?

Ushtari: Po, ne e njohim dhe nuk do ta bëjmë publike, për arsyet tona të cilat i kemi urdhër nga Gjykata jonë, që ato do të mbesin edhe për disa kohë informata vetëm për ne. Në ndërkohë do të dalim të gjithë me emra dhe me mbiemra dhe të japin përgjegjësi para popullit, Gjykatës, të cilën e ka UÇK-ja, sepse ai që e tradhton UÇK-në, ai qysh kur ka hy e ka ditë që tradhtia nuk duhet të ekzistojë dhe dezertorët e tillë duhet ta paguajnë.

Gazeta Fjala: Ju e përmendët që pak kohë para se të ndodhë sulmi ai është larguar nga aty, a mund të na përshkruani më detajisht se si ndodhi kjo tradhtia?

Ushtari: Personi i cili ka organizuar dhe i cili ka marrë përsipër organizimin vjen pikërisht nga Maqedonia. Dhe ai person ka qenë i lidhur me disa prej shqiptarëve, të cilët e kanë idealin mbi të gjitha dhe i ka ngreh me atë që Maqedonia është në krizë. Atje do të ketë luftë dhe do të ketë problem edhe populli civil. Dhe përveçse e kanë organizuar dhe i kanë ngrehë personat e afërt afer vetes, aty ka ardhur edhe ka mbledhë edhe shokët e ish 2001-tës, luftës çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së e të gjitha strukturave vetëm e vetëm ta bëjë një numër. Por, këta të cilët luftuan heroikisht afër 40 orë, këta kishin vetëm një qëllim, mbrojtjen e qytetarit pa marrë parasysh a është shqiptar apo maqedon, ata e kishin mbrojtjen e popullatës civile. UÇK çdoherë ka tregu me kënd ka punë.

Gazeta Fjala: A e keni parë krejt këtë skenar ju, a keni qenë pjesë e aksionit të Kumanovës. A keni qenë brenda në Lagjen e Trimave?

Ushtari: Po, aty kemi qenë së bashku. Kemi luftuar dhe ju kemi treguar të gjithëve që ata luftëtarë të 2001 janë tripërtri, jo ripëtri por tri herë më shumë janë forcuar. Saqë po të ishte skenar i joni i përgaditur me kohë, aty me siguri do të dilëshinë prej anës maqedone mbi 200 të vrarë e mbi 500 të plagosur. Por ka qenë një skenar, një kurth, një tradhti ndaj neve dhe erdhëm aty ku jemi edhe sot. Që shumë prej nesh shokët i kemi humbur, ndër ta edhe na janë burgosur.

Por, me kaq nuk është mbyll, gjithçka aty ka qenë fillimi. Me datën 9 është varros marrëveshja e Ohrit, ajo marrëveshje e cila ishte për 14 vite vetëm një kufomë e pavarrosur, ajo kufomë shtegtarët e lirisë ja kanë dhënë ceremoninë, ajo më nuk ekziston. Politikë më me shtetin maqedon nuk ka.

Gazeta Fjala: Sado që duket që është krijuar një paqe në mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe vet maqedonëve që i kemi parë në protestën e fundit..?

Ushtari: Jo, ata nuk janë shqiptarë të cilët… sepse ata të cilët kanë dalë aty, ata kanë marrë nga 1000 euro, 2000 euro, 5000 euro. Ne mund të flasim si ushtarë pikërisht për ata të cilët po flasin për ne. Ata janë mashtruar nga iluzioni i euforisë, por ndërkohë ata do të jenë me ne, sepse Zevezi (Zaevi) mbetet Zavez. Zavezi (Zaevi) është  i Sopotit, është i të njëjtit rast dhe të gjithë e njohim se kush është ai, dhe kush është Gruevski. Të dytë janë një trup i përbashkët, ashtu siç është një trup i përbashkët Alia dhe Thaçi. Njëjtë është.

Gazeta Fjala: Pse u dorëzuan ushtarët e UÇK-së?

Ushtari: Janë dorëzuar në momentin kur e kanë kuptuar se janë të tradhtuar. Dhe njëri ndër ata më të vjetrit që ishte Sokoli, ka vendos që mos të humb jetëra në një tradhti. Në tradhti është turp të humbet një luftëtarë. Nuk është turp me humb në betejë përballë me armikun, është turp të humbësh i tradhtuar nga ana e brendshme. Prandaj edhe Sokoli ka luajtur një veprim të heroit, i cili do të mbetet gjithmonë në histori.

Gazeta Fjala: Atë ditë në Kumanovë kanë humbur jetët edhe bashkëluftëtarët e juaj. Kush janë ata, sepse ende nuk kemi të dhëna të sakta prej asnjërës palë?

Ushtari: Ende nuk mund të flasim konkretisht sepse shumë prej tyre të dorëzuar janë vrarë, janë pushkatuar pasi janë dorëzuar. Prandaj nuk duhet të ngutemi dhe nuk duhet të ngutemi që ti shqetësomë familjet e tyre, të presim deri në momentin të cilën ata do ti kanë certifikatat e tyre të vdekjes dhe atëherë mund të kemi një numër të saktë. Por njëherë mund të themi që në mesin e tyre ka civil shqiptarë të vrarë. Nuk dua ta humbasë këtë sepse kjo është një realitet i hidhur, ka edhe të plagosur, të vrarë, të torturuar e të gjitha më të këqijat që kanë mundur ti ndodhin.

Gazeta Fjala: Është folur shumë se krejt ky skenar është përgatit nga qeveria Maqedonase, madje ka ardhur në atë pikë që është dyshuar edhe për kufomat që janë gjetur në vendin e sulmit ku ka ndodhur në Kumanovë. Është thënë që ata janë trupat e emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët janë shkelë nga një tren në një aksident të mëhershëm në Maqedoni. Sa ka të vërtetë këtu?

Ushtari: Jo. Gjithçka që është aty, ata të cilët kanë rënë heroikisht dhe të cilët janë bërë kurban të tradhtisë së radhës, sepse i njëjti person i cili e ka bërë këtë tradhti është i njëjti person i Gërdecit i Sopotit, Kondovës, Harun Aliut, Komandant Kushtrimit, i Monstrës, po i njëjti është edhe i Kumanovës.

Gazeta Fjala: A dyshoni se ka trupa të emigrantëve?

Ushtari: Jo, nuk ka. E sqarova që nuk ka trupa të emigrantëve. Ka vetëm ushtarë dhe civil. Ushtarët kanë humbur jetën pasi janë dorëzuar, jo duke luftuar. Por pasi janë dorëzuar ata janë pushkatuar.

Gazeta Fjala: Ju, jeni të sigurt që …

Ushtari: Po, të gjithë janë vrarë të dorëzuar.

Gazeta Fjala: Nuk na treguat në fillim me sa ushtarë keni qenë?

Ushtari: Nuk mundemi të caktojmë numër të saktë sepse aty kanë pasur edhe njerëz, vëllezër tanë të Kumanovës të cilët janë bashkëngjit. Ata të cilët kemi qenë ne nuk mundemi me dhënë një numër të përafërt sepse është turp të ju humbim edhe mundin e tyre. Prandaj aty kanë luftuar djem të cilët ishin tamam të nënave shqiptare.

Gazeta Fjala: Ju keni arritur të depërtoni, të tërhiqeni. Më intereson a ka dal edhe dikush tjetër prej bashkëluftëtarëve tuaj? Sa persona? Prej çfarë kohe deri në çfarë kohe keni  qenë ju aty?

Ushtari: Me një numër bajagi të madh jemi tërheq edhe për atë punë të thash që vetëm tek ne kanë qenë mbi 18 persona qytetarë të cilët kanë kapur pushkën dhe na ka ndalur në ndihmë.

Gazeta Fjala: Nuk keni qenë të gjithë bashkë?

Ushtari: Jo nuk kemi qenë të gjithë bashkë. Aty na janë ofruar edhe vetë qytetarët të cilët e kanë kapur pushkën. Sepse ne kur kemi shkuar, kemi shkuar për ndihmë sepse i kemi pasur nga dy pushkë, në mënyrë që ti furnizojmë edhe të tjerët. Prandaj aty është një numër për të cilin nuk mund të flasim saktësisht. Por, vetëm tek grupi jonë kanë qenë mbi 38.

Gazeta Fjala: Kur thuhet tek grupi juaj, ti ke qenë me 37 ushtarë tjerë. Ku kanë qenë të tjerët: Sokoli, Begu, Mirsadi, ku kanë qenë këta?

Ushtari: Secili ka qenë në pikat e tyre. Begu me Mirsadin kanë pasur pikën e tyre. Sokoli e ka pas pikën e tij. Këto s’kanë qenë pika, por janë zanë tradhtisht dhe ata janë pozicionu në ato vende ku kanë qenë. Malisheva ka qenë në pikën e tyre edhe grupi jonë po ashtu në pikën tonë përballë tyre. Prandaj, është bë një depërtim të cilën duhet të mbetet sekret, sepse në momentet në të cilën tregohen sekretet tona atëherë ne si ushtri dështojmë.

Gazeta Fjala: A mund ta dimë sa ushtarë keni arritur të tërhiqeni?

Ushtari: Kemi arritur të tërhiqemi 19. Sepse 18 prej tyre kanë qenë vet qytetarë të Maqedonisë.

Gazeta Fjala: Çka tash, e thatë më herët që nuk ka përfunduar gjithçka?

Ushtari: Lufta nuk ka përfunduar. Edhe në dëshiromë që të përfundojë lufta, por me imponimet e tyre nuk duam ta përfundojmë deri në realizimin tonë që jemi nisur, për të cilën e kemi marrur atë rrugëtim që shqiptarët ta kenë shtetin e tyre edhe në Maqedoni. Ose shqiptarët e Maqedonisë ti bashkohen edhe shtetit shqiptar. Ka qenë shumë më e mirë edhe e udhës ti bashkohet shtetit të Kosovës, mirëpo shteti i Kosovës ende nuk i ka plotësu kushtet dhe prandaj shteti i Shqipërisë i plotëson kushtet që ti bashkohet. Por në qoftë se edhe shteti Shqiptar i Edi Ramës në krye me të nuk e pranon as sikur atëherë që nuk e pranoj edhe Kosovën, që e dijmë të gjithë, atëherë duhet ta shpallim republikë të Iliridës, që të jetë edhe një shtet tjetër i ri i Shqiptarëve, e emrin Ilirida.

Gazeta Fjala: A mund ta dijmë sa ushtarë i ka UÇK-ja?

Ushtari: Për momentin kemi mbi 2500 ushtarë vetëm në Iliridë, në trojet shqiptare të Maqedonisë.

Gazeta Fjala: UÇK shtrihet edhe në pjesët tjera, jo vetëm në Maqedoni?

Ushtari: Për momentin jemi të shtrirë vetëm në Maqedoni. Ndërkohë do të shtrihemi edhe pozicionohemi edhe më tutje, mirëpo qëllimi kryesor dhe fillimi ka qenë në Maqedoni, pastaj vazhdojmë edhe me Malsinë ku kemi edhe atje shumë të pakënaqur të cilët thuajse e humbën edhe të gjithë ata shqiptarë i kemi atje, thuajse janë të harruar. Ashtu siç u harruan edhe të gjithë edhe të Çamërisë edhe shqiptarët në Mal të Zi, edhe për ata duhet të vazhdojmë, kaq.

Gazeta Fjala: A qëndron prapa UÇK-së, ish struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , që është fol shpesh për politikanët siç është Ramush Haradinaj, përfaqësues të PDK-së apo të Maqedonisë, Ali Ahmeti apo dikush tjetër. A ka prapa UÇK-së politikan të Kosovës që e financojnë ose e ndihmojnë?

Ushtari: Jo, nuk ka. Tri luftat e fundit shqiptare janë qe 15 vite, këtë e di edhe një fëmijë sapo i lindur mund të përgjigjet. Kur ata janë njerëz tanë, njerëz Shqiptarë të cilët kanë luftuar në luftën e Kosovës, dhe kanë bërë fotografi me bashkëluftëtarët e tyre që në mesin e tyre kanë qenë bashkëluftëtarë edhe Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi, Azem Syla e të gjithë këta. Në mesin e tyre kanë qenë bashkluftëtarë edhe në Preshevë, kur disa prej tyre janë sot edhe politikanë, por aty kanë bërë edhe foto, ato foto janë kanë foto të bashkluftëtarëve e nuk kanë qenë foto politike, në mesin e tyre i ki edhe në Maqedoni kur ato foto janë të bashkluftëtarit e nuk janë foto të politikanit. Prandaj, të gjithë këta politikaj janë të ardhur nga UÇK dhe nuk duhet të dyshojmë në këto paragjykimet e kota mund të them.

Gazeta Fjala: Në rastin e Maqedonisë Ali Ahmeti doli se është njëfar forme kundërshtar i juaj, ose bashkorganizator i skenarit siç e thatë edhe më herët. A ndiheni të tradhtuar që këta bashkëluftëtarë me një moment i janë shkëputur një ideali dhe nuk e vazhdojnë rrugën…?

Ushtari: Po e mbyllim me dy fjalë këtë pyetje. Ne kemi qenë të tradhtuar qysh në vitin 2001 kur është nënshkruar marrëveshja e Ohrit, pikë. /Gazeta Fjala/

– See more at: http://gazetafjala.com/analiza/rrefimi-ekskluziv-i-ushtarit-te-uck-se-per-aksionin-e-kumanoves/#sthash.dHy4aKSy.dpuf

Kadare nderohet me një ceremoni në Kongresin amerikan

kadareNë ndërtesën e Kapitolit, në Uashington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.

Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres. Zoti Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare:

“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. …Me të drejtë, Ismail njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, krimet e kryera; edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik.”, – tha ligjvënësi.

Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare  është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.

Në ceremoninë  e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, zoti Engel ja dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të, Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin:

“Jam shumë i gëzuar që organizohet ky takim në Kapitol Hill për shkrimtarin tonë të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, zotin Ismail Kadare. Pikërisht në këtë ndërtesë zoti Kadare ka dhënë një dëshmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri për nevojën që ajo të rreshtohet në rrugën e demokracisë dhe tani, më tepër se 20 vjet më vonë, pikërisht në ndërtesën e Kapitolit Hillit po organizohet një takim për të nderuar veprën e tij, pasi ai mori çmimin në Jerusalem. Kjo ceremoni u realizua me mbështetjen e kongresmenit Eliot Engel. …Kombet e vogla, si kombi shqiptar, kanë nevojë për figura të mëdha, siç është Ismail Kadare, me të cilin shqiptarët identifikohen në botë dhe mund të them se kjo figurë kaq e madhe, ky shkrimtar kaq i madh është letërnjoftimi më i mirë i shqiptarëve të botë,”  – tha zoti Bajrami.

Për veprën letrare të Ismail Kadaresë foli përkthyesi i veprës se tij në anglisht, David Bellos, profesor në Universitetin prestigjioz të Prinstonit. Zoti Bellos, duke u shprehur në mënyre figurative, tha se Kadare është një shkrimtar  që hapi një dritare transparente për Shqipërisë në kushtet e periudhës se komunizmit, kur Shqipëria ishte në fakt një dritare opake.

Zoti Bellos tha se vepra e tij nuk është opozitare në  mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes saj Kadare tregon pasojat gërryese të pushtetit dhe na lejon të kuptojmë thelbin e një shoqërie totalitare. Ai tha se valëvitja e flamurit amerikan mbi Kapitol për nder të Kadaresë është një nder i jashtëzakonshëm për një shkrimtar:

“Mendoj se është një nder i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës;  shkrimtarët e huaj nuk janë shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, dhe  është e rëndësishme që Kadare po nderohet këtu, edhe pse është një shkrimtar  jo amerikan… Të gjitha romanet e tij janë në një fare mënyre për Shqipërinë, por një Shqipëri e veçantë, Shqipëria e Kadaresë; vepra e tij është e lexuar kudo, në Amerikës, apo vende të tjera. Unë mendoj se Ismail Kadare është mes shkrimtarëve më të shquar të kohëve tona, si dhe i të gjitha kohërave.” 

Zoti Bellos tha se është një rast i rrallë, kur përmes aktit të ngritjes së flamurit, Shtetet e Bashkuara nderojnë në fakt jo vetëm Kadarenë, jo vetëm Shqipërinë, por letërsinë në përgjithësi.

Rituali i ngritjes së flamurit amerikan mbi ndërtesën e Kapitolit është një traditë e filluar nga Kongresi amerikan 78 vjet më parë, për të nderuar ngjarje historike dhe individë të shquar, së fundi, mes tyre, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.Për Ditarin, Laura Konda, Uashington.

Dhjetë orë bisedime – pa ndonjë rezultat

gruevski zaevKryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevksi dhe shefi i opozitës Zoran Zaev biseduan deri në mëngjesin e mërkurës në Strasburg, por ende nuk dihen hollësi të bisedimeve

Takimi midis dy drejtuesve politikë maqedonas në Strasburg ka zgjatur për dhjetë orë, në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.

Takimi i ndihmuar nga deputetët e Parlamentit Evropian Ivo Vajgel, Eduard Kukan dhe Richard Houit, ka zgjatur deri pas orës tre të mëngjesit të së mërkurës, siç njofton media maqedonase nga Strasburgu, ndërsa nuk ka shumë hollësi për rezultatet e mundshme të tij.

Përfaqësuesit politikë, Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate kanë njoftuar, secili veç e veç, lehtësuesit evropianë të takimit, përfshirë edhe komisionarin për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit të Bashkimit Evropian Johanes Hahn, me gjendjen e krijuar në Maqedoni pas skandalit të përgjimeve.

Lehtësuesit evropianë, pas takimit, kanë përshëndetur me anë të një komunikate, “përpjekjet e drejtuesve të partive për arritjen e një marrëveshjeje në pajtim me standardet evropiane, e cila do të zgjidhte sfidat që dalin nga kriza. Partitë e konfirmuan përcaktimin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian dhe për parimet demokratike dhe ranë dakord që në rend të parë duhet t’i vendosin interesat e vendit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kuadër, sot Parlamenti Evropian do të debatojë mbi gjendjen në Maqedoni, por nuk pritet të dalë me ndonjë përfundim.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland ka bërë thirrje të martën për një hetim të paanshëm dhe të besueshëm lidhur me akuzat e ngritura nga opozita maqedonase për përgjimin e paligjshëm të njëzet mijë njerëzve.

Në një konferencë të përbashkët shtypi edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Roberto Zannier ka shprehur shqetësim për “rritjen e polarizimeve ndërmjet aktorëve të ndryshëm politikë në Maqedoni”, ndërkohë që ka bërë thirrje për një angazhim të hapur politik.

Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjatë prej disa muajsh.

Zoran Zaev i opozitës ngulë këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe të qeverisë së tij, për t’i hapur rrugë një qeverie të përkohshme që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, zoti Gruevski në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve.

Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz. (voa)

“Shkupi Jo në Nato pa respektuar Ohrin”

Rama nato

Kryeministri paralajmëron Maqedoninë, pas ngjarjeve të Kumanovës: E rrezikshme përpjekja për të bashkuar termin terrorizëm me emrin shqiptar.

Ndërsa në takimin e ministrave të Brendshëm të Ballkanit për cështjet e terrorizmit, po i mëshonte idesë së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe rëndësisë së stabilitetit të tij, kryeministri Edi Rama shprehu dhe një herë shqetësimin për situatën në Maqedoni, pas ngjarjeve të Kumanovës “ku, fatkeqësisht, fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues, i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm, i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”.

Sipas kryeministrit “përzierja e termit terrorist në trajtimin e tragjedisë së Kumanovës është e patolerueshme, siç do të jetë e patolerueshme për shtetin dhe për qeverinë shqiptare, vonesa dhe ende më keq, mungesa e transparencës edhe e drejtësisë. E drejtësisë, për terrorin dhe për dëmet që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”, tha zoti Rama, duke shtuar se “të gjithë dëshirojnë një Maqedoni të qëndrueshme dhe demokratike që të jete pjesë e Natos, por  që s’mund të bëjë pjesë e saj, pa garantuar në frymë dhe në gërmë, vlerat dhe parimet e Aleancës”, nënvizoi zoti Rama duke paralajmëruar “se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Ohrit. Një Maqedoni ku liritë dhe të drejta e njeriut të përkojnë në frymë dhe në germë, me aspiratën e shpallur të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”

Shqipëria është vend anëtar i Natos dhe gëzon të drejtën e vetos, një e drejtë e përdorur që prej 2008 nga Greqia për shkak të konfliktit që ka me Maqedoninë për cështjen e emrit.

Kryeministri Rama theksoi disa herë nevojën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, përballë sfidave të ekstremizmit të dhunshëm.  “Terrorizmi ndërkombëtar vazhdon të përbëjë një kërcënim për këtë rajon, sikundër për të gjithë paqen dhe sigurinë globale. Unë shpresoj që ky takim të mos konfirmojë thjesht gatishmërinë, por edhe vendosmërinë tonë për të mposhtur jo thjesht terrorizmin, kur ai na shfaqet ballë për ballë, por ideologjinë, frymën dhe mekanizmat që e mbështesin atë në çdo vend dhe që e bëjnë atë, një kërcënim befasues”, u shpreh zoti Rama.

Për dy ditë me radhë ministrat e Brendshëm të Ballkanit dhe zyrtarë të vendeve të Bashkimit europian dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat  u përfaqësuan me nënsekretaren e Shtetit për Sigurinë civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut Sarah Sewall, diskutuan për masat e përbashkëta  në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, që nga përfshirja e sa më shumë aktorëve të shoqërisë, te bashkëpunimi dhe koordinimi mes agjencive ligjzbatuese të vendeve të rajonit. (voa)

Shqipëria partnerja e besueshme e Europës – Bushati në Berlin

Steinmeier BushatiNë takimin e dy ministrave të Jashtëm, Steinmeier e Bushati në Berlin u diskutua jo vetëm për krizën në Maqedoni, por edhe mbi pritshmëritë nga konferenca e Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet këtë vit në Vjenë.

Gjermania ka besim tek Shqipëria – dhe vendi kandidat i BE-së është mirënjohës për mbështetjen e lokomotivës së Europës: Ky ishte toni mbizotërues në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit të Jashtëm gjerman, Steinmeier dhe homologut shqiptar, Bushati. Takimi i ministrit të Jashtëm gjerman me ministrin shqiptar Ditmir Bushati i zhvilluar në Berlin të mërkurën ( 20 maj) nxorri në pah edhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, siç e theksoi edhe ministri gjerman Steinmeier në fjalën e tij përshëndetëse. Ministri i Jashtëm gjerman vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtim të BE-së, që nga koha e marrjes së statusit të vendit kandidat. „Shqipëria e ka guximin për të bërë reforma të thella“, tha Steinemeier. Luftimi i korrupsionit, kriminalitetit të organizuar, reforma në drejtësi kërkojnë guxim, tha Steinmeier duke shtuar se nuk dyshon që në Shqipëri ky guxim do të vazhdojë. Qëndrimit dashamirës të ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier, homologu shqiptar, Ditmir Bushati iu përgjigj me tone falënderimi për mbështetjen gjermane në gjithë këto vite që nga rënia e diktaturës. „Kjo mbështetje e inkurajon qeverinë shqiptare të vazhdojë reformat për afrimin e vendit me BE-në“, tha Bushati.

Shqipëria ka interes për një Maqedoni të stabilizuar

Në konferencën për shtyp të dy ministrave të Jashtëm në Berlin vëmendje iu kushtua edhe zhvillimeve të fundit në Maqedoni. Ngjarjet në Kumanovë para më shumë se një jave e tronditën Europën, por edhe e bënë të shohë më me vëmendje drejt rajonit, tha Steinmeier. „Shpresoj që ky të mos jetë fillimi i një shkallëzimi dhe që autoritetet në Maqedoni të përpiqen për zbardhje transparente të incidenteve dhe të kujdesen që të mos kemi incidente të tilla në të ardhmen.“

Mbi ngjarjet në Maqedoni u pozicionua në Berlin edhe ministri i Jashtëm shqiptar. Stabiliteti i Maqedonisë ka për ne si fqinjë të mirë rëndësi të veçantë e po aq e rëndësishme është që të mos preket integriteti territorial i Maqedonisë“ e të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike, u shpreh ministri i Jashtëm Bushati. Në këtë drejtim Shqipëria „do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Europian“ dhe gjithmonë do të luajë një rol konstruktiv në politikën e jashtme, theksoi ai.

Rama merkelKonferenca e Ballkanit Perëndimor: Nga fjalët tek projektet konkrete

Steinmeier përmendi në fjalën e tij edhe angazhimin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ku si „kontribut konkret“ ai përmendi Konferencën e Ballkanit Perëndimor. „Topi tani ndodhet tek fqinjët tanë austriakë dhe do të vazhdojë loja“, tha Steinmeier duke pasur parasysh raundin e ri të konferencës në Vjenë. Shohim se temat po bëhen më konkrete, tha Steinmeier. Do të bëhet fjalë për projekte konkrete infrastrukturore në rajon, për shkëmbimin mes të rinjve dhe çështje që lidhen me shoqërinë civile. „Jemi mirënjohës“ tha ministri i Jashtëm shqiptar që „rajonit i kushtohet vëmendje megjithë këto kohë të vështira. Shpresa e palës shqiptare është që në Vjenë partnerët ballkanikë të paraqesin projekte konnkrete të përbashkëta që do të gjejnë mbështetje. Bushati e vlerësoi procesin e nisur në Berlin si konferenca e Berlinit për Ballkanin Perëndimor si një shtysë që ka sjellë përmirësime edhe në marrëdhëniet me Serbinë.

Por edhe fenomeni i emigrimit nga Kosova dhe në muajt e fundit edhe nga Shqipëria drejt Gjermanisë ka qenë pjesë e bisedimeve të dy ministrave të Jashtëm. Steinmeier lëvdoi shprehimisht palën shqiptare dhe ambasadën gjermane në Tiranë për fushatën sqaruese në vend. (dw)

Maqedoni: A po tregohet sinqeritet për dalje nga kriza?

parlamenti cadraPasi u mbyllën pa rezultat dy takimet e liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni, kryetari i VMRO-DPMNE Nikola Gruevski dhe lideri i opozitës Zaev, janë ulur në tryezën e përbashkët të bisedimeve në Strasburg.

Pas bisedave dhjetë orëshe ku kanë qenë të pranishëm si ndërmjetës tre deputetet e Parlamenitit Evropian – Iwo Weigel, Eduard Kukan dhe Richard Howitt, ku merr pjesë edhe komisari i BE-s për zgjerim Johannes Hahn, është lëshuar një kumtesë në të cilën theksohet se diskutimi ka qenë i sinqertë. Është përshendetur angazhimi i liderëve maqedonas për të punuar arritjen e marveshjes në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. “Liderët e dy partive maqedonase konfirmuan përcaktimin e tyre për integrimin e vendit në BE dhe parimet demokratike dhe u pajtuan se në vend të parë duhet të jenë interesat e shtetit”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga tre eurodeputetët e Parlamentit Evropian. Të gjitha palët që biseduan në Strasburg u pajtuan se është e rëndësishme që takime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Takimi i mbajtur në Strasburg ka qenë i mbyllur për mediat dhe nga liderët maqedonas nuk është dhënë asnjë deklaratë publike.

Maksuti: Ndërkombëtarët duhet të ndihmojnë për qeveri teknike

Analistët politikë në Maqedoni thonë se mbajtja e bisedmieve paralele në Shkup dhe Stazburg është një dëshmi e qartë se ndërkombtarët dhe BE po marin rolin e fuqishëm për ta zgjidhur situatën e rëndë politike dhe krizën në të cilën ka hyrë Maqedonia. Analisti Mersim Maksuti vlerëson, se edhe pse nga bisedimet në Strazburg nuk ka ndonjë rezultat konkret vlen për t’u theksuar serioziteti i qasjes së ndërkombtarëve që tregon hapur se tanimë Maqedonia është bërë top temë dhe agjendë numër një për ndërkombtarët. “Bisedimet që kanë filluar në Strasburg duhet të ndihmojnë në krijimin e kushteteve për formimin e qeverisë teknike, e cila do të ndihmonte për daljen e vendit nga kriza. Situata nuk lejon që bisedimet të zvhillohen me intesitet të ngadalshëm, Maqednosë i duhet një zgjidhje shumë e shpejtë”, thotë Maksuti. Gjithnjë sipas tij, në Maqedoni ështe rezikuar funksionimi i demokracisë, i shtetit juridik dhe janë cënuar vlerat e demokracisë. “Nuk është në pikëpyetje vetëm demokracia mbi të gjitha në pikëpyetje është paqja në vend e në veçanti paqja në rajon. Duke u nisur nga serioziteti i çështjes kërkohet një ndërhyrje e fuqishme e SHBA-së dhe BE-së”, thekson prof. Mersim Maksuti.

Dy botë të ndara

Për ekspertin e mardhënieve ndërkombëtare prof. Denko Malevski fakti që në takimin e Strazburgut ka qenë prezent edhe komisari Johannes Hahn, do të thotë se është ngritur niveli i alarmit për zgjidhjen e problemit serioz në Maqedoni. Kemi dy botë, njëra është bota e diplomacisë evropiane, e cila insiston në dialog dhe dalje nga kriza përmes bisedimeve. “ Nga ana tjetër është bota e jonë, e ndrajeve të thella e cila refuzon çdo lloj bisedimesh, në të cilat do të flitej për përmbajtjen e aferës së përgjimeve para se ajo të ketë një epilog gjyqësor, për të cilën opozita ka dyshim se do të stërzgjatet dhe do të jetë e njëanshme”, thotë Malevski.

Në këtë botë të ndarjeve të thella dhe mosbesimit të skajshëm, të gjitha skenarët janë të mundshëm, ku nuk duhet përjashtuar as mundesia që Gruevski dhe Zaev të ofrojnë dorehqejet e tyre nga funksionet të cilat i kanë. “ Për faktorin ndërkombtar, këtu e kam fjalën për SHBA dhe BE, në këtë periudhë është më e rëndëshime që të mos nxitet dhunë, por të gjendet zgjidhje paqësore për problemin”, vlerëson Malevski.

Analisti Ibrahim Mehmeti thekson, se bisedimet në Strazburg kenë efekt më të madh se ato që zhvillohen në Shkup. Sipas tij hapi i ardhshëm i BE-s do të jetë emërtimi i një personaliteti autoritativ, i cili do të ulet mes Gruevskit dhe Zaeit për të lehtësuar procesin e vendimmarrjes. “Zgjidhjet duhet të gjenden brenda shtetit, por është e qartë se kjo nuk ndodh dhe në një situatë të tillë hapi i ardhshëm mund të jetë emërimi i një personaliteti me autoritet nga BE, që do të jetë i ingranuar në procesin e vendimmarrjes. Duket se është e domosdoshme një ndërhyrje më direkte e faktorit ndërkombëtar”, vlerson Ibrahim Mehmeti.

Porosi dhe apele për zgjidhjen e krizës politike në vazhdimsi po vijnë edhe nga NATO dhe Departamenti Amerkikan i Shtetit. “Me rëndësi është të shmanget dhuna e re, të jemi të sigurtë se instuticionet demokratike janë të zhvilluara, ndërsa të zbatohet sundimi i së drejtës në tërësi” , ka theksuar sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Departamenti Amerikan i Shtetit i bën thirje pozitës dhe opozitës që të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike. Pushteti duhet të bëjë progres dhe të përgjigjet ndaj akuzave të opozitës për keqpërdorimet që dalin nga afera e pergjimeve, ndërsa opozitës i bëhet thirje që të kthehet në parlament. (dw)

Poroshenko: Ukraina në “luftë të vërtetë” me Rusinë

PoroshenkoPresidenti ukrainas Petro Poroshenko thotë se Ukraina është në një “luftë të vërtetë” me Rusinë, jo thjesht me separatistët pro-rusë.

Në një intervistë me BBC-në, zoti Poroshenko paralajmëroi se ai beson se Rusia po përgatit një ofensivë ushtarake për të cilën ukrainasit duhet të jenë të gatshëm. Ai tha se Ukraina nuk duhet t’i japë Rusisë “asnjë shans për provokim”.

Zoti Poroshenko tha se kapja të shtunën e dy ushtarëve rusë në Ukrainën lindore është “provë e fortë” se Rusia qëndron pas lëvizjes separatistë në lindje.

Dje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u takua me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov lidhur me konfliktin në Ukrainën lindore. Stoltenberg bëri thirrjë që t’u jepet fund stërvitjeve ushtarake të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe tha se Rusia duhet të jetë më transparente për aktivitetet e saj ushtarake.

Lavrovi tha para takimit se do t’i dëgjonte shqetësimet e NATO-s.

Presidenti Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë kanë mohuar vazhdimisht se ushtarët rusë janë në Ukrainën Lindore, duke këmbëngulur se rusët që mund të jenë atje, janë “vullnetarë”.  (voa)

Antigua dhe Barduda njeh Kosovën

Antigua dhe BarbuaNjë lajm i mirë ka ardhur për Kosovën. Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi ju deshën më shumë se pesë muaj që ta sjellë një njohje.

Edhe pse për të dicka e tillë dukej shumë e thjeshtë.
Antigua dhe Barduda është njohja më e re për Kosovën. Lajmin për këtë njohje të këtij shteti karabian e ka shpërndarë vetë Thaçi në facebook.

“Lajm i shkëlqyer! Sapo morra njoftimin zyrtar për njohje nga shteti karaibian i Antigua dhe Barbuda. Njohja e Republikës së Kosovës nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare nuk ka të ndalur”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës. (rtk)

Vuçiq në Berlin e Bruksel, veç për Kosovën

Tema kryesore e bisedimeve të kryeministrit serb, Aleksandar Vuciq, gjatë qëndrimit në Bruksel e Berlin, dy ditët e fundit, ishte Kosova.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar shefi i drejtësisë në Beograd, Nikola Selakoviq, në një intervistë për TV Pink.

“Vendet që e përbëjnë boshtin e BE-së, respektivisht Gjermania, janë më së shumti e interesuar për çështjen e raporteve të Beogradit me Prishtinën”, ka thënë ministri i drejtësisë në Serbi, Nikola Selakoviq, i cili ishte bashkë me kryeministrin Aleksandar Vuciq në dy qendrat e rëndësishme evropiane.

Selakoviq bëri të ditur se Vuçiq, gjatë këtyre vizitave, u ka thënë mikpritësve që përsa i përket zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, Serbia e ka kryer punën e saj ndërsa shtoi se ky shtet, pavarësisht problemeve që ka, po respektohet dhe nderohet ndërkombëtarisht.

“Gjatë këtyre vizitave, në dëgjuam muhabete të mira nga Brukseli e Berlini”, ka deklaruar Selakoviq. (rtk)