Tiranë, hapet konkursi për hyrjen e Parkut të Liqenit. Rama: Projekt me vlerë për transformimin e qytetit

edirama9 studio arkitekture të huaja dhe shqiptare kanë nisur garën për të prezantuar koncept-idenë më të mirë për hyrjen e parkut kombëtar në Tiranë.

I pranishëm në çeljen e kësaj gare ishte kryeministri Edi Rama, i cili theksoi ngritjen e një qendre për shërbimet publike që pritet të eleminojë burokracitë që hasin qytetarët.

“Juria synon krijimin e hapësirave me rëndësi të veçantë. Së pari, krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike, një qendër e cila do t’i japë të gjitha shërbimet e përqendruara për publikun përmes një sistemi tërësisht inovativ, që do të përbëjë edhe rrëzimin e të gjitha mureve të burokracisë për të gjithë qytetarët që sot enden nga sporteli në sportel”, tha Rama.

Në projektin e qeverisë parashikohen edhe mjedise për strukturat drejtuese të policisë si dhe zgjerimi i hapësirave të Univeristetit të Tiranës në funksion të gjithë të rinjve.

Kryeministri Edi Rama vleresoi kete faze te pare te  projektit si   teper te rendesihem  per transformimin e qyetit: “Është një projekt që i hap rrugë programit të ri transformues për gjithë parkun e integruar të Tiranës. Qëllimi është që të krijojmë një hapësirë të përbashkët mes hapësirave të ndara ekzistuese të Parkut të Liqenit, Kopshtit Botanik dhe Kopshtit Zoologjik”.

Koncept-idetë që do të paraqiten nga 9 studiot do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga 9 personalite të arkitekturës, të cilët më pas do të përzgjedhin dhe studion fituese.

/ Top Channel

Varoufakis jep dorëheqjen

Ministri grek i Financave kishte shumë shkaqe për gëzim të hënën, sepse rezultati i referendumit ishte sipas dëshirës së tij. Por vetëm një ditë më vonë, u detyrua të japë dorëheqjen. Cilat janë shkaqet?

min fin greqis

Vendimi ishte një befasi e madhe: pak orë pasi festoi fitoren në referendum, ministri i Financave Janis Varoufakis bëri të ditur dorëheqjen e tij nga ky post. Disa anëtarë të Eurogrupit i kishin bërë shumë të qartë se do ta përshëndesnin faktin sikur ai të mos merrte pjesë në të ardhmen në takimet e tyre, kumtoi Varoufakis, në blogun e tij në internet. Largimi i tij nga posti i ministrit të Financave shihet si “një ndihmë potenciale” edhe nga kryeministri Aleksis Cipras. Për këtë shkak ai ka vendosur që sot të largohet nga ministria e Financave.

Pasardhësit e mundshëm

Pasardhësi i Varoufakisit do të emërohet sot (06.07) në takimin e krerëve qeveritarë në Athinë. Takimi është paralajmëruar nga zëdhënsësit e qeverisë. Ndërsa si kandidatë kryesorë për pasardhës të mundshëm të tij konsiderohen ministri i Ekonomisë Georgios Stathakis dhe koordinatori në negociatat me kredidhënësit, Euklid Cakalotos. Në bursa dhe në institucionet ndërkombëtare financiare është pranuar pozitivisht dorëheqja e Varoufakisit, i cili kredidhënësit i ka quajtur si “terroristë dhe shantazhues” të popullit grek. Largimi i tij mund të përmirësojë pozitën e Ciprasit për marrëveshje me partnerët evropianë. Ekspertët thonë se ky vendim sjell pak mirëbesim mes negociatorëve. (dw)

Si mund të afrojë Shqipëria më shumë investitorë gjermanë?

Niveli i shkëlqyer në raportet politike mes Tiranës dhe Berlinit duhet të pasqyrohej në një stad më të lartë të pranisë së investimeve. Si mund të afrojë Shqipëria më shumë investitorë gjermanë?

Merkel-GjokaInxhinieri Kolë Gjoka është njëri nga pjesmarrësit e forumit ekonomik gjermano-shqiptar që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë, në prani dhe të Kancelares Angela Merkel. Gjoka ka rreth dy dekada që jeton dhe punon në Gjermani dhe prej rreth një viti e gjysmë është përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein.

Ai është takuar dhe tri herë të tjera me Kancelaren, por veçon njërin prej tyre, më 22 tetor 2014, në një aktivitet ku ishin pjesmarrës të huaj të suksesshëm të integruar në jetën sociale, ekonomike e politike gjermane. “Vlerësoj shumë mënyrën e gjallë të komunikimit të saj dhe vëmendjen që kushton ajo bashkëbiseduesve. Inspiruese është dhe natyra e thjeshtë dhe miqësore që ajo shfaq me ata që diskuton”, tregon Ing. Kolë Gjoka në bisedën me Deutsche Wellen.

Si i vlerësoni ju aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e biznesit?

Janë marrëdhënie që ecin në rrugën e duhur. Nuk mund të them që janë ato që priten, sepse niveli i shkëlqyer në raportet politike mes Tiranës dhe Berlinit do të duhet të kishte një stad më të lartë të prezencës së investimeve në të dy vendet respektive. Aktualisht fushat ku bashkëpunohet janë energjitika, sektori i nxjerrjes e përpunimit të mineraleve, përmirësimi infrastrukturor, arsimi dual profesional, peshkimi, turizmi malor etj.

E keni parasysh zhvillimin e para pak ditëve në Shqipëri, kur u prezantua investimi gjerman “Tirana Business Park”, TBP, në sektorin e pasurive të paluajtshme nga Grupi Lindner. Një sipërmarrje që synon realizimin e një Parku Biznesi në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në kryeqytet, një qendër ekonomike të standardeve evropiane, që do të shoqërohet dhe me zhvillimin ekonomik dhe social të asaj zone.

Cila është pritmëria juaj nga vizita ditën e mërkurë të Kancelares Angela Merkel?

Jam me fat që do të jem edhe unë pjesë e forumit ekonomik mes dy vendeve tona në prezencën e Kancelares. Vizita e saj patjerër që do të tërheqi më shumë vëmendjen dhe do të ndikojë në forcimin e besueshmërisë në rradhët e investitorëve gjermanë. Ndaj dhe forumi i përbashkët ekonomik mes dy vendeve do të jetë një bilanc për të deritanishmen, si dhe një projeksion për programet dhe projektet afatmesme dhe afatgjata me interes të përbashkët. Forumet janë pika takimi dhe kontakti edhe për nisma private mes bizneseve që operojnë në të njëjtin sektor, një mundësi për bisedime bilateral një nxisin iniciativën e lirë mes partnerëve. Prezenca e Kancelares Merkel është garanci për palët, si ata që do të jenë prezent, ashtu dhe për ata që informacione dhe të dhëna të tilla i marrin përmes medias, apo në rrugë institucionale dhe joinstitucionale.

Këtu ju keni parasysh dhe karakterin rajonal të vizitës së Kancelares?

Sigurisht. Rreth një vit më parë zhvillimi i Konferencës së Berlinit ishte treguesi për interesimin e jashtëzakonshëm por dhe këmbënguljen e Kancelares, të qeverisë gjermane dhe Bashkimit Europian, për të përmirësuar kooperimin mes vendeve të rajonit, si një garanci për forcimin e stabilitetit, afrimin e investitorëve të huaj, të cilat ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Konferenca e Berlinit, që do të pasohet nga ajo e Vjenës, konsiderohet si fillimi i fundit të “eiszeit” në rajonin tonë. Liderët ballkanikë janë të ndërgjegjshëm dhe të bindur për sfidat dhe për mundësitë. Personalisht duke qenë një nga pjesmarrësit e saj, konstatoj me kënaqësi impaktin që ajo po sjell në forcimin e frymës bashkëpunuese për projektet rajonale. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit, përpjekjet që bëhen për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit e të tjerë tregues konkretë, flasin për vullnet nga palët.

Si përfaqësues i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein, cili është angazhimi konkret në këtë aspekt.

Ne vijojmë të lobojmë në mënyrë të vazhdueshme pranë autoriteteve politike dhe ekonomike gjermane për të prezantuar sa më mirë mundësitë dhe kapacitetet që ofron Shqiperia, qofshin mundësi ekonomike, intelektuale dhe zhvillimore. Përveç fushave ku ka kooperim mes dy vendeve, ne jemi të foksuar tek aplikimi i modelit gjerman për reformimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të afruar më shumë investitorë gjermanë?

Ne e kemi thënë vazhdimisht në takime, tryeza pune a konferenca mbi çështjet e biznesit, se ata nuk mund të afrohen kudo. Jo se janë selektivë. Por se një sipërmarrës gjerman kërkon disa kushte serioze të panegociushme: kuadri ligjor i precizuar dhe i zbatueshëm, klimë që nuk favorizon korrupsionin dhe konkurrencën e ndershme. Ata janë korrektë dhe precizë. Por ka dhe faktorë të tjerë që kushtëzojnë faktin nëse një investitor bën apo nuk bën investim, që lidhen me madhësinë e tregut, me karakteristikat e performancës, vendndodhjen, natyrën e produktit a shërbimit etj. Mbi të gjitha duhet që të mbisundojë ligji dhe të ketë instrumente eficente për luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, informalitetit në kuptimin e gjerë etj. Nuk duhet injoruar dhe profili i tyre që kërkojnë projekte konkrete dhe jo fjalë të përgjithshme. Ne duhet të mësohemi të bëjmë dhe të prezantojmë sa më mirë projekte konkrete, të besojmë në aftësitë tona dhe në cilësinë e produkteve dhe shërbimeve “Made in Albania”. (dw)

Bushati: vizita e Merkel historike

Ministri i Jashtëm shqiptar shprehet se vizita e kancelares gjermane në Tiranë dhe në rajon është me rëndësi për marrëdhëniet dypalëshe por dhe vetë Ballkanin

BushatiTë mërkurën e ardhshme kancelarja gjermane Angela Merkel pritet të nis një turne në rajonin e Ballkanit. Ndalesa e parë do të jetë në Shqipëri, për të vijuar më pas me Serbinë dhe Bosnjen. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati e vlerëson këtë vizitë si të një rëndësie historike jo vetëm për vendin e tij por dhe rajonin e të ardhmen e tij: “Gjermania, interes të shtuar për Ballkanin”. Në Tiranë Merkel do të marrë pjesë dhe në forumin ekonomik me sipërmarrës nga të dy vendet

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, pas pak ditësh në Tiranë pritet vizita e kancelares gjermane Angela Merkel, një prej udhëheqësve kryesorë europian. Cfarë domethënie ka kjo vizitë?

Z. Ditmir Bushati:  Së pari është vizita e parë dypalëshe, apo vizita e parë një kancelari gjerman në Shqipëri, sepse ajo e kancelarit Schröder ka qenë në kuadër të krizës në Kosovë. Eshtë takimi i tretë që do të zhvillohet ndërmjet kancelares gjermane dhe kryeministrit Rama. Në këtë kontekst vizita e kancelares gjermane në Tiranë merr një rëndësi historike, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalësh por dhe ecurinë e Shqiërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të procesit të integrimit europian.Eshtë një vizitë e cila do të ketë në qendër të vëmendjes jo thjesht marrëdhëniet dypalëshe në planin politik, ekonomik apo cështjet e sigurisë, por edhe zhvillimet në rajon duke qenë se kancelarja do të vizitojë dhe Serbinë dhe Bosnjen pa Shqipërisë.

 

Zëri i Amerikës: Kancelarja pati një takim para disa ditësh dhe me kryeministrin e Kosovës. Tani Tirana. Serbia, Bosnja… Cfarë domethënie ka dhe për rajonin një vizitë e tillë?

Z. Ditmir Bushati: Së pari Gjermania në planin europian konsiderohet si kontributorja kryesore në rajon gjatë këtyre 25 viteve. Së dyti, është evidente fuqia transformuese që Gjermania ka në rajon, roli i saj i shtuar, aq më shumë gjatë viteve të fundit, kur nga njëra anë duket sikur kemi një ngadalësim të proceseve të zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në disa raste kemi një vëmendje deri diku sporadike ndaj Ballkanit Perëndimor duke e konsideruar këtë tashmë një histori gati të mbyllur, një histori suksesi. Nga ana tjetër, Gjermania, e cila duket se e ka kuptuar shumë qartë rëndësinë gjeoekonomike dhe gjeostrategjike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, dhe kërkon një angazhim edhe më kapilar edhe më të strukturuar, për të ngushtuar hendekun që ekziston sot për sot mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Eshtë po Gjermania e cila është investuar në rrugë diplomatike dhe politike për të lehtësuar dhe ndihmuar proceset e ripajtimit që kanë nisur në Ballkanin Perëndimor. Dhe është po Gjermania, e cila vjet, me iniciativën e kancelares Merkel, dizenjoi një program për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo si zëvendësues ndaj rrugës apo procesit të integrimit europian, por si ndihmues duke patur parasysh gjithnjë nevojat me të cilat përballet rajoni ynë, mungesën e ndërlidhshmërisë, mungesën e komunikimit të plotë, mungesën e një bashkëpunimi rajonal të zhdërvjellët. Dhe shohim që pikërisht në këto fusha, të gjitha vendet po përpiqen të bëjnë progres, falë edhe mbështetjes gjermane.

 

Zëri i Amerikës: Po përse gjithë ky interes i shtuar i Gjermanisë ndaj Ballkanit, i cili sic thatë dhe ju, gati gati është në kontrast me atë të vetë Bashkimit europian?

Z. Ditmir Bushati: Gjermani është vendi me peshën kryesore në BE, dhe besoj se ka kuptuar më së miri rëndësinë gjeopolitike dhe gjeoekonomike që ka Ballkani Perëndimor në raport me Europën, me atë që konsiderohet BE. Kriza në Ukarinë, në Lindjen e Mesme, fenomenet e terrorizmit, fenomenet që kanë ndërtuar apo që kanë vënë në pikëpyetje arkitekturën e sigurisë europiane, kriza greke e cila po shpërfaqet në të gjithë dimensionet e saj, besoj se e kanë bërë Gjermaninë më të vëmendshme për t’u angazhuar së bashku me vende të tjera të BE-së, me institucionet e BE-së dhe me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, dhe pse jo me partnerë në botën e tregut privat, për të mbështetur një angazhim më të struktuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ta transformuar Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë në kuptimin politik, në kuptimin ekonomik të fjalës, cka nuk është i tillë. Dhe Gjermania gjithashtu ka një interes të shtuar në rajonin tonë, gjë e cila shihet me pozitivitet nga të gjitha vendet e tjera të rajonit, për të mos lejuar asnjë vakum që mund të shfrytëzohej nga aktorë të tjerë.

 

Zëri i Amerikës: Sa realiste janë shpresat e vendeve të rajonit ndaj këtij angazhimi të Gjermanisë, duke patur parasysh dhe ato që ju përmendët, Konferencën e Berlinit, konferencvën e radhës që pritet të mbahet në muajin gusht në Austri, për mbështetjen financiare që rajoni i Ballkanit kërkon për infrastrukturën, ndërlidhjen…

Z. Ditmir Bushati: Besoj se duhet të jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe shumë të sinqertë me qytetarët shqiptarë. Ne nuk po presim një thes me para në kuptimin figurative të fjalës nga Gjermania. Ne do të duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë një më një. Ne shpresojmë dhe dëshirojmë të përfitojmë në radhë të parë nga kultura e punës gjermane, nga kultura e të bërit biznes, nga mënyra se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin në rajon, falë mbështetjes gjermane, falë eksperiencës që Gjermania ka në këtë proces. Dhe ne gjithashtu, shpresojmë që të kemi një vëmendje edhe më të shtuar gjermane për të zbatuar një më një të gjitha ato cështje për të cilat ne kemi rënë dakort vjet në konferencën e Berlinit, dhe të shkojmë në konferencën e Vjenës që do të jetë në vetëm pak javë, me një paketë të plotë projektesh për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të duhet të zbatohen në të ardhmen e afërt, dhe shpresoj jo në të ardhmen e largët. Dhe në këtë drejtim besojmë që ndihma dhe prania gjermane do të jetë strumentale për të gjitha vendet e rajonit.

 

Zëri i Amerikës: Duke u kthyer në marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë vizitës së saj, kancelarja Merkel do të marrë pjesë së bashku me kryeministrin Rama dhe në një forum ekonomik. Sa është e gatshme Shqipëria të ofrojë garanci dhe siguri për investimet gjermane dhe praninë e kompanive serioze gjermane

Z. Ditmir Bushati: Ky është një proces në të cilin ne jemi të dedikuar plotësisht. Eshtë një proces i vështirë sepse kërkon një vullnet të hekurt politik, kërkon ndërtimin e institucioneve të forta demokratike, institucioneve ligjzbatuese të cilat kanë një përgjegjësi në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos investimeve gjermane. Disa punë të mira janë bërë në këtë drejtim, edhe me inaugurimin e Parkut të Biznesit, edhe me takimin e madh të biznesit që do të organizohet në praninë e kancelares Merkel dhe ryeministrit Rama. Po punohet me palën gjermane në sektorë strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit, sic është telekomunikacioni, energjia apo portet dhe aeroportet. Dhe ne do të shpresonim dhe do të dëshironim që të punonim në hapjen e shtigjeve të reja për të mundësuar një prani edhe më të madhe të kompanive gjermane këtu. Dhe për të bërë biseda dhe aktivitete më të strukturuara, sic dhe kanë nisur, me landet gjermane, sepse dihet pesha e tyre dhe interesi për të qenë të pranishëm në këtë pjesë të Europës.

Arrestohet vrasësi i turistëve. Sokol Mjacaj, i dënuar më parë për vrasjen e një 12-vjeçari

Pas një operacioni policor 16 orësh, policia arrestoi të dyshuarin si vrasës të turistëve çekë.

arestimi20-vjeçari Sokol Fran Mjacaj, iu dorëzua rrethimit policor në ambientet e një shkolle në fshatin Grudë në Dukagjin. 20-vjeçari i armatosur, edhe pse ka bërë rezistencë për të mos u dorëzuar, nuk ka qëlluar me armë ndaj policisë, por i është dorëzuar thirrjeve pasi ishte i rrethuar.

Policia e ndoqi Mjacën për më shumë se 16 orë, pak çaste pasi kishte dalë në përfundimin se provat rrethanore të gjetura në vendin e ngjarjen, gjurmët e gjetura në automjet dhe prova të tjera materiale të sekuestruara në vendin, ku u vranë dy çekët, të çonin në përfundimin  se ai është i dyshuar si vrasës i tyre.

Në operacion u përfshinë më shumë se 350 policë mes të cilëve forcat RENEA si edhe ato të ndërhyrjes së shpejte, të cilët i krijuan përshtypjen edhe të dyshuarit se nuk do të kishte mundësi të largohej nga fshati Grudë, ku strehohej, në drejtim të kufirit.

Më herët, policia ja kishte bërë të ditur banorëve të zonës se do të penalizohej kushdo që do t’i jepte ndihmë dhe do të strehonte Mjacajn, ndaj edhe vetë i dyshuari gjeti të vetmen strehë si ndihmë një ndërtesë dykatëshe, në afërsi të shkollës 9-vjeçare.

Ai u shoqërua drejt qelive të komisariatit të Malësisë së Madhe. Mjacaj do të akuzohet për dy vrasje. Paraprakisht dyshohet nga policia se edhe këtë vrasje e kreu me qëllim grabitjeje.

Mjacaj, që kishte lënë gjurmë edhe në automjetin e turistëve, ishte një i dënuar i mëparshëm dhe në kartelën e tij kriminale rëndon edhe vrasja e një 12-vjeçari, vetëm për t’i vjedhur zinxhirin e floririt që fëmija mbante. I ndihmuar në 2010-ën edhe nga dy shokë të tjerë të tij, ai e vrau 12-vjeçarin vetëm për ta grabitur. U përpoq të fshihte krimin, duke sajuar një vendngjarje sikur ai u mbyt në lumë, në fshatin Pjollë të Dukagjinit, por hetimet policore dolën në përfundimin se fëmija ishte vrarë.

Ai e mbyti fëmijën me sende të forta. Vetë Mjacaj e pranoi këtë vrasje dhe përfitoi ulje të dënimit, për shkak se ishte në moshë të mitur kur kreu vrasjen e parë.

Ai mori një tjetër ulje dënimi në Apel, çka i dha mundësinë të dilte nga burgu pas pesë vjetësh për këtë krim të kryer, ndërsa njeriu që e ndihmoi në krim mori dënimin me burgim të përjetshëm.

/ Top Channel

Grekët u thonë jo reformave

Në Greqi janë mbyllur pikat e votimit për referendumin për reformat e propozuara nga trojka. Zyrtarisht grekët kanë votuar për politikën e kursimeve, por në lojë janë edhe shumë gjëra të tjera.

referendumi jo greqiRreth 10 milionë grekë kanë pasur të drejtën e votimit në referendumin e sotëm historik, ku kanë vendosur nëse ky vend do të vazhdojë reformat dhe kursimet e kërkuara nga Trojka, apo do t’i refuzojë ato. Në bazë të rezultateve të para shumica e grekëve (61,32 %) kanë votuar në referendum kundër reformave dhe kursimeve të propozuara nga Trojka. Partitë në pushtet kanë filluar festimet, pasi që qeveria greke kishte kërkuar që në referendumt’i thuhet jo kërkesave të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Autoritetet greke kanë bërë ditur se menjëherë do të kërkojnë vazhdimin e negociatave me autoritetet në Bruksel, por mbi mandatin e fituar nga populli. Referendumi është paralajmëruar si vendimtar për drejtimin e Greqisë, e cila gjendet para falimentimit, si dhe për qeverinë e re në krye me Aleksis Cipras. Referendumi i sotëm mund të jetë vendimtar edhe për mbejten e Greqisë në Eurozonë.

Cipras: “Kapitulli i ri për Evropën”

Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras ka deklaruar pas votimit të sotëm se votimi kundër e forcon pozicionin e Greqisë në negociata me kreditorët. “Dikush mund ta injorojë vullnetin e një qeverie, por jo edhe të një populli”, tha Cipras, duke shtuar se “të hënën do të hapet një kapitull i ri për Evropën. Të njëjtin apel ka dërguar edhe ministri i Financave Janis Varoufakis.

Greqia hyn në histori

Më 30 qershor, Greqia hyri në histori, duke u bërë vendi i parë i industrializuar që nuk i kthen një kredi FMN-së, një ngjarje që shqetësoi tregjet financiare botërore dhe ato në Eurozonë. Votimi ka bërë që grekët majtistë dhe evropianët të jenë në kampe të ndryshme. Të premten, u mbajtën në Athinë dy mitingje masive në mbështetje të kampeve opozitare, duke shkaktuar skepticizëm tek grekët në botën e jashtme. Por referendumi ka polarizuar edhe Evropën. Mijëra vetë kanë demonstruar në disa kryeqytete evropiane në mbështetje të një vote ‘jo’ si përgjigje ndaj drejtuesve të Eurozonës, duke përfshirë edhe kancelaren Angela Merkel, që ka bërë thirrje që të votohet me ‘po’.

Kancelarja Merkel njoftohet se do të udhëtojë të hënën pasdite për në Paris për të biseduar për Greqinë me presidentin Hollande. Kryeministri Aleksis Cipras ka zhvilluar ndërkohë edhe një bisedë telefonike me presidentin francez Holande.

Në regaimet e para gjermane thuhet se pozicioni për negociata me qeverinë greke është shumë i rëndë. Krerët e socialdemokratëve kanë kërkuar që të hënën në Bruksel të mbahet një samit i vendeve anëtare të Eurozonës – në nivel kryeministrash. (dw)

 

E çka tani? Në Bruksel nuk ka ndonjë lëvizje

A është përgjigja negative në referendum edhe një jo për euron? A do të ketë negociata të tjera? Shteti grek ka nevojë emergjente për para, sepse ai de facto ka falimentuar.

referendumi greqiNë Bruksel nuk ka pozicionime zyrtare të tri institucioneve, të cilat me muaj të tërë kanë negociuar pa sukses me qeverinë greke. Pas përgjigjes negative në referendum nuk ka përgjigje zyrtare, por nga burimet e informuara mirë merret vesh se Eurogrupi dhe Komisioni i BE-së nuk janë të gatshme që të hënën të vazhdojnë negociatat me qeverinë greke. Ministri grek i Financave Yanis Varoufakis ka paralajmëruar pas votimit sot se brenda 24 orësh mund të arrihet një marrëveshje. Kjo është pak e besueshme, sepse në tavolinën e negociatave nuk ka asgjë të re, për të cilët duhet negociuar. Varoufakis u pendua në mbrëmje dhe përmes një “tweet-i” tha se ai ka folur në mënyrën kushtore.

Pritet kërkesa e Athinës

Kryeministri grek Aleksis Cipras ka kërkuar të mërkurën e kaluar një paketë ndihmash prej 29 miliardë euro, si dhe ristrukturimin e borxheve. Tani 18 ministrat e tjerë të Eurogrupit së pari duan të dinë nëse kjo kërkesë vlenë ende dhe cilat janë masat që Greqia do të plotësojë. Një takim i ministrave të financave do të ishte i mundur ditën e martë, thuhet në Bruksel. Por të hënën mund të mbahet një takim i sekretarëve të shtetit në ministritë e financave, të cilët duhet të përgatisin takimin e ministrave. Më vonë gjatë javës mund të ketë një takim edhe në nivelin e kryeministrave të Eurogrupit apo të gjithë Bashkimit Evropian.

Procedurat e sakta

Të gjitha këto takime nuk i zëvendësojnë negociatat në nivel ekspertësh dhe rregullat e përcaktuara në Programin e Obmrellës për Shpëtimin, ESM. Para dhënies së kredive të tjera duhet të vlerësohet gjendja financiare në Greqi, e cila është keqësuar shumë në pesë muajt e fundit, prej ardhjes së Syriza në pushtet. Ndërkohë që marrëveshja e ESM parashikon që me Greqinë duhet të nënshkruhet marrëveshja kaq e urryer në Athinë: “Memorandum of Understanding”. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, ka paralajmëruar para referendumit se me Greqinë duhet filluar në fakt nga zero. Schäuble-s i duhet edhe një mandat tjetër i Bundestagut. Edhe sikur të gjitha gjërat të shkonin shumë mirë, për të gjithë këta hapa nevojiten dy deri në tri javë.

Merkel shkon së pari në Paris

Të hënën kancelarja Merkel do të shkojë fillimisht në Paris ku do të takohet me presidentin francez Francois Hollande. Javët e fundit ata kanë biseduar disa herë edhe personalisht me kryeministrin grek Cipras dhe janë përpjekur të ndërmjetësojnë. Gjatë fushatës para referendumit Cipras ka folur për presione dhe shantazhe të kredidhënësve. Ndërsa ministri i tij i Financave i ka quajtur partnerët edhe si terroristë. Diplomatët thonë se kjo nuk e ka ndihmuar shumë atmosferën për negociata të mundshme.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka deklaruar në prag të referendumit se Greqia është fare pranë largimit nga zona e euros. “Kjo varet nga referendumi: nëse thonë jo, duhet të fusin një monedhë të re në përdorim, sepse ata nuk kanë më euro për të paguar obligimet. Si do t’i pagujanë rrogat dhe pensionet? Në momentin kur një vend fut në përdorim një monedhë tjetër, ai del nga Eurozona”, tha Schulz në një intervistë për Deutschlandfunk. Presidenti i PE i cili kohët e fundit ka këshilluar shpesh kryeministrin Cipras tha se përgjigja jo në referendum nuk paraqet ndonjë bazë për negociata të reja. Schultz mendon se për Greqinë janë të mundura vetëm kreditë emergjente për popullatën greke, nga arka e përbashkët e BE-së. Grekët i kanë hedhur poshtë propozimet e fundit. Ndaj mbetet të shihet se cilat do të jenë propozimet e reja të qeverisë greke. Evropa funksionon mbi bazën e komrpomiseve, ndërkohë që krerët e Greqisë kanë refuzuar së fundi të gjitha kompromiset.

Vetëm BQE mund të ndihmojë Greqinë

Nëse synohet të arrihet marrëveshje për programin e tretë të ESM për Greqinë, atëherë duhet të veprohet shpejt, sepse shteti de facto ka falimentuar. Këtë e ka bërë të ditur të shtunën shefi i ESM, Klaus Regling. Spekulohet se bankat greke do të mbeten të hënën pa para të gatshme. Bannka Qendrore Evropiane i ka mbuluar deri tani nevojat e Greqisë me kredi emergjente prej 90 miliardë eurosh, të cilat mund të shpenzohen për 24 orë. Banka kombëtare greke ka bërë të ditur se do të kërkojë kredi të reja dhe kjo mund të vendoset nga BQE të hënën. Këshilli i BQW nuk është mbase edne i gatshëm të heqë dorë nga Greqia. Anëtari i drejtorisë së BQE, Benoit Coeure, ka bërë të ditur të dielën se BQE mund të ofrojë ndihma. Qeveria greke ka hedhur poshtë të dielën spekulimet për mundësinë e futjes në përdorim të një monedhe paralele. Rregullat parashikojnë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të përfshihet në negociata, kur është e mundur. Por pas refuzimit të Greqisë që të kryejë obligimet ndaj tij, FMN-ja me siguri që nuk është tepër i gatshëm të ndihmojë. (dw)

 

Një burrë me instikt për pushtet

Ai cilësohet si radikal i majtë dhe i paparashikueshëm. Po të shohësh biografinë e tij, atëherë të bie në sy një gjë. Kryeministri grek Cipras përshtatet. A do të mund të përshtatet edhe tani?

TsiprasËshtë viti 1990. Në studion e kanalit privat ANT1 në Athinë rrinë përballë njëri-tjetrit një nga gazetaret më të njohura të Greqisë dhe një nxënës, që nuk i ka mbushur ende të gjashtëmbëdhjetat. Është koha e protestave të ashpra të nxënësve dhe gjimnazisti është njëri prej drejtuesve të tyre. “Tête-à-tête” quhet emisioni njëorësh dhe Anna Panajotarea do të dijë se çfarë i preokupon të rinjtë. Pyetjet e saj nuk janë të thjeshta, por bashkëbiseduesi i përgjigjet me shumë zgjuarsi Në fund të emisionit gazetarja mjaft e impresionuar i thotë të ftuarit të saj: “Aleksis, kur të takohemi sërish pas 20 vjetësh, ke për të qenë kryeministër i vendit.”

Gazetarja u gabua me katër vjet. Aleksis Cipras u bë kryeministër, kur mbushi të dyzetat.

Aleksisi “i dashur”

Cipras u lind më 28 korrik 1974, katër ditë pas përfundimit të diktaturës ushtarake. Babai i tij, një sipërmarrës ndërtimesh, ishte votues i PASOK-ut. Motra dhe vëllai, të dy më të mëdhenj, ishin anëtarë të organizatës rinore të Partisë Komuniste. Në moshën 16-vjeçare edhe ai hyri në këtë organizatë. Në të njëjtën kohë ai ishte tifoz i zjarrtë i Panathinaikos të Athinës. A është e mundur kjo – komunist i ri dhe tifoz i klubeve të futbollit të establishmentit politik dhe ekonomik?

Siç pranon Cipras më vonë, një pjesë të socializimit të tij e ka bërë në rangjet e të “gjelbërve”. Në vitin 2009 ai kundërshtoi ndërtimin e një qendre tregtare pranë vendit, ku ishte planifikuar të ndërtohej stadiumi. Ndërtimi bie, Cipras përjashtohet nga festa e 100-vjetorit të klubit të tij, në lojërat brenda vendit ai nuk është më i dëshiruar. Thonë se kjo e ka goditur rëndë.

Këtu del në pah një tipar i rëndësishëm i tij: rezistenca. Ndërsa në opinion ai ka imazhin e një dhëndri të mirë, Aleksis Cipras është në gjendje të godasë fort. Qoftë anëtarëve të partisë, ashtu edhe kundërshtarëve politikë, shpesh u është dashur të pësojnë me humbje, dhe të shohin se sa i ashpër ka qenë reagimi i Aleksisit të dashur, të edukuar, në dukje të parrezikshëm. Por Cipras ka cilësi të forta reaguese. Talljen, fyerjet, që shpesh i është dashur t’i dëgjojë nga politikanët “e formuar”, nuk i përfillte. Ai e ka kuptuar, se është pjesë e biznesit politik të sulmojnë njeri-tjetrin para kamerave televizive. Pastaj i shkelnin syrin njëri-tjetrit me moton: merre me të lehtë.

Pragmatiku

Cipras nuk është njëri dogmatik. Ai ka provuar se mund të ndryshojë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që Syriza brenda pak vitesh thuajse i ka dhjetëfishuar rezultatet e saj në zgjedhje. Por a ka ai bindje? Nëse ka, duket se nuk e pengojnë për t’iu përshtatur ndryshimit të kushteve. Sepse Cipras është në radhë të parë pragmatist. Menjëherë pasi u bë kryetar i partisë në vitin 2008, ai pohoi hapur në një intervistë, se partia e tij nuk përbën alternativë qeverisëse. Kur pak kohë më vonë shpërtheu kriza e borxheve dhe partitë e vjetra në pushtet, PASOK dhe Nea Dimokratia, po hynin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, Cipras nuhati shansin e tij.

Pas konflikteve të ashpra të fillimit, në vitin 2012 ai krijoi nga aleanca e partive dhe e organizatave Syriza, një parti të unifikuar. Si rrjedhojë ai filloi të ndryshojë orientimin e Syrizës. Për një parti të vogël socialiste të krahut të majtë prej katër përqindësh programi antikapitalist mund të jetë i rëndësishëm për t’i mbajtur të shtrënguara radhët. Por për të hapur portën për marrjen e qeverisë, në shtetin e BE-së Greqi, nevojiten pozicione në përputhje me tregun.

Me turma shkuan votuesit e rinj te Syriza. Cipras e dinte se këta qytetarë nuk donin një ndryshim sistemi, por dëshironin një politikë më të mirë reformuese. Partia mori përsipër drejtimin e qeverisë, pa përfunduar procesin e përshtatjes brenda partisë. Një proces, që është i nevojshëm, për të përmbushur pritjet e votuesve të rinj. Në radhë të parë krahu i majtë i partisë, i cili përfaqëson të paktën një të tretën e anëtarëve, jo rrallë është i mbingarkuar nga ritmi i shpejtë i kryetarit të tij.

Tensionet e fshehura dolën hapur në pah në bisedimet për përmbylljen e paketës së dytë të kredisë. Të majtët e partisë u tmerruan, që Cipras po pranonte masat e gjera të kursimeve. Argumenti i tyre ishte, se u është premtuar diçka tjetër zgjedhësve. Megjithatë, si shpesh në të kaluarën, u bë një kompromis: Nëse propozimi i kredidhënësve do të shoqërohej me ristrukturimin e borxhit, kjo do të votohej në parlament. Por këtë pikë Cipras nuk e përballoi dot. Për të mos iu nënshtruar një humbjeje në votim, ai vendosi për referendumin.

Llogaria” e Cipras mund të jetë kjo: Edhe në qoftë se ai do ta humbasë referendumin, askush nuk do ta anashkalojë dot Syrizën. Partitë e vjetra në pushtet, Nea Dimokratia dhe PASOK-u janë ende shumë të diskredituara në sytë e votuesve, sa të mund të bëhen një kërcënim serioz për Syrizën në zgjedhjet e reja.

Por pyetja e vetme relevante, së cilës Cipras nuk mund t’i përgjigjet, është: Si do të sillen kredidhënësit të hënën? (dw)

Merkel: Integrimi i Serbisë në BE varet nga dialogu me Kosovën

MerkelHapja e kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në BE vare shumë nga progresi i dialogut mes Beogradit e Prishtinës.

Hapja e kapitujve të parë për fillimin e bisedimeve në mes të Serbisë e Bashkimit Europian, varet shumë nga progresi që bëhet në raportet mes Beogradit e Prishtinës, ka thënë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një intervistë, pak ditë para udhëtimit të saj për në Beograd, njofton Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Bashkimi Europian kërkon nga Kosova dhe Serbia që të bisedojnë, tha Merkel, e cila do ta vizitojë Beogradin me 8-9 korrik.

Ka edhe shumë për t’u bërë, por gjithsesi ka shenja progresi, dhe ne po bëjmë përpjekje që të përshpejtojmë procesin, deklaroi Merkel.

E pyetur për opinionin e saj sa u përket marrëdhënieve shtetërore në mes Serbisë dhe Shqipërisë, Merkel ka thënë se vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi pas një kohe kaq të gjatë, është shenjë shprese.

Ajo ka thënë se Shqipëria dhe Serbia kanë punuar mjaft shumë për të përmbushur objektivat e Konferencës së Shteteve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në gusht të vitit të kaluar.

Sa i përket integrimit Europoan, Merkel ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor, kanë thënë shenja të qarta se perspektiva e tyre është Bashkimi Europian.

“Besojmë se integrimi është mënyra e vetme për t’i zgjidhur konfliktet në mes këtyre shteteve. Pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat ballafaqohemi, në këtë drejtim ka mjaft progres”, ka thënë Merkel, e cila do të vizitojë edhe Shqipërinë edhe Bosnje-Hercegovinën gjatë turit të saj në Ballkan. (klan)