Qendra e traumave

ndihma e shpejteStudimi i ri nga Universiteti i Kalifornisë në Davis vlerëson se qendrat e traumave në spitale universitare ofrojnë përvojën më të mirë për kirurgët ushtarakë që një ditë të punojnë në një zonë luftimesh. Marina amerikane është duke përgatitur grupe të zgjedhura nga departamenti i saj mjekësor në një nga qendrat më të ngarkuara emergjente në vend.

Qendra e traumës së shkallës së parë është pajisur për të trajtuar plagët më të rënda. Puna këtu në departamentin e emergjencës është ndryshe nga çdo punë tjetër në spital.
“Duhet të jesh në gjendje të veprosh menjëherë, pa përgatitje paraprake dhe pa ditur se çfarë do të ndodhë.”

Nga të shtënat me armë, plagët me thikë,  e deri në aksidente të rënda me makina, në këtë qendër trajtohen mesatarisht 20 raste të rënda në ditë.  Ky është Departamenti i Emergjencave në Universitetin e Los Angeles-it.
Aty ndodhet edhe  Qendra e trajnimit të Traumave të  marinës, ku infermierja Jessica Naranjo po kryen përgatitje intensive prej 21 ditësh para se të shkojë në një zonë luftimi.

“Është tronditëse dhe e frikëshme. Këtu shihni një manekin që ka një plagë të madhe nga shpërthimi, e dini se është kukull. Por kur shikoni një njeri të vijë me plagë me armë zjarri dhe zorrë të varura, ajo na jep një ndjenjë ndryshe të urgjencës.”

Naranjo dhe shumica e shokëve të saj së shpejti do të vendosen në Afganistan. Kirurgët, infermieret dhe personeli spitalor thonë se trajnimi në një mjedis të tillë, jo vetëm mpreh aftësitë e veçanta për mjekësi emergjente, por gjithashtu i përgatit ata të jenë të vendosur.

“Ju duhet të jeni në gjendje të mendoni dhe të reagoni. Kur keni një pacient që ka një plagë thike në bark, ju duhet të mendoni mbi plagën, gjakëderdhjen, ku do ta dërgoni, në dhomën e urgjencës? ose çfarë duhet të bëni.”

Ideja e një qendre trajnimi të traumës ushtarake e ka zanafillën nga përvoja e Luftës së parë të Gjirit persik, rreth 25 vjet më parë.

Jeff Ricks, mjek ushtarak thotë:
“Si ushtri në përgjithësi, ne nuk bëmë një punë të mirë për të siguruar trajtim të efektshëm në një mjedis me burime të kufizuara”.

Mjeku Jeff  Ricks thotë se për të qenë më efektiv në zona lufte, personeli ushtarak mjekësor duhet të marrë më shumë përvojë nga qendrat e traumave përpara se të shkojë në një zonë konflikti.

“Në operacionet në kohë paqeje ju nuk ekspozoheni shumë ndaj mjekësisë që merret me trauma, dhe që është e nevojshme.”

Por ka vetëm tre qendrat e trajnimi si kjo për ushtrinë amerikane. Shumë njerëz në komunitetin mjekësor ushtarak do të donin të kishte më shumë partneritet me qendrat universitare të traumave.

“Një gjë e tillë na ndihmon për të qënë më të  përgatitura në një mjedis real traumash”.  

Një aftësi që Jessica Naranjo pret ta përdorë kur të shkojë në Afganistan. (voa)

 

Konferenca për Sirinë – u arrit më tepër se sa pritej

17 shtete pjesëmarrëse në konferencën për Sirinë në Vjenë bien dakord mbi parimet bazë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Siri. Pas dy javësh ministrat e Jashtëm takohen përsëri për “të ruajtur dinamikën”.

Konferenca per Sirine VjenePalët pjesëmarrëse në konferencën për Sirinë në Vjenë ranë dakord mbi parimet bazë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në këtë vend të shkatërruar nga lufta. Pjesëmarrësit u shprehën për armëpushim dhe krijimin e një qeverie të përkohëshme.

Në deklaratën e përbashkët u fol edhe për dallime të mëtejshme serioze. Sipas ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ndër to bën pjesë çështja e së ardhmes të presidentit sirian Bashar al-Asad, qeveria e të cilit nuk ishte i ftuar në konferencë.

Megjithatë në Vjenë ishte rënë dakord për më tepër se sa pritej. Pas dy javësh ministrat do të takohen përsëri për “të ruajtur dinamikën”.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve është edhe në mesin e shteteve perëndimore se sa kohë duhet të qëndrojë Assadi në pushtet. Franca është për një largim sa më të shpejtë të Assadit, ndërsa vendet të tjera si Gjermania mund të përfytyrojnë edhe një zgjidhje kalimtare.

Komunikatë e përbashkët

Pas takimit disaorësh u shpërnda një komunikatë me nëntë pika. Në të si pikë e parë përmendet ruajtja si njësi shtetërore e Sirisë dhe karakteri i saj shekullar si elemente themelore. Përveç kësaj të drejtat e të gjithë sirianëve duhet të mbrohen – pavarësisht nga orientimi i tyre fetar. Së bashku me Kombet e Bashkuara pritet të diskutohet për modalitetet e një armëpushimi. Gjithashtu në të gjithë Sirinë duhet të mundësohen ndihmat humanitare. Po ashtu qeveria dhe opozita duhet të ftohen nga OKB-ja për të diskutuar fillimin e një procesi politik, të ndjekur nga krijimi i një qeverie kalimtare, një kushtetutë e re dhe zgjedhje.

Në konferencë morë pjesë 17 shtete, ndër to SHBA, Rusia, Irani dhe Arabia Saudite, Kina, Egjipti, Iraku, Jordania, Libani, Omani, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe si dhe përfaqëuses të BE-së dhe të OKB-së.

Irani, aleati më i afërt i Asadit, mbështet milicinë shiite Hezbollah, nga nga ndihma e saj ushtarake e së cilës varet Asadi. Edhe Rusia është aleate e Assadit dhe ka nisur që nga shtatori sulmet ajrore kundër rebelëve – përfshirë dhe ndaj atyre që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (dw)

Një avion rus rrezohet në Sinai të Egjiptit

Në avionin e rrëzuar në gadishullin e Sinait ndodheshin 224 persona.

EgjiptiZyrtarët egjiptian thanë se një avion rus i pasagjerëve me 224 veta në bord, u rrëzua në gadishullin e Sinait, pak kohë pasi fluturoi nga qendra turistike në Sharm-el Sheikh.

Njoftimet e para bëjnë të ditur se avioni ishte një Airbus A-321 me 217 udhëtarë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit.

Autoritetet po kërkojnë avionin dhe tash për tash nuk ka asnjë njoftim per viktimat e mundshme.

Informatat për rrëzimin pasuan njoftimin e kontrollit ajror të Egjiptit për humbjen e kontaktit me avionin më pak se gjysmë ore pas fluturimit, pak para orës 6 sipas kohës lokale.

Avioni po fluturonte drejt Shën Peterburgut në Rusi. (voa)

 

Bugajski: Bllokimi i institucioneve dëmton stabilitetin e Kosovës

Analisti BugajskiAnalisti i Ballkanit, Janusz Bugajski, thotë se bllokimi i institucioneve  nga  opozita në Kosovë, vë në rrezik stabilitetin e vendit. Por zoti Bugajski, studiues në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, fajëson edhe qeverinë që nuk ka diskutuar dhe shpjeguar hapur hollësitë e marrëveshjeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bugajski thotë se gjendja e krijuar në Kosovë u jep argumente atyre që thonë se ajo është një shtet i dështuar. Analisti Bugajski analizon edhe situatën e përgjithshme në rajon dhe ndikimin që po përpiqet të ushtrojë Rusia.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, Kosova sapo ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian që në të ardhmen afatgjatë do të sjellë përfitime për vendin dhe qytetarët e tij. Por çfarë tregon fakti që kjo arritje u la në hije nga tensionet politike mes opozitës dhe qeverisë dhe përplasjeve në parlament?

Janusz Bugajski: Mendoj se tregon nivelin e lartë të zhgënjimit në shoqërinë e Kosovës por edhe përçarjet e thella politike që po ndodhin në Kosovë. Është pothuajse e njëjta gjendje që kam parë në Shqipëri gjatë viteve: polarizim, dyshime, mosbesim. Dhe për fat të keq opozita në Kosovë po bën një lojë që do të thoja se në të ardhmen afatgjatë e dëmton stabilitetin e vendit dhe e kam fjalën për bllokimin e institucioneve, madje jo vetëm bllokim por sabotim të institucioneve, që në një farë mënyre i diskrediton këto institucione, diskrediton çdo parti politike në sytë e publikut dhe kjo është më e keqja që mund të bësh. Institucionet duhet të funksionojnë pavarësisht nga kundërshtimet ndaj politikave të qeverisë dhe debate duhet të bëhen brenda strukturës së institucioneve, pra në parlament. Do të thoja që në një kohë kur Kosova po shënon përparim drejt Bashkimit Evropian, bllokimi i parlamentit, e frenon, e dëmton dhe e vonon atë proces.

Zëri i Amerikës: Le ta zbërthejmë këtë që po thoni ju: ju po flisni për mënyrat se si opozita po e shpreh kundërshtimin ndaj qeverisë.  Në fillim le të diskutojmë për metodat që do të sugjeronit ju për t’i shprehur këto kundërshtime dhe më pas për argumentet që ata kanë…

Janusz Bugajski: Debati për marrëveshjen me Serbinë duhet të bëhet i hapur në parlament sado që të zgjasë, të bëhet në arenën publike. Nuk e ka fajin vetëm opozita. Unë mendoj se qeveria ka faj që nuk ia ka shpjeguar publikut, parlamentit, hollësitë e këtyre marrëveshjeve dhe se çfarë do të sjellin ato. Kjo krijon dyshime, akuza se qeveria po fsheh diçka, se ky mund të jetë hapi parë drejt ndarjes, ose një strukturë e ngjashme me atë të Bosnje-Hercegovinës. Kjo lejon shumë hapësirë për spekullim. Unë do të doja të shihja një debat të hapur dhe publik në parlament, por edhe në media.

Zëri i Amerikës:  Shkaku i krizës është kërkesa e opozitës për t’u tërhequr nga këto marrëveshje me Serbinë dhe Malin e Zi.  A mendoni se këto kërkesa janë të arsyeshme?

Janusz Bugajski: Të kesh një mendim të tillë për marrëveshjet, është diçka e arsyeshme. Nëse Kosova nuk përfiton prej tyre, sigurisht qeveria duhet t’i ndryshojë, t’u rikthehet atyre. Por ne nuk e dimë nëse Kosova do të përfitojë prej tyre, nëse ato nuk diskutohen dhe shpjegohen hapur. Opozita duhet të shpjegojë se pse është kundër këtyre marrëveshjeve në arenën publike. Nuk mund thjesht të bllokojë një institucion ku mund të diskutohen këto çështje. Problemi që kam unë është se nëse bllokohet institucioni, bllokohet edhe debati dhe si rezultat nuk ka përparim.  Përveç kësaj bllokohen edhe ligje të tjera siç janë hapat e rëndësishme për MSA-në. Parlamenti duhet të funksionojë që të mund të miratojë ligje të ndryshme që të bëjë përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës:  Por këto marrëveshje janë arritur pas një procesi me Bashkimin Evropian dhe Serbinë, ka pasur negociata delikate, shumë takime. Nëse hap këtë debat, mund të krijohet përshtypja se mund të ketë ndonjë shteg për ndryshim, por ndoshta kjo mundësi nuk ekziston, sepse Bashkimi Evropian mund të thotë jo. A është ky një skenar realist?

Janusz Bugajski: Opozita pretendon se marrëveshja nuk është diskutuar kurrë në parlament dhe sipas Kushtetutës, sipas procedurave, duhet të diskutohet në parlament, para se të nënshkruhet çfarëdo lloj marrëveshjeje. Ky është problemi që kam unë me qeverinë. Problemi që kam me opozitën është se si mund të kesh një diskutim kur bllokon pikërisht institucionin ku duhet të bëhet diskutimi. Me siguri që ka një mënyrë për të dalë nga kjo gjendje dhe unë shpresoj që me nismën e presidentes Jahjaga, ata të arrijnë në një marrëveshje që të ulen dhe ta bisedojnë këtë çështje hapur dhe në mënyrë të arsyeshme. Dhe mendoj që duhet të angazhohen edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më të madh për t’u shpjeguar kosovarëve se pse nëse kjo është e vërtetë, pse kjo marrëveshje është pozitive për Kosovën, pse do ta çojë vendin përpara. Është e qartë që administrata amerikane nuk e sheh këtë marrëveshje si ndarje të Kosovës, përkundrazi do të  kontribuojë për legjitimitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por kjo duhet të shpjegohet. Në këtë moment jemi në fazën e sloganeve, në vend të thelbit.

Zëri i Amerikës:  Ju e përmendët që ekziston frika e ndarjes dhe kthimit në një Bosnje të dytë, por nga perspektiva juaj a përbën kjo marrëveshje ndonjë rrezik, a e njihni ju përmbajtjen e saj? E kam fjalën për stabilitetin.

Janusz Bugajski: E njoh mirë marrëveshjen. Nuk shoh ndonjë mundësi në këtë moment se mund të kthehet në një Bosnje tjetër. Në Kosovë ka një balancë krejt të ndryshme të popullsisë. Popullsia shqiptare e Kosovës është një shumicë dërrmuese. Popullsia serbe është pakicë, diçka nën tetë për qind. Në Bosnjë bëhet fjalë për tre kombe që e konsiderojnë veten shtetformuese. Në Kosovë nuk ka një ndarje si në Bosnje qoftë administrative ose përsa i takon identitetit. Pakicat kanë të drejta, sipas plant Ahtisaari, sipas Kushtetutës. Çështja është nëse Asociacioni i Komunave serbe mund të kthehet në ndonjë strukturë administrative që mund të bllokojë qeverinë qendrore, që mund të bllokojë Kosovën si shtet integral. Një gjë e tillë duhet të parandalohet shprehimisht: që çfarëdolloj asociacioni të jetë, nuk mund të kthehet në një njësi të veçantë apo rajon autonom brenda Kosovës. Kjo duhet të bëhet absolutisht e qartë.

Zëri i Amerikës: Mosmarrëveshjet janë thelluar sidomos nga aktet e dhunës në parlament, nga gazi lotsjellës

Janusz Bugajski: Sigurisht që kjo e ka polarizuar atmosferën. Unë isha atje (në Kosovë) së fundmi dhe pa dyshim është një atmosferë e polarizuar. Edhe thjesht  të përpiqesh t’i bësh njerëzit të debatojnë për çështje të thjeshta, sheh një pasion, një zemërim të madh. Dhe kjo nuk krijon një përshtypje të mirë për Kosovën në shkallë ndërkombëtare. Do të thoja madje, që kjo u jep material atyre që thonë se Kosova nuk është një shtet i vërtetë, është një shtet i dështuar. Dhe këtë e dëgjoj gjithnjë e më shpesh në rajon: Ndoshta ky shtet nuk funksionon siç duhet po nuk pati mbështetjen e ndërkombëtarëve. Dhe kështu u jep argumente nacionalistëve serbë dhe imperialistëve rusë.

Zëri i Amerikës: Opozita thotë që nëse qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet, zgjidhja e vetme do të ishin zgjedhje të parakohshme. A mendoni se kjo do të ishte zgjidhja e duhur, zgjidhje e mundshme?

Janusz Bugajski: Zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi në parlament, të ndiqet kushtetuta, të debatohen çështje të rëndësishme si kjo marrëveshje dhe t’i kthehen punës. Unë nuk besoj tek bojkotimi i institucioneve demokratike. Zgjedhje të parakohëshme, nëse të gjithë bien dakord, në rregull, por ndonjëherë zgjedhjet janë një mënyrë për t’i zvarritur gjërat, pa zgjidhur asgjë. Herët a vonë, shumica duhet të formojë një qeveri koalicioni, duhet të ulesh në parlament, të diskutosh dhe miratosh ligje, politika dhe të ecësh përpara. Kjo nuk po ndodh dhe është shumë negative për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Le t’i hedhim tani një vështrim rajonit, vendeve fqinjë. Në Mal të Zi ka pasur protesta të opozitës dhe siç e dini, kriza politike në Maqedoni është thelluar. A shihni këtu ndonjë lidhje me atë që po ndodh në Kosovë, më shumë në kuptimin e kontekstit rajonal?

Janusz Bugajski: Nuk më duket se ka ndonjë dorë konspirative prapa gjithë këtyre protestave, siç po përpiqen ta paraqesin disa. Por shikoj disa elementë të përbashkët në secilin vend që nuk mund të injorohen. Dhe këto janë: Korrupsion i gjerë, gjendje e vështirë dhe stanjacion ekonomik (mjaft të shohësh sesa shqiptarë nga Shqipëria apo Kosova po përpiqen të lenë vendin me valën e fundit të emigracionit), mungesë besimi tek institucionet politike dhe kjo nuk ka ndihmuar në Kosovë. Në disa raste ka patur edhe abuzime nga ana e qeverisë, siç kemi parë në Maqedoni, bazuar tek akuzat e opozitës. Të gjithë këta faktorë së bashku ndërkohë që rajoni nuk po lëviz me shpejtësinë e duhur drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe njerëzit po vuajnë ekonomikisht, krijojnë një situatë ndezëse që mund të shfrytëzohet nga palë të ndryshme, si nga faktorë radikalë të brendshëm por edhe nga disa fuqi të huaja dhe këtu hyn në lojë Rusia. Siç e dini, kryeministri Gjukanoviç ka deklaruar – dhe unë mendoj se ka të drejtë – se ka një element rus në disa nga këto protesta, domethënë për Rusinë, Mali i Zi është pothuajse si një vijë e kuqe. Mali i Zi është i angazhuar të hyjë në NATO dhe ndoshta në takimin e Varshavës vitin që vjen, do ta marrë ftesën. Një gjë e tillë do të ishte e papëlqyeshme për Rusinë. Rusia e ka kritikuar Gjukanoviçin dhe Potgoricën ashpër. Dhe siç është shprehur zoti Gjukanoviç ka lëvizje, palë të shumëllojshme që po përpiqen të destabilizojnë qeverinë. Ka edhe faktorë të tjerë, si për shembull në Bosnje-Hercegovinë ekziston rreziku i referenedumit për ndarje, për pavarësi nga Republika Serpska që jo vetëm do të destabilizonte Bosnjën, por mund të tërhiqte edhe Serbinë dhe Kroacinë në konflikt. Mendoj se Bosnja dhe Maqedonia janë pikat më të dobëta të rajonit. Besoj se Kosova, nëse zgjidh situatën politike, është një shtet mjaft homogjen, ka mbështetje të madhe ndërkombëtare. Në Maqedoni, kombinimi i korrupsionit, abuzimi i politikës dhe intensifikimi i tensioneve etnike krijon një situatë jashtëzakonisht të ndezur. Siç e dini, popullsia shqiptare po bëhet gjithnjë e më e pakënaqur me ngecjen në Maqedoni, për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për emrin që  do të thotë mosmarrëveshje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ambasadori Lu kryebashkiakëve: Fondet për qytetarët

Kryediplomati amerikan bëri thirrje që paratë e pushtetit vendor të mos shpenzohen për zyra e makina luksoze. “Qeveria të dëshmojë se reforma territoriale nuk u bë për të fituar zgjedhjet”

Ambasadori LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu i bëri thirrje sot kryebashkiakëve të rinj gjatë një konference në Tiranë që fondet e tyre t’i përdorin në shërbim të komunitetit dhe jo për zyra apo makina personale: “Nëse keni ardhur këtu me Mercedes, BMW apo Audi të zi, duhet të mendoni nëse kjo është mënyra që votuesit tuaj duan që ju t’i përdorni paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e këndshme se dyqani i bukës apo zyra e Postës në zonën tuaj, sërish shpresoj që do të mendoni a do të shpenzoheshin me mirë këto para për mbledhjen e plehrave, përmirësimin e shkollave apo ndërtimin e parqeve”.

Ambasadori amerikan tha se ka nxitur qeverinë që t’u japë administratave vendore fondet dhe pushtetin që u nevojiten dhe të vërtetojë kështu se “reforma territoriale u realizua për përmirësimin e shërbimeve dhe jo për të fituar zgjedhjet”.

Sipas ambasadorit amerikan edhe shpërndarja e financimeve përmes Fondit të Zhvillimit Rural “ndeshet me rrezikun e përdorimit të tij për financimin  e kryetarëve të bashkive të PS-së dhe LSI-së dhe mohimin e fondeve për bashkitë e opozitës”.

Shtetet e Bashkuara kanë caktuar një fond prej 12.8 milion dollarësh për të ndihmuar Bashkitë që të ndërmarrin plane të efektshme të zhvillimit urban dhe të bëjnë qeverisjen vendore më transparente. (voa)

Ministri i brendshëm nga opozita mban peng bisedimet

Zoran-Zaev_Nikola-GruevskiKompetencat e ministrit të ri të brendshëm që do të propozohet nga opozita maqedonase po mban peng marrëveshjen e Përzhinos. Dy partitë më të mëdha VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk po dakordohen rreth kompetencave që do të ketë ministri i ri i policisë.

Ndërmjetësi i BE-së, Piter Vanhojte ka dorëzuar një propozim të ri për komptencat e ministrave dhe zëvendësministrave në qeverinë aktuale. Dhe se ky propozim pritet të jetë bazë për arritjen e kompromisit midis partive. Sipas marrëveshjes, opozitës maqedonase do ti takojë ministria e brendshme, ministria e punës dhe politikës sociale, si dhe disa poste zëvendësministrash, por në qeverinë aktuale të Nikola Gruevski dhe se këto ministra të opozitës do të vazhdojnë detyrën edhe në qeverinë kalimtare, që do të zgjidhet nga fillimi i vitit të ardhshëm, por pa Nikolla Gruevskin si kryeministër.

Partitë siç mësohet po shqyrtojnë propozimin e fundit të Vanhojte dhe se ato deri nesër pritet të dakordohen rreth zgjedhjes së ministrave të rinj që vijnë nga radhët e opozitës dhe për kompetencat e tyre. (ina)

Rusi-Serbi, finalizohet marrëveshja ushtarake

vuc-putKryeministri serb, Aleksander Vuçiç ndodhet në Moskë në kuadër të një vizite 3 ditore. Rritja e bashkëpunimit midis Kremlinit dhe Beogradit është edhe qëllimi i vizitës, çka u finalizua me marrëveshje ushtarake dypalëshe.

Në fokusin e mediave ndërkombëtare ështe blerja e armëve të serbëve nga Rusia, ku sipas kryeministrit Vuçiç arsyeja është thjesht mbrojtja e vendit. “Blerja e armëve mundëson vetëm mbrojtjen e territorit tonë”, tha Vuçiç duke shtuar se Serbia nuk e ka ngritur zërin kur të tjerë vende pajisen me artileri ushtarake.

Pas takimit me homologun rus Dimitri Medvedev, Vuçiç u prit nga shefi i Kremlinit, Vladimir Putin. Të dy liderët i kushtuan rëndësi bashkëpunimit ekonomik mes vendeve.

“Në fillim të bisedës unë do të doja të theksohet fakti se pavarësisht nga të gjitha vështirësive që ekonomia botërore po kalon, dhe për ne kjo nuk është e lehtë, tregtia me Serbinë papritur tregoi nivele të kënaqshme. Furnizimi i produkteve bujqësore të Serbisë në tregun rus është rritur me 40%. Ky është një tregues i mirë. Përveç kësaj, ne kemi shumë çështje të tjera me interes të ndërsjellë, siç thonë diplomatët. Ne jemi shumë të kënaqur qe ju pritem në Moskë”, u shpreh Putin.

E ndërsa Vuçiç, nuk kurseu falendërimet.

“Unë do të doja në emër të qeverisë së Republikës së Serbisë t’ju falënderoj për mbështetjen që ju na jepni në Kombet e Bashkuara, në UNESCO dhe në organizata  të tjera, ku Serbia është duke u përpjekur për të mbrojtur jo vetëm integritetin territorial, por edhe shpirtin liridashës dhe mënyrën e saj të jetesës”, deklaroi Vuçiç.

Ndërkohë që premisat për bashkëpunim dypalësh u rritën gjatë vizitës së Vuçiç në Moskë, ushtarët serbë janë duke u përgatitur për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të në Gjermani së bashku me anëtarët e tjerë të NATO-s.

/ Top Channel

Dyshime për objektivitetin e mediave gjermane

Popullsia gjithnjë e më shumë ka dyshime për objektivitetin e mediave gjermane, sepse kufijtë mes gënjeshtrës, heshtjes dhe vetëcenzurës shkrihen me njëri-tjetrin.

shtypi gjermanMediat në Gjermani “kontrollohen nga lart” dhe kanë përhapur njoftime “të zbukuruara dhe të pasakta” – kështu mendonte pothuajse një ndër dy prej të 1,000 qyetarëve të përzgjedhur nga instituti për demoskopi Forsa.

Ardhjet e refugjatëve dominojnë mediat, dhe në të njëjtën kohë gjermanët po përjetojnë këtë temë edhe “live” në mjedisin ku jetojnë. Që prej kësaj duket se ka dallime të dukshme në perceptimin e qytetarëve dhe prezentimin që bëjnë gazetarët.

Nëse këto dallime ekzistojnë vërtetë dhe sa të mëdha janë ato ndërkohë, i preokupton ekspertët e medias që nga botimi i librit të ish-senatorit të Berlinit për financat, Thilo Sarrazin, i cili e ja quajtur të “dështuar” integrimin e emigrantëve në Gjermani.

“Ne jetojmë larg nga një të lirisë së shprehjes”, thotë Norbert Bolz, studiues i komunikimit në TU Berlin në një intervistë televizive. Të tregosh në shtyp gjithmonë shembuj të mirë emigrantësh të integruar shumë mirë, është një gjë. Por për të krijuar pamjen e plotë shtypit i takon të raportojë edhe për zhvillimet negative. Por kjo nuk bëhet gjithmonë kur është fjala për emigracionin dhe krijon dyshime për manipulim. Shumë media karakterizohen sipas vëzhgimeve të tij nga një diskurs intelektual i majtë. “Pikërisht ata që luftuan dikur për lirinë e shtypit dhe të mendimit janë sot fuqitë më të mëdha të tabuve,” ankohet Bolz.

Paragjykimet dhe vetëcezura

Roland Tichy, kryeredaktor i disa medieve ekonomike dhe kryetar i fondacionit Ludwig Erhard tha në një konferencë me temën “Mediet dhe e vërteta” se “kufijtë mes gënjeshtrës, heshtjes dhe vetëcenzurës shkrihen me njëri-tjetrin”.

Në rastin e një qyteti gjermano-lindor, Sebnitz, ku gjeti vdekjen djali i një çifti gjermano-irakian, gazetat shkroi: “Neonazistët mbytën në liqen një fëmijë”. Por në fakt fëmija kishte përsuar një infarkt në zermër dhe prandaj qe mbytur. Po ashtu edhe në rastin e politikanit Geert Wilders që u konsiderua nga gjykata i pafajshëm për veprën e agjitacionit, në mediat gjermane nuk u raportua në mënyrë neutrale. Sipas Tichy gazetarët gjermanë në krahasim me ata ndërkombëtarë “janë profetë të një çështjeje dhe luftojnë për diçka në vend që të raportojnë për të.

Interneti mundëson krahasimin

Me rritjen e përdorimit të burimeve të internetit dhe rrjeteve mediave sociale mund të krahasohet menjëherë se për çfarë raportojnë mediat dhe të shkëmbehen informacione. Sovraniteti i interpretimit të gazetarëve i takon së shkuarës, thonë shumë studiues të mediave. Sidomos blogjet ofrojnë mendime që nuk mbulohen nga mediat kryesore. Kjo ngre gjithnjë e më shumë dyshimin nëse gjithmonë raportohet me vërtetësi.

Të gjitha të diktara nga lart?

“Kjo është teori konspirative, që nuk është kështu e vërtetë”, mendon studiesi Hachmeister, “por pyetja është se për cilat tema raportohet dhe se si raportohet dhe cilat tema nuk trajtohen”. Kjo shpesh vendoset sipas lidhjeve të kompanive mediatike me elitat e shoqërisë. Publiku sipas tij e kupton që shtypi nuk ka aq liri se sa pretendon. Po ashtu qëkurse polaritet politike janë zbukur në media ka më pak “gatekeeper”, mendon Hachmeister. (dw)

Vjenë: Bisedime për Sirinë me Iranin

Për herë të parë që nga marrëveshja bërthamore me Iranin do të ulen në një tryezë bisedimesh për Sirinë negociatorë amerikanë dhe iranianë.

KerryPas më shumë se katër vjetësh luftë civile në Siri, me 250,000 të vdekur dhe miliona refugjatëve të gjithë aktorët e rëndësishëm ulen sot (30.10) për herë të parë së bashku në tryezën e bisedimeve në Vjenë dhe do të flasim për mënyrat për të arritur paqe. Për t’i bërë negociatat të mundura Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord që Irani të ulet në tryezën e bisedimeve, dhe Irani ka rënë dakord për të negociuar. Egjipti, Gjermania, Franca, Britania, Iraku, Libani, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia duan të marrin pjesë gjithashtu.

“Kjo është një shenjë e qartë se marrëveshja bërthamore me fuqitë botërore dhe Iranin hap fusha bashkëpunimi për të përballuar me krizën rajonale”, thotë për Deutsche Wellen Seyed Hossein Mousavian, i cili ka qenë ambasadori iranian në Gjermani dhe është zëdhënës për negociatat bërthamore me Bashkimin Evropian.

Dy herë më parë Uashingtoni e kishte refuzuar një rol të Iranit në negociatat me Sirinë. Por ndërsa konflikti po vazhdon dhe nuk po i duket fundi, Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë, që pa Iranin nuk mund të ketë një zgjidhje reale, sikurse vlerëson eksperti i Iranit Saied Golkar nga Chicago Council on Global Affairs. “Tani për tani, të gjithë e kuptojnë se situata nuk po përmirësohet, tha Golkar për Deutsche Wellen.” Ajo praktikisht është duke u përkeqësuar çdo ditë, dhe SHBA e kupton se Irani është i vetmi vend në rajon që e ndihmon Assadin për të mbijetuar. Irani nuk mund të injorohet.”

tre komandantet iranitNë Siri u vranë tre komandantë të Gardës Revolucionare të Iranit

Nuk ka shenja për shtensionim në Siri

Për Teheranin po shtohen kostot e ndërhyrjes ushtarake. Këtë muaj në Siri u vranë tre komandantë të Gardës Revolucionare të Iranit, ndër ta dy gjeneralë. “Gjatë gjithë kohës ata sjellin në shtëpi trupat e komandantëve,” thotë Golkar. “Ata e ndjejnë çmimin e ndërhyrjes. Kjo po i bën gjithnjë e më pak të popullarizuar në Iran. Kjo është arsyeja pse qeveria iraniane ka ardhur në tryezën e bisedimeve me amerikanët.”

Pa dyshim, marrëdhëniet mes SHBA dhe Iranit janë lehtësuar kohët e fundit. Ky relaksim e arriti kulmin në verë me marrëveshjet bërthamore me Iranit. Kjo parashikon një heqje graduale të sanksioneve në këmbim të një reduktimi të programit bërthamor të Iranit. Sipas Majjid Rafizadeh, ekspert për Iranin dhe Sirinë në Universitetin e Harvardit, gatishmëria për kompromis ndoshta nuk do të shtrihet në bisedimet bërthamore në konfliktin në Siri. (dw)

Opozita nuk i beson Kushtetueses, përkrahë ratifikimin e MSA-së

takimi opozita presidentja ksOpozita nuk i ka dhënë mbështetje nismës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga që parimet e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Sipas deputetëve opozitarë, Gjykata Kushtetuese e ka humbur besueshmërinë që të nxjerrë vendime në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është bërë një instrument i mbrojtjes së interesave politike të partive të caktuara dhe institucioneve të caktuara.

“Kemi një Gjykatë Kushtetuese e cila përbërjen e ka skandaloze. Që prej kryetares e cila është duke u hetuar për falsifikim kuorumi e deri te tre anëtarët ndërkombëtar të cilët jashtëligjshëm janë emëruar nga presidentja aty”.

“Pra, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, fatkeqësisht është një institucion i cili nuk ka kredibilitet dhe i cili në asnjë moment nuk është vendosur në mbrojtje të Kushtetutës, gjë që do të duhej ta bënte”, ka thënë Ymeri.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i kanë dhënë mbështetje presidentes Jahjaga.

Kryeministri Mustafa ka potencuar se edhe me marrëveshjen e 25 gushtit të nënshkruar në Bruksel ndërmjet tij dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paraparë që Gjykata Kushtetuese të interpretoj parimet e marrëveshjes.

“Neve na vjen mirë që do të realizohet një mundësi e tillë sepse ne edhe me marrëveshje e kemi lënë mundësinë që Gjykata Kushtetuese ta jap mendimin në të gjitha procedurat se a është marrëveshja si tërësi ose çdo pikë e saj në harmoni me Kushtetutën dhe ne si qeveri do të respektojmë në plotëni mendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Mustafa.

Pushteti dhe opozita kanë acaruar raportet në Kuvend që nga 25 gushti, kur ishte nënshkruar marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Të dy marrëveshjet po kundërshtohen nga opozita e cila po këmbëngul që ato të anulohen.

kuvendi gaz lotsjellesGaz lotsjellës në Kuvend / 23 tetor

Si masë proteste, për më gjatë se një muaj, opozita po e bllokon punën e Kuvendit, duke përdorë edhe bllokimin e foltores, hedhje të gazit lotsjellës e veprime tjera që pamundësuan punën normale të legjislativit.

Me gjithë tensionet e krijuara, Kuvendi arriti të enjten të mbajë një seancë solemne në të cilën deputetëve iu drejtua presidenti i Austrisë Hainz Fischer.

Por, edhe në këtë seancë, Vetëvendosje shpalosi dy pankarta ku i kërkohej presidentit austriak që të faktori ndërkombëtar të mos hesht ndaj hegjemonisë së Serbisë në raport me Kosovën si dhe pankarta e dytë ku thuhej “President ruaje shpinën – prapa teje qëndrojnë ulur gënjeshtar të korruptuar”, që i referohej kabinetit qeveritar të Kosovës.

Një seancë tjetër me një rrjedhë më normale pritet edhe të hënën kur pozita dhe opozita janë pajtuar që të ratifikojnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe seanca e 6 nëntorit, kur Kuvendit do t’i drejtohet Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

Pas seancave plenare, opozita mendon të aktivizohet sërish në mënyrë që të bllokoj punën e Kuvendit. Këtë e ka rikonfirmuar vet kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

“Nuk ka dhe as nuk do të ketë seanca e as normalizim të këtij Kuvendi për sa kohë që Kosova po de-normalizohet me marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacion”, ka theksuar Ymeri.

Përkundër kërcënimeve të opozitës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka përsëritur se puna e legjislativit do të vazhdoj.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdoj agjendën e vet të funksionimit normal në kuadër të përgjegjësive që i ka”, ka thënë Veseli.

Sidoqoftë, pas seancave solemne që pritet të mbahen, mbetet të shihet se cila do të jetë rrjedha e seancave të rregullta të punës, të cilat tri partitë në opozitë thonë se do t’i bllokojnë sipas skenarëve tashmë të njohur nga mbledhjet e fundit. (rel)