PE: Thirrje faktorit politik në Kosovë për dialog konstruktiv

EUTë hënën në mbrëmje, në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian është diskutuar për Kosovën në leximin e parë raporti i paraqitur nga zëvendëskryetarja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek, në cilësinë e raportueses për Kosovën.

Lunaçek ka përmbledhur pikat kryesore të këtij raporti dhe ka veçuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke paralajmëruar se Parlamenti Evropian do të japë pëlqimin e vetë për këtë marrëveshje të parë kontraktuale me Kosovën, në fillim të vitit që vjen.

Ajo po ashtu ka përsëritur se gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, hedhja e vezëve apo ngjyrës, nuk janë metoda të pranueshme dhe ka bërë ftesë për dialog.

Në propozim-dokumentin e përgatitur, është përshëndetur edhe iniciativa e deputetëve të Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje, për mënyrën se si të dilet nga kjo situatë.

Në draftin e propozim-rezolutës vihet në pah vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndalur përkohësisht implementimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe janë ftuar forcat politike që të shfrytëzojnë këtë periudhë për të rifilluar punën parlamentare dhe të angazhohen në dialog konstruktiv në interes të shtetit dhe të qytetarëve.

Po ashtu, vihet në pah edhe mendimi që të kërkohet edhe roli i Komisionit të Venecias.

Draft-raporti shpreh keqardhje për refuzimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për rolin pengues nga ana e Serbisë, e cila është në kundërshtim me përkushtimin për zhvillimin e raporteve të mira ndërfqinjësore.

Gjithashtu, shprehet keqardhja se lidhur me këtë anëtarësim të Kosovës në UNESCO nuk ka pasur unitet as mes shteteve të BE-së.

Edhe kësaj radhe përseritet ftesa për 5 vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.

Raporti shpreh keqardhje për mënyrën e organizimit të vizitës së mëparshme të shefit të ushtrisë së Serbisë në Kosovë, pasi nuk është konsultuar Qeveria e Kosovës.

Bëhet ftesë që në të ardhmen të evitohen gjestet, të cilat do të mund të fyenin ndjenjat e viktimave dhe të dëmtonin dialogun.

Në këtë raport edhe njëherë shprehet keqardhje për mungesën e rezultateve më të mëdha në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kërkohet të forcohet liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve.

Deri me 18 të këtij muaji, është afati për dorëzimin e amendamenteve në këtë propozim-rezolutë, e pastaj do të debatohet dhe votohet së pari në Komisionin e Politikës së Jashtme e më vonë, diku në pranverë, edhe si rezolutë në seancë plenare të Parlamentit Evropian. (rel)

Trump: Të ndalohet hyrja e myslimanëve në Amerikë

TrumpKandidati republikan për president Donald Trump bën thirrje për “ndalimin e plotë” të myslimanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, deri sa udhëheqësit e vendit “të sqarojnë se çfarë po ndodh”.

Zoti Trump thotë se anketat tregojnë se ekziston “urrejtje ndaj amerikanëve nga segmente të shumta të popullsisë myslimane”.

“Deri sa të sqarojmë dhe kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin e rrezikshëm që ai paraqet, vendi ynë nuk mund të bëhet viktimë e sulmeve të tmerrshme nga njerëz që besojnë vetëm tek xhihadi, që nuk pranojnë asnjë llogjikë dhe nuk kanë respekt për jetën”, shprehet zoti Trump.

Nuk është hera e parë që Donald Trump bën deklarata armiqësore kundër myslimanëve. Ai i ka bërë thirrje qeverisë të vëzhgojë xhamitë dhe nuk ka pranuar të tërhiqet nga një propozim i mëparshëm për të futur gjithë emrat e myslimanëve në listë.

Por të hënën, deklarata e tij ishte një përshkallëzim, edhe e krahasuar me standardet e retorikës së tij të ashpër, që i drejtohej besimtarëve islamikë, pas sulmeve terroriste në Paris dhe në Kaliforni.

Deklarata e zotit Trump, u bë një ditë pasi Presidenti Obama u kishte bërë thirrje amerikanëve që të mos kthehen kundër myslimanëve pas sulmeve të fundit terroriste.

Shtëpia e Bardhë e dënoi me shpejtësi propozimin e zotit Trump, duke e quajtur atë “plotësisht në kundërshtim me vlerat tona si amerikanë”.

“Karta jonë e të Drejtave respekton lirinë e fesë”, tha Ben Rhodes, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit Obama.

 

Reagimi i kandidatëve për president

 

Komentet e zotit Trup u dënuan edhe nga kandidatët e tjerë presidencialë.

Ish guvernatori i Floridës, Jeb Bush, perms një mesazhi në Tweeter shkruante se Donald Trump “ka luajtur mendësh ….qëndrimet e tij politike nuk janë serioze”.

“Ky është një propozim qesharak, që nuk do të sillte asnjë përfitim”, tha guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie.

Lindsey Graham tha se Donald Trump “ka kaluar nga komente absurde në qëndrime që e bëjnë atë të rrezikshëm me retorikën bombastike”.

Ibraham Hooper, drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano-Islamike, ishte veçanërisht i ashpër në kritikën e tij ndaj zotit Trump.

“Ne po hyjmë kështu në një territor fashist”, tha ai.  Komente të tilla “duhet të jenë shqetësuese jo vetëm për myslimanët amerikanë, por për gjithë amerikanët, që kryesuesi i republikanëve në garën presidenciale bën praktikisht deklarata fashiste, si kjo”.  (voa)

Arrestohet deputetja Albulena Haxhiu

opozizita protestaSot u arrestua deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, teksa po shkonte në një tubim në Gjilan. Kjo qeveri kriminale, PDK-LDK-Srpska, po e përdor secilin mjet për ta shtypur opozitën ashtu që t’i realizojë projektet e Serbisë në Kosovë.

Veprimet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit. Opozita e bashkuar nuk do të ndalet deri në tërheqjen e marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit.

Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon t’i tërheqë marrëveshjet, atëherë lë t’i hedhë në referendum, dhe le të vendos populli i Kosovës për to. Nëse as referendumin nuk guxon ta organizojë, atëherë duhet që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje.

8 DHJETOR 2015

LËVIZJA VETËVENDOSJE!

Serbët bllokojnë pikën kufitare në Jarinje

serbet-bllokojne-jarinjenDhjetëra serbë të veriut të Kosovës me automjetet e tyre kanë bllokuar të hënën rreth mesditës për 40 minuta pikën kufitare në Jarinje, duke penguar në këtë mënyrë qarkullimin në drejtim Kosovë-Serbi dhe anasjelltas, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, shkak për këtë bllokadë të kufirit është aplikimi i caktimit të vlerës doganore për mallrat nga Serbia që po bëhet nga Prishtina, dhe jo siç ishte bërë deri tani në kufi.

“Tani vozitësit e kamionëve me mallra që hynë nga Serbia dhe që kanë destinacion veriun e Kosovës, po duhet të presin derisa doganierët po konsultohen me kolegët e tyre në Prishtinë për vlerën e doganës së mallit dhe në këtë mënyrë vozitësit po thonë se po paguajnë më shtrenjtë, por edhe po humbin kohë më shumë”, kanë thënë burimet.

Ata kanë kërkuar që të anulohet një praktikë e tillë e vlerësimit të mallit, në të kundërtën do ta bllokojnë kufirin e Jarinjës dhe të Bërnjakut tërësisht.

Bllokada ka zgjatur nga ora 12:45 deri rreth orës 13:30 dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Mësohet se protesta për bllokadë të kufirit të Jarinjës janë paralajmëruar edhe për nesër, nëse nuk ndryshon diçka në këtë drejtim./KosovaPress/

Do të ketë ose jo gjykim për rastin e Kumanovës?

kumanovaSot, në orën 11, në Gjykatën Themelore Shkup 1, do të mbahet seancë publike për “aktakuzën” për “Lagjen e Trimave”.

Prokurori që ka ndërmarr rastin duhet të paraqes aktakuzën para Këshillit të gjyqtarëve, të cilët duhet të vendosin se a ka ose jo bazë që rasti të shkoj në seancë kryesore.

Me qëndrimet e tyre për aktakuzën duhet të dal edhe pala mbrojtëse.
Pritet që masat e sigurisë të jenë në gatishmëri të lartë. Nuk do të lejohet parkim afër gjykatave dhe do të ketë numër të lartë të forcave policore. (alsat)

Ministri Izairi në konferencën për ndryshimet klimatike në Paris

izairiMinistri i Mjedisit të Jetesës dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi sot dhe nesër në Paris do të marrë pjesë në pjesën ministrore të Konferencës së palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP 21).

Në kuadër të këtij segmenti nga Samiti Botëror mbi klimën, siç kumtoi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pritet të përcaktohet versioni përfundimtar i dokumentit me të cilin do të zgjidhen detyrimet e shteteve pas vitit 2020 në aspektin e reduktimit të emitimit të CO2. (alsat)

Përfundon takimi me presidenten, opozita kërkon lirimin e të burgosurve politik

Ka përfunduar takimi mes udhëheqësve të partive opozitare me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

lideret-e-opozitesKreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha se presidentes edhe një herë iu bë e qartë rruga për të dalë nga kriza. Ai shtoi se kreut të shtetit iu dorëzua edhe një letër, si dhe u kërkua edhe lirimi i të gjithë të burgosurve “politikë” siç i quajti Limaj.

Ndërsa Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje përsëritise nuk do të ketë normalizim të situatës pa u tërhequr marrëveshjet për komunat serbe dhe kufirin me Malin e Zi, përcjell “Klan Kosova”.

Tre krerët e partive opozitare kanë u takuan me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Takimi vjen në kuadër të angazhimeve të Jahjagës për të krijuar kushtet për dialog politik mes koalicionit qeverisës dhe subjekteve politike opozitare.

Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAk-së dhe Fatmir Limaj i Nisnës më herët refuzuan ftesën e kryeministrit Isa Mustafa për një takim me qëllim tejkalimin e krizës politike.

Gazsjellësi TAP, regjistrohen mbi 1000 të punësuar

niko-tapGazsjellësi TAP, i cili në vendin tonë do të kalojë në 38 komuna dhe është në fazën e parë të punimeve, deri tani numëron 1050 persona  të punësuar dhe gjatë 2 viteve në vijim do ndihen efektet pozitive, pasi do të bëhet edhe lëvrimi i fondeve për subjektet e prekur. Gjatë fundjavës, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në rrethin e Korçës, në rrugën që lidh fshatrat Vithkuq e Shtyllas. Përfaqësuesit e qeverisë morën garancinë, se kompania do mbajë përgjegjësi sociale dhe do të përgjigjet për problemet në komunitet që mund të krijohen nga ndërhyrjet për ndërtimin e tubacionit që do të transportojë gaz që nga rajoni i Kaspikut.

Duke e cilësuar një projekt jo të thjeshtë, që mund të shoqërohet edhe me probleme, Peleshi tha se është e nevojshme që konsorciumi në radhë të parë të mbajë përgjegjësi sociale në raport me komunitetin, që preken nga ndërhyrjet për të krijuar terrenin e duhur të gazsjellësit TAP. “Ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në radhë të parë, në raport me komunitetet sepse nuk është një projekt i thjeshtë dhe duhet ta themi. Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet, do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet por natyrisht që edhe përfitimi është disa-fish më i madh”, tha ai duke folur edhe për garancinë që ka dhënë kompania për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e veta sociale, në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto”.

Edhe ministri Gjiknuri foli për kujdesin që duhet treguar ndaj komunitetit, pasi veç avantazheve nga ky projekt, duhet të shmangen efektet negative të investimeve. “Janë bërë shumë investime në pjesë të vështira, me terren të vështirë. Viti 2016-2017, do të jetë dhe viti kryesor ku do të disbursohet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe por shoqërohej dhe me probleme dhe ne sot me zv/kryeministrin erdhëm për t’i parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet tek komuniteti në terma afatgjatë”, u shpreh Gjiknuri.

Punimet

Vetëm gjatë kësaj faze të projektit, TAP parashikon rehabilitimin e afërsisht 62 kilometrave rrugë, rehabilitimin e 42 urave si edhe ndërtimin e 2 urave të reja përgjatë gjurmës së gazsjellësit në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rehabilitimi i rrugëve dhe urave do të mundësojë vijimin e fazave të mëtejshme në ndërtimin e pjesës shqiptare të gazsjellësit TAP. Drejtuesit e TAP detajuan ecurinë për rrugët dhe urat ndihmëse, punime të cilat po zhvillohen ne përputhje me kalendarin e parashikuar për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për fazat e mëtejshme në ndërtimin e projektit. Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP-it për Shqipërinë u shpreh se ecuria e punimeve po shkon sipas planifikimeve. “Presim që nga fundi i janarit ose fillimi i shkurtit të vijnë në Shqipëri tubat e parë për të filluar transportimin e tyre nga muaji mars përgjatë korridorit të tubacionit. Synimi është nga mesi i vitit që vjen të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimit real të tij”, tha ai.

Projekti

Gazsjellësi Trans Adriatik ka filluar ndërtimin në seksionin që kalon në Shqipëri në mesin e këtij viti dhe do të zgjasë afërsisht 3.5 vjet, i ndjekur nga fillimi i funksionimit gjatë vitit 2018. Projekti parashikon që tubacioni, i cili do të përshkojë Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë, do të ketë valvula bllokimi, nga të cilat 10 do të jenë në Shqipëri, që do të shërbejnë për raste të emergjencave apo mirëmbajtjes. Në dy anët e tubacionit do të mbillen breza me pemë në gjatësinë e 3 metrave, ndërsa për banorët që kanë tokat e tyre bujqësore ngjitur me tubacionin nuk rekomandohet mbjellja e bimësisë që ka rrënjë të thella. Në lidhje me ndërtimet që do jenë pranë kalimit të tubacioneve të gazsjellësit, shtëpitë duhet të jenë minimalisht 200 metra larg nga tubacionet e gazsjellësit. Përjashtim mund të bëjnë vetëm raste të caktuara që kanë efekt në komunitet dhe që mund të ndërtohen vetëm pasi të jetë dhënë mendimi i autoriteteve që nuk kanoset asnjë rrezik. Këto raste përjashtuese mund të lidhen me ndonjë rrugë apo pus që kërkohet të ndërtohet. Toka do të merret për strukturat e përhershme të projektit dhe për të lejuar operimin, mirëmbajtjen dhe qasjen emergjente gjatë gjithë jetës operative të projektit.

Kontrata me farmacitë,  shtyhet afati për në mars

Farmacitë që tregtojnë barna të rimbursueshme, do të lidhin kontrata me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, duke nisur nga muaji mars, ndryshe nga sa parashikonte afati brenda këtij muaji. Kjo shtyrje është vendosur, me propozim të Shoqatës së Farmacistëve dhe grupeve të interesit në mënyrë që farmacistët të mos bëjnë inventarë dy herë në vit, ashtu sikurse ka ndodhur deri më tani, ku një inventar bëhej në fund të vitit dhe një tjetër në mars, pak para se të hynte në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme. Por, në lidhje me këtë ka reaguar Urdhri i Farmacistëve, i cili i ka dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë dhe drejtores së FSDKSH pasi ky miratim është bërë në mënyrë të njëanshme. Ndërkohë, është ngritur grupi i punës që do të merret me hartimin e listës së re të barnave të rimbursueshme. Lista e re e barnave të rimbursueshme do të përcaktohet në bashkëpunim me shefat e shërbimeve.

Rreth dy javë më parë, Fondi, përmes një projekt-kontrate bëri edhe propozimet për funksionimin e farmacive në vend, një pjesë e të cilave, pasi janë diskutuar nga Urdhri i Farmacistëve nuk kanë marrë miratimin. Kështu, përpos rregullave që janë në fuqi për funksionimin e farmacive dhe barnave që ato tregtojnë, në vitin  2016 do të shtohen edhe 5 kërkesa të reja. Farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të krijojë mundësi hyrjeje të përshtatshme për invalidët para dhe tetraplegjikë, ndërsa sa i takon sipërfaqes, ajo nuk duhet të jetë më e vogël se 50 metra katror. Gjithashtu, farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të jetë në një distancë jo më të vogël se 150 metra nga farmacia ekzistuese me kontratë dhe nëse do të kërkohet ngritja e një subjekti pranë Qendrave Shëndetësore, distanca duhet t’i kalojë 30 metra.

Po ashtu, kontrata pasqyron masa më të ashpra në rregulloren e për tregtimin  e barnave dhe sanksione, të cilat përputhen me ato që kanë hyrë në fuqi nga ligji procedurave tatimore, 1 muaj më parë. Ndër detyrimet specifike, kontrata e hartuar nga Fondi, përcakton se nëse recetat që vijnë nga mjeku, qoftë edhe me mungesën e njërit prej 18 elementeve, duhet të kthehen mbrapsht, duke mos u rimbursuar për pacientët. Një tjetër detyrim për punonjësit e farmacisë është zbatimi i çmimit të shitjes së barnave dhe të kërkojnë rimbursim për barnat e listës. Ndërsa, pacientët e siguruar, duhet ta kenë gjithmonë me vete Librezën e Shëndetit, duke arkëtuar nga të ata,vlerën e tarifës së recetave me rimbursim të pjesshëm, vlerë e cila i mbahet nga rimbursimi. Për recetat e invalidëve të luftës dhe veteranëve me sëmundje kronike, farmacistët duhet të lëshojnë barin, sipas dy mënyrave. (shekulli)

Gazsjellësi TAP, Peleshi dhe Gjiknuri inspektojnë punimet në Korçë

ministrat-TAPZëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, inspektuan sot fazën e parë të punimeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve në funksion të punimeve për gazsjellësin TAP.

Të shoqëruar nga drejtuesit lokalë të konsorciumit TAP, ministrat ndoqën nga afër punimet që po kryhen në segmentin rrugor Vithkuq-Shtyllas.

Menaxheri lokal i TAP-it në Shqipëri, Shkëlqim Bozgo, informoi përfaqësuesit e qeverisë për ecurinë e punimeve të fazës së parë. “Ecuria e punimeve është në përputhje me planifikimet që kemi bërë dhe nga fundi i janarit presim të vijnë tubacionet e para. Nga marsi do të fillojmë transportimin e tubacioneve për t’i shpërndarë përgjatë korridorit. Synimi është që nga mesi i vitit të ardhshëm të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimin e tij”, shpjegoi Bozgo.

Ministri Gjiknuri tha se aktualisht është faza e punimeve të rëndësishme civile që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve të aksesit. “2016-a do të jetë viti kryesor ku do të shpërndahet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare. Sot që flasim kemi 1050 persona të punësuar dhe kjo është goxha me ndikim për komunitetet. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe, por shoqërohen edhe me probleme dhe ne sot me zëvendëskryeministrin erdhëm vetë për t’i parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet te komuniteti në terma afatgjatë”, theksoi Gjiknuri.

Ndërkaq, numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, vlerësoi rëndësinë e projektit dhe nevojën për një bashkëpunim sa më të mirë me bashkësitë lokale. “Është një projekt ndërkombëtar, por i rëndësishëm për ekonominë tonë kombëtare qysh në fazën e ndërtimit, për shkak të numrit të madh të të punësuarve dhe të rrugëve të aksesit të cilat u japin lidhje dhe frymëmarrje edhe komuniteteve tona aty ku projekti kalon. Në vazhdimësi, natyrisht deri te siguria kombëtare ky është një projekt shumë i rëndësishëm”, u shpreh Peleshi.

Sipas zëvendëskryeministrit, në radhë të parë ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në raport me komunitetet, sepse bëhet fjalë për një projekt jo të thjeshtë. “Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet. Do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet, por natyrisht që edhe përfitimi është disafish më i madh. Ne kemi marrë sot edhe angazhimin serioz të kompanisë, të konsorciumit për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë sociale në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto”, nënvizoi Niko Peleshi.

Të dhëna të përgjithshme për projektin në Shqipëri


Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për ndërtimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. Pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, TAP-i do të përshkojë Greqinë e veriut, Shqipërinë, detin Adriatik e më pas do të dalë sërish në tokë në Italinë jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 215 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 në ujërat territoriale shqiptare të Adriatikut. Seksioni fillon në Bilisht në Qarkun e Korçës, në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në detin Adriatik, 17 kilometra në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliardë metra kub. Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.

Gjatë kësaj vere, TAP-i nisi ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. Në zonat malore do të ndërtohen afërsisht 51 kilometra rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 kilometra ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tri të reja. Punimet pritet të përfundojnë në 2016-n, ndërkohë që ndërtimi i vetë gazsjellësit do të nisë në verën e këtij viti. Puna për ndërtimin e çdo segmenti llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Sikundër në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë. (tch)

Obama: Nuk jemi në luftë me Islamin

obamaPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka bërë një adresim të rrallë nga Zyra Ovale, pas të shtënave të javës së kaluar në Kaliforni, të cilat kanë lënë të vrarë 14 veta.

Obama ka thënë se të shtënat “kanë qenë akt i terrorizmit, me qëllim vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

…por, liria është më e madhe se frika”, ka thënë presidenti amerikan.

Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta kapërcejnë kërcënimin në rritje nga terrorizmi, por ka thënë se “amerikanët nuk duhet të kthehen kundër njëri-tjetrit dhe të lejojnë që kjo luftë të përkufizohet si luftë midis Amerikës dhe Islamit”.

“Nëse jemi të suksesshëm në mposhtjen e terrorizmit, komunitetet myslimane duhet t’i përfshijmë në mesin e aleatëve tanë më të fuqishëm dhe jo t’i largojmë ata me dyshime dhe urrjetje”, ka thënë Obama, duke përkujtuar audiencën e tij se amerikanët myslimanë janë pjesë e shoqërisë së Shteteve të Bashkuara.

Obama ka thënë se terrorizmi ka hyrë në një fazë të re, nga sulmet në shkallë të madhe të Al Kaidës në sulme më pak të komplikuara të individëve të radikalizuar.

Ai është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të luftojnë me çdo kusht grupin militant Shteti Islamik.

Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë intensifikuar bombardimet kundër caqeve të këtij grupi dhe se do të vazhdojnë të trajnojnë dhe pajisin rebelët e moderuar në Irak dhe Siri.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të ndjekë komplotistët terroristë në çdo vend, ku është e nevojshme”, ka thënë presidenti amerikan.

Në fjalimin e tij 13-minutësh, Obama i ka karakterizuar militantët e Shtetit Islamik si “banditë dhe vrasës”, duke shtuar: “Kërcënimi nga terrorizmi është i vërtetë, por ne do ta kapërcejmë atë”.

Javën e kaluar, Syed Rizwan Farook dhe gruaja e tij, Tashfeen Malik, kanë hapur zjarr në një festë të Krishtlindjeve në qytetin San Bernardino të Kalifornisë, duke vrarë 14 veta. Çifti më pas është vrarë nga policia.

I ashtuquajturi Shtet Islamik ka thënë se Farook dhe Malik kanë qenë mbështetës të tij, por nuk ka dhënë indikacione se vetë grupi ka qenë i përfshirë në organizimin e vrasjeve.

Obama ka thënë po ashtu se ka disa gjëra që mund të bëhen brenda Shteteve të Bashkuara, për të luftuar terrorizmin. Ai ka bërë thirrje këtu për kontroll më të rreptë të armëve.

Ky ka qenë adresimi i tretë i Obamës nga Zyra Ovale gjatë shtatë vjetëve në presidencë. Fjalimet e tilla janë të rezervuara për ngjarje me rëndësi kombëtare. Dy adresimet e mëparshme të Obamës, të dyja në vitin 2010, kanë përfshirë shpërthimin në platformën e gazit natyror Deepwater Horizon dhe fundin e operacioneve luftarake në Irak.

Fjalime të tjera të rëndësishme nga Zyra Ovale kanë bërë George W Bush pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001; Ronald Reagan për shpërthimin në anijen kozmike Challenger më 1986; Richard Nixon kur ka njoftuar dorëheqjen e tij më 1974 dhe John F Kennedy për krizën kubane të raketave më 1962. (voa)