Transplantimi i plotë i fytyrës

transplatimi i fytyresNjë zjarrëfikës vullnetar amerikan, i cili kishte pësuar djegie të rënda kur një shtëpi e përfshirë nga flakët u shëmb mbi të këtu e 14 vjet më parë ka jetuar që atëherë i shfytyruar. Rreziku për humbjen e shikimit bëri që ai t’i nënshtrohet transplantimit të fytyrës. Operacioni i kryer në një spital në Nju Jork është më i ploti i këtij lloji që nga transplantimi i parë i fytyrës në Francë, në vitin 2005.

Më shumë se 100 mjekë dhe specialistë morën pjesë në operacionin që zgjati 26 orë, në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nju Jorkut.

41 vjeçari Patrick Hardison tani ka një fytyrë të re, veshë dhe pjesë të eshtrave të fytyrës. Por pjesa më e rëndësishme e këtij procesi kompleks ishte rindërtimi i qepallave, thotë kirkurgu Eduardo Rodriquez.

“Kjo procedurë ka rëndësi të madhe, pasi transplantuam kapakët e syve, të cilat mbrojnë shikimin e pacientit. Së dyti, është hera e parë që transplantohen kaq shumë inde.”

Hardison pësoi djegie të shkallës së tretë në vitin 2001, ndërsa hyri në një shtëpi të përfshirë nga flakët në shtetin Tenesi. Struktura e sipërme e shtëpisë ra mbi të. Më shumë se 70 ndërhyrje kirurgjikale nuk e rikthyen dot siç ishte fytyrën e tij, por ishte frika se nuk do të mund të shikonte më fëmijët e tij, që e bëri atë të kryente transplantimin e fytyrës.

Pas pritjes një vjeçare për donatorë, një 26 vjeçar në Nju Jork pati një aksident me biçikletë që e la atë në një komë të përhershme. Familja ra dakord të dhurojë fytyrën e tij.

Pas një operacioni rraskapitës, Hardison filloi terapinë që e ndihmoi atë të rifitojë ndjesinë në disa pjesë të fytyrës së tij të re.

Ai vazhdon të jetë në spital, ku stafi mjekësor e ka gjithë kohës në vëzhgim, diçka e zakonshme pas transplantimeve. Doktor Rodriguez që drejtoi procedurën, tha se transplantimet e fytyrës nuk janë procedura të zakonshme, por se nevoja për to lindi pas luftrave në Irak dhe Afganistan, ku shumë ushtarë pësuan dëmtime të rënda në fytyrë. (voa)

Të dhënat në internet

internetShkencëtarët kanë grumbulluar një sasi të madhe të dhënash që thonë se do të lejojnë të zbulohen operacione të mundshme të pastrimit të parave të fshehura në rrjetet e errëta. Sipas shkencëtarëve në Londër, ky sistem është një nga vetëm tre të tillë në botë.

Nuk është tamam si të kesh botën në majë të gishtave, por është një fillim i mirë.

Këto grafiqe përfaqësojnë në kohë reale shkëmbimet e monedhës dixhitale Bitcoins në mbarë botën.

Disa mund të indentifikohen, disa të tjera jo. Hulumtuesit këtu thonë se shohin modele të tregëtisë që paraqesin transaksione ilegalisht të mundshme që fshihen në rrjetet e errëta.

Secila pikë është një transaksion.

Bluja përfaqëson tregëtarë me origjinë të panjohur. Në se sheh nga afër zbulon vija të kaltra që përfaqësojnë transaksione që janë të identifikuara.

Autoritetet e rendit në mbarë botën besojnë se pjesët e errëta, të pa depërtueshme të internetit përdoren rëndomtë për të pastruar para nga operacione të paligjshme, si armët, droga dhe krime të tjera.

Ajo që nuk duket këtu është ku kryen këto operacione.

Por sipas shkencëtarëve në Kolegjin Imperial ky është hapi i parë drejt identifikimit të modeleve që do të mundësojnë kompanitë të ndërmarrin veprime mbrojtëse kundër sulmeve spam dhe organet e rendit të zbulojnë aktivitetet e paligjshme.

Mark Kennedy është drejtor i Qendrës Analitike të Biznesit në Kolegjin Imperial.

“Këtu kemi të dhëna direkte për transaksionet e Bitcoin-it. Ne po i vëzhgojmë dhe po shohim tiparet strukturore të lëvizjeve që mund t’i lidhim me transaksionet aktuale. Transaksione të mira, transaksione të këqija – ato që përfshijnë pastrimin e parave dhe sulmet spam në rrjet.”

Sulmet spam dhe pastrimi i parave janë vetëm pjesë e asaj që ndodh në rrjet.

Kjo strukturë u ndërtua këtu në shkollën e biznesit të Kolegjit Imperial në Londër gjatë pak muajve të këtij viti.

Shuma e të dhënave është mjaft e madhe.

Hartat e qytetit të Shanghait në Kinë japin të dhëna në kohë reale të njerëzve që hyjnë dhe dalin nga sistemi tranzit i qytetit.

Informacioni nga cdo biletë merret dhe analizohet duke lejuar menaxherët të llogarisin dobësitë e sistemit për të siguruar që ato janë të kufizuara.

Profesor Yike Guo:

“Gjëja më e thjeshtë që bën ky sistem është se përmes tij kupton modelet e trafikut të qytetit në dhjetë linjat e tranzitit në Shangai.”

Yike Guo është drejtor në Institutin e të Dhënave Shkencore.

“Hapi tjetër është se mund të llogarisësh ose parashikosh kapacitetin dhe sigurinë e çdo linje. Si udhëtojnë njerëzit në linja të ndryshme të metrosë bazuar në parimin se ata gjejnë distancën më të shkurtër për të udhëtuar.”

Të dhënat në sisteme të ngjashme kompjuterike po ndihmojnë gjithashtu shkencëtarët të identifikojnë ilace të reja për të trajtuar azmën.

Një studim merr në shqyrtim të dhëna të grumbulluara nga qindra burra, gra dhe fëmijë në spitale në mbarë botën.

Çdo gjë, që nga përbërja gjenetike e pacientit, mjedisi dhe etnia mund të shihet këtu.

Ioannis Pandis, drejton ekipin e punës në Kërkimet Informatike të Jetës Shkencore.

“Një nga rezultatet e këtij studimi, duke përdorur këtë platformë është se mund të identifikosh pacientët që përmirësohen dhe ata që nuk përmirësohen nga kortizosteroidit oral që është trajtimi më i mirë që kemi deri tani për azmën. Duke identifikuar pacientët që nuk përmirësohen, mund të studiosh informacionin e tyre molekular për të kuptuar ku qëndron problemi për të përcaktuar një ilac më të mirë për ta.”

Rezultatet e këtij studimi do të publikohen vitin tjetër. (voa)

Ndotja e ajrit shkakton vdekje të parakohshme

ndotja me filterNdotja e ajrit vazhdon të dëmtojë shëndetin e përgjithshëm të evropianëve dhe ul cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë.

Ndotja e ajrit përbën sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) “rrezikun më të madh shëndetësor të varur prej mjedisit në Evropë”. Ndotja e ajrit u shkurton jetën njerëzve. Përveç kësaj, ajo favorizon sëmundje të rënda si sëmundje të zemrës, të rrugëve të frymëmarrjes dhe kancerin.

Në një raport të ri të publikuar për Konferencën e Klimës në Paris nga EEA në Kopenhagë, vlerësohet se 430,000 vdekje të parakohshme në vit në Evropë lidhen me ndotjen e ajrit.

“Ndotja e ajrit vazhdon të dëmtojë shëndetin e përgjithshëm të evropianëve dhe ul cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë”, thotë drejtori ekzekutiv i EEA-s Hans Bruyninckx.” Kjo ka gjithashtu ndikim të konsiderueshëm për rritjen e kostove për kujdesin mjekësor dhe për shkak të mungesave në punë për arsye shëndetësore redukton edhe produktivitetin e të gjithë ekonomisë.”

auspuchTë prekur sidomos banorët e qyteteve

Siç del nga raporti, shumica e banorëve të qyteteve evropiane janë të ekspozuar ndaj ndotësve të ajrit në një nivel që nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konsiderohet i rrezikshëm. Ndër ndotësit më problematike që ndikojnë në shëndetin e njeriut janë pluhuri i imët, dioksidi i azotit (NO2) dhe ozoni troposferik (O3). Këto lëndë janë të dëmshme edhe për bimët.

Burimi kryesor i sëmundjeve dhe i vdekjeve të parakohëshme në Evropë është pluhuri i imët, që ka një diametër prej 2,4 mikrometër dhe hyn ërmes hundës në gjak dhe në mushkri. Ky lloj pluhuri shkaktohet prej motorëve me naftë dhe prej fërkimit të frenave, të gomave të makinave dhe të asfaltit. Po ashtu edhe prej termocentralëve me qymyr, sobave dhe prej qarkullimit të anijeve dhe të avionve. Prej tij sipas ekspertëve kanë gjetur vdekjen e parakohëshme në Evropë rreth 432.000 vetë në vitin 2012.

ajri i ndotur tymAutomjetet përgjegjëse për dioksidin e azotit dhe ozonin në qytete

Shumë të larta janë edhe vlerat e dioksidit të azotit (NO2) dhe ozonit në qytete. Ato shkaktojnë dhimbje koke, marrje fryme, marrje mendsh dhe impotencë.

98 për qind e popullsisë urbane në vendet e BE-së ka qenë e ekspozuar në vitin 2013 ndaj përqendrimeve të ozonit “që janë mbi rekomandimet e OBSH-së” thuhet në raportit. Përveç kësaj edhe përqendrimi i dioksidit të azotit ishte mbi vlerat që rekomandon OBSH-ja dhe kërkesat e BE-së.

Ekspertët rekomandojnë që të respektohen normat e cilësisë së ajrit që rekomandon OBSH-ja. (dw)

NATO synon ringjalljen e dialogut me Rusinë

NATO fton Malin e Zi për anëtarësim, dhe po ashtu synon ringjalljen e dialogut me Rusinë. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas bombave të NATO-s në ish-Jugosllavi, me ftesën për Malin e Zi NATO bën një gjest sfidues ndaj Rusisë.

Jens Stoltenberg Nato“Ky është fillimi i një aleance të mrekullueshme”, tha i entuziazmuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin me ministrin e Jashtëm të shtetit xhuxh të Malit të Zi, i cili qe ftuar në rrethin e vendeve anëtare të NATO-s si anëtar i ardhshëm. Ministri i Jashtëm Igor Luksiç u përshëndet nga kolegët e tij të ardhshëm madje me duartrokitje. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas bombave të NATO-s në ish-Jugosllavi, me propozimin e saj ndaj Malit të Zi aleanca po bën një gjest sfidues ndaj Rusisë.

Zgjerim i NATO-s drejt Lindjes

Ftesa për Malin e Zi “nuk ka lidhje me Moskën”, komentoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, “dhe nuk drejtohet kundër askujt.” Diplomatët, megjithatë, e interpretojnë këtë hap edhe si një gjest: për të treguar se Kremlini nuk ka të drejtën e vetos në vendimet për anëtarësim në NATO. Me ofertën për Malin e Zi, NATO-ja zgjeron anëtarët e saj në ish-sferën e ndikimit të Moskës në Evropën Juglindore. Në reagimet e para ruse u fol për një “goditje të rëndë nga blloku euro-atlantik”. Konkret pranimi i Malit të Zi mund të bëhet në samitin korrikun e ardhshëm: deri atëherë duhet të jenë çuar përpara reformat në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit.

Sa i përket procesit të anëtarësimit të Gjeorgjisë nuk ka përparime, sepse parimet e NATO-s e ndalojnë anëtarësimin e një vendi që ka mosmarrëveshje territoriale. Ministrat e Jashtëm të NATO-s kërkuan sërish largimin e trupave ruse nga rajoni i Abkazisë dhe i Osetisë Lindore, por sa kohë “frozen conflicts” mbeten të pazgjidhura, NATO ngurron me hapat ndaj Tbilisit.

Ringjallja e dialogut me Rusinë

NATO synon rifillimin e dilaogut politik me Rusinë. “Nuk ka absolutisht asnjë kontradiktë ndërmjet një mbrojtjeje të fortë dhe dialogut politik,” tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg i pyetur për bisedimet në kuadrin e Këshillit NATO-Rusi. Këto bisedime u ndërprenë verën e vitit të kaluar nga kriza në Ukrainë. Sidomos ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier kërkon “që ndoshta takime në nivel ambasadorësh të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur”. Edhe pse procesi i armëpushimit në lindje të Ukrainës është ende i vështirë, Rusia po sillet konstruktive në negociatat e Vjenës për një zgjidhje politike të konfliktit sirian. Disa përfaqësues nga Evropa Lindore megjithatë paralajmërojnë ndaj një kthimi tepër të shpejtë tek “business as usual” me Rusinë, pra sa kohë konflikti në Ukrainë është ende i gjallë.

Më tepër informacion dhe ndihmë për të luftuar IS-in

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dëshiron më tepër këmbim informacionesh në lidhje me manovrat ushtarake. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg përmendi qëllimin e avionit rus në kufirinin turko-sirian për të bërë thirrje për më tepër transparencë dhe dialog. Dialogu mund t’i minimizojë rreziqet dhe incidentet.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së John Kerry kërkoi ndihmë nga partnerët e NATO-s për të mbështetur trupat speciale amerikane në luftë kundër IS-it. Ai tha se vendet e ndryshme mund të japin kontribute të ndryshme, si trajnime për policinë, furnizimin me municion dhe masa të tjera. Kerry përshëndeti edhe angazhimin e Rusisë në procesin e Sirisë.

Po ashtu Kerry tha se Turqia është e gatshme ta mbyllë krejtësisht kufirin me Sirinë në zonën që dominohet nga IS-i. “Eshtë edhe në interesin e Turqisë që të pengojë transportet ilegale të naftës dhe kalimin e luftëtarëve të huaj” – tha Kerry.

Zgjatja e misionit në Afganistan

NATO do të zgjasë praninë e saj në Afganistan dhe do të jetë e pranishme aty me 12,000 ushtarë edhe në vitin 2016. Vendimi u mor për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend. Po ashtu është edhe në interes të vetë “Afganistanit që të mos bëhet përsëri strehë për terroristët ndërkombëtarë”, argumentoi Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s. Megjithatë, nuk duhet të ketë kthim në një mision luftarak, por do të vazhdojë shkollimi dhe trajnimi i forcave afgane të sigurisë. Në të njëjtën kohë në Bruksel (01.12) u bë thirrje që partnerët e NATO-s të grumbullojnë paratë e nevojshme për të financuar ushtrinë afgane deri në vitin 2020. Kjo kushton çdo vit rreth 5 miliardë dollarë, dhe shumica paguhet nga SHBA-ja. (dw)

policia usaAutoritetet në San Bernardino të Kalifornisë konfirmuan identitetin e dy të dyshuarve për sulmin e së mërkurës në një agjenci shërbimesh sociale, që la pas vetes 14 të vdekur dhe 17 të plagosur.

Të dyshuarit u identifikuan nga shefi i policisë në San Bernardino, Jarrod Burguan, të enjten herët në mëngjes si 28 vjeçari i lindur në Shtetet e Bashkuara, Syed Farook dhe 27 vjeçarja Tashfeen Malik. Farooku ishte identifikuar më herët si një nga të dyshuarit nga disa media. Burguan tha se ata ishin ose të martuar ose të fejuar. Agjencia e lajmeve Associated Press dhe gazeta Los Angeles Times, thanë se ata ishin të martuar dhe kishin një fëmijë.

Burguan konfirmoi njoftimet se Farooku ishte punonjës i departamentit të shëndetësisë në qarkun e San Bernardinos, që po mbante një kremte krishtlindjesh në një kamp që ofron shërbime për personat me nevoja të veçanta.

Farooku u largua me zemërim nga kremtja për t’u kthyer më pas bashkë më Maliken, që të dy të armatosur rëndë.

Disa orë më vonë, dy të dyshuarit, u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, pasi automjeti i tyre u diktua në qytetin Redlands aty pranë. Një polic u plagos gjatë shkëmbimit zjarri, por pa rrezik për jetën.

Një person u arrestua derisa po përpiqej të ikte nga zona, por shefi i policisë tha se është e paqartë se çfarë po bënte ai në vendin e ngjarjes.

Burguan tha se është e qartë që çifti ishte i përfshirë në njëfarë shkalle të planifikimit të sulmit. Ai tha se ende nuk dihen motivet e masakrës, por theksoi se nuk përjashtohet terrorizmi. Ai tha se tri mjete shpërthyese janë gjetur në ndërtesë dhe janë shkatërruar, ndërsa roboti është vendosur në shtëpinë në Redlands për të kërkuar mjete të mundshme shpërthyese.

Më herët të enjten, kunati i Farookut, Farhan Kahn, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në një konferencë për shtyp të mbajtur në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) në Los Angeles. Kahn tha se nuk kishte asnjë ide se pse Farooku kishte kryer sulmin.

“Ne e dënojmë pa hezitim aktin e tmerrshëm”, tha drejtori ekzekutiv i CAIR-it Hussam Ayloush. “Ne hedhim poshtë çdo ideologji të mundshme apo ide që mund të ketë çuar në një akt kaq të tmerrshëm”.

Patrick Baccari, që punonte me Farook-un, tha se ai kishte udhëtuar për në Arabinë Saudite me herët gjatë këtij viti dhe ishte kthyer me një grua, ndonëse nuk tha nëse ajo grua ishte Malikja.

Ngjarjet e së mërkurës ishin më të rëndat në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2012, kur 20 fëmijë dhe gjashtë mësues u vranë në shkollën fillore Sandy Hook në Connecticut.

Në komentet për televizionin CBS, Presidenti Barak Obama tha se në SHBA vrasjet në masë janë bërë rrugë, si në asnjë vend tjetër të botës.

Ai tha se ka masa që mund të merren për t’i bërë amerikanët më të sigurt dhe shtoi se zyrtarët në çdo nivel të qeverisjes duhet të bashkohen pa dallime partiake për të bërë që raste të tilla të jenë të rralla e jo një dukuri normale.

Dy kandidatët kryesorë për president reaguan në Twitter. Demokratja Hillari Klinton tha se ajo nuk mund “ta pranojë këtë ngjarje si normale.” “Ne duhet të marrin masa tani për të ndalur dhunën e armëve,” – tha ajo.

Republikani Donald Trump e cilësoi ngjarjen si ogurzezë dhe u uroi fat policëve në vendngjarje.

Ngjarja në San Bernardino vjen më pak se një javë pasi një person i armatosur vrau tre vetë dhe plagosi nëntë në një klinikë për planifikimin familjar në Kolorado Springs të shtetit Kolorado. Në tetor, një person i armatosur vrau nëntë vetë në një kolegj të shtetit Oregon, ndërsa në qershor një tjetër person i armatosur i bardhë u mori jetën nëntë besimtarëve afrikano-amerikanë në Karolinën e Jugut. (voa)

Vetëvendosje: Qeveria keqpërdor përkrahjen amerikane

KerryLëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe opozitare në Kosovë, e cilësoi shumë të rëndësishme vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, ndërsa kritikoi qeverinë për siç thuhet, keqpërdorim të mbështetjes amerikane.

Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet se vizita e sekretarit Kerry, “ishte vizitë e një zyrtari të nderuar të një vendi aleat për Kosovën, dhe si e tillë respektohet nga spektri politik e qytetar në Kosovë. Orientimi gjeopolitik i Kosovës, në këtë botë e cila funksionon në logjikën e kampeve, është i përcaktuar qartë dhe nuk ka alternativa të tjera”.

Por, sipas Vetëvendosjes “qeveria e Kosovës nuk po e përdor përkrahjen dhe respektin e Amerikës për Kosovën, për fitore ndaj Serbisë, por po e keqpërdor atë në funksion të projekteve të Serbisë në Kosovë”.

Qeveritarët e Kosovës duhet të kërkojnë prej SHBA-së ndihmë për të ndërtuar një ekonomi prodhuese, një drejtësi funksionale, arsim e shërbime publike cilësore, dhe mbi të gjitha ushtrinë e Kosovës, në mënyrë që partneriteti me SHBA-në të zhvillohet edhe më tej edhe të bëhet edhe ushtarak.

Por një politikë të tillë të jashtme Kosova nuk do ta ketë për sa kohë të qeveriset nga njerëz të cilët për shkak të frikës nga ndëshkimi i korrupsionit duan të mbajnë me çdo kusht veten në pushtet”.

Mesazhi i zotit Kerry, sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit, është shumë i rëndësishëm, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se parlamenti i Kosovës “është cenuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica e cila po zhvillon një formë të diktaturës së numrave. Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amandamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet e Kuvendit, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi që zoti Kerry e cilëson të shenjtë.

Kjo shumicë arrogante, e mishëruar në pushtetin e Thaçit e Mustafës, ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të cilat nuk i ka diskutuar më parë në Kuvend, duke anashkaluar kështu parimin kryesor të demokracisë, që është përfshirja e respektimi i opozitës. Thirrjet e sotme të Isa Mustafës për dialog në Kuvend janë hipokrite, pasi janë post-festum. Tërheqja nga marrëveshjet do të nënkuptonte kthim në normalitet të institucioneve. Përndryshe, të thërrasësh për dialog mbi një fakt të kryer, s’është gjë tjetër përveçse një tallje që zoti Mustafa ia bën demokracisë”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje vlerëson thirrjen e zotit Kerry për gjykimin dhe ndëshkimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. “Por, në shtetin tonë fatkeqësisht është instaluar një kastë politike e cila njëson pushtetin shtetëror me atë ekonomik e me atë mafioz. Kjo kastë politike jo rrallë ushtron ndikim të fortë mbi institucionet e pavarura, mbi gjykatat madje dhe mbi mediat e mbi shoqërinë civile. Për të çrrënjosur këtë kastë kriminale, ne kemi nevojë edhe për ndihmën e partnerëve si SHBA-ja”.

“Ne kemi besimin e plotë se SHBA, si edhe vendet e tjera aleate të Kosovës, do të përkrahin forcimin e sovranitetit të Kosovës, si edhe demokratizimin e jetës politike në vend, si dhe do të dënojnë dhunën e papranueshme e përjashtimin që ushtrohet në Kosovë ndaj opozitës aktuale, e cila shumë shpejt do të jetë qeveria e nesërme”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje. (voa)

Zuckerberg rrit angazhimin në filantropi

ZukerbergKomuniteti filantropik mirëpriti lajmin se Mark Zuckerberg do t’i përdorë 99 përqind të aksioneve që ka në Facebook, vlerave e të cilave është aktualisht rreth 45 miliard dollarë, për një projekt të ri filantropik që përqendrohet tek potenciali njerëzor dhe barazia.

 

Mark Zuckerberg, themelues dhe drejtues i kompanisë Facebook, dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan dje njoftuan përmes një letre për vajzën e tyre të porsalindur se do të japin 99 përqind të aksioneve të tyre që tani vlejnë rreth 45 miliard dollarë.

 

Plani, i cili u publikua në faqen e tij të Facebookut dhe është përlqyer nga më shumë 360,000 njerëz, pason veprime të ngjashme nga miliarderë të tjerë të profilit të lartë si Warren Buffett dhe Bill dhe Melinda Gates, të cilët kanë themeluar fondacione për të dhënë pjesë të pasurive të tyre për përpjekje të ndryshme filantropike.

John Kobara i Fondacionit Komuniteti i Kalifornisë, një nga fondacionet më të mëdha bamirëse në Shtetet e Bashkuara, përshëndeti lajmin.

“Nuk u befasova, sepse kur ke një pasuri kaq të madhe dhe mund të dhurosh 45 ose 46 miliardë dollarë, nuk ka pse të mos ta dhurosh pjesën më të madhe të parave. Por unë mendoj se kjo është gjë e mirë pasi vendos një standard dhe një shembull për njerëzit e tjerë që edhe ata të japin. Mark Zuckerberg ka qenë bujar edhe në të kaluarën dhe tani ai po jep një mesazh duke dhënë pothuajse gjithë  pasurinë e tij për filantropi”, tha zoti Kobara.

Ky nuk është veprim i parë filantropik i zotit Zuckerberg. Në moshën 26 vjeçare, ai nënshkroi për fushatën “Giving Pledge” ose Premtimi për të dhënë, e cila fton individët dhe familjet e pasura të botës që të japin më shumë se gjysmën e pasurisë së tyre për synime filantropike apo bamirësie gjatë jetës së tyre.

“176 miliarderë kanë premtuar tashmë të japin gjysmën e pasurisë së tyre përmes fushatës “Giving Pledge” dhe kjo është shumë e dobishme”, thotë zoti Kobara.

Investitori miliarder Warren Buffett, i cili falënderoi Mark Zuckerbergun në Facebook për zotimin e tij, premtoi në vitin 2006 se aksionet e kompanisë së tij Berkshire Hathaway me vlerë prej 31 miliard dollarësh do t’i jepeshin Fondacionit Gates, ky ishte donacioni më i madh deri në atë kohë.

Zuckerberg, i cili do të kontrollojë iniciativën e re dhe do të mbetet në krye të rrjetit social më të madh të internetit në botë, tha se do të shesë apo të japë deri në 1 miliard dollarë në aksione në secilin nga tre vitet e ardhshme.

Në lagjen Venice të Los Anxhelesit që ndodhet në brigjet e Paqësorit, njerëzit përshëndetën lajmin.

“Unë mendoj se është një ide e mirë. Mendoj se në qoftë se ke pasuri të tepërt, duhet të japësh një pjesë të saj për njerëzit që kanë nevojë”, thotë Claire Delohely nga Sidni i Australisë.

Eric Decker, nga Çikago, thotë se edhe pjesa e mbetur prej një përqind e aksioneve të Zuckerbergut është një pasuri shumë e madhe:

“Jam i sigurt se një përqindshi që do t’i mbetet atij do të jetë mëse i mjaftueshëm për fëmijët e tij. Pra, nuk shoh asgjë të keqe nga kjo”, tha ai.

Për të dhënë lajmin për lindjen e fëmijës së tij të parë, Zuckerberg postoi në faqen e tij në Facebook një foto të tij me bashkëshorten dhe vajzen e tyre të re, Maxima, së bashku me një mesazh të titulluar “Një letër për vajzën tonë”.

Në këtë letër, zoti Zuckerberg dhe zonja Chan përmendin ndihmën për shëndetësinë, arsimin, qasje në internet dhe shkollimin para se të njoftonin Iniciativën Chan Zuckerberg, e cila synon të “avancojë potencialin njerëzor dhe të promovojë barazinë”.

Nisma e tyre do të fillojë punën duke u fokusuar në përpjekjet për gjetjen e kurave për sëmundjet, qasjen në internet, ndërtimin e komuniteteve dhe arsimimin përmes teknologjisë. (voa)

Vlerësimet e VETËVENDOSJE!-s mbi vizitën e John Kerry-t në Kosovë

vetevendosjeVizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, John Kerry, ishte vizitë e një zyrtari të nderuar të një vendi aleat për Kosovën, dhe si e tillë respektohet nga spektri politik e qytetar në Kosovë. Orientimi gjeopolitik i Kosovës, në këtë botë e cila funksionon në logjikën e kampeve, është i përcaktuar qartë dhe nuk ka alternativa të tjera.

Një aleancë e çmuar siç është mes dy vendeve tona, sigurisht që kanë nevojë për një investim serioz të dyanshëm. Ndërkohë që nuk jemi në pozitën e shqyrtimit të kësaj marrëdhënie nga ana e SHBA-së, është detyra jonë si subjekt politik i Kosovës, të vëmë nën shqyrtim kritik qasjen e palës kosovare në këtë marrëdhënie.

Qeveria e Kosovës nuk po e përdor përkrahjen dhe respektin e Amerikës për Kosovën, për fitore ndaj Serbisë, por po e keqpërdor atë në funksion të projekteve të Serbisë në Kosovë.

Qeveritarët e Kosovës duhet të kërkojnë prej SHBA-së ndihmë për të ndërtuar një ekonomi prodhuese, një drejtësi funksionale, arsim e shërbime publike cilësore, dhe mbi të gjitha ushtrinë e Kosovës, në mënyrë që partneriteti me SHBA-në të zhvillohet edhe më tej edhe të bëhet edhe ushtarak.

Por një politikë të tillë të jashtme Kosova nuk do ta ketë për sa kohë të qeveriset nga njerëz të cilët për shkak të frikës nga ndëshkimi i korrupsionit duan të mbajnë me çdo kusht veten në pushtet.

Mesazhi i zotit Kerry, sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit, është shumë i rëndësishëm.
Dëshirojmë të vëmë në dukje se Kuvendi i Kosovës është cënuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica e cila po zhvillon një formë të diktaturës së numrave. Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amandamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet e Kuvendit, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi që zoti Kerry e cilëson të shenjtë.

Kjo shumicë arrogante, e mishëruar në pushtetin e Thaçit e Mustafës, ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të cilat nuk i ka diskutuar më parë në Kuvend, duke anashkaluar kështu parimin kryesor të demokracisë, që është përfshirja e respektimi i opozitës. Thirrjet e sotme të Isa Mustafës për dialog në Kuvend janë hipokrite, pasi janë post-festum. Tërheqja nga marrëveshjet do të nënkuptonte kthim në normalitet të institucioneve. Përndryshe, të thërrasësh për dialog mbi një fakt të kryer, s’është gjë tjetër përveçse një tallje që zoti Mustafa ia bën demokracisë

I bëjmë me dije opinionit publik se kundër këtyre marrëveshjeve qytetarët e Kosovës kanë nënshkruar një peticion me mbi 205 mijë nënshkrime, e megjithatë kjo qeveri nuk e ka marrë parasysh. Një qeveri e cila lidh marrëveshje mbi territorin e vet pa përfshirë opozitën, pa pyetur popullin, pa marrë parasysh peticione, nuk është qeveri demokratike dhe as transparente. Një qeveri e tillë nuk është sipas modelit të SHBA-së. Qeveri të tilla më shumë i ngjajnë modelit të zotit Mubarak në Egjipt, i cili po ashtu i përdorte takimet me zyrtarë të lartë perëndimorë për të fituar legjitimitet, ndërkohë që shtypte opozitën dhe varfëronte popullin.

Vlerësojmë thirrjen e zotit Kerry për gjykimin dhe ndëshkimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. Por, në shtetin tonë fatkeqësisht është instaluar një kastë politike e cila njëson pushtetin shtetëror me atë ekonomik e me atë mafioz. Kjo kastë politike jo rrallë ushtron ndikim të fortë mbi institucionet e pavarura, mbi gjykatat madje dhe mbi mediat e mbi shoqërinë civile. Për të çrrënjosur këtë kastë kriminale, ne kemi nevojë edhe për ndihmën e partnerëve si SHBA-ja.

Ne kemi besimin e plotë se SHBA, si edhe vendet e tjera aleate të Kosovës, do të përkrahin forcimin e sovranitetit të Kosovës, si edhe demokratizimin e jetës politike në vend, si dhe do të dënojnë dhunën e papranueshme e përjashtimin që ushtrohet në Kosovë ndaj opozitës aktuale, e cila shumë shpejt do të jetë qeveria e nesërme.

2 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Skandal: Peshevski, ndotjen nuk e bën Jugohromi por ngrohja me dru!

PESHEVSKISituata me ndotjen e ajrit në Shkup dhe Tetovë është rezultat i kombinimit të shumë efekteve, e jo vetëm e industrisë. Pjesë më të madhe në ndotje ka ndotja me drunj për ngrohje, sepse atje emisioni i grimcave është mjaft i madh, vlerësoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Vllladimir Peshevski.

Bëjmë gjithçka që nuk është bërë në vitet e fundit dhe mendoj se në pjesën e mbrojtjes së mjedisit jetësor kjo Qeveri ka bërë më shumë se cila do qeveri më parë, deklaroi Peshevski, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas mbjelljes së fidanëve në Park pyllin Gazi Babë në kuadër të aksionit “Dita e drurit – mbille ardhmërinë tënde”.

Ai theksoi se rrjedhin afatet që i ka ndarë Qeveria për Jugohromin nga Jegunovca për t’i bërë filtrat e domosdoshme, ndërsa aktivitetet përgatitore janë në vazhdim.

Jugohrom tani punon me 20 për qind të kapacitetit dhe është pjesëmarrës shumë i vogël në ndotjen e përgjithshme të Tetovës. Insistojmë që kompania t’i kënaq standardet ekologjike në pajtim me vendimin e Qeverisë dhe në pajtim me normat evropiane. Përderisa kjo nuk ndodh në afatet e parapara do të ndërmerren masa të nevojshme ligjore, theksoi Peshevski. (ina)

Ligji i ri, bastet sportive 200 m larg shkollave. Kundërshton PD: Krijon monopole

Shumë prej atyre që kanë një pikë bastesh sportive mund t’u duhet ta mbyllin. Komisioni i Ekonomisë po diskuton një ligj, i cili nuk lejon asnjë pikë basti sportiv në një distancë prej 200 metrash nga shkollat, kishat apo xhamitë.

“A e dini se në një qytet që ka dy shkolla, një kishë dhe një xhami, i bie që nuk duhet të ngrihet asnjë pikë lojërash fati të këtij lloji, sepse aq është qyteti? Nga 15 deri në 200 metra është tepër kufizuese dhe shtrënguese”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Mazhoranca thotë se, qëllimi i ligjit është reduktimi sa më shumë i pikave të basteve, që sipas saj kanë zaptuar qytetet, por opozita thotë se drafti krijon monopol në treg.

“Zoti Bode, qëllimi i këtij ligji është reduktimi deri në mbyllje i këtyre lojërave. Këtu bëhet fjalë për lokalet e basteve sportive dhe, në qoftë se ka një gjë që vazhdon të jetë e përhapur pa fund nëpër qytetet tona, ato janë lokalet e basteve. Nuk ka pallat që të mos ketë në kat të parë një pikë basti. Me këtë ligj nuk po i heqim dot larg kateve të para të pallateve, të paktën të jenë larg këtyre 3 institucioneve”, u kundërpërgjigj kreu i këtij komisioni, Erion Braçe

“Kopshte, shkolla dhe institucione kulti ka jashtëzakonisht shumë. I bie që në të gjithë Tiranën të mbeten 10-20 nga këto pika bastesh, kështu që më mirë t’i ndaloni fare. Kush do t’i mbajë këto 20 pastaj?”, replikoi sërish deputeti demokrat, Bode.

Pas debateve, komisioni e shtyu për më vonë nenin, që përcakton distancën nga objektet e kultit.

Paralelisht, qeveria kishte parashikuar në draft, që edhe distanca ndërmjet pikave të ishte jo më e vogël se 200 metra. Por edhe votimi i kësaj pike u shty për më vonë.

Veç reduktimit të basteve sportive, ligji i ri i nxjerr jashtë qyteteve edhe kazinotë, duke i zhvendosur ato vetëm në zonat bregdetare.

/ Top Channel