70 vjet histori Krishtlindjesh në Gjermani

Krishtlindjet pa pemë janë të paimagjinueshme për gjermanët. Kështu është prej më shumë se 100 vjetësh. Por disa gjëra kanë ndryshuar në vite. Sot ka më shumë konsum se sa reflektim.

krishtlindjet

 

Asnjë event tjetër kristian nuk festohet kaq intensivisht në Gjermani sa lindja e Krishtit. Edhe në mijëvjeçarin e tretë kalendari nuk mund të mendohet pa krishtlindjet. Kultura e festës, që ka evoluar gjatë shekujve, ka nxjerrë një simbol, pa të cilin festa do të ishte e paimagjinueshme, pemën e krishtlindjeve. “Pa pemën e Krishtlindjeve nuk mund të imagjinohet njerëzimi”, thotë historiani dhe arkeologu Peter Knierriem. Ai mendon për më tepër se pema e zbukuruar do të zërë vend edhe në zona, që nuk kanë të bëjnë me krishtlindjet.

Knierriem është drejtor i muzeut Schloss Rochlitz në Saksoni dhe studjon prej më shumë se 20 vjetësh kulturën e krishtlindjeve. Eksponate të koleksionit të tij të madh ai i prezanton në muzeun e pallatit Lauenstein, rreth 40 kilometra në jug të Dresdenit. Ekspozita e posaçme “Kush tha natë e qetë – Krishtlindjet një udhëtim përmes dy mijëvjeçarëve të kulturës së kësaj feste”, zgjat deri më 7 shkurt 2016.

Traditë e re

Mënyra se si gjermanët i festojnë Krishtlindjet, është një traditë e re, thotë historiani në bisedë me DW. Bredhin e stolisur, pa të cilin nuk mund të mendohet sot asnjë dhomë gjermane, e hasim për herë të parë në shekullin e 15-të. Atëherë kanë qenë zejtarët ata, që mbushnin pemën duke e zbukuruar me ushqime. “Gjatë procesioneve me shumë zhurmë dhe hare këto pemë shëtiteshin nëpër rrugë.”

Para 200 vjetësh gjatë periudhës Biedermeier, u bë zakon që një dru me formën e pemës të zbukurohej me degë shemshiri. “Pas gjithë këtyre zakoneve qëndron dëshira, që me degët e gjelbra të sfidohet periudha e ftohtë e vitit duke shprehur në këtë mënyrë shpresën për jetën”, thotë Knierriem.

Pema e ndriçuar e krishtlindjeve ndeshet për herë të parë në shekullin e 19-të. Historiani tregon se ajo u përhap në vitin 1870 në luftën gjermano-franceze. “Në atë kohë mbreti Vilhelm, i cili u bë më vonë perandor, festoi në Versajë nën pemën e krishtlindjeve fitoren kundër Francës. Nëse mbreti e bën këtë, duhet të jetë diçka e mirë, tha populli dhe bëri të njëjtën gjë.”

Lufta tek bredhi

Pastaj pema e krishtlindjeve u vu gjithnjë e më shumë në qendër të festimit të krishtlindjeve në familje. Pas dhomave të borgjezisë, ajo pushtoi edhe kthinat e shtresave të thjeshta.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore në 1914 përfshiu edhe bredhin e Krishtlindjeve: Pemët zbukuroheshin në mënyrë patriotike, thotë Peter Knierriem: “Të gjithë arsenalin e armëve të Luftës së Parë Botërore mund ta gjesh si dekoracion të bredhit në formën e dylbive, avionëve, granatave, minave detare apo anijeve luftarake.”

Tradita e dhuratave

Tradita e të dhuruarit erdhi më vonë. Ajo nisi fillimisht në mënyrë shumë modeste, tregon Tanja Roos, historiane për historinë ekonomike dhe sociale: “Midis vitit 1900 dhe Luftës së Dytë Botërore (1939) dhuratat për fëmijët ishin të vogla: kukulla të thurura vetë dhe lojëra të thjeshta me letra, topa, libra, lodra prej druri. Nën ndikimin e militarizimit para Luftës së Parë Botërore ka pasur lodra fëmijësh në formë ushtarësh dhe pushkësh.”

Bredhi i ndritshëm në kohën e nazistëve

Me ardhjen në pushtet të nacionalsocializmit politika ndërhyri edhe në festën tradicionale të krishtlindjeve. Festa u keqpërdor për qëllime ideologjike. “Qëllimi i pushtetarëve ishte që të dëbonin idenë kristiane nga kultura e festës, sepse ideologjia e tyre nuk mund të pajtohej me krishtërimin”, thotë historiani Peter Knierriem.

Kështu nazistët u përpoqën të ringjallnin zakonet gjermanike. Festa e krishterë duhej të kthehej në “julfest”, e cila kremtohej në Evropën veriore gjatë solsticit të dimrit. Bredhin e krishtlindjeve ata e quanin “bredh jul”. Simbolet e krishtera kryqi dhe ylli i Betlehemit u zëvendësuan me kryqin e thyer dhe diellin gjermanik.

Krishtlindjet në luftë

“Krishtlindjet e para të luftës ishin një element, të cilin propaganda mundi ta shfrytëzojë mirë”, shpjegon historiani nga Saksonia. “Ata ishin një apel drejtuar unitetit të popullit.” në 1943 prodhimi i zbukurimeve për bredhin u ndërpre, vazhdon ai. “Krishtlindja në luftë mund të jetë gjithmonë një element propagandistik, por qytetari normal ka prej kohësh mendimin e tij, kur e bën festën vetëm me një degë bredhi në vendstrehimin kundër bombardimeve.”

Trishtimi mbizotëronte krishtlindjet e fundit të luftës, thotë historiania Tanja Roos. Shumica e artikujve të përdorimit të përditshëm nuk gjendeshin, ose ishte shumë e vështirë të gjendeshin. Kishte “ushqime zëvendësues” si elbi në vend të kafesë dhe mjaltë artificiale. Në këtë kohë të skamjesdhe luftës për mbijetesë dhuratat ishin gjëra pa rëndësi.

70 vjet pas përfundimit të luftës shumica e gjermanëve nuk e përfytyron dot më kohën e mangësive. Në shekullin e 21-të krishtlindjet janë bërë një festë kryesisht konsumuese. Por janë edhe momentet e qeta dhe reflektuese, sidomos kur familja mblidhet para bredhit dhe këndon këngë krishtlindjesh. (dw)

Kushtetuesja në Kosovë: AKS me pjesë antikushtetuese

Gjykata Kushtetuese mori vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është parashikuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

gjykataGjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, bëri të ditur se disa pjesë të marrëveshjes së fundit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS) e nënshkruar më 25 gusht të këtij viti nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese sqaron se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe duhet të themelohet ashtu siç është parashikuar në marrëveshjen e parë të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të vitit 2013, marrëveshje kjo që shënoi fillimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vendimin e saj prej 39 faqesh që Gjykata Kushtetuese e publikoi (23.12) në faqen e vet zyrtare thuhet se “Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre.

Prandaj “Gjykata konstaton se akti juridik i Qeverisë së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t‘i plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri me kapitujt e saj”.

Kërkesën për intepretimin e kushtetueshmërisë së parimeve të marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e ka bërë më 30 tetor të këtij viti presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Kjo kërkesë pasoi pasi tri partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, penguan mbajtjen e seancave të kuvendit, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja me palën serbe, marrëveshje kjo që sipas opozitës është antikushtetuese.

Me vendimin e së mërkurës (23.12) të Gjykatës Kushtetuese të nënshkruar nga kryetarja e kësaj Gjykate Arta Rama Hajrizi ka përfunduar edhe pezullimi i përkohshëm i marrëveshjes për asociacionin. Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese i lë dorë të lirë qeverisë së Kosovës që ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të parimeve të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga nga ana e saj, bëri të ditur se e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në kërkesën e saj për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj në këtë linjë presidentja kërkon zbatimin e vendimit.

“Presidentja Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve dhe spektrit politik në Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës. Presidentja fton partitë e koalicionit qeverisës dhe opozitën ta shfrytëzojnë këtë moment për të rinisur dialogun politik në Kosovë dhe për të rikthyer normalitetin në vend.

I menjëhershëm ishte reagimi i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Kjo parti siç thuhet në reagimin e saj e “mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve që përmban dokumenti i titulluar Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Konstatimi se Parimet e përgjithshme/elementet kryesore “nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 (Barazia para Ligjit) , paragrafi 1, me Kapitullin II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore) dhe me Kapitullin III Të (Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre), është dëshmi e pamohueshme se Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet kështu siç është shkruar e zeza mbi të bardhë dhe çdo sugjerim apo kërkesë e Gjykatës Kushtetuese se si të procedohet më tutje me këtë marrëveshje, nuk mund të jetë në domenin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. (dw)

Debat rreth vlerësimeve të Venecias

Reforma në Drejtësi, opozita: Komisioni i Venecias çmontoi skemën e kapjes politike. Kryetari i Komisionit të Reformës, Xhafaj: Sfidoj cilindo që thotë se është rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar

Komisioni i VeneciasNë Shqipëri opozita dhe drejtuesi i komisionit të posacëm parlamentar për reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj,i bënë komente të ndryshme vlerësimit paraprak të Komisionit të Venecias mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se dokumenti i Venecias sipas tij çmonton skemën e kapjes politike të Drejtësisë. Nga ana e tij zoti Xhafaj tha se sfidonte këdo që sipas tij pretendon se Komisioni I Venecias ka rrëzuar ndonjë nga nenet e paketës kushtetuese, duke ranuar se rekomandimet synojnë përmirësimin e propozimeve.

Opozita e cila u bë pjesë e komisionit të reformës në Drejtësi korrikun e kaluar falë ndërmjetësimit ndërkombëtar, përsëriti sot se ajo mbështeste plotësisht rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi paketën kushtetuese. Një ditë më parë këtë qëndrim e shprehu kryetari Lulzim Basha pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili më herët, për të njejtën cështje kishte biseduar dhe me ish kryeministrin Sali Berisha.

Kryetari i Komisionit parlamentar Fatmir Xhafaj, vlerësoi sot qëndrimin e opozitës: “Eshtë një lajm shumë inkurajues i fundvitit, fakti që PD e ka përqafuar publikisht dhe pa ekuivok, idenë tonë të ditës së parë të punës që në nisje të këtij procesi të refomës në Drejtësi se Komisioni i Venecias është pika më e sigurtë e referimit për  një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të Drejtësisë”

Komisioni i Venecias mori në shqyrtim paketën e hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj të angazhuar nga komisioni parlamentar. Opozita dërgoi vecmas një tjetër dokument me rekomandimet e saj. Sot deputeti Eduard Halimi deklaroi se “draft raporti i Komiionit të Venecias analizon dhe gjen tërësisht të drejtë shqetësimet e opozitës dhe gjithë  opinionit publik për problemet që pasqyronte përmbajtja e draftit lidhur me kapjen politike të sistemit. Ky dokument çmonton skemën e kapjes politike të drejtësisë dhe është udhërrëfyesi më i mirë më profesional për të ecur drejt një pakete që do të garantojë largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar , eliminimin e frymës dhe praktikave koorporativiste në qeverisjen e pushtetit gjyqësor, rritjen e përgjegjshmërisë dhe instalimin e mekanizmave të fortë e të qëndrueshëm llogaridhënës”

Por zoti Xhafaj u kundërpërgji duke u shprehur se “Sfidoj cilindo që del dhe thotë që Komisioni i Venecias ka rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar ndaj projektit kushtetues. Absolutisht Po, ka sugjerime për ta bërë më të mirë këtë projekt”

Në vlerësimet e tij, Komisioni i Venecias “mbështet autoritetet shqiptare për reformën gjithëpërfshirëse” duke evidentuar se ajo”nevojitet urgjentisht dhe se situata kritike justifikon zgjidhje radikale”. Komisioni “konstaton se draft Amendamentet paraqesin një bazë solide për punë të mëtejshme”, një punë që në pamje të parë duket e lehtë duke qenë se në parim palët tanimë janë në garë se kush i mbështet më shumë rekomandimet, por që në praktikë mund të shfaqet sërish e vështirë. (voa)

Përparimet teknologjike në 2015

makina elektrikeNovacionet teknologjike gjatë vitit 2015 përfshijnë avancimet robotike, automatizimet, rritjen e përdorimit të pajisjeve elektronike portative dhe përdorimin më të gjerë të burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Përparimet këtë vit në programet kompjuterike, pajisjet mekanike, sensorët dhe inteligjencën artificiale e sollën botën një hap më pranë të ardhmes robotike.

Makinat elektrike ishin mjaft popullore. Kompanitë më të mëdha reklamuan modele të reja ndërsa të tjera shkuan drejt makinave me hidrogjen.

“Ne duam të krijojmë një shoqëri që prodhon, përdor dhe lidhet me energjinë e hidrogjenit”, thotë Tahakiro Hachigo, drejtor ekzekutiv i kompanisë Honda.

Makinat pa shofer gjithashtu ishin më pranë përdorimit të përditshëm. Edhe një kamion pa shofer i prodhuar nga Mercedesi, demonstroi aftësitë e tij për të naviguar me siguri në autostrada.

“Mund t’i heq duart nga timoni dhe siç mund ta shihni makina ecën në vijë të drejtë”, thotë Wolfgang Bernhard me kompaninë Daimler.

Teknologjia e shtypjes 3D është bërë një mënyrë më e lirë prodhimi për pothuajse çdo gjë – që nga brumi e deri tek makinat.

 

((BRAD BALZER, DIVERGENT MICROFACTORIES CHIEF DESIGNER))

“Shasitë e prodhuara me printerat 3D janë vetëm 46 kilogramë dhe kanë të njëjtën forcë dhe siguri si ato të prodhuara me çelik”, thotë Brad Balzer, shef i kompanisë Microfactories.

 

((NARRATOR))

Studiues të tjerë thonë se shtëpitë e printuara me 3D mund të fillojnë së shpejti të zgjidhin mungesat globale të strehimit.

 

((MA YIHE, CEO OF WINSUN ENGINEERING (in Mandarin) ))

“Ne përdorim mbetjet e ndërtimeve, minierave dhe mbetjet urbane si lëndë të parë. Ne i ndajmë ato në kategori dhe i transformojmë në një ngjyrë të veçantë printimi”, thotë Ma Yihe, me kompaninë Winsun.

 

((NARRATOR))

Robotët ishin më pranë nesh gjithashtu, që nga recepsionistët e deri tek eksoskeletët që ndihmojnë njerëzit e paralizuar të ecin përsëri.

 

((WU CHENG-HUA, INVENTOR (in English) ))

“Kemi mësuar nga procesi ynë kërkimor se pacientët që kanë dëmtime nën kraharor mund të përdorin robotin për të qëndruar në këmbë, ecur dhe për t’u ulur”, thotë Wu Cheng-Hua, shpikës.

 

((NARRATOR))

Proteza që kontrollohen nga truri vazhdojnë të premtojnë ndihmë të madhe për të gjymtuarit.

 

((THORVALDUR INGVARSSON, ORTHOPAEDIC SURGEON (in English) ))

“Vendosim sensorë në muskuj dhe muskujt marrin sinjalet të cilat përçohen tek protezat dhe më pas reagojnë siç kërkohet nga truri”, thotë Thorvaldur Ingvarsson.

 

((NARRATOR))

2015 ishte gjithashtu viti i dronëve. Ata kanë filluar të eksplorojnë në hidrologjinë detare dhe biologji, duke luftuar kontrabandistët në Afrikë, duke ndihmuar fermerët dhe duke analizuar drithërat dhe inspektuar për dëmtime të mundshme.

Ndërkohë, zhvilluesit e programeve kompjuterike po përdorin gjithnjë e më shumë në praktikë telefonat inteligjentë.

“Në vend që të marrësh gjak dhe ta çosh në laborator, mund ta gjesh rezultatin brenda 15 minutave përmes pajisje e cila merrë një sasi shumë më të vogël gjaku me një pickim dhe e analizon atë me një saktësi të ngjashme me atë të laboratorit” thotë Sam Sia me universitetin Kolumbia.

Realiteti virtual përparoi gjithashtu në industrinë e lojrave më shumë nga kufjet e sofistikuara që të transportojnë në botë të ndryshme.

“Realiteti virtual është padyshim teknologjia më emocionuese në industri tani për tani dhe padyshim do të jetë fokusi në të ardhmen”, thotë Jon Hicks, ekspert i lojrave elektronike.

Gjithashtu në 2015 Mikrosofti paraqiti versionin më të ri të sistemit operativ, Windows 10, duke e ofruar për herë të parë falas.

(voa)

“Jugohromi” nuk mbyllet, shtyhet për mbledhjen e ardhshme qeveritare

JugohromiQeveria e Maqedonisë ka përfunduar mbledhjen e sontme ku diskutohej për mbylljen e ndotësit më të madh në rajonin e rajonin e Pollogut, fabrikën e Jugohromit.

Agjencia e lajmeve INA mëson se pika e rendit për mbylljen e fabrikës famëkeqe “Jugohrom” është shtyrë për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Nuk përjahstohet mundësia, që kjo të jetë një lojë ping-pongu ndërmjet të VMRO-BDI-së, vetëm sa të kalojë 25 dhjetori, respektivisht data kur skadon ultimatumi, i vendosur nga shoqata “Eko-Guerila”. (INA)

Opozita përkrah idenë e Jahjagës për demarkacionin

opozita ksIdeja e presidentes, Atifete Jahjaga, për themelimin e një komisioni me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do ta shqyrtonin Marrëveshjen për Demarkacionin, mbështetet nga subjektet opozitare.

Megjithatë, ata thonë paraprakisht se Qeveria duhet të heqë dorë nga marrëveshja aktuale dhe ta shkarkojë Komisionin, që udhëhiqet nga Murat Meha.

Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se pas vlerësimit pozitiv që ka dhënë Departamenti Amerikan i Shtetit për Marrëveshjen e 26 gushtit, çështja e demarkacionit duhet të konsiderohet e mbyllur nga ana e Kosovës.

Departamenti për Informim në Zyrën e Presidentes i pyetur nga “Zëri” ka pohuar se presidentja Jahjaga ka propozuar themelimin e një komisioni ad hoc me ekspertë të huaj, që do të bëjnë vlerësimin e këtij procesi.

Ndërsa, e para e vendit në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka thënë se mënyra e vetme institucionale dhe kredibile për t’i adresuar pasaktësitë eventuale në procesin e demarkacionit është formimi i një komisioni me ekspertë të huaj. /Zëri/

Hajdari: Reforma do ta pastrojë prokurorinë nga të paaftët dhe të korruptuarit

hajdari prokurorZëri i Amerikës: Zoti Hajdari! Ju prej disa vitesh drejtoni Shoqatën e prokurorëve të Shqipërisë dhe për mbi 20 vjet punoni si prokuror në drejtësinë shqiptare. Brenda pak kohësh ju u lëvizët dy herë nga detyra. Pse kanë ndodhur këto transferime për ju dhe kolegë të tjerë?

Shkëlqim Hajdari: Të gjitha transferimet e prokurorëve dy vitet e fundit, që janë bërë pa pëlqimin e tyre, në bazë të ligjit për organizimin e prokurorisë, janë në shkelje të ligjit. Ky ligj parashikon qartë që transferimi i një prokurori nga një rreth në një rreth tjetër ose nga një shkallë e prokurorisë në një shkallë tjetër më të ulët mund të bëhet vetëm në rastet e riorganizimeve të prokurorive. Prokuroria shqiptare nuk ka ndonjë riorganizim ndaj unë dhe kolegët e mi i kemi ankimuar tashmë dekretet e Presidentit të Republikës. Një pjesë e prokurorëve ka fituar; gjykatat administrative të shkallëve të para janë shprehur se këto lëvizje janë të pambështetura në ligj.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka arsye të tjera, përveç ligjit, që këto transferime u kryen përpara një reforme të thellë, që pritet në sistemin e drejtësisë?

Shkëlqim Hajdari: Për sa u takon transferimeve të mia, ato janë atipike, sepse unë kam marrë dy transferime në kuadër të riorganizimit brenda vitit; një herë jam shkarkuar në datën 8 tetor 2014 si drejtues i Prokurorisë së Apelit dhe së dyti, para pak ditësh brenda 24 orëve jam dekretuar nga Presidenti i Republikës për t’u transferuar në prokurorinë e Shkodrës si prokuror i thjeshtë. Unë preferoj t’i iki kësaj historie personale. Unë jam prokuror. Ashtu si kolegët e tjerë edhe unë do të ankimoj dekretin e transferimit të dytë në Shkodër. Edhe i pari është i paligjshëm, por e lashë mënjanë për të mos krijuar keqkuptime se po ankohesha për karrierë.

Unë e kam drejtuar Prokurorinë e Apelit përreth 7 vjet. Më 4 shtator 2008 kam gjetur një Prokurori Apeli me 3 zyra në cep të Prokurorisë së Përgjithshme dhe brenda pak muajve atëherë, në bashkëpunim me prokuroren e përgjithshme Ina Rama dhe me ministrin e drejtësisë Eduard Halimi, kemi siguruar mjedise të bollshme, kemi bërë një transformim rrënjësor të funksionimit të Prokurorisë së Apelit, më e madhja në Shqipëri, duke krijuar kushte pune për prokurorët, duke futur gjithë dosjet në sistem kompjuterik, duke i ndarë dosjet dhe duke punuar në grup, duke përfaqësuar me dinjitetçështjet në gjyq. Këto dalin në të gjitha analizat e bëra, ku ka qenë i pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm. Rezultatet e punës së Prokurorisë së Apelit, rezultatet e gjithë grupit të punës aty, janë nga viti në vit në rritje, për të mos thënë që në vitin 2013 dhe 2014, ku ka qenë i pranishëm edhe Prokurori iPërgjithshëm, Prokuroria e Apelit për rezultatet e punës që ka arritur, është marrë shembull për gjithë zyrat e prokurorive të Republikës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, Presidenti Nishani i ka dekretuar propozimet për transferime të ardhura nga kryeprokurori Llalla…

Shkëlqim Hajdari: Unë nuk bëj komente jashtë natyrës së punës time si prokuror. Di të them se, në këndvështrimin tim dhe të kolegëve të tjerë të transferuar në këtë lloj forme, këto janë të paligjshme, dhe arsyet pse transferimi im, për shembull, është bërë brenda 24 orësh mund t’i japë Presidenti i Republikës.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë, si drejtues i Shoqatës së Prokurorëve ju keni bërë propozime dhe ndihmesë për reformën në sistemin e drejtësisë. A mund të shpjegoni detaje mbi ndryshimet që po mendohen në prokurori, që ju e njihni mirë?

Shkëlqim Hajdari: Reforma në drejtësi ka dy vjet që është nismuar. Shoqata e Prokurorëve, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata e Avokatëve, Noterët, trupa e pedagogëve, shoqëria civile janë testuar përmes një sondazhi nga një o.j.f. se ku mendonin këto grupe interesi që duhet ndërhyrë në reformën në drejtësi për të përmirësuar gjendjen aktuale. Shoqata e Prokurorëve organizoi testimin e prokurorëve, ku morën pjesë rreth 70 për qind e prokurorëve dhe mbi 90 për qind e tyre pyetjeve kryesore iu përgjigjën si më poshtë: 1. Prokurorët e Republikës së Shqipërisë deklaruan se mënyra e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm është politike dhe duhet të ndryshojë. 2. Prokurorët e Republikës së Shqipërisë në maxhorancë shprehën që këshilli i prokurorisë, në rolin e këshilluesit, duhet të ndryshojë; duhet që ai këshill të bëhet vendim-marrës. Dhe 3. prokurorët u shprehën se duhet të fuqizohet gjithë strukturat dhe të rritet pavarësia e prokurorëve, sidomos ato struktura të prokurorisë që hetojnë në fushën e korrupsionit, duke mbështetur gjithë sistemin e prokurorisë, dhe veçanërisht anti-korrupsion, me anën financiare, me mbrojtje fizike të familjes, të jetës së tyre dhe promovimin e karrierave të tyre.

Zëri i Amerikës: Këto pika propozuat ju në emër të kolegëve si pjesë e reformës në prokurori?

Shkëlqim Hajdari: Ne falenderojmë ekspertët e reformës, që kanë marrë parasysh propozimet e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo tregon se ekspertët kanë punuar me qetësi dhe durim për dy vjet. Këto tre ndryshime të rëndësishme, këto tre kolona që preken, do të ndryshojnë krejt historinë e mënyrës së funksionimit dhe centralizmit arkaik, mbi bazën e të cilit funksionon prokuroria. Ne biem dakord të tërë që me ndryshimet në draftin e reformës Prokurori i Përgjithshëm nuk do të zgjidhet nga politika. Do të jetë një prokuror që do të dalë nga propozimet e këshillit të prokurorisë midis disa kandidaturave me kritere të forta të karrierës, të ngritjes profesionale, të pastërtisë morale, do të kalojë nëpër filtrat e parlamentit e ndoshta deri te Presidenti i Republikës dhe kjo është jashtëzakonisht pozitive.

Së dyti, këshilli i prokurorisë bëhet vendim-marrës me pjesëmarrjen e prokurorëve, një përfaqësues nga shkolla e magjistraturës, një nga dhoma e avokatisë, dy nga trupa e pedagogëve të fakultetit të drejtësisë dhe një nga shoqëria civile. Kjo strukturë rrit transparencën dhe ul trafikun e influencave, sepse këta persona jashtë trupës së prokurorëve, nuk kanë interesa direkte për të promovuar njerëz për arsye të tjera. Kjo risi do ta bëjë këshillin e prokurorisë më transparent, më të përgjegjshëm dhe do ta ruajë nga konflikti i interesave, sepse aktualisht këshilli i prokurorisë është në konflikt interesi.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është kritikuar shumë për një kulturë të mosndëshkimit të krimit dhe korrupsionit në administratë. Kjo histori nis nga gjykata dhe nga prokuroria. Si do ta largojë reforma pasivitetin dhe mosndëshkimin e korrupsionit në administratë dhe në radhët e vet drejtësisë?

Shkëlqim Hajdari: Reforma do të fuqizojë prokurorët dhe do t’i bëjë të përgjegjshëm; çdo prokuror që heton një çështje do të jetë ai vetë përgjegjës për dështimin apo suksesin e një dosjeje korrupsioni. Shumica e prokurorëve shqiptarë janë njerëz të ndershëm, që e duan profesionin, që sakrifikojnë, me paga as sa kolegët e rajonit të Ballkanit. Ky përforcim i tyre do t’i shtyjë ata të punojnë më shumë dhe do t’i bëjë ata më korrekt me detyrën. Së dyti, kjo do të përmirësojë sistemin e karrierës; nuk do të kemi më propozime klienteliste, as nepotike, me ndikime politike, për të mos thënë edhe me ndikime të grupeve kriminale në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë. Sepse këshilli i prokurorisë do të jetë një organ kolegjial, vendim-marrës, i mbrojtur nga konflikti i interesit. Sot 5 nga 6 antarë të këshillit të prokurorisë janë drejtues kryesorë të zyrave të prokurorisë, pra janë në konflikt të pastër interesi. Ndërsa me ndryshimet e pritshme këshilli i prokurorisë do të ketë antar vetëm një prokuror, i cili nuk do të ketë të drejtë të promovojë veten e tij.

Zëri i Amerikës: Jo më larg se të hënën, kryeprokurori Adriatik Llalla, deklaroi se institucioni ka fuqi vetë-rregulluese dhe është në gjendje të rregullojë problemet nga brenda. Si i komentoni këto deklarata?

Shkëlqim Hajdari: Unë jam dakord me këtë deklarim të zotit Llalla. Por prokuroria do të vetëpastrohet kur të bëjë këto ndryshime kushtetuese, që u përmendën; pra, duke zgjedhur kryeprokurorin nga radhët e prokurorëve me kritere shumë të forta, duke i zgjatur mandatin jo 5 por 9 vjet, duke e bërë këshillin e prokurorisë vendim-marrës, kolegjial dhe me njerëz nga bota akademike, duke fuqizuar prokurorinë e posaçme antikorrupson, duke përmirësuar kushtet e punës dhe mbështetjen financiare të gjithë prokurorëve dhe kryesisht të atyre, që merren me çështje të rënda. Nëse bëhen këto ndryshime, dhe unë jam shumë optimist që do të bëhen, ato do të sjellin vetëpastrimin e organit të prokurorisë nga të korruptuarit dhe nga të paaftët.

Zëri i Amerikës: Cili është vlerësimi mbi përpjekjet pro dhe kundër reformës në drejtësi?

Shkëlqim Hajdari: Unë jam profesionist, nuk jam politikan; ndryshimet kushtetuese dhe reforma në drejtësi votohet në parlament. Nuk e di kohën, por jam i bindur se kjo reformë do të bëhet dhe do të miratohet. Publiku dhe media shqiptare, ekspertët e huaj që janë pjesë e kësaj reforme dhe deklarimi i hapur i niveleve më të larta të Bashkimit Eiuropian përmes zonjës Vlahutin dhe të SHBA-ve, përmes ambasadorit Donald Lu e bëjnë këtë reformë shumë të suksesshme për t’u realizuar.

Ka edhe një arsye tjetër me rëndësi: këto dy shërbime diplomatike kanë në Shqipëri dy misione të specializuara në fushën e të drejtës: BE ka misionin Euralius dhe SHBA kanë zyrën OPDAT – pjesë e departamentit të drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto kanë vite që punojnë në Shqipëri, sidomos zyra OPDAT është mbështetësi kryesor i zyrave të Task Forcës, pjesë e hetimit të të cilave ka qenë korrupsioni. Ata e dinë mirë se ku kaçaluar struktura dhe pse nuk ka patur efektivitetin e duhur goditja e korrupsionit të zyrtarëve të lartë në nivele ministrash, të atyre që ishin në pushtet ose të këtyre që janë sot në pushtet. Publiku shqiptar pret përditë që kjo reformë të bëhet. Unë jam shumë optimist që reforma do të bëhet, sepse më keq se në ç‘gjendje jemi për shkak të pandëshkueshmërisë nuk ka ku të shkojë më. Të gjithë faktorët do të gjejnë modulin, pasi ekspertët e nivelit të lartë, vendas dhe të huaj, mbështetja e hapur e SHBA-ve përmes ambasadës së tyre dhe zyrës OPDAT janë garanci të sigurta që reforma në Shqipëri do të bëhet në një kohë sa më të shpejtë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në mënyrë të heshtur, kjo reformë ka jo pak kundërshtarë, që po përpiqen që ajo të mos kryhet. Ç‘ mund të thoni për ta?

Shkëlqim Hajdari: Kundërshtarët e kësaj reforme mund të ndahen në dy kategori: njëra kategori ka mungesa të formimit profesional dhe nuk kuptojnë se ne po hyjmë në një etapë të re ndryshimit të modelit dhe ristrukturimit të drejtësisë në Shqipëri, ndryshimit të mënyrës së funksionimit të prokurorisë dhe gjykatave. Po shtohet transparenca, po nxitet karriera e prokurorëve që janë prokurorë dhe gjyqtarëve që janë gjyqtarë, pa u vënë epitete të tjera. Grupi i parë ka mangësi në formimin intelektual dhe profesional. Grupi i dytë është më i vogël dhe luan me mekanzima të tjerë; në të janë ata prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë e të mesëm, të cilët kanë shkelur rëndë ligjin. Drejtësia vonon, por nuk harron. Këta janë pjesa penguese, por janë të identifikuar nga publiku shqiptar, nga prokurorët, nga misionet partnere, janë në minorancë për të bllokuar reformën dhe e kanë të pamundur për ta bëë këtë.

 

Po sot, një zyrtar nga prokuroria e përgjithshme pohoi për “Zërin e Amerikës” se komentet për “transferim te paligjshëm” të prokurorëve nëpër disa rrethe nuk qëndrojnë. Ai përsëriti shpjegimin e dhënë qysh ditën e parë se ato transferime janë kryer pas propozimeve për ndryshim strukturash të institucionit, për të cilat nuk nevojitet miratimi i prokurorëve.

Biblioteka Kombëtare, “shtëpia” e re e Mesharit të Gjon Buzukut

bujarnishaniPresidenti Bujar Nishani, gjatë vizitës në Bibliotekën Kombëtare në 95-vjetorin e themelimit të saj, i besoi kopjen e “Mesharit” të Gjon Buzukut këtij institucioni.

Pasi vlerësoi të gjithë punonjësit dhe menaxhuesit e bibliotekës, Nishani theksoi se “kopja e Mesharit, e sjellë si dhuratë për shqiptarët nga Papa Françesku, ka si vend më të përshtatshëm ruajtjeje pikërisht Bibliotekën Kombëtare.

“Ashtu si Meshari që i rezistoi shekujve, edhe besimi te përparimi i rezistoi kohërave në Shqipëri. Te ky Meshar gjejmë qetësinë shpirtërore dhe krenarinë kombëtare”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Nishani shtoi se “teknologjia është sfidë e madhe ndaj librit, por përmes infrastrukturës ne duhet ta kthejmë vëmendjen e brezit të ri te libri”.

/ Top Channel

Viti i terrorit në Europë

Dhjetë vjet pas sulmeve të fundit të mëdha në Londër Europa përjeton në 2015 një vit të keq terrori. Qindra vetë vdesin: francezë, turq, rusë. “Lufta” kundër “Shtetit Islamik” është rrjedhoja.

parisViti 2015 filloi ashtu si përfundoi: me sulme terroriste në Paris. Në janar qenë në shënjestër revista satirike Charlie Hebdo dhe një supermarkt hebre. 17 vetë humbën jetën. Në nëntor terroristët islamikë vranë 130 vetë në zemër të Parisit dhe në Stade de France. Franca dhe e gjithë Europa reagon e shokuar. Në janar presidenti francez, Francois Holande, foli për një barbari monstruoze, tani në fund të vitit ai e sheh kombin në luftë kundër “Shtetit Islamik” në dukje gjithnjë e më i fuqishëm, që vepron në Siri, Irak dhe Afrikën e Veriut. “Ajo që ka ndodhur dje në Paris dhe në Stade de France, është një akt lufte”, tha Hollande më 14 nëntor. “Në luftë kombi tani duhet të marrë vendimet e duhura. Akti luftarak u krye nga një ushtri terroriste e islamistëve të ‘Daesh’, kundër Francës dhe kundër vlerave, që ne mbrojmë në të gjithë botën, kundër çdo vendi të lirë.”

Forcohen sulmet kundër “IS”

Politikanët evropianë dhe udhëheqësit e vendeve të G20, që u mblodhën në Turqi menjëherë pas sulmeve terroriste në Paris, premtuan solidaritet dhe ndihmë. Meqë si Turqia dhe Rusia ishin viktima të sulmeve shkatërruese të islamistëve, pas vitit të terrorit në fundin e tij u krijua një koalicion i vështirë të mendohej më parë, i cili do të veprojë bashkarisht kundër “Shtetit Islamik”. Megjithatë lufta në Siri vazhdon të shkretojë gjithçka përreth. Ka disa hapa fillestarë për të negociuar një zgjidhje politike, por megjithë luftën kundër ushtrisë terroriste të “Shtetit Islamik” Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite, Irani, Franca dhe Turqia ndjekin në rajon synime krejtësisht të ndryshme.

Gjermania pjesëmarrëse në luftë

Rreziku u bë i dukshëm pas goditjes së avionit rus nga aviacioni turk. Raportet e Turqisë dhe Rusisë janë ngrirë, por përshkallëzimi i mëtejshëm u pengua. Për Gjermaninë dhe aleatët e tjerë evropianë si Britania e Madhe apo Danimarka kjo do të thotë solidaritetin ta kthejnë në vepra. Këto shtete vënë në dispozicion forcat ajrore për luftën kundër “IS”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i premtoi Francës ndihmë të pakufizuar. “Ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme për të ndihmuar në kërkimin e autorëve dhe që së bashku të udhëheqim luftën kundër terroristëve.” Ajo dërgoi menjëherë në Siri zbulues tornado, një anije të marinës dhe një avion për furnizimin me karburant. Edhe Gjermania është në shënjestër të terroristëve. Autoritetet e sigurisë e paralajmërojnë këtë prej kohësh. Në fund të vitit ndoshta më fort se kurrë. “Ne, miqtë gjermanë, ndjehemi aq pranë jush. Ne qajmë së bashku me ju”, tha Angela Merkel në nëntor duke iu drejtuar francezëve.

Numër i madh sulmesh në Europë

Përveç sulmeve në Paris në Francë kryhen edhe disa sulme të tjera të vogla. Në prill një grua vdes nga plumbat e një atentatori, i cili donte të sulmonte një kishë të krishterë. Në qershor një fabrikë gazi në Lion shpëton për pak nga një sulm. Në gusht një atentator islamist kapet nga pasagjerët në trenin e shpejtësisë së lartë Thalys, para se të sulmojë. Më 18 nëntor një hebre u sulmua në rrugë me thikë.

Në Danimarkë në shkurt vdesin dy persona nga sulme në një qendër kulturore dhe një sinagogë. Danezët i shpallin luftë terrorit. Pas atentatit rabini kryesor i Danimarkës është i befasuar. “Hebrejtë danezë ishin pjesë e shoqërisë, një pjesë një e qindta. Kjo është arsyeja pse e kemi ndjerë në mënyrë të veçantë. Tani në qoftë se dikush vendos një lule para portës, atëherë jo për të treguar solidaritet me çifutët, por për shkak se është vrarë një danez”, tha Jair Melchior për Deutsche Welle. Edhe në Berlin dhe Londër kryhen sulme me sfond terrorist. Sidomos Turqia dhe Rusia janë goditur rëndë. Në sulmet në Ankara dhe Suruc si dhe në rrëzimin e një avioni rus me pasagjerë mbi Sinai, vdesin qindra njerëz. Edhe ata viktima të islamistëve radikalë.

BE do të forcojë masat e sigurisë

Bashkimi Europian i premton Francës mbështetje ushtarake në bazë të nenit 42 të marrëveshjes së Lisbonës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ministrat e Brendshëm premtuan bashkëpunim më të mirë mes policisë dhe shërbimeve sekrete. Pasojat janë kontrolli më i fortë i udhëtimeve dhe i transfertave të parave. Por mullijtë e burokratëve bluajnë ngadalë. Në fillim të vitit dëgjohen të njëjtat pohime dhe kërkesa si në fund të vitit. Për zbatimin në ligjin praktik mund të duhen muaj, ndonjëherë vite.

Kufijtë e hapur brenda Evropës bien dyfish nën presion. Së pari për shkak të refugjatëve, që hyjnë prej muajsh në mënyrë të pakontrolluar, dhe së dyti nga fakti që terroristët mund të udhëtojnë lirisht me pasaportat e tyre të BE-së ose të përzihen me refugjatët dhe të vijnë nga Siria në Francë pa u dalluar. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere kërkon që kufijtë e jashtëm të BE-së të mbrohen më mirë. “Disa mijëra ‘luftëtarë të huaj’, janë në Siri dhe luftojnë për të ashtuquajturin “Shtet Islamik”. Që andej koordinohen sulmet terroriste në Evropë. Prandaj ne duhet të dimë se kush fluturon me avion në Evropë dhe kush kthehet përsëri në Europë, në mënyrë që të reagojmë”, tha de Maiziere pas njërës nga shumë seancat e posaçme për luftën kundër terrorizmit. BE-ja dëshiron që të ruajë dhe të seleksionojë të dhënat e pasagjerëve. Do të krijohet një kontroll i përbashkët kufitar, sepse vendet si Greqia, Bullgaria dhe Italia janë të mbingarkuara.

Belgjika – qendra e terroristëve

I mbingarkuar është edhe fqinji verior i Francës. Gati të gjitha gjurmët e atentatorëve të Parisit të çojnë në Belgjikë. Në lagjen e Brukselit Molenbeek, prej kohësh e njohur si qendër te islamistëve, janë përgatitur me sa duket atentatet. Policia belge arrin që në operacionet në janar në Verviers dhe në nëntor në Bruksel të kapë disa ndihmës dhe të zbulojë një depo armësh. Por i dyshuari kryesor ikën. Në Bruksel metrotë, dyqanet, shkollat dhe universitetet qëndrojnë të mbyllura për disa ditë për arsye sigurie. Por pastaj kthehet përsëri normaliteti. Partitë grinden se kush është fajtor për mungesën e integrimit të fëmijëve të emigrantëve muslimanë. Belgjika lufton kundër reputacionit të saj në sektorin e sigurisë si një “shtet i dështuar”, siç shkruan revista “Der Spiegel”. Në rrugë patrullon në fund të vitit 2015 ushtria. A do të mbrojë kjo nga xhihadistët? (dw)

Parashikimi i ekonomisë amerikane dhe asaj globale

Pas një viti ulje ngritjesh, duket sikur mëkëmbja e ekonomisë mund të jetë e qëndrueshme në Shtetet e Bashkuara. Ky është një vlerësim që konfirmohet nga vendimi i Bankës Qendrore për të rritur normat e interesit për herë të parë që nga kriza financiare. Por siç dëgjojmë në materialin në vazhdim, parashikimi i ekonomisë globale nuk është i qartë.

Lajmi më i rëndësishëm ndërsa 2015 mbyllet ishte vendimi i Bankës Qendrore për të rritur normat e huave me zero presje 25 për qind.

“Vendimi reflekton besimin e komisionit se ekonomia do të vazhdojë të forcohet”, thotë Janet Yellen.

Megjithë ulje ngritjet këtë vit – rritja amerikane duket të jetë stabilizuar dhe papunësia është në nivelin më të ulët në 7 vjet. Agjencia e vlerësimit “Standard and Poor” parashikon një rritje prej 2.7 për qind në 2016, shifër që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë parë më në shumë se 7 vjet.

“Lajm i mirë është që po shohim përmirësim dhe presim të shohim që ekonomia të forcohet më tej. Presim që niveli i papunësisë të ulet më tej, gati 4,6 për qind deri në fund të vitit të ardhshëm”,  thotë Beth Ann Bovino me kompaninë S&P.

Por parashikimi për ekonominë globale duket më i zymtë sipas Shoqatës Kombëtare të Biznesit.

“Parashikimi për ekonominë botërore është më pak se rritja që kanë parë Shtetet e Bashkuara, të paktën në vendet e zhvilluara.”

Një raport i OKB-së mbi prespektivat e ekonomisë globale parashikon prirje të kundërta në botë veçanërisht në tregjet me rritje të shpejtë që dikur tërhiqnin investimet për shkak të normës së lartë të fitimit. Gus Faucher, është economist me kompaninë PNC Financial.

“Mendoj se do të jetë më e vështirë për tregjet në zhvillim. Ato ndikohen më shumë nga fluksi i kapitalit kështu që mund të ketë ndryshime ndërsa Banka Qendrore ameriakne fillon të rris interesat në Shtetet e Bashkuara.”

Në këtë fundviti vazhdojnë shqetësimet lidhur me ngadalësimin e rritjes ekonomike në Evropë dhe Kinë. Por megjithë pasiguritë,  shumë ekonomistë thonë se shqetësimet për mundësinë e një recesioni global janë të ekzagjeruara.

“Natyrisht gjërat mund të shkojnë keq. Shohim shqetësime për Eurozonën, ngadalësim në Kinë. Të gjitha këto sugjerojnë se do të jetë një rrugë të vështirë, por nuk do të thosha se këto sugjerojnë se recesioni është i pashmangshëm”, thotë Beth Ann Bovino.

Megjithë një përmirësim të parashikimit për Shtetet e Bashkuara – rritja e vlerës së dollarit ka të ngjarë të dëmtojë eksportuesit në vitin 2016 ndërsa ulja e çmimit të naftës pakëson investimet globale për energjinë. (voa)