Rritja e qelizave të trurit

Uni RajsTruri i njeriut është mekanizmi më kompleks i njohur në univers, por devijimet gjenetike, dëmtimet dhe sëmundjet mund të ndikojnë tek funksionet e tij. Hulumtimet e fundit kanë treguar se truri mund të gjenerojë qeliza të reja, të quajtura neurone. Aktivitetet normale të trurit rezultojnë nga lidhja e neuroneve së bashku në rrjete komplekse dhe, siç njofton nga Hjustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, studiuesit po përpiqen të kuptojnë më mirë se si ndodh kjo.

Duke përdorur mikroskopë dhe pajisje imazhi Amina Qutub mund të vëzhgojë qeliza të trurit në laborator dhe lidhjen mes tyre.

“Po shohim sesi qelizat që rigjenerojnë trurin formojnë rrjete aktive nervore.”

Qelizat e trurit lidhen me njëra tjetrën përmes sinjaleve kimike dhe elektrike dhe krijojnë një shumëllojshmëri proteinash që stimujojnë rritjen.

Ekipi i shkencëtares Qutub në Universitetin Rajs ndërthur fusha të tilla si biologjinë, inxhinierinë elektrike dhe nanoteknologjinë për të zbuluar misteret e funksionimit të trurit.

“Çdo qelizë këtu ndikohet nga të gjithë fqinjët e saj në mjedis. Pra, ne po testojmë se si një qelizë, kur bëhet një neuron elektrik aktiv, ndikohet nga qelizat përreth”. 

Në laborator ka një punim të artit abstrakt që është krijuar me imaxhet e rrjeteve të neuroneve duke treguar kompleksitetin e tyre të gjerë.

“Ato formojnë struktura shumë të bukura dhe komplekse. Struktura e rrjeteve të ndryshme diktohet nga funksioni që kryejnë. Po përpiqemi të kuptojmë si ndikojnë sinjalet kimike për krijimin e një strukture të caktuar dhe si kjo strukturë kimike gjeneron sinjalet elektrike që dalin nga neuronet aktive. ”

Studimi mbështetet pjesërisht nga Nisma Brain e presidentit Barack Obama prej 300 milionë dollarësh e cila është modeluar sipas Projektit Gjenomi Njerëzor.

“Kjo nismë mbështet në një farë mënyre studimin tonë. Është shkencë bazë, por hap një derë të madhe për të kuptuar më mirë trurin. ”

Si shumë njerëz në mbarë botën, Amina Qutub ka parë sesi një goditje në tru apo sëmundje si Alcajmeri mund të çrregullojnë funksionimin e trurit, prandaj ajo shpreson se ky studim do të çojë një ditë në trajtime më të mira.

“Ne po kuptojmë mekanizmin sesi këto qeliza mund të rriten përsëri dhe nga kjo mund të identifikojmë mjekime më të mira dhe të kemi objektiva më të qartë. ”

Tani për tani, ekipi është përqëndruar në ndërtimin e një modeli kompjuterik dinamik që mund t’i ndihmojë të analizojnë ndërlidhjen e mekanizmit më kompleks në botë. (voa)

Prova e suksesshme e SpaceX

SpaseXGjashtë muaj pasi një nga raketat e tij shpërtheu pak pas nisjes, programi SpaceX rifilloi dje operacionet me një lëshim dramatik të një rakete në mes të natës dhe uljen historike të një segmenti të saj.

Raketa Falcon u lëshua në ajër në Kepin Kanaveral të Stacionit të Forcës Ajrore në Florida, duke dërguar 11 satelitë të vegjël në orbitën pranë Tokës për firmën e komunikacioneve OrbComm.

Rreth dy minuta pasi nisi fluturimi, njëri segment i raketës u shkëput lehtësisht nga trupi i saj dhe filloi një ulje të kontrolluar në Tokë.

Ishte hera e parë që një raketë e lëshuar në orbitë, bënte një ulje të suksesshme të kontrolluar në Tokë.   (voa)

Ide për emrin e ri të Maqedonisë

shkupi

Siobhan O’Grady shkruan se pas më shumë se dy dekadash, Maqedonia po shkon drejt pranimit të idesë se emri i saj mund të ndryshojë. Kjo sipas O’Grady, vjen për shkak se kryeministri Gruevski nuk mund të vazhdojë më me politikën e tij nacionaliste pa kthim dhe sepse tashmë një pjesë e mirë e qëllimeve të tij është arritur. O’Grady bën edhe disa sugjerime se si mund të jetë emri i ri i Maqedonisë.

Prej 24 vitesh, thjesht ekzistenca e Republikës së Maqedonisë ka acaruar Greqinë, që pretendon se emri i fqinjës së saj ishte vjedhur nga provinca greke që kufizohet me Maqedoninë në jugun e saj. Dhe nuk është një sherr kalimtar: Grindja është pjesë e refuzimit të vazhdueshëm të Greqisë që nuk e lejon Maqedoninë të anëtarësohet në BE dhe NATO. Edhe OKB e përmend të këtë vend të vogël si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Tani, pas gati një çerek shekulli grindjesh, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski është i gatshëm të marrë në konsideratë ndryshimin e emrit. “Ne jemi gati të diskutojmë, të hapim bisedimet me ta, të gjejmë një zgjidhje”, i tha Gruevski gazetës Guardian. Maqedonia e zgjodhi emrin e saj pasi u shkëput nga ish-Jugosllavia më 1991.

Përveç emrit, Greqia ka shprehur shqetësimet e saj për prirjen e Maqedonisë në kopjimin e fqinjit jugor. Zyrtarët grekë pretendojnë që maqedonasit kanë vjedhur vazhdimisht një numër ikonash greke, përfshi përdorimin e simbolit të diellit në flamurin e tyre, dhe emërtimin e aeroportit të tyre kryesor me emrin e Aleksandërit të Madh. Megjithëse nuk është folur për ndryshimin e flamurit apo emrit të aeroportit, mundësia që Maqedonia mund të ndryshojë emrin e saj është arritje.

Të enjten, ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikola Poposki do të vizitojë Athinën për një takim të rrallë me zyrtarët grekë. Përpara udhëtimit, ai i tha një gazete kryesore greke se “janë pjekur kushtet” për hapjen e bisedimeve për ndryshimin e emrit. Dhe Gruevski e bëri të qartë për Guardian se ai dëshiron të gjejë zgjidhje sa më shpejtë të jetë e mundur. “Nëse gjejmë një zgjidhje, ne duhet të organizojmë një referendum,” tha ai. Si do të jetë emri kjo mbetet e paqartë. Në një përpjekje për të lehtësuar procesin për Maqedoninë dhe Greqinë, Foreign Policy po jep disa sugjerime:

Toka e monumenteve gjigante të vjedhura

Greqia nuk është i vetmi vend ku Maqedonia kërkon frymëzim për simbolet e saj kulturore. Vërtet, mund të ketë një statujë gjigante të Aleksandrit të Madh në sheshin qendror, dhe aeroporti ashtu si shumë hotele mund të kenë emrin e tij. Por aty është një Hark Triumfi i vogël dhe një imitim i Portës së Brandenburg në qendër të qytetit.

Alexanderland

[Toka e Aleksandërit]

Ky është një emër vetëshpjegues, po jo shumë i rekomanduar. Tek e fundit, nëse Greqia është e zemëruar për aeroportin, si do të ndihej Athina nëse i gjithë vendi do të merrte emrin e tij?

Terezadonia

Nënë Tereza ka lindur në Shkup, madje në një rrugë afër qendrës së qytetit është një shënim, aty ku mendohet se ka qenë shtëpia e saj. Por ja problemi: ajo ishte me etni shqiptare, një identitet që maqedonasit nuk e vlerësojnë shpesh – edhe nëse personi në fjalë është në rrugën për shenjtërim. Plus, aeroporti kryesor i Shqipërisë mban emrin e Nënë Terezës. A mos është kjo kërkesë për një konflikt të ri?

Kalbovezogosllavia

Maqedonia është atdheu i një vullkani afër qytetit të Ohrit. Gjëja më e famshme e tij? I jep zonës përreth një kundërmim vezësh të kalbura.

E vështira

Një nga vallet më popullore të Maqedonisë, që tradicionalisht kërcehet nga burra, ajo quhet “teshkoto”. Në anglisht kjo përkthehet “e vështira”. Në Maqedoni, ajo simbolizon betejën që përjetojnë burrat kur largohen nga shtëpia për të fituar para.

Foreign Policy

“Reforma në drejtësi do të pastrojë sistemin nga ‘kanceri’ i korrupsionit”

donald-luAmbasadori amerikan në Tiranë e konsideron të domosdoshme reformën në drejtësi, si e vetmja mënyrë, e cila sipas tij do të bëjë të mundur pastrimin e sistemit nga ‘kanceri’ i korrupsionit.

Gjatë diskutimit në një tryezë që u mbajt sot mbi të drejtat e grave dhe reformën në drejtësi, ambasadori Donald Lu u shpreh se përmbushja e kësaj reforme do t’u rikthejë shqiptarëve besimin te drejtësia.

“Kjo reformë në drejtësi i jep Shqipërisë një mundësi, atë të pastrimit të drejtësisë nga kanceri i korrupsionit dhe për t’u rikthyer shqiptarëve besimin se ata mund të marrin drejtësi”, tha Lu.

Diplomati amerikan tha se drejtësia blihet si mall nga politikanët dhe të pasurit, ndërsa viktima bëhen të varfrit. Ai shtoi se shpesh viktima janë vetë gratë, të cilat nuk marrin drejtësinë e merituar, sepsa “gjyqtarit të korruptuar i duhet para për të financuar vilën”.

“Fakti pse më intereson kaq shumë reforma në drejtësi dhe sidomos për të drejtat e grave i referohet një rasti në Shqipëri. Bëhet fjalë për një grua të dhunuar nga burri, e cila pas vuajtjeve iu drejtua gjykatës për t’u larguar nga i shoqi e për të mbrojtur fëmijët. Por në gjykatë u përball me më shumë vuajtje. Gjykata vendosi që burrit, një kriminel që dhunonte gruan, t’i linte pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve. Kjo ndodhi vetëm për shkak të korrupsionit. Në një sistem të korruptuar, viktimat janë gratë, politikanët dhe të pasurit që e blejnë drejtësinë. Dhe të varfrit janë viktima”, tha Lu gjat fjalës së tij në tryezën me temë “Reforma në drejtësi dhe të drejtat e grave”.

 / Shekulli Online / 

Protesta e opozitës para parlamenit

protesta tiraneOpozita zhvilloi sot para parlamentit në Tiranë një tjetër tubim proteste kundër korrupsionit të qeverisë, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe një aksion më të madh politik në janar.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, tha se qeveria Rama është de facto e rrëzuar, sepse është e korruptuar.

Ai tha se qytetarët duhet ta ndëshkojnë korrupsionin në çdo mënyrë e në çdo formë, që e ndeshin.

Zoti Basha tha se qeveria Rama blen makina luksi dhe nuk u ndan familjeve të varfëra ndihmat ekonomike.

Sipas tij, janë zhdukur dhe kanë ndryshuar adresë paratë e ndara për rrugë, spitale, shkolla, çerdhe.

Drejtuesit e opozitës folën me shqetësim për situatë e vështirë ekonomike, e cila sipas tyre vjen nga qeveritarët e korruptuar, të cilët shkelin të parët cdo ligj dhe rregullnë dogana, në arsim, energji.

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha tha se largimi i koalicionit qeveritar PS-LSI është mëse i nevojshëm dhe një kapitull i ri për demokracinë shqiptare.

Protesta e opozitës u zhvillua në oborrin e parlamentit, ku vazhdoi diskutimi i ligjeve të fundit për këtë vit, vendime dhe marrëveshje të zakonshme për ekonominë dhe infrastrukturën.

Parlamenti miratoi seancën e kaluar me shumicë dërrmuese votash ligjin për dekriminalizimin e politikës, i cili pritet të largojë nga administrata dhe politika persona me regjistrime veprash kriminale.

Presidenti Nishani e dekretoi sot ligjin që pritet të sjellë një pastrim të konsiderueshëm në administratën e lartë shtetërore dhe në pushtetin vendor.

Ligji për dekriminalizimin u miratua një vit pasi partitë ranë dakord për të në prag të krishtlindjeve të kaluara.

Shumica dhe opozita besojnë njëlloj se po japin së bashku ndihmesën në pastrimi i politikës nga të inkriminuarit dhe se po shtojnë transparencën në radhët e saj.

Protesta në oborrin e parlamentit gjatë seancës së fundit të tij tregoi, sipas vëzhguesve, se skena politike do të mbetet e tensionuar në fillim të vitit megjithë diferencën e thellë të votave mes deputetëve. (voa)

Liberalizimi i vizave për disa vende – shenjë pozitive me shumë pikëpyetje

Komisioni i BE ka rekomanduar heqjen e vizave për shtetasit e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, por heqja e vizave nuk nënkupton detyrimisht liri të pakufizuar udhëtimi.

pasaporta ukrainaseNëse gjërat shkojnë sipas dëshirës së Komisionit të Bashkimit Evropian, për shtetasit e Gjeorgjisë dhe Ukrainës së shpejti duhet të bëhet liberalizimi i vizave. Por vendimin duhet ta marrin shtetet anëtare të BE. Dhe këtu ka rezistencë. Që para sinjalit pozitiv nga Brukseli, të premten e kaluar (11.12), ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann deklaroi në një intervistë se ky është gabim. “Në vend të përsëritjes së gabimeve që kemi bërë me liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa duhet të mendojë më në fund seriozisht për sigurimin e kufijve të jashtëm”, tha ai për “Passauer Neuen Presse”.

Republika e Moldavisë si shembull

Në Gjeorgji dhe në Ukrainë janë bërë reforma, thuhet në vendimin e Komisionit të BE. Ngjashëm ka qenë vlerësimi edhe në vitin 2014, para liberalizimit të vizave për Republikën e Moldavisë. Ky vendim kishte një sfond krejt tejtër, sepse edhe politikanët e Kishinaut kanë qenë të bindur se këtë vendim e ka përshpejtuar kriza në Ukrainë. Ndërkohë që 300.000 shtetas të Moldavisë kishin kërkuar më parë edhe nënshtetësinë e Rumanisë, që do të thotë se janë pajisur me pasaporta të një vendi anëtar të BE.

Për shtetasit e tjerë të Republikës së Moldavisë – edhe për ata të cilët i takojnë rajonit seperatist pro-rus në Transnistri – heqja e vizave ka qenë një instrument i mirëseardhur, për t’u njohur me Evropën në mënyrë direkte. Ky ishte edhe një shkak tjetër pse Brukseli megjithë rezervat për reformat i ka dhënë dritën jeshile heqjes së vizave për këtë vend – që tëalidhë Moldavinë më ngushtë me unionin. Për vet qytetarët kjo do të thotë një trajtim më njerëzor dhe jo pritje e domosdoshme para kosullatave evropiane. Me orë e ndonjëherë edhe me ditë të tëra është pritur në radhët e gjata për një viztë. Vizat kanë qenë shumë të shtrenjta edhe në tregun e zi. Ka pasur madje edhe korrupsion me viza. Të gjitha këto tani i takojnë të kaluarës.

Pa ndonjë “liri të madhe”

Por edhe udhëtimet pa viza u nënshtrohen një varg rregullave në vendet e zonës Shengen. Moldavët duhet të kenë një pasaportë biometrike, të vlefshme me afat të paktën tre muaj para se të përfundojë një udhëtim. Rreth 800.000 shtetas të Moldavisë kanë një pasaportë biometrike, ndërsa rreth dy milionë kanë pasaportë të vjetër. Një pasaportë biometrike kushton rreth 200 euro, që do të thotë deri në 40 % të të ardhuave mesatare në këtë vend.

Moldavët nuk guxojnë të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë brenda një gjysmë viti në territorin e BE. Për të vizituar disa vende, moldavëve edhe më tej u duhen viza, si për shembull, në Irlandë apo në Britaninë e Madhe. Para një udhëtimi të caktuar sugjerohet që të shihen me vëmendje rregullat e paraqitura në faqen e ambasadës së Gjermanisë atje. Këtu bën pjesë edhe informacioni që në kufi kërkohen dokumente shtesë, si për shembull, bileta kthyese, dëshmia e gjendjes financiare, apo ftesa për vizitë apo pejsëmarrje në ndonjë konferencë. Punësimi në shumicën e vendeve të BE nuk lejohet pa një leje pune as për periudhën më të shkurtër se tre muaj.

Sipas të dhënave nga CKishinau, brenda një viti (pril 2014-pril 2015) këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar gjysmë milioni moldavë – prej tyre 75.000 nga Transnistria. Ministrja e Jashtme Natalia Gherman shpjegon se “rreziku i migrimit të shtetasve moldavë në BE”, ka mbetur i ulët.

Gati pa pasoja politike

Qëllimi që liberalizimi i vizave të forcojë perpsektivën proevropiane të Moldavisë ka mbetur më shumë dëshirë e BE dhe e forcave reformatore në këtë vend. Procesi i reformave ka mbetur në vend, ndërsa Moldavia është futur prej muajsh në një krizë të rëndë ekonomike dhe politike. Paritë e ashtuquajtura proevropiane po grinden mes tyre dhe në të gjitha sondazhet, partitë proruse janë në epërsi. Vendi mbetet i përçarë, ndërsa gjenerata e re po largohet nga vendi. Me pasaportat rumune ata mund të fitojnë të drejtën e punës apo si turistë mund të shijojnë lirinë e lëvizjes. Shumë prej tyre kërkojnë edhe studime në vendet e BE, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në vendin e tyre. Se kur do të shijojnë këto të drejta edhe ukrainasit dhe shtetasit e Gjeorgjisë, ende nuk dihet. Por sipas Komisionit të BE, kjo duhet të ndodhë në verën e vitit 2016. (dw)

VETËVENDOSJE: VIJË E NGUSHTË NUK DO TË THOTË VIJË E SAKTË

harta demarkacioniLëvizja Vetëvendosje nuk është kundër përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi por se kërkojnë që nga ky proces të mos humbas asnjëra palë .

Për Lëvizjen Vetëvendosje deklarimet e Departamentit Amerikan të Shtetit se shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë pa gabime dhe se përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974, nuk nënkupton se është vijë e saktë dhe nuk dëshmon që Kosovës nuk po i merret pjesë e territorit.

Sipas anëtarit të Kryesisë së këtij subjekti Zgjim Hyseni, vijë e ngushtë ashtu siç përkufizohet në raportin e prezantuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një përkufizim mjaftë domethënës. Nëse kjo vijë e “ ngushtë” e thënë në këtë deklaratë nga larg shihet pak territor, për Kosovës sipas Hysenit do të thotë shumë.

“Vija e ngushtë që përmenden në këtë deklaratë është mjaftë signifikative, vija e ngushtë nuk do të thotë vijë e saktë dhe vija e ngushtë për kaq pak territor sa ka Kosova do të thotë shumë, megjithëse nëse ajo shikohet nga larg, lart mund të duket pak”, tha Hyseni përmes telefonit.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi por se kërkojnë që nga ky proces të mos humbas asnjëra palë .

Hyseni tha se çështja e demarkacionit nuk është çështje e deklaratave politike por është në radhë të parë çështje e ekspertëve, ekspertë të cilët sipas tij tashmë kanë dëshmuar se kjo vijë kufitare cenon integritetin territorial të vendit.

“Profesionistët e kësaj fushe përfshirë edhe ata që vijnë nga radhët e koalicionit kanë ardhur në përfundim se përcaktimi i vijës kufitare e cenon integritetin territorial të vendit duke humbur mijëra hektar tokë të Kosovës”, theksoi Hyseni.

E deputeti Shpejtim Bulliqi që vjen nga radhët e LDK-së e që ka kundërshtuar vazhdimisht mënyrën se si është bërë shënjimi i kësaj vije kufitare tha për KosovaPress se ende nuk e ka parë deklaratën zyrtare për të parë se në cilat fakte është bazuar një deklaratë e tillë.

Sipas tij në rast se kjo deklaratë është bazuar në punën e Komisionit Qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, atëherë është e kuptueshme të ketë këso deklaratash. Mirëpo ai në cilësinë e një profesionisti të kësaj fushe ka thënë se ai bashkë me të tjerë që kanë punuar për të zbardhur të dhëna dhe fakte lidhur me këtë proces i kanë ofruar ato për të dëshmuar se Kosova po dëmtohet në këtë proces.

“Nëse është mbështet në punën e komisionin dhe në versionin që ka dhënë Qeveria është përgjigje normale. Mirëpo ne po presim një komision për t’ia ofruar të gjitha faktet që kemi e që janë të bazuara shkencore dhe profesionale të marra nga institucionet e ish- Jugosllavisë. Derisa të mos bindemi me fakte, ne këto do t’i marrim për bazë”, tha Bulliqi përmes telefonit.

Sot gjatë ditës Departamenti i Shtetit Amerikan ka lëshuar një deklaratë ku përveç tjera ka thënë se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. “Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen detajisht me kufirin e propozuar në vitin 2015”, thuhet në raportin e DASH.

Rikujtojmë se përfundimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave dhe përbën një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. (rtk)

​Qeveria përshëndet deklaratën e DASH-it për Demarkacionin

 

PrishtinaQëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, thuhet në një komunikatë për media nga zyra e kryeministrit Isa Mustafa.

Duke pasur parasysh këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik që të punojnë për avancimin e proceseve dhe të perspektivës integruese euroatlantike të Kosovës, duke filluar nga liberalizmi i vizave që pritet të finalizohet së shpejti. Qeveria do të jetë e hapur për të diskutuar çdo vërejtje të mundshme të qytetarëve dhe të përfaqësuesve politikë lidhur me të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.

Qeveria e Kosovës, me këtë rast, shpreh mirënjohjen e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që SHBA-të po japin për Republikën e Kosovës, duke theksuar njëkohësisht përkushtim të plotë për fuqizimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. (rtk)

Vjedhjen e BSH-së e paguan populli, KLSH: Banka duhet të rikuperojë paratë

klshKontrolli i Lartë i Shtetit është përplasur me Bankën e Shqipërisë duke i kërkuar asaj të anulojë vendimin që ia ngarkon koston e vjedhjes së 713 milionë lekëve qytetarëve shqiptarë.

Pas vjedhjes, Banka e Shqipërisë e ka kontabilizuar të gjithë shumën si humbje në bilancin e këtij viti. Ky veprim e hedh automatikisht koston e vjedhjes tek qytetarët duke ulur me 713 milionë lekë fitimin që Banka derdh në buxhetin e shtetit. Por në raportin e fundit të auditimit, KLSH thotë se kjo është e parregullt dhe përbën një shkelje të pastër të displinës financiare.

Sipas KLSH, përmes klasifikimit si humbje në bilanc, Banka e Shqipërisë praktikisht i ka vënë kapak cështjes së vjedhjes duke mbyllur ligjërisht edhe cdo përpjkeje për rekuperimin e shumës së plotë apo të pjeshme të parave që u vodhën.

KLSH thotë se zhdëmtimi i vjedhjes duhet ti ngarkohet personave të dënuar dhe Banka e Shqipërisë ka detgyrimit të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për rekuperimin e këtij dëmi. Sipas KLSH vetëm pasi të jenë ndërmarrë të gjitha këto hapa, humbja mund të klasifikohet si vjedhje. Por edhe për këtë duhet të ketë më parë një vendim gjykate.

Top Channel ka mësuar se mes dy institucioneve ka patur një debat të ndezur institucional. Banka e Shqipërisë pretendon se klasifikimi i shumës së vjedhur si humbje është sugjeruar nga fondi monetar ndërkombëtar. Por KLSH ka kërkuar dokumentat zyrtare mbi sugjerimet e fondit, të cilat Banka nuk ka mundur t’i vërë në dispozcion.

Kontabilizimi si humbje i shumës së vjedhur në Bankën e Shqipërisë e hedh koston e kësaj vjedhje drejpërdrejtë tek qytetarët përmes fitimit të munguar në buxhet, në një kohë që për këtë çështje ka ende procese të hapura gjyqësore.

Vjedhja, e cila përbën një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e vendit, u zbulua në korrik të vitit të kaluar dhe çoi në arrestimin e dhjetëra punonjësve në bankën qëndrore, përfshirë dhe ish guvernatorit Ardian Fullani.

/ Top Channel

Nishani dekreton dekriminalizimin

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar ligjin për dekriminalizmin dhe ndryshimet kushtetuese në funksion të këtij ligji, katër ditë pas miratimit të tyre në Kuvend.

Edhe pse dekretimi është bërë publik këtë të hënë, sipas dekretit, firma e kreut të shtetit është hedhur që në 18 dhjetor.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Presidencës, thuhet se “Presidenti Nishani dekreton shpallje ligji dhe dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit”, për ndryshimet kushtetuese.

Presidenti ka hedhur firmën edhe mbi ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur gjerësisht si dekriminalizimi. (shekulli)