Mbajtja në burg e deputetëve, do të ketë kosto të madhe për qeverinë

Albin KurtiGjykata Themelore e Prishtinës, me një trupë gjykuese të udhëhequr nga gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që të zgjasë edhe për dy muaj mbajtjen në paraburgim të deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që janë Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Po ashtu, është vazhduar edhe për dy muaj arresti i shtëpisë për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Është i njëjti sistem i gjyqësorit, i cili në 16 vitet e pasluftës dhe në 8 vite të pavarësisë kurrë nuk ka nisur procese të tilla kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar i cili është prezent në të gjitha nivelet e larta të politikës dhe ekonomisë në vend.

Ky gjyqësor sot po përdoret, pikërisht nga kriminelët në pushtet, që të mbajë pa asnjë të drejtë në burg deputetët të cilët ende kanë imunitet në bazë të mandatit të marrë nga votat e popullit.

Këta deputetë, të gjitha veprimet që i kanë bërë, i kanë bërë me ndërgjegje të plotë politike, për të ndalur marrëveshjet e dëmshme që i ka sjellë qeveria e paaftë, e korruptuar dhe e shantazhuar e Mustafës dhe e Thaçit. Pra sot ata janë të burgosur politikë.

Vendimi i padrejtë për të mbajtur në burg deputetët do të ketë një kosto të madhe për pushtetin. Ne nuk do të ndalemi së protestuari.

Kërkojmë të lirohen menjëherë deputetët dhe aktivistët e tjerë. Kërkojmë që qeveria të ndalë mbrojtjen me dhunë të marrëveshjeve të padrejta për Zajednicë dhe Demarkacion.

Protestat e janarit po afrojnë. Në ato protesta jo vetëm që do të ndalet zbatimi i marrëveshjeve, por do të ndalet edhe praktika e korruptuar sipas së cilës qeveria kontrollon gjykatat e policinë për të burgosur opozitën. Qeveria e re do të sjellë liri edhe për gjykatat e për institucionet e rendit, që sot janë të kapura në mënyrë skandaloze nga Qeveria e Rashkës dhe nga SHIK-u.

18 dhjetor 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sot në ora 13.00 në sheshin Iliria në Tetovë

protesta cover

Të premten në ora 13.00 në sheshin Iliria në Tetovë, Lëvizja Eco Guerilla dhe Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” organizojnë tubim protestues si revoltë ndaj gjendjes katastrofale ekologjike. Qyteti jonë shkon drejt zhdukjes, qytetarët tonë shkojnë drejt spitaleve, jetëve tona po ju vjen fundi. Kjo gjendje nuk tolerohet! Ky helmim nuk durohet! BOLL MOO!

Merkel mbështet zgjerimin e kompetencave të FRONTEX-it

Para takimeve të nivelit të lartë është e zakonshme që të raportohet në Bundestag. Në fjalën e saj të mërkurën (16.12) në prag të samitit të BE, Merkeli tha se e mbështet zgjerimin e Frontex-it.

Merkel“Turqia është dhe mbetet për BE një partner kyç”, tha kancelarja në deklaratën e saj qeveritare në Bundestag. Me këtë ajo e bëri të qartë se edhe më tej mbështetet te qeveria e Ankarasë për të përballuar situatën e refugjatëve. Kultura e mikpritjes, e shumëdiskutuar këto ditë gjithsesi nuk qe në qendër të shpjegimeve të kancelares.

Pasi Komisioni Evropian paraqiti të martën (15.12) propozimet për një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE, kryetarja e CDU-së kaloi në anën e atyre, të cilët i konsiderojnë të domosdoshme këto masa. Meqenëse planet ecin në “drejtimin e duhur”, ajo do të angazhohet në grupin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE, që për propozimet “të bëhen sa më shpejt konsultime dhe të miratohen”, tha Merkeli në Bundestag.

Takim i nivelit të lartë të enjten dhe të premten

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE duan të bëjnë në takimin e së enjtes dhe të premtes (17.12 – 18.12) në Bruksel një bilanc për vënien në jetë të vendimeve të deritashme në politikën e refugjatëve. Komisioni i BE ka propozuar që duke u bazuar te agjencia e BE, Frontex, të krijohet një mbrojtje kufitare dhe detare evropiane, e cila në situata krize të ndërhyjë edhe kundër dëshirës së shteteve anëtare. Për shkak të planeve për të ndërhyrë në sovranitetin e shteteve anëtare, planet e komisionit shkaktuan protesta, midis të tjerash në Poloni.

Çështje të sovranitetit

Natyrisht që mbrojtja e kufirit prek “çështje shumë qenësore të sovranitetit nacional të shteteve”, pranoi kryetarja e qeverisë në Berlin. Edhe Gjermania do ta vështrojë me vëmendje këtë çështje. Por ajo e konsideron “inkurajuese dhe të drejtë”, që diskutimi për këtë temë ka vazhduar. Sepse masat nacionale për menaxhimin e lëvizjes së refugjatëve duhet të plotësohen me masa gjithëevropiane, për ta reduktuar numrin e azilkërkuesve që vijnë në Evropë.

Kancelarja u ndal edhe në bashkëpunimin evropian për të luftuar terrorin. Këtu bën pjesë përmirësimi i shkëmbimit të informacionit midis shteteve anëtare, tha ajo. Në këtë kuadër, kancelarja lëvdoi memorizimin e planifikuar të të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Ajo theksoi edhe se Gjermania merr përgjegjësinë, që me kërkesën e Francës të ofrojë mbështetje ushtarake në luftën kundër “Shtetit Islamik” në Siri. Me këtë lidhen përpjekje për një zgjidhje politike. “Ajo që synohet është fundi i luftës në Siri dhe një fund pa Assadin”, deklaroi kryetarja e CDU-së. (dw)

Kongresmeni Dana Rohabacher: Kosova ka fituar zero nga marrëveshja

Kongresmeni Dana RohrbacherMe marrëveshjen me Serbinë, Kosova ka hequr dorë nga pjesa veriore e saj, thotë kongresmeni republikan, Dana Rohrabacher. Sipas tij, marrëveshja nuk sjell paqe afatgjate në rajon. Në favor të kësaj do të ishte rregullimi i kufijve, thotë Rohrabacher për Radion Europa e Lirë.

Zoti Rohrabacher, si e vlerësoni marrëveshjen e fundit midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq?

Para së gjithash, dua të vlerësoj lart të gjithë ata që kanë marrë pjesë, administratën tonë, miqtë evropianë, ashtu si edhe Serbinë dhe Kosovën, për arritjen e një rezultati, të cilin e cilësojnë si më të mirin. Ky është hapi i parë. Po ashtu duhet të duartrokasim kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë që janë ulur pranë njëri-tjetrit, kanë folur me njëri-tjetrin për rrugët kah të shkojnë. Kjo është pozitive. Megjithatë, kjo marrëveshje, përveç që tregon se njerëzit mund të flasin së bashku, nuk përmban ndonjë substancë që mund ta bëjë premtuese paqen. Në fakt, sipas të gjitha gjasave, do të minimizojë shanset për paqe dhe qetësi përgjatë kufirit.

Mund të na shpjegoni përse mendoni kështu?

Të pranojmë se Kosova nuk ka marrë absolutisht asgjë për atë që ka dhënë. Ajo çfarë ka dhënë është e drejta për të qeverisur pjesën veriore të vendit dhe dy komunitetet brenda tij. Kosova nuk kanë fituar sovranitet, përkundrazi. Kjo marrëveshje minon kërkesën e Kosovës për sovranitet, sepse nuk i jep autoritetin për të ushtruar sovranitetin.Nëse arrini marrëveshje, e cila nuk ju mundëson që në praktikë të realizoni sovranitetin, atëherë nuk keni sovranitet. Andaj, Kosova, në esencë, ka dhënë veriun.Megjithatë, nuk them se nuk është dashur ta bëjë një gjë të tillë. Mendoj se banorët e veriut të Kosovës, të cilët këtu janë në pyetje, duhet ta kishin të drejtën për vetëvendosje. Do të duhej të kishte votime dhe njerëzit në veri, me siguri 90 për qind e tyre, do të votonin për të qenë pjesë e Serbisë. Dhe, Kosova ka pasur shansin e vërtetë që të marrë diçka në këmbim të kësaj. Ka grupe të kosovarëve në Serbi që duan të jenë pjesë e Kosovës.

Mendoni në Luginën e Preshevës?

Po, ndoshta edhe në pjesë të tjera, por kryesisht në Luginën e Preshevës. Do të mund të bënin një shkëmbim të barabartë të territoreve dhe të popullsisë nëse do të pajtoheshin për rregullimin e kufijve. Por, në vend të kësaj, kanë marrë asgjë, zero.Tani, madje, nuk mund të dërgojnë as policinë në pjesën veriore të vendit, nuk mund të dërgojnë ushtrinë e tyre, nuk do të kenë gjyqtarë që do të zgjidhen nga qeveria e tyre; ata do të zgjidhen nga serbët në veri. Kjo është humbje e madhe e sovranitetit për Kosovën.

Por, në debatin e fundit të një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilin e keni udhëhequr ju, janë dëgjuar qëndrime të kundërta me këtë që thoni, për shembull nga kongresisti Eliot Engel, analisti Daniel Serwer, të cilët kanë thënë se shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë do të paraqiste rrezik për Bosnjën, Maqedoninë dhe madje për vetë Serbinë…

Kjo është e pakuptimtë. Gjithmonë ka një justifikim për të mos bërë diçka. Ka shumë shembuj, ku njerëzit kanë ndryshuar kufijtë e tyre. Çekët dhe sllovakët e kanë bërë një gjë të tillë. Keni Bangladeshin që ka shpallur pavarësinë. Dhe, keni Kosovën. Andaj, këto kundër-argumente që kujtoni, do të ishin argumente kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atëherë, të gjithë në botë do të donin të shpallnin pavarësinë, baskët dhe kushdo tjetër. Por, jo. Kjo është një çështje midis serbëve dhe kosovarëve. Rregullimi i kufijve midis këtyre dy vendeve është punë e tyre – nuk është e askujt tjetër në botë, është e tyre. Por, lojtarët e tjerë përdorin taktika të frikshme për t’i bërë kosovarët që të pranojnë marrëveshje kundër tyre.
Ku do të ishte fundi i këtyre ndryshimeve? Çfarë do të thoshte Sanxhaku, një pjesë e Serbisë, e dominuar me boshnjakë? Mund të thotë edhe ai se do që të jetë pjesë e Bosnjës…

Ky është një problem krejt tjetër. Para se cilado pakicë kombëtare të mendojë në një gjë të tillë, në ndarje nga një shtet, duhet të përmbushë disa kushte. Duhet të jetë shumicë dhe të ndodhet në periferi të shtetit dhe jo në brendi të tij, sepse në të kundërtën, nuk do të kishte kuptim. Por, nëse njerëzit jetojnë në periferi të një shteti dhe duan të shpallin pavarësinë, nuk mund të bëni asgjë – sepse, nëse i ndaloni, do të keni konflikte afatgjata me ta.

T’i kthehemi marrëveshjes… Keni dëgjuar se serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar protesta, bllokada, bojkotim të zgjedhjeve të ardhshme lokale…

Të gjitha grupet do të jenë të zemëruara me këtë marrëveshje, sepse ajo nuk bën përpjekje të realizojë qëllimin fundamental moral, por përfaqëson vetëm një mënyrë politike të shmangies së konfliktit të menjëhershëm. Pra, bëhet fjalë vetëm për lojëra politike, që nuk do të sjellin paqe dhe stabilitet të përhershëm. Një gjë të tillë, madje edhe tani, e tregojnë disa grupe etnike dhe për këtë duhet menduar seriozisht. Andaj, nëse ekzistojnë dy komunitete pakicë, njëri në Kosovë, tjetri në Serbi, prej të cilëve njëri nuk do të jetë pjesë e Kosovës, ndërsa tjetri nuk do të jetë pjesë e Serbisë, përse të mos korrigjohen kufijtë, në mënyrë që këto dy komunitete të jenë të kënaqura. Askush tjetër në rajon nuk do të shqetësohej.

Autoritetet serbe, sidomos kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të pranojnë marrëveshjen, duke thënë se Serbisë nuk i duhen më luftëra, as viktima…

Këto janë mesazhet e tyre, që bëjnë përpjekje të tregojnë një atmosferë të mirë, sepse ata kanë fituar çdo gjë që kanë dashur. Serbët tani kanë një rajon autonom në veri, ku kosovarët nuk mund të çojnë ushtrinë as policinë, ku gjyqtarët e tyre nuk mund të marrin vendime; çdo gjë u është lënë serbëve lokalë dhe kosovarët nuk mund të ushtrojnë sovranitetin me forcat e tyre. Natyrisht që udhëheqësit serbë do të flasin në këtë mënyrë, por, një ditë, kur gjërat të shkojnë pak më tutje, do të keni forca politike në Serbi që do të manipulojnë me veriun e Kosovës dhe me komunitetin e atjeshëm serb. Kështu që ai problem do të shfaqet sërish. Por, ky zhvillim i ngjarjeve ka mundur të ndalohet. Njeriu vërtet pyetet se çfarë kuptimi ka që të ndalohen dy grupe njerëzish që të jetojnë atje ku duan të jetojnë. Çfarë kuptimi ka të detyrohen të jetojnë atje ku nuk duan, të jetojnë në vendin tuaj, nëse e dini se për një gjë të tillë, gjithmonë do të prodhojnë probleme.

Miratohet me konsensus ligji për dekriminalizimin

Parlamenti voton dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Ambasada amerikane në Tiranë, mirëpret vendimin: Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend

parlamenti alNë Shqipëri shumica dhe opozita miratuan sot me konsensus (132 vota pro) ligjin për dekriminalizimin, duke i dhënë fund, pas një viti nga marrëveshja e dhjetorit të 2014,  një cështjeje që ka qenë objekt debatesh dhe akuzash për përfshirjen e elementëve me të kaluar kriminale në politikë apo dhe në poste zyrtare. Ligji do të  duhet të shmangë përfshirjen në politikë apo emërimin në institucionet kushtetuese apo poste të larta të administrates publike, persona me një të kaluar të errët.  Po me konsensus u miratuan dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat i hapin udhë zbatimit të menjëhershëm të ligjit. Presidenti Bujar Nishani kishte dhënë ndërkohë paraprakisht pëlqimin e tij, për dekretim të menjëhershëm.

Delegacioni i Bashkimit Evropian e ka mirpritur miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin.Ky hap, thotë përfaqisa e BE-së, pritet të forcojë zbatimin e ligjit, përmirësojë integritetin mes zyrtarëve, forcojë luftën kundër korrupsionit por njëkohësisht shtojë besimin e njerëzve ndaj funksionimit të shtetit dhe institucioneve.

Kjo paketë legjislative, thotë delegacioni i BE-së, demostron se dialogu konstruktiv ndër partiak është mënyra më e mirë për gjetur reformat që i nevojiten vendit.

U bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të përfshihen në dialog konstruktiv për të çuar përpara çdo sfidë të reformave delikate dhe mbi të gjitha reformën në drejtësi, thuhet në dekleratën e delegacionit të BE.

Efektet e ligjit do të shtrihen mbi të zgjedhurit aktualë si në parlament ashtu dhe në pushtetin vendor. Ai përcakton në mënyrë të detajuar të gjitha kategoritë që preken, që nga deputetët, ministrat apo përfaqësuesit e zgjedhur vendor deri të institucionet e tjera të shtetit, duke penalizuar jo vetëm ata që janë dënuar në Shqipëri por dhe ata që kanë marrë një dënim qoftë edhe jo të formës së prerë, në gjykatat e vendeve të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara e Kanadasë. Ai parashikon një numër të madh veprash penale kryerja e së cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike, si për gjatë gjithë jetës, ashtu dhe për afate të ndryshme kohore në varësi të veprës penale.

Cështja e dekriminalizimit ishte pjesë e marrëveshjes së kërkuar nga opozita vitin e kaluar për rikthimin e saj në parlament. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e parlamentit europian, ndërkohë që gjatë këtij viti në mënyrë të përsëritur, si përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara ashtu dhe të Bashkimit europian kanë ushtruar trysni për miratimin e ligjit.

Menjëherë pas miratimit, ambasada e SHBA-së shpërndau një deklaratë me anë të së cilës “mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimin. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë”, nënvizon ambasada duke shtuar se “ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Dy ditë më parë në përfundimet për Shqipërinë edhe Këshilli i Ministrave të jashtëm të BE-së nënvizonte se “pret miratimin dhe zbatimin e legjislacionit për përjashtimin e personave me rekorde kriminale nga funksionet publike, gjë e cila do të forcojë besimin e qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre politik dhe institucioneve publike”. (voa)

Shqetësime për krizën politike dhe për liberalizimin e vizave

Atifete kuvendKosova është futur në një krizë të paparë politike e morale ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në adresimin e saj vjetor para Kuvendit.

Fjalimi i presidentes para Kuvendit, besohet të jetë i fundit, pasi që ajo ndodhet në përmbyllje të mandatit. Ky fjalim është bojkotuar nga tri partitë opozitare.

Jahjaga ka ftuar qeverinë dhe opozitën që me urgjencë të ulen dhe të nisin dialogun për tejkalimin e krizës së krijuar. Kjo krizë, sipas saj, ka sfiduar rëndë konsensusin politik vendor e ndërkombëtar mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.

“Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja Jahjaga, i rikujtoi deputetët se Kuvendi u shndërrua në një skenë të dhunës. Andaj ajo i ftoi partitë politike të heqin dorë nga interesat e ngushta për të mbrojtur interesin e vendit.

Si presidente e vendit, Jahjaga u dërgoi mesazh partive politike se asnjëra palë nuk do të korrë fitore dhe se dhuna nuk do të shndërrohet në mjet politik.

Zgjidhja e problemeve, ka thënë presidentja, është vetëm te dialogu dhe asnjë forme tjetër.

“Pa reshtur i kam takuar, individualisht dhe bashkërisht, si përfaqësuesit e pozitës ashtu edhe të opozitës, për të gjetur rrugëdalje nga kjo krizë. Vazhdimisht kam bërë thirrje për rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës dhe çdo herë kërkesa ime është refuzuar apo kushtëzuar”, ka thënë Jahjaga.

Kriza dhe zhvillimet dramatike, ka nënvizuar Jahjaga, po e lëkundin besimin tek miqtë ndërkombëtar pa të cilët, ajo tha se konsolidimi i mëtejshëm i shtetit të Kosovës do të jetë i pamundur.

Në pjesën tjetër të adresimit, Jahjaga ka folur edhe në lidhje me rëndësinë që ka dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Po ashtu, një nga çështjet që në vazhdimësi e ka adresuar Jahjaga gjatë fjalimeve të saj para deputetëve, është edhe lufta kundër ekstremizmit fetar dhe terrorizmit, për çka tha se Kosova po jep rezultate konkrete në luftimin e kësaj sfide globale.

“Këtë vit është shënuar një rënie drastike e kosovarëve që u janë bashkangjitur rrjeteve terroriste, falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë tonë që të veprojmë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.

Pas fjalimit të presidentes Jahjaga, Kuvendi shkoi në pauzë, për t’i vijuar punimet e seancës së papërfunduar të ditës së hënë.

Por, menjëherë pas, opozita është futur në sallën kryesore, duke u zotuar se do ta pengojë edhe këtë seancë. Kjo i ka shtyrë partitë në pushtet që pa opozitën, të ngjiten në sallën alternative për t’i shmangur përplasjet.

Edhe në këtë sallë, opozitarët tentuan që të futen brenda, por ata u penguan nga sigurimi.

Në vazhdim të seancës, ministri i Jashtëm dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur sërish pakënaqësinë e tij të thellë me rekomandimin negativ të Këshillit të Evropës në lidhje me liberalizimin e vizave të për Kosovën.

“Bashkimi Evropian ka kërkuar kritere shtesë për Kosovën. Edhe ato i kemi mirëpritur dhe i kemi zbatuar dhe dorëzuar dhe sot nuk futen në një raport teknik që kërkon një punë prej dhjetë minutash në kompjuter. Prandaj, vlerësoj se është një marrëzi që të shtyhet ky proces”, ka deklaruar Thaçi.

Seanca e së enjtes, ishte e fundit për këtë vit.

Që nga muaji tetor, Kuvendi i Kosovës ishte ballafaquar me bllokimin apo përpjekjet për bllokimin e punës nga ana e opozitës.

Kjo protestë opozitare ndërlidhet me kërkesën që të anulohet marrëveshja që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka nënshkruar me homologun e tij nga Serbia, Aleksanadar Vuçiq për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. (rel)

Mafia në Maqedoni dhe Viti i Zi 2015

Në të gjithë botën shtetet e kanë mafien e vetë. Në Maqedoni mafia e ka shtetin e vetë. Si shpesh herë edhe kësaj radhe,  Struga është në fokus të opinionit. Mos haroni se në Enciklopedinë e ish Armatës jugosllave, Struga ishte një ndër tetë pikat geostrategjike dhe politike të ish Jugosllavis;, e cila kishte mbi 3000 kilometra kufi. Struga e ka Qafën e Thanës dhe mbi 40 kilometra zonë kufitare me Shqipërinë, të cilin e ruajnë disa qindra bashkëpunëtorë të shërbimeve sekret të ushtrisë (3) dhe të policisë (5).

Përveç disa dhjetëra vrasjeve të shqiptarëve, në Strugë kanë ndodhur edhe tre vrasje të maqedonasve në vitet e nëntëdhjeta. Për asnjërën vrasje nuk është burgosur askush. Kanë ndodhur edhe mbi dhjetë vrasje të hallexhinjve shiptarë, shtetas të Shqipërisë. Askush nuk është dënuar për ato vrasje. As edhe shteti shqiptar nuk e luajti as edhe gishtin e vogël, sikurse e do puna.

Në Strugë veprojnë mbi tridhjetë fajdexhinj. Pushteti i njeh të gjithë por nuk i ngacmon. Në Strugë qarkullon drogë  dhe lloj lloj narkotikësh të tjerë. Pushteti nuk reagon, edhe pse për çështje të fajdeve dhe të drogës ka pasur edhe disa vrasje, pushteti përsëri nuk reagon.

U zaptuan të gjithë plazhet e qytetit, pushteti përsëri nuk reagon. Në Strugë ka shtypshkronja për shtypjen e numrave të falsifikuar të veturave, pushteti përsëri nuk reagon. Në Strugë ka shumë grindje individualle dhe familjare, pushteti përsëri nuk reagon. Edhe rasti i i tre vrasjeve të Vitit të Zi  2015, e ka gjenezën, dialektikën dhe epilogon e vetë. Sikur pushteti të kishte marë masa me kohë, tre djem të ri akoma do të ishin të gjallë. Është evidente se pushtetit qëndror e stimulon dhe i konvenon kjo gjendje anarkiste në Strugë. I konvenon, pasi në atë mënyrë më së miri e kontrollon krimin dhe politikën, të cilët janë si binjakët sijamezë. Vetë inspektorët e sigurimit të shtetit, deklarojnë se funksionarë dhe politikanë shqiptarë nga Struga  kanë dosje kriminale, e cila mbërin një metër kub material. Kanë dosje për vepra të rrënda, të cilat gjykatat nuk i aktivizojnë pasi, këto persona janë të mbrojtur nga politika. Kur një vepër penale nuk aktivizohet duke e hedhur në gjyq, kjo është evidente se cilin e mbron ai gjyq. Në Strugë ndodh kjo që ndodh për arsye se mbi 80% të votave i kanë në dorë shërbimet sekret nëpërmjet të mafiozëve të vetë, të cilët i orientojnë votat. Duke e ditur se tek ne akoma sundon mentaliteti fisnor dhe lokalist, dhe se shumica e votave të shqiptarëve janë në fshatra, atëherë rezultati i votava del në mënyrë shumë të lehtë.

Nuk është e rastit që të gjitha veprat kriminale në Strugë ndodhin përpara sezonit turistik ose përpara festave. Kjo bëhet me qëllim që mysafirët ose pushuesit e rastit të orientohen në Ohër. Rezultatet janë evident. Në këtë moment janë disa qinda turistë nga Shqipëria që pushojnë në Ohër. Stacioni policor i Strugës nuk mundet të hapë gojën pa marë leje nga Ohri. Ohri ka statusin e Sektorit, kurse Stacioni policor i Strugës ka kompetenca sa një stacion policor i një fshati.

Prenotimet nëpër objektet turistike për Vitin e Ri  2016 janë pesëdhjetë me një në dobi të Ohrit. Pushteti lokal është i zhveshur nga të gjitha kompetencat. Nga 28 drejtori, vetëm tre e kanë selinë në Strugë, edhe pse Struga ka më shumë banorë se Ohri, kjo falë regjionalizimit administrativ të Maqedonisë. Vizitorët e Ohrit në krahasim me ata të Strugës janë pesëdhjetë me një, në dobi të Ohrit.

Dirigjent i ngjarjeve tragjike në Strugë janë Shërbimet sekret të shtetit. Instrumentet janë shqiptarët. Në Strugë ka edhe tek maqedonasit krim të organizuar. Prej zhvatësve dhe fajdexhinjve maqedonas dridhen edhe vetë maqedonasit. Pushteti përsëri hesht. Mijalkovi, i cili u bë simbol i mafjes në të gjithë vendin, ka pesë konaqe në Strugë, edhe pse takimet gjithnjë i bën në Ohër. Të mos harrojmë se edhe Ratko Mladiç, I dënuar për krime të luftës në ish Jugosllavi kishte disa konaqe në  rrethin e Strugës.

Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2005 në Strugë, kryetari i atëhershëm i LSDM, Vlado Buçkovski pati deklaruar se cilët dy kandidatët shqiptarë nuk mundet ti fitojnë zgjedhjet për prefekt, duke treguar se cili do të zgjidhet. U tha, u bë. Shëërbimet sekret e kontrollojnë, në veçanti Strugën, me ndihmën e disa qindra bashkëpunëtorëve të vetë të korruptuar. Diçka është e korruptuar në Danimarkë klithi Marsellusi në Hamletin e Shekspirit. Gjithçka është e korruptuar në dërzhavën e Maqedonisë do klithte shqiptari jo tru hu.

I gjithë krimi në Strugë , është i kontrolluar dhe i dirigjuar nga pushteti qendror. Kjo vërtetohet ma faktin se të gjithë të dënuarit me burg nga Struga për këto 25 vjetët e fundit, nuk kanë marë më shumë vite burg se dy të dënuar të rastit të fabrikuar Monstra.

Struganët le t’ia vënë gishtin kokës kur e hedhin fletën në kutinë e votimit. Krimi nesër mundet të trokasë në derën e çdokujt. Për këta politikanë nuk ka para të pista, as edhe para të pastra. Për këtë soj sorollopi, sallahana, vagabonta, rriqna e mikroba të këqinj (fjalë nga Gomari i Babatasit të Gjergj Fishta)  ka vetëm para. Mos u bëni para dhe gjak i këtij pushteti dhe të kësaj politike kriminale. Këta politikanët e sotëm , i zëvendësuan ata fallxhoret e famshme të Leskovecit të Serbisë, të cilat vinin nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe kërkonin nga gratë që të mbyllin sytë, pasi kështu falli zënka më mirë. Derisa e zonja e shtëpisë e dëgjonte fallin me sy të mbyllur, shoqeja e fallxhores i  bënte një kontroll të mirë shtëpisë. Edhe ti që i lexon këto reshta, nesër mundet të jesh viktima e radhës e këtyre fallxhorëve të krimit dhe të politikës, qoftësi qytetar, qoftë si kalimtar, qoftë si sehirxhi, qoftë si mysafir në ndonjë restorant.

Të gjithë ne jemi fajtorë për këtë gjendje. Mos u besoni falxhorëve, të cilët deklarojnë:  kur jemi ne në pushtet, shqiptarët janë më të sigurtë sa i takon pronës dhe jetës. Le të shkojnë këta jaranë të pites dhe le t’i pyesin familjarët e viktimave të Kumanovës, të procesit ,, Monstrun”, të montuar nën dirigjimin e një ministreje monstrum, e cila nuk ka më shumë se një kusiçkë mish (shprehje e marë nga shtypi maqedonas). Ka mbi një mijë shtëpi ku munden ta bëjnë këtë pyetje por,  përveç dajakut nuk do të marrin asnjë përgjigje tjetër,

Rasti i vrasjes dhe i plagosjeve të fundit ishte vetëm një pasojë. Shkaku i kësaj gjendje  është pushteti dhe vetëm pushteti, prandaj shqiptarët nuk duhet të bien në grackat e Shërbimeve Sekret  të këtij pushteti kanxhallos. Edhe sa vare duhet të hapen që shqiptarët ta gjejnë mendjen. Esëllohu o shqiptar, esëllohu!!!. Gjendja nuk ndryshon vetë. Ne duhet ta ndryshojmë, duke u ndryshuar. Nesër –TI- mundet ta kesh radhën. (Shpëtim Pollozhani)

Të rinjtë europianë zhvendosen djathtas

flamuj e djathtaNë vendet e BE-së gjithnjë e më shumë të rinj tërhiqen drejt partive të djathta. Ata joshen me mesazh të thjeshta. Disa ekspertë e shohin këtë si rrezik për demokracinë.

Front National në Francë dhe Partia e Lirisë në Austri (FPÖ) janë vetëm dy shembuj të partive të djathta nacionale në BE, radhët e të cilave aktualisht janë duke u forcuar. E këto parti preferohen veçanërisht prej të rinjve. Edhe pse Front National në raundin e dytë të zgjedhjeve rajonale nuk mundi të fitojë, në raundin e parë 35% e 18 deri në 34 vjeçarëve kanë votuar për partinë e Marine Le Pen. Ndërsa në zgjedhjet për parlamentin e landit në Vjenë FPÖ mori 24% të votave nga grupi i zgjedhësve nën 30 vjeç.

Edhe në Holandë, Danimarkë dhe në Poloni partitë e djathta po fitojnë përkrahje të fuqishme nga të rinjtë. Një ndër arsyet është etja për identitet kombëtar brenda BE-së. Partitë e djathta “temën e identitetit e kanë shkruar me të madhe. Dhe të rinjtë janë gjithmonë në kërkim të identitetit”, thotë 32 vjeçari ambjentalist, eurodeputeti Jan-Plilipp Albrecht në intervistë për gazetën “Die Welt”.

Luftë elektorale me video Hip-Hop

Në Austri FPÖ po fiton mbështeje të madhe prej një grupi të veçantë ndër të rinjtë: Janë kryesisht djem të rinj, shumë me arsim të mangët. Për t’i tërhequr ata, kryetari i partisë Heinz-Christian Strache tregohet cool dhe i çlirët.

Ai nuk vesh kostum, por pantallona xhins dhe mban gjyzlykë dielli. Për zgjedhjet në Vjenë madje ai prodhoi enkas një video me muzikë me Rapper-in MC Blue. Në të të rinjtë brohorasin inicialet e emrit të tij “HC, HC”, e melodia është përpunuar në sfond me versionin e valsit të Shtrausit “Anës Danubit të bukur blu”

Video ndonëse duket e çuditshme deri në absurditet, ajo i përshtatet në mënyrë perfekte recetës së suksesit të FPÖ-së tek të rinjtë, mendon Gertraud Diendorfer, drejtore e Qendrës për Demokracinë në Vjenë. “FPÖ-ja zhvillon një luftë agresive elektorale”, thotë Diendorfer. “Ata kanë mesazhe shumë të thjeshta dhe të qarta.”

Që kryesisht prej FPÖ-së tërhiqen burrat, ajo e shpjegopn me faktin, se partia nuk ka pothuajse asnjë politikane për të ofruar.

Ne dhe ata

Një mesazh kryesor është kontradikta mes “nesh” dhe “atyre”. Ky mesazh përqafohet kryesisht në vende, që zhvillojnë një debat intensiv për refugjatët. Ndër këto vende bën pjesë edhe Austria, përmes së cilës mijëra refugjatë të ardhur përgjatë itinerarit ballkanik vazhdojnë rrugën dretj Gjermanisë – e ndonjëherë ata mbeten edhe në Austri.

Shumë të rinj me arsimim të keq shqetësohen, se refugjatët do t’u zenë atyre vendet e punës. Ndaj, thotë Diendorfer, ata i drejtohem FPÖ-së. E kjo parti e di mirë se si mund t’i bëjë për vete këta të rinj.

“Njerëzit e partrisë shkojnë nëpër diskoteka, e tërheqin atje publikun e tyre elektoral.” Ata përhapin “parrulla bardh – e zi”: “Ata krijojnë një grup-ne dhe e vlerësojnë këtë grup-ne, ndërkohë që ata që nuk i përkasin këtij grupi, i përçmojnë.” Imazhi i tyre i armikut janë në radhë të parë “të huajt” dhe gjoja “parazitët, që jetojnë në kurriz të të tjerëve”.

Edhe të tjerë politikanë e përdorin me sukses këtë taktikë. Kryeministri hungarez Viktor Orban ka ndërtuar gardhin kufitar kundër refugjatëve dhe në referendum i ka pyetur qytetarët, nëse refugjatët duhet të dëbohen, të izolohen apo të dënohen me punë të detyruar, në rast se hyjnë ilegalisht.

Të rinjtë gjermanë janë më imunë

Edhe në Gjermani atmosfera kundrejt refugjatëve është bërë më armiqësore, qëkurse në vend po vijnë gjithnjë e më shumë refugjatë. Strehimoret e refugjatëve, të cilave u vihet zjarri janë një dëshmi tragjike e kësaj. Megjithatë partia Nacionaldemokrate ekstremiste e djathtë, NPD, ende nuk ka një mbështetje kaq të madhe si partitë me orientim të ngjashëm në botën e jashtme. Ndërkohë NPD është e përfaqësuar vetëm në një nga 16 landet federale, në Meklenburg-Pomerani, ku ajo në zgjedhjet për parlamentin e landit fitoi 5% të votave.

Politologu dhe studiues i ekkstremizmit Rudolf van Hüllen beson, se të rinjtë në Gjermani nuk tentojnë drejt NPD-së, sepse shteti gjerman ka arritur me sukses t’u bëjë të qartë atyre se ç’pasoja ka pasur regjimi i fundit i djathtë në Rajhun e Tretë në Gjermani. Kyçi për imunizimin, beson ai ,ka të bëjë me një profilaksi të hershme. “Kjo i bën të rinjtë dhe ata në moshë më të pjekur më imunë kundrejt formave të ndryshme të ekstremizmit: ekstremizmit të djathtë, ekstremizmit të majtë, islamizëmit. Po rritet një gjeneratë e fortë dhe e vetëdijshme”, thotë Van Hüllen në gazetën “Die Welt”.

NPD-ja përpiqet ndërkohë t’i tërheqë të rinjtë, duke e shmangur imazhin e saj të naziskinëve.

Rreziqe për demokracinë?

Gertraud Diendorfer nga Qendra për Demokracinë në Vjenë mendon, se shoqëria duhet të ndërhyjë atje ku partitë nacionaliste kanë gjithnjë e më shumë sukses në radhët e rinisë. Nuk duhet t’u lihet fushë e lirë veprimi partive si FPÖ në Austri dhe homologeve të saj në vende të tjera.

Në vend të kësaj politikanë të tjerë duhet të orientohen më shumë nga të rinjtë, që besojnë se partitë e konsoliduara nuk mund t’u ofrojnë asgjë atyre. Nëse hendeku mes zgjedhësve të rinj të pakënaqur dhe partrive demokratike është i pakapërcyeshëm, beson Diendorfer, kjo mund të ketë pasoja serioze për Europën. “Kjo dukuri në Europë duhet të vlerësohet me seriozitet. Sa më shumë ksenofobi dhe paragjykime të ketë, sa më shumë distancë nga politika të ketë, aq më të mëdha janë rreziqet për demokracinë dhe një shoqëri të hapur liberale.” (dw)

Tetova sot në protestë dhe bllokim të rrugëve për shkak të ndotjes

protesta-ekoNë Tetovë sot në mesditë do të mbahen protesta me bllokimin e rrugëve, për shkak të ndotjes së ajrit.

Protesta është thirrur nga Lëvizja “Nēna dhe Fēmija” e përkrahur edhe nga Eco Guerilla. Organizatorët kanë planifikuar bllokimin e tre hyrjeve kryesore të Tetovës, informon INA.

Pikat ku do bllokohen rrugët  janë këto: Pika e parë: Unaza tek stadiumi në hyrje të qytetit, Pika e dytē: Unaza afër marketit Vero në hyrje të qytetit,  Pika e tretë: Rruga në hyrje të qytetit afēr shkollës së mesme medicinale dhe rektoratit të USHT.

“Rrugët do bllokohen me trupat e aktivistēve tanë si revoltē e gjendjes katastrofale ekologjike në këtë qytet. Jemi qyteti më i ndotur nē botë dhe kemi një nivel helmimi mbi 20 herë mē shumë se niveli i lejuar. Pasi autoritetet përgjegjêse nuk ndërmarin asnjë veprim ne ashtu siç paralajmëruam i radikalizojmë protestat tona”, theksoi Lëvizja “Nëna dhe Fëmija”. Këto protesta janë përkrahur edhe nga partitë opozitare shqiptare si LR-PDSH, RDK, BESA dhe shoqata të ndryshme qytetare.

protesta eco tetoveDerisa është paralajmëruar kjo protestë, komuna e Tetovës një ditë më parë urdhëroi ndërprerjen e procesit mësimor, për shkak të rritjes së nivelit të ndotjes së ajrit dhe rrezikimin e jetës në këtë komunë. Organizatorët e protestës theksuan se ky vendim i komunës është ndërmarrë për të shmangur daljen masive të nxënësve të shkollave në protesta, të cilët protestuan para komunës.

Tetova tashmë konsiderohet një nga vendbanimet më të ndotura në botë, ku koncentrimi i grimave PM10 ka qenë rreth 1000 mikrogramë në metër kub. (INA)

Mosfunksionimi i Marrëveshjes së Përzhinos mund t’i shtyjë zgjedhjet

HANLehtësuesi Piter Vanhojte po tenton t’i motivojë partitë, por opinion është i vetëdijshëm se Marrëveshja e Përzhinos e ka humbur dinamikën dhe se partitë po sillen në stilin “shpejto ngadalë”. Kjo vjen si pasojë e thyerjeve të afateve të thyera dhe si rezultat i mungesës së vullnetit.

“Nga fillimi i Marrëveshja e Përzhinos vuan nga dy deficite: afate të shkurtra dhe ambicie të ndërrohen shumë punë sistemore, të cilat janë të shkatërruara sistematikisht 25 vite”, shprehet profesori universitar Nenad Markoviq.

Sipas Markoviq, pavarësisht përbërjes së KSHZ-së, sistemi mediatik ose rregullat zgjedhore, nga sjellja e disa partive të caktuara shihet qartazi se nuk ka vullnet për ndryshim.

“Prandaj, zgjatja e afatit kohor rreth vendimeve të Marrëveshjes së Përzhinos është tregues se nuk ekziston kurrfarë vullneti rregullat sistematike të ndërrohen për të mirë, ose të krijohet lojë fer, si në zgjedhje ashtu edhe pas”, tha për DW në gjuhën maqedonase Markoviq.

Ai ka shtuar se me këtë dinamikë të zbatimit të Marrëveshjes, prilli po bëhet afat që do të duhet të shtyhet./dw/