Koment: s’ka mё shaka!

Me fitoren e saj nё zgjedhjet paraprake nё Karolinёn e Jugut Hillary Clinton mund tё jetё kandidatja kryesore e demokratёve. Bernie Sanders duhet t’u japё fund atakimeve tё tij ndaj saj, mendon, Ines Pohl.

hillary1Ka shumё arsye pёr tё vlerёsuar Bernie Sanders. Kush ёshtё ai qё nuk e mbёshtet kёrkesёn e tij pёr njё arsimim qё mund tё paguhet nga kushdo nё SHBA? Kush nuk do ta miratojё kritikёn e tij ndaj kёti jsistei politik, qё fare hapur nё pjesё tё tёra tё tij mund tё blihet me paranё e madhe. Edhe guximi i tij pёr t’u pozicionuar kaq qartё pёr bindjet e majta politke ёshtё pёr t’u admiruar. Ai e bёn kёtё ndonёse e di, se sa e rrezikshme ёshtё qё nё vendin e tij pёr shumicёn dёrmuese „majtas“ konsiderohet baraz me “komunist” dhe kjo ёshtё „e keqja.”

E gjitha kjo tё bёn pёrshtypje, pёr shumё ai ёshtё simpatik. Por kjo nuk ёshtё premtuese pёr sukses.

Hillary Clinton fiton nё Karolinёn e Jugut me njё avantazh prej 50 pikёsh. Jo vetёm sepse ashtu si pritej ajo mer njё mbёshtetje tё madhe nga zgjedhёset dhe zgjedhёsit zezakё. Por pёr herё tё parё nё kёtё luftё tё zgjedhjeve paraprake, ajo ia ka arritur qё tё mobilizojё njё shumicё tё gjerё tё rinjsh, tё moshuarish, burrash e grashё nё tё njёjtёn masё.

E kjo jo vetёm qё e bёn atё gruan e kohёs, por kjo e bёn atё kandidaten e partisё sё saj. Dhe Bernie Sanders duhet ta pranojё, qё ai nuk ka ndonjё shans serioz kundёr saj dhe operacionit tё saj tё planifikuar tё tёrhiqet. Me kёtё rezultat zgjedhjesh ai nuk mund tё fitojё mazhoranca nё garёn nё nivel kombёtar. Ai fiton pikё tek tё bardhёt dhe tё rinjtё. Por kjo nuk i mjafton, pёr tё hyrё nё shtёpinё e bardhё.

Clinton nuk duhet dёmtuar mё!

Eshtё gjithnjё e mё e mundshme, qё vёrtetё Donald Trump tё bёhet kandidati i republikanёve. E kёsisoj nuk ka mё shaka. Kohёs sё eksperimentimit duke luajtur duhet t’i jepet fund. Nuk do tё ishte e menҁur qё Clinton tё vazhdonte tё dёmtohej nga kampi i vet. Ajo edhe kështu ka mjaft hapёsira, ku mund ta atakojnё, ndaj i duhet e gjithё mbёshtetja e partisё së vet, qё tё mund tё fitojё.

Kёtё e ndjejnё edhe demokratёt. Mesazhi, qё del nga Karolina e Jugut, ёshtё, bashkohuni. Ka shumё mundёsi, qё edhe për këtë arsye fitorja e Clintonit tani ёshtё kaq e qartё, sepse edhe ata qё nuk kanё dashur ta mbёshtesin atё, e kanё kuptuar, se ajo ёshtё shpresa e vetme qё ka mbetur, pёr tё penguar mё tё keqen. E ёshtё mirё kёshtu. Sepse nё kёtё luftё elektorale tё gjitha llogaritё duhen bёrё tani me Trump. (dw)

Ben Blushi: “Tani ne duhet ta dimë se sa është mbështetja”

blushiShqipëri: debati në PS, flet për DW deputeti socialist,. Ben Blushi, mbi sfidën e tij për të garuar në postin e kryetarit të partisë përballë kryeministrit Edi Rama

DW: Ju z. Blushi jeni vetëshpallur si kandidat potencial për kryetarin e Partisë Socialiste në Kongresin e 19 marsit. Por z. Rama dhe eksponentë të tjerë socialistë mbrojnë idenë se në atë Kongres nuk do të ketë garë për kryetar të partisë, pasi lideri aktual po konsumon një mandat kryeministri deri në mes të vitit 2017. Pse ju po investoheni për garë, në një kohë që gjasat janë se garë nuk do të ketë?

Ben Blushi: Shikoni, unë nuk kam asnjë arsye të parashikoj dhe të lexoj pikëpamjet e kundërshtarëve të mi. Kur ka një garë, atë nuk e vendos kundërshtari, por e përcakton rregulli. Dhe rregulli në PS është që ka garë një herë në katër vjet. E keni paraysh që jemi në vitin e shtatë dhe vetëm para disa muajsh u vendos nga PS që të ketë një Kongres. Meqënëse ky është një kongres zgjedhor, ku zgjidhen forumet nga anëtarësia deri te delegatët e Kongresit, asambleja, kryesia dhe anëtarët e rinj, ndaj dhe kjo dikton se duhet të zgjidhet dhe kryetari. Unë nuk mund ta marrë të mirëqenë faktin se kryetari i PS-së nuk do të zgjidhet. Duhet të zbatohet rregulli, statuti, sepse ky është një precedent që e aplikojnë të gjitha partitë evropiane. Merrni p.sh. rastin e kancelares Merkel, që pavarësisht se ajo është në këtë post, çdo dy vjet i nënshtrohet zgjedhjeve në parti. Pra, megjithëse i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme ajo nuk ka thënë dhe nuk do të thotë, se meqënëse ka fituar mandatin si kancalare nuk do të garojë për postin e kryetares në partinë e saj.

DW: Meqënëse PS është në një proces të përzgjedhjes së delegatëve për në Kongres aktualisht, si e vlerësoni atmosferën?

Ben Blushi: Unë mendoj se e gjithë partia është në një klimë trysnie, që do të thotë se ajo që kemi thirrur si demokraci e brendshme nuk ekziston. Ndaj dhe shumica e delegatëve janë formalisht të zgjedhur, por praktikisht janë të emëruar. Listat janë bërë nga Tirana ose nga eksponentë të Partisë, kryetarë bashkie a deputetë me influencë në rrethe që i kanë servirur anëtarësisë emra që dalin pa garë, pa konkurim normal, pa proces të hapur e transparent lobingu, pa afishuar listat e atyre që zgjedhin, kush voton dhe kur e ku voton. Do ju marr rastin e zgjedhjeve të delegatëve për Tiranën që mbahen të shtunën. Unë jam votues në kryeqytet, sepse kam 47 vite që banoj këtu, jam anëtar i PS prej dy dekadash, por pavarësisht këtyre treguesve, askush nuk më ka njoftuar se ka zgjedhje, ku duhet të votoj dhe në çfarë liste jam. Kur kjo më ndodh mua që jam dhe anëtar i kryesisë së partisë dhe deputet në tre mandate, mendo për të tjerët. Ka shumë të tjerë që kanë fatin tim, që nuk e dinë që ka zgjedhje, që nuk e dinë se ku do të votojnë. Ky është tregues i formalizmit dhe i pezullimit të demokracisë së brendshme

DW: Çfarë mbështetje konkrete keni ju në grupin parlamentrar të PS-së, në rradhët e anëtarëve të qeverisë, apo në strukturat e partisë tuaj?

Ben Blushi: Pikërisht kjo është që ajo unë kërkoj. Sepse mbështetja tregohet me votë. Ku e dini ju se sa vetë e mbështesin kryeministrin aktualisht? Askush nuk e di, sepse zgjedhjet për atë aplikohen qysh herët në historinë politike të njerëzimit, për të shikuar të ardhmen dhe jo të shkuarën. Z. Rama pretendon se ka marrë 1 milion vota. Këto ai i ka marrë në të shkuarën, në vitin 2013. Kurse ne po bëjmë zgjedhje në PS për një mandat 4 vjeçar, nga viti 2016 deri më 2020. Tani ne duhet ta dimë se sa është mbështetja. Sipas statutit të partisë, kjo bëhet sipas parimit një anëtar një votë. Ajo që unë kërkoj është që mbështetja e secilit të bëhet me votë. Personalisht unë do të shkoj me një platformë, që ka dy shtylla kryesore: si drejtohet PS dhe si përmirësohet qeverisja, që duhet thënë se është në ditët më të këqija.

DW: Ju jeni prej kohësh shumë kritik me mënyrën se si po udhëheq qeverinë dhe partinë z. Rama. A mund të më rendisni tre nga të metat që ju i quani dhe më shqetësueset në qeverisjen e koalicionit PS-LSI?

Ben Blushi: Them me bindje se për tre vite premtimet që ne kemi bërë nuk janë mbajtur. Së pari, me punësimin. Papunësia në vend nuk është ulur, por është rritur duke marrë parasysh numrin e shqiptarëve që kanë emigruar. Kanë ikur rreth 100 mijë shqiptarë, kryesisht në Gjermani, ndërkohë që rreth 200 mijë të tjerë kanë pasur si destinacion emigrimin në SHBA, për ta lënë Shqipërinë njëherë e mirë. Së dyti, borxhi publik. Eshtë rritur, ka shkuar në rreth 74 përqind, që në terma të thjeshtë do të thotë se 2500 – 3000 euro borxh për çdo shqiptar, edhe atë që lind sot. Nuk kemi pasur arsye të marrim kaq shumë borxh publik, duke rënduar financat për t’i “rënë në qafë” investimeve. Së treti, është rënia e konsumit dhe mungesa e investimeve të huaja. Jemi vendi që po thith më pak investime të huaja në rajon. Krahasimisht me Maqedoninë, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Kroacinë, që është anëtare e BE-së, ne thithim më pak investime të huaja për frymë. Sepse ekonomia është thelbi i çështjes: nuk rritëm vendet e punës, nuk thithëm investime të huaja direkte, nuk ulëm nivelin e korrupsionit dhe në këto tre vite nuk përmirësuam klimën e biznesit. Nuk u bënë reforma themelore në arsim dhe në shëndetësi. Këto shërbime për qytetarët janë shtrenjtuar në krahasim me një, dy apo pesë vite më parë.

DW: Z. Blushi le të marrim inversin e pyetjes së mëparshme: a konstatoni ndonjë aspekt pozitiv në këto tre vite qeverisje PS- LSI?

Ben Blushi: Nuk e kam kompleksin e së vërtetës dhe në përgjithësi them gjërat që besoj, qofshin të mira apo negative. Kam mbështetur dhe mbështes në vijim reformën territoriale, që është e domosdoshme, shumë e vonuar për gati 25 vite. Ajo besoj se do të kthehet në një reformë reale, e plotë, që do t’i japë në administrim një sërë shërbimesh pushtetit vendor, të cilat nuk mund të përballohen sot nga qeveria. Kjo është një reformë të cilën nuk mund të mos e mbështes.

DW: Ju përmendët më herët se keni një platformë. Bazuar në të, si dhe në projeksionin tuaj për të qenë kryetar i PS-së, si e shikoni LSI-në, si një aleat strategjik, apo jeni për ridemensionimin e raporteve mes dy partnerëve ?

Ben Blushi: Sa i takon koalicionit, unë mbetem tek pikëpamja se PS duhet ta mbajë koalicionin me LSI-në, por ama duhet ta funksionalizojë atë. Sot për sot ky koalicion ka përfunduar në një mekanizëm që ndan vende pune nëpër spitale apo ujësjellësa, nëpër bashki të ndryshme, në miniera etj. Madje dhe nëpër shkolla për fat të keq, ku ndahen mësuesit, rojet dhe shpresoj që kjo të mos shkojë deri te nxënësit që dhe ata të ndahen në proporcione koalicioni. Eshtë një koalicion vendesh pune dhe jo koalicion reformash. Për mua koalicioni duhet të jetë për reforma dhe jo për shifra 60 me 40 përqind, sepse kjo është shkatërrim për administratën publike, që ndahet si “plaçkë tregu” bazuar në përqindjet e partive në koalicion.

DW: Nga mesi i nëntorit të vitit 1997,kur ju latë profesionin e gazetarit dhe iu futët politikës, Partia Socialiste ka mandatuar katër kryeministra nga rradhet e saj, Fatos Nanon, Pandeli Majkon, Ilir Metën dhe tashmë Edi Ramën. Cilin prej tyre konsideroni më eficient në performamncën qeverisëse?

Ben Blushi:Nuk preferoj të merrem me krahasime njerëzish. Nuk është një kampionat, por një garë idesh. Preferoj të flas për atë që vjen nesër dhe jo për atë që ka ikur. Atë që ka ikur nuk e kthejmë më. Shqiptarët do të donin që këto 25 vite të ishin ndryshe, të ishin qeverisur me më shumë drejtësi, me më shumë sens barazie, solidariteti, me më shumë dinjitet. Që të mos kishim humbur rreth 1 milion emigrantë sikundër dhe i kemi humbur, pasi po shkojmë çdo ditë si një komb që vjen duke u zvogëluar. Shqiptarët nuk rrezikohen sot nga ndonjë fuqi tjetër, nuk rrezikohen nga copëtimi, nuk rrezikohen nga ndonjë pushtim si në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por rrezikohen vetëm nga një gjë: nga korrupsioni. Ai është baza e të gjitha të këqijave.

DW: Në pyetjen e fundit po kthehem edhe një herë aty ku e nisëm, tek investimi juaj për të qenë kandidat potencial në garën për kryetar të PS-së në Kongresin e 19 marsit 2016. Nëse do të bëhet garë, përse një delegat socialist do të duhet të votojë për alternativën Blushi?

Ben Blushi: Për shkak të mundësisë që unë i jap atij për të fituar më shumë vota në vitin 2017. Kjo është e qartë. E përsëris, nëse këto zgjedhje në PS bëhen sipas normës, sipas precedentit, sipas rregullit. Në në një kuptim ato janë primare, pra janë zgjedhje paraprake brenda partisë, përpara se të mbahen zgjedhjet politike në vitin 2017. Unë do të paraqes një platformë, e cila do të parashikojë më shumë vende pune, një parti më kohezive, ndryshime themelore në sistemin e arsimit, nomalizim dhe natyralizim të sistemit tonë progresist të taksimit, që nuk e kemi sot megjithëse e premtuam, rritje pagash dhe mbështetje të shtresave në nevojë. Këto janë disa prej atyre që do të bëj. E rëndësishme është që këto zgjedhje të konsiderohen si primare. P.sh. Franca për pak kohë do të shkojë në zgjedhjet presidenciale dhe president Holande po detyrohet nga partia e vet që të hyjë në zgjedhjet primare, ose paraprake brenda partisë. Kur kjo ndodh në Francë, në Itali, natyrisht ndodh rëndom dhe në SHBA, atëherë pse të mos ndodhi dhe në Shqipëri. Të ketë primare brenda Partisë Socialiste, për mënyrën se si ajo do të drejtohet në katër vitet e ardhshme. Për ta mbyllur: pse duhet të votojnë për mua? Po sepse jap më shumë garanci se mbledh më shumë vota për PS dhe koalicionin në vitin 2017, për shkak se këto tre vite që kanë kaluar në drejtimin e Edi Ramës, jo vetëm kanë qenë rrënuese në aspektin e funksionimit te PS, por në anën tjetër ishin dhe të pafrytshme dhe jo produktive sa i takon ekonomisë, siç rendita më sipër. (dw)

Intervistë me Hashim Thaçin, president i zgjedhur Kosovës

hashimiPresidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi,  në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se do të punojë me të gjitha forcat politike për të tejkaluar ato që quajti dallime ndërmjet tyre. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se zgjedhja e tij, që u përcoll me kundërshtimet e opozitës,  ka ndodhur në pajtim me kushtetutën e ligjet e vendit, ndërsa mohoi të ketë bërë lëshime ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb në këmbim të votës së tyre. Ai tha po ashtu se në Kosovë nuk ka asnjë mëdyshje rreth ngritjes së Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Ju u zgjodhët president i Kosovës dy ditë më parë në një seancë, e cila ishte e përshkuar me tensione politike, por edhe përplasje në rrugë. A e lëndon kjo procesin e zgjedhjes suaj?

Hashim Thaçi: Kosova ka kryer një provim të ri, me sukses të plotë. Ka dhënë një provim të jashtëzakonshëm, demokratik, kushtetues, ligjor, transparent dhe politikisht korrekt, në një proces gjithëpërfshirës, participues, prandaj është koha që të gjithë, pa dallime etnike, pa dallime politike, të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në prioritetet tona të ardhshme në konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë. Dhe kjo është edhe detyra ime, do të jetë edhe shërbimi im si president i zgjedhur i Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Presidenti i Kosovës, sipas kushtetutës, duhet të përfaqësojë unitetin e popullit të Kosovës. Duke pasur parasysh kundërshtimin e opozitës, a do ta pengojë kjo zbatimin e kësaj detyre?

Hashim Thaçi: Nëse shikojmë historikisht, presidenti i ri i zgjedhur i Republikës së Kosovës para dy ditësh, ka numrin më të madh të votave, që ka fituar ndonjë president në kuvendin e Republikës së Kosovës të dalur nga adresat politike në këto 16 vitet e fundit. Pastaj, presidenti i ri i Republikës së Kosovës është lideri që ka fituar gjashtë palë zgjedhje të njëpasnjëshme prej votës së qytetarëve të Kosovës, është lideri më i votuar në dekadën e fundit. Prandaj, ekziston një bazament i fuqishëm politik, legjitimitet i fuqishëm qytetar e në të njëjtën kohë edhe baza e fuqishme kushtetuese dhe ligjore. Por, në çdo rrethanë, unë do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallime etnike, pa dallime politike, pa dallime ideologjie, pa dallime fetar. Unë do të jem në shërbim të të gjithëve, do të respektojë plotësisht të gjitha përgjegjësitë e mia kushtetuese dhe ligjore. Do të respektojë plotësisht funksionimin e pavarur të institucioneve. Në anën tjetër, do të punojë me urtësi, qetësi, mirëkuptim dhe respekt për të gjithë, me politikën kosovare, me shoqërinë civile, me mediat, me qytetarët, me njerëzit opinionistë, me të gjithë ata që duan të japin kontributin për forcimin e shtetit tonë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në mënyrë që ta integrojmë Kosovën sa më shpejt edhe në mekanizmat ndërkombëtarë të nevojshëm, por të punojmë edhe për zhvillimin ekonomik edhe për rendin e ligjin, t’i kryejmë obligimet tona që i kemi para qytetarëve, por edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Si do të punoni me opozitën kundërshtuese zoti president i zgjedhur?

Hashim Thaçi: Do të punojë me të gjithë. Nuk kam paragjykime ndaj askujt, përkundrazi, do të ofrojë vullnetin më të mirë, do të ofrojë mirëkuptimin në kuptimin e dëgjimit të shqetësimeve të tyre, në mënyrë që të jemi të gjithë të bashkuar në interesat e përbashkëta shtetërore. Natyrisht, ne po zhvillojmë demokracinë dhe opinionet e ndryshme janë shëndeti i demokracisë në Kosovë, por, me rëndësi është që gjithë ky proces të shkojë në një formë të rregullt, të qetë, paqësore, komunikuese dhe natyrisht, konkluzionet i nxjerrim të përbashkëta në interes të vendit, në interes të qytetarëve edhe në interes të investimeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Cilat do të jenë hapat për të zvogëluar hendekun që ekziston midis jush dhe opozitës aktualisht?

Hashim Thaçi: Unë nuk mendoj që ka ndonjë hendek të madh. Ka dallime politike që kanë ndodhur me herët. Unë do të punojë me tërë energjinë time, me tërë potencialin tim edhe si qytetar edhe me tërë potencialin atdhetar, politik, me tërë fuqinë time edhe me mandatin tim kushtetues dhe ligjor, në mënyrë që këto dallime në mes spektrit politik të tejkalohen sa më shpejt, sa më mirë, në mënyrë sa më efektive në mënyrë që të punojmë me të gjitha energjitë tona për shtetin dhe të interesohemi e të fokusohemi të gjithë mbi të gjitha për interesat shtetërore para atyre politike apo grupore.

Zëri i Amerikës: Ka pasur zëra që mund të kontestohet zgjedhja juaj edhe në Gjykatën Kushtetuese. A jeni i gatshëm të përballeni me të?

Hashim Thaçi: Kosova ka kryer obligimet e veta në afatin e rregullt kushtetues dhe ligjor. Ne do të punojmë bashkërisht të gjithë. Ne do të respektojmë të gjitha institucionet e pavarura në punën e tyre. Do t’i kryejmë të gjitha obligimet në kuptimin e transparencës së plotë dhe llogaridhënies së plotë. Unë jam sot president i zgjedhur nga kuvendi i Republikës së Kosovës në një proces krejt të rregullt, kushtetues, ligjor, transparent dhe do t’i kryejmë obligimet tona në këtë fazë të tranzicionit që kemi deri në prill, kur duhet të bëj betimin si president i zgjedhur i Republikës së Kosovës. Kështu që, tërë energjitë e mia do të fokusohen në tejkalimin e këtyre ndasive politike, në kuptimin e vullnetit të mirë. Pastaj, me marrjen e përgjegjësisë edhe zyrtarisht, do të ketë edhe iniciativa konkrete për mirëkuptim, për tejkalim të këtyre dallimeve dhe vënien në spikamë të agjendës shtetërore.

Zëri i Amerikës: Kritikët tuaj kanë thënë se për të siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur, ju mund të keni bërë lëshime ndaj Listës Serbe. Nëse po, për çfarë lëshimesh bëhet fjalë?

Hashim Thaçi: Unë do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve, serbëve, malazezëve, turqve, boshnjakëve, ashkalive, romëve, të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj dhe secili duhet të ndjehet mirë e krenar që jeton në Kosovë. Kosova duke respektuar komunitetet jo shqiptare, mund të fitojë edhe më tepër, mund të respektohet në botë edhe më tepër. Minoritetet janë vlera të shoqërisë kosovare, kanë të drejtat e tyre kushtetuese, ligjore, e politike. Ata janë kosovarë. Ne po ndërtojmë dhe forcojmë identitetin tonë shtetëror, prandaj do të punoj fuqishëm në ofrimin edhe më të madh të komunitetit serb edhe në institucione. Ata janë sot pjesë e parlamentit, pjesë e qeverisë, e pushtetit lokal, punojnë me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, prandaj do të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit dhe mendoj se kjo tolerancë ndëretnike do t’i shërbejë fuqishëm vizionit tim për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, Kosovës multietnike. Vetëm kështu mund të kemi sukses.

Zëri i Amerikës: Por, a kishte kundër shpërblim për votën e tyre?

Hashim Thaçi: Deputetët serbë janë pjesë e kuvendit të Republikës së Kosovës. E kanë vizionin e vet, programin e vet, e kanë qëllimin e vet, prandaj gjithçka ka qenë në përputhshmëri të koordinimit të partnerëve të koalicionit, sipas marrëveshjeve të mëhershme dhe votimi i tyre ka qenë një votim i vullnetit të lirë në një votim të fshehtë. Prandaj, nuk mund të paragjykoj se kush ka votuar për dhe kush ka votuar kundër. Por, unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në votim. Edhe ata që kanë shprehur opinionet e tyre të ndryshme, unë do t’i respektojë, i dua dhe do t’i vlerësojë, do t’i ofrojë dhe do të punojmë bashkërisht.

Zëri i Amerikës: Kriza politike në Kosovë pasoi marrëveshjet politike me Serbinë dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Nga pozicioni juaj i ri, si mendoni mund të tejkalohet kjo situatë dhe cili do të jetë roli juaj në vazhdimin e dialogut?

Hashim Thaçi: Parakusht për integrimet euro – atlantike, por edhe parakusht për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, është ndërtimi i fqinjësisë së mirë. Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha vendet fqinje. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi. Do të vazhdojmë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve edhe me Serbinë. Nuk jemi vendet e para në botë që kemi luftuar dhe po ndërtojmë tani paqe. Kështu që duhet të marrim shembullin edhe të vendeve të tjera dhe zgjidhja e vetme është vazhdimi i dialogut. Dialogut jo në kuptimin e vazhdimit vetëm me Serbinë dhe destabilizimit të vendit, por një dialog i cili i normalizon marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por në të njëjtën kohë e forcon shtetin e Kosovës dhe kjo është rruga e vetme. Unë kam besim se edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Vjenë, janë argumente të fuqishme për fuqizimin e shtetit tonë e jo në dëm të shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Ju tashmë keni dhënë dorëheqje nga kryetari i Partisë Demokratike?

Hashim Thaçi: Natyrisht, unë kam respektuar të gjitha parametrat kushtetues dhe ligjor dhe në momentin e kryerjes së obligimeve procedurale të kuvendit, unë i kam kryer edhe obligimet tjera kushtetuese dhe ligjore që nuk lejojnë bartjen e përgjegjësive tjera publike apo institucionale apo politike.

Zëri i Amerikës: A keni shqetësim për PDK-në pas Hashim Thaçit?

Hashim Thaçi: Unë ndjehem shumë krenar që kam udhëhequr një parti shumë të fuqishme, një parti që ka konsoliduar dhe forcuar vendin tonë. Një parti më tepër si një lëvizje me mbështetje të gjerë qytetare. Një parti që ka fituar shumë palë zgjedhje në dekadën e fundit. Ndjehem shumë krenar që në momentin kur jam zgjedhur president, PDK ka qenë partia më e fuqishme, më e konsoliduar dhe numër një dhe shkoj në postin e presidentit si lider fitues.

Zëri i Amerikës: A mund ta ndryshojë kjo skenën politike në Kosovë, duke pasur parasysh që forcat politike në Kosovë më së shumti identifikohen me udhëheqësin e tyre politik?

Hashim Thaçi: Nuk mendoj që subjektet politike janë pronë e liderëve politikë. Mendoj që subjektet politike në Kosovë gradualisht po krijojnë hapësira për debat, për marrje të vendimeve të përbashkëta, prandaj sot është një përgjegjësi e liderëve të ri në PDK dhe këtë përgjigje mund ta merrni nga lidershipi i ri i PDK-së. Por, PDK nuk ka qenë e Thaçit, por ka qene pronë e elektoratit, e vizionit, programit dhe qëllimit të tyre.

Zëri i Amerikës: Edhe miqtë tuaj, edhe ndërkombëtarë kanë tërhequr vërejtjen se sfida të mëdha ju presin gjatë mandatit tuaj si president, përfshirë këtu edhe përballjen e mundshme, madje edhe tuajën personale me Gjykatën e Posaçme për krime lufte…

Hashim Thaçi: Në do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona kushtetuese dhe ligjore. Ne i kemi kryer të gjitha obligimet karshi këtij procesi të rëndësishëm dhe jam njëri nga bartësit e këtij procesi edhe si kryeministër edhe si ministër i jashtëm në përgjegjësitë e mia institucionale që kam pasur. Unë mendoj që ky proces duhet të jetë një avantazh për Kosovën dhe një argument i fuqishëm për konsolidimin e vendit tonë karshi bashkësisë ndërkombëtare, prandaj nuk ka asnjë shqetësim në kuptimin e hezitimit, apo nuk kemi asgjë për të fshehur. Ne duhet t’i japim një mbështetje të fuqishme sistemit të drejtësisë. Ne kemi zhvilluar luftë të drejtë, luftë të pastër, luftë sipas konventave ndërkombëtare, jemi fitues dhe do t’i japim mbështetje me gjithë potencialin tonë institucional dhe shoqëror.

Zëri i Amerikës: A keni shqetësim personal në këtë aspekt?

Hashim Thaçi: Ne kemi zhvilluar luftë të drejtë, kemi zhvilluar luftë kundër regjimit të (Slobodan) Millosheviçit, ligjet qe i kemi shkelë kanë qenë të Millosheviçit, ndërsa kemi respektuar të gjitha ligjet dhe standardet ndërkombëtare.

Protestë e ekologjistëve në Parkun e Tiranës

eko trNë Tiranë veprimtarët e mjedisit mbollën mbi 100 fidanë pishash në sheshin e ndërtimit, që bashkia ka rrethuar për të ngritur një kënd lojërash për fëmijë.

Vullnetarët dyshojnë se aty po ngrihen konstruksione hekuri dhe betoni pas prerjes së disa dhjetëra pemëve.

Por bashkia e ka hedhur poshtë këto akuza.

Veprimtarët e mjedisit zhvilluan sot një protestë të veçantë kundër ndërtimeve të bashkisë në parkun e Liqenit Artificial, duke mbjellë mbi 100 fidanë pishash në rrugicat e mbushura me zhavorr të zonës së rrethuar të kantierit.

Një javë më parë ata rrëzuan atë rrethim në përpjekje për të penguar ndërtimin nga bashkia në atë park të një këndi lojërash për fëmijë, sipas tyre, mbi konstruksione hekuri dhe betoni.

Shumë prej tyre u arrestuan nga policia gjatë protestës së parë, kur ata kundërshtuan projektin e bashkisë, ndërsa sot erdhën përsëri aty me fidanë dhe lopata.

Ndërsa mbillnin fidanët e rinj të pishave, protestuesit tregonin trungjet e pemëve të prerave si shtysa kryesore e tubimeve të tyre protestuese.

Bashkia organizoi sot aty një koncert me fëmijë për të treguar kujdesin ndaj tyre dhe vendosmërinë për ta ndërtuar parkun e lojërave brenda një qershorit.

Kryetari i bashkisë Erjon Veliaj ftoi veprimtarët të shënojnë pemët dhe t’i verifikojnë ditën që do të mbarojë ndërtimi.

Ndërsa një ditë më parë ai zhvilloi një dëgjesë me veprimtarë të shoqërisë civile për ndërtimet në parkun e liqenit artificial.

Bashkia e Tiranës dhe organizatat e mjedisit si Qytetarët për Parkun, Mbill Pemën Tënde etj. po replikojnë prej disa javësh për projektet e fundit te parku i liqenit artificial.

Edhe Partia Demokratike e opozitës zhvilloi një protestë kundër projektit me lojërat.

Ndërsa veprimtarët e mjedisit kanë disa vite që protestojnë për ndërtime të ndërtime shumëkatëshe poshtë digës së liqenit dhe sipër digës, që, sipas tyre, bien në kundërshtim me ligjet mbi digat dhe me ato në mbrojtje të mjedisit. (voa)

Gjendja në kufirin e Maqedonisë me Greqinë

refugjatet mkImigrantët nga Lindja e Mesme kanë bllokuar hekurudhën në  zonën kufitare midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Ndërsa ushtria e Maqedonisë po ngre një gardh të ri me gjemba. Gjendja e refugjatëve në kufi po përkeqësohet. Maqedonia nuk pranon më shumë se 300 refugjatë në ditë, të cilët pas pak orë qëndrimi në kampet e Gjevgjelisë dhe Tananocit udhëtojnë drejt vendeve perëndimore. Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se kalimi i refugjatëve nëpër Maqedoni nuk duhet të paraqesë problem për vendin, përderisa ata nuk ndalen për një kohë më të gjatë këtu. (voa)

 

Fitorja e Hillary Clinton në Karolinën e Jugut

HillaryHillary Clinton fitoi me lehtësi në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate në shtetin e Karolinës së Jugut. Ajo tashmë ka konsoliduar pozitën e saj si kandidatja kryesore demokrate duke mundur ndjeshëm rivalin Bernie Sanders përpara zgjedhjeve të rëndësishme të “super-të martës”.

“Do të konkurojmë për çdo votë në secilin shtet. Nuk do ta konsiderojmë të mirëqenë askënd dhe asgjë.”

Hillary Clinton ka fituar ose ka dalë barazim në tre nga katër garat demokrate dhe udhëheq ndjeshëm në sondazhet e kryera në shumicën e shteteve ku do të votohet javës tjetër.

Mbështetësit e saj festuan suksesin në Karolinën e Jugut duke kërcyer, disa prej tyre të ardhur madje nga shtete të tjera.

“Po kërceja pasi e di që do të kemi një zonjë presidente dhe jam e lumtur të jem pjesë e këtij momenti. Erdha me avion nga Nju Jorku. Javës që kaloi kam trokitur derë më derë, si dhe u kam telefonuar njerëzve. Jemi gati për presidenten tonë të re dhe lutem çdo ditë që deri në nëntor të mundemi ta konfirmojmë këtë gjë”, thotë Michelle Garcia-Daniels, përkrahëse e Hillary Clintonit.

Por, fillimisht ajo duhet të fitojë njëherë nominimin demokrat. Duke folur për mbështetësit në Minessota, Bernie Sanders deklaroi se do të luftojë për të marrë nominimin deri kur Partia Demokrate të zhvillojë konventën e saj kombëtare në muajin korrik.

“E përgëzova Sekretaren Clinton për paraqitjen e fortë. Gara e së martës do të jetë për mbi 800 delegatë, dhe ne synojmë të fitojmë shumë, shumë prej tyre.”

Në garën e nxehur republikane, kryesuesi Donald Trump dhe rivali më i afërt, Senatori Marco Rubio, e kaluan ditën e shtunë duke shkëmbyer ofeza të rënda dhe duke nxjerrë kështu në pah se si gara në Partinë Republikane ka marrë formën e një sherri politik në rrugë.

Zoti Trump pati një tubim të përbashkët në Arkansas me Guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie, i cili la garën presidenciale për t’i dhënë mbështetjen e tij zotit Trump.

Zoti Trump udhëheq në sondazhet në pothuajse 11 shtete që do të votojnë të martën. Nëse do të fitojë ndjeshëm në këto shtete, ai do ta ketë pothuajse të sigurtë marrjen e nominimit republikan, megjithëse Senatori Ted Cruz udhëheq në shtetin e tij të lindjes, Teksas, ku është edhe numri më i madh i delegatëve për “super-të martën”. (voa)

Kryqe gjigante edhe në hyrje daljet e Shkupit

kryqiKongresi Botëror Maqedonas nuk do të ndalet me kryqet gjigante. Kështu kryetari i kësaj lëvizje politike që është në koalicion me VMRO-DPMNE ka paralajmëruar vendosjen e kryqeve 55 metërshe edhe në hyrje – dalje të Shkupit, informon INA.

Këtë e ka bërë të ditur sot në ceremoninë e vënies së gurthemelit të kryqit në Butel të Shkupit. Ai ka thënë se deri në fund të vitit do të ndodhë kjo dhe se gjatë muajve të ardhshëm kryqe të tilla do të ketë në Gjorçe në drejtim të Sarajit dhe në Katallanovë.

Ai tha se 70 për qind e popullatës në Komunën e Butelit është me përkatësi fetare krishtere dhe se edhe në vende tjera do të vendosin kryqe

“Kryqi financohet nga kongresi dhe i jepet në pronësi komunës. Ju të rinj ju bëj thirrje që të mbroni të drejtat tuaja”, ka thënë Todorov. (INA)

Stojanoviq: Tash le të vazhdohet me Asociacionin e Specialen

Branimir-StojanovicZëvendëskryeministri i Kosovës nga minoriteti serb, Branimir Stojanoviq, ka thënë se pas zgjedhjes së Hashim Thaçit President, tashmë nuk ekziston asnjë arsye që të mos procedohet tutje me ato që Prishtina është akorduar me Beogradin në Bruksel, njofton Klan Kosova.

Stojanoviq thotë se pret që Thaçi, i cili ka marrë pjesë në të gjitha proceset në Bruksel, të marrë përgjegjësi në lidhje me atë që është rënë dakord para bashkësisë ndërkombëtare.

Politikani serb ka pohuar se tani duhet të vazhdohet me formimin e Gjykatës Speciale dhe formimin e statutit të Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe.

Votat e pavlefshme për President – kush po gënjen?

thaciShefi i Listës Serbe për Kosovën, Slavko Simiq, ka deklaruar se 10 deputetët e kësaj liste nuk e kanë votuar Hashim Thaçin për President në asnjërin nga tri raundet

Sipas tij, kështu u ruajt neutraliteti karshi subjekteve shqiptare, njofton Klan Kosova.

Se serbët nuk kanë votuar pro Thaçit  ka deklaruar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq gjithashtu edhe Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.

Por edhe nëse është e vërtet që deputetët e pakicës serbe nuk kanë votuar pro Thaçit, ata megjithate  qëndruan në sallë që ti siguronin kuorumin e nevojshëm që procesi të mos bllokohet dhe de facto Thaci të mund te zgjidhet president.

Por se nuk ka votuar për Thaçin ka thënë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Nëse 10 deputetët e Listës Serbe nuk e kanë votuar Thaçin për President dhe njëjtë ka vepruar edhe Zemaj, atëherë Thaçi do të duhej të kishte 11 vota të pavlefshme e jo 10 sa edhe ishte numri zyrtar i tyre, pasi që rezultati i raundit final ishte; 71 vota pro dhe 10 të pavlefshme nga 81 deputetë sa votuan gjithsejtë, njofton Klan Kosova.

Votimi për President është i fshehtë, prandaj deputetët, si Zemaj, ose grupet parlamentare, si Lista Serbe, shpalosjen e votimit e kanë bërë vullnetshëm, përkundër se numrat nuk po përputhen.

Gjithsesi, Hashim Thaçi është zgjedhur President në raundin e tretë të votimit, kur është nevojitur vetëm shumica e thjeshtë, ose 61 vota e më shumë.

Themeluesi i Partisë Demokratike të Kosovës në raundin e parë të votimit, kur për t’u shpallur President nevojiteshin 2/3 ose 80 pro të paktën, Thaçi nuk ka arritur të fitojë më shumë se 50 vota për.

Në atë votim të parë, në të cilin morën pjesë 81 deputetë, për Hashim Thaçin votuan 50 veta, kurse 27 vota u shpallën të pavlefshme. Katër vota i mori kundërkandidati i Thaçit, bashkëpartiaku Rafet Rama.

Kurse raundi i dytë solli ndryshime të mëdha në numra, përkundër se pragu prej 2/3 përsëri nuk u kalua.

Edhe në këtë raund votuan 81 deputetë, ndërsa këtë herë Hashim Thaçi mori 63 vota për e 16 u shpallën të pavlefshme.

Në raundin final Thaçi mori 71 vota për e 10 ishin të pavlefshme.

Ndërsa Rafet Rama, i cili nuk e votoi as veten, nuk mori asnjë votë.

Hashim Thaçi është Presidenti i pestë qysh se Kosova fitoi lirinë në vitin 1999. Kurse i katërti prej se vendi shpalli Pavarësinë e Kosovës, me 17 shkurt në 2008, deklaratën e së cilës pavarësi, e kishte lexuar vet Hashim Thaçi, atëherë si kryeministër i shtetit më të ri në Europë.

Osmani, reagimet e Mustafës i quan sulme banale

OsmaniDeputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani iu ka kundërpërgjigjur ashpër kryeministrit Isa Mustafa.

Ajo ka shkruar në profilin e saj në facebook se për frikësim po flet njeriu që ka frikë mos po takohet me ndonjë nga votuesit e LDK-së, të cilët i tradhtoi dhe vazhdon t’i tradhtojë.

Mustafa e akuzoi Osmanin për mos pjesëmarrje në seancën e djeshme. Kurse, Ajo ka shkruar se për frikësim po flet njeriu që me një lëvizje të vetullave të Thaçit kërcente përpjete për t’iu vërsulur deputetëve të tij.

Ja postimi i plotë i Osmanit në facebook:

Të dashur miq,

E mendoja qe disa orë nëse ja vlenë të merrem me sulmet banale të KM Mustafa. Nëse asgjë tjetër, deri tani, karshi sulmeve e linqimeve të tij (dhe hienave të tij), nuk kam reaguar shpesh për shkak të bashkëpunimit që kemi pasur, besimit që (gabimisht) kam pasur në të, por edhe për shkak të moshës që ka. Por MJAFT është MJAFT.

Kush po na flet për frikësim? Njeriu që me një lëvizje të vetullave të Thaçit kërcente përpjete për t’ju vërsulur deputetëve të tij.

Kush po na flet për instruksione? Ai që ato i merr nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dhe për këtë madje mburret. Njeriu pà «r të cilin Thaçi na qenka shteti, dhe parandalimi i bërjes së Thaçit president, quditërisht na qenka rrënim i shtetit.

Për frikësim po na flet njeriu që nuk ndihet mirë të pijë kafe e të takohet me qytetarë nëpër Kosovë se mos po takohet me ndonjë nga votuesit e LDK-së, të cilët i tradhtoi dhe vazhdon t’i tradhtojë. Por nuk ndihet i lirë as tek ata që e mbajtën në Gjermani e gjetiu në diasporë, sepse ua mbylli derën veprimtarëve shumëvjeqarë të diasporës në LDK, të cilën e kishin mbajtur partinë tonë dhe Kosovën gjallë.

Le t’i pyet partnerët e tij të dashur të koalicionit se kë e kanë frikësuar ata, kë e kanë shantazhuar, e kë e kanë joshur me oferta. Mua nuk do më gjesh në asnjërën prej atyre listave. Kurrë përjetë, dhe ti, Isa Mustafa këtë e di shumë mirë.

Ka 1 vit që kam paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën ku zgjedhet Thaçi dhe se e vetmja mënyrë për të parandaluar këtë s kenar do të ishte pamundësimi i kuorumit. Dje kam mundur të jem kudo, por assesi në atë seancë të turpit. Poashtu, të gjithë ata që kanë qenë të interesuar t’a dijnë, e kanë kuptuar që unë kam udhëtuar për çështje shëndetësore e jo për qejf. Por Kryeministri ynë nuk ka respekt për askënd e asgjë, as për shëndet, as për familje, as për shtet, për ASGJË, e prandaj edhe flet për çadra. Unë nuk i bëjë planet e mia sipas instruktioneve të Mustafës, SHIK-ut, apo kujtdo tjetër. Për dallim, për Isa Mustafën, e tërë bota sillej rreth Hashim Thacit dhe zgjedhjes së tij President. Qe 1 vit vetëm për të ka lobuar. Por nëse është dikush që e di mirë, që unë nuk dorëzohem para asnjë presioni, ai është Isa Mustafa. Nuk marr leje as prej tij e as partnerëve të tij për asnjë qëndrim politik e për asnjë votim. I përgjigjem vetëm elektoratit e qytetarëve. Apo nuk i kujtohet që para syve të tij ngrita dorën kundër për zgjedhj en e Qeverisë PDK-LDK dhe zgjedhjen e Shefit të SHIK-ut në krye të Kuvendit?

Mustafa poashtu paska kërcënuar duke thënë mirë që jemi gjallë, ne deputetët që ja bojkotuam Thaçin? Por ai e di më së miri që jemi gjallë, sepse ju kemi kujtuar edhe kur i dolën vetëm 50 vota për Thaçin, edhe kur frikësohej mos po i dalin edhe dy deputetë nga salla për t’ja prishur kuorumin Thaçit. Por ka shumë veprimtarë të LDK-së që nuk janë gjallë, në emër të të cilëve, dhe duke sharë SHIK-un, Mustafa mori votat e LDK-së.

Gjuha e Mustafës, lëre që ka përqarë tërë skenën politike të Kosovës, por po e përqanë edhe LDK-në. Se ai nuk është në paqe me vetveten e as me elektoratin e LDK-së, më së miri e dëshmon fshirja e menjëhershme e komenteve në çdo postim të tij. Për dallim prej tij, unë jam në paqe edhe me vetveten, e edhe me ata që më besuan t’i përfaqësojë. Jam ballëhapur dhe gjumin e bëjë me ndërgjegje të pastë r. Mustafa zor se e di këtë ndjenjë. Zëri i elektoratit të LDK-së do t’a ndjekë pas dhe kurrë nuk do t’a lë rehat. (rtk)