“Monstra”, “Sopoti” dhe “Kumanova” arritën në duart e Janevës

KaticaProkurorja Speciale Katica Janeva konfirmon marrjen në shqyrtim të rasteve të “Kumanovës”, “Sopotit” dhe “Monstrës”, megjithatë ende nuk ka qëndrim të qartë nëse këto raste do t’i kalohen për hetim këtij trupi special. Katica Janeva kërkoi hapësirë për të analizuar gjërat dhe në momentin që do të ketë ndonjë vendim për këto raste, do të ketë edhe njoftim publik. I vetmi rast që shkaktoi protesta të shumta qytetare e për të cilin Janeva konfirmoi nisjen e hetimit është ai i Martin Neshkovskit, i riu i vrarë para disa vitesh në sheshin e qytetit.

“Po shqyrtojmë..Të gjitha lëndët janë në procesin e shqyrtimit. Kur të kemi diçka konkrete do t’ ju njoftojmë…Martin Neshkovski është në kompetencë tonën”, ka thënë Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Gjatë paraqitjes së Janevës para Këshillit të Prokurorëve lidhur me largimin e Lejla Kadriut dhe Marija Gjorgjievas nga ekipi saj, ajo tha se qëndron pas vendimit që është në pajtueshmëri me ligjin për Prokurorinë Speciale, ndërsa komisioni i formuar nga Këshilli i Prokurorëve nuk e ka të qartë se si duhet vepruar.

“Anëtarët e komisionit më pyetën se si e mora vendimin, ndërsa më tej ata do ta marrin vendimin duke u bazuar edhe në deklaratat e kolegeve edhe në deklaratën time…A ka gjasë që prokuroret të ngelin tek ju? Nuk e di, këtë do ta vendos Këshilli. Unë jam ajo që vendos se kush do të punojë në Prokurorinë Speciale, këtë ia thashë edhe Këshillit, nuk do të doja të komentoj më shumë” , tha më tej Janeva.

“Komisioni nuk është  kompetent për të vërtetuar apo prezantuar ndonjë përfundim, por vetëm të vërtetoj relevancën e deklaratave, vendimin e merr këshilli. Qëndrimi im është se urgjentisht ka nevojë për ndërhyrje në Ligjin për Prokurorinë Speciale pasi që edhe në të ardhmen do të kemi kësi lloj situatash jo logjike në aspektin juridik dhe kjo do të na e vështirësojë punën. Janeva në këtë rast përdor ligjin dhe thotë se mjaftojnë dhjetë prokuror pasi që këtë ia mundëson ligji, por nuk është paraparë se në cilat situata si duhet të veprohet”, ka deklaruar Sasho Vasilevski, prokuror në Këshillin e Prokurorëve.

Sa i përket pranim-dorëzimit të “bombave” për çka Këshilli i Prokurorëve Publik kërkoi llogari nga Janeva kohë më parë, ajo tha se përgjigjen do ta japë më 15 mars kur ajo do duhet të dorëzojë raport të detajuar gjashtë-mujor për punën e saj. Gjatë javës Prokuroria Speciale paralajmëroi një pres konferencë për mediat në të cilën siç tha Janeva, do të përgjigjet për të gjitha pyetjet me interes. Gjatë javës pritet edhe vendimi i Këshillit të Prokurorëve lidhur me shkarkimin e dy prokurorëve./Shenja/

Qeveria ka paguar 13 milionë euro për sitelin, kanal 5 dhe alfa

qeveriaNë tre vitet e fundit, qeveria ka transferuar 13 milionë euro në televizionet Sitel, Kanal 5 dhe Alfa. Në të njëjtën kohë, Telma dhe Alsat-M kanë marrë gjithsej 360 mijë euro, apo 35 herë më pak se televionet e afërta me pushtetin. Me këtë informacion sot doli Aleksandar Kiracovski, zëvendës ministri plotësues në Ministrinë e Shoqërisë Informatike. Më shumë para, sipas Kiracovskit ka marrë Sitel, 5 milion euro, pastaj Kanal 5 dhe Alfa nga 4 milion euro. Ndërsa Alsat-M ka marrë 200 mijë euro si kurse Telma 160 mijë euro.

“Tani është e qartë se pse këto televizione janë në prehrin e Gruevskit dhe pushtetit, Xingo dhe redaktorët e Sitelit me në krye kryeredaktorin Dragan Pavlloviq Llatas, Stojmenov dhe redaktorët e TV Kanal 5 udhëhequr nga Lidija Bogatinova, Jevrosimoviq dhe redaktorët e Alfës me në krye Kole Çashulen, pse këto televizione 10 vjet i gënjejnë qytetarët, në vend që ta publikojnë të vërtetën”, tha Aleksander Kiracovski, Zëv/ministër plotësues i Shoqërisë Informatike.

Sipas Informacioneve të Alsat-M, një pjesë e parave që kanë përfunduar në televizionet pro-qeveritare, pushteti ua ka transferuar pikërisht në kulmin e krizave të mëdha politike dhe të sigurisë në vend.

“Ja pse Nikolla Gruevski nuk dëshiron të negociojë për media objektive. Sepse nuk dot mund të porosisë kontribute, të fotografohet para portave triumfale, të gënjejë pa turp, dhe e njëjta të sillet tërë ditën në programet televizive. Kjo që njoftova sot është një nga arsyet pse pa sigurimin e kushteve për raportim objektiv në media nuk mund të ketë zgjedhje të rregullta dhe korrekte si dhe proces të rregullt parazgjedhor”, theksoi Aleksander Kiracovski, Zëv/ministër plotësues i Shoqërisë Informatike.

Kiracovski theksoi se tashmë është e qartë se pse mediat si Kurir, Republika dhe Radio Maqedonia e lirë dy muaj rresht nuk përgjigjen nga i kanë marrë miliona eurot në llogaritë e tyre, dhe për të njëjtën çështje heshtin edhe institucionet kompetente.
Para nga Qeveria
Sitel, Kanal 5 dhe Alfa 13 milionë euro
Telma dhe Alsat-M 360 mijë euro

Para nga Qeveria
Sitel- 5 milionë
Kanal 5 – 4 milion euro
Alfa- 4 milion euro
Alsat-M – 200 mijë euro
Telma – 160 mijë euro
Natasha Sojanovska

ZRRE-JA KONFIRMON KËRKESËN PËR RRITJE TË ÇMIMIT TË RRYMËS

oret matse te energjiseZyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), njofton publikun se aktualisht është duke zhvilluar procesin e dhjetë tarifor të energjisë elektrike.

Si pjesë e këtij procesi, operatorët: KEK (Gjenerimi), KOSTT (Transmisioni dhe Tregu), KEDS (Distribucioni) dhe KESCO (Furnizimi) kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale dhe këto aplikacione janë të publikuara në faqen elektronike të ZRRE-së www.ero-ks.org.

Ekspertët e Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve janë duke shqyrtuar këto aplikacione dhe së shpejti pritet të dilet me vlerësimin e këtyre aplikacioneve. Vlerësimi ekspertëve të ZRRE-së do t’i nënshtrohet diskutimeve publike ku do të përfshihen të gjitha palët e interesuara.

“Vlerësimi i ekspertëve dhe komentet nga palët e interesit do të shqyrtohen përfundimisht nga Bordi i ZRRE-së i cili do të marr vendimin përfundimtar për të Hyrat Maksimale të lejuara të Operatorëve si dhe tarifat për konsumatorët fundor”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Vendimi i Bordit për të Hyrat e Maksimale të lejuara dhe tarifave përfundimtare pritet të merret kah fundi i muajt mars. Tarifat e reja të energjisë elektrike hynë në fuqi nga 1 prilli 2016. (rtk)

Ndahet nga jeta akademiku Kristo Frashëri

akademik kristo-frasheriËshtë ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Akademia e Shkencave, profesori është shuar nga shkaqe natyrore mbremjen e së dielës.

Ceremonitë në nderim të tij do të mbahen ditën e mërkurë më 3 shkurt, nga ora 12 deri në ora 13, në Akademinë e Shkencave.

Kristo Frashëri, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ka qenë një ndër figurat më të njohura duke filluar veprimtarinë e tij shkencore që prej vitit 1938.

Ai ka një numër të madh botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elementë të tjerë përmes të cilëve ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët.

Është e vështirë të bësh sot një përmbledhje të të gjithë veprave të akademikut Frashëri, sepse hapësira e tyre është mjaft e gjerë, ashtu si periudhat historike të trajtuara prej tij.

Një nga shqetësimet më të mëdha të tij e që haset në të gjitha botimet është dëshira e fortë për të sjellë në vend të gjitha deformimet që i janë bërë historiografisë shqiptare ndër shekuj.

Mbeten të rralla veprat e tij për Skëndërbeun, Pernadorinë e Arbërit, Pavarësinë, Rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin Tiranën.

Kristo Frashëri mban titullin Nderi i Kombit, dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Shqipëria humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj.

/ Top Channel

Shpallet emergjenca për virusin Zika

Anthony Fauci

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendje emergjence për virusin Zika, të bartur prej mushkonjave dhe që shkakton defekte serioze në lindjen e foshnjave.

Ekspertët thonë se komuniteti shëndetësor po përgatitet për më të keqen, madje edhe për një epidemi. 25 vende kanë raportuar raste të virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se ka përhapja e virusit Zika në kontinentin amerikan është në gjendjen e një shpërthimi.

Megjithëse simptomat janë dytësore, si grip dhe skuqje të lëkurës, ekspertët mendojnë se ka gjasa që virusi shkakton mikrocefali, një difekt në lindje që sjell si pasojë foshnja me kokë të vogël dhe tru të pazhvilluar.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse, thotë se do të duhen vite përpara se të jetë gati një vaksinë për publikun. Ai thotë se deri atëherë, mënyra për ta luftuar sëmundjen është kontrolli i mushkonjave.

“Mund të eliminohen mushkonjat dhe larvat e tyre nëpërmjet insekticideve, ose nëpërmjet parandalimit duke pastruar ujin e ndenjur.”

Zoti Fauci thotë se publiku duhet shmangë mushkonjat, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe duke u lyer me solucion kundër mushkonjave.

OBT-ja do të vendosë nëse duhet të klasifikojë përhapjen e virusit si një emergjencë për shëndetin publik.

“Përfshirja e OBT-së do të përshpejtojë punën kërkimore për teste diagnostikuese më të mira, për ilaçe antivirale – në veçanti për gratë që janë shtatzëna, pasi shumica e njerëzve të tjerë e kalojnë vetë -, si dhe për zhvillimin e një vaksine.”

Dr. Beth Bell, e Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve – CDC, thotë se mund të rrezikohen edhe zona të tjera. Dy prej 25 vendeve që kanë raportuar raste të virusit Zika, gjenden jashtë territorit të Amerikave – Samoa dhe Kepi i Gjelbërt.

“Këto lloj virusesh mushkonjash kanë fatkeqësisht kapacitetin të përhapen me shumë shpejtësi. Ka disa faktorë të ditëve moderne që ndihmojnë përhapjen, si urbanizimi, qytetet e mëdha dhe udhëtimi ndërkombëtar.”

CDC-ja ka publikuar një paralajmërim për udhëtimin drejt vendeve të prekura, në veçanti për gratë shtatzëna, të cilat mund t’ja përcjellin virusit foshnjave të tyre. Disa vende kanë marrë masa shtesë, si p.sh. El Salvadori, ku zëvendësministri i shëndetësisë u ka bërë thirrje grave të shmangin barrën deri në vitin 2018. (voa)

Vladimir Putinët e Kosovës si kampion të korrupsionit që dhunon lirinë

thaci_veseli_haliti_haradinajPasuria e përfituar nga krimi dhe korrupsioni i organizuar

Pasurimi i të afërmeve të tyre dhe miqve është bërë në forma të ndryshme, mirëpo si formë “legjitime” është bërë në shumë raste me anë të tenderëve apo kontratave të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit.

Elita politike e Kosovës duke qenë herë në pushtet e herë në opozitë, por gjithnjë duke qenë afër krimit të organizuar dhe duke qenë shpeshherë edhe pjesë e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka arritur që të përvetësoj shumë para, thënë shkurt siç thotë populli është pasuruar “sa çil e mshil sytë”. Kjo pasuri e madhe e tyre, ka bërë që shumë mekanizma shtetëror të mos funksionojnë siç duhet, si bie fjala Gjyqësorin dhe Prokurorinë e Shtetit. Ky mosfunksionim i tyre ishte bërë jo për tjetër por për shkak të dhënies së ryshfetit dhe mitos në mënyrë që të mos ndiqen raste të caktuara të krimit, për shkak se ato kanë mundur të qojnë deri tek persona të caktuar të elitës politike.

Pasurimi i tyre (elitës politike) është bërë shpeshherë jo i drejtpërdrejtë. Ata kanë ditur në shumë raste të pasurojnë shumë miq të tyre, aleatë të ndryshëm e familjarë. Mirëpo, duke pasuruar këta të fundit, ata kanë ditur edhe të margjinalizojnë shumë individë apo të gjithë ata që nuk i kanë parë si miq. Pasurimi i të afërmeve të tyre dhe miqve është bërë në forma të ndryshme, mirëpo si formë “legjitime” është bërë në shumë raste me anë të tenderëve apo kontratave të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit, kështu duke shfrytëzuar pushtetin e tyre. Shpeshherë këto kontrata janë bërë edhe në mënyrë selektive, duke pamundësuar apo duke eliminuar shumë kompani apo individë të caktuar ndoshta edhe për arsye krejtësisht banale apo kinse procedurale.

Elita politike e vendit duke shfrytëzuar pozitat e tyre që nga fillim vitet e ’90-ta, por sidomos pas vitit ’99, me përfundimin e luftës në Kosovë, “kapën” pushtetin dhe pronat publike të vendit, por edhe shumë prona private të shqiptarëve, por edhe të serbëve, kështu për një kohë shumë të shkurtër grumbulluan milionat. Këta miliona u përdorën për të bërë milionat e tjerë, kështu edhe u infektua shoqëria e vendit me sindromën e quajtur korrupsion.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

SHBA: Iowa shënon provën e parë për kandidatët presidencial

iowa kandidatetPas shumë muaj tubimesh, fjalimesh e debatesh, fushata zgjedhore amerikane pritet të fillojë zyrtarisht të hënën kur banorët e Iowas, do të shfaqin preferencat e tyre per kandidatin presidencial në këtë shtet.

Para votës vendimtare, të parës në zgjedhjet kombëtare të vitit 2016, sondazhet në Iowa nxjerrin në pah një garë të ngushtë për nominimet e të dyja partive, republikanëve dhe demokratëve.

Në palën republikane, manjati i patundshmërive, Donald Trump, ka një përparësi të lehtë kundrejt senatorit nga Teksasi Ted Cruz, i cili duket se ka bërë disa gabime para votimeve në Iowa.

Për demokratët, gara duket shumë e ngushtë ndërmjet ish sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton dhe senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, një social demokrat i vetëshpallur.

Kandidatët e të dyja partive përshkuan kryq e tërthor shtetin Iowa të dielën duke forcuar sulmet ndaj rivalëve gjatë kësaj gare të parë për të përfituar nominimin e partive përkatëse. (voa)

Pafuqia e politikës së jashtme

Konferenca e Sigurisë në Mynih llogaritet ndër ngjarjet më të rëndësishme të sigurisë. Për shkak të luftërave në Siri dhe krizës së refugjatëve, politika e jashtme duhet të përballet me pyetje të pakëndshme.

Dikur thuhej se ky ishte një takim me pak rezultate, kur bisedohej për Bundeswehrin dhe NATO-n. Ndërsa sot, Konferenca e Sigurisë në Mynih, ka një jehonë të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për sigurinë globale. “Këtu vijnë pranë një tavoline partnerë nga të gjitha anët”, tha Kofi Annan në Berlin.

Këtu nuk është fjala vetëm për përfaqësuesit e Perëndimit dhe Iranit, por edhe Bavarisë dhe Berlinit, të cilët këtë vit kanë pasur mosmarrëveshje të mëdha për refugjatët. Tema e refugjatëve do të jetë një prej temave qendrore në konferencën që do të zhvillohet prej 12 – 14 shkurt. Më shumë se 30 presidentë dhe kryeministra si dhe 60 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes priten në hotelin “Bayerischer Hof” në Mynih.

Kohë të vështira për BE

Vala e refugjatëve e ka vënë para sfidave të mëdha jo vetëm koalicionin CDU, CSU dhe SPD por edhe BE. “Ne kemi një krizë të madhe me valën e refugjatëve”, thotë Wolfgang Ischinger, kryetari i Konferencës së Sigurisë, për Deutsche Wellen. Por Evropa do ta zgjidhë edhe këtë krizë. “Ata që parashikojnë rrënimin nuk kanë të drejtë.” Ischinger thotë se Gjermania me pranimin e mbi një milion refugjatëve nuk e ka dobësuar fuqinë e veprimit apo besueshmrinë në politikën e jashtme.

Situata në Siri dhe Afganistan

Në të ardhmen, sipas prognozave të botuara në prag të Konferencës, mund të forcohen lëvizjet e migrantëve. Për shembull në Afrikë në vitin 2050 do të ketë dyfish më shumë njerëz. Nëse infrastruktura në këto shtete nuk zhvillohet, atëherë mund të ketë valë të reja migrantësh, thotë Ischinger. Ndaj apelon për një politikë preventive të sigurisë.

Shumica e refugjatëve që kërkojnë mbrojtje në Gjermani janë sirianë dhe afganë. Ischinger thotë se nga kjo lindin disa pyetje të pakëndshme për politikën e jashtme. Në Afganistan është vepruar 15 vite me mjete ushtarake, politike, financiare dhe ky vend nuk është stabilizuar sa duhet. Në Siri nuk kemi vepruar me kohë dhe rezultatet janë edhe më të rënda.

Deri se nuk shihet fundi i luftës në Siri, një rol të veçantë do të ketë Turqia. Qeveria në Ankara ka futur regjimin e vizave për sirianët që vijnë nga Jordania apo Libani. Autoritetet e sigurisë thonë se kjo ka dhënë rezultate. Ndërkohë që Turqia u ofron mundësinë refugjatëve për futje në tregun e punës. Megjithatë çdo ditë nga Turqia në Greqi vijnë ilegalisht rreth 2000 refugjatë. Gjermanët shpresojnë një zgjidhje evropiane, por brenda “dy – tre muajve do të shihet nëse do të ketë një zgjidhje të tillë”.

A ka shanse për Sirinë?

Konferenca e Sigurisë ndoshta do të jap një kontribut për zgjidhjen e problemit, shpreson ministri Altmaier. Në prag të fillimit të Konferencës në Mynih, do të ketë edhe një takim për konfliktin e Sirisë ku do të jenë edhe përfaqësuesit e SHBA. Për shefin e Konferencës së Sigurisë Ischinger janë të përfytyrueshme edhe përparimet: Bisedimet në Mynih janë të njohura për afrimin e palëve më qëndrimet më të ngurta. Kjo është pëparësia e mbledhjes së politikanëve dhe diplomatëve të nivelit më të lartë në bisedimet joformale. (dw)

Problemi italian prej 200 miliardë eurosh

Italia ka një problem të madh me bankat. Me BE Italia tani ra dakord për ngritjen e Bad Banks për kreditë e këqia. A mund t’i zgjidhin ato vërtet problemet?

italiaItalia nuk është më problemi i Evropës, ajo i ka bërë detyrat e shtëpisë, tha Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi të premten (28.01.), pas një takimi me Kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin. Por me siguri që me këtë ai nuk ka pasur parasysh tatëpjetën gjigande në të cilën ndodhen bankat italiane. Deri 40 përqind vlerë kanë humbur aksionet e bankave italiane që prej fillimit të vitit. Rreth 17 përqind e të gjitha kredive, sipas llogarive të Zyrës Mbikqyrëse të Bankave, EPA janë të këqia, kërcënojnë humbje në shumën 200 miliardë dollarë, ky është niveli më i lartë në 20 vitet e fundit.

Problemi prek jo vetëm sektorin bankar, por paralizon të gjithë ekonominë italiane, thotë Jörg Kramer, kryekonomist i Commerzbank. Edhe politika më e lirshme e parave e Bankës Qendrore Evropiane, në një situatë të tillë kalon pa efekt. “Kur bankat vetë kanë shumë kredi të pambuluara, atëherë ato as nuk u japin para sipërmarrjeve”, i thotë Krämer DW.

Shumë Bad Banks

Për ta vënë nën kontroll problemin, Italia ra dakord pas negociatave të gjata me Komisionin Evropian që të ngrejë një Bad Bank. Më saktë: shumë Bad Banks – për çdo institut financiar me probleme të ngrihet një bankë të tillë. Në këto shoqëri ad hoc bankat mund të përcjellin kreditë e tyre të rrezikuara dhe t’i garantojnë ato nga shteti.

Pasi ky plan u bë i ditur të mërkurën, aksionet e bankave të Italisë humbën edhe më tej vlerë. Ky është një sinjal, se kjo zgjidhje nuk është biletë për të udhëtuar falas në kurriz të takspaguesve. Por mënyra si po veprohet, është përkundrazi “e bazuar fort në ekonominë e tregut”, thotë Thomas Hartmann-Wendels, Drejtor i Institutit të Ekonomisë Bankare në Universitetin e Këlnit. “Kreditë nuk merren përsipër për t’u garantuar me çmimet fillestare, por me çmimet e tregut. Kjo është shumë më pak dhe bën që bankat t’i kuptojnë vetëm tani humbjet.”

Jo dhuratë për bankat

Kësaj i shtohet edhe që bankat duhet t’i paguajnë shtetit një prim për riskun. “Pra nuk kemi të bëjmë me dhuratë bankave”, thotë Hartmann-Wendels, “por bankat duhet të paguajnë për gabimet e tyre të së shkuarës. Ato dalin tani në pah dhe prandaj janë të frikësuara tregjet”.

Bllokim i reformave

Por edhe nëse Bad Banks krijohen sipas planit në fund, problemet e Italisë nuk zgjidhen me to. “Me Bad Banks vërtet që heq qafe barrat e vjetra,” thotë Hartmann-Wendels, “por vetëm kjo nuk garanton një të ardhme më të mirë”. “Në Itali ka stanjacion në reformat ekonomike dhe politike, shpenzime shumë të larta për pagat, një produktivitet në stanjacion dhe një administratë publike shumë joefikase”.

Vetëm me anë të reformave do të përmirësohet gjendja e sipërmarrjeve italiane, beson Krämer dhe do të pakësohet numri i kredive të këqia. Kryeministri Renzi e sheh veten si reformator të bindur. Por në Berlin ai kërkoi në drejtim të Komisionit Evropian më shumë zhdërvjelltësi ndaj deficitit buxhetor, sepse ai dëshiron të shpenzojë më shumë para se ç’qe planifikuar. (dw)

Bisedimet për Sirinë: parimi shpresë

bisedimet siriSido që të jetë: përfaqësues të Assadit dhe të opozitës kanë shkuar për bisedime në Gjenevë. Por në një tryezë të dyja palët nuk do të ulen. Sa shanse për sukses do të kenë bisedimet me ndërmjetësimin e OKB-së?

 

Deutsche Welle: Përfaqësues të opozitës siriane do të shkojnë sot në Gjenevë. Çfarë synohet të arrihet në Gjenevë?

Günter Meyer: Rezoluta e miratuar njëzëri në dhjetor nga KS të OKB-së parashikon një plan kohor 18-mujor për qetësimin e krizës në Siri. Në gjashtë muajt e parë do të krijohet, pas pushimit të menjëhershëm të sulmeve ndaj objekteve civile një qeveri tranzitore e besueshme, që t’i përfshijë të gjitha palët dhe e cila nuk do të jetë e ndërtuar në bazë të parimeve fetare. Në fund të procesit politik do të zhvillohen zgjedhje të lira, nën mbikqyrjen e OKB-së.

A është realiste kjo?

Për qeveritë e huaja, të cilat e mbështesin regjimin e Assadit ose e luftojnë atë, ndërkohë është bërë e qartë se nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake të konfliktit. Njëkohësisht kriza e refugjatëve ka arritur një dimension të tillë, sa presioni ndaj të gjitha palëve, që t’i japin fund luftës është më i madh se kurrë më parë. Megjithatë është tepër e dyshimtë, nëse aktorët brenda Sirisë, ashtu edhe fuqitë e huaja që i mbështesin ata jashtë, do të jenë të gatshme që t’i lënë mënjanë interesat e tyre në dobi të një zgjidhje paqësore.

A ka në këtë luftë ende palë, të cilat besojnë se nuk duhet të zhvillojnë negociata, sepse kanë përparësi ushtarake?

Regjimi i Assadit besohet se ka pak interes për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve. Kjo pasi ushtria siriane, me mbështetjen e trupave tokësore të Hizbollave dhe të Iranit, dhe para së gjithash në sajë të sulmeve ajrore ruse ka arritur javët e fundit përparime të konsiderueshme në vënien e territorit nën kontroll kundër grupeve të ndryshme kryengritëse.

Me siguri pak interes për pushimin e luftimeve kanë edhe grupet terroriste “Shteti Islamik” dhe fronti Nusra?

Organizata terroriste e Shtetit Islamik si dhe Fronti Nusra, pjesë e Al Kaidas janë gjithsesi të përjashtuar nga negociatat. Por edhe grupe të tjera si “Ahrar asch-Scham”, që bën pjesë në “Ushtrinë e pushtimit” të mbështetur nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia do të kenë pak interes t’i ulin armët.

A nuk duket atëherë me pak gjasa suksesi i bisedimeve të paqes?

Pengesat në rrugën e një zgjidhjeje paqësore, tani në fillim të negociatave duken si të pakapërcyeshme. Megjithatë ekziston të paktën një shans i vogël, që palët nacionale dhe rajonale, nën ndikimin e SHBA në njërën anë dhe të Rusisë nën anën tjetër, të detyrohen të ndryshojnë qendrim. Por e sigurtë kjo nuk është në asnjë mënyrë.

Profesor Günter Meyer jep mësim në Universitetin e Mainzit. Atje ai drejton Qendrën e Studimeve për Botën Arabe. (dw)