Tema e terrorizmit rikthehet në qendër të politikës amerikane

washingtonSulmet vdekjeprurëse të javës së fundit në Bruksel e përqëndruan sërish vëmendjen e Amerikës tek terrorizmi, si dhe e rritën rëndësinë e tematikës së sigurisë kombëtare gjatë debateve për zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë që belgët vazhdojnë të mbajnë zi, protestat dhe shqetësimet për sigurinë shkaktuan anullimin e një marshimi për paqen që do të mbahej në Bruksel.

Përtej Atlantikut, sulmi ka ngjallur retorika të nxehta përgjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Republikani Ted Cruz u zotua të shkatërrojë Shtetin Islamik.

“Do t’i shkatërrojmë nëpërmjet bombardimeve ajrore masive deri sa t’i shfarosim.”

Gjatë një interviste telefonike, kandidati republikan kryesues, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara gjenden në rrezik.

“Terrorizmi ka dalë jashtë kontrollit. Nëse nuk tregohemi shumë të fortë dhe tepër të zgjuar, atëherë do të përballemi me një problem shumë të madh.”

President Obama ka thënë se vetëm ushtria nuk mundet të çrrënjosë terrorizmin dhe se Amerika duhet të udhëheqë nëpërmjet shembullit të saj.

“Duke qenë të hapur për refugjatët që i largohen dhunës së ISIS-it; duke qenë të vendosur për të fituar betejën kundër propagandës së dhunshme me një pamje të shpërfytyruar të Islamit që synon të radikalizojë të rinjtë myslimanë. Në këtë përpjekje, partnerët tanë më të rëndësishëm janë amerikanët myslimanë.”

Ky mesazh u mbështet edhe nga kandidatja kryesuese demokrate.

“Nuk mund t’i dorëzohemi panikut dhe frikës. Nuk është në përputhje me vlerat tona, nuk na mbron me efikasitet dhe realisht luan lojën e terroristëve.”

Republikanët , mes tyre senatori Ted Cruz, e akuzojnë Obamën për dobësi.

“Jam kundër përfshirjes së SHBA-së në një luftë pa fund në Lindjen e Mesme.”

Pas sulmeve të vitit të kaluar në Paris, anketimet treguan një rritje të shqetësimit të amerikanëve për sigurinë gjatë një cikli elektoral gjatë të cilit normalisht do të kishin dominuese tematikat ekonomike. (voa)

Eksperienca izraelite përballë terrorizmit

ushtari izraelitNdërkohë që Evropa është pushtuar nga paniku dhe tronditja që lanë pas sulmet e Brukselit, ekspertët e sigurisë po diskutojnë masat që duhen zbatuar në të ardhmen për të parandaluar sulme të tjera të kësaj natyre. Izraeli ka një përvojë të qartë në zbatimin e masave të sigurisë për të identifikuar dhe parandaluar personat me synimeve terroriste.

Në Izrael, banorët i pranojnë masat e përditshme të kontrollit si një fakt i jetës, për t’u prerë rrugën elementëve keqbërës.

“Mbaj mend që gjatë gjithë jetës kam kaluar nëpër pika kontrolli, si gjithë të tjerët. Kjo metodë funksionon,” thotë një banor.

Kontrollet janë praktikë e rregullt në çdo aktivitet të jetës që nga transporti publik e deri tek veprime të rëndomta si hyrja në qendra tregtare. Izraelitët e kanë përqafuar këtë mënyrë jetese, me gjithë kokëçarjet shtesë që sjell, për hir të sigurisë së jetës.

“Shihet qartë që siguria është më e fortë këtu se në vende të tjera, por është diçka e domosdoshme. Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi ka shumë njerëz që duan të na bëjnë keq,” thotë një shtetas izraelit.

Jeta në gjendje të vazhdueshme gatishmërie, qoftë edhe në rastet kur bëhet praktikë e përdishme, ka koston e vet psikologjike, monetare, por edhe kohore. Meir Elran, drejtor i Programit për Sigurinë Kombëtare, thotë se shpreson që Evropa do të gjejë mënyra të tjera për t’iu përgjigjur rrezikut nga terrorizmi, në forma të ndryshme nga ato që ka zgjedhur Izraeli:

“Shkojmë shpesh në Evropë dhe kur i shohim si jetojnë evropianët, na ngjallet zili. Ajo ndjenja e lirisë që ka invidi, që mund të bëjë ç’të dojë. E dimë që kur kthehemi në vend, do të na kontrollojnë, do të kalojmë barriera sigurie. Nganjëherë do të kalosh disa kontrolle për të shkuar nga një market në një bankomat e më pas për të marrë fëmijët në shkollë. Kjo na është bërë praktikë e përditshme. Uroj që evropianët të mos e gjejnë veten në këtë situatë, uroj që të gjejnë masa të tjera në përgjigje të kërcënimit terrorist. Por duhet të them se nëse evropianët do të vendosin të zbatojnë masa të tillë, nuk është shumë keq. Edhe me këto masa ne vazhdojmë të mbajmë liritë tona, të kemi mundësinë e lëvizjes”.

Ndërkohë që zyrtarët evropianë diskutojnë masat e sigurisë për të ardhmen, një balancë delikate është në pikëpyetje mes të drejtës për jetën dhe të drejtës për privaci dhe liri. (voa)

Motorë me djegie të brendshme të përmirësuar

motor me djegje te brendshmeEdhe pse makinat me motorë me djegie po shkojnë drejt daljes nga përdorimi, ekspertët janë të të njëjtit mendim, se do të duhet të kalojnë disa dekada, para se makinat elektrike të dominojnë tregun.

Ndërkohë, motorët ekzistues me benzinë, apo me naftë, mund të bëhen më efiçentë dhe mund ta ndotin më pak mjedisin.

Me një grant prej 9 milionë dollarësh nga Departamenti amerikan i  Energjisë, një kompani amerikane është duke shfrytëzuar një koncept të vjetër teknologjik për të ndërtuar një motor, i cili të jetë 50 për qind më efiçent në përdorimin e karburantit dhe po aq i fuqishëm, sa edhe motorët konvencinalë.

Një motor i vogël që duket sikur ka vetëm tre pistona… në fakt ai ka gjashtë pistona, që ndajnë mes tyre tre cilindra.

Me ndihmën e teknologjisë moderne, kompania me bazë në Kaliforni “Achates Power”, e ka rinovuar konceptin e motorit me një numër të njëjtë pistonash dhe cilindrash, shumica e të cilëve nuk përdoren më që pas Luftës së Dytë Botërore.

“Me këta lloj motorësh mund të arrish efiçencën e një motori shumë më të madh në një mbulojë shumë më të vogël”, – thotë zyrtari i kompanisë Achates Power, Fabien Redon.

Një motor me djegie të brendshme është një motor me dy goditje dhe me rrjedhje të veçantë karburanti. Motori nuk ka koka cilindri dhe as valvola, të cilat janë burim i konsiderueshëm i humbjeve të energjisë në motorat konvencionalë me djegie të brendshme.

Dy cilindrat lëvizin në drejtim të kundërt, duke shtypur një përzjerje të caktuar të ajrit me karburantin, i cili ndizet vetë nga presioni i madh, gjë që i shtyn pistonat mbrapsht, duke prodhuar kështu fuqi.

Gazet e shkarkuara dalin përmes dritareve të ajrimit që ndodhen në muret e cilindrit.

Të zhveshura nga shumë pjesë konvencionale të motorit, ai me djegie të brendshme nuk është i kushtueshëm dhe është e thjeshtë të prodhohet.

“Ne sigurohemi që të  arrijmë një efiçencë shumë të mirë në djegie, në mënyrë që hidrokarboni i padjegur dhe çlirimi i gazeve të pakësohet ndjeshëm,” thotë Redon.

Motorët me djegje të brendshme me përmasa të mëdha janë përdorur prej një kohe të gjatë në ushtri dhe në aplikacione të tjera. Por zhvillimi i tyre për makinat e konsumatorëve nuk është diçka e lehtë.

“Kjo strategji djegjeje ka disa vështirësi dhe dobësi në ngarkesa të vogla, sepse duhet të ketë një temperaturë të caktuar brenda dhomës së djegjes, për të siguruar ndezjen e benzinës,” thotë Redon.

Kompania “Achates Power”, së bashku me Laboratorin “Argonne” dhe me kompaninë “Delphi Automotive”, thonë se janë të sigurta se do t’i kapërcejnë pengesat dhe se deri në vitin 2018 do të kenë motorë tre-litërsh me tre cilindra, 50 për qind më efiçentë se ata ekzistuesit, që do të jenë të përshtatshëm për makinat e pasagjerëve dhe kamionët. (voa)

Sanders përmirëson shanset

sanders hillarySenatori i shtetit Vermont Bernie Sanders fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet paraprake presidenciale brenda Partisë Demokrate në shtetet perëndimore Uashington, Alaska dhe Hawaii, në përpjekjet e tij për t’iu afruar rivales Hillary Clinton.

Sanders fitoi 82 përqind të votave në Alaskë dhe më shumë se 70 për qind në Uashington dhe Hawaii. Rregullat e Partisë demokrate i ndajnë delegatët në baza proporcionale, prandaj edhe me humbjet e mbrëmshme  kandidatja Clinton përsëri merr një pjesë të tyre.

“Ne e dinim se gjërat janë duke u përmirësuar për fushatën tonë në shtetet perëndimore,” tha dje senatori Sanders. Zonja Clinton ka dominuar në shtetet jugore gjatë garave të para brenda demokratëve, ndërsa kandidati Sanders ka fituar pesë nga gjashtë shtete në garat e kohëve të fundit, të gjitha në pjesën perëndimore të vendit.

Edhe me fitoret e së shtunës, zoti Sanders përsëri renditet prapa ish-sekretares së shtetit, e cila ka rreth 300 delegatë më shumë. Ai përballet me një rrugë të vështirë në përpjekjet për të marrë emërimin.

Megjithatë, senatori refuzon të tërhiqet dhe mbetet një kundërshtar i fortë për zonjën Clinton në disa shtete që ende nuk i kanë zhvilluar zgjedhjet paraprake. (voa)

Turqi -Greqi-Itali – itinerari i ri i refugjatëve drejt Europës

Pas mbylljes së itinerarit ballkanik, kontrabandistët gjejnë rrugë të reja për të sjellë refugjatët në Europë. Sipas gazetës gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pritet të aktivizohet itinerari përmes Italisë.

varka me refugjatMediat gjermane njoftojnë se kontrabandistët po përgatisin rrugë të reja për sjelljen e refugjatëve në Europë. Sipas hulumtimeve të gazetës gjermane të së dielës, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” është në përgatitje e sipër një itinerar i ri në Mesdhe, ai përmes Italisë. Gazeta gjermane njofton se biznesi i kontrabandistëve në këtë itinerar pritet të fillojë në javën e parë të prillit dhe madje në mënyrë masive. Si pikënisje për eksodin e ri me varka të vogla peshkatarësh dhe anije të vogla do të jenë qytetet bregdetare, Antalya dhe Mersin në Turqi, pranë kufirit sirian, por edhe kryeqyteti grek, Athinë.

Refugjatët janë këshilluar të qëndrojnë të fshehur derisa anijet të arrijnë në ujërat ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e agjencisë gjermane dpa, bazuar në hulumtimet e FAZ me kontrabandistë, numrat e celularëve të të cilëve janë të publikuara edhe në Facebook. Një udhëtim kushton për person 3000 deri në 5000 euro. Kontrabandistët duan të ofrojnë dy udhëtime në javë, njëri është shprehur se planifikon të ngjesë 200 persona në një anije. Udhëtimi me itinerarin e ri është shumë më i shtrenjtë, se ai nga Turqia në ishujt grekë. Por sipas marrëveshjes së BE-së me Turqinë kush mbërrin në ishujt grekë do të kthehet në Turqi. Sipas FAZ janë shtuar prej disa javësh kërkesat për itinerare të rinj drejt Europës. (dw)

E VËRTETA MBI DISA ZHVILLIME POLITIKE 1991 – 97, TRILLIMET E RUFI OSMANIT DHE MESAZHET QË NA JAPIN KËTO ZHVILLIME.

Para ca kohësh, pata rastin të dëgjoj pjesë të intervistës së Rufi Osmanit dhënë më 25.12.2015, në programin “Një mbrëmje me Agim Poshkën”, në televizinin TV21.

Me këtë rast ai deklaroi një sërë të pavërtetash dhe shtrembërimesh lidhur me disa nga ngjarjet politike të viteve 91 – 97, si krijimi i fraksionit brenda PPD-së, afera e armëve, ngjarjet e Gostivarit e të tjera.  Rufi Osmani nuk është i pari që keqinformon opinionin për këto ngjarje, por është për t’u habitur transformimi që janë në gjendje të bëjnë njerëz të tille, që më së paku tregon për një higjienë morale të tyre që len për të dëshiruar! Është pikërisht ai, i cili sulmonte me fjalorin më vulgar në atë kohë kundërshtarët e tij politik – eksponentë të PPD-së,  e sot quan PPD-në “lëvizje popullore shqiptare”. Ai që ishte një ndër anëtarët më të zellshëm të fraksionit, shkëputjen e degës së Tetovës nga PPD dhe formimin e PPDSH e quan “përçarje të PPD-së si produkt i një marrëveshjeje të ish presidenteve S. Berisha K. Gligorov, si një pazar i tyre për të mbuluar aferën e armëve!?”. Aktivitetin e tij politik të asaj kohe e përshkruan si “ishim peng të një situate politike që prodhoi përçarjen e subjektit të parë politik” si dhe “i bindur (nënkupto mashtruar) nga dy funksionarë të lartë të R. Shqipërisë se do jemi fryma atdhetare përkundër një fryme tradhtare në thonjëza në krye me N. Halitin dhe Mitat Eminin”.
Në fakt, cila ishte e vërteta e “përçarjes” së PPD-së dhe krijimit të fraksionit brenda PPD? Për ata që nuk e dinë, ose kanë qenë shumë të rinj në atë kohë, pas vitit 1990, si në të gjitha shtetet e Evropës lindore dhe në ish shtetet e Jugosllavisë, ashtu edhe në Maqedoni filloi të zbatohet sistemi shumëpartiak. E me këtë u krijua dhe subjekti i parë politik shqiptar i mirëpritur me shumë entuziazëm nga popullata shqiptare në Maqedoni, e lodhur nga decenie torturash psikike, përndjekjesh dhe vuajtjesh. Por maqedonasit, të mësuar për decenie me radhë me sistemin monist, i cili ju siguronte pozicionin e të privilegjuarit dhe njëkohësisht ju shërbente si instrument shumë efikas për nënshtrimin e shqiptareve, natyrisht nuk ndenjen duarkryq por u kujdesën që të kenë nën kontroll hapësirën për organizim politik që u jepej shqiptarëve me këtë sistem shoqëror të ri. Shërbimet e sigurimit të shtetit maqedonas lejuan themelimin e PPD, por u kujdesën që këtu të vijnë individë të përshtatshëm për ta, në mënyrë që të mund ta mbajnë nën kontroll këtë mundësi të re të organizimit politik të shqiptarëve. Bile në fillim nuk u kujdesen aq shumë për aparencën, dhe për sekretar të parë imponuan një maqedonas të Shërbimit të Sigurimit, të cilin shqiptarët të mësuar të ulin kokën, e pranuan pa ndonjë kundërshtim, bile duke e interpretuar si strategji të mençur në kushtet e dhëna.
Në vazhdim, u kujdesën që për kryetar të partisë të imponojnë një mediokër naiv, i padenjë për atë pozicion me kaq përgjegjësi, i cili pas emërimit, duke mos ditur peshën e pozicionit, pa ide, pa vizion, pa kompetenca, mbushte fjalëkryqe gjatë gjithë ditës në zyrën e tij. Natyrisht, ata që u kujdesën të emërojnë një njeri të tillë për kryetar, u përkujdesën që të imponojnë edhe një sekretar të shkathët, perfid, fuqiplotë, që do të mbante nën kontroll këtë kryetar por edhe gjithë partinë, dhe do të kujdesej që vija e partisë të jetë e koordinuar me politikën dhe agjendat e pushtetit në duart e maqedonasve. Kjo erdhi në shprehje posaçërisht më vonë, gjatë zgjedhjes së deputetëve dhe posaçërisht të ministrave nga radhët e PPD si partnerë koalicioni në qeveri nga pala shqiptare. Kandidatët e përshtatshëm duhej të ishin të sprovuar për lojalitet ndaj shtetit në aparatin e administratës së mëparshme të monizmit, ose së paku të mos kishin qenë kurrë më parë në konfrontim me pushtetin. Dhe gjeni kush ishte personi në PPD që koordinonte kriteret e vendosura nga qeveria dhe përzgjedhjet në parti? Natyrisht, ky ishte Mitat Emini, të cilin Rufi Osmani sot e paraqet si viktimë të “funksionarëve të lartë të R. Shqipërisë” dhe ekstremistëve shqiptar!
Si erdhi deri tek fraksioni brenda partisë, dhe më vonë deri tek formimi i PPDSH-së? Ndoshta Rufiu gjatë kësaj kohe ishte “peng i situatave politike” dhe “i bindur (lexo manipuluar) se do ishte një frymë atdhetare”, por në radhët e PPD-së kishte edhe njerëz që nuk ishin “peng të askujt dhe asnjë situatë politike” dhe nuk ishin “të mashtruar”, por ishin njerëz të ndershëm, atdhetarë, të rinj me guxim, vullnet dhe gatishmëri për të ndryshuar realisht gjërat dhe për të kontribuar për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni. Nga këta njerëz u krijua fraksioni, që në të vërtetë ishte e gjithë dega e PPD e Tetovës dhe kuvendi qendror i degës, e më pastaj dhe PPDSH. Sigurisht që në mes të këtij grupimi kishte edhe njerëz karrieristë, profiterë, të infiltruar nga Sigurimi shtetëror që tanimë nuk është e vështirë për ti identifikuar, të cilët kontribuan që edhe kjo parti shumë shpejtë të vihej nën kontrollin e Sigurimit Shtetëror. Por kjo në asnjë mënyrë nuk ja ul vlerat e kësaj iniciative të atëhershme të njerëzve të ndershëm, atdhetarë dhe me vetëdije qytetare.
Cila është e vërteta mbi të ashtuquajturën “Afera e armëve”? Në ndërkohë Sigurimi Shtetëror duke pare që i gjithë Ballkani po ziente, dhe duke nuhatur një pakënaqësi ndër shqiptarët që mund të eskalonte në rezistencë të armatosur, vendosi ti paraprijë këtyre ngjarjeve për t’i dekurajuar ata në çdo iniciativë të tillë. Me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve shqiptarë, mashtruan qindra të rinj, duke i “organizuar” në “formacione ushtarake” fiktive, me ç’rast siguruan lista të tëra me emra shqiptarësh atdhetar të gatshëm të kapnin pushkën, bashkë me numrat serik të armëve që ju shpërndanë ata vetë me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre. Dhe gjeni kush ishte “komandant” i kësaj “ushtrie”? Kush tjetër përpos M. Eminit. Ambiciet e Sigurimit Shtetëror të Maqedonisë nuk ndaluan këtu, por deshën ta fusin në lojë edhe shtetin shqiptar për t’i paraqitur revoltat e pritura të shqiptarëve si të importuara nga shteti Shqiptar, njëkohësisht për ta paraqitur atë para opinionit ndërkombëtar si destabilizues të Ballkanit, por edhe duke u privuar shqiptarëve të Maqedonisë ndihmën që do tu vinte nga shteti shqiptar në atë kohë dhe në një të ardhme. Këtu u detyrua shteti shqiptar të ndërhyjë duke dërguar disa funksionarë politike të asaj kohe në Tetovë për të ofruar ndihmë fraksionit tanimë të krijuar në luftën e tyre për të demaskuar “Aferën e armëve” si lojë të rrezikshme të disa individëve në udhëheqjen e ngushtë të PPD-së. Për të demaskuar këtë lojë, emrat e disa individëve të përfshirë në këtë lojë u publikuan në një reagim zyrtar në Radiotelevizionin Shqiptar. Rufi Osmani këtë ndërhyrje e quan “përçarje të subjektit të parë politik PPD si produkt i një marrëveshjeje të ish presidentëve S. Berisha dhe K. Gligorovit, si një pazar të tyre për të mbuluar aferën e armëve”. Por Rufiu nuk sqaron se pse do duhej shteti shqiptar në atë kohë të përkrahte do djem të rinj, pa pushtet, pa ndikim, pa para, për të kontrolluar popullatën shqiptare në Maqedoni, kur një gjë të tillë mund ta bënte fare mirë me ndihmën e ministrave dhe deputetëve të PPD, të instaluar në pushtet dhe të besuar të Kiro Gligorovit?!
Pas kësaj, kur Shërbimi i Sigurimit Shtetëror pa që loja u dekonspirua, pasuan arrestimet, ku forcat policore të përcjellur nga disa “komandantë” të “ushtrisë” shkonin derë më derë duke kërkuar nga shqiptarët që kishin pranuar “mobilizimin” të dorëzonin armët sipas numrave serik që ata i kishin të evidentuar në listat e tyre! Kur ndonjëri nga shqiptarët e shkretë, i befasuar dhe mosbesues me këtë “precizitet të dhënash” mundohej të taktizonte, dilte nga makina e policisë “komandanti” përgjegjës për atë zonë dhe thoshte “jepe armën se na kanë kallxu!”. Kjo rezultoi me arrestime të shqiptarëve atdhetarë, të pastër dhe të sinqertë por edhe me farsa arrestimesh të “komandantëve” për të mbuluar gjurmët e involvimit të Sigurimit Shtetëror në këtë aferë.
Çfarë dëmi politik solli “përçarja” e PPD-së për vetë PPD-në dhe për shqiptarët e Maqedonisë? Për vetë PPD-në, asnjë dëm! Ministrat dhe deputetët u ndanë nga Kuvendi Qendror me anëtarë të pakënaqur me punën e tyre, dhe shkuan drejt e tek Kuvendi Qendror “legjitim”, i parapërgatitur që më herët, pa çarë kokën për ca djem të rinj, pa pushtet, pa para, pa ndikim në atë kohe. Dhe PPD vazhdoi ta bënte atë që bënte edhe para “përçarjes” – t’u shërbente agjendave të pushtetit edhe me tutje, dhe të bënte punën e dekorit në parlament dhe qeveri. Çfarë dëmi solli “përçarja” për popullatën shqiptare në Maqedoni? Shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhej atëherë, e nuk u duhet as tani, unitet në legjitimimin e agjendave antishqiptare të pushtetit maqedonas, e as unitet në nënshtrim ndaj këtyre politikave. Përkundrazi shqiptarëve u duhej “përçarja” me ata që për interesa personale shisnin interesat dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shqiptarëve u duhej një zë që do të demaskonte këtë dhe do të artikulonte vullnetin dhe kërkesat reale të popullit, e jo të klaneve në shërbim të pushtetit.
A thua Rufiu nuk i di këto gjera, apo duhej përshtatur me versionin e pushtetit maqedonas për të ngjitur shkallët e karrierës politike?
Cila është e vërteta rreth ngjarjeve të Gostivarit të 9 korrikut 1997, dhe cili ishte roli i Rufi Osmanit? Duke ditur shpirtin atdhetar dhe guximin e popullatës shqiptarë të Gostivarit me rrethinë, të treguar edhe më parë në historinë e shqiptarëve të këtyre trevave, është e lehtë për ta kuptuar motivin e tyre për të protestuar më datë 9 korrik 1997. Edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun, protesta ishte një rebelim kundër pushtetit, nxitur nga një pakënaqësi e thelle dhe zemërim të akumuluar ndaj keqtrajtimit të egër dhe të vazhdueshëm nga ana e pushtetit, por edhe për statusin dhe perspektivën tyre në këtë shtet. Por cili ishte motivi i Rufi Osmanit? Natyrisht, si gjithmonë egoist dhe karrierist. Në garën e bajraktarizmit me M. Thaçin për të qenë më “Skenderbe” se ai, nxitoi që të ishte ai i pari që do ngrinte flamurin duke inicuar dhe trimëruar këshillin komunal në vendimin për përdorimin e flamurit shqiptar krahas atij maqedonas. Jo më kotë, ambasadori i Amerikës në atë kohë e quajti “local sherif”. Por Rufiu, sipas vetë deklaratave të tij, fill pas kësaj filloi pazaret me pushtetin e atëhershëm, duke tentuar që të zbuste reagimin e tyre të pritur. Ashtu siç bënin gjithmonë pushtetet antishqiptare në Maqedoni, Cërvenkovski e mashtroi Rufiun kinse do të gjenin një zgjidhje, por në ndërkohë planifikoi një “leksion” për shqiptarët “e pabindur” të Gostivarit, me miratimin në heshtje të PPD-së “së përçarë”. Me një aksion në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta policore arrestuan Rufi Osmanin bashkë me kryetarin e Këshillit Komunal, dhe në vazhdim, me një egërsi të paparë masakruan popullatën që doli për të protestuar. Po atë ditë, vranë tre shqiptarë dhe ushtruan dhunë çnjerëzore në mbi njëmijë qytetarët shqiptarë të Gostivarit, mu në qendër të Gostivarit, gjatë gjithë natës pas protestave.
Derisa ndodhej në paraburgim, para gjykimit, Crvenkovski e mashtroi për herë të dytë Rufiun, dhe këtu doli në dritë personaliteti i vërtetë i tij. Joshur nga premtimi se nuk do të dënohej me burg, harroi të vrarët dhe mbi një mijë të torturuar në mënyrën më ç’njerëzore gjatë protestave, dhe këtë pushtet, që thjesht ekzekutoi pa gjyq, mu në mes të qytetit, ne pikë të ditës, të rinj të pa-armatosur që protestonin pa dhunë, e quajti shembull tipik të shtetit juridik! Por natyrisht, Crvenkovski nuk e mbajti fjalën dhe Rufiu përfundoi në burg.
Të dy palët, si pushteti maqedonas ashtu dhe shqiptarët dhanë mesazhe shumë të qarta për ata që duan të kuptojnë, si në revoltat e përgjakshme të Gostivarit, ashtu dhe në revoltat e tjera të përgjakshme si Brodeci, vrasja e Harunit me shokë, masakra e Kumanovës e shumë të tjera. Pushteti dëshmoi për të satën herë se popullatën shqiptare dhe territoret ku ata jetojnë i trajton si koloni, dhe shqiptarët dhe lëvizjet e tyre i sheh vetëm përmes syzave të Sigurimit Shtetëror dhe përmes nishanit të armës. Ata nuk duan, por edhe po të donin nuk do mundeshin për shkak të barierave gjuhësore dhe kulturore ti prijnë kësaj popullate në emancipimin e tyre, të plotësojnë nevojat e tyre për arsimim të mirëfilltë, për kulturë, shkencë etj.
Por edhe shqiptarët dhanë mesazh të qartë që ata këtë shtet nuk e konsiderojnë si të tyrin, por të huaj, të imponuar në vend të shtetit të tyre etnik ku ata do të jetonin bashkë me vëllezërit dhe motrat e tyre nga të cilët i ndajnë kufij politikë artificial, që sot do të duhej të ishin të pakuptimtë në kohën kur fjalori politik i përfaqësuesve të tyre është i mbushur për të ardhmen e afërt të Evropës pa kufij. Që është më e rëndësishmja, shqiptarët në të gjitha këto revolta të përsëritura dhanë mesazhin e qartë se ata nuk do të pajtohen kurrë me një realitet të tillë.
Nga politikanët shqiptarë në pushtet dhe ata që synojnë me çdo kusht postet e pushtetit, nuk pres të nxjerrin mësim nga këto mesazhe shumë të qarta që dha populli, sepse tani më është e qartë për të gjithë se ata e bëjnë këtë për përfitimet që u sjell të qenit në pushtet duke qenë të vetëdijshëm për dëmin që shkaktojnë. Por nga të rinjtë, studentët, intelektualët, prindërit, nënat – po! Pres që posaçërisht këta të fundit të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se nuk mund të ndërtojnë mirëqenien e tanishme me koston e dëmtimit të të ardhmes së fëmijëve të tyre!
Afrim Fanda

Rikthehet ora verore

ora-veroreKëtë të dielë rikthehet ora verore, ku në orën 02.00 të mëngjesit të 27 marsit akrepat do të lëvizin 60 minuta para. Ora verore do të zgjasë deri të dielën e fundit të tetorit.

Prej shumë vitesh ndryshimi bëhet për të shfrytëzuar më shumë dritën e diellit dhe për të kursyer energji.

Teoria e ndryshimit të orës është hedhur që në shekullin XVIII, nga Benjamin Franklin, me argumentin se me realizimin e saj do të kursehej shumë energji.

Në fillim të shekullit të XX, teoria e tij u mor nga britaniku Uillett Uilliam, i cili e paraqiti atë në Dhomën e Komuneve që i dha dritën e jeshile projektit “British Summer Time” në vitin 1916, ku përfshihej lëvizja e akrepave të orës përpara gjatë verës për të kursyer energji.

/ Top Channel

Doda: Të krijohet shteti-komb shqiptar, ndryshe Ballkani s’do të jetë i qetë

Deputetja e PDIU-së me 8 deputetë, e njohur si “Partia e Çamëve”, e krahasoi gjendjen në Luginë të Preshevës me genocidin grek në Çamëri, pa lënë mënjanë brengën për shqiptarët në shtetin maqedonas

Mesila-DodaPartia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kërkoi bashkimin kombëtar pavarësisht formës dhe rrugës që duhet të ndiqet.

Deputetja Mesila Doda tha se pa krijuar shtetin-komb shqiptar qoftë edhe federativ, Ballkani nuk do të jetë kurrë i paqtë.

Ajo tha se kudo ku jetojnë shqiptarët, është Shqipëri dhe jo vetëm në shtetin politik “Shqipëri” dhe kufijtë e tij administrativë.

Zonja Doda foli në Këshillin Kombëtar të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të nënkryetarit të Kuvendit, Shpëtim Idrizi.

Për qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës, deputetja Doda Demi kritikoi Shqipërinë dhe ndërkombëtarët duke e quajtur “turp” dhe barazim të viktimës me agresorin në rastin e krijimit të Gjykatës Speciale.

Ajo e krahasoi gjendjen në Luginë të Preshevës me genocidin grek në Çamëri, pa lënë mënjanë brengën për shqiptarët në shtetin maqedonas.

E përfaqësuar në Kuvend me tetë deputetë, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, njihet ndryshe si “Partia e Çamëve”, shqiptarë e krahinës jugore etnike të Shqipërisë, Çamëri të aneksuar nga Greqia pas Konferencës së Londrës 1913. (Denion Ndrenika)

Haraçina edhe sonte në shtetërrethim policor

policia-mk-aksionForca të mëdha të njësiteve speciale policore për momentin janë stacionuar në hyrje dhe në dalje të fshatit Haraçinë, raporton Lajmi, i cili para 10 minutave ka kaluar në këtë fshat . Tani për tani policia nuk tregon shkaqet për këtë prezencë të forcave policore, prandaj edhe nuk dihen shkaqet për këtë aksion.

Policia speciale edhe mbrëmë ka kryer kontrolle në kuadër të aksionit “Fabrika e aferave” gjatë së cilës më herët në Çair u arrestuan disa familjarë të Çaushit.

Me këtë rast janë arrestuar tre persona që janë dërguar në stacionin policor në Kisella Vodë. Kontrollet ende janë duke vazhduar në shtëpitë e personave A.G. dhe I.B. nga Haraçina.

Nuk dihet nëse aksioni i sontëm është i ndërlidhur me aksionin e mbrëmshëm. (ina)

“Letërnjoftimet”, paraburgim për Zahir Çaushin

leternjoftimeProkuroria publike kërkon paraburgim për Zahir Beqirin-Çaushin pas bastisjeve në shtëpinë e tij në dhjetor të vitit të kaluar, por edhe për dy persona tjerë që dje u arrestuan në të ashtuquajturën “fabrikë për përpunimin e dokumenteve të falsifikuara”. Që të tre akuzohen për armëmbajtje pa leje. Por për Çaushin dhe për një person nga të arrestuarit gjatë aksionit të të një dite më parë, për herë të parë zyrtarisht ka dyshime për:

“Falsifikim të dokumenteve në bazë të Nenit 378 dhe keqpërdorim të të dhënave personale nga Neni 149, të kodit penal”.

Paraburgimi për Çaushin është kërkuar edhe pse ai për momentin vuan dënimin me burg. Sipas prokurorisë, ky fakt nuk e përmbush as qëllimin, e as kufizimet që arrihen me paraburgim.

Alsat kërkoi sqarime nga prokuroria se çfarë është gjetur saktësisht në kompjuterët gjatë bastisjeve së djeshme. Por, nga institucioni i Marko Zvërlevskit nuk u prononcuan me arsyetimin se këto informacione mund të dëmtojnë procesin e hetimit.

Mirëpo kjo megjithatë nuk e pengoi zv/ministrin plotësues Mitko Çavkov të tregoj se dje janë gjetur biseda të përgjuara dhe se të njëjtat i ka një numër më i madh i personave.

“Sipas informacioneve, hard – disku është krijuar në Lidhjen Socialdemokrate, kështu qëndron shenja në skedarë. Edhe më shumë shqetëson fakti se në USB janë gjetur komunikime që nuk janë në hard – diskun tjetër, USB e cila është krijuar në fillim të vitit pas dorëzimit të bisedave të përgjuara deri te PSP-ja dhe pas arrestimit të Zahir Beqirit”, tha Mitko Çavkov në një deklaratë për Radio Maqedonia e lirë.

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski sot nuk deshi të komentoj në këtë temë.
“Për këtë do ta pyetni Prokurorin Publik”.

Zyrtarisht, Prokuroria publike edhe më tej nuk tregon se nga vijnë bisedat që janë gjetur gjatë bastisjeve te banesa e Çaushit në dhjetor. Atëherë thanë se do t’ju nevojiten të paktën dy muaj, por edhe tre muaj pas aksionit përgjigje nuk ka.

Alsat-M