Mediat belge: 34 të vrarë nga sulmet në Bruksel

AeroportiTransmetuesi publik belg VRT raporton se së paku 34 veta kanë humbur jetën nga sulmet e së martës në Bruksel dhe se mbi 170 janë plagosur. Sipas burimit të njëjtë, 20 njerëz janë vrarë nga shpërthimi në një stacion të metrosë së qytetit, ndërsa 14 të tjerë nga shpërthimet në aeroport.

Kryeministri belg, Charles Michel, ka thënë se shumë njerëz janë vrarë ose janë plagosur seriozisht në sulmet terroriste.

Shpërthimet kanë goditur aerportin Zaventem rreth orës 7:00 të mëngjesit, ndërsa stacionin e metrosë Maelbek një orë më vonë.

Qeveria nuk e ka konfirmuar ende numrin e viktimave. Zyrtarë të transportit në Bruksel kanë thënë se 15 veta kanë vdekur në Maelbek dhe 11 në aeroport.

Belgjika tashmë ka ngritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.

Sulmet vijnë katër ditë pasi Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmet terroriste në Paris, është kapur në Bruksel.

Kryeministri belg, Michel, i ka cilësuar sulmet e fundit si terroriste, të dhunshme dhe frikacake.

“Kjo është një ditë e tragjedisë, një ditë e zezë… I ftoj të gjithë të tregojnë qetësi dhe solidaritet”, ka thënë ai.

Prokurori belg ka thënë se ka gjasa që në sulme të ketë qenë i përfshirë një sulmues vetëvrasës.

Agjencia e lajmeve Belga raporton se, përpara shpërthimeve në aeroport, janë dëgjuar të shtëna dhe brohoritje në gjuhën arabe.

Imazhet në mediat sociale kanë treguar njerëzit në panik, duke ikur nga aeroporti.

Të gjitha fluturimet janë devijuar. Kompania hekurudhore Eurostar ka anuluar të gjithë trenat për dhe nga Brukseli.

Siguria është rritur në aeroportet Gatwick dhe Heathrow të Londrës, ndërsa Zyra e Jashtme e Britanisë ka këshilluar qytetarët britanikë të shmangin zonat e mbushura me njerëz në Belgjikë.

Franca ka rritur po ashtu sigurinë. Presidenti Francois Hollande ka mbajtur një takim me kabinetin për të diskutuar sulmet në Belgjikë.

“Terrorizmi ka goditur Belgjikën, por është Evropa ajo që ka qenë shënjestër dhe secili është prekur. Duhet të kuptojmë se sa i madh dhe serioz është kërcënimi terrorist”, ka thënë Hollande.

Siguri shetësë është vendosur edhe në aeroportet e Holandës.

Nga një vizitë në Aman të Jordanisë ka reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Është një ditë shumë e pikëlluar për Evropën, sepse Evropa dhe kryeqyteti i saj po vuajnë të njëjtën dhimbje që ky rajon ka pasur dhe vazhdon ta ketë çdo ditë – qoftë në Siri, qoftë gjetkë”, ka thënë Mogherini.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se ndaj “sulmeve të neveritshme” duhet përgjigjur me “vendosmëri ndaj terroristëve”.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike. Nuk do ta pranojmë kurrë që terroristët të sulmojnë shoqëritë tona të hapura”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus,Vladimir Putin, “i dënon fuqishëm këto krime barbare”.

Por, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se politikat e Perëndimit me “standarde të dyfishta” kanë çuar në sulme terroriste.

“Është për të ardhur keq që sot, në vitin 2016, me gjithë faktin se terrorizmi ka qenë i përhapur në gjithë botën për disa vite me radhë, ne përballemi me problemin shumë të dhimbshëm të politikës me standarde të dyfishta. Është e pamundur që terroristët të ndahen në të mirë dhe të këqij. Është e pamundur që të mbështeten në një rajon – në Lindjen e Mesme dhe në Kaukazin Verior – dhe, në të njëjtën kohë, të vazhdojmë të mendojmë se kjo sëmundje e tmerrshme e botës bashkëkohore nuk do të arrijë pjesët e tjera të globit. Kjo gjë është e pamundur”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, për televizionin rus Rossia 24.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se populli i tij ndan ndjenjën e solidaritetit me qytetarët në Belgjikë.

“I dënoj këto sulme. Ajo çfarë ka ndodhur në Bruksel mëngjesin e sotëm, tregon edhe një herë fytyrën e terrorizmit global. I shpreh ngushëllimet e mia qeverisë dhe popullit të Belgjikës”, ka thënë Davutoglu.

Stacioni i metrosë, ku ka ndodhur sulmi, ndodhet pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka kërkuar nga punëtorët që të qëndrojnë brenda ose në shtëpi. Të gjitha takimet në institucionet e BE-së janë anuluar.

Aeroporti Zaventem ndodhet rreth 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar nëpër këtë aerport. (rel)

Brukseli tronditet nga sulmet, ISIS merr përgjegjësinë

BelgjikaBrukseli u trondit sot në mëngjes nga tre shpërthime – dy në aeroport dhe një tjetër në një stacion metroje në zemër të kryeqytetit belg. Media belge njofton për më shumë se 30 të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Kryeministri belg tha se ky është një moment i errët për vendin dhe bëri thirrje për qetësi e solidaritet.

Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet në Bruksel, duke thënë se ekstremistët e tij hapën zjarr në aeroport dhe disa prej tyre aktivizuan jelekë me eksplozivë.

Pamjet tregonin njerëzit që largohen nga aeroporti Zaventem, ndërkohë që një shpërthim i dyfishtë rreth orës 8 të mëngjesit shkatërroi dritaret e mëdha, duke e mbushur dyshemenë e aeroportit me copra xhami të thyer.

Media belge njoftoi gjithashtu për një bombë të tretë, të pashpërthyer që ishte zbuluar. Sipas burimeve të ndryshme, në shpërthimet e aeroportit u vranë të paktën 11 vetë.

Kryeministri belg Charles Michel tha se ndodhi ajo së cilës i trembeshin autoritetet. Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel, zoti Michel tha se janë forcuar kontrollet kufitare dhe se ekziston shqetësimi se mund të ketë edhe sulme të tjera:

 “Ne e kuptojmë se përballemi me një moment tragjik. Në këtë çast të errët për vendin tonë, tani më shumë se kurrë dua t’u bëj thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë solidaritet. Ne ndodhemi para një sfide të vështirë dhe duhet ta përballojmë atë duke qëndruar të bashkuar dhe duke treguar solidaritet.”

Ai tha se autoritetet do të vazhdojnë të ndjekin minutë pas minute gjendjen me shërbimet e ndryshme të sigurisë dhe të emergjencës.

Një prokuror belg tha se të paktën një shpërthim në aeroport ishte shkaktuar ndoshta nga një vetëvrasës me bombë. Media njoftoi gjithashtu se përpara shpërthimeve në aeroport ishin dëgjuar thirrje në gjuhën arabe.

Një zyrtar evropian i sigurisë tha se në vendin e sulmit në aeroport ishin gjetur një ose ndoshta dy kallashnikovë.

Kryebashkiaku i Brukselit tha se të paktën 20 vetë ishin vrarë dhe 55 ishin plagosur në një shpërthim tjetër vetëm pak çaste më vonë në stacionin e metrosë së Maelbeekut pranë selisë kryesore të Bashkimit Evropian. Personelit të BE-së iu tha të qëndronte në zyrat e tyre, ose në shtëpi.

Nëpër rrugë ndihej panik dhe njerëzit dilnin nga metroja me djegie dhe plagë.

Autoritetet belge e kanë ngritur nivelin e alarmit për terror në shkallë maksimale. Të gjitha fluturimet janë anuluar, dhe sistemi i metrosë së Brukseli është mbyllur.

Autoritetet në Frankfurt, Londër, Paris dhe Holandë kanë rritur sigurinë në aeroporte.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini shpërtheu në lot, gjatë një konference shtypi në Aman, ku ndodhej për vizitë:

“Është mjaft e qartë se rrënjët e dhimbjes që po prekin gjithë rajonin tonë janë shumë të njëjta.”

Ajo tha se këto sulme ishin pasojë e radikalizimit dhe u bëri thirrje udhëheqsve të Evropës dhe të Lindjes së Mesme të punojnë së bashku për t’u përballur me këtë plagë.

Shpërthimet vijnë vetëm pak ditë pas arrestimit në Bruksel të personit kryesor të dyshuar për sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, gjë që ka shtuar shqetësimet për sulme hakmarrëse. (voa)

AeroportiAeroporti i Brukselit pas shpërthimeve

FMN i kërkoi Shqipërisë të përshpejtojë reformat ekonomike

Ministria e FinancaveMisioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi sot vizitën 2-javore në Tiranë për rishikimin e shtatë të programit të bashkëpunimit me Shqipërinë.

Drejtuesja e Misionit, Anita Tuladhar, deklaroi para shtypit se Shqipëria duhet të çojë përpara me më shumë shpejtësi reformat themelore ekonomike.

Sipas saj, konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë, buxheti po zbatohet sipas parashikimit, rregullimet në politikat monetare janë të nevojshme por nevojiten reforma strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.

Zonja Tuladhar tha se synimi i qeverisë për rritje ekonomike 3.4 për qind është ende herët si fillim viti, ndërsa inflacioni është nën 2 % për shkak të uljes së çmimeve në karburante etj., dhe presioneve të ulëta inflacioniste nga jashtë.

Drejtuesja e Misionit të FMN-së, Tuladhar, tha gjithashtu se kreditë e këqija në banka duhen ulur më tej, ndërsa sistemi bankar është likuid, i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar.

Ajo theksoi se shpresonte që të vazhdonin përmirësimet edhe në sektorin energjitik, i cili është jetik për ekonominë e vendit.

Po ashtu, edhe lufta kundër informalitetit po jepte rezultatet e para. Por kryesori, sipas misionit të FMN-së, mbetet konsolidimi i treguesve makro-ekonomikë. (voa)

Dhjetra të vrarë dhe të plagosur në Bruksel

Në aeroportin e Brukselit janë dëgjuar dy shpërthimet të fuqishme. Një shpërthim ka ndodhur edhe në një stacion të metrosë. Dyshohet për sulme terroriste. Dhjetra të vrarë dhe të plagosur.

Bruksel AeroportiAeroporti Zaventem

Brukseli është tronditur sot në mëngjes nga disa shpërthime të fuqishme. Në aeroportin Zaventem janë dëgjuar dy shpërthime të fuqishme. Dëshmitarët okularë thonë se para shpërthimeve ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri dhe janë dëgjuar biseda në gjuhën arabe. Mediat dhe spitalet njoftojnë për të paktën 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar.

Agjencia belge e lajmeve Belga ka njoftuar për të paktën një të vdekur, disa të plagosur, dy shpërthime të fuqishme, tym dhe ikje masive nga aeroporti. Thuhet se udhëtarët janë evakuuar dhe janë të sigurt. Deri tani nuk është konfirmuar sfondi i këtyre sulmeve. Televizioni britanik Sky News njofton se shpërthimet kanë ndodhur në afërsi të shoqërisë amerikane të fluturimeve – American Airlines. Trafiku në këtë aeroport është ndaluar pas shpërthimeve, ndërsa aeroporti është bllokuar.

Sulme edhe në metro

Ndërkohë mediat njoftojnë se në Bruksel është dëgjuar një shpërthim edhe në stacionin e metrosë Maelbeek, në afërsi të godinës së Komisionit Evropian. Deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për pasojat në njerëz, por disa media njoftojnë se vetëm nga ky shpërthim kanë humbur jetën 15 vetë dhe janë plagosur dhjetra të tjerë. Autoritetet evropiane u kanë bërë thirrje të punësurva të mos dalin nga godina apo të mbeten në shtëpi, nëse ende nuk kanë ardhur në punë. Qeveria belge ka shpallur nivelin më të lartë të rrezikut nga sulmet terroriste.

Ndërkohë edhe autoritetet gjermane kanë vendosur të ashpërsojnë masat e sigurisë në aeroportet e Gjermanisë, ndër të tjera edhe në Frankfurt mbi Majn.

Lufta vazhdon

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maisiere ka apeluar për bashkëpunim dhe luftë të përbashkët kundër terrrorizmit. “Ka mundësi që sulmet të mos kenë përfunduar ende. Por ne duhet të vazhdojmë luftën e denjë kundër terrorizmit. Jo vetëm në Belgjikë por edhe në Gjermani dhe vendet e tjera”, theksoi minsitri i Brendshëm gjerman Thomas de Maisiere. (dw)

PE: Shqipëria ende punë për hapjen e bisedimeve

Komisioni i Politikës së Jashtme miraton rezolutën. “Vendi ka bërë përparim për duhet më shumë për të bërë të mundur hapjen e bisedimeve për anëtarësim”. Shqetësim “korrupsioni i përhapur”

PEKomisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian vlerëson se “Shqipëria ka bërë përparim në reformat kyce politike dhe administrative, por nevojitet të bëhet më shumë për të arritur atë nivel që kërkohet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim”. Në një deklaratë të shpërndarë nga Komisioni i cili votoi sot rezolutën për Shqipërinë, të hartuar nga eurodeputeti Knut Fleckenstein, theksohet se “për hapjen e bisedimeve, duhet së pari që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyce si shteti ligjor, reforma gjyqësore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, refomën e administratës publike, si dhe në fushën e të drejtave themelore të njeriut”.

Në deklaratë theksohet se “anëtarët e Komisionit të Politikës së Jashtme, mbeten të shqetësuar për korrupsionin e përhapur në arsim, shëndetësi, gjyqësor dhe fusha të tjera”. Ata janë shprehur të shqetësuar gjithashtu për “autocensurën e përhapur mes gazetarëve, të cilët ndonjëherë janë penguar fizikisht për të mbuluar ngjarje të vecanta, janë sulmuar dhe kërcënuar për shkak të detyrës së tyre”.

Rezoluta ndërkohë mirëpret angazhimin e Shqipërisë në luftë kundër radikalizmit dhe terrorizmit dhe lavdëron vendin për masat e marra për të penguar luftëtarët e huaj që t’i bashkohen ISIS-it në Irak dhe Siri, ndërsa “rekomandon që Shqipëria të ndajë më shumë informacion për këtë cështje me shtetet anëtare”. (voa)

Protestë kundër kryeministrit Mustafa në Prishtinë

Dhjetëra gazetarë të medieve të ndryshme nën organizimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, (AGK) protestuan të martën (22.03) para qeverisë së Kosovës kundër kërcënimit të një gazetari nga kryeministri Mustafa.

GargamelShkas për protestën është bërë me gjasë një kërcënim i bërë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gazetarit të portalit Isnsajder.com, Vehbi Kajtazi. Ky i fundit kishte publikuar lajmin që vëllai i kryeministrit Mustafa, ishte në mesin e azilkërkuesve kosovarë që kërkuan strehim në Gjermani. Sipas një dokumenti të publikuar në Insjaderi.com, Ragip Mustafa, vëllai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, kishte bërë kërkesë për strehim më 25 qershor të vitit 2015, pak ditë para se kryeministri Mustafa të pritej nga kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin. Sipas gazetarit Kajtazi pas publikimit të këtij lajmi, kryeministri i kishte telefonuar atij, duke e ofenduar dhe duke i thënë se “këtë do ta paguash shtrenjtë”.

Kryeministri Isa Mustafa, nuk e pranoi ta ketë kërcënuar gazetarin por, pranoi se në valën e azilkërkuesve nga Kosova ishte edhe vëllai i tij. “Kjo është e vërtetë”, shkroi në rrjetin social facebook, kryeministri Mustafa. “Më vonë jam informuar nga familja e vëllait, se ai kishte kërkuar qëndrim jashtë vendit, për t’u shëruar nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Në vjeshtën e vitit që shkoi ka pasur një ndërhyrje në Tiranë, tani është në Prishtinë, dhe gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë”, shkruan kryeministri Mustafa. Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mbesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhinj, të Kosovës. Prandaj si Kryeministër po angazhohem që të gjejmë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheqim investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarët tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit”, shkruan kryeministri Isa Mustafa.

Mustafa të kërkojë falje

Pas kësaj dhjetëra gazetarë të medieve të ndryshme, me moton “Fol mos u tut”, protestuan para qeverisë kundër siç thuhet “kërcënimit që i bëri kryeministri gazetarit, Vehbi Kajtazi”. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, (AGK) Zekirija Shabani tha se “kryeministri Mustafa, duhet të kërkojë falje publike për kërcënimin ndaj kolegut Kajtazi”. “Rritja e sulmeve dhe mosndëshkimi është cenim i fjalës së lirë. AGK kërkon nga kreu i Qeverisë të kërkoj falje publike për kërcënimin ndaj kolegut Vehbi Kajrazi. AGK kërkon nga organet e drejtësisë të ndërmerr hapa ndaj atyre që cenojnë të drejtën e fjalës së lirë”, tha Shabani.

Gazetari i “kërcënuar”, Vehbi Kajtazi, thotë se e ka denoncuar në polici rastin me kryeministrin Isa Mustafa dhe pret nga organet e drejtësisë që të thonë fjalën e tyre. Në një analizë të fundit të OSBE e bazuar në dhjetëra raporte të organizatave ndërkombëtare dhe vendore mbi lirinë e shprehjes, “thuhet se në Kosovë gjendja e lirisë së shprehjes dhe medieve mbetet e ndjeshme.

Ndërkombëtarët: Gjendja e shtypit e ndjeshme

“Gjetjet e paraqitura në këtë hulumtim mbështesin mendimin e pranuar botërisht se gjendja mbetet e ndjeshme përkundër disa përmirësimeve. Ekziston nivel i caktuar i konsistencës në lidhje me sfidat e paraqitura në këto raporte. Sfidat kryesore për lirinë e medies që u përsëritën gjatë pesë viteve të fundit në Kosovë kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit. Legjislacioni kyç është miratuar apo ndryshuar në vitet e fundit, por problem mbetet zbatimi i tij. Ekzistojnë raportime se gazetarët janë kërcënuar, frikësuar, se është ushtruar trysni ndaj tyre dhe se në disa raste janë sulmuar fizikisht. Gjyqësori deri më tani ka qenë i ngathët në trajtimin e rasteve të tilla”, thuhet në analizën e OSBE-së.

Edhe në raportin e fundit të “Freedom House”, Kosova renditet si një vend jo i lirë. Në shkallën prej një deri në shtatë, ku njëshi është nota më e mirë, Kosova për të drejtat politike merr noten gjashtë dhe notën pesë për të drejtat civile. Kosova po ashtu kritikohet për mosrespektim të të drejtave të njeriut, të pjesëtarëve të pakicave, situatës së keqe të sigurisë dhe korrupsionit. (dw)

Piter Van Haute: diplomati belg që po lufton me pushtetin e korruptuar në Maqedoni

Piter Van HautePiter Van Haute, belgu 59-vjeçar që po kalon muaj në Maqedoni si kryeminisionar për zgjedhjen krizës politike në Maqedoni në rolin e negociatorit të BE-së, është shndërruar në një prej figurave më origjinale dhe më tërheqëse të diplomacisë europiane.

Figura dhe roli i tij është një kombinim i modestisë në sjelljen publike me deklarimet pikante, ku atë që e mendon e thotë troç, nganjëherë dhe në një stil tejet popullor.

Ndryshe nga politikanët tanë që admirojnë shëtitjen me vetura luksoze dhe truproja personale, ai që në fillim ka treguar modestinë e tij duke u paraqitur në takimet zyrtare i vetëm dhe me biçikletë.

Qëndrimet e tij lidhur me krizën politike në Maqedoni asnjëherë nuk i shkonin përshtati partive politike në pushtet, e aq më shumë VMRO-së së Gruevskit. Kjo parti e mësuar me komoditetin që ia siguronte pushteti dhe mediat e nënshtruara, sikurse kishte harruar të kritikohet dhe ballafaqohet me realitetin e hidhur që ka kapluar vendin tonë. Si pasojë e qëndrimeve kritike të Van Hautes, partia e Gruevskit për më shumë se një muaj ka vendosur përjashtimin e diplomatit belg si ndërmjetësues në bisedimet e liderëve politik për dalje nga kriza politike, duke shkaktuar kështu një precedent të paparë në historinë e  diplomacisë ndërkombëtare.

Ndryshe, sulmi ndaj zyrtarit të lartë të Brukselit sipas analistëve është vlerësuar si një sulm i fuqishëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët dëshirojnë që ta demokratizojnë Maqedoninë dhe të hapin rrugën për anëtarësim në BE dhe NATO.

Ndonëse i përjashtuar nga bisedimet, belgu Van Haute mbetet aktiv në rrjetin social twitter. Ai tani shquhet për mesazhet e tij plotë ironi dhesakrazëm në adresë të partive në pushtet, ku për improvizim ka zgjedhur macen.

Në vazhdim portali tesheshi.com ua sjell disa prej twitter më interesante dhe kuptimin e tyre.

“Macet rriten, dhe këtë mund edhe demokracia. Njerëzit janë ata që duhet të bëjnë këtë”. (Ky është mesazhi se në ç’nivel ka arritur demokracia në Maqedoni).

“Urime, tani jeni larg BE-së 10 vite të ndriçuara!”(  Këtë koment Van Haute e ka bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta pranuar propozimligjin e presidentit të shtetit Gjorgji Ivanov që të falë manipuluesit zgjedhorë, pedofilët, trafikantë të drogës dhe të dënuar tjerë për vepra të rënda penale).

“A i ngjan kjo një Listës Zgjedhore?” është pyetja e Vanhautes e shoqëruar me fotografinë me mace, në të cilën shtron pyetjen “nëse Lista Zgjedhore ka qenë e mirë në vitin 2014-të”. (Me këtë Van Haute ka hapur dilemën se në Maqedoni as në zgjedhjet e vitit 2014 nuk ka pasur listë të pastër zgjedhore, në këtë formë duke dëshmuar shifrat që KSHZ-ja i publikoi zyrtarisht ku thuhet se në listat zgjedhore në Maqedoni janë mbi 310 mijë votues të kontestueshëm).

“Mësoni biçikletën dhe dëgjoni njerëzit tjerë, do të braktisni politikën dhe mercedesat”.  (Edhe një mesazh mjaft i qartë i Hautes për politikanët narcizoid në Maqedoni. Ai madje ju thotë politikanëve që të vozisin biçikletë çdo ditë dhe t’i dëgjojnë qytetarët, duke rikujtuar ata se nuk duhet të voziten me mercedesa me xhama të zi, meqë do vijë dita që do braktisin politikën dhe jeta do vazhdon.

 “Mediumet peng e partive politike” ( I angazhuar për të gjetur një zgjedhje lidhur me reformat në mediat publike, ai kishte vërrejtur se gjendja mediale në Maqedoni është alarmane meqë servisi publik i cili financohet me para nga taksatatimet e qytetarëve për të informuar objektivisht, i njëjti ishte partizuar skajshmërisht). /tesheshi.com/

Georgievski pranon, maqedonasit nuk dëshrijonë të antarësohen në NATO

lupco georgievskiPolitikanët maqedonas duhet të qajnë natë e ditë dhe të punojnë pandërprerë që një ditë e më parë Maqedonia të antarësohet në BE dhe NATO, pasi në të kundërtën Maqedonia gjendet në rrezik të madh.

Antarësimi i vendit në BE duhet të jetë prioritet i kombit maqedonas dhe jo vetëm i shqiptarëve siç është rasti me Bashkimin Demokratik për Integrim. Kështu ka vlersuar ish Kryemnistri i Maqedonisë, Ljubço Georgievski në një debat televiziv me zëdhënësin e BDI-së, Bujar Osmanin. Sipas tij maqedonasit nuk e kanë prioritet antarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, që është një keqardhje e madhe.

“Interesi nacional kombëtar i shqiptarëve është antarësimi në BE dhe NATO dhe të bëhet pjesë e kësaj familje. Mua më vjen shumë keq se tek blloku nacional maqedonas duke përfshirë këtu politikanët, gazetarët, intelektualët, madje edhe popullata e thjeshtë, këtë nuk e shohin! Nëse dikush ka më shumë interes se shqiptarët, ashtu siç e definoi z.Osmani, pra interes nacional kombëtarë në rastin konkret duhet ta ketë populli maqedonas, kombi maqedonas. Unë mendoj se nuk ka popull më të rrezikuar i cili duhet të qajë apo të gërvishet dh sa më shpejtë të mbarojnë të gjitha ato lojra duke i lënë anash dhe të bëj gjithçka për tu bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Krizat janë shumë të mëdha rreth nesh dhe luftrat janë të shumta, ndasitë janë të ashpra, konfliktet vetëm po përsëriten në zonat e armatosura, ndërsa ne jetojm në një botë duke treguar përralla”, ka deklaruar mes tjerash ish Kryeministri maqedonas, Ljubço Georgievski.

Ndërkohë zëdhënsi i BDI-së Bujar Osmani ka rikonfirmuar qëndrimin e partisë së Ahmetit ku prioritet i lartë për BDI-në është antarësimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike, me çka do të ruhet stabiliteti i vendit dhe do të hapet perspektiva e qytetarëve për një jetë më të mire. Osmani është kategorik, për BDI-në me rëndësi është që Maqedonia të jetë nën ombrellën e NATO-s, andaj edhe angazhohet që kriza politike të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur. Ai ka shtuar se për BDI-në nuk është me rëndësi data e zgjedhjeve, por tejkalimi i krizës politike.

“Insistimi jonë për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill ka qenë që sa më shpejtë të përfundoj kriza politike. Nuk ka qenë me rëndësi data e zgjedhjeve, për ne ka qenë me rëndësi që të merr fund kriza dhe ti kthehemi agjendës për antarësim në BE dhe NATO dhe kuptohet për tju përkushtuar stabilitetit të cilët e dëshirojnë qytetarët dhe perspektives ekonomike. Por para se gjithash ti kthehemi agjendës së integrimeve që është me një rëndësi të madhe. Vlersoj se të gjitha çështjet tjera janë me interes sekondarë, për shkak se problemet me mediat dhe problemet për çështje tjera ka në të gjitha shtetet e botës, mirëpo kësi probleme ekzistenciale për ekzistim të shtetit, shumë pak shtete kanë probleme të këtilla si Maqedonia në raport me çështjen e emrit dhe antarësimit në NATO”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Georgievski gjatë emisionit madje shtonë se Maqedonia po përjeton një periudhë të errët të demokracisë, sepse dalëngadalë po zbehet sistemi shumëpartiak, duke dominuar vetëm dy partitë më të mëdha politike në kampin maqedonas. Ai shton se partitë e vogla në kohët e sotit janë satelit i partive të mëdha dhe domosdo Maqedonia që të ketë një demokraci të mirëfillt duhet ti kthej themel e demokracisë së vitit 1990 ku ka pasur shumë parti që kanë qenë të rëndësishme në politikbërjen në shoqëri dhe asnjëher nuk kan luajt rrolin e “satelitit” të ndonjë partie të madhe.

“Problem më i madh në të ashtuquajturën Maqedoni jo demokratike është se u denegjerua dhe shkatërrua sistemi shumëpartiak në Maqedoni. Mendoj se ajo që po ndodh sot në vendin tonë, ka parti të imëta, por ato janë satelitë ose të njërës apo tjetrës parti politike si LSDM ose VMRO, dhe është një ndër dukuritë më të kqija që sot po përjeton Maqedonia. Ne domosdo duhet të kthehemi në themelet e demokracisë, në vitet e 90-ta, ku ka pasur afro 17 parti politike, dhe për të gjitha partitë politike ka pasur pres konferenca të cilët janë publikuar në media, janë shpalosë debate dhe kanë qenë të rëndësishme në shoqëri, edhe partia e bujqëve ka qenë e rëndësishme, edhe partia e punëtorëve, partia liberale, si dhe shumë parti tjera që smë kujtohen tani. Sot gjithçka rrotullohet rrethë dy partive politike, dhe është për keqardhje për demokracinë e vendit tonë”, ka deklaruar Georgievski duke shtuar se Maqedonia nëse dëshiron ta rikthejë demokracinë në plotëkuptimin e fjalës, atëher duhet ti bëj më shumë shtytje sistemit shumëpartiak dhe të ketë vetëm një njësi zgjedhore. Ai madje thekson se shqiptarët me një njësi zgjedhore do të kishin më shumë ulëse në Parlementin e Maqedonisë.

“Nëse dëshirojmë të arrijmë në demokraci në plotë kuptimin e fjalës, atëher duhet ti japim më shumë shtytje sistemit shumëpartiak me modelin që të ketë vetëm një njësi zgjedhore. Mendoj se shqiptarët me një njësi zgjedhore mund të fitojnë më shumë, ku sipas analizave disa thonë se nuk është ashtu, por prap se prap mendoj se me modelin që në Maqedoni të ketë një njësi zgjedhore do të arrihet një demokraci e mirëfillt në shtet. Të gjitha kërkesat politike do të mund të përmbshen vetëm atëher kur qytetarët do të votojnë për to”, ka deklaruar ish Kryeministri i Maqedonisë, Ljubço Georgievski në Televizionin Nova. (ina)

KSHZ të sqarojë moskontrollimin në terren

KSHZ MakVazhdojnë akuzat në baza politike për procesin e pastrimit të listës së zgjedhësve. LSDM-ja vazhdon të këmbëngulë për një sqarim publik nga KShZ-ja se pse numri prej rreth 124 mijë votuesish nuk do të verifikohen në terren. Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Damjan Mançeski, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja dikur këmbëngulnin që kjo metodologji të pranohet edhe nga LSDM-ja kurse tani vetë nuk e zbatojnë.

“Kërkojmë që KShZ-ja të dal në opinion dhe t’u sqarojë qytetarëve se cili është statusi i këtyre qytetarëve. Kërkojmë që KShZ-ja të na sqarojë se si do t’i verifikojë këto qytetarë. KShZ-ja është e obliguar që në opinion të prezantojë një linjë veprimi se si do të arrihet një listë e pastër zgjedhore. Kjo përbërje e KShZ-së nuk duhet të lejojë asnjë dyshim mbi listën e zgjedhësve”, tha Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.

Ndërkohë nga KShZ-ja për Alsat thanë se ky institucion, varësisht pyetjeve të qarta të kryqëzimit, ka indikacione të qarta se bëhet fjalë për mërgimtarët për të cilët nuk ka nevojë për kontroll në terren dhe ligjërisht ju takon të jenë në listën e zgjedhësve.

“Anëtarët e KSHZ-së në mbledhjen e mbajtur kur edhe u miratua raporti potencuan se këto persona kanë qenë aktiv deri në qershor të vitit 2015 dhe nuk ka asnjë të dhënë për të njëjtët prej qershorit të vitit 2015 deri më tani”, deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KShZ-së.
Shabani gjithashtu tha se aktualisht KShZ-ja pret raportin final nga IT ekspertët dhe do të vendoset për format e pyetësorëve që do të aplikohen. Nga e mërkura do të fillohet me trajnimit e përfaqësuesve të qendrave rajonale për kontrollin në terren kurse ky i fundit pritet të fillojë nga fundi i javës por akoma nuk dihet se sa mund të zgjasë.

“Tani për tani nuk mund të bëjmë ndonjë parashikim se sa mund të zgjasë mirëpo jam I bindur se gjithë procesi do të shkojë në mënyrën e duhur”, tha Shabani.

Ditë më parë, KShZ-ja miratoi raportin e kryqëzimit të të dhënave sipas të cilit në terren do të kontrollohen 100.436 votues nga 374 anketues kurse në mënyrë administrative do të kontrollohen 98 696 votues. Asnjë kontroll nuk do të ketë për 124 072 që konsiderohen se jetojnë përkohësisht jashtë vendit.

Fatlume Dervishi

Kajtazi publikon numrin nga i cili thotë se e thirri Mustafa

kajtaziPas mohimit të kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa, se e ka kërcënuar gazetarin e Insajderi.com, Vehbi Kajtazin, pasi që ky i fundit kishte publikuar një shkrim për vëllanë e Mustafës dhe largimit të tij nga Kosova në rrugë ilegale, ka reaguar përsëri Kajtazi.

Kryeredaktori i portalit Insajderi ka publikuar një foto në të cilin është e regjistruar një thirrje nga numri +37745960631, numër ky me të cilin Kajtazi thotë se është kontaktuar dhe kërcënuar nga kryeministri Mustafa.

KlanKosova ka thirrur në numrin +37745960631, por askush nuk është përgjigjur.

Në ndërkohë Kajtazi ka thënë se rastin e ka dorëzuar në polici, nga njësitet e të cilëve pret efikasitet. (telegrafi)