Ekskluzive: Mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Rinasit, TIA mbrojti ICTS

rinasTop Channel ka siguruar pjesë nga procesverbali i mbledhjes së 13 majit të Këshillit të Sigurisë së Aeroportit, kur drejtuesve të tij u është njoftuar edhe raporti i testimeve sekrete për të cilin ka njoftuar TCH që ditën e shtunë.

Por ata kanë hasur në indiferencën e përfaqësuesve të “Airport Partners”, të cilët kanë mbrojtur gjithashtu firmën e sigurisë ICTS. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme shtetërore, të cilët kanë diskutuar edhe rezultatet e testimit të sigurisë së aeroportit.

Pjesë të raportit janë bërë prezente nga drejtuesi i Autoritetit të Aviacionit Civil, zoti Aleksandër Lipivani, i cili ka treguar para të pranishëmve sesi në tre raste janë futur eksploziv, armë të ftohta dhe është thyer siguria pikërisht në derën ku ndodhi dhe hyrja e grabitësve.

Në këtë mbledhje përfaqësuesit e “Airport Partners” nuk japin ndonjë shpjegim për këtë thyerje të sigurisë, ndërsa nuk shprehen shumë të gatshëm që policia të ketë kontrollin direkt të kamerave të sigurisë në aeroport.

Ilir Alimema, “Airport Partners”: Faleminderit. Ne jemi në dijeni të gjithë kësaj, por nuk jemi në dijeni të raportit dhe pa u njohur me të mund të themi se nuk jemi në raport të barabartë. Kur raporti të vijë zyrtarisht dhe të njihemi konkretisht me gjetjet do të shprehim dhe ne sugjerimet tona.

Aleksandër Lipivani, Aviacioni Civil: Raporti do t’ju vijë por problemi është dhe sistemi i kamerave, të cilën e kemi diskutuar dhe dy-tre herë këtu në komitet dhe shohim se nuk ka asnjë përmirësim të tyre dhe nga të cilat punojnë vetëm 15% të kamerave. Kjo është e patolerueshme.

Ilir Alimema: Nëse kjo është pjesë e raportit do të keni përgjigje dhe për të.

Aleksandër Lipivani: Është apo jo pjesë e raportit nuk ka rëndësi. Kjo mangësi është gjetur dhe nga auditet e kryera nga ndërkombëtarët.

Genc Merepeza, Drejtoria e Kufirit: Së paku kjo është diskutuar në të gjitha takimet që kemi patur. Problem tjetër është dhe ai i rrethimit të perimetrit, i cili në disa vende është i dëmtuar.

Bahri Shaqiri, Ministria e Transporteve: Të gjitha këto probleme që tha z.Genc Merepeza janë të mbartura dhe nuk vihet re asnjë lloj ndryshimi nga ana e kompanisë tuaj.

Ilir Alimema: Nuk kam gjë tjetër përveç atyre që thash.

Aleksandër Lipivani: Ju jeni informuar për gjithçka nëpërmjet informacioneve të takimeve të zotit Bujar me zotin Vangjel Nikolla në ambientet tona. Tashmë gjithçka dihet dhe është e regjistruar nga kamerat.

Genc Merepeza: Në lidhje me problemet në Aeroportin e Rinasit, meqenëse kemi dhe përfaqësuesin e Aeroportit këtu, do të doja një përgjigje të sinqertë në lidhje me kompaninë që kryen shërbimin e sigurisë, e kryen siç duhet ajo detyrën apo jo? Ne duhet të punojmë shumë që të mos themi “o bobo” nesër.

Ilir Alimema: Unë ju konfirmoj se bën punë të shkëlqyer, është viti i 11 që kjo kompani është aty dhe është viti i 11 që kjo kompani është e liçencuar dhe e njohur nga Autoriteti nën mbikëqyrjen e vazhdueshme. Drejtuesit e kësaj kompanie janë te liçencuar po nga Autoriteti, kështu që unë nuk mund të them gjë tjetër. Përsa i përket problemit të aksesit të kamerave, ne kemi një detyrim kontraktor që është kontrata e konçesionit dhe çfarë do të thotë, që ju të keni akses aty tek ato kamera.

Genc Merepeza: Të duam të kemi akses për të marrë pamjen në kohë reale, pse unë duhet të pres që të marrë një telefonatë tënden që po ndodh ngjarja, ose të ketë një punonjës të policisë të akomoduar në ambientet e sallës së kamerave me numrin e vetë, me butonin e vetë që të japë alertin në momentin e duhur.

Ilir Alimema: Pa e paragjykuar kërkesën, por mendoj se një kërkesë specifike duhet t’i drejtohet TIA-s të ardhur nga autoriteti juaj për këtë aksesin e kamerave, si ju e konceptoni dhe çfarë kërkoni. Pra, të detajuar që çfarë ne mund të bëjmë dhe çfare ju duhet të bëni.

Genc Merepeza: E kemi parë në sallën e kamerave që ju keni monitorët dhe ju na keni thëne që s’keni ku mund të qëndroni pasi ambienti është i vogël dhe janë operatorët.

Teuta Krasniqi, eksperte e pavarur e sigurisë: Se si ka mundësi që policia mos të këtë akses mbi këto kamera. Nëse ndodh diçka në Aeroportin e Tiranës askush nuk thotë që ka ndodhur kjo gjë dhe se në aeroport është një kontraktues gjerman. Nëse tashmë do te këtë një kontraktues tjetër, unë mendoj se patjetër duhet të rishikohet mirë kontrata, roli i policisë në atë kontratë duhet të përcaktohet qartë në draftin që do të përgatitet që policia të këtë akses në gjithë kamerat e aeroportit.

/ Top Channel

Në Paris takimi i tretë për Ballkanin

Në Paris ka nisur sot pasdite takimi i tretë i nivelit të lartë i kryeministrave të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Takimi drejtohet nga presidenti francez François Hollande, si përfaqësues i vendit mikpritës, ndërsa të pranishëm janë dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Christian Kern, si dhe ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni, vendi i të cilit do të presë takimin e radhës vitin e ardhshëm.

Takimi i nivelit të lartë, është pjesë e procesit të Berlinit, një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel, për të mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit si dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të tyre europian. Për ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, takimi i sotëm, pavarësisht sitautës së krijuar pas BREXIT, “dëshmon se angazhimi I Bashkimit europian ndaj vendeve të Ballkanit, mbetet i pandryshuara, ndonëse të gjithë do të dëshironin që politak e zgjerimit të ecte me ritme më të shpejta e cilëore për të përfunduar procesin e shtetndërtimit dhe shtetkonsolidimit demokratik” të rajonit.

Në takim pritet të ketë një vlerësim të ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjitike). Po ashtu, pritet të miratohen 3 projekte gjithsej, ndër të cilat 1 projekt lidhet me Shqipërinë, me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat granti i Fondit të Ballkanit perëndimor do të jetë 35 Milionë Euro. Dy projektet e tjera, janë dorëzuar nga Serbia, e ka të bëjë me modernizimin e hekurudhës Nis-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, me një grant 44 milionë Euro, dhe projekti nga Kosova për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant 17 prej milion Eurosh.

Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor), dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro.

Në përfundim të takimit të sotëm, është parashikuar të nënshkruhet edhe marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të të Shqipërisë dhe Serbisë. Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja. (voa)

Pushteti dhe opozita vazhdojnë polemikat për Demarkacionin

demarkacioni“Nuk është në interesin e Kosovës që t’i dëmtojë raportet me vendet fqinje”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Këto komente, Veseli i ka bërë duke iu referuar çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe veprimeve të opozitës, që nxitën dërgimin e një note proteste nga autoritetet e Podgoricës.

Kryekuvendari Kadri Veseli ka kritikuar përfaqësuesit e partitive politike opozitare, sidomos veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ishte një grup i deputetëve të Vetëvendosjes që gjatë javë se kaluar vendosi një tabelë me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirë se vini”, dhe në ballë të saj edhe flamurin shqiptar, në vendin ku ky subjekt politik beson se ekziston kufiri mes dyja vendeve.

Këto veprime, sipas kryetari të Kuvendit, janë veprime për folklorizëm politik.

“Është mirë me i ndalë gjërat e tilla dhe të mos luhet me emocione të njerëzve. Janë veprime shumë fëmijërore”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se përfundimi i çështjes së demarkacionit do të jetë në interes të të dyja palëve, pasi asnjë centimetër nuk do të shkojë në dëm të Kosovës. Ai është shprehur optimist se çështja do të përmbyllet gjatë këtij sezoni të punës së Kuvendit.

“Mali i Zi është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Duhet t’i lëmë folklorizmat me raportet tona fqinjësore”, deklaroiVeseli.

Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe shefave të grupeve parlamentare, ku është diskutuar agjenda dhe rendi i ditës së seancës së radhës, që pritet të mbahet të enjten.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca,theksoi se në këtë mbledhje të kryesisë nuk është diskutuar për Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Sipas tij, ajo marrëveshje duhet të rinegociohet.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me koncepte fëmijërore. Këtu kemi të bëjmë me kërcënim serioz të sovranitetit shtetëror dhe me koncesione të cilat janë të pafalshme dhe të cilat janë bërë prej krerëve me të lartë të shtetit. Këto janë gabime me konsekuenca shumë të sakta penale. Mendoj se akti i faljes së territorit shtetëror përben aktin më serioz të tradhtisë shtetërore”, tha Konjufca.

Deputeti Konjufca ka ripërsëritur se nëse Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi procedohet siç është aktualisht në Kuvend për miratim, atëherë ajo do të kundërshtohet ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne po na çuditë fakti se pse presidenti dhe kryeministri Mustafa janë insistues në një Demarkacion kaq të gabuar”, tha ai.

Sido që të jetë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të ndërmarrë ditëve në vijim qeveria e Kosovës. Ajo ende nuk e ka proceduar në Kuvend për shqyrtim dhe ratifikim marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë së fundmi se çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi është një akt jo i lehtë, nganjëherë edhe i dhimbshëm.

“Duhet të kemi më shumë besim në institucionet tona, duhet të kemi besim në ata që na ndihmuan ta çlirojmë vendin, por duhet të kemi besim edhe në fqinjët, të cilët pa asnjë rezervë e përkrahën çlirimin dhe pavarësimin tonë”, ka thënë Mustafa.

Marrëveshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi për kufizimin e vijës kufitare, është nënshkruar në Vjenë, në muajin gusht të vitit 2015. (REL)

Kumanovë, protesta kundër vrasjes së katër vjeçarit

protesta kumanoveDisa mijëra shqiptarë kanë protestuar në Kumanovë lidhur me shkeljen për vdekje me makinë të një fëmije katër vjeçar, Almir Aliu, nga një banor i nacionaliteti maqedon, Boban Iliç.

Ngjarja kishte ndodhur para një jave para urgjencës së qytetit, kur pas një zënke banale mes babait të fëmijës së ndjerë dhe autorit të vrasjes, ky i fundit me makinë kishte goditur tre anëtarë të familjes së Sedat Aliut, ku më së rëndi kishte pësuar fëmija, i cili pas plagëve të rënda kishte ndërruar jetë katër ditë më vonë në klinikën spitalore në Shkup.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ndërsa në protestën e mbajtur para institucioneve lokale në Kumanovë u kërkua dënimi maksimal për autorin e vrasjes.

“Humbja e një jetë fëmije është një akt i cili në asnjë mënyrë nuk mund të kompensohet, por dhënia e dënimit maksimal kryerësit, sado pak zbut dhembjen e shkaktuar.”

“Shpresojmë dhe besojmë që të gjitha institucionet përkatëse ta zbatojnë drejtësinë dhe të jenë konstruktivë në drejtim të dhënies së dënimit të merituar kryerësit, dënimin maksimal. Maqedonia edhe njëherë i ka në test institucionet e veta dhe sundimin e ligjit për të gjithë njësoj, pa diskriminim. I japim përkrahje maksimale që ta kalojë këtë test”, deklaroi një nga organizatorët e protestës.

Nga sektori i punëve të brendshme në Kumanovë thonë se aksidenti është zbardhur dhe se ndaj autorit janë ngritur dy padi penale për vrasje dhe cenim të sigurisë. Boban Iliç ndodhet në paraburgim 30 ditor, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij.

Njohësit e çështjeve ndëretnike kanë bërë thirrje që rastit të mos i jepen ngjyrime etnike, pasi sipas tyre krimi nuk njeh fe dhe kombësi. Ata kanë kërkuar gjithashtu që ky rast sa më shpejt të merr epilogun gjyqësor, duke i dhënë dënimin e merituar autorit të kësaj vepre të rëndë. (REL)

Ndikimi i telefonave në shëndetin e syrit

celularPërdorimi i telefonave inteligjentë ndërsa je i shtrirë në krevat për të fjetur, mund të të dëmtojë sytë. Mjekët këshillojnë t’i qëndroni larg telefonit pasi nevoja për ta kontrolluar atë mund të shkaktojë verbim të përkohshëm.

Telefonat inteligjentë janë pajisje të fuqishme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Për shumicën nga ne, ata janë një burim i përhershëm që në çdo moment na jep mundësinë të shohim çfarë po bëjnë miqtë tanë ose të paguajmë faturat.

Por dëshira për të përdorur telefonin në mbrëmje para gjumit tani është identifikuar si shkaktar i humbjes së përkohshme të shikimit.

Në një artikull të botuar kohët e fundit në revistën mjekësore New England Journal of Medicine, mjekët japin shembujt e dy grave të moshës 22 dhe 40 vjeçare, të cilat përjetuan “verbërim të përkohshme nga telefonat inteligjentë” për disa muaj.

Gordon Plant, neurolog në Spitalin Kombëtar të Neurologjisë në Moorfields shpjegon:

“Duhen disa minuta para se syri i djathtë të shoh aq mirë sa i majti. E kundërta është e vërtetë sigurisht në se je i shtrirë në anën e djathtë. Ato mendojnë se problemi qëndron pasi njëri nga sytë ka qënë i ekspozuar ndaj dritës dhe se nuk do ta kishin këtë problem po të kishin përdorur të dy sytë njëlloj. Por sytë do të jenë në të njëjtën gjendje.”

Pasi gratë u ankuan për humbje të përkohshme të shikimit për 15 minuta, ato iu nënshtruan kontrolleve të ndryshme mjekësore, duke përfshirë edhe skanime dhe teste të zemrës. Humbja e përkohshme e shikimit është një simptomë e rëndishme sepse ajo mund të jetë një paralajmërim për një goditje në tru, thotë Dr. Plant.

“Disa vjet më parë këta pacientë do të dërgoheshin në klinika të specializuara, por tani për shkak të mënyrës së funksionimit të goditjeve në tru dhe trajtimit të tyre pacientët dërgohen automatikisht në një njësi të tillë. Më pas ata kontrollohen nga mjekë të cilët mund të mos kenë njohuri mbi çrregullimet e syrit.”

Ndërsa njëra nga pacientet u gëzuar kur mësoi se verbëria e përkohshme nuk ishte sinjal i një problemi më serioz, si goditja në tru, pacientja tjetër ishte më skeptike dhe mbajti një ditar rigoroz ku regjistroi të gjitha incidentet e humbjes së përkohshme të shikimit.

Ajo përfundimisht konfirmoi diagnozën që i dha mjeku, por nuk kishte hequr dorë nga zakoni për të përdorur telefonin në shtrat.

Këta përdorues të telefonave inteligjentë thonë se ky është një problem i zakonshëm:

“Shqetësohem për gjendjen e syve pasi kur e fik telefonin nganjëherë ndjejë disa pika të zeza në sy”, thotë Marcela Montes.

Adeeb Arif thotë: “Unë fle vonë dhe e kam të vështirë të fle për shkak të dritës. Mendoj se dritat blu vështirësojnë përpjekjet për të fjetur.”

Por, pavarësisht shqetësimeve mjekët thotë sa telefonat, kur përdoren sa duhet, janë të sigurt. (voa)

Mbi 200 të vrarë në atentatet në Bagdad

bagdadPak para fundit të muajit të agjërimit ramazan në kryeqytetin irakian Bagdad janë vrarë në atentate më shumë se 200 vetë. Përgjegjësinë për aktin terrorist e mori Shteti Islamik.

Në atentatin më të përgjakshëm terrorist këtë vit, numri i të vrarëve në kryeqytetin irakian Bagdad është rritur në të paktën 213 vetë. Më shumë se 300 vetë janë plagosur, deklaroi ministria irakiane e Shëndetësisë të hënën (04.07.) Sipas të dhënave të organeve të sigurisë atentati i parë ndodhi kur në një rrugë tregtare me shumë njerëz të njohur si Karada shpërtheu në një automjet një bombë.

Një oficer policie tha se një atentator vetëvrasës e shpërtheu kamionin e ngarkuar me eksploziv pranë një restoranti në zonë. Ky shpërthim mori shumë jetë njerëzish, duke përfshirë 15 fëmijë, dhjetë gra dhe gjashtë policë. Vlerësimet e mëparshme për të vrarët folën për 80 vetë, por shifra u rrit me shpejtësi gjatë së dielës.

Forcat e shpëtimit druhen se numri i të vrarëve mund të shtohet edhe më tej, meqenëse nuk ka qenë e mundur të identifikohen të gjitha pjesët e kufomave dhe ka ende persona të zhdukur. Në kohën e shpërthimit të bombës, shumë banorë po përfundonin blerjet para festës për përfundimin e muajit të agjërimit Ramazan.

Një tjetër lëndë shpërthyese shpërtheu në një rrugë tregtare në lagjen e banuar nga shiitët Al-Shaab në veri të Bagdadit. Sipas të dhënave të policisë atje u vranë të paktën dy vetë.

Milicët xhihadistë të “Shtetit Islamik” e morën përgjegjësinë për atentatin në Karrada. Dega sunitase e IS deklaroi sipas sipërmarrjes amerikane Site, të specialitzuar në vëzhgimin e faqeve islamiste të internetit se atentati vetëvrasës qe drejtuar kundër një mbledhjeje të shiitëve.

Ambasada e SHBA në Bagdad shprehu ngushëllimet e saj për familjet dhe miqtë e viktimave në një deklaratë të publikuar në Facebook.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në përpjekjet e saj për të mbështetur Irakun në përpjekjet e tij për të mundur Daesh dhe për të çliruar të gjithë Irakun”, u tha në deklaratën, e cila përdori shkurtimin arabisht Daesh për fjalën IS.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi vizitoi skenën e sulmit dhe u zotua se do të marrë hak, sipas stacionit televiziv shtetëror al-Iraqiya. Ai akuzoi “banda terroriste” se kishin bombarduar “pasi qenë mundur në zonën e luftës.” Por kryeministri irakian u detyrua të largohej shpejt nga vendi i ngjarjes, pasi një grup i zemëruar personash të pranishëm nisën të gjuajnë me gurë kundër vargut të automjeteve të kryeministrit. Ata i akuzuan për mungesë efikasiteti forcat e sigurisë në rastin e shpërthimit të bombës.

Qeveria irakiane deklaroi muajin e kaluar se Faluxha që ndodhet më në Perëndim të vendit u rivendos në kontroll dhe iu mor IS. Por IS vazhdon të kontrollojë pjesë të gjera të Irakut. Shteti Islamik vazhdon të kontrollojë qytetin e dytë për nga madhësia në Irak, Mosul, ku këtë vit pritet të nisë një ofensivë kundër IS. IS besohet se ka ende nën kontroll 14 përqind të territorit të Irakut, bëri të ditur zyra e Kryeministrit të vendit. Shteti Islamik ndërmerr herë pas here atentate kundër anëtarëve të besimit shiit. (dw)

Shtetet e Bashkuara kremtojnë 240 vjetorin e pavarësisë

pavarsia usaShtetet e Bashkuara të Amerikës, kremtojnë të hënën 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania në një ditë feste mbushur me pikniqe, parakalime e fishekzjarrë gjithandej vendit.

Presidenti Barack Obama, do të pres familjarët e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë dhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae.

Por, qendra e kremtimeve do të jetë përgjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivit Kombëtarë. Kjo është shtëpia e Deklaratës së Pavarësisë e hartuar nga Thomas Jefferson dhe e miratuar nga Kongresi më 4 korrik të vitit 1776.

Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga Jeffersoni 32 vjeçar.

Më shumë se çdo gjë, deklarata është një akuzë e ashpër ndaj mbretit George të Britanisë, duke e quajtur atë një tiran dhe duke thënë se ai ka injoruar në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.

Në mesin e 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh të trupave britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve të tyre tregtare me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.

Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.

Kremtimet e 4 korrikut përfshijnë leximin tradicional të Deklaratës së Pavarësisë, n shkallët e Arkivit Kombëtar. Brenda ndërtesës, dokumenti shfaqet për publikun krahas Kushtetutës dhe Kartës së të Drejtave. (voa)

Pamje të Tokës nga Hapësira

toka nasaThonë se distanca të jep një pamje më të qartë. Tani, në sajë të ekuipazhit në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, dhe nëpërmjet imazheve të marra me kamera të posaçme, ne mund të shohim pamje të ndryshme dhe më të qarta të planetit tonë. E parë nga lartësia, bukuria natyrore e Tokës është e qartë; po aq i qartë është edhe ndikimi i njerëzimit në këtë glob të vogël.

Në filmin dokumentar A Planet Beautiful, fituesja e çmimit Oskar, aktorja Jennifer Lawrence përshkruan gjendjen e planetit tonë, atëherë dhe tani.

“Pyje të mëdhenj mbulonin dikur pjesën më të madhe të ishullit të Madagaskarit. Ju mund të shihni se shumë prej tyre janë zhdukur. Pa pemë për ta mbajtur të lidhur, dheu rrëshqet drejt greminës, bie në lumenj dhe zhduken në det.”

Pamjet filmike marrë nga hapësira tregojnë se shtresat e akullit në Greenland po shkrihen në shkallë alarmante. Uji rrjeth poshtë nën akull dhe derdhet në oqean. Nëse gjithë akulli do të shkrihej, niveli i detit mund të rritet gjashtë metra.

“Ndërsa niveli rritet, zonat e ulëta bregdetare do të përmbyten. Qyteti Nju Orleans mund të zhduket.”

Dhe ndërsa gjatë ditës, njerëzimi mund të perceptohen vetëm nëpërmjet efekteve të tij mbi natyrën, gjatë natës, mund të shihet qartë qytetërimi.

“Ju mund të dalloni qytetet e famshme si Amsterdam, Bruksel, dhe Moskë. Apo qytetet Osaka, Nagoya dhe Tokio në Japoni. ”

Për të filmuar këtë dokumentar, ekuipazhi përdoruri një lloj të ri kamerash IMAX, shumë më të lehta se ato që janë përdorur për dokumentarët e më të mëparshëm në Hapësirë, të tilla Hubble 3D, të regjisores Toni Meyers. Dhe pse regjisorja e njohur nuk ishte në stacionin e hapësirës për të drejtuar filmin, ishte ajo që i mësoi astronautët si të filmonin.

“Ajo që kam dashur të tregoj në film është ngashmëria midis stacionit të hapësirës si një sistem i mbyllur dhe të Tokës gjithashtu si sistem i mbyllur. Të dy përmbajnë të gjitha gjërat që na duhen për të qëndruar gjallë. Ajër, ujë, ushqim, por me të vetmin ndryshim se stacioni i hapësirës rifurnizohet me anije nga Toka, prandaj edhe mesazhi kryesor i filmit është se Toka nuk merr furnizime me anije”, tha regjisorja Toni Meyers në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Dhe mesazhi i saj është; mos ëndërroni për të kolonizuar planete mijëra vjet larg, por kujdesuni për bukurinë natyrore të Tokës dhe atmosferën e saj të brishtë, sepse nëse Toka vdes, ne vdesim bashkë me të. (voa)

Panairi “Connected Car 16”

connected car 16Një grup makinash inteligjente të teknologjisë së lartë u reklamuan së fundmi në një panair të Londrës. Përmes panelit të aparaturave në makinë, shoferi mund të kontrollojë çdo gjë, që nga lista e këngëve të preferuara e deri tek termostatet në shtëpi. Por, ekspertët paralajmërojnë se me më shumë ndërlidhje të teknologjisë vjen edhe një kërcënim më i madh nga hakerat.

Modeli elegant S i kompanisë Tesla tërhoqi mjaft vëmendje në panairin e makinave të ndërlidhura në Londër, por kompania “EVE” thotë se brendësia është ajo që ka rëndësi.

Kompania kanadeze demonstroi eksperiencën më të fundit të ndërlidhjes në makina që lejon motoristët të kenë qasje të shpejtë ndaj aplikacioneve të ndryshme, përshi median sociale, imeilat, kalendarin, motin dhe kilometrazhin.

Teknologjia e re brenda makinës i lejon shoferët të lidhen me pajisjet që kontrollohen përmes internetit në shtëpitë e tyre si dritat, dyert dhe termostatet.

Kjo do të thotë se ata mund të personalizojnë automatizime të ndryshme, si mbylljen e dyerve të shtëpisë apo fikjen e dritave pa lëvizur nga makina.

Shumë njerëz po fillojnë të vendosin pajisje inteligjente në shtëpitë e tyre si termostatët, çelësat e dritave, të garazheve dhe të dyerve. Ne mundësojmë lidhjen e këtyre pajisjeve nga makina në një mënyrë inteligjente ku mund të automatizosh për shembull një proçes, që kur largohesh nga shtëpia me makinë, të kyçet dera e shtëpisë, garazhi, dritat dhe të ulet termostati,thotë Jason Taylor, i kompanisë “Evolved Vehicle Environments”.

Zoti Taylor thotë se synimi nuk është që njerëzit në timon të hutohen duke përdorur median sociale si Instagramin apo Twitterin, por e kundërta.

“Synimi është që kur je i bllokuar në trafik të kesh me se të merresh për të shfrytëzuar kohën pa patur nevojën të hapësh telefonin që të tërheq vëmendjen. Realiteti është se njerëzit i përdorin celularët gjithë kohën. Gati 70 përqind e njerëzve e pranojnë se përdorin telefonat kur ngasin makinën megjithëse është e jashtëligjshme thotë zoti Taylor.

Kompania “Ecotive” and “Frazer-Nash Research” po demonstron taksi elektrike të ndërtuara për të pakësuar ndotjen në rrugët e Londrës, duke mundësuar njëkohësish shpejtësi në shërbim.

“Është 100 përqind elektrike gjithë kohën”, thotë Noamaan Siddiqi, menaxher në kompaninë “Frazer-Nash Research”.

“Ka një bateri të vogël që furnizon rrotat e pasme dhe kur bateria mbaron, ka një motor me një litër benzinë, një motor me tre cilindra i lidhur gjithmonë me njëgjenerator, i cili furnizon baterinë sa herë ajo shkarkohet.

Por jo vetëm kaq – taksia e zezë është gjithashtu e pajisur me teknologji inteligjente që ndërlidh argëtimin në shtëpi, komunikimin në zyrë, si dhe atë mes shoferit dhe pasagjerit.

Pasagjerët mund të luajnë video, të dërgojnë imeila, të kontrollojnë median sociale apo të luajnë lojra elektronike.

Por, ndërsa ndërlidhja në makina po shtohet, ekspertët thonë se bashkë me të rritet edhe rreziku i hakerëve.

Andy Davis është drejtor i kërkimeve me kompaninë e ekspertëve të sigurisë kibernetike, “NCC Group”:

“Lidhjet si me Wi-Fi apo Bluetooth, shtojnë mundësinë e hakerave për të hyrë brenda sistemit që ka makina.

Zoti Davis thotë se prodhuesit e makinave po e mendojnë seriozisht rrezikun që sjell rritja e teknologjisë veçanërisht në panelin e aparaturave të makinës dhe se të gjithë po e kuptojnë rëndësinë që ka siguria kibernetike. (voa)

Zgjohu. Thiri mendjes

shpetimNë vend të Nekrologut për Almirin katërvjeçar të vrarë brutalisht në Kumanovë. Asgjë në botë nuk ndodh rastesisht. Çdo pasojë e ka një shkak kishte thënë Hegeli i Madh.

Mos mendoni vallë se qindra rrahje të nxënesve shqiptarë nëpër autobusët urban të Shkupit ndodhën rastësisht?! jo besa jo. Për ato rrahje dhe lëndime trupore nuk u burgos askush. Mos vallë u burgos ndokush për dhjetra dyqane të shkrumbuar ne lagjen Gjorçe të Shkupit.

Kush u dënua per bombat e hedhura në oboret e josllavëve ne Lagjen Radishan të Shkupit. Janë edhe mbi njëqind raste të ngjajshëm pë të cilët po pëllasim 26 vite me rradhë. Asnjë fyromas i dënuar me burg pē disa dhjetra dhunime të shqiptarëve. Derisa shqiptarët i dogjën me burg të përjetshëm në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur, më procese ku nuk u gjet as arma dhe as motivi i krimit.

Është e vërtetë e pamohueshme se shqiptarët duhet të ngjishen në Geton e Çairit, e cila ka një pasha dhe disa sejmenë shqiptrë që e zhvasin. Lagjet e përziera të Shkupit duhet të pastrohen nga shqiptarët. Edhe Kumanova me Karadakun duhet të pastrohen nga shqiptarët për t’ua lënë pa shqiptarë koridorin Serbëve dhe Grekëve, vetëm kujtoni procesin e montuar të Sopotit ku dhjetë shqiptarë u dënuam dhe vuajtën nga 8-10 vjetë burg, që në fund të shpallen të pafajshëm.

Po dëmshpërblimi ku është?!. Ku është ministria e drejtësisë kur për mbi një dekadë derisa kanë ndodhur qindra masakrime dhe poshterime kundër shqiptarëve, ministra të drejtësisë kanë qenë kukulla shqiptare. Edhe sa herë do të duhet tu shprehim ngushllime familjarëve të viktimave. Njëzet përqindëshi i ka ,, zgjedhur” përfaqësuesit e vetë, bile, kryetari i Gostivarit-BDI, disa herë ka deklaruar se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë dhe më të sigurtë. Urdhëroni shqiptarë të dashur, ti që i lexon këto rreshta, mundet të jesh TI ai që mundet ta kesh rradhën. Më fal që nuk ta dij emrin, por ama ta dijsh se ti e ke rtadhën.
Zgjohu. Thiri mendjes.

Cilin je duke e votuar dhe kujt ia paguan taksat. Thiri mendjes.

Shpetim Pollozhani