Pezullohet rivlerësimi i Gjyqtarëve e Prokurorëve

gjykata-kushtetuese-rshNë Shqipëri Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë zbatimin e Ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas kërkesës së paraqitur tre javë më parë nga Partia demokratike, e cila ka kërkuar gjithashtu dhe shpalljen antikushtetues të ligjit. Vendimi i sotëm praktikisht bllokon zbatimin e të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pasi tre javë më parë Partia demokratike ashtu siç dhe kishte paralajmëruar më herët, i paraqiti asaj kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit si dhe shpalljen antikushtetuese të përmbajtjes së tij. Në marrjen e vendimit të sotëm, anëtarët e gjykatës mësohet të kenë vlerësuar se zbatimi i procedurave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që do të merret në shqyrtim vlefshmëria apo jo e ligjit, do të kishte pasoja të pariparueshme.

Në të njejtën kohë, Gjykata i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias, për një opinion të këtij institucioni, nëse ligji është apo jo në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ligji konsiderohet si elementi kryesor i të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi, duke synuar kalimin në sitë të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve si dhe verifikimin e pasurive të tyre, me synim spastrimin e radhëve të Drejtësisë nga elementët e korruptuar. Por përmbajtja e tij ka qenë objekt debatesh të forta mes shumicës dhe opozitës e cila që në Komisionin e Reformës paraqiti një sërë vërejtjesh, veçanërisht lidhur me organet që do të përfshiheshin në process për dhënien e informacioneve. Sipas opozitës, përfshirja e institucioneve që varen nga ekzekutivi përbën një përpjekje direkte për kontrollin e procesit nga ana e qeverisë.

Ligji për rivlerësimuin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka patur një mbështetje publike nga misionet e asistencës ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit europian të cilët kanë qenë direkt të përfshirë në hartimin e tij. Bashkimi europian ka vënë mënjanë dhe financime të shumta për procesin e rivlerësimit, ndërkohë që ekspertë të tij janë parashikuar të kenë një peshë domethënëse në vedimmarrjen e institucioneve që duhet të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët.

Por vendimi i sotëm praktikisht ngrin të gjithë procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, pasi asnjë prej institucioneve të parashikuara nuk mund të ngrihet dhe të funksionojë, nëse anëtarët e tyre nuk kalojnë më parë filtrin e rivlerësimit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë reagun sot përmes një deklarata ku theksojnë se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit”, saktëson deklarata. (voa)

Spanja kampione e BE-së për misrin e modifikuar gjenetikisht

misriSpanja është prodhuesi më i madh i misrit të modifikuar gjenetikisht në Bashkimin Evropian.

Ai është një nga të fundit në llojin e vet. Fermeri Mariano Jiménez kultivon me bindje vetëm misër natyral. “Kam filluar të merrem me bujqësi ekologjike, sepse desha të kultivoja bimë që nuk ndotin mjedisin. Dhe produkte të shëndetshme. Kjo është arsyeja pse e bëj këtë gjë.”

Por tani ai po ndjen konkurrencën nga misri i modifikuar gjenetikisht. Ndërkohë dy të tretat e fushave në Aragon janë të mbjella me misër të modifikuar gjenetikisht. Spanja është prodhuesi më i madh i misrit të modifikuar gjenetikisht në Bashkimin Evropian. Sepse këtu kultivimi i misrit të modifikuar gjenetikisht lejohet prej tetëmbëdhjetë vjetësh. Ky është problem për të gjithë fermerët ekologjikë sepse era sjell polenin e bimëve të modifikuara gjenetikisht në fushat e tyre dhe duke u përzierë me misrin ekologjik, i ndryshon atij kodin gjenetik.

Konkurrencë nga misri i modifikuar gjenetikisht

Fermeri Mariano është i zemëruar, sepse në fushat e tij është gjetur shpesh misër i modifikuar gjenetikisht. Kjo i ka shkaktuar humbje të mëdha. “Në qoftë se misri është e kontaminuar, unë nuk mund ta shes më atë si organik. Nëse në mostrat që merren për provë gjehen gjurmë ndotjeje nga misri i modifikuar gjenetikisht, atëherë duhet ta shes atë si misër konvencional”, thotë ai.

Por për shumicën e fermerëve në këtë rajon misrit i modifikuar gjenetikisht është bekim. Sepse Spanja është e prekur nga larva fluturash që depërtonin në trupin e bimëve. Misri i modifikuar gjenetikisht është rezistent ndaj tyre dhe qe shpëtim për fermerët.

“Ne nuk mund të rrezikojmë të humbasim tridhjetë për qind të të korrave, sepse misri dëmtohet prej parazitëve dhe vemjeve. Kultivimi i misrit është mjaft  i shtrenjtë. Prandaj ne përdorim misër të modifikuar gjenetikisht dhe jemi të sigurt se të korrat do të jenë të përsosura”, thotë për DW-në, David Sanz Laforga, fermer që kultivon misër të modifikuar gjenetikisht.

Pa alternativë

Për qeverinë rajonale në Zaragosa ndaj misirit të modifikuar gjenetikisht nuk ka asnjë alternativë. Ky lloj misri është reagimi i duhur ndaj vemjeve që janë problem i madh për Spanjën. Dhe prodhimi duhet rritur për të plotësuar kërkesën e lartë për ushqim për bujqësinë tradicionale blegtorale. Ministri i Bujqësisë si Aragonisë, Joaquin Olona, nuk e kupton qëndrimin kritik të Evropës ndaj  misirit të modifikuar gjenetikisht: “A ka kuptim t’ua ndalojmë fermerëve këtë lloj misri rezistent ndaj larvave, kur nga ana tjetër ne importojmë misër të modifikuar gjenetikisht? Sasia më e madhe e misrit që prodhohet në botë është misër i modifikuar.”

misri-naturorJo më misër natyror

Fermeri Mariano Jiménez nuk do të bashkohet me masën. Ai preferon më mirë të heqë dorë krejtësisht prej misrit. Ashtu si shumë nga kolegët e tij ai do të mbjellë në të ardhmen vetëm domate apo speca. Në Spanjë nuk do të ketë më misër natyror për ushqimin e bagëtive në mënyrë tradicionale.

Spanja, e cila solli pesëqind vjet më parë misrin nga Amerika në Evropë, po profilizohet sot si prodhuesja numër një e misirit të modifikuar gjenetikisht  në Evropë. Ndonjë fermer shpreson madje për manipulime të mëtejshëm. Ditët e bujqësisë organike duket se po janë të numëruara në Spanjë. (dw)

Ekonomi: Raporti “Të bësh biznes”, renditje historike për Shqipërinë

ekonomiRaporti i “Doing Business” (Të bësh biznes) e ka renditur Shqipërinë në vendin e 58. Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, në një deklaratë për shtyp, deklaroi se ky është një “vlerësim i Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri”.

“Ky përmirësim në renditje lidhet me reformat që ka ndërmarrë qeveria”, theksoi Ekonomi.

“Pak minuta me parë, Banka Botërore publikoi raportin e saj të përvitshëm “Të bësh biznes”. Vendi ynë renditet i 58-ti nga 190 shtete që Banka Botërore vlerësoi këtë vit. Ky është jo vetëm një përmirësim i dukshëm prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, por është njëkohësisht renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Gjithashtu raporti konfirmon rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga Qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka patur një përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit  të kaluar  në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm”, tha Ekonomi.

Ministrja renditi edhe 3 reformat që, sipas saj, bënë të mundur vlerësimin: “E para, reforma me thjeshtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Raporti thekson se në fushën e lejeve të ndërtimit, Shqipëria ka thjeshtësuar procedurat për marrjen e lejes dhe ka hartuar një rregullore të re për lejet e ndërtimit, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 83 vende.
E dyta, reforma në  marrjen e energjisë dhe shpejtësinë e  lidhjes në  rrjet. Në marrjen e energjisë, raporti nënvizon se efiçenca e procesit të marrjes së energjisë është përmirësuar. Raporti evidenton se, koha për marrjen e një lidhje të re energjie u shkurtua me 43 ditë, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 6 vende.
E treta, reforma në pagesën e taksave. Pagesa e taksave, sipas raportit “Te bësh biznes” është bërë më e shpejtë dhe e thjeshtë me fillimin e pagesës elektronike të taksave që nga 1 janari 2015. Koha  totale e pagesave u shkurtua me 96 orë. Renditja e Shqipërisë në këtë indikator është përmirësuar me 45 vende”.

/ Top Channel

Mali i Zi, Djukanoviç: Po hetojmë përfshirjen e Rusisë dhe Serbisë në përpjekjen për atentat

milo-djukanovicKryeministri malazez, Milo Djukanoviç ka bërë të ditur se Rusia ka qenë e përfshirë në atentatin e dështuar ndaj tij në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Duke folur këtë të martë, Djukanoviç tha se ngjarja e 16 tetorit, gjatë së cilës u arrestuan 20 persona, “ka një lidhje të fortë me një faktor të jashtëm”. Mes të arrestuarve ishte edhe një ish-komandant i forcave speciale të policisë në Serbi.

Grupi në fjalë dyshohet se po planifikonte sulme ndaj vet kryeministrit, por edhe mbështetësve të tij, menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve parlamentare të shpallej.

Rusia ka kundërshtuar me forcë përpjekjen e Malit të Zi për t’iu bashkuar NATO-s, ndërkohë që edhe udhëheqësit opozitarë të vendit kanë bërë vizita të shpeshta në Moskë gjatë kohëve të fundit.

Djukanoviç premtoi gjithashtu se autoritetet e vendit do të hetojnë shkallën e përfshirjes në atentatin e dyshuar, qoftë të Rusisë, ashtu dhe të Serbisë.

Partia e Djukanoviç fitoi zgjedhjet, megjithatë asaj do t’i nevojiten partnerë koalicioni për të vijuar qeverisjen e vendit.

Reagimi i kryeministrit malazez vjen një ditë pas konferencës për shtyp të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili deklaroi se shërbime të ndryshme sekrete nga Perëndimi dhe nga Lindja janë përplasur në territorin e këtij shteti.

/ Top Channel

SHBA: Kandidatët përqendrohen te Florida

trump-clintonTani që kanë mbetur vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton po bëjnë fushatë në Florida, një shtet i rëndësishëm për të dy kandidatët në garën presidenciale.

Florida, në pjesën juglindore të vendit, është më i madhi ndër shtetet me një garë të fortë për zgjedhjet e 8 nëntorit. Ajo ka 29 vota elektorale, nga 270 të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara e zgjedhin presidentin çdo katër vjet nëpërmjet kolegjit zgjedhor, një sistem që u jep më shumë ndikim në rezultatin e përgjithshëm shteteve me popullsi më të madhe, në vend të votës popullore.

Sondazhet në Florida tregojnë se ish-sekretarja e shtetit Clinton, kryeson ndaj zotit Trump me rreth katër përqind në këtë shtet, ku deri tani kanë votuar rreth 1.6 milionë njerëz në qendrat e votimit të hershëm, ose me postë.

Manjati i pasurive të patundshme Trump, që ka një shtëpi buzë oqeanit në këtë shtet, tha se është “ndoshta e vërtetë” që ai nuk mund të bëhet presidenti i 45-të i vendit pa fituar Floridën. Anketat tregojnë se ai është 5 përqind prapa zonjës Clinton në shkallë vendi. Ai është prapa edhe në shtete të tjera, ku zakonisht garat janë të paparashikueshme në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

Zoti Trump ka bëtë fushatë në shtatë qytete të Floridës gjatë tre ditëve, duke u thënë votuesve se ai është përpara rivales Clinton dhe duke vënë në lojë anketat, që sipas tij, janë të manipuluara. Ai tha mediat e vendit janë bashkuar me fushatën Clinton për të krijuar “zgjedhje të manipuluara”. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë provë për parregullsi në votime.

“Mediat nuk janë thjesht kundër meje”, tha zoti Trump dje në një miting përpara simpatizantëve që brohorisnin në qytetin Saint Augustin. “Ata janë kundër të gjithë juve, janë kundër asaj që ne përfaqësojmë.”

Të martën, ai tha se reforma e presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, e njohur gjerësisht si Obamacare, duhet të “shfuqizohet dhe të zëvendësohet me diçka shumë më pak të shtrenjtë”. Qeveria ka njoftuar se paketa e sigurimit shëndetësor për kategori të caktuara klientësh do të rritet 25 për qind vitin e ardhshëm.

Clinton ka bërë thirrje për ndryshime në planin e kujdesit shëndetësor, por jo për shfuqizimin i tij. (voa)

Transparenca në qeverisje; Shqipëria humb 9 vende nga një vit më parë

wjp-albania“World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e rendit Shqipërinë të 72-tën ndër 113 vende të botës për sundimin e ligjit.

Në raportin e përvitshëm që klasifikon vendet për nga zbatimi i ligjit, “WJP” thotë se, në vitin 2016 renditja e Shqipërisë u përkeqësua me 9 vende krahasuar me një vit më parë.

Shkaku kryesor i përkeqësimit sipas raportit është treguesi i qeverisjes së hapur. Ky indeks mat transparencën e qeverisë, jo vetëm në publikimin e ligjeve dhe vendimeve që ajo miraton, por edhe cilësinë e informacionit të publikuar.

Po kështu, ai mat lirinë e shprehjes, pjesëmarrjen civile dhe të drejtën e peticionit, që i jep mundësi qytetarëve të ankohen për vendime të qeverisë apo ta padisin atë.

Sipas raportit, në këtë tregues renditja e Shqipërisë është përkeqësuar me 29 vende krahasuar me një vit më parë dhe nga vendi i 54-t që renditej në 2015 ka shkuar në vendin e 83-të në botë.

Raporti i World Justice Project përfaqëson një portret të zbatimit të ligjit në çdo vend të botës.

Ky raport mat 8 faktorë, që janë: kufizimi i pushtetit të qeverisë, mungesa e korrupsionit, transparenca, të drejtat themelore, rendi e siguria, kuadri rregullator, drejtësia civile dhe ajo kriminale.

Shqipëria renditet më mirë në treguesit e kufizimit të pushtetit të qeverisë, të drejtat themelore dhe rendi e siguria. Ndërsa faktorë ku vendi ynë renditet me keq janë korrupsioni, transparenca e qeverisë dhe zbatimi i kuadrit rregullator.

/ Top Channel

Funksionimi mё i mirё i tregut tё punёs nё Shqipёri

Nga një projekt kualifikimi dhe punësimi që po zbatojnë në Tiranë dy organizata joqeveritare nga Shqipëria dhe Gjermania kanë përfituar rreth 700 vetë, 90 përqind e të cilëve i përkasin grupmoshës 15 – 35 vjeç

tiranaMarsela, rreth të tridhjetave, është e divorcuar dhe nga martesa me ish-bashkëshortin ka tre fëmijë. Jeton larg qytetit të origjinës dhe familjes me fëmijët e saj, për të cilët kujdeset pa asnjë lloj ndihme sociale. Ajo është dhe rast i ushtrimit të dhunës në familje dhe i varfërisë ekstreme. Në këtë situatë Marsela është kontaktuar nga një organizatë joqeveritare e profilit socio-humanitar, DEV-AID, që e ka përfshirë në njërin prej projekteve tё  veta, quajtur “Tё bёjmё tregun e punёs tё funksionojё pёr grupet nё nevojё!”. Mbështetja është me synim që Marsela të kryejë kursin për kuzhiniere që më pas të ketë mundësi punësimi. “Shpresoj që ta mbyll me sukses kursin, sepse me një certifikatë profesioni kam mundësi të zë punë dhe t’i bëj halleve të jetesës”, thotë Marsela.

Por Marsela nuk është përfituese e vetme nga projekti mbështetës i DEV-AID-it. Në evidencat e kësaj organizate joqeveritare janë rreth 700 persona që janë përfshirë në harkun kohor nga prill 2014 deri në shtator 2016, prej  të cilëve, gjysma janë integruar në tregun e punës nëpërmjet ndërmjetësimit për punësim dhe inkurajimit për vetëpunësim në profesionet e përfituara nga ndjekja e kurseve.

Punёsimi i shtresave në vështirësi

DEV-AID ka tre vjet që funksionon dhe fokusi kryesor është të mbështesë dhe përfaqësojë komunitetet në zhvillim në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe progresit social në tërë aspektet. Po ashtu ekspertët dhe bashkëpunëtorët e organizatës ofrojnë shërbime komunitare, nëpërmjet orientimit, ndërmjetësimit, informimit dhe dhënies së alternativave për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe politike. Pikërisht një prej angazhimeve kryesore të DEV-AID-it është “Tё bёjmё tregun e punёs tё funksionojё pёr grupet nё nevojё!”, në partneritet me Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Publik Nr.4, të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, si dhe me mbështetjen financiare nga organizata gjermane Brot fur die Welt, BfdW, me qendër në Berlin.

Drejtuesja e projektit Endrita Cici thotë se qëllimi mbetet integrimi në tregun e punës i grupeve në vështirësi të shoqërisë nëpërmjet arritjes së objektivave specifike të tilla si, realizimit të kurseve të ofruara nga formimi profesional publik për të  përmbushur më mirë nevojat e tregut të punës, rritja e aksesit në formimin profesional publik për grupet në vështirësi, rritja e aksesit në tregun e punës për këto grupe nëpërmjet punësimit në tregun formal.

“Përfituesit në këtë projekt janë kryesisht përfaqësues të shtresave në vështirësi të shoqërisë, persona me të ardhuara minimale jetese, kryesisht të përfituara nga skema e ndihmës ekonomike ose tregu informal i punës, punëkërkues afatgjatë të papunë, migrantë të brendshëm, të rinj që punojnë në rrugë, individë me nivel të ulët arsimor ose pa arsim te detyrueshem, të rinj që kanë braktisur shkollën, emigrantë te rikthyer në vendin e origjinës në kërkim të një pune, komuniteti rom dhe egjyptian, jetimë socialë dhe biologjikë, persona me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore, si edhe gra dhe vajza viktima të dhunës në familje dhe trafikimit. Rreth 90 përqind e përfituesve i përkasin grupmoshës 15 – 35 vjeç dhe pjesa e mbetur i përkasin grupmoshës 35-45 vjeç”, thotë Cici për Deutsche Welle-n.

Kombinimi i aktiviteteve promovuese nё qendёr dhe komunitet

Në mjediset e organizatës mësojmë se shërbimet që u ofrohen përfituesve janë të larmishme dhe kryesisht me karakter social: që prej regjistrimit në kurs dhe deri në certifikim dhe më pas integrim në tregun e punës, përfituesit e qendrës referuar nga OJF-të e rrjetit janë objekt i mbështetjes së përditësuar nga stafi i DEV-AID.

Psikologia dhe ndërmjetësja e punësimit në projekt, Andja Trasja, përmend propagandimin e formimit profesional afatshkurtёr si njё mjet i rёndёsishёm drejt punёsimit nepermjet aktiviteteve promovuese nё qendёr dhe nё komunitet, por dhe aktivitetet masive ndёrgjegjёsuese. Ndër shërbimet janë dhe aktivitetet masive informuese, sociale, kulturore me pёrfituesit e qendrёs sipas nevojave, thotë Trasja për Deutsche Welle-n.

“Po kështu bëjmë trainime për aftësimin interpersonal të përfituesve në përballjen e ardhshme me tregun, jepet informacion i pёrgjithshёm pёr funksionimin e strukturave shtetёrore lidhur me aplikimin pёr punёsim dhe pёrfitime tё tjera sociale tё pёrfituesve, realizohen ndёrhyrje sociale dhe ndjekje e progresit social tё pёrfituesve, individualisht dhe nё grup sipas problematikave, jepet asistencë dhe mbёshtetje social-psikologjike sipas rasteve, mbështetje ligjore, ndёrmjetёsim i praktikave profesionale pranё njёsive tё bizneseve lokal pas certifikimit, ndërmjetësim për punësim etj.”

Mbështetja gjermane jo thjesht financiare

Bashkëpunimi me organizatën gjermane Brot fur die Welt ka nisur që prej muajit prill 2014, fillimisht me një kontratë me kohëzgjatje 1 vit e gjysëm, e cila më pas u vijua nga kontrata e dytë me afat 3 vjeçar që përfundon pas rreth dy viteve

“Mbështetja e BfdW për DEV-AID-in për të arritur realizimin e objektivave të projektit nuk është thjeshtësisht financiare por tejet kësaj, konsiston edhe në mbështeteje profesionale për ngritje kapacitetesh organizative, duke mundësuar trajnimin e stafit dhe konsultim të vazhdueshëm lidhur me metodat e reja të ndërhyrjes”, shton Andja Trasja,  psikologe dhe ndërmjetëse në projektin “Tё bёjmё tregun e punёs tё funksionojё pёr grupet nё nevojё!”. (dw)

Serbia (nuk) është përballur me krimet

Dominon qëndrimi se në Serbi nuk ka ndryshuar asgjë e rëndësishme për krimet nga e kaluara. Është përballur Serbia vërtetë me atë që ka ndodhur në vitet 90-të?

zene-u-crnomNë 24 vjetorin e krimeve në Sjeverin, aktivistët e organizës joqeveritare Žene u Crnom (Gratë në të Zeza), janë mbledhur në Beograd dhe kanë ngritur mbishkrime me emrat e viktimave. Në disa media serbe është botuar lajmi se familjet e viktimave të krimeve, të cilat kanë akuzuar Serbinë për mbështetjen e Republikës Serpska, e kanë humbur një proces dhe tani procesi i është kaluar Gjykatës Evropiane për të Drejtët e Njeriut.

Ndaj edhe shtrohet pyetja nëse një aksion i tillë ka kuptim, për shkak se në këto aksione kanë marrë pjesë vetëm rreth dhjetë persona. Njësia “Osvetnici”, nën komandën e Milan Llukiqit, asokohe pati nxjerrë nga autobusi në Mioçe, 17 boshnjakë, i pati rrahur në një hotel dhe më pas i ekzekutoi buzë lumit Drina.

„Krimi në Sjeverin është një prej krimeve të para që kanë bërë autoritetet e Serbisë kundër boshnjakëve. Por as sot nuk po bëhet asgjë që autorët e krimeve dhe ata që i kanë urdhëruar ato, të dënohen”, thotë aktivistja Mirjana Mioçinoviq.

Ndërsa Millosh Urosheviq pohon se institucionet e Serbisë nuk janë përballur me krimet e luftërave të fundit, në kuptimin moral, edukativ, kulturor dhe politik. “Kjo as që mund të pritet, sepse sot në pushtet janë ata të cilët kanë pasur rol aktiv në luftërat e viteve 90-të”.

Shkrimtari Filip David rikujton se urdhëruesit dhe simpatizantët e njësisë paramilitare “Osvetnici” mund të gjenden edhe sot në strukturat e policisë së Serbisë.

„Kjo nuk dyshohet fare, sikurse nuk dyshohet edhe fakti që Millan Llukiq, edhe pse në Hagë është dënuar me burgim të përjetshëm për krime, edhe më tej ka simpatizantët e vet në disa qarqe “patriotike”. Disa bashkëpunsëtorë të tij janë denuar me heqje disavjeçare lirie në Serbi, por ende mungon dënimi publik i krimit”, thotë David.

Fshehja e të vërtetës

“Në Serbi nuk bëhet fjalë vetëm për fshehjen e së vërtetës, por edhe për përpjekjet për ndryshimin e saj. Kjo dëshmohet edhe në përpjekjet që të mos përdoret nocioni gjenocid, kur bëhet fjalë për Srebrenicën”, thotë Mirjana Mioçinoviq. „Srebrenica është vetëm një dëshmi për natyrën gjenocidiale të kësaj lufte, dhe kjo nuk mund të mohohet. Ndërkohë që politika serbe vazhdon me lidhje të pamoralshme me Republikën Serpska, me të cilat dëmtohet shteti i Bosnjë-Hercegovinës” (B-H).

Filip David pohon se mediat serbe i kushtojnë vëmendje krimeve nga e kaluara vetëm kur dikush nga të dënuarit kthehet nga Haga, pas vuajtjes së dënimit. “Ata priten si heroj, e disa prej tyre menjëherë shkruajnë libra, të cilat janë më të shiturat, apo futen në jetën politike të Serbisë. Krimet e tyre sikur të mos kenë ekzistuar. Kjo është e kuptueshme, kur dihet që në pushtet kemi një garniturë politike, të ngjashme me atë të viteve 90-të”.

B-H një shtet i komplikuar

Vështirë është të thuhet që B-H si një “shtet i komplikukar” ka ndonjë marrëdhënie të qartë me vendet tejra. Ndaj vështirë mund të thuhet edhe nëse qëndrimi i Beogradit ndaj krimeve influencon raportet politike mes Serbisë dhe B-H. „Në realitet, të gjitha entitetet kanë raportet e veta ndaj Serbisë, por edhe fuqive botërore si SHBA, Rusia, Turqia… Ndaj nuk mund të flitet për ndonjë raport të qartë të B-H me Serbinë”, mendon Braçanoviq.

Ndërsa Filip David thotë se Serbia dhe B-H mund t’i përmirësojnë raportet vetëm kur të dënohen qartë krimet nga vitet 90-të. “Me kalimin e kohës, shanset për një gjë të tillë janë gjithnjë e më të vogla. Një përballje e vërtetë me krimet nuk ekziston”. (dw)

Arrestime të shumta për marijuanën në Shqipëri

marijuhanaPërpunimi i sasive të marijuanës që u kultivua këtë vit në zona të ndryshme të Shqipërisë po përfshin dhjetëra persona. Operacionet policore po zbulojnë në zonat e banura dhe zona të thella malore mjedise të magazinimit dhe punëtorë që përpunojnë bimët e thara të marijuanës.

Policia njoftoi të hënën se gjatë një operacioni të zhvilluar në një zonë rurale të Mallkastrës u bllokua 380 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan 11 persona nga Fieri, Vlora,Mallakastra dhe madje edhe Ksamili, një qytezë e vogël në bregdetin jugor të Shqipërisë. Mes të arrestuarve policia tha se gjeti në mjediset e përpunimit edhe dy gra dhe shpalli në kërkim edhe persona të moshuar, që dyshohen se kanë vënë banesat në shërbim të magazinimit të lëndës narkotike.

Policia nuk ka dhënë hollësi se ku ishte kultivuar bima narkotike që po përpunohej. Policia shqiptare nisi të premten një operacion në disa qarqe të vendit ndaj narkotrafikut duke angazhuar rrreth 300 forca mes të cilave edhe një repart special policor. Mbi 2 tonë marijuanë janë shkatërruar, dhjetëra persona janë përfshirë në hetime dhe arrestime dhe janë sekuestruar armë e municione që shërbenin për ruajtjen e drogës.

Arrestime për marijuanën janë njoftuar edhe në kufirin greko- shqiptar nga polica greke.Pas bllokimit në fundjavë të 175 kilogramëve marijuanë dhe arrestimit të një 44 vjeçari nga Saranda, policia greke tha se arrestoi edhe tre të rinj të tjerë shqiptarë që kishin transportuar lëndën narkotike nga kufiri shqiptar dhe më pas droga ishte ngarkuar në autoveturë në anën greke.

Ndërkohë policia italiane njoftoi të hënën se një tjetër sasi e madhe kokaine e pastër, me prejardhje nga Brazili dhe destinacion Durrësin është kapur nga forcat e “Rojës Bregdetare ”- në portin Gioia Tauro në brigjet italiane. Sipas burimeve zyrtare policore italiane droga ishte ndarë në 17 pako dhe peshonte 19 kg. Sipas përllogaritjeve të Rojës Bregdetare nëse sasia e kokainës do të shitej në tregun italian do të kapte një vlerë prej afro 4 milionë eurosh.

Burimet italiane thanë se sasia e kokainës u zbulua brenda një kontenieri që transportonte pula të ngrira, i cili vinte nga Paranagua e Brazilit dhe do të shkarkohej në Durrës. (voa)

Clinton në avantazh të lartë përballë Trump

trump-clintonGjatë fundjavës vazhdoi fushata e nxehtë presidenciale amerikane me takime në Karolinën e Veriut dhe në Florida, ku të dyja kampet sulmuan kundërshtarin politik si të papërshtatshëm për detyrën e lartë të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, një anketim i djeshëm tregon se zonja Clinton ka zgjeruar avantazhin ndaj zotit Trump gjatë këtij muaji. Anketimi i ri “ABC News” tregon se ajo udhëheq me 50% përballë 38% të kandidatit republikan.

Zoti Trump ka ngritur shpesh dyshime për vlefshmërinë e anketimeve. Dje, ai e përmendi sërish këtë gjë si një provë se sistemi politik është i manipuluar.

Sipas anketimit të “ABC News”, zonja Clinton gëzon një avantazh prej 20% në radhët e votueseve gra, një avantazh që bëhet edhe më i madh ndër gratë me diplomë universitare. Për herë të parë, anketimi i “ABC News” tregon se edhe votuesit burra e mbështesin atë më shumë, me 44% përballë 41% të mbështetësve të kandidatit republikan. Zoti Trump vazhdon të kryesojë ndër votuesit e bardhë, të cilët janë ende shumica e votuesve amerikanë, megjithë rënien graduale. Ndërsa, jo të bardhët mbështesin me një shumicë dërrmuese prej 68% zonjën Clinton dhe vetëm 14% mbështesin zotin Trump.

Rënia e thellë e zotit Trump në anketime dhe madje në shtete kyçe amerikane që do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, filloi rreth dy javë më parë kur u botua një regjistrim i vitit 2005 ku zoti Trump dëgjohej të ofendonte gratë. Kandidati republikan kërkoi ndjesë dhe i quajti ato batuta mes meshkujsh, si dhe mohoi të ketë ngacmuar seksualisht gratë.

Por që nga ajo ditë, 11 gra kanë përshkruar ndodhi të ndryshme të shtrira në disa dekada, kur ai i ka ngacmuar. Zoti Trump i ka deklaruar “sajesa” të gjitha këto rrëfime. (voa)