Lituani, ndryshim rrënjësor në zgjedhje

lituaniLituanezët votuan për një ndryshim madhor në zgjedhjet parlamentare të dielën, duke i dhënë fitoren një bashkimi fermerësh që më parë kishte pasur vetëm një vend në parlament. Fitorja më e madhe prej 20 vjetësh nga një parti e vetme, reflekton shqetësimin për ngadalësimin e rritjes ekonomike, aktualisht në masën 2-3 për qind në vit, më pak se gjysma e rritjes para 10 vjetësh.

Partia “Bashkimi i Fshatarëve dhe të Gjelbërve”, drejtuar nga fermeri milioner Ramunas Karbauskis pritet të ketë 56 vende në parlamentin me 141 anëtarë, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Është fitorja më e madhe nga një parti e vetme prej 20 vjetësh.

“Nesër fillojmë bisedimet me partitë e tjera, lidhur me programet tona. Nuk kemi vendosur ende për koalicione të mundshme. Shpresoj që të krijojmë një koalicion të ri breda një jave ose 10 ditësh,” tha kryetari i Partisë “Bashkimi i Fshatarëve dhe të Gjelbërve”.

Partia konservatore “Bashkimi Kombëtar i Kristian-demokratëve” duket se do të marrë 30 vende, ndërsa partia që qeveris aktualisht, social-demokratët pritet të marrin 18 vende. Vendet e mbetura, u ndanë mes disa partish më të vogla.

Dje, u votua në balotazh për 68 vende që nuk ishin përcaktuar, pas raundit të pare të zgjedhjeve më 9 tetor.

Në raundin e pare Bashkimi Kombëtar siguroi 20 vende, pasuar nga Bashkimi i Fshatarëve dhe të Gjelbërve me 19 vende, duke i lënë social-demokratët në vend të tretë me 13.

Më i madhi mes tre vendeve balltike, Lituania e rifitoi pavarësinë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe u fut në Bashkimin Evropian në vitin 2004. (voa)

Bllokohen refugjatë iranianë dhe afganë në kufirin shqiptaro –grek

refugjateGrupe refugjatësh vazhdojnë të hyjnë nga Greqia në territorin shqiptar në mënyrë të paligjshme duke e përdorur Shqipërinë si një pikë të përkohshme në udhëtimin drejt vendeve të tjera europiane.

Policia kufitare e Gjirokastrës tha se bllokoi 14 refugjatë nga Afganistani dhe Irani. Refugjatët u bllokuan nga rojet shqiptare të kufirit në afërsi të Pikës kufitare të Kakavijës, më e madhja që lidh Shqipërinë me Greqinë. Refugjatët iu dorëzuan autoriteteve greke në kufi mbi bazë të një marrëveshjeje që policitë e të dy vendeve zbatojnë në kuadër të normave ndërkombëtare të trajtimit të refugjatëve.

Refugjatët iranianë janë në pakicë që i drejtohen kufirit shqiptar nga Greqia. Sipas burimeve policore shqiptare trafiku më i madh i refugjatëve është nga Siria dhe nga vendet e Afrikës së Veriut.Shumica e refugjatëve janë riatdhesuar nga autoritet shqiptare në Greqi dhe vetëm 34 refugjatë sirianë janë pranuar në statusin e qëndrimit në Shqipëri. Ata jnë vendosur në Qendrën e Pritjes dhe të Trajtimit të Emigrantëve të Huaj në periferi të Tiranës.

Organizata e Kombeve të Bashkuaara për Refugjatët, UNCHR po e ndihmon Shqipërinë me disa pika rajonale në trajtimin e përkohshëm të grupeve të refugjatëve që bllokohen në kufi.Qëndrimi i gjatë i tyre në kushte të vështira jetësore në zonat kufitare greke, sidomos grave dhe fëmijëve, ka paraqitur në jo pak raste për autoritetet shqiptare emergjenca shëndetësore. (voa)

Bashkimi i dy gjigandëve të telekomunikacionit amerikan

attSenati amerikan synon të mbajë dëgjime muajin e ardhshëm për planin e kompanisë gjigande të telekomunikacionit AT&T për të blerë kompaninë Timer Warner, me një çmim prej 85.4 miliardë dollarësh.

Ligjvënësi republikan Mike Lee dhe ajo demokrate Amy Klobuchar, anëtarë të Nënkomisionit për Antitrustet, thonë se bashkimi i këtyre dy gjigandëve të komunikacionit, do të ngrinte shqetësime domethënëse në aspektin e monopoleve.

Të dy senatorët thonë se kanë shqyrtuar gjithnjë me vëmendje konsolidimet në industrinë e transmetimeve kabllore dhe filmave, për t’u siguruar që nuk do të dëmtohen konsumatorët.

Kompania AT&T është një nga kompanitë më të hershme në telekomunikacion, me origjinën e saj që fillon me shpikjen e telefonit në vitin 1879.

Kompania Time Warner është një gjigande e telekomunikacionit, brenda të cilës përmblidhen kompanitë HBO, CNN, si dhe studioja e filmave Warner Brothers. Këto ishin kompani të veçanta përpara se të bashkoheshin në vitin 1990.

Ky bashkim kompanish është bërë një temë e fushatës presidenciale.

Një zëdhënës i kandidates demokrate Hillary Clinton tha se ka shumë pikëpyetje dhe shqetësime, si dhe se do të duhet shumë më tepër informacion për këtë bashkim. Ndërsa kandidati republikan Donald Trump tha ditën e shtunë se nëse do të zgjidhet, ai do ta bllokojë këtë bashkim kompanish.

Sidoqoftë, do të jetë në dorën e Departmentit të Drejtësisë për të vendosur nëse kjo marrëveshje bashkimi do të thyejë ligjet kundër monopoleve. (voa)

Paralelizmi në institucione, rrezikon stabilitetin e Maqedonisë

qeveria-e-rmPërplasjet mes Prokurorisë Speciale dhe strukturave të caktuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë nxjerr si asnjëherë më parë në shesh funksionimin e strukturave paralele në institucione, në disa prej të cilave në poste udhëheqëse janë përfaqësues të opozitës në bazë të marrëveshjes politike.

Kjo në veçanti ka ardhur në shprehje në Ministrinë e Brendshme që drejtohet nga Oliver Spasovski nga LSDM-ja opozitare, i cili në bazë të një vendimi gjyqësor i ka ofruar Prokurorisë Speciale të gjithë mbështetjen për hetime në drejtorisë e policisë sekrete lidhur përgjimet e paligjshme të zyrtarëve.

Por, drejtuesit e kësaj policie, që janë nën kompetencat e qeverisë kanë penguar prokurorët e zbatimin e vendimit gjyqësor, pengesa që janë përcjell me tensione, ndalime të zyrtarëve e madje edhe më lëvizje të trupave të sigurisë, varësisht se cilin krah drejtues mbështesin.

“Me Ministrinë udhëheqë Ministri i Punëve të Brendshme. E di se në kushte sikur që tani funksionon Ministria, apo qeveria aktuale e cila është rezultat i marrëveshjes politike, ka mospajtime e kështu me radhe, por është e qartë se me këtë dikaster udhëheqë Ministri, ashtu sikur kryeministri udhëheq me qeverinë”, ka deklaruar për mediet Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski duke shtuar se zëvendësi i tij nga radhët e VMRO-së, duhet të punojë vetëm se për çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike.

Por, Oliver Andonovski ka akuzuar Spasovskin për siç thotë, përpjekje për puç shtetëror për shkak të bashkëpunimit me prokuroren speciale për ti mundësuar qasje në dokumente me interes të lartë shtetëror.

“Prokurorja speciale duhet ta di se çfarë do, çfarë kërkon dhe të vjen e përgatitur në kuadër të dispozitave ligjore të merr atë që dëshiron”, tha Zëvendësministri Andonovski.

Por, njohësit e çështjeve juridike dhe të sigurisë thotë se të gjithë e kanë të qartë se çfarë kërkon Prokuroria Speciale, në rastin konkret ajo po heton se ku janë kryer përgjimet, në policisë sekrete siç beson i gjithë opinioni, apo nga strukturat e huaja sekrete, siç pretendon pushteti.

“Me vendim gjyqësor në çdo shtet normal prokuroria nuk do të duhej të kishte as pengesën më të vogël në kryerjen e detyrës, por Maqedonia gjithashtu mund të jetë ndër vendet e rralla që në një resor ministror të ketë përfaqësues edhe nga opozita edhe nga pozita. Pra kemi institucioneve që udhëhiqen nga dy grupe politike andaj duhet pasur kujdes që të mos kemi përkeqësim të mëtejmë të gjendjes”, thotë Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve juridike.

Ndërkohë, Bllagoja Markovski, ekspert i sigurisë dhe ish epror i lartë ushtarak, thotë se në Maqedoni kemi institucione paralele që janë pasoj e mosmarrëveshjeve politike. Ai vlerëson se një funksionim i tillë mund të ketë pasoja edhe ndaj stabilitetit të vendit andaj kërkon uljen e tensioneve dhe funksionimin normal të institucioneve.

“Në bazë të kompetencave vlerësoj se hierarkia është e qartë dhe në këtë rast ministri i ka të gjitha autorizimet për të drejtuar të gjitha strukturat e Ministrisë së Pune të Brendshme. Por, situata u ndërlikua me vendim të qeverisë që nën kompetenca të saj t’i kaloj dy drejtori të MPB-së, atë për siguri publike dhe drejtorinë e sigurimit dhe kundërzbulimit (DSK)”.

“Në këtë rast, kemi paralelizëm në funksiononim e kësaj ministrie dhe kjo u dëshmua në rastin me Prokurorinë Speciale. Kjo është brengosëse për faktin se në strukturat e sigurimit tani kemi dy komanda që assesi nuk guxon të ndodhte. Kjo gjendje duhet të kapërcehet pasi tani kemi mosrespektim të vendimeve mes institucioneve”, thotë Markovski.

Prokuroria Speciale, ndërkohë, ka vazhduar të merr mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, të cilat përmes ambasadave të tyre i kanë bërë thirrje partive dhe institucioneve që të mos pengojnë punën e saj në zbardhjen e aferës së përgjimeve, si mundësi e vetme për zgjidhjen e krizës që rëndë në të cilën ndodhet Maqedonia që nga shkurti i vitit të kaluar, kur opozita nisi me publikimin e bisedave të përgjuara të zyrtarëve të lartë. (REL)

Sulmi kibernetik u shtri në disa pjesë të SHBA-së dhe Evropës

pcNjëmbëdhjetë orë pas sulmit të parë kibernetik që goditi një ditë më parë Shtetet e Bashkuara, kompania e trafikut të internetit “Dyn” njoftoi se problemi ishte zgjidhur.

Ndërprerjet filluan në Shtetet e Bashkuara dhe u përhapën në disa pjesë të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar ndërprerje të lidhjes me disa faqe popullore interneti, ndër to edhe rrjeti social Twitter, rrjeti i transfertave monetare PayPal, rrjeti i muzikës Spotify dhe ai i diskutimit online Reddit.

Me seli në Nju Hemshër, kompania “Dyn” që menaxhon pjesë kritike të infrastrukturës së internetit, tha se sulmi kishte filluar dje rreth orës 11:00.

Serverat e kësaj kompanie menaxhojnë trafikun e internetit nëpërmjet sistemit DNS (Domain Name System). Sapo kompania kishte arritur të zmbrapste sulmin e parë, u përball me një sulm të dytë rreth orës 17:00, dhe një tretë në orët e vona të darkës. Kompania tha se është duke hetuar tashmë një shumëllojshmëri sulmesh.

Njerëzit përjetuan një ngadalësim të përgjithshëm të internetit. Sulmi i tipit DDOS (distributed denial of service) synon të mbingarkojë pjesë të caktuara të trafikut të internetit me synim përfundimtar fikjen e tij.

Sulme të tilla janë të shpeshta, por përmasat e paprecedenta të sulmit të fundit tregojnë për fuqizimin dhe sofistikimin e tyre.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se rritja e paisjeve që janë të lidhura me internetin do të sjellë rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se po heton për të gjitha shkaqet e mundshme, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e quajti sulmin keqdashës, por shtoi se nuk disponon informacion për autorët. (voa)

Kitarat nga druri i ricikluar

kitaratRick Kelly është krijues autentik kitarash, që përdor dru të ricikluar nga ndërtesa të vjetra. Kelly e mori zanatin e përpunimit të drurit nga gjyshi i tij dhe ka studiuar për skulpturë, por gjatë viteve ka zhvilluar teknikat e tij për prodhimin e kitareve. Puna e tij është aq e suksesshme, saqë ai i shet kitarat sa i përfundon.

Rick Kelly filloi të krijonte instrumente prej druri që në moshën e adoleshencës. Por, ishte vetëm para 10 vjetësh, kur regjizori Jim Jarmusch i ofroi një sasi druri të vjetër nga tavani i papafingos së tij, që ai filloi të merret seriozisht me përpunimin e drurit nga hotelet e vjetra, baret dhe kishat për ta kthyer në kitarë.

“Qëlloi që ai ishte klient në dyqan. E njihja pak. Një ditë më ofroi lëndë drusore nga shtëpia e tij dhe unë e pranova. Ai dërgoi punëtorët me një kamion të ngarkuar me dru. Ishte ngarkesa e parë që kam marrë, nga papafingoja e Jimit”.

Shumica e lëndës drusore ishte mbi 100-vjeçare. Është dru i shekullit të XIX-të, pishë e bardhë nga veriu i shtetit të Nju Jorkut që është përdorur për shtëpitë dhe ndërtesat e qytetit.

“Tek druri, sidomos ai i përdorur për çatinë, ndodhin ndryshime. Druri ekspozohet në temperatura mbi 38 gradë celsius gjatë ditës dhe ftohet gjatë natës. Kjo luhatje e vazhdueshme e bëjnë atë më të mirë për kitara, sepse rrëshira në dru kristalizohet, duke hapur poret gjatë vibracionit”.

Mjeshtri 64 vjeçar është vazhdimisht në kërkim të drurit të vjetër në gjithë qytetin. Kohët e fundit ai gjeti dru të cilësisë për kitara në një vend-hedhje mbeturinash, ishte lëndë druri nga një Kishë Orthodokse Serbe e cila u dogj më herët këtij viti, në Nju Jork.

Në punishten e tij, ai mban shënime të detajuara të koleksionit të tij, duke shënuar në çdo copë druri se cilës ndërtesë i përkiste më parë.

Shpesh, klientët e tij pyesin për një lloj të caktuar druri. Bob Dylan, për shembull, i kërkoi që kitara e tij të bëhej nga druri i Chumley-t, një bar historik i Nju Jorkut që po rinovohet për momentin.

Pavarësisht nëse janë muzikantë të famshëm ose kitaristë të nivelit mesatar, klientët e Kelly-t paguajnë mbi 2000 dollarë për një kitarë, sepse ata e vlerësojnë cilësinë e instrumenteve.

“Këta drunj kanë qënë këtu që në kohën e George Washingtonit, kur ai ecte rreth këtyre pemëve. Druri nga këto pemët u përdor për një hotel luksoz gjatë viteve 1800, pastaj një hotel i lirë gjatë Depresionit ekonomik, dhe pastaj një godinë për jetesë vitet e fundit. Kanë kaluar shumë ndryshime, të gjitha ndërtesat, dhe prandaj ky dru është i mrekullueshëm”.

“Kur mësova për herë të parë për kitarat, kisha interes. Por interesi arriti një nivel tjetër kur pashë Rick-un të fliste me aq pasion”.

Kitarat e Rick Kelly-t janë më shumë se instrumente unike, të gdhendura. Ato i ofrojnë klientëve të tij diçka më të çmuar: një pjesë të historisë që qytetit të Nju Jorkut.

Realitet virtual për të gjithë

realitet-virtualRealiteti virtual është një tekonologji e re që mund të gjejë zbatim në shumë industri. Kompani të reja mbijnë çdo ditë, ndërsa shkenca e realitetit virtual, që mishërohet tek teknologjoa tre-dimensionale, vazhdon të përmirësohet dhe zhvillohet. Për konsumatorët, nganjëherë mund të jetë e kushtueshme për të patur pajisjen për ta parë një foto, apo video në mënyrë tre-dimensionale, por një kompani në rajonin e Silicon Valley-t, është duke u përpjekur ta bëjë realitetin virtual të përdorshëm nga të gjithë:

Yosen Utomo nuk ka një punë të zakonshme. Ai e kalon pjesën më të madhe të kohës duke parë përmes lenteve të vogla dhe shpreson që puna që bën një ditë do t’i shpërblehet.

“E kam në gjak të marr rrezik mbi vete.”- thotë ai.

Utomo është me origjinë nga Indonesia. Ai është njëri prej themeluesve të kompanisë Fulldive. Kjo kompani ka disa zyra në Silicon Valley dhe në Rusi. Ajo ka krijuar një aplikacion të ri, për t’u përdorur nga cilido që ka telefon inteligjent, duke krijuar mundësinë e përdorimit të tekonologjisë tre-diemnsionale.

Utomo e krijoi kompanainë e tij dy vjet më parë, duke patur ndërmend si klientë vendet në zhvillim.

“Në vende të botës së tretë, siç janë psh Indonezia, apo India, përdoren teknologji të cilat janë 10 vjet më të vjetëruara se ato që përdoren në Silicon Valley. Pra, ëndërra jonë është t’u çojmë këtyre vendeve tekonologjinë e re, si ajo tre-dimensionale, me të cilat ne punojmë, duke dashur të krijojmë me ta një urë.”

…Një urë që ta lidhë tekonologjinë më të fundit në Shtetet e Bashkuara me pjesën tjetër të botës dhe për ta bërë të përballueshme për të gjithë njerëzit.

Bashkëthemeluesi i kompanisë, Ed Ow, thotë se po të lidhësh një telefon inteligjent me çdo ekran që mund ta blesh në internet për rreth 2 dollarë, përdoruesit mund “të zhyten” në ekperiencën e realitetit virtual.

Ow thotë se synimi është sigurimi i një platforme sociale për të gjithë përmbajtjen e realitetit virtual, përfshirë lojëra, aplikacione dhe fotografi.

Vetia më e fundit e aplikacionit Fulldive, është që çdo njeri që ka një telefon celular, apo edhe një kamera fotografike 360 gradëshe mund të marrë një fotografi, ta ngarkojë atë në Fulldive dhe ta ndajë atë me miqtë, të cilët do të jenë të aftë ta shohin fotografinë në 3-dimensione.

Ow, i cili ka eksperiencë pune në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara, thotë se përpiqet ta sjellë ekperiencën e tij nga të dyja vendet, për të krijuar elementë që bëjnë të mundur aplikacionin Fulldive.

“Dua që të gjithë të synojnë më të mirën, gjëra të cilat njerëzit nuk kanë menduar kurrë t’i bëjnë. Kjo është kultura që ne duam të sjellim këtu: që të gjithë të kenë mundësi ta përdorin realitetin virtual. Ky është një vizion i madh. Si mund të realizohet kjo? Ka shumë detaje. U themi njerëzve: “mendoni më tepër për detajet.”

Utomo thotë se synimi i tij është të krijojë diçka që të ketë ndikim në botë. …Dhe deri tani, kur 1.6 millionë persona kanë ngarkuar aplikacionin Fulldive, ai thotë se është në rrugë të drejtë për të sjellë ndryshim. (voa)

Strukturat paralele në veri nuk i zhbëri dialogu dhe as Ligji për amnisti

veriu-i-kosovesNë veri të Kosovës vazhdon funksionimi i strukturave paralele serbe, thonë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga komisionet për Siguri dhe ai për mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Këto struktura qenë themeluar dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar, që nga periudha e pasluftës.

Çështja e strukturave paralele në veri, por edhe pjesët tjera të Kosovës, është adresuar edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Por, sipas delegacionit të Prishtinës në bisedime, marrëveshja për shuarjen e paralelizmave nuk është zbatuar ende në tërësi.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Haxhi Shala, nga subjekti politik Nisma për Kosovën tha për Radion Evropa e Lirë, se lejimi i funksionimit të strukturave paralele serbe në Kosovë është duke e penguar në masë të madhe funksionimin e shtetit.

“Nuk kemi çka të shqetësohemi për strukturat paralele në veri përderisa strukturat paralele ne i kemi në parlament dhe qeveri”,tha Shala duke shtuar se asnjë nga ministrat apo zëvendësministrat dhe deputetët serb nuk kanë pranuar dhe nuk e njohin Kosovën shtet.

Struktura paralele serbe organizohen dhe funksionojnë në kuadër të ashtuquajturave organe të përkohshme, që drejtohen nga strukturat paralele, të mbështetura dhe financuara nga Serbia.

Shala thotë po ashtu se këto struktura, paraqesin rrezik edhe për destabilizimin e vendit. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka forcë e as vullnet politik për zhbërjen e këtyre strukturave paralele.

“Mund të themi lirshëm që të gjitha strukturat paralele e bëjnë shtetin jo funksional përpara qytetareve dhe bashkësisë ndërkombëtar”, ka deklaruar Shala. Tutje ai thotë se shuarja e strukturave paralele duhet të kushtëzohet me dialogun Prishtinë – Beograd.

Kurse, Fadil Demaku, nënkryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se për rend dhe respektim të ligjeve në veri të Kosovës, kërkohet një vullnet dhe gatishmëri më e madhe e Qeverise së Kosovës.

“Kjo çështje ka të bëjë edhe me zbatueshmërinë e marrëveshjeve të arritura deri me tani [në dialogun Prishtinë- Beograd]. Nga pala serbe është parë se nuk ka aspak vullnet për t’i zbatuar marrëveshjet dhe në fakt mos gatishmëria e tyre ka derivuar dhe reflekton në mbajtjen gjallë të këtyre strukturave në atë pjesë të vendit”, ka thënë Demaku.

Autoritetet e Kosovës theksojnë se janë të vetëdijshme për funksionimin e këtyre strukturave, të cilat i cilësojnë krejtësisht të papranueshme. Për të mundësuar integrimin e tyre, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar edhe Ligjin për amnisti, me të cilin mundësohej që ish pjesëtarët e strukturave paralele të integrohen gradualisht në institucionet e vendit.

Deputeti Demaku thekson se për shuarjen e strukturave paralele duhet edhe një ndihmë nga faktori ndërkombëtar që vepron në Kosovë, si dhe një vendosmëri e institucioneve të vendit.

“Kërkohet një vendosmëri shumë me madhe e institucioneve të sigurisë së vendit në bashkëpunim edhe me bashkësinë ndërkombëtare që është prezente këtu për ta ndryshuar gjendjen atje në të mirë të funksionimit të ligjit si edhe në pjesët tjera të Kosovës. Në këtë drejtim atje ka boshllëk dhe duhet bërë me shumë”, ka theksuar Demaku.

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se po punohet në shuarjen e të gjitha strukturave paralele që ekzistojnë në veri të vendi.

Ai ka thënë se janë ‘zhbërë dhe po zhbëhen strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë’ dhe se për ata njerëz që kanë punuar në ato struktura është aplikuar Ligji për amnisti.

Për autoritetet e Kosovës, shuarja e këtyre organeve është një nga kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një prej marrëveshjeve kryesore të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. (REL)

Martin Schulz: Putinit duhet t’i jepet mesazh i qartë

Presidenti i Parlamentit Europian socialdemokrati Martin Schulz pret nga BE-ja që t’i kundërvihet kursit rus në Siri. Putinit duhet t’i jepet një mesazh i qartë, thotë Schulz në intervistë për DW.

martin-schulzDeutsche Welle: Çfarë prisni nga samiti i BE-së lidhur me Rusinë?

Martin Schulz: Ajo që bën Rusia është krejtësisht e papranueshme. Pas qendrimeve agresive të Rusisë qendron një koncept i shoqërisë, një pozicionim ndaj botës, që nuk ka të bëjë me filozofinë tonë europiane të bazuar tek respekti reciprok dhe të qenit i hapur.

Ndaj mesazhi i europianëve ndaj zotit Putin duhet të jetë: ne nuk  jemi dakord me ju! Ne duhet të jemi të fortë në strategjinë tonë kundër, por megjithatë porta mbetet e hapur, nëse ju doni të khtheheni në tryezën e bisedimeve.

A ju shqetëson fakti që Bashkimi Europian nuk ka influencë ndaj asaj që ndodh në konfliktin e Sirisë?

Bashkimi Europian ve në dispozicion shumicën e ndihmës humanitare për Sirinë. Problemi ynë është, që ne megjithatë nuk mund t’u japim njerëzve atje ndihmën, për të cilën ata kanë nevojë.

Keni paraysh armët?

Unë nuk jam dakord me atë, që Bashkimi Europian nuk ka influencë fare. E nëse bëni fjalë për armët, mund t’ju them, se çfarë i duhet Sirisë nuk janë më armët. Përkundrazi: më pak armë, më pak konfrontim ushtarak. Në këtë drejtim mund të ndërmjetësojë Bashkimi Europian. E këtë ne e bëjmë gjithsesi. Federica Mogherini, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme dhe ministrat e jashtëm europianë si Frank-Walter Steinmeier veprojnë fuqishëm në këtë drejtim.

Por megjithatë duket, që Rusia i përdor pushtetin dhe fuqinë e saj jo sipas rregullave të njëjta si BE-ja?

Pikërisht për këtë arsye kancelarja Merkel, qeveria federale dhe presidenti francez Hollande e ftuan Putinin në Berlin. Unë shpresoj, që bisedimet do të kontribuojnë për përmirësimin e situatës.

Martin Schulz  është që nga vitit 2012 president i Parlamentit Europian. Politikani socialdemokrat ka qenë kryetar i grupit parlamentar të socialistëve dhe që prej 22 vjetësh është deputet në Strazburg. (dw)

Tusk thotë se Rusia po përpiqet ta dobësojë Bashkimin Evropian

Liderët e BE ranë dakord në Bruksel të qendrojnë të bashkuar në politikën ndaj Moskës. Ato e kritikuan ashpër bombardimin në Aleppo. Por për sanksionet të reja kundër Rusisë ata nuk ranë dakord.

liederet-e-be“Liderët e BE theksuan se të gjitha llojet e akteve armiqësore, nga shkelja e hapësirës ajrore në fushatat propagandistike, sulmet kibernetike, ndërhyjnë në proceset e brendshme politike të BE dhe përtej”.

Kryetari i Këshillit të BE, Donald Tusk, e bëri këtë të ditur në një konferencë shtypi. “Duke parë këto shembuj, është e qartë se strategjia e Rusisë është që ta dobësojë Bashkimin Evropian.”

Tusk tha se synimi i BE nuk është krijimi i tensioneve me Rusinë. Ai tha se “BE është gjithmonë i gatshëm që të hyjë në dialog, por ne nuk do të bëjmë kompromis me vlerat ose parimet tona.” “Prandaj ne ramë dakord që t’i përmbahemi kursit dhe mbi të gjitha të ruajmë unitetin në BE”, tha më tej Donald Tusk.

Megjithatë, për sanksionet të reja kundër Rusisë shtetet e BE-së nuk ranë dakord në Bruksel. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministrja britanike, Theresa May, presidenti i Francës, François Hollande dhe liderë të tjerë patën kërkuar në fillim të takimit mbajtjen e një qendrimi të ashpër dhe të qartë ndaj Rusisë, kundër mënyrës “jonjerëzore” të veprimit të Rusisë, siç u shpreh Merkel.

Por jo të gjithë partnerët e ndoqën vijën e fortë kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Italia, Hungaria, Greqia edhe të enjetn(20.10) u shprehën kundër sanskioneve të reja ndaj Rusisë. Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, që është më i zëshmi në kundërshtimin e sanksioneve ndaj Rusisë tha se aktualisht nuk ka kuptim kërcënimi i Rusisë me sanksione. Ajo që ka rëndësi është një armëpushim i qendrueshëm dhe një proces për një tranzicion politik, tha ai. Sipas kancelarit të Austrisë, Christian Kern, askush në “diskutimin e gjatë për Rusinë” në Bruksel  nuk kërkoi sanksione të reja ndaj Rusisë.

Por për kancelaren gjermane, Angela Merkel, opsioni i sanksioneve nuk është eleminuar. Merkel tha para medieve, se konkretisht sanksionet do të diskutohen po të vazhdojë me të njëjtin intensitet bombardimi i Aleppos. Atëherë do të shtrohet pyetja: “po tani, çfarë na mbetet të bëjmë?” (dw)