“Kombi kosovar, ide feudale. Rama ka të drejta natyrore mbi Kosovën”

qosja1“Fjalim të menduar shumë mirë, fjalim me rrezatim të gjerë politik dhe leksion politik”. Kështu e ka quajtur profesor Rexhep Qosja, vizitën dhe fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd.

 

Në një intervistë për “GSH”, akademiku nga Kosova ndalet edhe tek kritikat e Prishtinës ndaj Tiranës zyrtare, pa qenë dakord me to, ndalet te “kombi kosovar” dhe tek ajo që po lexohet si përçarje Shqipëri-Kosovë. Për profesor Rexhep Qosjen, ideja përmbledhëse e kësaj interviste do të mund të ishte “Vetëkënaqësia feudale”.

– Profesor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua me kryeministrin e Serbisë, në Beograd. Si e perceptuat ju këtë takim?
– Meqenëse e njoh si trabant të dikurshëm të Vojisllav Sheshelit, i cili ishte pamatshëm i ngarkuar me shovinizëm ndaj kroatëve, ndaj myslimanëve dhe ndaj shqiptarëve, që e shprehte shumë egërsisht, unë nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi politik a intelektual për takimet e politikanëve shqiptarë me kryeministrin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Por, populli serb e ka zgjedhur atë dhe shqiptarët si dhe kroatët a myslimanët duhet të hyjnë në bisedime me të! Takimet e kryeministrit Edi Rama me të, deshëm s’deshëm janë, prandaj, të kuptueshme dhe të nevojshme. Më shpesh se Edi Rama me të janë takuar dhe vazhdojnë të takohen (në Bruksel) prandaj edhe gjetiu disa nga zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Dhe, këto takime mund të quhen të domosdoshme e të rëndësishme për Kosovën, për Shqipërinë, për Serbinë dhe për rajonin në përgjithësi. Serbinë e kemi fqinje, kurse një numër të serbëve i kemi bashkëqytetarë të Kosovës, të cilëve duhet t’ua sigurojmë të gjitha të drejtat, që u sigurohen dhe siç u sigurohen edhe shqiptarëve në Serbi, në Maqedoni a në Mal të Zi.

E kam thënë dhe po e përsëris: ne Serbinë nuk mund ta çojmë në Australi, kurse Serbia Kosovën nuk mund ta çojë në Indonezi a në Zelandë të Re. Me Serbinë do të jemi fqinjë gjithmonë dhe me fqinjët duhet të bëjmë çmos që të krijojmë marrëdhënie sa më të mira – për të mirën tonë dhe për të mirën e tyre.

Arsyeja tjetër pse e kuptoj takimin e kryeministrit Edi Rama dhe të zyrtarëve tanë me zyrtarët më të lartë serbë është edhe kjo: ne e kemi fituar luftën dhe, siç e ka thënë Uinston Çërçilli i mençur, fitimtari, gjithmonë e gjithkund duhet të tregohet shumë zemërgjerë.

– Si ju duk fjalimi i Edi Ramës në Serbi para Vuçiçit?
– Studiuesit e veprave të Shekspirit edhe në kryeveprën e tij, në “Hamletin”, mund të gjejnë ndonjë ide, ndonjë fjali, a ndonjë pamje, që do ta hiqnin prej saj. Edhe unë do ta hiqja ndonjë fjali prej atij fjalimi, por në përgjithësi fjalimi i Edi Ramës ju po thoni para kryeministrit Vuçiç e unë do të thosha para opinionit serb, shqiptar e evropian ishte fjalim i menduar shumë mirë, fjalim me rrezatim të gjerë politik. Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike dhe intelektuale për klasën politike serbe dhe kjo e vërtetë e nderon politikën shqiptare në përgjithësi.

– A mendoni se bëri mirë kryeministri Edi Rama që promovoi “Kurbanin” e tij në Beograd, një libër e rrëfim përplasjesh në Tiranë?
– Edi Rama nuk është vetëm kryeministër, nuk është vetëm politikan, por Edi Rama është edhe intelektual e krijues, është piktor e grafist, edhe publicist e eseist i rendit të parë. Mund të keni vërejtur se në Evropë, kudo e kurdo është në vizita zyrtare, tregohet nderim për Edi Ramën kryeministër i Shqipërisë njëkohësisht duke pasur parasysh edhe prestigjin e tij intelektual, të treguar, të shprehur, natyrshëm, në të gjitha paraqitjet e tij.
Le të dihet se botuesi i “Kurbanit” të Edi Ramës ka botuar edhe romanin e Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”.

Nuk duhet të befasoheni me përurimin e veprës së Edi Ramës, “Kurbani”, në Beograd. Serbia ka shumë traditë në përurimet e veprave të politikanëve e të shtetarëve të vdekur e të gjallë të popujve të ndryshëm evropianë e botërorë në përgjithësi në prani a në mungesë të tyre. Po ashtu, mund t’ju përkujtoj se para një kohe, nuk e mbaj mend para një viti a ndonjë muaj më pak, në Beograd u përurua edhe romani i Veton Surroit “Ambasadori i Melkizedekut”.

Përurimi i librit publicistik të Edi Ramës me vlera të theksuara edhe letrare “Kurbani” mua më bëri përshtypje të veçantë, qoftë edhe pse në këtë mënyrë u tregua sipëria e politikanit tonë, e kryeministrit tonë, jo vetëm në krahasim me kryeministrin Vuçiç.

– Po deklaratën për Trepçën, kur Rama tha se nuk mund ta nxjerrim nga Kosova, si e lexuat?
– Me atë deklaratë kryeministri Edi Rama, me dhuntinë e tij krijuese, ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha, shumë të mëdha: e para, i tha Serbisë se Trepça është resurs i madh, tepër i madh, natyror, që kurrsesi, me kurrfarë mjetesh, nuk mund të nxirret prej vendit natyror, gjeografik, ku gjendet – prej Kosovës dhe, e dyta, se Kosova është shtet i pavarur dhe më vete, që vendos vetë, pavarur, për të gjithë dhe të gjitha, që janë në hapësirën e saj gjeografike, njerëzore e shtetërore.

– Pati reagime nga Prishtina zyrtare, ku në njëfarë mënyre iu kërkua Tiranës të mos ndërhyjë, apo reagimi u perceptua keq?
– Ndaj paraqitjes zyrtare dhe intelektuale të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish, domethënë në Serbi, pati shumë, vërtet shumë reagime të zyrtarëve, të medieve dhe të individëve të ndryshëm në Prishtinë e në Kosovë në përgjithësi dhe pati shumë reagime në Tiranë si ndaj asaj paraqitje të Edi Ramës në Serbi ashtu edhe ndaj atyre reagimeve në Prishtinë.

Numër i madh i këtyre reagimeve në Prishtinë e në Tiranë ishte i pushtuar prej idesh, mendimesh, ndjenjash, pasionesh të pakontrolluara, pothuaj iracionale, megjithëse disa ishin paramenduar si shumë “racionale”! Për shumëkënd këto reagime në Prishtinë e në Tiranë mund të jenë befasi e madhe, e papritur e madhe! Si është e mundur që komunikimi midis Prishtinës e Tiranës, qoftë intelektual qoftë politik, të çoroditet, të degradojë, të fundoset deri në atë shkallë?

E nuk do të duhej të befasoheshim aq shumë për shkak të atij kaosi që u tregua në këmbimet e mospajtimeve ndërmjet Prishtinës zyrtare e jozyrtare dhe Tiranës kryesisht jozyrtare për paraqitjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi. Ide, mendime, ndjenja, që më përshtrirshëm e më vrazhdë u shprehën kësaj radhe, janë shprehur, por në trajtë më të rrudhur e më të zbutur edhe më përpara dhe janë shprehur prej disa individëve e përmes disa individëve edhe prej disa institucioneve kryesisht shkencore, arsimore e kulturore.

Por, të lëmë anash fyerjet, paragjykimet dhe marrëzitë që arrijnë deri në mosdurim, të mos them deri në urrejtje, në disa reagime të disa gazetarëve, publicistëve, pedagogëve universitarë dhe të thuhen pak fjalë për dy çështje: e para, për “përzierjen” e Shqipërisë në punët politike të Kosovës dhe, e dyta, për idenë e krijimit të kombit kosovar.
Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës u thanë, përpos të tjerash, edhe këto fjalë:

“Përsa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-ja ose BE-ja. Prandaj, ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë instrumente që të ushtrojnë ndikim”.

Gazeta Shqiptare

Hetuesit e Prokurorisë Speciale ende në DSK, nuk ka bashkëpunim

katica-janevaEkipi i Prokurorisë Speciale po vazhdon të qëndrojë në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit për të tërhequr dokumentacione dhe dëshmi lidhur me ate se kush ka kryer përgjimet. Prokurorja Speciale, Katica Janeva në konferencën e mbajtur me gazetarët në ora 01.00 pasmesnate theksoi se punët kanë ngecur dhe se nuk ka bashkëpunim nga DSK, edhe pse për këtë rast ka vendim gjyqësor për kryerjen e detyrës, informon INA.

Prokurorja Speciale theksoi se tanimë 12 orë janë në DSK, por punët po ngecin dhe se ende janë në pikën zero.

“Me urdhër gjykate kërkojmë që të sigurojmë në DSK të gjitha numrat e evidentuar që kanë qenë lëndë e përgjimeve, për të cilat dyshojmë se gjendjen në sistemet momentale. Nga veprimet e deritanishme, DSK manifeston mungesë të kapaciteteve teknike dhe njerëzore, por ne nuk duam të insinuojmë se cilat janë motivet. Jemi të dëshpëruar se si një institucion shtetëror nuk ka resurse teknike dhe njerëzore ti përgjigjet në urdhëri gjyqësor. Po ngecim në vend dhe nuk ka rezultate”,theksoi Prokurorja Speciale, Lençe Ristovska.

Sipas saj, në këtë drejtori ka qenë edhe drejtori i Drejtorisë së Sigurimit Publik, Mitko Çavkov dhe më pas edhe zëvendësministri i brendshëm Oliver Andonov.

Janeva tha se Çavkov i ka thënë se është i pranishëm në ate drejtori për tu kujdesur për policët që janë aty, ndërsa Andonov ka ardhur dhe nuk ka treguar respekt dhe se nuk është përshëndetur me prokurorët e speciales.

Janeva theksoi se kanë hyrë në DSK për të mësuar se kush ka përgjuar, DSK apo shërbime të huaja. Ajo tha se nuk tërhiqen nga kjo drejtori pa siguruar dokumentacionin e nevojshëm dhe në rast se do jetë e nevojshme do të qëndrojnë me ditë të tëra, deri edhe më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Prokuorja Speciale Janeva gjithashtu informoi se sot në këtë prokurori do të mbahet konferencë me mediat ku do të publikohen dy raste të reja.(INA)

Jutarnji: Ndarje mes maqedonasve dhe shqiptarëve, Moska pas Gruevskit

putin1Gazeta e njohur kroate “Jutarnji List” përmes një analize thekson ndikimin e theksuar rus në Maqedoni dhe tentimin për destabilizimin e tij, transmeton INA.

Në analizë shkruan se ky shtet që edhe më tej është pa emër për shkak të kontestit me Greqinë, praktikisht tanimë disa muaj nuk po funksionon.

“Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 11 dhjetor, mirëpo çështja është se ato a do të sjellin zgjidhje”, thekson gazeta.

Më tej thuhet se vendi përballet me ndarje dhe qëndrime kontradiktore të opsioneve maqedonase dhe atyre shqiptare. “Edhe këtu Rusia mund të ketë rolin e saj kryesor, pasi që është e njohur se ajo përkrahë ‘kryeministrin teknik’ Nikolla Gruevski dhe presidentin Gjorgje Ivanov, të cilët me vendimin për amnestimin për aferën e përgjimeve kanë nxitur krizë në Maqedoni. Nga ana tjetër, Brukseli qëndron në anën e udhëheqësit opozitar Zoran Zaev”, nënvizon analiza e gazetës së mirënjohur kroate. (INA)

zaristaANALIZA E PLOTE: PIKAT E NXEHTA NE BALLKAN

http://www.jutarnji.hr/vijesti/hrvatska/zarista-koja-mogu-planuti-prijetnja-kaosa-nadvila-se-nad-zemlje-bivse-sfrj-u-regiji-cvjetaju-nestabilnost-i-uzajamna-napetost-a-sve-koristi-putin/5155072/

Marrëveshja me FMN-në, Civici: Rezultate pozitive. Test mbetet viti 2017

civiciPër Ardian Civicin, marrëveshja trevjeçare e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka arritur rezultate pozitive.

“Duke filluar nga fakti i ekzistencës së suficitit primar, nga rritja ekonomike në nivelin mbi 3 për qind. Realizimi i të ardhurave, megjithëse është nën shifrën e planifikuar, gjithsesi është më i lartë se një vit më parë”, deklaroi Civici.

Por, sipas tij, jo të gjitha objektivat janë arritur sipas parashikimeve fillestare.

“Problem mbetet borxhi publik, i cili duhej të fillonte që në vitin 2015 të ulej. Në të vërtetë është në stanjacion dhe në disa raste ka edhe tendenca rritjeje. E njëkohësisht inflacioni, i cili do të kërkojë më shumë se një vit që të rikthehet në segmentin 2 deri në 4 për qind”, shtoi më tej Civici.

Misioni i FMN-së ka mbërritur këtë të enjte në Tiranë për të diskutuar buxhetin e vitit 2017, i cili përkon me zgjedhjet.

“Historia 25-vjeçare e tranzicionit shqiptar ka treguar që buxhetet e viteve elektorale kanë qenë gjithnjë buxhete me shumë elementë populistë brenda”, deklaroi në vijim Civici.

Qeveria ka lajmëruar rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërkohë që shkurti i vitit 2017 shënon edhe fundin e marrëveshjes me FMN-në, duke ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhë më pas?

“Për të parë nëse Shqipëria ka nevojë edhe për një 4-vjeçar kontroll nga FMN-ja, apo siç ka ndodhur edhe në vitin 2008, mund të kalojmë në statusin e artikullit 4, pra marrëdhënie konsultuese dhe rekomanduese me FMN-në”, përfundoi Civici.

/ Top Channel

Prokuroria Speciale heton Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim

shkupiProkuroria Speciale Publike e Maqedonisë, gjatë të enjtes, ka prezantuar dy raste të reja rreth hetimeve për keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ana e funksionarëve të lartë të dikasterit të kulturës si dhe ish-zyrtarë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Hetimi i këtyre rasteve është koduar si “Toplik” dhe “Tenderët”.

Prokurorja Fatime Fetai e cila është pjesë e ekipit të prokurorisë Speciale Publike, duke prezantuar rastin “Toplik” ka bërë të ditur se është dëmtuar buxheti I shtetit të Maqedonisë në vlerë prej mbi 1 milion euro, pasi një ish funksionarë i lartë i dikasterit të transportit dhe lidhjeve ka nënshkruar një kontratë të paligjshme.

Rasti i dytë i emëruar si “Tenderët”, ka sqaruar prokurorja Fatime Fetai, ka të bëjë me keqpërdorimet që ka bërë një funksionar i lartë i Ministrisë së Kulturës.

Ai, akoma pa u mbyll tenderët, ka ndikuar që firma private, “Beton” nga Shtipi, të shpallet fituese për të ndërtuar objektin e muzeut të VMRO-së në qendër të Shkupit si pjesë e projektit ‘Shkupi 2014’ dhe shumë objekte tjera shtetërore të cilat kapin vlerën prej disa milionë euro.

“Ekziston dyshimi se është kryer vepër penale “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”.

“Korrupsioni dhe kultura dallojnë sipas koncepteve të jetës”, ka thënë prokuroja Fatime Fetai.

Gjatë konferencës për media, prokurorja tjetër Lence Ristevskaështë fokusuar dhe në dhënien e detajeve që kanë të bëjnë me hetimin që ka filluar gjatë ditës së djeshme në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe që është në vijim e sipër duke nënvizuar se ky hetim do të vazhdojë deri në zbatimin e plot të urdhrit gjyqësor.

“Të dhënat që i kërkojmë janë të rëndësisë kritike, nga këto të dhëna do të shohim se cilat numra kanë qenë lëndë e përgjimeve”,ka thënë Ristevska.

Por, ajo që është specifike, mbete bashkëpunimi mes Prokurorisë Speciale Publike dhe Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim i cili po shkon vërtet shumë vështirë, ka theksuar ajo.

Prokurorja Ristivska ka konfirmuar se deri më tani nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim për tu zbatuar urdhrin që ka dhënë gjykata.

Ristovska nuk ka mundur ta parashikonte nëse në këtë Drejtori, do të ndodhë asgjësimi i materialit, i cili do të mund të ishte objekt hetimi.

“Ne nuk mund t’i kontrollojmë hyrjet dhe daljet e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Mendoj se atje punojnë njerëz profesionistë dhe e dinë se është vepër penale shkatërrimi i të dhënave me rëndësi”, ka thënë Ristevska.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Prokurorja Speciale Publike me ekipin e saj ka hyrë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim me ç’rast ka kërkuar nga policia sekrete t’ia dorëzojë të gjitha dokumentet lidhur me rastet e përgjimeve nga viti 2008 deri më vitin 2015.

Për të hyrë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Prokuroria Speciale Publike ka siguruar bazë juridike nga Gjykata, pasi që, siç kanë nënvizuar nga Prokuroria Speciale policia sekrete e Maqedonisë, më shumë se gjashtë muaj ka refuzuar ti përgjigjet “speciales” për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për hetime.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili është kuadër nga partia maqedonase në opozitë, për opinionin ka bërë të ditur se janë tejkaluar obstruksionet të cilat i janë bërë Prokurorisë Speciale Publike nga ana e strukturave të caktuara të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Me këtë, sipas tij, janë krijuar kushtet që prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva me ekipin e saj ka arritur të ketë qasje deri te dokumentet, të cilat janë lëndë e hetimit të tyre, duke krijua kushte që të zbatohet urdhri gjyqësor.

“Ka pasur obstruksione dhe tentativa për anulim të procedurës, por ato tanimë janë tejkaluar dhe ekipi në krye me Janevën, ka arritur të ketë qasje deri te dokumentet të cilat janë lëndë e hetimit të tyre. Specialja e kryen punën për të cilën ka ardhur dhe gjithçka do të sigurohet që të respektohet dhe zbatohet urdhri gjyqësor dhe kërkesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale Publike”, ka theksuar Spasovski.

Por, zëvendësi i tij, Oliver Andonov, nga radhët e VMRO DPMNE-së e cila parti drejtohet nga ish – kryeministri Nikolla Gruevskika theksuar se ministri Spasovski në kundërshtim me ligjin ka formuar një komision i cili do ti hapë rrugë prokurores speciale që të ketë qasje në dokumentacionin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim që është lëndë hetimi.

Ndryshe edhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkovpas mesnate ka theksuar se Prokurorja Speciale publike me ekipin e saj, siç ka theksuar joprofesional, mund të shkaktojë pasoja mbi operacionet që janë në rrjedhë e sipër dhe të cilat janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare. (REL)

“Është qesharake” që Kosova të shtyhet për kufi

d-serverEksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk duhet të shtyhet me Malin e Zi për çështjen e kufirit, pasi Mali i Zi shpejt do të bëhet anëtar i NATO-s dhe do të ketë fuqinë e vetos për pranimin e Kosovës. Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për Gjykatën Speciale dhe për ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një të ashtuquajtur periudhë të ngrirë të normalizimit të marrëdhënieve. Negociatat në nivelin teknik po ashtu po hasin në vështirësi. A mendoni se duhet ndryshuar diçka?

Danier Serwer: Ju e dini, Kosova është shtet sovran, Serbia është shtet sovran. Në rrethana normale, shtetet sovrane vendosin vetë se si duan të ndërveprojnë në baza bilaterale. Sikur amerikanët, edhe evropianët duhet të tërhiqen heshturazi nga ky proces. Do të ketë gjithmonë momente kur ndihma evropiane dhe amerikane është e nevojshme, por marrëdhëniet midis shteteve normale sovrane kërkojnë dialog pothuajse të vazhdueshëm për çështjet që i prekin ato. Nuk duhet të ketë diçka që do të paraqiste shqetësim për Uashingtonin në baza ditore.

Radio Evropa e Lirë: Dialogu, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, nuk i ka përmbushur kërkesat e qytetarëve kosovarë – këtu mendoj sidomos për liberalizimin e vizave me BE-në. A mendoni se edhe BE-ja duhet të ndryshojë qëndrimin e saj?

Daniel Serwer: Koha kur Kosova ka kërkuar heqjen e vizave nuk ka qenë shumë e mirë, sepse ka ndodhur në mes të krizës me migrantët nga Lindja e Mesme. Po ashtu ka ndodhur kur shumë njerëz nga Ballkani kanë shkuar në mënyrë të paligjshme në Bashkimin Evropian. Mendoj se Kosova duhet të dëshmojë se mund të veprojë në përputhje me kërkesat për heqjen e vizave dhe të mos dërgojë njerëz në mënyrë të paligjshme në Evropë. Amerikanët do t’i kishin shqetësimet e njëjta, nëse Kosova do të kërkonte heqjen e vizave me SHBA-në – çfarë shpresoj se do të ndodhë një ditë.

Radio Evropa e Lirë: Situata në Kosovë dhe qasja e Serbisë ndaj saj varen në masë të madhe se si Rusia luan me letra. Cili mendoni se është qëllimi përfundimtar i Kremlinit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi?

Daniel Serwer: Mendoj se Kremlini po përpiqet t’i bëjë lëmsh gjërat në Ballkan sa më shumë që mundet – në radhë të parë për të parandaluar anëtarësimet në NATO dhe në radhë të dytë anëtarësimet në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE nuk është një çështje e menjëhershme, por anëtarësimi në NATO është. Rusët kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në Mal të Zi, në përpjekje për ta bllokuar atë, por kanë dështuar. Është e qartë se do të dështojnë edhe në Kosovë. Nuk kam dyshim. Sapo Kosova t’i bëjë forcat e saj të sigurisë në përputhje me NATO-n, pres që ajo t’i përmbushë edhe kriteret e tjera që kërkon anëtarësimi. Mendoj se 95 përqind e qytetarëve të Kosovës e duan anëtarësimin në NATO. Ndryshe është në Serbi, natyrisht. Por, sapo të bëhet Mali i Zi anëtar i NATO-s, e shpresoj që edhe Maqedonia, edhe Kosova, nuk do të kishte kuptim për Serbinë që të mos bëhet anëtare. Rusia ka frikë se po e humb betejën në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë, që një vit, tensionet midis partive në pushtet dhe opozitës janë të larta. Opozita kundërshton fuqishëm demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Tash për tash, ky proces duket në qorrsokak. Si e shihni ju?

Daniel Serwer: Nuk shoh asnjë rëndësi në mosmarrëveshjen me Malin e Zi. Nuk besoj se njerëzit seriozë në opozitë shohin ndonjë problem serioz në kontestin kufitar me Malin e Zi. E gjithë kjo ka të bëjë me politikën e brendshme të Kosovës, jo me Malin e Zi. Sipas mendimit tim, politikanët e zgjuar do ta pranonin këtë kufi. Është çmenduri të ketë shqetësime për të. Është edhe më çmenduri të mendohet se dikush në Uashington do të shqetësohet për të. Shtetet sovrane i zgjidhin çështjet me shtetet fqinje sovrane. Kosova e ka bërë këtë me Maqedoninë dhe i ka përmirësuar shumë marrëdhëniet me Maqedoninë. Pres që e njëjta gjë të ndodhë me Malin e Zi. Mali i Zi do të bëhet anëtar i NATO-s dhe është qesharake për Kosovën, që po ashtu synon NATO-n, të shtyhet me një anëtar të NATO-s për kufirin. Mali i Zi, me t’u bërë anëtar i NATO-s, do të ketë fuqinë e vetos për pranimin e Kosovës. Nuk kanë kuptim grindjet për këtë çështje. Çështja e kufirit vetëm po shfrytëzohet politikisht.

Radio Evropa e Lirë: Përveç demarkacionit, Kosova po ashtu përballet me sfidën e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, e cila pritet të nisë punën së shpejti. Ka pasur shumë spekulime që nga lajmi për themelimin e saj… Aktakuzat pritet të rrisin tensionet, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. A mund t’i dëmtojnë aktakuzat të arriturat politike në Kosovë?

Daniel Serwer: Natyrisht se do të shkaktojë disa tensione të menjëhershme politike në Kosovë, por asnjë qytetar nuk duhet të kundërshtojë mbajtjen përgjegjës të njerëzve të dyshuar për krime lufte ose krime kundër njerëzimit nga një gjykatë e drejtë. Do të shohim se cilat do të jenë aktakuzat. Nuk e di se si mund të jenë.

Por, qëndrimi im ndaj tyre është njësoj si për veten time. Nëse dikush më akuzon mua, unë duhet të shkoj dhe të mbroj veten në gjykatë. Kështu pres edhe nga njerëzit tjerë. Disa njerëz të shquar në Kosovë e kanë bërë një gjë të tillë në të kaluarën dhe ata meritojnë të vlerësohen për këtë. Por, është e qartë se kjo gjykatë ka qëllim të zgjidhë disa probleme me mbrojtjen e dëshmitarëve në veçanti, por edhe me kufizimet në juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila nuk i mbulon ngjarjet pas luftës. I akuzuari do të duhet të shkojë të mbrojë veten dhe dikush mund të jetë i suksesshëm. (REL)

Wrestling apo duele politike?

Wrestling apo debat politik? Kjo nuk qe gjithmonë e qartë. Por prej tyre doli një fitues i qartë politik.

clintonQetësi, mos brohorisni, mos fyeni – moderatorët e tri dueleve televizive mes Hillary Clinton dhe Donald Trump dukeshin si të ishin mësues që kishin përpara një klasë të pabindur së cilës duhet t’i tërhiqnin vazhdimisht vëmendjen.

Akuza, fyerje, kërcënime, thashetheme se Trumpi konsumon kokainë apo kërkesë nga ana e Trumpit për provë për doping për Clintonin – debatet kishin të bënin pak me politikën dhe ngjanin me një ndeshje politike wrestling në baltë. Për ekstremizëm dhe ekzocentrizëm u shqua sidomos në debatet një dhe dy kandidati i konservatorëve Donald Trump. Kurse “Hillary Clinton i zhvilloi debatet sikurse pritej.” – thotë për DW-në Kathleen Hall Jamieson, drejtore e Public Policy Center të Universitetit të Pensilvanisë.

Për shkak se debatet ishin pak të përqëndruara tek politika dhe më tepër një “nonstop action-wrestling” është e pamundur që të bësh një krahasim të planeve politike dhe të pozicioneve të dy kandidatëve, sqaron politologia Kathleen Hall Jamieson. Për këtë arsye sipas saj debatet ishin larg qëllimit të tyre.

Shancet për Hillary Clinton shtohen

Megjithatë debatet e patën një efekt, shton Jamieson. Sipas analizave të saj të bëra në bazë të sondazheve me 5000 vetë, “Trumpi pas debateve i ka humbur votat e të pavendosurve.” Po ashtu pas debateve është shtuar edhe numri i atyre që duan të votojnë për Hillary Clintonin me bindje dhe jo sepse duan të votojnë kundër Trumpit është shtuar.

Këtë e vërtetojnë edhe analizat e mjaft sondazheve të tjera, si ato të blogut FiveThirtyEight. Para debatit të parë më 28 shtator shancet e Trumpit për të fituar ishin 45%, kurse tani ato janë 13%.

Kuota të larta shikimi

Duelet mes kandidatëve për presidentë u ndoqën prej miliona vetësh, si drejtpërdrejt në TV edhe në Youtube apo platforma të tjera. Të paktën sa u përket kuotave të shikimit Clinton dhe Trump e kanë ngritur nivelin mjaft lart. “Disa njerëz i kanë ndjekur duelet sikur të ishin gara me makina, ku në çdo moment njëra makinë do të përplaset me tjetrën.” – thotë politologia Jamieson. “Natyrisht që askush nuk do që të ketë të plagosur, por është i mrekulluar kur ndodh sepse vazhdimisht mund të ndodhë ndonjë gjë e papritur. (dw)

Ç’solli takimi Merkel – Putin?

Takimi Merkel – Putin shihet si impuls i rëndësishëm për qetësimin e konfliktit.

merkel-putin1I ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë, Gernot Erler, tha pas takimit Putin, Merkel, Hollande dhe Poroshenko, se gjatë tij ishte “arritur më tepër se sa kishte menduar ai”. Plani për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut është shumë i rëndësishëm, sepse në të kaluar lidhur me këtë ka pasur mosmarrëveshje, shtoi ai.

Erleri e quajti “surprizuese” marrëveshjen për një mision të armatosur policor të OSBE-së për të ndihmuar për përgatitjen e e zgjedhjeve lokale në rajonet rebele lindje të Ukrainës. Kancelarja Merkel nga ana e saj, tha në konferencën për shtyp, se ky mision nuk është urgjent, sepse fillimisht duhet përgatitur një ligj zgjedhor.

Një marrëveshje tjetër me rëndësi është për largimin e minave nga disa zona. Deri tani hapa të tillë janë ndërmarrë për tri zona dhe do të pasojnë edhe katër të tjera.

merkel-putinImpuls i rëndësishëm për qetësimin e konfliktit

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Franz Josef Jung, e quajti takimin një impuls të rëndësishëm për qetësimin e konfliktit. Tani duhet të shihet nëse palët do ta respektojnë dhe realizojnë planin për Marrëveshjen e Minskut, sepse pjesa më e madhe e marrëveshjeve për të cilat ishte rënë dakord deri tani, nuk ishin realizuar “për shkak të mungesës së vullnetit nga palët e konfliktit, sidomos të separatistëve ukrainës dhe të Rusisë.” – theksoi Franz Josef Jung.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të informojë gjatë takimit të radhës të BE-së këtë javë në Bruksel kryetarët e shteteve dhe të qeverive për takimin e Berlinit. (dw)

Maqedoni, prokurorja Janeva në zyrat e DSK

janevaNë Maqedoni, një ekip i Prokurorisë së Posaçme e kaloi natën në zyrat e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim (DSK) në pritje të qasjes tek dokumenta që kanë të bëjnë me përgjimet në masë të bisedave telefonike.

Të mërkuren, kryeshefja e Prokurorisë së Posaçme, Katica Janeva e cila hyri në DSK për të hetuar çështjen, tha se DSK po krijon pengesa për të zvarritur hetimet.

Ndërkaq, nga shërbimi sekret kanë thënë se sistemi është në pronësi të operatorit dhe vetëm një person i autorizuar nga ai do të mund të kryejë “selektime të masave të veçanta hetimore”.

Me urdhër të gjykatës, zonja Janeva kërkon nga shërbimi sekret të zbulojë se kush dhe përse i bëri përgjimet telefonike, kush ishte porositësi dhe a është i përfshirë dikush nga jashtë, siç pretendohej në fillim të skandalit nga drejtues të pushtetit në Maqedoni.

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se prej muajsh është përpjekur të bisedojë me DSK dhe është ankuar për mungesë bashkëpunimi nga drejtori i këtij shërbimi. Kjo prokurori synon të marrë të dhëna për të gjitha bisedimet e përgjuara, nga viti 2008 deri në 2015.

Skandali i përgjimeve u publikua në fillim të vitit të kaluar nga drejtuesi i opozitës, Zoran Zaev. Mendohet se janë mbi njëzet mijë biseda të regjistruara të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe personaliteteve të tjera në Maqedoni. Në një pjesë të tyre dëgjohen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të pushtetit duke folur për manipulime zgjedhore, trysni ndaj bizneseve dhe medias.

Pas shumë muajsh, ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefi i shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhanë dorëheqjen, po ashtu edhe njëri nga personat më të ekspozuar në skandal, ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski. (voa)

Mbyllet debati i fundit Clinton-Trump

trump-clintonDebati i tretë dhe i fundit mes kandidatëve presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump po mbahet në Las Vegas, dhe filloi pa shtrëngim duarsh mes tyre, një shenjë e acarimit të retorikës së fushatës.

Dy kandidatët hynë në sallë dhe menjëherë zunë vend pas podiumeve. As familjet e tyre nuk u përshëndetën para fillimit të debatit.

Temat përfshinë gjykatën e lartë, imigracionin dhe ekonominë, dhe politikën e jashtme.

Debati duket se po përqendrohet më shumë tek politikat, megjithëse pati momente të tensionuara, si përshembull kur zonja Clinton i tha zotit Trump se do të ishte “një kukull e zotit Putin”, ndërsa zoti Trump tha se presidenti rus ishte treguar më i zgjuar se ajo.

Zoti Trump, nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij se zgjedhjet janë të manipuluara megjithëse vajza e tij, Ivanka dhe kandidati i tij për nënpresident Mike Pence kishin thënë se ai do ta pranonte rezultatin.

Ai tha: “Do t’ju them kur të vijë koha”. Kur drejtuesi i debatit, këmbënguli në pyetjen e tij, zoti Trump tha: “Do t’ju mbaj pezull”.

Zonja Clinton tha se fakti që zoti Trump nuk do që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse humb, është “i tmerrshëm”.

Zonja Clinton thotë se do të emëronte anëtarë të Gjykatës së Lartë, që do të vazhdonin “traditën e madhe”, që të mbronin të drejtat e të gjithë amerikanëve.

Ajo i quajti emërimet e presidenciale për gjykatën, një çështje qendrore në zgjedhje sepse tregon se çfarë vendi janë Shtetet e Bshkuara.

Kandidatja demokrate tha se do të emërojë anëtarë gjykate që mbrojnë të drejtat e grave, homoseksualëve dhe gjithë popullit amerikan, jo korporatave dhe te pasurve.

Edhe zoti Trump tha se është shumë e rëndësishme që të emërohen anëtarët e duhur në Gjykatën e Lartë. Ai premtoi se do të emërojë anëtarë që nuk pranojnë abortin dhe që interpretojnë Kushtetutën amerikane, ashtu siç e kishin interpretuar themeluesit e vendit.

Megjithëse dy kandidatët thonë se e mbështesin Amendamentin e Dytë, që mbron të drejtën e armëmbajtjes, zonja Clinton tha se duhet të ketë më shume rregulla, ndërsa zoti Trump tha se e drejta për armëmbajtje është nën sulm.

Zonja Clinton premtoi se do ta mbrojë abortin e legalizuar, ndërsa zoti Trump nuk pranoi të thoshte direkt nëse mendon se vendimin për legalizimin e abortit duhet përmbysur.

Zoti Trump tha se zonja Clinton do që të shpallë amnisti për imigrantët e paligjshëm. Ai gjithashtu akuzoi zonjën Clinton se do që të hapë kufirin.

Ai tha se nëse bëhet president ai do të garantojë që “burrat e këqij”, duke përdorur fjalën spanjisht për burrat, të deportohen sa më shpejt.

Clinton tha se ajo është më e zonja për sigurinë e kufirit, por se ajo është kundër planeve të zotit Trump. Ajo tha se planet e tij për të dëbuar mijëra banorë pa dokumenta, do të ndanin familjet.

Përsa i takon ekonomisë, zonja Clinton tha se plani i saj ekonomik do të krijojë shumë mundësi për amerikanët e klasës së mesme.

Ajo tha se plani i saj do të hapë 10 milionë vende të reja pune dhe se do t’i gjejë fondet duke i detyruar të pasurit dhe korporatat që të paguajnë përqindjen e duhur të taksave.

Zoti Trump e quajti planin e zonjës Clinton për taksat, katastrofik dhe që sipas tij do të sjellë si rezultat rritje masive taksash. Ai premtoi se do të rinegociojë Marrëveshjen për Tregëtinë e Lirë, NAFTA.

Kandidati republikan i hodhi poshtë përsëri akuzat se kishte ngacmuar disa gra. Ai tha se nuk “i kishte kërkuar falje as gruas së tij”, pasi siç tha ai, nuk kishte bërë asgjë. Ky pohim bie ndesh me një intervistë të bashkëshortes së tij Melania, ku ajo thotë se ai kishte kërkuar ndjesë.

Zonja Clinton akuzoi zotin Trump se kishte vënë në shënjestër “dinjitetin dhe vetëbesimin” e grave dhe se të gjitha gratë e kuptojnë se çfarë ndjesie shkakton një gjë e tillë.

Nga ana e tij zoti Trump e akuzoi zonjën Clinton se nuk ishte një përkrahëse e vërtetë e të drejtave të grave.

Përsa i takon politikës së jashtme, Hillary Clinton tha se nuk do të dërgonte trupa tokësore në Irak, pasi Shteti Islamik të mposhtet në Mosul.

Ajo tha gjithashtu se Syria do të mbetet një vatër terrorizmi përsa kohë të vazhdojë lufta civile, duke shtuar se do të këmbëngulë për një hapësirë të sigurt ajrore dhe zona të sigurta për të mbrojtur civilët.

Zonja Clinton tha se kjo do t’i jepte një avantazh Shteteve të Bashkuara me rusët dhe sirianët për të arritur një marrëveshje.
Zoti Trump tha se Mosuli ra në kontrollin e Shtetit Islamik për faj të administratës së zotit Obama, përfshirë zonjën Clinton si Sekretare e Shtetit.

Ai tha se Irani duhet të falenderojë Shtetet e Bashkuara se, duke thënë se Irani “po merr nën kontroll” Irakun.

Ai tha gjithashtu se Presidenti sirian, Bashar al-Assad është më i fortë se zoti Obama dhe se vendimet e këqija që të Shteteve të Bashkuara, janë pjesërisht përgjegjëse për katastrofën humanitare në Siri.

Debati u mbyll siç filloi: pa shtrëngim duarsh të kandidatëve.

Ai i quajti shumë nga refugjatët që po ikin nga Siria, mbështetës të Shtetit Islamik, ndërsa zonja Clinton tha se nuk do t’ia mbyllte kurrë portën grave dhe fëmijëve. (voa)