“Cygnus” niset drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës

cugnysNjë anije hapësinore pa ekuipazh po i drejtohet Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar për të dërguar furnizime.

Anija hapësinore “Cygnus” u lëshua sot në orët e para të mëngjesit nga platforma e NASA-s në shtetin Virginia, rreth 200 kilometra afër kryeqytetit Uashington, duke u ofruar njerëzve në bregun lindor amerikan një pamje spektakolare.

Anija “Cygnus” dhe ngarkesa e saj prej 2 tonësh ushqimesh dhe paisjesh pritet të mbërrijnë të dielën në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Anija hapësinore është në pronës të firmës amerikane “Orbital ATK”, e cila është një ndër dy kompanitë private të kontraktuara nga NASA për të transportuar furnizime në stacionin hapësinor.

Dy vite më parë, kjo kompani humbi raketën “Antares”, e cila shpërtheu vetëm pak sekonda pas lëshimit, duke shkatërruar anijen hapësinore dhe i krijuar një dëm prej 15 milionë dollarësh platformës së lëshimit.

Analistët britanikë parashikojnë tensione ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

trepcaÇështja e “Trepçës” vetëm sa ka thelluar dallimet dhe kjo do të ketë ndikime negative në dialogun Kosovë-Serbi, ka parashikuar gazetari i njohur nga Britania e Madhe, Misha Glenny.

Gjatë një bisede për “Kohën Ditore”, në kuadër të Forumit të Sigurisë i mbajtur javën e kaluar në Beograd, Glenny është shprehur se dialogu do të futet në një fazë të vështirë dhe të paparashikueshme.

“Mendoj se popujt nga të dyja anët kërkojnë që të veprohet me kujdes në procesin e dialogut. Problemi i “Trepçës” është vetëm në fillim, prandaj duhet gjetur mënyra të arsyeshme për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë Glenny. Sipas tij, në botën moderne ekonomia e tregut është e hapur dhe se ai nuk i takon ekskluzivisht vetëm një vendi apo qeverie.

Për “Trepçën” dhe problemet në dialogun Kosovë-Serbi ka folur edhe James Ker Lindsay, profesor në Institutin e Londrës për Shkenca Politike dhe Ekonomi (LSE).

Ai ka thënë se çështja e “Trepçës” në mënyrë të pashmangshme do t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, në periudhë afatshkurtër. Sipas tij, “Trepça” ka qenë gjithmonë çështje shumë e ndjeshme, por që nuk është adresuar asnjëherë. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Dita kundër varfërisë, BB: 45% e shqiptarëve, më pak se 5$ në ditë

varferia-albSot është Dita kundër varfërisë. Në gjithë vendin janë të shumta ato familje që kanë nevojë për ndihmë për të mbijetuar.

14.3 për qind e popullësisë në vitin 2012 jetonte me më pak se 5 mijë lekë në muaj. Ndërsa sipas Bankës Botërore, 45.5 për qind e shqiptarëve jetojn me më pak se 5 dollarë në ditë.

Në Ditën kundër varfërisë, ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi u bë pjesë e një nisme që synon të ndihmojë familjet më të varfëra, që jetojnë pa banesë dhe t’u ofrojë atyre një punë të sigurtë.

/ Top Channel

Ligji për Trepçën – Zhvillim i ndërmarrjes apo mollë sherri mes Prishtinës dhe Beogradit

trepcaInstitucionet e Kosovës, thonë se “Trepça” në tërësi është në pronësi të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër pretendon se në strukturën e pronësisë, aksioneri më i madh është Fondi për Zhvillimin i Republikës së Serbisë.

Parlamenti i Kosovës dhjetë ditë më parë miratoi ligjin për Trepçën, që e shndërron këtë gjigant metalurgjik në një ndërmarrje publiko-private, ku qeveria e Kosovës është aksionere me 80%, ndërsa, punëtorët e saj, me 20 %. Ky ligj u kundërshtua ashpër nga qeveria në Beograd dhe përfaqësuesit serb në qeverinë e Kosovës, ndonëse këta të fundit, sipas zyrtarëve të qeverisë ishin të përfshirë në draft-ligjin për Trepçën. Ministrat serb në qeverinë e Kosovës, kundërshtimin e tyre tashmë e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar siç thonë, se parlamenti i Kosovës ka bërë shkelje ligjore kur me ligj i ndërroi statusin Trepçës.

Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas miratimit të Ligjit për Trepçën, tha se ai “nuk e kupton se çfarë ka dashur të arrijë Prishtina me ligjin për Trepçën”.

“Nuk e kuptoj se çka kanë arritur me këtë, çka dëshirojnë të fitojnë dhe të bëjnë. Cila është ideja, që të thonë se e gjithë prona është e tyre, nuk është”, tha Aleksandër Vuçiq.

Por çfarë përmban ligji për Trepçën?

Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, i tha DW-së, se gjatë hartimit të draft-ligjit për Trepçën, qeveria ka biseduar me të gjitha palët, përfshirë menaxhmentin e Trepçës në pjesën jugore të Mitrovicës ku janë minierat dhe menaxhmentin në pjesën veriore ku janë shkritoret dhe të gjitha kërkesat e tyre janë përfshirë në ligj.

“Draft-ligji është bërë edhe me ekspertizë ndërkombëtare që përfshin pronësinë, metodën e qeverisjes, organizimin e njësive thelbësore të Trepçës se si do të funksionojë dhe mundësinë e investimeve private në kuadër të njësive të reja që mund të krijohen. Pra, pronësia është 80% e qeverisë dhe 20% e punëtorëve që i bie që tash kemi një ndërmarrje publiko- private”, thotë Sokol Havolli.

Ai thotë se mineralet nëntokësore janë pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo përcaktohet qartë me kushtetutë. “Pra mineralet me kushtetutë janë pronë e Republikës së Kosovës dhe çdo kompani që bën eksploatimin e mineraleve, shtetit të Kosovës duhet t’ia paguaj taksën minerare, ndërsa, asetet e punëtorëve kanë të bëjnë me makineritë, mirëpo, gjithëssi kur të bëhet shpërndarja e fitimit, 80 % do të shkojë te qeveria dhe 20% te punëtorët. Modalitet për punëtorët që përfshinë edhe pagat e tyre dhe orarin e punës do të rregullohen me statutin për Trepçës”, thotë Havolli.

Para se të miratohej ligji për Trepçën, punëtorët serb që punojnë në shkritoret e kësaj ndërmarrjeje që gjenden në pjesën veriore protestonin duke kundërshtuar ligjin, sepse, ata kërkonin që Trepça në pjesën veriore të regjistrohej si ndërmarrje e veçantë. Kjo sipas shefit të kabinetit të kryeministrit Sokol Havolli, nuk është pranuar nga qeveria.

“Një kërkesë e punëtorëve serb të veriut nuk është marrë parasysh. Ata kërkonin që Trepça e pjesës veriore të regjistrohej si ndërmarrje e veçantë dhe kjo nuk është pranuar nga qeveria e Kosovës për faktin që kjo merrte konotacionin politik dhe këtë ne e konsiderojmë si një presion i përfaqësuesve nga Beogradi ndaj punëtorëve serb që ta kundërshtojnë ligjin”.

Sipas zotit Havolli, shkritoret në pjesën veriore nuk janë funksionale dhe qeveria në ligj e ka parashikuar, se duhet një bashkëpunim me sektorin privat që do të thotë ndërtimin e shkritoreve të reja.

“Të gjithë punëtorët janë pajtuar ashtu siç e parasheh edhe ligji që secila njësi e Trepçës të jetë e pavarur në kuptimin e profitit dhe kjo nxit konkurrencën në punë. Qeveria do ta bëjë edhe shpërndarjen e një pjese të taksës minerare për komunitetin dhe kjo shpërndarje kap shifrën e 20%.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tashmë disa herë ka deklaruar, se “Fondi Zhvillimor i Serbisë është pronari më i madh i Trepçës”.

“Qeveria e Serbisë, ka të drejtë të iniciojë procedurë të arbitrazhit kundër Kosovës dhe qeveria serbe do të angazhojë ekspertë të njohur ndërkombëtarë në këtë çështje. Ne do të përdorim të gjitha mjetet për të mbrojtur atë që është e jona”, thotë Marko Gjuriq.

Por këto pretendime hidhen poshtë nga qeveria e Kosovës. Sipas, Sokol Havollit “i ashtuquajturi fond i investimeve serbe”, është krijuar në kohën e Milosheviçit dhe për këtë arsye për qeverinë e Kosovës ai fond është i dyshimtë. Sipas tij, për pasuritë e Kosovës nuk mund të shkohet në arbitrazh me askënd.

“Kjo është e qartë, se çdo pronë në Republikën e Kosovës është pronë e Kosovës dhe kjo është përcaktuar qartë edhe me pakon e Ahtisarit dhe më vonë me Kushtetutën e Kosovës dhe ato janë tendenca të kota të Serbisë. Fondi për investime i Serbisë, të cilit po i referohet qeveria e Serbisë, është një fond i kohës së Millosheviqit dhe çdo gjë që përkon me këtë kohë për neve është e dyshimtë dhe e papranueshme. Mirëpo, megjithatë i gjithë dokumentacioni i mundshëm i kreditorëve potencialë do të trajtohet me kujdes konform ligjeve që janë të aplikueshme në Kosovë”, thotë Sokol Havolli.

Një vështrim retrospektivë

Por, ç’është gjiganti industrial Trepça. Pas Luftës së Dytë Botërore, Trepça nacionalizohet dhe shndërrohet në industri të mineraleve metalurgjike-kimike të plumbit dhe zinkut, e cila në atë kohë punësoi rreth 20.000 punëtorë dhe prodhonte rreth 70% të burimeve minerale të ish-Jugosllavisë.

Në shkurt të vitit 1989, kur Sllobodan Milosheviçi suprimoi autonominë e Kosovës, rreth 1.300 minatorë të Stan Tërgut një nga minierat e Trepçës, hynë në grevë urie në shenjë mbështetjeje të ruajtjes së autonomisë së Kosovës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe vendosjes së administratës së OKB-së UNMIK-u, në vitin 2000 ky mision mori përsipër menaxhimin e procesit të riaktivizimit të Trepçës. Kjo ndërmarrje që ishte nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për gjithë këto vite ajo funksionoi me kapacitete të limituara, apo siç thonë punëtorët e saj “sa për të mbijetuar”.

Njëri nga udhëheqësit e kombinatit metalurgjik Trepça, Ahmet Tmava, aktualisht drejtori i kombinatit, thotë se ishin minatorët ata të cilët kishin punuar që ta mbanin në këmbë këtë ndërmarrje. “Një nga resurset më me vlerë është posedimi i xeherores së plumb – zinkut, që llogaritet se ka afër 60 milionë ton rezerva. Aktiviteti minerar në funksion të eksploatimit të xeherores së plumb – zinkut në minierën e Stan Tërgut daton tash e 86 vjet më parë dhe ky aktivitet minerar ka krijuar te ne edhe traditë, histori dhe emocion dhe ka krijuar çdo gjë”, thotë Ahmet Tmava. Sipas tij janë minatorët ata që e kanë mbajtur gjallë këtë ndërmarrje.

Institucionet e Kosovës konsiderojnë se ndërmarrja “Trepça” në tërësi është në pronësi të Kosovës dhe paraqet pasuri të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër pretendon se në strukturën e pronësisë, aksioneri më i madh është Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë me rreth 57 për qind, ndërsa aksionerët e tjerë më të vegjël, kryesisht janë kompanitë dhe bankat serbe, si dhe disa aksionerë të huaj.

Aktualisht Trepça përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që radhiten kryesisht në tri komplekse të mëdha, në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës. (dw)

Gjukanoviqi mbetet në pushtet – me ndihmën e minoriteteve!

parlamenti-rmPartia e Millo Gjukanoviqit DPS fitoi shumicën dërmuese të votave. Por asaj i duhen partnerë në koalicion. Zgjedhjet u zhvilluan nën hijen e incidenteve dhe parregullësive.

„Millo nuk ka rënë, e kur do të bie nuk dihet”. Ky është një citat i përshtatur nga seriali dikur shumë i njohur televiziv në Mali të Zi për “Gjeknën”, që pasqyronte në mënyrën më të mirë mentalitetin malazez. Në Mal të Zi do të vazhdojë pra sundimi i Gjukanoviqit edhe pas 25 vitesh në pushtet, sepse Partia Demokratike Socialiste (DPS), me partnerët e saj kanë fituar më shumë se gjysmën e 81 mandateve në parlament. Kësaj radhe së bashku me subjektet e minoriteteve: aleancën e shqiptarëve “Forca”, Partinë Boshnjake dhe Iniciativën qytetare kroate. Ndërkohë që pritet edhe bashkëpunim me socialdemokratët e Ranko Krivokapiqit.

„Ju të gjithë jeni herojë, sepse nuk jeni frikësuar nga forcat që kanë bërë përpjekje të rrënojnë Malin e Zi. Ju e keni mbrojtur pavarësinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Kështu keni konfirmuar se Mali i Zi është i përhershëm”, tha Gjukanoviq, pas bërjes publike të rezultateve.

Blloku më i fuqishëm opozitar, Fronti Demokratik, ka organizuar vitin e kaluar protesta disamujore. Tani ka fituar 18 mandate në parlament, ndërsa koalicioni “Ključ” (Çelësi) 9 mandate. Një befasi pozitive paraqesin edhe demokratët e Aleksa Beçiqit, i cili është paraqitur për herë të parë në zgjedhje dhe është futur në parlament. “Kemi fituar 8 mandate – më shumë se sa është menduar”, tha Beçiq.

Partia SDP, e Ranko Krivokapiqit ka fituar 4 vende, ndërsa partia “Pozitivna Crna Gora”, e cila në fillim të vitit e ka shpëtuar qeverinë e Gjukanoviqit prej rënies nga pushteti, nuk e ka kaluar cenzusin prej 3% dhe ka mbetur jashtë parlamentit. Lideri i saj Pajoviq tha se ata e kanë shpëtuar Malin e Zi në janar, por tani do ta kenë radhën të tjerët.

Nëse bëhen një grumbullim i votave, mund të thuhet se DPS ka fituar më pak vota se e gjtihë opozita. Por së bashku me partitë e minoriteteve do të ketë shumicën. “Pozita e tyre nuk është e lehtë, ndaj nuk mund të përjashtohen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, thonë analistët.

Në votime ka pasur parregullësi të shumta. Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar ka paraqitur 117 parregullësi. Ndërkohë që qytetarët kanë lajumëruar edhe 500 raste të tjera. Dyshohet se partia në pushtet, DPS, i ka paguar njerëzit nga diaspora që të vijnë dhe të votojnë. “Është tepër heret të fleitet për rregullësinë apo jo të procesit zgjedhor. Për këtë do të flasim kur të kemi të gjitha informacionet”, tha drejtori i CEMI, Zlatko Vujoviq.

Hijen më të rëndë në këto zgjedhje megjithatë ka hedhur arrestimi i 20 serbëve, të cilët dyshohen për krijimin e një organizate kriminale dhe terroriste. Ndër të arrestuarit është edhe Bratislav Dikiq, ish-shefi i xhandarmërisë në Serbi. Ai dyshohet edhe për krime gjatë luftës së Kosovës.

“Dyshohet se ata kanë planifikuar që me armë të sulmojnë institucionet e shtetit dhe policinë, me qëllim që të shpallin fitoren e disa subjekteve të caktuara politike. Dyshohet poashtu se qëllimi i tyre ka qenë arrestimi i Gjukanoviqit”, kumtoi policia.  Por opozita pohon se partitë në pushtet kanë dashur me këto arrestime të krijojnë afera dhe të influencojnë votimet.

“Të gjitha këto i ka dirigjuar Gjukanoviqi. Në këtë mënyrë janë influencuar edhe zgjedhësit dhe mendoj se ky është një skandal i nivelit të Afrikës”, tha lideri i Demosit, Miodrag Lekiq.

DPS ka humbur Budvën

Të njëjtën ditë janë zhvilluar zgjedhjet edhe në disa komuna – Budvë, Kotor, Andrijevicë dhe Gusi. DPS ka kaluar më së keqi në Budvë, ku ka humbur shumicën pas 11 vitesh. Në humbjen e zgjedhjeve kanë ndikuar aferat e shumta, të cilat kanë rezultuar me burgosjen e dy ish-kryetarëve të bashkisë, si dhe Svetozar Maroviqit (president i dikurshëm i Federatës Serbi-Mali i Zi). (voa)

Shpërndahet Parlamenti i Maqedonisë

parlamenti-rmParlamenti i Maqedonisë u shpërnda me propozimin e Lidhjes Social Demokrate të opozitës dhe të partive më të vogla në aleancë me të, për t’i hapur kështu rrugën zgjedhjeve të planifikuara për më 11 dhjetor.

Me 110 vota për dhe asnjë kundër parlamenti vendosi për shpërndarje.

Lidhja Social Demokrate vlerësojnë se vendi për 10 vjetët e fundit po jeton në një agoni të nxitur nga VMRO-DPMNE që po i shkel, sipas tyre në mënyrë masive të drejtat e njeriut dhe po bën diskriminime në shumë fusha të tjera.

Ndonëse në qarqe politike është përfolur mundësia e shtyrjes së afatit të këtyre zgjedhjeve për shkak të mospërmbushjes së kërkesve të Prokurorisë së Posaçme, megjithatë pas vendimit për shpërndarjen e parlamentit, data 11 dhjetor pritet të jetë e cimentuar.

Tashmë partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE ka nisur fushatën; ish-kryeministri dhe drejtues i partisë, Nikolla Gruevski ka kërkuar dje në një miting 63 mandate deputetësh për t’iu kundërvënë, sipas tij, skenarëve të errëta të Zoran Zaevit me shokët e tij për shkatërrimin e vendit dhe për vendosjen e dygjuhësisë, siç u shpreh.

Ndërkaq, po sot Parlamenti mirtatoi buxhetin për vitin 2017 që kap vlerën prej 3.3 milionë Eurosh. (voa)

B.E. dhe ndikimi i Rusisë në konfliktin sirian

be-federica-mogheriniShefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Federica Mogherini thotë se B.E.-ja nuk është duke shqyrtuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për veprimet e saj në Siri. Zonja Mogherini foli me gazetarët përpara një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian BE-së që po zhvillohet në Luksemburg. Megjithatë, ajo nuk përjashtoi vendsojen e sanksione të mëtejshme ndaj regjimit të presidentit Asad në Siri.

Asnjë vend anëtar nuk ka paraqitur një propozim për sanksione të reja ndaj Rusisë, tha sot përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme Federica Mogherini.

“Kjo nuk është propozuar nga asnjë vend anëtar. Unë e kam parë këtë në media, por jo në mbledhjet tona. Në asnjë nga takimet tona nuk është ngritur çështja e sanksioneve ndaj Rusisë. Por ne kemi vendosur sanksione ndaj regjimi sirian dhe ka diskutime për mudësinë e intensifikimit të tyre.”

Zonja Mogherini vuri në dukje se sanksionet nuk janë i vetmi mjet që Bashkimi Evropian ka në dispozicion për të ushtruar trysni ndaj situatave dhe ajo tha se blloku do të përqëndrohet në të gjitha alternativat.

Të dielën, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry paralajmëroi për sanksione të mundshme ndaj Moskës në lidhje me situatën në Siri dhe kritikoi ashpër veprimet ushtarake të Rusisë atje.

Siria ishte një nga temat kryesore të bisedimeve të tij me Sekretarin e Jashtëm britanik, Boris Johnson të dielën. Çështja e Sirisë u diskutua edhe të shtunën në takimet e zotit Kerry me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe me diplomatë të tjerë.

Sekretari Kerry tha se zyrtarët janë të shqetësuar dhe të indinjuar nga shkatërrimi që ka goditur qytetin verior të Alepos. Ai tha se gjithçka mund të përfundojë, nëse Rusia dhe Siria vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.

Zoti Kerry tha se ai dhe ministrat e tjerë duhet të shterrin çdo mundësi për të gjetur një mënyrë për ndalimin e luftimeve. Marrëveshjet e armëpushimit janë shkelur gjatë pesë viteve të fundit të luftës në Siri, përfshirë armëpushimin e muajit të fundit në Alepo. (voa)

Prirjet e ushtrimeve fizike në SHBA

pajisje-matje-gjendjes-fizikePesha dhe të qenit në formë të mirë fizike janë bërë tashmë një mani për amerikanët. Një industri e tërë ka lindur për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi dhe për të nxjerrë fitime prej tij. Ashtu sikurse për çdo industri të re, edhe për formën fizike, çdo vit lindin prirje të reja.

Që nga viti 2000, është shtuar vazhdimisht numri i amerikanëve që janë anëtarë të palestrave. Kjo shifër tani ka arritur në mbi 50 milionë vetë. Kjo për shkak se një e treta e amerikanëve janë obezë dhe dy të tretat e tyre janë klasifikuar zyrtarisht si mbi peshë.

Njerëzit tani kanë gjithashtu prirjen ta masin gjendjen e tyre fizike me pajisje teknologjike në trup.

“Një prirje interesante për vitin 2016 është se pajisjet e reja janë shumë bazike për të matur gjendjen fizike dhe për të qëndruar në formë të mirë sportive. Shkenca është përqëndruar pikërisht në këtë aspekt dhe pajisjet e reja kryejnë matjet e nevojshme përmes një teknologjie të avancuar.”- thotë Amy Dixon.

Synimi i pajisjeve teknologjike që veshin njerëzit, është për ta bërë më të thjeshtë të qenit në formë të mirë fizike. Prirje e këtij viti është thjeshtësia e pajisjeve.

Ushtrimet fizike me pesha dhe stërvitja me intervale me intensitet të lartë nuk kërkon shumë pajisje, apo kohë.

“Më pëlqen shumë kjo pajisje. Të nxit për garë, është e shpejtë. Zhvillon ushtrime me intensitet të lartë, pastaj pushon pak për të marrë veten. Kombinon ushtimet kardio dhe ato të forcës,”- thotë Michelle Parker.

Në Shtetet e Bashkuara po ashtu vihet re një prirje për shtimin e stërvitjes për më të moshuarit.

Joga vazhdon të jetë një formë mjaft e përhapur e ushtrimeve fizike. Aleanca e Jogës thotë se këtë vit më tepër se 36 milionë amerikanë janë marrë me joga.

Por e gjithë kjo teknologji nuk mund të ndryshojë faktin që, sipas Këshillit të Presidentit për Gjendjen Fizike të njerëzve, vetëm një në tre të rritur kryejnë ushtrimet fizike të nevojshme për organizmin e tyre. (voa)

Sonda Schiaparelli përgatitet për zbritjen në Mars

sonda-schiaparelliNjë sondë eksperimentale e Agjencisë Evropiane të Hapësirës pritet të zbresë të mërkurën në Mars, në kuadër të misionit për të eksploruar atmosferën e planetit dhe për të kërkuar për shenja jete.

Kontrollorët e misionit në Gjermani e përshëndetën me duartrokitje shkëputjen e sondës Schiaparelli nga anija hapësinore, Trace Gas Orbiter, në përputhje me planin dje, pas një udhëtimi shtatë mujor, prej 496 milionë kilometrash nga Toka.

Sonda Schiaparelli do të dërgojë imazhe nga Marsi dhe do të bëjë matje shkencore të sipërfaqes së planetit, por synimi kryesor është vënia në provë e pajisjeve për një mision të ardhshëm në Mars.

Ndërkaq, anija vazhdon të udhëtojë në orbitë, duke analizuar gazet e atmosferës së Marsit për të zbuluar nëse ka aktualisht apo ka pasur më parë jetë në këtë planet.

Dy mjetet hapësinore janë pjesë e misioit ExoMars, një përpjekje e përbashkët e Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe Agjencisë Ruse Roscosmos.

Në fazën e ardhshme, programi ExoMars planifikon të dërgojë një sondë në Mars në 2020, të pajisur me instrumente për të studiuar përbërjen gjeokimike të planetit. (voa)

Mbajtja e zgjedhjeve – domosdoshmëri për Maqedoninë

Komisioneri i BE Johannes Hahn kërkon në Shkup që kushtet e zgjedhjeve të realizohen plotësisht. Qytetarët duhet të marrin pjesë lirshëm në to.

hahn-1Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, vizitën e tij në Shkup e filloi me një takim me kryeministrin teknik të Maqedonisë, Emil Dimitriev. Qëllimi i vizitës së Eurokomisionerit Hahn është kontrolli i zhvillimeve politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, veçanërisht në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 11 dhjetor të këtij viti si dhe zbatimin e prioriteteve të ardhshme reformuese. Në këtë takim, ashtu siç ka shkruar Hahn, në profilin e tij në rrjetin social Twitter, është biseduar për plotësimin e kushteve për zgjedhje të besueshme, zbatimin e reformave prioritare,  mbështetjen e punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP) dhe për emigrantët.

Para ardhjes në Shkup Hahni ka thënë se ka rëndësi që kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme të realizohen. “Marrëveshja e arritur gjatë verës së kaluar nga ana e të gjitha partive kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është një hap i mirë. Megjithatë, ky është fillimi, me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të realizohen plotësisht dhe qytetarët të marrin pjesë lirshëm në to”, u shpreh Johannes Hahn.

PSP meriton mbështetje të plotë

Mbajtja e zgjedhjeve të 11 dhjetorit duke respektuar Marrëveshjen e Përzhinës dhe funksionimin e Prokurorisë speciale është shumë domethënëse për Maqedoninë, ka theksuar Hahn. Pas takimit me Hahnin, prokurorja speciale Katica Janeva tha se ata kanë diskutuar për vazhdimin e mandatit të PSP-së dhe problemet me të cilat ndeshet ky institucion. Ajo pret që Parlamenti  të miratojë ligjet për punën e PSP para shpërbërjes.

“Pres që Parlamenti t’i miratojë ligjet deri në shpërbërje, shpresoj. Sa i përket themelimit të departamentit special gjyqësor, kjo nuk është obligim dhe punë e imja”, është shprehur Janeva.

Liderët politikë zotohen për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Eurokomisari Hahn ka zhvilluar takime edhe me dy liderët e partive politike shqiptare nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se ka marrë mbështetjen e Hahnit për jetësimin deri në fund të Marrëveshjes së Përzhinës. Për pyetjen se a do t’i mbështesë BDI ligjet e Janevës, Ahmeti thotë se deri në shpërbërjen e Parlamentit nuk ka kohë për marrëveshje të reja. “Mendoj se për të bërë ligje të reja duhet marrëveshje e re dhe aktualisht koha nuk premton për të bërë negociata mbi një marrëveshje të re. Shumë me rëndësi është të respektohet marrëveshja e arritur”, ka deklaruar kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.

Lideri i opozitës shqiptare , kryetari i PDSH-s Menduh Thaqi thotë se partia e tij do të mbështesë ligjet për PSP-në, por edhe balancimin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. PDSH, sipas Thaçit do të jetë partia e parë, e cila do të bojkotojë rezultatin definitiv zgjedhor në rast se i njëti bazohet në parregullsi zgjedhore nga pushteti.

“Ne jemi parti opozitare dhe jemi tërësisht, gjithë kohës të kujdesshëm që nënshkrimi dhe vota jonë asnjëherë të mos interpretohet si lidhje me një parti maqedonase.Deri në momentin kur do të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, VMRO dhe BDI nëse bëjnë një shkelje të vogël, përsëritje të shkeljeve në zgjedhjet e kaluara, këto zgjedhje do të jenë të pavlefshme dhe ne këto zgjedhje do t’i bojkotojmë”, ka thënë Menduh Thaqi.

OJQ-të kërkojnë pjesëmarje në bisedime

Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare të Maqedonisë janë takuar me  Eurokomisarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, dhe i kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me atë se si duhet të zgjidhet kriza politike. Përfaqësuesit e shoqërisë civile deklaruan se patjetër duhet të formohet një departament special, i cili do të punojë në procedimin e rasteve të Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Por për atë ata vlerësojnë se duhet të shpërbëhet Këshilli Gjyqësor dhe përsëri të rizgjidhet që të sigurohet paanshmëri, ka thënë kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë, Uranija Pirovska. Shoqëria civile, gjithashtu ka  kërkuar që të kyçet në bisedime, nëse do të ketë në të ardhmen, por jo drejtpërdrejt, por në cilësinë e mbikqyrësve. (dw)