Vali trondit gjykatën: Un jam shqiptar, mi hiqni prangat dhe ma sillni policin më të mirë maqedonas, t’ja tregoj qejfin!

valiPolicia maqedonase të martën ka përdorë dhunë edhe ndaj Val Zekajt nga Grupi i Kumanovës, njofton për Gazetën Lajm, avokati i tij Mefail Asllani. Asllani thotë se dhuna është ushtruar edhe gjatë sjelljes në gjykatë edhe gjatë kthimit në burgun e Shutkës. Shkaku për ushtrimin e dhunës sa është banal, aq edhe qesharak, vetëm për shkak se Val Zekaj është më i gjatë se “speciallcat” maqedonas që e sigurojnë. I revoltuar nga kjo dhunë qyqare, Val Zekaj ka bë një propozim në gjykatë, që e ka lënë pa fjalë edhe vetë gjykatësen e cila zhvillon procesin, kur ka kërkuar që të ndërpritet kjo dhunë qyqare dhe të ja sjellin policin më të mirë maqedonas që të përballen fer pa pranga.

“Vetë klienti im, Val Zekaj, kërkoi nga trupi gjykues, korrektësi dhe profesionalizëm, konkretisht nga policia e cila kujdeset për këta persona gjatë transferimit. Val Zekaj u tha unë jam i madh dhe jam shqiptar. Nuk kam çka ju bëj policëve maqedonas që janë me trup të vogël dhe në fotografi duket  Në qoftë se dalim jashtë protokollit dhe profesionalizmit dhe nëse policët kanë aq mllef ndaj meje dhe grupit, unë jam i gatshëm le të mi hjekin prangat, dhe të përballem me policin më të mirë maqedonas polic dhe ta shfryjmë mllefin, të ndërpritet dhuna dhe të vazhdojmë këtë proces gjyqësor ashtu siç i ka hije një procesi. Të vazhdojë dhe të kryhet”, thotë avokati Asllani, duke rrëfyer për paraqitjen e Val Zekajt në gjykatë.

“Valin mund ta vrasësh, por ta frikësosh nuk mundesh assesi”, shton Asllani.

Ai ankohet se edhe pse kanë alarmuar institucionet përkatëse, ato nuk po ndërmarrin asgjë për të ndërpre dhunën ndaj pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës. Kjo dhunë u ndërpre në disa seanca, por tani sërish ushtrohet .

“Alarmojmë të gjitha institucionet, nuk do t’i cekë me emër le ta gjejnë veten, të ndërmarrin masa, sepse dhuna ndaj këtij grupi vazhdon ende. Dhunë fizike dhe psikike.

Sa kemi informata, në rastin e Val Zekajt, dhunë është përdorë edhe para se ti sjellin në gjykatë  Është përdorë dhunë edhe fizike edhe psikike. Sharje dhe ofendime me bazë etnike.  Ne kemi lëshuar edhe padi ndaj policisë, për tejkalim të autoriteteve. Janë bë 10-11 muaj që kemi lëshuar padi dhe prej prokurorisë nuk kemi kurrfarë përgjigje.  Para disa seancave u ndërpre dhuna, kurse tani sërish është kthyer”, sqaron avokati Asllani.

Ai thekson se dhuna që përdorin pjesëtarët e njësisë speciale është tinëzare.

“Ne si palë mbrojtëse nuk kemi lënë moment pa kërkuar nga trupi gjykues të ndërmerr masa ndaj këtyre personave.

Gjykata na paraqitet vetëm se a ka nevojë për trajtim mjekësor. Mirëpo ata maltretohen nga policë pjesëtarë të njësitit special dhe është dhunë tinëzare, prandaj rrallëherë kemi gjurmë nga ajo dhunë”, thekson avokati Asllani.

Ndryshe, burime nga mbrojtja e Grupit të Kumanovës të martën kanë njoftuar se gardianët e burgut kanë maltretuar edhe një pjesëtarë tjetër të grupit, respektivisht Hajrush Avdijajn – Spirron, kurse maltretimin e ka filluar një polic shqiptarë, e pastaj i janë bashkangjitur edhe maqedonasit. (ina)

Misteri i përkthimit të Vetting-ut, Kushtetuesja riçon draftin në Venecia

gjykata-kushtetuese-albPërkthimi i ligjit të Vetting-ut mund të kthehet nga një çështje teknike në një çështje politike, të cilën opozita mund ta interpretojë si cënim të kredibilitetit të opionit të Komisionit të Venecias.

Top Channel ka mësuar se Gjykata Kushtetuese i nisi pasditen e së mërkurës një përkthim të ri Venecias, pasi kishte marrë të premten një ankesë me shkrim nga Partia Demokratike se varianti anglisht i ligjit të publikuar në faqen e Komisionit ishte i pasaktë dhe paragrafet thelbësore të tij nuk përputhen me variantin shqiptar të miratuar në Parlament.

Gjykata Kushtetuese konfirmoi se përkthimi i ri është bërë nga përkthyes të liçencuar të Ministrisë së Drejtësisë. Burime nga opozita bëjnë të ditur se versioni anglisht i çuar në Venecia është ai i misionit EURALIUS, marrë nga Gjykata Kushtetuese për të mos humbur kohë pas ankimimit nga Partia Demokratike.

Por Lulzim Basha ka deklaruar në grupin parlamentar të opozitës se ky version nuk paraqet versionin final të ligjit dhe se ka ndryshime thelbësore mes versionit të parë me përkthimin e ri. Për këtë arsye, Partia Demokratike i ka dërguar po të mërkurën një letër Komisionit të Venecias.

Top Channel mësoi se gjuha e përdorur në letrën e Oerd Bylykbashit nuk është aspak diplomatike. Opozita vë në dijeni Komisionin e Venecias për këto ndryshime mes versioneve, duke shprehur bindjen se një opinion i saj sipas versionit të pare me 17 nene të përkthyera keq do të çonte në një gjykim të gabuar.

Por ligji nuk është problemi i vetëm i Partisë Demokratike. Sipas saj, edhe Kushtetuta në anglisht, që është publikuar në faqen e Venecias, është e ndryshme nga Kushtetuta që ka miratuar me konsensus Kuvendi i Shqipërisë.

Opozita ngre shqetësimin se, në 3 nenet që lidhen me Vetting-un ka ndryshime të tilla që mund të manipulojnë dhe të ndikojnë opinionin e Venecias. Partia Demokratike thotë se ka konfrimuar zyrtarisht se versioni i Kushtetutës në anglisht nuk është çuar në Venecia as nga Kuvendi, as nga Gjykata Kushtetuese dhe as nga Minstria e Drejtësisë dhe si i tillë mbetet ende i paidentifikuar burimi prej nga e ka marrë Venecia.

Bashkë me këto dyshime, opozita i ka dërguar Komisionit një version të sajin në anglisht të Kushtetutës, duke shpresuar që ai të merret parasysh përpara vendimit final.

Ndërkohë, gjatë mesditës së të mërkurës dolën lajme të pakonfimuara se Venecia ka hartuar një draft paraprak të opinionit të saj, i cili lë në fuqi ligjin e Vetting-ut.

/ Top Channel

EULEX-i foli si partner i klanit “Pronto”

euleksADMINISTRIMI I PROCESIT TË HETIMIT, DEKLARATAT PUBLIKE KUNDËRTHËNËSE TË POLICISË, RRJEDHJA E TË DHËNAVE, KONTRADIKTAT SHKENCORE NË SHKAQET E VDEKJES, PËRGJITHËSISHT ANGAZHIMI I HETUESISË NË PROPAGANDË PUBLIKE MË SHUMË SE SA NË HETIME SERIOZE, E KANË BËRË PROCESIN E HETIMIT TË VDEKJES SË ASTRIT DEHARIT ABSOLUTISHT TË PABESUESHËM DHE TË DYSHIMTË. DHE PIKËRISHT NË KËTË MOMENT NË SKENË DEL EULEX-I PËR TË NA BINDUR SE HETIMET QENKAN KRYER SIPAS STANDARDEVE DHE SE QENKAN TË BESUESHME. PAS TË GJITHA ATYRE SHKELJEVE EDHE PROCEDURALE, E ETIKE, DHE PAS PËRFSHIERJES SË DREJTPËRDREJT TË NJERËZVE TË LIDHUR ME KLANIN PRONTO NË KËTO HETIME, ATO JO QË NUK JANË KREDIBILE, POR MË SHUMË NGRISIN DYSHIME PËR SYNIM TË FSHEHJES SË TË VËRTETËS SE SA ZBARDHJE TË SAJ. 

EULEX-I AS NUK ËSHTË I PAVARUR E AS I PAANSHËM. GJATË KOHËS SA SHËRBEJNË NË KOSOVË EULEX KA QENË SUBJEKT I SKANDALEVE TË SHUMTA DHE DYSHIMEVE TË MËDHA PËR INTERVENIME GJYQËSORE ME QËLLIME POLITIKE E DERI TE SKANDALET E SHUMTA TË KORRUPSIONIT. EDHE KËTO EULEX-I KISHTE THËNË QË I KANË HETUAR. DHE NUK KANË GJETUR ASGJË. MU SIKUR NË KËTË RASTIN E FUNDIT TË MONITORIMIT TË HETIMEVE TË PROKURORISË PËR VDEKJEN E ASTRITIT.

SI U BË QË EULEX NUK GJETI AS SHKELJEN MË TË VOGËL NË KËTË PROCES HETIMI? NUK JAPIN KURRFARË SHPJEGIMI PËR NGARENDJEN E SYLË HOXHËS PËR TA CILËSUAR RASTIN SI VETËVRASJE 1 ORË PAS RAPORTIT TË AUTOPSISË I CILI PËRKUNDËR KONTRADIKTAVE TË MËDHA SHKENCORE, NUK E SJELLË NJË PËRFUNDIM TË TILLË. EULEX NUK E SHPJEGON SE PSE KEMI KAQ SHUMË DEKLARIME ZYRTARE QË E PËRJASHTOJNË NJËRA TJETRËN PREJ POLICISË E CILA THA QË VDEKJA KISHTE ARDHUR SI REZULTAT I KONSUMIMIT TË MBIDOZUAR TË MEDIKAMENTEVE, E DERI TE DEKLARATAT QË ASTRITI KA VDEKUR RRUGËS, OSE SE AI KA PASUR PULS DHE FRYMËMARRJE NORMALE NË MOMENTIN KUR ËSHTË GJETUR NË QELI, QË KANË ARDHË NGA PERSONA TË NDRYSHËM PËRGJEGJËS BRENDA SHËRBIMIT KORREKTUES. 

EULEX-I NUK MUND TË SIGUROJË HETIME TË PAVARURA. AS NUK E KA KREDIBILITETIN MINIMAL PËR TË QENË TË PËRFSHIRË NË NJË RAST TË TILLË. KJO KOMUNIKATË FATKEQËSISHT SHIHET VETËM SI VAZHDIMËSI E LUFTËS PROPAGANDISTIKE PËR TA MBËSHTETUR KONSTATIMIN E SYLË HOXHËS ME PRONTO EPRORËT E TIJ. 

QYTETARËT E KOSOVËS SOT DUAN TA DIJNË TË VËRTETËN PËR VDEKJEN E ASTRITIT. DHE, NË LIDHJE ME KËTË, TA DISKUTOJNË KARAKTERIN E SHTETIT QË I VDESIN NJERËZIT NË BURG DHE QË NUK MERR ASNJË PËRGJEGJËSI. JO TË DËGJOJNË PROPAGANDËAGJITATIVE NË GJUHË TË NDRYSHME. PAVARËSISHT GJUHËN NË TË CILËN FLITET, PRA SHQIP OSE ANGLISHT NË KËTË RAST, KJO PROPAGANDË SYNON TA FSHEH TË VËRTETËN, DHE ASGJË TJETËR. (lvv)

Unioni i Komunave Shqiptare në Ballkan synon të zgjerohet

shqiponja-kinezeMe qëllim të krijimit të mekanizmave të bashkëpunimit, në Tiranë është krijuar Unioni i Komunave Shqiptare, që përfshin komunat kryesore që drejtohen nga shqiptarët në vendet e rajonit.

Me synimin për t’u zgjeruar tutje, ky union ka filluar me Bashkinë e Tiranës, Komunën e Prishtinës, atë të Tetovës, pastaj Ulqinit dhe Preshevës.

Drejtuesit e këtyre komunave tashmë kanë nënshkruar një platformë bashkëpunimi në fusha si urbanistika, mjedisi, arti dhe inovacioni.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se ideja për këtë Union është që komunat shqiptare në rajon të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe të shkëmbehen përvojat.

“Ideja është që të kemi një forum diskutimesh, shkëmbime të përvojave dhe me një sekretariat të përhershëm, ku ne do të mund t’i ndajmë të mirat, e pse jo edhe të mësojmë nga gabimet. Është vënë për herë të parë një komunikim i drejtpërdrejtë i komunave shqiptare të të gjithë rajonit”, ka shpjeguar Ahmeti.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Unioni është një platformë për të mësuar nga njeri tjetri. Sipas tij, me krijimin e këtij unioni, nuk ka arsye të shqetësohet askush.

“Është një platformë praktike për të mësuar nga eksperiencat e njëri tjetrit dhe sigurisht që ne do ta zgjerojmë iniciativën edhe me bashkitë dhe komunat tjera. Ky është vetëm një grup nismëtar për të mësuar. Çdo gjë ka qenë transparente në media dhe nuk besoj që po të kishim një agjendë të fshehur do ta kishim bërë kaq publike”.

“Besoj se këtu jo vetëm që nuk duhet shqetësuar, por duhet inkurajuar që të gjitha bashkitë e rajonit të fillojnë dhe të organizohen në forume ku të mësojnë më shumë se si menaxhohet më mirë qyteti”, tha Veliaj.

Ndërkohë, Shpend Ahmeti ka shpjeguar se hapi i radhës është formimi i një sekretariati i cili do të merret me takimet dhe caktimin e temave të diskutimit të komunave. Ai tha se për funksionimin e Unionit, të gjitha komunat do të kontribuojnë me një fond për funksionimin e tij.

“Do të mundohemi që rrjetin ta zgjerojmë edhe te komunat e tjera që kanë interesim të bëhen anëtare dhe të bashkëpunojnë dhe kontribuojnë në ketë drejtim”, tha Ahmeti.

Kurse, Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit, tha se Unioni do të ndihmojë në një bashkëpunim edhe më të madh të komunave shqiptare në rajon dhe, siç theksoi ai, kjo ndihmë do të jetë në risitë e urbanizmit e çështjeve të ngjashme.

“Do të jetë një eksperiencë shumë e mirë për të gjithë ne si kryetarë të komunave dhe besoj se kjo do të jap edhe rezultate. Kështu, në ketë formë, ne mund të forcojmë edhe urat lidhëse mes shteteve dhe ka qenë e panevojshme që kjo çështje të politizohet, pasi që aty nuk ka vend për politikë”, tha Cungu.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, formimin e këtij Unioni e ka quajtur lojë për fëmijë të vegjël dhe përrallë joserioze.

Megjithatë, ai ka thënë se ky veprim nuk u kontribuon marrëdhënieve të mira në Ballkanin Perëndimor, ndonëse, siç ka thënë ai, nuk duhet shqetësuar shumë për këtë.

“Kanë luajtur fëmijët dhe po mendojnë se duhet të bëjnë diçka të tillë, që të thonë se janë shumë të rrezikshëm. Janë shumë të rrezikshëm sa që aktrojnë para votuesve të tyre. Ja, unë po ju pyes, çfarë ka ndryshuar nga dje? Shkoni sot në Preshevë dhe më thoni se çka ka ndryshuar. Se mos e kanë ndarë një pjesë të Serbisë ose diçka të tillë? – Nuk do ta thosha këtë. Kështu që, le të luajnë fëmijët. Nuk jam brengosur shumë. Por, që kjo është e rrezikshme në kuptimin politik dhe atë psikologjik, nuk ka dyshim se është”, ka thënë Vuçiq.

Të dy, edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk kanë dashur që t’i japin vëmendje reagimeve nga qarqet dhe kreu politik në Beograd, por kanë deklaruar se janë reagime të tepruara.

Ahmeti thotë se Unioni do të mundohet që t’i ndihmojë qytetarët në vendet përkatëse.

“Janë reagime të tepruara për një diskutim brenda shqiptar. Atyre po ju pengon vet fakti që ne po diskutojmë”, tha Ahmeti.

Kurse kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se është punë e tyre, duke komentuar ata që bëjnë reagime.

“Kam përshtypjen që është çështje fokusi, unë jam shumë i fokusuar të menaxhoj kryeqytetin e shqiptarëve dhe nuk kam kohë për reagime”, ka thënë Veliaj.

Unioni i Komunave Shqiptare në rajon paraqet një lidhje të parë të këtij lloji që kanë ndërmarrë autoritetet lokale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali e Zi dhe Lugina e Preshevës. (REL)

Rasti Dehari përplas Kadri Veselin dhe Vetëvendosjen

lvvLëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kërkesën e saj për debat parlamentar në lidhje me vdekjen e aktivistit të këtij subjekti politik, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.

Por, një nismë e tillë nuk po merr mbështetjen e partive më të mëdha, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Seanca e Kuvendit, ndonëse nuk kishte në rend dite debatin për rastin Dehari, filloi me një lloj proteste të deputetëve të Vetëvendosjes. Tre deputetë të këtij subjekti politik u shfaqën para foltores së Kuvendit me pankartën në duar, ku shkruante: “Drejtësi për Astritin”.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka ftuar deputetët që të mbajnë seancë të jashtëzakonshme, duke kontestuar sërish rezultatet e autopsisë të prezantuara nga Prokuroria, sipas të cilave Astrit Dehari është vëtëvrarë dhe se vdekja erdhi si pasjoë e asfiksisë (bllokimit të organeve të frymëmarrjes).

Ndaj këtyre veprimeve dhe sjelljeve të Vetëvendosjes, në seancë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Kadri Veseli. Ai tha se përgjegjësia duhet të kërkohet edhe nga Vetëvendosje rreth vdekjes së Deharit, pavarësisht nëse në fund del se ishte vrasje apo vetëvrasje. Veseli tha se askush nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, e cila, sipas tij, duhet të ndriçohet deri në fund.

“Duhet të flitet për shkaktarët e vërtetë që e kanë shtyrë një djalë të ri që t’ia merr jetën vetvetes. Duhet të flitet për ata që e kanë nxitur. Duhet të flitet për një sistem të drejtësisë, për një sistem që duke e ditur se e kishte një vëlla të vetëvrarë e ka lënë në burg, përderisa tre të tjerë nën të njëjtën aktakuzë i ka lënë jashtë burgut”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, përveç se i ka kontestuar rezultatet e autopsisë në lidhje me vdekjen e Deharit, ka fajësuar organet shtetërore dhe ka përmendur edhe vet kryetarin Veseli si ndikues në rrjedhat e hetimeve.

“Së pari, Kadri Veseli po thotë se është vetëvrarë Astriti. Por, kjo gjë nuk po dihet. Pra, është e qartë që Astriti ka vdekur në burg dhe nuk ka kurrfarë hetimi kredibil për këtë çështje dhe konstatimi i prokurorit Sylë Hoxha, i cili është konstatim sharlatan, të cilit nuk i beson askush dhe është i nxitur nga organet e caktuara., e tash Kadri Veseli në fakt na tregoi se ky është nxitësi sepse ky e paska pranuar”, ka thënë Ymeri.

Kërkesa e Vetëvendosjes për debat dështoi, ngase gjatë votimit mori vetëm 26 vota për.

Një kërkesë për debat parlamentar lidhur me rastin Dehari ka iniciuar edhe shoqëria civile, e cila ka deponuar në administratën e Kuvendit peticionin me mbi 23 mijë nënshkrime të qytetarëve. Por, kjo nismë nuk është proceduar ende.

Vetëvendosje, si edhe shoqëria civile, si pika të përbashkëta kanë kërkesat për dorëheqjet e ministrave të Drejtësisë dhe atij të Punëve të Brendshme, si dhe kanë kërkuar përgjegjësi ligjore apo edhe penale nga përgjegjësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës.(REL)

Shqipëri: Rënie drastike e natalitetit

Dikur vendi i parë në Europë për numrin mesatar të lindjeve, me 7 fëmijë për një grua, aktualisht shifra ka zbritur drastikisht në 1.6. Ulja e lindshmërisë vjen si pasojë e tranzicionit politik e ekonomik në Shqipëri.nena-me-femijeO. Sh, nënë e një fëmije 4 vjeç ka bërë vizitë tek gjinekologia në Spitalin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku ka arritur të planifikojë abort për foshnjën një muaj e gjysmë. E kam të pamundur të rris dhe një fëmijë të dytë, tregon ajo Deutsche Welle-n. “Me pëlqimin dhe të bashkëshortit do ta ndërpres shtatzaninë. Sapo kam marrë një pozicion të lartë në kompaninë celulare, ku punoj prej rreth katër viteve. Burri im drejton një biznes privat dhe thuajse gjithë ditën është në punë. E kemi të pamundur të rrisim dhe një fëmijë tjetër, megjithëse e dimë që kjo do të ishte shumë mire për vajzën tonë 4 vjeçare që vazhdimisht na kërkon dhe një motër o vëlla”.

Në ambientet e jashtme së Spitalit obsentrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” Marta Hoxha është duke pritur nusen e djalit. Si gjyshe me 5 nipër e mbesa, Marta thotë se ardhja në jetë e fëmijëve është momenti më i gëzuar i jetës për prindërit. “Sot gjërat janë ndryshe, nënat e reja bëjnë llogari, duke dashur vetëm një fëmijë. Harrojnë se lindja i shërben dhe shëndetit të tyre dhe harmonisë në familje”, thotë ajo e emocionuar dhe e paduruar deri sa të ketë në shtëpi nipin e saj të sapolindur”.

Për lindshmërinë e fëmijëve ka opinione të ndryshme në Shqipëri, por ajo që pranohet nga të gjithë është fakti se numri i tyre ka ulje të dukshme nga viti në vit. Bazuar në statistikat zyrtare, nëse në vitin 1960 vendi ishte i pari në kontinent për numrin mesatar të lindjeve për një grua, që shkonte në 7. Por në vitin 2012 kjo kuotë u ul në 1.72 fëmijë për grua dhe aktualisht shifra ka arritur në 1.6. Duke ju referuar parashikimeve të statistikave, përllogaritet që në vitin 2028 në Shqipëri më shumë do të vdesin se sa do të lindin.

Është rritur mosha mesatare

Për ekspertët e demografisë reduktimi i numrit të lindjeve është shkaku kryesor për atë që thirret si “plakja e shoqërisë”. Këtë qasje graduale e konfirmojnë shifrat zyrtare të rritjes së moshës mesatare në vend. Nëse psh., në vitin 2001 mosha mesatare në vend ishte 26.6 vjeç, pas 10 viteve shifra shkoi në 32.5, nderkohë që vitin e kaluar mosha mesatare është 36.6 vjeç.

Profesori i sociologjisë Kosta Barjaba e shikon uljen e lindshmërisë të lidhur me tranzicionin politik dhe ekonomik në Shqipëri, ku në të njëjtën kohë po përjetohet edhe tranzicioni demografik. Sipas tij, ulja e lindshmërisë është një ndër aspektet më të dukshme të këtij tranzicioni. Duke shpjeguar arsyet kryesore prof. Barjaba përmend për Deutsche Welle-n atë që e përshkruan si stoku dhe flukset e larta migratore të shqiptarëve.

Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e mbështetjes për familjet e reja

“Shqipëria ka aktualisht jashtë vendit rreth një të tretën e popullsisë ose një numër emigrantësh më të madh sesa forca e punës. Arsye tjetër është sepse kushtet e reja politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore sjellja shoqërore, riprodhuese dhe familjare e shqiptarëve ka ndryshuar, duke shkaktuar edhe një modifikim të pikëpamjeve të familjeve, sidomos çifteve të reja, ndaj numrit të fëmijëve. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e politikave e programeve specifike për mbështetjen e familjeve të reja, të cilat janë ‘furnizuesit’ kryesorë të lindshmërisë, përbën një shkak tjetër”.

Prof. Barjaba rendit dhe kufizimin e mbështetjes sociale për familjet mbi dhe përreth vijës së varfërisë dhe alokimin e kësaj mbështetjeje vetëm ose kryesisht për të varfërit, si pasojë e kalimit të politikave anti-varfëri nga ulja e varfërisë nëpërmjet mbështetjes në uljen e saj nëpërmjet rritjes e zhvillimit. Sipas tij te reduktimi i lindshmërisë kanë ndikuar dhe aplikimi i programeve të planifikimit familjar apo rritja e vrullshme e divorceve  dhe zgjatja relative, më shumë sesa në shoqëritë e tjera, e periudhës mes divorcit dhe rimartesës. Po a është kjo një dukuri normale duke pasur parasysh trendet globale? Profesori i sociologjisë mendon se me këto ritme të uljes së lindshmërisë, e cila ka shkaktuar uljen e popullsisë, Shqipëria ecën përkundër prirjes globale të shtimit të popullsisë.

“Gjatë vitit 2011, për shembull, popullsia e globit është rritur me rreth 1.1%. Kjo rritje globale është rezultat i rritjes në ekonomitë e mëdha në zhvillim, si Kina, India, Brazili dhe disa vende të tjera të mëdha të Azisë. Ndërkohë, ulja ose humbja e popullisë është në sintoni me zhvillimet demografike -uljen e popullsisë- në vendet e industrializuara perëndimore. Vendi ruan, megjithatë, një avantazh demografik sepse ulja e ritmeve të rritjes është më e ulët se në mjaft vende të rajonit”.

Pasojat e uljes së lindshmërisë

Gjykuar nga efektet kryesore që shkakton ulja e treguesit të lindshmërisë për prof Barjabën, në rradhë të parë rritet përqindja e grupmoshave mbi 65 vjeç dhe e grupmoshave 15-64 vjeç në piramidën e popullsisë. “Si pasoja të tjera mund të përmendim uljen e përqindjes së grupmoshës deri në 15 vjeç në këtë piramidë; rritje e numrit të pensionistëve, moshat mbi 65 vjeç, që rëndon skemën e pensioneve dhe programet e sistemit të mirëqenies; rritjen e popullsisë në moshën e punës, 15-64 vjeç, që bën presion mbi tregun e punës, i cili nuk i thith dot flukset e popullsisë që dëshirojnë të hyjnë në treg nga jashtë tregut dhe kjo shkakton rritjen e papunësisë; gjithashtu këto zhvillime imponojnë kufizimin e karakterit kontributiv të sistemit të mirëqenies dhe lindin nevojën e politikave të ekzagjeruara rishpërndarëse”. (dw)

Bilanc katastrofal i Kosovës me Serbinë – po pse?

safetKosova importon më së shumti mallra nga – Serbia.

Kosova importon më së shumti mallra nga – Serbia. Bilanci i importit dhe eksportit me Serbinë është për Kosovën tepër negativ: Kosova importon mallra në vlerë prej më shumë se 360 milionë në vit nga Serbia, ndërsa në Serbi eksporton mallra në vlerë prej vetëm 6 milionë euro. Por jo të gjitha mallrat e importuara nga Serbia janë vërtetë “serbe”. Në Serbi kanë impiantet e tyre 3150 kompani të huaja – shumica dërmuese nga Evropa. Shumë prej këtyre prodhimeve vijnë më pas nga Serbia në Kosovë. Për shembull: ndër mallrat më të importuara përmes Serbisë në Kosovë janë stolitë e kompanisë italiane Svarovski. Bilanc shumë negativ të importeve dhe eksporteve Kosova ka edhe me Shqipërinë, sepse nga Shqipëria importohen mallra në vlerë prej 147 milionë euro në vit, ndërsa eksporti kap shumën prej vetëm 26 milionë euro.
Shkaqe pse Kosova nuk i shfrytëzon kapacitetet e veta për të sjellë kompanit të huaja në vend dhe prej këtu të eksportohet në vendet e tjera ka shumë. Por ndër shkaqet kryesore janë korrupsioni dhe pasiguria ligjore, sepse Kosova vërtetë ka kapacitete të jashtëzakonshme, sepse 68% e popullatës së Kosovës janë nën moshën 30-vjeçare. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se numri i kompanive evropiane që janë interesuar për investime në Kosovë është tepër i madh. Por kanë ndeshur në shumë probleme, më së shpeshti në korrupsion.
Por është fakt që Kosova ka eksportin më të dobët në të gjitëh rajonin. Serbia eksporton në vit mallra në vlerë prej 16 miliardë euro. Bosnje-Hercegovina rreth 6 miliardë. Maqedonia mbi 4,5 miliardë, ndërsa Kosova eksporton mallra prej vetëm 420 milionë në vit. (dw)

Shqipëria dhe FMN: Financat dhe Ekonomia reale

Studiuesit e ekonomisë shqiptare pohojnë se ndryshimi i formës së bashkëpunimit midis qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është një shenjë e qëndureshmërisë së financave.

civici-dhe-xhepaNga marrëveshja detyruese, që përfundon në muajin shkurt, vitin tjetër FMN mund të kalojë në marrëveshje këshilluese me Shqipërinë

Sipas tyre, rritja ekonomike është konfirmuar dhe kurba e borxhit publik shënon për herë të parë rënie këtë vit.

Por sa e rëndësishme është prania e FMN-së në zhvillimet e ekonomisë dhe financave shqiptare?

Studiuesit e ekonomisë besojnë se projekt -buxheti i ri 2017 ka parametrat e një buxheti të stabilizuar. “Ka Ulje të borxhit publik, eleminimin të deficitit buxhetor dhe arritja e një suficiti, sado që minimal, inflacioni vendoset në kufijtë 2-4 për qind dhe parashikohen disa reforma me rëndësi si reforma e ujit dhe ajo e drejtësisë” – thotë studiuesi Adrian Civici, president i Universitetit Europian të Tiranës.

Kjo qëndrueshmëri financiare, pohojnë studiuesit, u arrit falë bashkëpunimit me marrëveshje të detyrueshme me FMN, e cila përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, studiuesi Selami Xhepa thotë se Shqipëria ka ende shumë nevojë për praninë e FMN-së. Sipas tij, Largimi i FMN deri në vitin 2013 tregoi se drejtuesit e financave dhe ekonomia në tërësi nuk e kishin pjekurinë dhe qënsdrueshmërinë e duhur për të ruajtur parametrat makro-ekonomikë.

“Sot vendi është përsëri përballë një sfide të ngashme, pasi financat shqiptare e provuan dobinë e kërkesave rigoroze të FMN” – tha zoti Xhepa.

Marrëveshja e detyrueshme me FMN-në mund të ndryshojë nga marsi si një marrëveshje këshilluese, por kjo, pohojnë studiuesit, nuk nënkupton largimin e saj.

“Fondi do të vazhdojë të jetë i pranishëm për të bërë rekomandime dhe për të matur përgjegjshëmrinë e qeverisë, që të mos bëjë lojëra elektorale me financat dhe as masa populiste me pagat, të ardhurat etj., në një vit zgjedhor” – thotë zoti Civici.

Importet dhe konsumi janë të ngjashëm me vitin 2011 dhe 2012.

“Masat e forta fiskale dhe administrative për të disiplinuar tregjet nuk e kanë përmirësuar ekonominë reale të familjeve dhe të firmave shqiptare, ndërsa borxhet u shtuan” – thotë zoti Xhepa.

Ndaj, sipas tij, duhen parë me kujdes ndikimet e tyre në ekonominë reale si varfëria, papunësia, niveli i ulët i të ardhurave, dhe i fuqisë blerëse.

Studiuesit thonë se një transparencë më e madhe nevojitet mbi përdorimin e të ardhurave dhe borxheve, sepse shifrat janë ende të paplota.

Megjithatë FMN u ka kërkuar autoriteteve të vendosin me ligj objektivat për të ulur me një për qind cdo vit borxhin publik dhe të përdorin në gjysmë të viti vetëm gjysmën e huamarrjes së re, për të shmangur keqpërdorimet elektorale të fondeve.

Sepse herë të tjera ka ndodhur që në një vit elektoral fondet harxhohen të gjitha në gjysmën e parë të vitit. (voa)

Fundi i sëmundjes së Sidës? Eksperimentohet një vaksinë e re

sidaPrej tre dekadash çdo 1 dhjetor dëgjojmë raste tragjike të njerëzve të prekur nga sëmundja e Sidës. Virusi ka vrarë me dhjetra milionë njerëz në mbarë botën, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj, duke lënë jetim me miliona fëmijë. Por tashmë në prag të ditës botërore të luftës ndaj virusit HIV, vijnë lajme shprese. Në Afrikën e Jugut, një nga vendet me një shkallë të lartë prekje nga sëmundja, po eksperimentohet vaksina që mban nën kontroll virusin.

Prej ditës së parë botërore kundër Sidës në vitin 1988, ka patur shumë zhvillimeve. Vendet ku çështja konsiderohej tabu tashmë ofrojnë testim dhe trajtim. Nënat bartëse të virusit mund të kenë fëmijë të shëndetshëm dhe mund të jetojnë për t’i rritur ata. Ilaçet e mbajnë virusin nën kontroll dhe nuk e lënë të përhapet. Tashmë mjekët po flasin për një kurë ndaj sëmundjes.

Kërkuesit e fushës po testojnë një vaksinë tek mijëra vullnetarëve në Afrikën e Jugut, një proçes që sapo kanë ka nisur.

Ata po përdorin sistemin imunitar të vetë trupit për të mbajtur virusin nën kontroll. Një studim i zhvilluar nga universiteti i Pensilvanisë tregon se kjo është e mundur.

Ne injektojmë antitrupa tek pacientët, për të parë nëse ato mund të kontrollojnë virusin HIV, ta qetësojnë dhe të parandalojnë rikthimin kur ne e ndalojmë terapinë anti-retrovirale”, shpjegon doktor Pablo Tebas i Universitetit të Pensilvanisë.

Kontrollimi i virusit HIV me antitrupa është i ngjashëm me teknikën e imunoterapisë që zhvillohet për kancerin, duke përdorur proteina për të sulmuar qelizat kancerogjene. Virusi i HIV-it fshihet në qeliza. Nëse pacienti ndalon marrjen e ilaçeve kundër Sidës, virusi rikthehet.

Ajo çfarë po bëhet në onkologji dhe në terapinë ndaj kancerit, është përpjekja për të forcuar sistemin imunitar me qëllim eleminimin e qelizave kancerogjene. Problemi për të eleminuar virusin e fshehur HIV është i ngjashëm. Duhet të eleminosh qelizat që strehojnë virusin duke e bërë sistemin më aktiv në gjetjen dhe eleminimine tyre”, thotë doktor Pablo Tebas.

Kërkuesit dolën në përfundimin se antitrupat e ndrydhin virusin HIV për 21 ditë. Qëllimi është të gjendet një kombinim i antitrupave që mund të bëjë këtë për 6 muaj deri në 1 vit. Atëherë njerëzit e infektuar me HIV nuk kanë nevojë të marrin ilacë çdo ditë të jetës së tyre. Një tjetër test ku do të përdoren antitrupa do të nisë pas dy muajsh. (voa)

Jeta pas arsimimit të pazakontë në Universitetin Draper

arsimimi-uni-draperNë Luginën e Silikonit në Kalifroni ka shumë shkolla dhe programe që u mësojnë studentëve se si të fillojnë bizneset e tyre, por Universiteti Draper ka një teknikë të veçantë dhe të pazakontë të mësim-dhënies. Themeluesi, Tim Draper, thotë se qëllimi i programit është përgatitja nga ana mendore e pjesmarrësve për problemet dhe sukseset me të cilat mund të përballen në rolin e sipërmarrësit. Dy të diplomuar tregojnë historinë e jetës së tyre para dhe pas programit.

Jo rastësisht Christine Ntim jeton dhe punon 10 minuta larg aeroportit në Nju Jork.

E rritur në Haiti, asaj i pëlqejnë udhëtimet, të cilat edhe ndikuan tek ideja për të formuar Vendedy, që ofron të dhëna mbi tregjet në rrugë.

“Që nga stërgjyshërit e mi e deri tek prindërit të gjithë kanë qënë shitës në rrugë. Nuk e kisha kuptuar se kjo është një mënyrë jetese për shumë njerëz. Kështu filloi gjithçka.”

Ajo që e ndihmoi kompaninë e saj për të ecur përpara ishte një program në Universitetin Draper në Luginën Silikon, gjë që e ndihmoi të merrte një vendim jashtë realitetit që njihte.

“Jam rritur si shitëse rruge dhe di si të shes gjithçka, ndaj po të mos ndihem rehat, e di se kjo ishte një eksperiencë e re. M’u desh të shisja profilaktikë. Ishte e vështirë.”

Themeluesi i shkollës, Tim Draper, thotë se programi i nxit studentët që të mendojnë në mënyrë krijuese për të tejkaluar sfidat. Synimi i tij është të ushqejë ndjenjën e sipërmarrësit, duke i quajtur ata superheronj.

“Duhet të jesh elastik, i pathyeshëm, këmbëngulës dhe të jesh në gjendje të tejkalosh pengesa të mëdha që të arrish sukses.”

Universiteti ka studentë prej më shumë se 70 vendeve. Diplomantët kanë krijuar rreth 350 kompani.

Pakistanezja Asra Nadeem u ndje si në shtëpinë e saj.

“Duke qenë nga Pakistani, gjithë jetën më kanë thënë që nuk duhet të më dëgjohet zëri. Nëna ime gjithmonë shprehte pakënaqësi me tonin e zërit tim.”

Në të kundrët, ajo thotë se këmbëngulja e saj vlerësohet këtu dhe idetë e pazakonta përqafohen.

“Doja të ndërtoja qytete vertikale apo të nxirrja minerale nga asteroidë.”

Kur studentët u diplomuan me kostume të superheronjve, Nadeem thotë se u ndje krenare. ​

“Dikush që gjatë gjithë jetën është ndjerë se nuk përshtatet me realitetin përreth, tema e tregimeve me superheronj u përshtatet. Superheronjtë, po ashtu janë anomali në shoqëri, që ndjehen të huaj dhe papritur, këta njerëz me aftësi specuake sjellin mendime revolucionare kur punojnë së bashku.”

Kur Nadeem u diplomua, Draper i ofroi asaj një vend pune për shkak të vetëbesimit të saj.

Tani ajo punon për të mbështetur sipërmarrës të tjerë duke i udhëzuar si të përmbushin detyra të pazakonta. (voa)