Bruksel: Sërish takim i nivelit të lartë Prishtinë-Beograd

Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini ka ftuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë (01.02) në Bruksel, për raundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.

takimi PR BGPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, sërish ka ftuar në zyrën e saj, udhëheqësit politik të Prishtinës dhe Beogradit, për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Në takimin e radhës (01.02)Prishtinë – Beograd do të në Bruksel do të marrin pjesë të dy kryeministrat ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Mediet në Serbi, shkruajnë se në këtë takim do të marrin pjesë sërish edhe dy presidentët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti Tomisllav Nikoliq. Mirëpo, në Prishtinë, ende nuk konfirmohet pjesëmarrja e presidenti të Kosovës Thaçi. Ky i fundit dy ditë më parë shkroi në rrjetin social, se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Thaçi.

Nga ana e saj ministrja e dialogut në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për mediet lokale se takimi i një shkurtit në Bruksel, do të jetë në linjën e rikonfirmimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Janë tri çështje që do të diskutohen dhe të cilat po prolongohen nga Serbia. Është çështja e energjisë elektrike, përkatësisht pavarësimi i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës i njohur si (KOSTT), që po prolongohet nga ana e Serbisë. Është marrëveshja për drejtësinë dhe po ashtu edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Edita Tahiri.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga lista “Srpska”, ka kohë që kanë pezulluar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës për shkak të shkarkimit të një ministri serb nga kryeministri Isa Mustafa dhe për shkak të “mosgatishmërisë së Prishtinës zyrtare për të formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe”, argumentojnë ata.

Zëvendëskryeministri serb në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, thotë se përfaqësuesit e serbëve mund të mendojnë të kthehen në institucione, vetëm nëse ka përparim: “në çështjen e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Nuk e di nëse në takimin e Brukselit do të bisedohet për kthimin e ministrave serb në institucionet e Prishtinës. Është e rëndësishme për të vazhduar dhe të zbatohet ajo që duhet. Nëse ka një gatishmëri për të zbatuar atë për të cilën kemi dalë nga institucionet, atëherë, ne mund të mendojmë për kthim, e nëse nuk ka angazhim, unë nuk shoh se si”, citojnë mediet lokale serbe zotin Stojanoviq.

Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij, ka ftuar përfaqësuesit e serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, sepse vetëm aty mund të kontribuojnë për komunitetin e tyre.

“Unë dëshiroj që edhe njëherë të përsëris ftesën për serbët e Kosovës, që ata të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, në qeveri dhe kuvend dhe të punojmë bashkërisht për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim. Dëshiroj po ashtu të përsëris se qeveria është e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet nga dialogu edhe marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjen e parë, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në këtë proces”, tha kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e fundit të qeverisë. Sipas kryeministrit, ky proces do të jetë i hapur dhe transparent.

Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u shkaktuan pas tentimit të Serbisë që ta fusë një tren në Kosovë pa lejen e autoriteteve të Prishtinës dhe pas arrestimit nga policia franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar në një flet-arresti të Serbisë.

U desh ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogherini, që të thërrasë në Buksel nivelin më të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet. Takimi i parë i këtij niveli u zhvillua më 24 janar dhe ai u cilësua si mjaft i vështirë nga të dyja palët, por që sipas zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd, u arrit të ulen tensionet e kohëve të fundit. (dw)

Berlini dhe kriza e fundit në Ballkan

Ballkani hartaSi i sheh Gjermania tensionet e fundit në Ballkan, autokracinë në Serbi dhe perspektivën evropiane? Për këto çëshjte flasin tre deputetë gjermanë.

Brexit, kriza ekonomike, Trumpi… ka shumë probleme me të cilat aktualisht merret Komisioni i Bundestag-ut për Politikën e Jashtme. E megjithatë të mërkurën (26.01) ai gjeti kohë të trajtojë seriozisht edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Tre deputetë të këtij Komisioni thonë për Deutsche Welle-n se qëllimi i takimit ishte që Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë të interesuara për zhvillimet në këtë rajon.

Problemet me fushatat

Thorsten Frei, deputet i Partisë Kristiandemokrate (CDU) në këtë Komision, thotë se as Rusia dhe as Truqia nuk po flenë, kur bëhet fjalë për gjendjen në Ballkan. Ndërkohë që ende nuk dihet se cili do të jetë roli i SHBA-së, pas marrjes së postit të Presidentit nga Donald Trump. Roli i Rusisë është forcuar veçanërisht në Serbi. “Në Rusi kemi një sistem autokrat për të cilin më të rëndësishme janë lojërat gjeopolitike për pushtet se sa interesat e popullit serb. Nuk dua të mohoj lidhjet historike mes këtyre vendeve, por fakt është që raportet tregtare mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, e në veçanti Gjermanisë janë shumë më të fuqishme se ato me Rusinë. Në 15 vitet e fundit, nga BE në Serbi kanë shkuar donacione në vlerë prej rreth pesë miliardë Euro, ndërsa nga Rusia – asgjë, përveç ndoshta trenit të nisur së fundi për Kosovë”, thotë Frei për Deutsche Welle-n.

Ndryshe mendon deputetja majtiste, Sevim Dagdelen. “Qeveria federale duket qartë që nuk është e interesuar që Serbia si kandidate për anëtarësim në BE të jetë partnere e afërt me Rusinë. Nga Serbia po kërkohet që të ketë kurs antirus. Në këtë kontekst kërkohet normalizimi gjoja i raporteve me Kosovën, që do të detyronte Serbinë edhe të njohë pavarësinë e kësaj krahine që ka shpallur pavarësinë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thotë Dagdelen për DW.

Josip Juratoviq, deputet socialdemokrat (SPD), është i shqetësuar për shkak të tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Episodi me trenin, siç thotë, shtron pyetjen: në ç’drejtim po shkon Serbia – rrugës së Nikoliqit apo të Vuçiqit, i cili flet se i mbetet besnik procesit të integrimeve evropiane dhe se do të bëjë ç’është në mundësinë e tij për ta realizuar këtë qëllim. Juratoviq pohon se gjendjen në Ballkan e rëndojnë edhe fushatat elektorale atje, sepse shumë shpesh ka zgjedhje dhe fushata. “Ne tërë kohën kemi zgjedhje në ndonjë vend. Para ca kohësh ka pasur zgjedhje në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë e tani do të ketë edhe në Serbi. Partitë politike në këto vende nuk kanë asgjë konstruktive të ofrojnë dhe për këtë qëllim krijojnë tensione mbi bazën e të cilave i kanë fituar zgjedhjet me dekada.”

Në pyetjen se si e komenton faktin që presidentët e Serbisë dhe Kosovës kanë dalë edhe pas takimit në Bruksel me deklarata luftarake, Juratoviq thotë se nuk do të flas me emra, por ka shumë politikanë në rajon që nuk duan afrimin me BE-në. “Ata kanë krijuar në dekadat e fundit një sistem të përshtatshëm ku zotëron një gjendje gjysmë e qartë dhe në këtë kontekst janë dakord të gjithë nacionalistët.”

Juratoviq kërkon që të mos vazhdohet me diskutime nëpër seanca e konferenca pa fund, por të punohet konkretisht për projekte dhe reforma. E “në këtë drejtim duhet të ushtrohet presion”, thotë Juratoviq. (dw)

Albin Kurti: Qeveria e Shqipërisë nuk duhet ta lërë vetëm Kosovën

albin-kurtiAlbin Kurti deputet i Lëvizjes Vetëvendosje flet në “Koha Jonë” për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, arrestimi i Haradinaj, negociatat në Bruksel dhe një apel për Tiranën

Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se janë të gjitha gjasat për një konflikt të ri mes shqiptarëve dhe serbëve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kurti shprehet se sot në Beograd janë në pushtet të gjitha forcat politike që ishin në kohën e Sllobodan Milosheviçit. Ndërsa shton se edhe rritja e shpenzimeve ushtarake të Serbisë flet për mundësitë e një konflikti. “Serbia është duke u militarizuar ndërkaq ndikimi rus është duke u shtuar. Buxheti vjetor i Serbisë për ushtrinë e saj është 500 milionë euro. Sivjet ajo ka ndarë edhe 300 milionë të tjera për armatim të ri dhe mirëmbajtje të tij. Bosnja, Kosova, por edhe Mali i Zi janë në rrezik nga Serbia. Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen për fatin e mirë të kombit shqiptar”,- shprehet Kurti. Tensionet e kohëve të fundit me murin në Mitrovicë, arrestimin e Ramush Haradinajt dhe treni serb, sipas Albin Kurtit flasin për një ringritje të nacionalizimit shovinist serb me ndihmën e Rusisë.  I pyetur për rolin që duhet të luajë Tirana zyrtare në lidhje me Kosovën, Kurti shprehet se, shteti shqiptar duhet të mbledhë shqiptarët anembanë kufijve,pasi Kosova është tejet e rëndësishme për t’ia lënë atë vetëm qeverisë së Kosovës.

Z.Kurti  ditët e fundit shënuan një përshkallëzim të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas nisjes së  trenit serb të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicë, që megjithatë nuk hyri në Kosovë. Sa e kërcënojnë këto tensione paqen në Kosovë dhe rajon?

Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe me Kushtetutë e konsideron atë pjesë të saj. Asimetria në nisje të negociatave, e vazhduar me asimetrinë në proces nuk mund të rezultojë me simetrinë në rezultat. Serbia po homogjenizohet së brendshmi dhe kjo e ka shtuar hegjemoninë e saj së jashtmi. Tensionet aktuale janë pasojë. Të gjitha forcat e kohës së Milosheviçit janë kthyer në pushtet në Beograd veçse kësaj radhe praktikisht nuk kanë opozitë.

A është dështim për Kosovën, arrestimi i Haradinaj dhe lënia në fuqi e urdhër-arresteve ndërkombëtare nga ana e Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së?

Po. Qeveria e Kosovës është pasive ndaj regjimit antishqiptar të Serbisë dhe aktive kundër neve opozitës në Kosovë. Sepse atyre më shumë iu intereson pushteti mbi Kosovën sesa shteti i Kosovës.

Çfarë do të thotë për ju, ndërtimi i murit në Mitrovicë, ndërkohë që, vijojnë negociatat në Bruksel. A kanë dështuar negociatat dhe kujt i faturohet ky dështim?

Negociatat kanë dështuar për Kosovën, por jo edhe për Serbinë. Sepse negociatat ishin vetëm për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë tek, e cila nuk ka keqardhje dhe pendesë për krimet nga e kaluara. As që u shkon ndërmend të na kërkojnë falje. Në vitin 2006 Serbia e ka aprovuar Ligjin i cili i barazon çetnikët dhe partizanët kurse në vitin 2008 e ka aprovuar Ligjin për rehabilitimin e çetnikëve. Derisa të janë në pushtet Vuçiç, Daçiç e Nikoliç në Serbi nuk është i mundur ballafaqimi me të kaluarën. Në vend se ne t’ua bëjmë një mur politik e moral këtyre kriminelëve të luftës agresore, ata na e ndërtojnë tash murin fizik në Mitrovicë.

Pse nuk e kemi parë VETËVENDOSJE!-n aktive si në rastin e demarkacionit, për ndërtimin e murit në Mitrovicë, si dhe në rastin e provokimit serb me trenin nacionalist?

Ne kemi reaguar të parët dhe qysh herët. Ne kemi paralajmëruar këto ngjarje që nuk do të duhej të ndodhnin, por ja që moskokëçarja e qeverisë i mundësoi e lejoj ato. Treni e muri nuk ndalen me protesta në Prishtinë, por me mekanizma shtetërorë që kjo qeveri i përdor kundër VETËVENDOSJE!-s, por jo kundër Serbisë. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s muri as që do të lejohej të ndërtohej.

Duke parë gjithë këto zhvillimeve dhe tensione në rajon, a rrezikon rikthimi i një konflikti të hapur në Ballkan?

Po. Serbia është duke u militarizuar ndërkaq ndikimi rus është duke u shtuar. Buxheti vjetor i Serbisë për ushtrinë e saj është 500 milionë euro. Sivjet ajo ka ndarë edhe 300 milionë të tjera për armatim të ri dhe mirëmbajtje të tij. Bosnja, Kosova, por edhe Mali i Zi janë në rrezik nga Serbia. Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen për fatin e mirë të kombit shqiptar.

Është komentuar gjatë në Prishtinë dhe Tiranë, qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama në raportet me Serbinë. Afrimi i Tiranës zyrtare me Serbinë, e ka ndihmuar apo dëmtuar pozicionin e Kosovës?

Duhet të shikojmë përpara në këto kohëra vendimtare për vitet e ndoshta edhe dekadat në vijim. Qeveria dhe shteti shqiptar duhet të mbledhë shqiptarët anembanë kufijve që na ndajnë padrejtësisht dhe  njëkohësisht të fuqizojë aleancën rajonale me Zagrebin, Sarajevën dhe Sofjen. Kosova është tejet e rëndësishme për t’ia lënë atë vetëm qeverisë së Kosovës. Qeveria e Shqipërisë duhet ta ketë parasysh këtë.

A nuk është pak i tepruar nacionalizmi që predikon VETËVENDOSJE!, në një kohë kur Ballkani po përpiqet të zbusë atë, duke synuar BE? Pse keni zgjedhur këtë rrugë ekstreme të të bërit politikë, përmendim këtu hedhjen e gazit në Parlament, kur duket se rajoni nuk ka nevojë për to?

Ne nuk jemi ekstremistë për nga karakteri por radikalë për nga tema në një situatë që është ekstreme. Nacionalizmi hegjemonist e shovinist serb në Ballkan po ringrihet me ndihmën e Rusisë. Nacionalizmi ynë është anti-kolonialist e çlirimtar për barazi midis popujve. Pas luftës së dytë botërore, shtetet e ndryshme evropiane njëmend i kanë normalizuar marrëdhëniet me njëra-tjetrën, por vetëm në kushtet kur nuk kishin më pretendime territoriale dhe kishin njohje reciproke. Kosova dhe Serbia janë shumë larg asaj situate.

Nuk mendoni se metodat e zgjedhura gjithmonë nga VETËVENDOSJE! për të bërë opozitë, më shumë i kanë ulur pikë shtetit të Kosovës dhe në mënyrë të tërthortë duket se i kanë shërbyer Serbisë, pikërisht duke tensionuar klimën politike në Kosovë?

Përkundrazi. Ne kemi sprapsur planin e Serbisë për bosnjëzimin e Kosovës të cilin ajo e synonte nëpërmjet Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë (‘Zajednica’) të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Bashkësinë e 14 komunave të tyre në Bosnje, me planifikimin dhe ndihmën e Beogradit, serbët atje e formuan më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ata e shpallën pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratuan kushtetutën e tyre. Ndërkombëtarisht kjo u njihet me 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Dayton-it, pas negociatave të cilat për çështjet e brendshme të Bosnjës, Alija Izetbegoviç i zhvilloi me Milosheviçin dhe Tugjmanin në Ohio të SHBA-ve. Ajo që u arrit në Bosnje dhe Hercegovinë përgjatë luftës e me luftë për katër vite e gjysmë, në Kosovë donin të realizohet më ngadalë në paqe. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ikte për më pak se gjysmë ore, kurse po të instalohej largqoftë ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë, ajo do të ngelej gjysmë shekulli. ‘Zajednica’ do t’i kishte: territorin, popullsinë, vetëqeverisjen dhe të drejtën për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët. Në fakt, këto janë katër kushtet për të qenë shtet sipas Montevideos në vitin 1933. Ne nuk mund t’i lëshojmë pe Mustafës e Thaçit në Kuvend sepse ashtu do t’i binte që i lëshuam pe Serbisë!

Nuk ju kemi dëgjuar se fundmi ta përdorni tezën e “Bashkimit Kombëtar me Shqipërinë”?

E kemi në Programin Politik e në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes sonë. E themi dhe angazhohemi vazhdimisht për të.

Si e shikoni të ardhmen e Kosovës, me zgjedhjen e Donald Trump President të SHBA-ve?

Ftesa e Presidentit Trump për miqësi me Putinin nuk ka të bëjë me miqësinë e SHBA-ve me Rusinë sa me rrezikun që SHBA-të e shohin nga Kina. Trump synon ta ndalë ngritjen e Kinës. Nëse ish-Presidenti George W. Bush aspironte njëlloj diferencimi të islamistëve ekstremistë prej atyre të moderuar, Presidenti aktual Donald Trump duket që aspiron ta ndajë Kinën prej Rusisë, përkatësisht ta ndajë atë që njihet si blloku BRIC i shteteve. Shqiptarët dhe Kosova duhet ta materializojnë e konkretizojnë urgjentisht partneritetin dhe aleancën me SHBA-të me fuqizimin e ushtrisë dhe bashkëpunimin ekonomik e jo të mjaftohen me deklarata miqësie e vizita simbolike politikanësh. (Marjana Doda / KohaJone)

Gardianët maltretojnë të burgosurit! – Avokati i Popullit denoncon, prokuroria heshtë!

idrizovePo tregon fotografitë dhe dëshmitë që ka grumbulluar, për të dëshmuar dhunën që ushtrojnë gardianët ndaj të burgosurve në burgun e Idrizovës. Avokati i Popullit Ixhet Memeti, thotë se këto të materiale vërtetojnë fajësinë e 8 gardianëve dhe policëve të burgut të Idrizovës për dhunën e ushtruar ndaj disa të burgosurve. Këtë kallëzim penal, Memeti e ka drejtuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, por ai ankohet se kjo e fundit nuk po u përgjigjet fakteve dhe dëshmive.

“Para dy javësh paraqitëm një kallëzim penal për një numër të madh të gardianëve në burgun e Idizovës të cilët mendoj dhe kam prova të bollshme, se i kanë malltretu të burgosurit. Por fati i keq është se ne nuk kemi hetim efektiv në Republikën e Maqedonisë, pra Prokuroria ngel e shurdhër ndaj këtyre rasteve. Policia nuk ndërmerr kurrfarë masash, përveç asaj se në mënyrë deklarative. Problem kryesorë është mungesa e vullnetit të ndjekjeve serioze ndaj policëve të cilët ushtrojnë dhunë dhe kryejnë vepra penale serioze ndaj të burgosurve”, tha ai.

Prokuroria Publike Themelore hesht lidhur me këtë rast, edhe pas pyetjeve tona të drejtuara në adresë të tyre.

Prokuroria Publike Themelore në Shkup nuk pranoi që të përgjigjet në pyetjet e Televizionit 21, ndër të cilat ishte edhe ajo nëse Avokati i Popullit ka mbledhur të dhëna dhe fakte të mjaftueshme për të dëshmuar dhunën që bëhet Brenda burgut të Idrizovës.

Avokati i Popullit Ixhet Memeti thotë se kur institucionet nuk marrin parasysh kallëzimet penale, humbet besueshmëria e qytetarëve në institucione.

“Vetëm atëherë kur Prokuroria do të ngrejë kallëzim penal ose aktakuzë, kurse gjyqi do të vendos dhe do ta shpall si fajtor mund të kemi efekt që qytetarët të fillojnë të kthejnë besimin në institucionin e Prokurorisë, Policisë apo gjykatat, kjo është problem shumë serioz”, u shpreh ai.

Avokati i popullit është institucioni i vetëm që ka qasje në burgje dhe se ekipet e këtij institucioni kryejnë rreth 30 vizita në vit, brenda burgjeve të Maqedonisë. Çdo vit, raporti i dal nga këto vizita i dërgohet nën-komitetit të Kombeve të Bashkuara. Deri tani, këto raporte kanë paraqitur gjendje të mjerueshme brenda burgjeve të Maqedonisë, ndërsa vetëm muajin e fundit, tre persona kanë ndërruar jetë brenda burgjeve, për arsye ende të panjohura, për shkak se ende nuk janë zbardhur raportet e hetimeve./Tv21

Observer: NATO stacionohet në vendet baltike dhe harron se Rusia do testojë Ballkanin, testi i parë i Trump në politikën e jashtme do jetë Kosova

Putin

Vladimir Putin e sheh intervenimin perëndimor në Bosnjë dhe Kosovë si fyerje për botën sllavo-ortodokse – dhe ai planifikon hakmarrje, shkruan opinionisti i “Observer” dhe eksperti i spiunazhit amerikan John R. Schindler.

Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftërave në Ballkan dhe prej sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, është lehtë të harrosh sesa kohë kanë shpenzuar spiunët, ushtarët dhe diplomatët perëndimorë në vitet 90-të për të ruajtur Ballkanin nga vetëvetja. Pasi Jugosllavia u shpërbë në 1991, vendet u zhytën në luftë dhe më vonë ndërhyri edhe NATO e udhëhequr nga SHBA. Tani, një gjeneratë më vonë zgjidhja e përkohshme e vendosur nga Uashingtoni rrezikon të kthejë edhe njëherë luftën në rajonin jo-stabil të Europës juglindore.

E para është Bosnja dhe Hercegovina, e cila, çaloi për të ndërtuar një shtet funksional për dy dekada. E zhytur në krim dhe korrupsion, e pafuqishme për tu marrë me zgjidhjen e problemit të ekstremizmit Islam, Bosnja po dobësohet politikisht, ekonomikisht dhe socialisht. Marrëveshja e Daytonit në fund të 1995, e ndërmjetësuar nga presidenti Bill Clinton, nuk e kishte kuptimin për të qenë një zgjidhje me terma afatshkurte. Sot Bosnja ka dy qeveri të dobta me qendër në Sarajevë, njëra me shumicë muslimane dhe minoritet kroat, tjetra me shumicë serbe e quajtur Republika Srpska.

Lidershipi i Republiksa Srpska, pas vitesh frustrimi ka kërcënuar me zhvleftësimin e marrëveshjes së Daytonit dhe udhëheqësi i saj, Milorad Dodik, i njohur për aktivitetet korruptive në dy dekadat e fundit, nuk po e fsheh nacionalizmin në rritje. Kërcënimi i tij për të përjashtuar RS nga Daytoni nuk janë më fantazi e shfrenuar. Ambasada amerikane në Sarajavë ka vendosur sankcione për Dodik, por ky i fundit ju përgjigj se ambasadorja amerikane është “armike e përbetuar” e serbëve të Bosnjës, e cila, “nuk është e mirë se ardhur në RS.” Tensionimi i marrëdhënieve në Bosnjë tregon sesa fragjil është rajoni, përkundër miliardave të derdhura nga perëndimi.

Bile më keq është situata në Kosovë, ish provincë serbe, e cila fitoi pavarësinë e saj falë bombardimit 78 ditor të NATO që solli gjunëzimin e Beogradit. Mbi 100 shtete kanë njohur pavarësinë e saj, ndërsa Serbia vijon ta mohojë ekzistencën e saj. Tensionet rriten pasi Serbia po përgatit një sërë provokimesh.

Rasti i fundit është me trenin ku në kabinat e saj shkruante “Kosova është Serbi,” në 21 gjuhë të botës. Treni u ndal në kufi të vendit nga njësitë speciale të Kosovës, megjithatë presidenti tepër nacionalist serb, kërcënoi me luftë nëse preken serbët e veriut.

Lidershipi i Kosovës kërkon nga Bashkimi Europian të këshillojë Beogradin përpara se gjërat të dalin nga kontrolli dhe shumë shqiptarë bisedojnë për rikrijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila suksesshëm sfidoi pushtetin e Beogradit. Prej pavarësisë Kosova nuk ka ushtri, vetëm forcë paramilitare.

NATO është prezente akoma për të evituar ndonjë konflikt në të ardhmen, por kërkesat e shqiptarëve për një ushtri janë kundërshtuar nga Serbia. Por nga vetë fakti që qindra muslimanë nga Kosova i janë bashkangjitur ISIS dhe xhihadistë veteranë janë kthyer në vendlindje, tregon se ka shumë shqiptarë të mirë armatosur që u ‘kruhet’  për luftë gjithashtu.

Nuk është rastësi rritja e nacionalizmit mes serbëve. Siç paralajmërova dy vite më parë, Vladimir Putin kërkon solidarizim me Republika Srpska sipas ideologjisë zyrtare të ortodoksizmit sllav kundër dekadencës perëndimore. Moska e ka kultivuar Dodikun politikisht dhe financiarisht, ndërsa te shumë serbë të Bosnjës Rusia shihet me sy pozitiv përshkak të okupimit të vendit nga perëndimorët deri në 1995.

Ngjashëm Rusia shtrin ndikimin në Serbi, që ia dhuroi trenin provokativ dhe përpara disa muajsh organizoi manovra të përbashkëta ushtarake me Serbinë dhe Bellorusinë nën emrin “Vëllazëria sllave”, si një shfaqje anti NATO. Më e rëndësishmja, Kremlini i dhuroi ushtrisë serbe 60 armatime të rënda (gjysma prej tyre tanke T-72) plus gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29. Kjo nuk duhet të shihet dosido si një dhuratë, pasi tash Serbia është vendi i vetëm ish jogusllav me aeroplanë luftarak modern. Si kundërpërgjigje Kroacia,  anëtare e NATO ka dhjetëra aeroplanë MiG-21 por që janë teknikisht shumë më të dobta sesa MiG-29. Pa ndihmën e NATO, Serbia tash dominon rajonin me armatime.

Lidershipi serb nuk guxon të veprojë ndryshe nga urdhërat ruse

Shqetësimi më i madh tani, gjithsesi është kërcënimi i Ballkanit nga loja klandestine e spiunimit rus, që unë e kam emërtuar si Lufta Speciale: spiunimi, subversioni, propaganda dhe terrorizmi. Në nëntor në Malin e Zi u organizua një Grusht shteti për qeverinë pro-perëndimore me ndihmën ruse dhe politikanët e Beogradit janë më pak se entuziastë për t’u zgjuar në shtrat me Rusinë por ata e dijnë se kërcënimi i ngjashëm mund të rezultojë i vërtetë edhe tek ata.  Zemërimi i Putinit mund të rezultojë fatal për udhëheqësinë serbe.

Çfarë Putini kërkon në Ballkan duket si plan i mirëmenduar për të sjellë rajonin në kaosin politik të viteve 90-të. Ai kërkon HAKMARRJE për pamundësinë e ndërhyrjes ruse në kohën e luftërave ballkanike të fundshekullit të kaluar. Intervenimi perëndimor në Bosnjë dhe Kosovë, në sytë e Moskës ishte fyerje për botën sllavo-ortodokse.

Në këto çaste NATO stacionon trupa në Poloni dhe vende balltike për ti bërë ballë aventurës së mundshme ruse, por eksperienca ime tregon se testimin e NATO Kremlini do e zhvillojë në Ballkan – aty ku shtetet janë të dobta dhe kontrolli i perëndimit duket i luhatshëm.

Idetë e tmerrshme ruse të zbatuara me zell nga klandestinët serbë duhet urgjentisht të ndalet nga SHBA dhe aleatët e saj europianë përpara sesa problemet të dalin nga kontrolli dhe dhuna masive të rikthehet në rajonin përherë të trazuar./Bota sot

Serbia po e sheh Kosovën si “kafshatë të lehtë”

RKQytetarët e Kosovës janë të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në raportet me Serbinë dhe zhvillimet e fundit në politikën ndërkombëtare. Reciprociteti dhe Formimi i Ushtrisë së Kosovës shihet nga analistët si opsion që mund të frenojë ambiciet e Serbisë në Kosovë.

Raportet Kosovë-Serbi nuk po acarohen, pasi kanë qenë të acaruara në vazhdimësi, ka thënë në një prononcim për Telegrafin, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi.

Ai tha se nuk i kujtohet të kenë pasur ndonjëherë raporte të mira serbët dhe shqiptarët e kjo, sipas tij, do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen.

Selimi tha se nuk janë shqiptarët ata që duan luftë me Serbinë, porse Serbia do luftë me shqiptarët.
E, sa i përket takimit të fundit të krerëve të Kosovës me ata të Serbisë, shton se situata e fundit i ka nxjerr në pah dy prononcime interesante.

“Kreu i shtetit të Serbisë kërcënon, pra luftën e përmend si kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës; Thaçi e përmend luftën si frikësim ndaj qytetarëve të Kosovës. Njëri duke kërcënuar e tjetri duke i frikësuar qytetarët e Kosovës e kanë një plan të përbashkët”, ka thënë Selimi për Telegrafin.

Ai shprehet se mund të ketë përshkallëzim të situatës, nëse raportet në fushën e sigurisë janë të disbalancuara.

“Serbia e ka një ushtri kërcënuese dhe të përgatitur për t’u futur në Kosovë, ndërkohë që Kosova dhe institucionet e saj nuk e ndërtojnë ushtrinë e vet. Sikur Kosova ta kishte ushtrinë e saj, të përgatitur, duke i shtuar këtu edhe partneritetin me NATO-n, Serbia do të urtohej dhe nuk do të paraqiste rrezik. Rreziku vjen meqë jemi cak i lehtë, kafshatë e lehtë në sy të Serbisë”, shtoi tutje Selimi.

I pyetur nga Telegrafi se cilët janë faktorët pengues që sot Kosova nuk e ka ushtrinë e vet, ai tha se nuk ka vullnet politik nga ana e Qeverisë. Ndërkaq, shtoi se presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli vazhdojnë të bëjnë lojëra me opinionin publik.

“Nuk ka nevojë që prezenca e Policisë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në veri, të numërohet si ndërhyrje. Paralajmërimi se më 1 ose 15 shkurt do të shembet muri në anën veriore të lumit Ibër, është thjesht paralajmërim për një problem. Me murin ata shohin jo zgjidhje të problemit, por krijim të problemit”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, e gjithë kjo që po ndodh mund të kthehet në favor për Serbinë në rrafshin diplomatik.

“Serbia mund ta përdor këtë fjalor në aspektin diplomatik. Mos të harrojmë, Serbia tashmë është në avantazh për shkak se murin në anën veriore të urës së Ibrit e ka kthyer në një grackë Kosovën. Ndaj, kërkon pretekste për ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës”, ka thënë deputeti i VV-së.

Dren Ajeti, nga Grupi për studime Politike dhe Juridike, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ngjarjet e fundit treguan se është i largët normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, pala kosovare është nisur në këto bisedime me idenë se Serbia do ta njohë Kosovën.

“Kjo nuk do të ndodhë përderisa Serbia mundohet me çdo kusht ta minojë këtë shtetësi”, ka thënë Ajeti.

Sipas tij, provokimi i fundit me trenin rus e mbushi kupën e provokimeve, për çka edhe Qeveria e vendit u detyrua të veprojë.

“Treni simbolizonte atë që Serbia pretendon për Kosovën – se është Jerusalemi i tyre”, thekson Ajeti, duke shtuar se provokimi serb te qytetarët e Kosovës ka krijuar ndjenjën se një incident me pasoja fatale mund të ndodhë. “Problemet e BE-së, kriza e refugjatëve, luftërat në Lindjen e Mesme etj. kanë bërë që shtetet të mos e kenë më prioritet Ballkanin dhe rrjedhimisht fokusi të zhvendoset diku tjetër. Kjo ka bërë që qytetarët të humbin besimin në faktorin ndërkombëtar si garantues i stabilitetit në rajon”.

Për të, provokimet serbe janë drejtuar ashtu që sjellja e palës kosovare të paraqitet si agresion.

“Ndalja e trenit nga njësitë speciale të Policisë është vlerësuar si ndalim i lëvizjes së lirë, si veprim për të mos lejuar kthimin e serbëve në Kosovë etj. Shumë media ndërkombëtare i morën këto mesazhe duke e paraqitur rastin e trenit si ndalje jo nga Policia e një shteti të pavarur dhe sovran, por si ndalje nga forcat e armatosura shqiptare”, thotë ai.

Sa i përket mediave serbe, Ajeti mendon se ato pasqyrojnë realitetin e Kosovës në formën që u konvenon atyre.

“Ka një pajtim në heshtje mes mediumeve serbe që çdo veprim nga pala shqiptare në Kosovë të vlerësohet si shkelje e të drejtave të serbëve. Rasti i fundit ishte i arrestimit në Prizren të personit me simbolet e nacionalistëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë, që në mediat serbe u paraqit si arrestimi i një serbi që kishte vendosur të shëtiste nëpër Prizren”, ka thënë Ajeti.

Avokati nga Mitrovica, Musa Damati, situatën e tashme e ka vlerësuar të sigurt, pasi qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë institucionet relevante të sigurisë. Ai tha se ajo që shtetit të Kosovës i duhet është shndërrimi i FSK-së në Ushtri.

“Stabilizimi real i situatës në Republikën e Kosovës në relacion me shtetin serb do të fillojë atëherë kur negociatorët e ndryshojnë qasjen e formatit të dialogut, duke insistuar në reciprocitet juridik, ekonomik, diplomatik dhe duke e përmbyllur dialogun me një traktat të paqes midis dy shteteve”, ka thënë Damati.

Ndërkaq, sa i përket elitës politike në Serbi, ai tha se retorika e tyre e ka humbur arsyen.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe ky realitet është i patjetërsueshëm. Andaj, retorika e tyre është veç për konsum të brendshëm”, theksoi Damati.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka theksuar se gjatë takimit në Bruksel ka kërkuar nga shteti serb që t’i ndalë provokimet. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme mediat serbe kanë shkruar se Thaçi, Mustafa dhe Veseli po përgatisin një “sulm të rrufeshëm e të papritur në pjesën veriore të Kosovës”. /Telegrafi/

Dejevsky: Njohja e Kosovës nga Rusia si shkëmbim për Krimenë

MarryMary Dejevsky, publiciste britanike dhe njohëse e rrethanave në Rusi

Publicistja e njohur britanike, njohëse e rrethanave në Rusi, Mary Dejevsky, i tha Radios Evropa e Lirë, se zgjidhja e mundshme përmes një marrëveshjeje mes perëndimit dhe Rusisë do të ishte “njohja e autoritetit rus mbi Krimenë si shkëmbim që Rusia ta pranojë pavarësinë e Kosovës”.

Ajo tha se për perëndimin që ka vënë sanksione ndaj Rusisë, “më produktive do të ishte të shihet se çfarë mund të merret në shkëmbim të pranimit se Krimeja nuk do t’i kthehet Ukrainës”.

Dejevsky tha se lidhjet e “kamotshme të Rusisë me Serbinë që janë historike, kulturore dhe emocionale asnjëherë nuk do të humben, por ato nuk mund të shihen përgjithmonë në përjashtim të mundësisë së pranimit se Kosova është një shtet i pavarur”.

Radio Evropa e Lirë: Mary Dejevsky, çfarë e përkufizon praninë ruse sot në Ballkan?

Mary Dejevsky: Mendoj se është një marrëdhënie e gjatë dhe tradicionale. Nuk shoh, në veçanti, një interes strategjik dhe të sigurisë që mund të ketë më në Ballkan. Por mendoj këtu, para së gjithash, në lidhje të gjatë tradicionale me Serbinë. Kjo është diçka që nuk do të zhbëhet. Mirëpo ideja se Rusia do ta kapitalizojë një lidhje të tillë për çështje sigurie mendoj se kjo ka marrë fund.

Radio Evropa e Lirë: Por në vitet e fundit kemi parë një përhapje të ndikimit rus në Ballkan. Mund të shohim edhe më shumë përfshirje të Rusisë?

Mary Dejevsky: Mendoj se gjatë krizës ekonomike në Greqi psh, ka patur shumë diskutime nëse Rusia do të përfshihet më shumë në këtë vend dhe mbase ta nxisë të dalë jashtë BE-së; se do ta eksploatojë vështirësinë e saj ekonomike me euron dhe se në aspektin politik Greqia po shikon me më shumë simpati drejt Rusisë për shkak të asaj që është konsideruar si një lidhje ortodokse. Personalisht e kam kundërshtuar një gjë tillë. Kam menduar se planet që Rusia, siç thuhet, ‘po peshkonte në ujëra të trazuara’ në Greqi ishin të pambështetura.

Pastaj ideja se Greqia po e humbet BE-në dhe po kërkon lidhjet ortodokse me Rusinë, ishte përgjithësisht e ekzagjeruar. Mbase do të merrni shembull Bullgarinë dhe do të thoni se zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një administratë që ka një simpati më të madhe për Rusinë. Kur e shikoj këtë në një botë post-sovjetike [merreni Bullgarinë dhe Rumaninë] fakti se tani kanë një qeveri dhe president që duken të kenë më shumë simpati për Rusinë, zgjedhësit në këto vende e kanë këtë mundësi të zgjedhin sepse kanë këtë luks duke qenë të sigurt brenda BE-së.

Pra kanë një mundësi që të vendosin ndryshe dhe jo me automatizëm në mënyrë pro-perëndimore. Kjo sepse ata ndjejnë se kanë mjaft siguri dhe pavarësi për ta bërë një gjë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Mary Dejevsky, në një shkrim tuajin pak kohë më parë, keni parashikuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Rusia. Pse mendoni se Rusia mund ta marrë një hap të tillë?

Mary Dejevsky: Ishte një shkrim që ma kërkuan ta bëjë dhe të parashoh të ardhmen e presidencës së Donald Trump. Dhe njëkohësisht të ngremë mendime që mund të duken jo reale, por që duam t’i shohim si të tilla. Dhe një nga mendimet që më erdhën duke parë hartën e konflikteve post-sovjetike, që duhet ende të zgjidhen madje edhe 20 apo 25 vjet më vonë, përmenda konfliktet e vogla të ngrira si Transnistria, apo Abkhazia, Nagorny Karabah dhe thash që mund të jetë një mundësi e vogël, potenciale, për zgjidhje të përgjithshme për gjithë Evropën që të gjenden zgjidhje për këto probleme shumë të vogla dhe që jeta të jetë më e mirë për secilin po u gjet një zgjidhje.

Pas kësaj përmenda Kosovën. Dhe arsyeja pse e përmenda ishin tensionet e rifilluara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe gjithashtu për faktin se kur Rusia aneksoi Krimenë ka patur shumë fjalë se Rusia do ta justifikojë veprimin e saj në Krime duke thënë se ‘po e bëjmë duke ndryshuar kufijtë ngjashëm sikur edhe perëndimi që ndryshoi kufijtë duke ia mundësuar Kosovës ta shpall pavarësinë dhe një shtet të veçantë dhe duke e njohur atë pastaj’. Dhe natyrisht, Rusia është në mesin e një numri shtetesh që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Nëse do të kërkonim një zgjidhje ndërmjet perëndimit dhe Rusisë në 5 vitet e ardhshme dhe duke u nisur nga fakti të cilin të gjithë e dinë, se Rusia nuk do të heqë dorë nga Krimeja, a mund të ketë diçka tjetër që mund të jetë e negociueshme nga Rusia, duke mos hequr dorë nga Krimeja?

Pra, perëndimi ka tani një zgjidhje. A do të vazhdojë me sanksione duke ‘ngrirë’ Rusinë dhe posaçërisht Krimenë, duke e përjashtuar nga diskutimet ndërkombëtare, apo do të pranojë autoritetin rus në Krime duke provuar që të marrë diçka në një afat mesëm si shkëmbim. Dhe një nga gjërat, që unë mendova se mund të vendoset në tavolinë në këtë periudhë, është që të thuhet se ‘në rregull – Rusi – ju keni tërhequr një paralele me atë që perëndimi bëri në Kosovë me atë që bëtë në Krime’.

Mbase ka një zgjidhje të mundshme këtu; ‘që nëse ne pranojmë autoritetin tuaj në Krime, qoftë edhe me mosnjohje të sovranitetit të plotë, por diçka si p.sh. kur e kemi patur rastin e Hong-Kongut para se t’i kthehej Kinës, dhe në fakt të njohjes së autoritetit rus mbi Krimenë si shkëmbim që Rusia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ishte një ide, një mendim i një shkëmbimi të marrëveshjeve që mund ta bëjë Evropën Jugore dhe atë Lindore më të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Atë që po më thoni është se nuk është reale por diçka që e keni menduar se mund të bëhet. Pra një ide e shkëmbimit të Kosovës me Krimenë?

Mary Dejevsky: Ndoshta një njohje e statusit të njërës në shkëmbim të njohjes së statusit të tjetrës.

Radio Evropa e Lirë: Dhe ju e besoni se është e mundshme?

Mary Dejevsky: Nuk do ta përjashtoja plotësisht. Unë nuk kam informata speciale që do të ma mundësonin ta them këtë, por nëse shikoni pajtimin që mund të bëhet dhe nëse do të donit që të leni Krimenë nën juridiksionin rus, atëherë doni natyrisht diçka si shkëmbim për këtë.Në këtë moment kemi sanksionet e perëndimit ndaj Rusisë, për sa kohë që të shihet hyrja e saj në Krime si joligjore dhe meqë Rusia, realisht, nuk do të heqë dorë nga Krimeja, atëherë mendoj se më produktive do të ishte të shihet se çfarë mund të merrni që do të ishte një avantazh për perëndimin në përgjithësi dhe për rajonin e Evropës, në shkëmbim të asaj që të pranohet se Krimeja nuk do t’i kthehet Ukrainës.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’ju pyes: A do të thotë kjo se Rusia do të tërhiqet nga Ballkani përfundimisht duke harruar miqësinë e vjetër, përfshirë Serbinë dhe mbase serbët në Bosnjë e Hercegovinë?

Mary Dejevsky: Nuk mendoj se Rusia do të braktis marrëdhënien e kamotshme me Serbinë. Kjo nuk ka të bëjë me këtë. Sepse shumica e vendeve shumë lehtë mund të akomodojnë në mendjen e tyre marrëdhënien e mirë me Serbinë dhe gjithashtu edhe me Kosovën. Janë vështirësitë ndërmjet këtyre dy shteteve që përbëjnë problemin. Mund të thuhet se Rusia ka lidhje të kamotshme me Serbinë, që nuk ka të bëjë më me çështjen e sigurisë sa janë lidhje historike, kulturore dhe emocionale me Serbinë.

Pra, janë lidhje të veçanta dhe asnjëherë nuk do të humben. Por nuk mendoj se ato mund të shihen automatikisht dhe përgjithmonë në përjashtim të mundësisë, gjithashtu, së pranimit se Kosova është një shtet i pavarur.

Presidenti meksikan anulon vizitën në SHBA

Presidenti i MeksikesPresidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto thotë se nuk do të shkojë në SHBA për t’u takuar me Presidentin amerikan Donald Trump.

Pena Nieto postoi një mesazh në Twitter ku thotë se e kishte informuar Shtëpinë e Bardhë për vendimin e tij.

Njoftimi bëhet pasi zoti Trump postoi një koment në Twitter herët të enjten, ku thoshte se nëse Meksika nuk pranon të paguajë për murin përgjatë kufirit mes dy vendeve, atëherë do të ishte më mirë “të anulohej takimi i pritshëm”.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka bërë reagime ndaj njoftimit të presidentit meksikan. (voa)

Korrupsioni po përhapet në mbarë botën

Korrupsioni po përhapet në mbarë botën dhe pasojat janë dhe vdekjeprurëse.

Korupsioni 2016Çfarë kanë të përbashkët kryebashkiaku i Regensburgut Joachim Wolbergs, djali i presidentit të Guinesë EkuatorialeTeodoro (apo Teodorin) Obiangaus, ish-polici finlandez Jari Aarnio dhe ish-presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye? Përgjigja: Ata akuzohen për korrupsion. Sado të ndryshme që janë vendet, njerëzit dhe ngjarjet, ato konfirmojnë një prirje që ekziston në sektorin publik në gjithë botën. “Krahasuar me vitin e kaluar kemi më shumë vende që janë përkeqësuar se sa përmirësuar. Kjo më duket shqetësuese”, thotë drejtori i hulumtimeve të organizatës Transparency International, Finn Heinrich, në intervistë me DW-në.

Indeksi i ri i korrupsionit i organizatës Transparency International konfirmon edhe një prirje tjetër që i shqetëson ekspertët. Në të gjithë botën qeveritë shpallin që duan të luftojnë korrupsionin, por këto deklarata  janë zakonisht fjalë boshe. Finn Heinrich thotë se gjithashtu bie në sy edhe një marrëdhënie mes pabarazisë sociale dhe korrupsionit. Kjo nuk është një tendencë që e vëzhgon vetëm në vende të veçanta, por një fenomen global:

“Për mua si studiues qe e habitshme lidhja e ngushta ndërmjet pabarazisë dhe korrupsionit. Të dyja shkojnë dorë për dore dhe krijohet një rreth vicioz me më shumë korrupsion dhe më shumë pabarazi.”

Dy nga armët më të mira kundër korrupsionit janë vigjilenca e opionit publik dhe shtypi i lirë, thotë Heinrich dhe sjell si shembull atë të qytetarëve brazilianë, të cilët dolën në rrugë vitin e kaluar, për të protestuar kundër korrupsionit në vend.

Korrupsioni mund të kushtojë edhe jetë njerëzish, thotë Finn Heinrich i Transparency International dhe sjell si shembuj ndërtimet gjoja të sigurta prej tërmetit në Itali, të cilat nuk qenë të tilla dhe u shembën gjatë tërmetit vitin e kaluar, apo fabrikën e tekstilit Rana Plaza në Bangladesh, që u shemb, sepse tri kate shtesë qenë ngritur pa leje ndërtimi dhe kontrollin e statikës. (dw)

SHBA u refuzon vizat disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë

SHBAAmbasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftoi sot se “ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza”.

Ambasada shpjegon se “e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.

Ambasada saktëson se “për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale”, por shprehet se ajo “i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar”. Ambasada shpjegon më tej se “Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri”.

Kjo është hera e dytë që ambasada amerikane ndëmerr një veprim të tillë ndaj zyrtarëve shqiptarë të Drejtësisë. Marsin e kaluar ambasadori Donald Lu njoftoi se u ishte ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara disa gjyqtarëve të korruptuar dhe se ky ishte vetëm fillimi.

Ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të korruptuar, ambasadori amerikan e kishte paralajmëruar që në 2015. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në muajin qershor kishte shpjeguar se “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, kishte deklaruar ambasadori. (voa)