Marrëdhëniet SHBA-Rusi. A do të ketë zbutje?

trump putinRusët përgjithësisht e kanë përshëndetur ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, me shpresën se kjo do të hapë një epokë të re në përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Gjykuar nga reagimet e kësaj jave, biseda e parë telefonike mes presidentëve Trump dhe Putin të shtunën nuk i ka pakësuar aspak këto pritshmëri.

Në programin e përjavshëm “Vjesti Njedjeli”, prezantuesi Dmitry Kisjeljev e quajti bisedën 45-minutëshe “thirrjen telefonike më të shumëpritur në botë.”

“Donald Trump po përmbush premtimet e tij elektorale duke lënë pas trashëgiminë e pavlerë të Obamës,” – tha Kisjeljev gjatë emisionit të tij.

Zyrtarët e Kremlinit janë treguar më të kujdesshëm në komentet e tyre.

Të hënën, zëdhënësi i presidencës Dmitry Peskov e quajti bisedën “konstruktive” dhe tha se dy burrat shfaqën një dëshirë për të zgjidhur “çështjet komplekse përmes dialogut.”

Peskov tha se një bashkëpunim i tillë nuk ishte e mundur në administratën Obama, me të cilën Kremlini pati mosmarrëveshje të ashpra lidhur me aneksimin e Krimesë, mbështetjen ushtarake për udhëheqësin sirian Bashar al-Asad dhe akuzat për ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në të vërtetë, pas bisedës telefonike, në deklaratat si nga Kremlini edhe nga Shtëpia e Bardhë u theksua dëshira për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Zbutje e sanksioneve?

Kremlini tha se udhëheqësit shprehën interesim për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik, si dhe në çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin izraelito-palestinez, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut. Nuk pati shenja se dy presidentët diskutuan mbi akuzat se Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet amerikane.

Ata nuk biseduan mesa duket as mbi sanksionet perëndimore rreth veprimeve të Rusisë në Ukrainë, edhe pse toni i bisedës ngjalli hamendje se sanksionet mund të zbuten shpejt.

Aleatë kryesorë evropianë – në përputhje me politikat e ish-administratës Obama – kanë propozuar heqjen pjesërisht të sanksioneve, vetëm nëse Moska plotëson detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Paqes të Minskut, që synojnë dhënien fund të luftimeve në lindje të Ukrainës mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro-rusë.

Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mund të heqë sanksionet në këmbim të një pakësimi në arsenalin bërthamor të Rusisë apo të një angazhimi për të luftuar Shtetin Islamik. (voa)

Europa dhe Trump: Krisja e parë

Trump MerkelReagimet nga Europa pas urdhrit presidencial për ndalimin e udhëtimit të udhëtarëve nga 7 vende myslimane janë kritike. Por jo të gjitha vendet anëtare shprehen kundër Donald Trump.

Rreth 300 vetë demonstruan kundër Donald Trump pranë bursës së Brukselit. Ndërsa tre kilometra më tutje e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, nuk u përmbajt shumë nga ana diplomatike. Për presidentin, Donald Trump ajo kishte këtë këshillë: „Kush ngre rreth vetes mure, gjendet një ditë vetë në burg.” Pas takimit me ministrin e Jashtëm norvegjez, Börge Brende ajo u shpreh lidhur ndalimin e hyrjes në SHBA për udhëtarët nga 7 vende kryesisht me popullsi myslimane se „kjo nuk është rruga europiane”. Më tej ajo shtoi se „BE beson në një sistem normash dhe rregullash ndërkombëtare.” Historia e Europës ka treguar se izolimi dhe distancimi janë përgjigje të gabuara. „Ne festojmë kur rrëzohen muret dhe ngrihen ura”, tha ajo.

Juncker: Mes kthimit pas dhe së ardhmes

Më parë zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Shinas ishte shprehur, se KE është në kontakt me kolegët dhe partnerët në Uashington, për të sqaruar, nëse dhe se si preken nga ky dekret i ri qytetarët europianë. Ende nuk dihet, se si do të veprohet në aeroportet amerikane me qytetarë europianë, të cilët kanë dy pasaporta, dhe njëra prej tyre është e 7 vendeve që ndodhen në listën e Trumpit. Në faqen e facebook-ut të ambasadës amerikane në Berlin u publikua një shënim, në të cilin thuhet, se edhe personat me nënshtetësi të dyfishtë do të preken nga ndalimi i përkohshëm i hyrjes në SHBA. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se kjo mund të prekë mijëra qytetarë gjermanë.

Zëdhënësi, Margaritis Schinas, i cili flet në emër të presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker nuk donte ta komentonte politikisht dekretin. Ai iu referua një artikulli që Juncker publikoi në fundjavë në gazetën gjermane „Die Welt” ku ai shkruan se tani „kemi zgjedhjen mes izolimit, pabarazisë, egoizmave kombëtarë dhe hapjes ndaj botës, drejtësisë sociale dhe unitetit, kemi zgjedhjen mes kthimit pas dhe të ardhmes, mes mendjengushtësisë dhe Europës.”

Ndërkohë nga KE nuk ka plane për ndalimin e vizitës së presidentit amerikan në Bruksel përmes një peticioni, ndërkohë që në Britaninë e Madhe në një peticion-online janë mbledhur qindra-mijëra firma për të penguar vizitën e presidentit amerikan. Kryeministrja britanike, Theresa May megjithatë është shprehur, se vizita do të zhvillohet, Trump është i ftuar dhe se ai ka premtuar ardhjen në Londër.

“Lidhja speciale” SHBA-Britani e Madhe dhe reagimet nga Lindja

Qeveria britanike thekson me dëshirë „lidhjen e veçantë” me SHBA. Sipas ministrit të Jashtëm, Boris Johnson ai ia ka dalë mbanë, që të bëhet një përjashtim për qytetarët britanikë, të cilt zotërojnë një pasaportë nga shtatë vendet e përjashtuara nga hyrja në SHBA, si Siria, Iraku, Irani, Somalia, Jemeni, Libia dhe Sudani. Dy ministra të Jashtëm europianë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, dhe ai gjerman Sigmar Gabriel shprehën shqetësimin për “urdhrin ekzekutiv”. “Tani kemi nevojë për qartësi, unitet dhe në rast nevoje edhe fuqinë për të mbrojtur vlerat tona, vizionin tonë për botën dhe interesat franceze, gjermane dhe europiane”, thanë Ayrault dhe Gabriel në Paris.

Por reagimet e BE-së nuk janë unifikuara. Presidenti çek, Milos Zeman lëshoi një deklaratë, ku ai thotë, se presidenti Trump mbron vendin e tij. “Ai është i shqetësuar për sigurinë e qytetarëve të tij. Pikërisht këtë nuk e bëjnë elitat në BE.” Edhe ministri i Jashtëm polak Witold Waszczykowski nuk donte ta kritikonte ndalimin e udhëtimit, duke theksuar se çdo shtet lejohet t’i vendosë vetë rregullat për imigrimin. Polonia aktualisht refuzon pranimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve, sipas një vendimi të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve nga Greqia dhe Italia. (dw)

FH: Shqipëria dhe Kosova, pjesërisht të lira

FHLiritë demokratike kanë pësuar rënie gjatë vitit të fundit në Ballkan për shkak të keqësimeve në proceset zgjedhore dhe dobësim në sundimin e ligjit. Në këtë përfundim arrin organizata Freedom House, e cila sapo ka nxjerrë raportin e fundit mbi gjendjen e lirisë në botë. Freedom House fajëson dobësimin e rolit të Bashkimit Evropian si promotor i ndryshimeve demokratike ndër vendet ballkanike që aspirojnë për antarësim në organizatë.

Në bazë të shifrave të organizatës, vendet ballkanike klasifikohen si pjesërisht të lira. Kosova renditet më dobët në rajon, me vetëm 52 pikë nga 100 të mundshme në analizën e lirive, megjithëse nuk ka pësuar rënie krahasuar me vjet. Shqipëria ka pasur 1 pikë përmirësim, duke arritur në 68 pikë. Raporti kritikon presionin politik të autoriteteve ndaj shoqërisë civile në Bosnje, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, Freedom House vëren se në vend të vlerave dhe standardeve demokratike, ka një prirje të rrezikshme drejt nacionalizmit, korrupsionit dhe mungesës së efiçencës në funksionimin e institucioneve.

Në prizmin e gjerë, organizata vëren se gjendja e lirisë në botë vazhdon të bjerë për të 11 vit radhazi. Ndër shkaqet kryesore Freedom House veçon forcat populiste dhe nacionaliste, kryesisht në Perëndim dhe Euroazi, si dhe kontrollin nga udhëheqës autokratë, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Forcat populiste dhe nacionaliste arritën suksese të dukshme në vende demokratike gjatë 2016, ndërsa fuqi autoritare ndërmorën akte të hapura agresioni, arrin në përfundimin raporti i Freedom House.

“Shohim udhëheqës borërorë dhe vende të caktuara që ndjekin interesat e tyre të ngushta pa kufizime domethënëse, apo pa respekt për parimet e përbashkëta për paqe dhe liri globale,” thotë Arch Puddington, një ndër autorët e raportit.

“Këto prirje po intensifikohen dhe kanë filluar të grryejnë rendin ndërkombëtar të çerek-shekullit të fundit, përfshirë respektin për normat e lirive themelore dhe të demokracisë”.

“Gjatë viteve të fundit kem vërejtur rënie të lirisë nga regjime autokrate dhe diktatoriale që domijnë në listën e vendeve që kanë pasur rënie në renditje,” tha Arch Puddington. Rënie pati edhe në vende që karakterizohen si të lira, ndër të cilat: Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Hungaria, Polonia, Serbia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Spanja, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara.

Vende të fuqishme demokratike janë përfshirë nga ankthi dhe paqartësia pas zhvillimeve si vota e britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian, një numër aktesh anti-demokratike nga qeveria e re në Poloni, fitore të partive nacionaliste që trumpetojnë mesazhe ksenofobie në Evropë dhe fitorja në zgjedhje e Presidentit Donald Trump, vë në dukje raporti.

Po gjatë periudhës së analizuar në raport, Rusia vazhdoi të dëshmojë arrogancë dhe tendenca keqdashëse me ndërhyrjet e saj në proceset politike në Shtetet e Bashkuara dhe demokraci të tjera, intensifikoi mbështetjen ushtarake për regjimin diktatorial të Bashar al Assadit në Siri dhe forcoi kontrollin e saj mbi territorin e pushtuar në Ukrainë, thuhet në raportin e Freedom House.

Raporti përqëndrohet edhe tek Kina si një ndër vendet që nuk ka përfillur ligjin ndërkombëtar, si dhe udhëheqës të Sudanit të Jugut, Etiopisë, Tajlandës e Filipineve të cilët i kritikon për sjellje të pasktrupullt në dhunim të të drejtave të njeriut dhe për akte pa frikën e ndëshkimit nga ligji. (voa)

Shkup: takim Ivanov – Ivanovski

Ivanov IvanovskiNë kuadrin e konsultave pë r formimin e qeverisë, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov u takua të martën me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të vendit, Nikolla Ivanovski. Zyra e zotit Ivanov ka thënë se ai do të veprojë brenda kornizave kushtetuese dhe në interes të qytetarëve Maqedonisë.

Por, ekspertë ligjorë thonë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka të drejtën e komentimit të kushtetutës dhe se z.Ivanov është dashur të këshillohet qysh para se t’i japë mandatin Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së për formimin e qeverisë. Ky i fundit nuk kishte siguruar shumicën e nevojshme në parlament për ta votuar kabinetin e ri qeveritar.

Opinioni publik, ndërkaq, pret që presidenti t’ia dorëzojë mandatin partisë së dytë më të madhe nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, që është Lidhja Social Demokrate, ndonëse, sipas ekspertëve, në kushtetutë nuk sqarohet mirë kjo çështje.

Në se presidenti e zvarrit çështjen, vëzhguesit nuk e përjashtojnë mundësinë e protestave dhe thellimin e mëtejshëm të krizës politike në vend.

Nga ana tjetër, Partia VMRO-DPMNE këmbëngul në organizimin e zgjedhjeve të reja. Kjo parti, përmes një komunikate, ka kërkuar sqarime nga ambasada Amerikane në Shkup, e cila një ditë më parë ishte shprehur se po e ndjek procesin e formimit të qeverisë, ndërsa u bënte thirrje partive që të vazhdojnë bisedimet, që do t’i çonin ato drejt formimit të një qeverie të re gjithëpërfshirëse.

Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të mbajtura në dhjetor, synojnë t’i japin fund krizës dyvjeçare në Maqedoni, por siç duket, qëllimi jo vetëm që nuk u arrit por, sipas analistëve, ekziston mundësia e thellimit të saj. (voa)

FDH: Fshehja e dëshmive të krimeve në Kosovë

DossierKosovo, Serbia HLC

Në dokument thuhet se prej vitit 2001, në varrezat masive në Serbi, janë gjetur trupat e 941 shqiptarëve, shumica civilë, që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Nga ta “744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruçacit. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, thuhet në dokument.

Sipas fondit, zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë jugosllave kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Dëshmitë flasin se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë më së voni në mars të vitit 1999 , dhe në fshehjen e trupave kanë marrë pjesë pjesëtarët e departamentit për siguri publike, të sigurimit shtetëror të ministrisë së Brendshme dhe ushtria jugosllave nëpërmjet reparteve për ‘pastrimin e terrenit’. Përveç tyre në largimin e trupave kanë marrë pjesë edhe civilë e punonjës të ndërmarrjeve publike, makineritë e të cilëve janë përdorur gjatë operacioneve”.

Në dosje thuhet se trupat e gjetur nëpër varrezat masive nëpër Serbi nuk kanë qenë vetëm të burrave, por edhe të grave dhe fëmijëve.

“Shkak i vdekjes në shumicën e rasteve, kanë qenë plagë të shkaktuara nga plumbat, kryesisht në kokë, gjë që lë të kuptohet se viktimat nuk janë vrarë gjatë luftës, por janë ekzekutuar”.

Fondi për të Drejtën Humanitare pohon se të dhënat janë mbledhur nga dëshmitarët, të mbijetuarit e krimeve, të personave që kanë pasur informacione për krimet, kryesisht pjesëtarët e policisë dhe punonjësit e kompanive që “kanë marrë pjesë në transportimin dhe varrosjen e trupave.

Po ashtu janë analizuar jo pak dokumente policore dhe ushtarake, kryesisht ato që janë gjetur përmes bazës së të dhënave të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi, por edhe disa dokumente që i ka gjetur Fondi për të Drejtën Humanitare, përmes gjykatave.

“Gjashtëmbëdhjetë vjet prej zbulimit të varrezës masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe Liqenin Peruçac, si dhe tre vjet prej zbulimit të varrezës masive në Rudnicë, të gjitha këto vende mbeten pa ndonjë shenjë që tregon se qindra trupa të burrave, grave dhe fëmijëve që janë vrarë në krime masive në Kosovë, janë varrosur në Serbi”, thuhet në dosjen e Fondit i cili ka ndërmarrë nismën për ngritjen e një përmendoreje afër varrezës masive në Batajnicë.

“Askush nuk është mbajtur përgjegjës para gjykatave në Serbi për operacionet e mëdha të fshehjes së trupave të viktimave shqiptare të Kosovës në varreza masive”, thuhet mes tjerash në dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare. (voa)

Serwer: tani është koha për Ushtrinë e Kosovës

SerwerTë qënit pro dialogut do të thotë mbështetje për sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kështu ka deklaruar analisti i i njohur amerikan Daniel Serwer në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës. Serwer ka thënë se tashmë ka ardhur koha për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Dialogu Kosovë-Serbi sipas Daniel Serwerit duhet të japë rezultate të balancuara për të dyja palët, gjë që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ai ka thënë se nga të dyja anët, sa i përket dialogut ka mjaft ndjenja të forta dhe nuk është reale të priten rezultate shumë të shpejta.
Mendoj se në Kosovë aktualisht po ballafaqoheni me shumë çështje të vështira siç është marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, e cila është sidomos e vështirë sa i përket Prishtinës. Ka gjëra të tjera që janë të vështira në anën e Beogradit. Rezultati duhet të jetë i balancuar në mënyrë të arsyeshme .
Të qenit pro dialogut sipas Serwerit e nënkupton mbështetjen e shtetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Serwer: Shumica e kosovarëve e mbështesin shtetësinë, pavarësinë edhe sovranitetin e Kosovës
Por disa njerëz nuk janë të interesuar në shtetësinë e Kosovës por janë të interesuar në bashkimin me Shqipërinë apo diçka të ngjajshme. Sipas pikëvështrimit tim nëse jeni patriotë kosovarë atëherë e mbështesni dialogun dhe nëse do ta shkrini Kosovën me një shtet siç është Shqipëria atëherë mund të jeni kundër dialogut. Fatmirësisht shumica e kosovarëve e mbështesin shtetësinë, pavarësinë edhe sovranitetin e Kosovës ashtu siç e mbështesë unë.
Sipas drejtuesit të Institutit për Marrëdhënie Transatlantike tashmë janë pjekur kushtet për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Serwer: Ka ardhur koha për krijimin e Ushtrisë së Kosovës
Mendoj se Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet por për çfarë do të përgatitet të bëjë kjo forcë ushtarake në rrethanat politike dhe diplomatike të Kosovës. Nëse Kosova njihet shtet nga Beogradi mund t’i orientojë forcat e saj ushtarake më pak drejt mbrojtjes e më shumë drejt pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare ashtu siç kanë bërë disa shtete të Ballkanit. Andaj çështja e dialogut dhe e ushtrisë, e asaj se çfarë është e aftë të bëjë kjo ushtri janë mjaft ngushtë të lidhura
Ndërkaq Daniel Serwer analogjinë mes Kosovës dhe Krimesë e quajti të gabuar. Sipas tij, kjo është politikë e presidentit rus Vlladimir Putin dhe nuk meriton t’i kushtohet vëmendje.

INTERVISTA E PLOTË
Dialogu sipas Daniel Serwerit duhet të prodhojë rezultate për njerëzit në Kosovë dhe Serbi
Dialogu është mjeti për ta realizuar qëllimin dhe në vetvete nuk e përbën qëllimin. Dialogu duhet të prodhojë rezultate për njerëzit në Serbi dhe në Kosovë. Mendoj se këtë e ka bërë në të kaluarën dhe do të bëjë përsëri në të ardhmen.
Serwer: Sa i përket dialogut ka mjaft ndenja të forta dhe nuk është reale të priten rezultate shumë të shpejta
Nuk kam informacione për ndonjë propozim për ta ndryshuar formatin që mund të sjellë përmirësime të qarta. Mund të besoj se ekziston një rrugë tjetër për ta realizuar këtë dhe që do të funksiononte më mirë. Por dikush duhet të tregoj se cili është ky propozim dhe përse është më i mirë. Mendoj se deri tani ka funksionuar mjaft mirë. Duhet të kujtoni se nga të dyja anët, ka mjaft ndenja të forta dhe të thella, sa i përket dialogut dhe nuk është reale të priten rezultate shumë të shpejta. Dialogu ka prodhar disa rezultate dhe do të prodhojë edhe rezultate të tjera dhe besoj se në fund do të prodhojë rezultate shumë të mira. Dhe nëse ka metoda të përmirësuara le ti përdorim por nuk kam parë ndonjë prej këtyre propozimeve.
Mendoj se në këtë lloj dialogu duhet të prodhohen rezultate për të dyja palët dhe ato duhet të jenë të balancuara në mënyrë të arsyeshme dhe mendoj se ky ka qenë rasti në të kaluarën. Mendoj se në Kosovë po aktualisht po ballafaqoheni me shumë çështje të vështira siç është marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, e cila është sidomos e vështirë sa i përket Prishtinës. Ka gjëra të tjera që janë të vështira në anën e Beogradit. Rezultati duhet të jetë i balancuar në mënyrë të arsyeshme.
Nuk kam parë një propozim që do të përdorte ndonjë modalitet tjetër por më e rëndësishme është që ata që propozojnë që të ndalet dialogu, kjo si dialogu, ndodhë pjesërisht, për shkak se Kosovën e vë në një pozitë të barabartë me Serbinë dhe e rritë shtetësinë e Kosovës dhe ky për mua është një qëllim i rëndësishëm. Por disa njerëz nuk janë të interesuar në shtetësinë e Kosovës por janë të interesuar në bashkimin me Shqipërinë apo diçka të ngjajshme. Sipas pikëvështrimit tim nëse jeni patriotë kosovarë atëherë e mbështesni dialogun dhe nëse do ta shkrini Kosovën me një shtet siç është Shqipëria atëherë mund të jeni kundër dialogut. Fatmirësisht shumica e kosovarëve e mbështesin shtetësinë, pavarësinë edhe sovranitetin e Kosovës ashtu siç e mbështesë unë.
Serwer: Ka ardhur koha për krijimin e Ushtrisë së Kosovës
Po mendoj se tashmë ka ardhur koha. Mendoj se Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet por për çfarë do të përgatitet të bëjë kjo forcë ushtarake në rrethanat politike dhe diplomatike të Kosovës. Nëse Kosova njihet shtet nga Beogradi mund ti orientojë forcat e saja ushtarake më pak drejt mbrojtjes e më shumë drejt pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare ashtu siç kanë bërë disa shtete të Ballkanit. Andaj çështja e dilaogut dhe e ushtrisë, e asaj se çfarë është e aftë të bëjë kjo ushtri janë mjaft ngushtë të lidhura
Sipas Serwerit nuk qëndron analogjia e Putinit mes Kosovës dhe Krimesë
Nuk më pëlqen kjo ide dhe nuk më pëlqen kjo analogji me Krimenë e cila është marrë me forcë nga Rusia. Derisa Kosova është pavarësuar si pjesë e një aksioni ndërkombëtar, është mbështetur nga shumë shtetet dhe jo vetëm nga SHBA-të. Krimea kurrë nuk është administruar nga adminsitrata e OKB-së siç ishte rasti me Kosovën. Rusishtfolësit në Krime kurrë nuk kanë vuajtur si shqiptarët në Kosovë. Kjo është një analogji fallco e krijuar nga Vlladimir Putin dhe nuk më tërheq fare. (rtk)

Shkarkohet ministri i Drejtësisë Manjani

Ylli ManjaniNë Shqipëri ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u shkarkua sot nga detyra. Në vend të tij u propozua një tjetër përfaqësues i Lëvizjes socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ndërsa qeveria ju përmbajt një formulimi të përgjithshëm për motivet e vendimit, vetë zoti Manjani hodhi një lumë kritikash ndaj qeverisë, duke folur për një hakmarrje të kryeministrit për shkak të qëndrimeve të tij publike ndaj fenomenit të kultivimit të marijuanës dhe kundërshtimeve që siç tha ai, i kishte bërë disa praktikave korruptive.

Pasi kryeministri Edi Rama doli nga zyrat e kryetarit të parlamentit Iir Meta, qeveria u mjaftua fillimisht të publikonte paradite vetëm shkresën e shkarkimit të ministrit Manjani, duke shtuar pasdite vonë disa rreshta të përgjithshëm për arsyet e vendimit të marrë “në funksion të përmirësimit të bashkëqeverisjes, për një koordinim sa më të mirë të punës me parlamentin, dhe për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi”.

Por nga ana e tij zoti Manjani ishte me konkret ndërsa foli me një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë: “Gjesti dhe akti i kryeministrit sot për shkarkimin tim është hakmarrje e pastër, për qëndrimet e miaa dhe pozicionin tim, dhe sigurisht në mënyrë të veçantë për qëndrimet e mia në raport me kanabisin. Ajo ka qenë diçka therrëse dhe e papranueshme për kryeministrin, sepse dalë ngadalë po I dalin petët lakrorit dhe e vërteta nuk është fare ashtu siç thotë kryeministri. Mua nuk më lidh asgjë me këtë pjesë. Jam i nderuar që jam shkarkuar. Do isha shumë i fyer po të jepja dorëheqjen, sepse unë s’mund të marrë përgjegjësitë e kanabizimit të këtij vendi, dhe nuk mund të marr përgjegjësit e marrjhes se vendimeve në kushtet e presionit të biznesve të paligjshme dhe trafikut. Këtë përgjegjësi ta harrojë cilido që e ka në mendje ta faturojë tek unë.”

Zoti Manjani tha se ai ka patur debate të shumta me kryeministrin për çështje parimore dhe jo personale: “Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh, ky është mesazhi i Kryeministrit. Po qe se mendove dhe guxon të japësh një opinion, shkarkohesh. Rri urtë, bëj ndonjë tender, bëj ndonjë konçension, mos fol në media, je burrë i mirë. Ky është mesazhi që jep Kryeministri në 6 muajt e fundit”.

Zoti Manjani lëshoi akuza të forta dhe ndaj ministrit të Brendshëm lidhur me çështjen e Klement Balilit, personazhit të dyshuar si kreu i një organizate të fuqishme të narkotrafikut. Sipas tij ai duhej të ishte ndaluar që në maj kur mbërriti urdhëri i arrestit ndërkombëtar. Por Balili nuk mund të kapet tha ai “përsa kohë ministrat e qeverisë dhe drejtorët e policisë frekuentojnë hetolein luksoz të vëllait të Balilit”.

Kryeministri Rama doli i qeshur nga mbledhja e grupit parlamentar të partisë së tij pasdite, dhe nuk preferoi të bënte asnjë koment mbi shkarkimin e ministrit të tij, dhe sërish ishin përfaqësues të LSI-së që thanë diçka më shumë: “Midis Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë ka ekzistuar një situatë problematike, e cila për fat të keq është agravuar ditë pas dite derisa mbërritëm një zgjidhje që kishte vetëm dy rrugëkalime. Njëri ishte të shkarkonim Kryeministrin ose të shkarkohej ministri. Pranuam zgjedhjen dhe zgjidhjen e Kryeministrit për të dëshmuar edhe një herë tjetër që Lëvizja Socialiste për Integrim është e vendosur të bashkëpunojë me shumë seriozitet dhe në partneritet të plotë për të krijuar klimë bashkëpunimi, bashkëqeverisje dhe mirëkuptimi për ecurinë e mëtejshme të reformave të integrimit evropian të vendit”, u shpreh nënkryetari i LSI-së Luan Rama.

Por tensioni mes dy aleatëve duket i lartë. Fundjava e shkuar ishte e mbushur me një breshëri sulmesh ndaj qeverisë nga eksponentë të ndryshëm të LSI, e cila vazhdon të mos i përgjigjet ftesës së kryeministrit për t’u rreshtuar së bashku edhe në zgjedhjet e qershorit. (voa)

Maqedoni, thellohet kriza politike

Ivanov GrueskiNë Maqedoni duket se po thellohet kriza politike për shkak të pamundësisë së Nikolla Gruevskit për të formuar kabinetin qeveritar. Presidenti maqedonas nuk u përgjigjet thirrjeve për t’ia dhënë mandatin partisë së dytë më të madhe që doli nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Zoran Zaev nga Lidhja Social Demokrate kërkon që presidenti Ivanov ta respektojë kushtetutën, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja. Partitë shqiptare aktualisht kanë mundësinë, si asnjëherë më parë, të vendosin për qeverinë e Maqedonisë.

Dështimi për të formuar kabinetin qeveritar nga i mandatuari Nikolla Gruevski, ka hapur një sërë çështjesh dhe pasigurisë rreth zhvillimeve që pasojnë. Opinioni publik pret që presidenti i vendit t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe, që është Lidhja Social Demokrate, por nga zyra e presidentit nuk ka asnjë prononcim.

Një pjesë e ekspertëve ligjorë, megjithatë lë të kuptohet se ligji ka boshlleqe, se presidenti sërish mund t’ia dorëzojë mandatin VMRO-DPMNE-së si parti fituese e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, e cila do të emëronte një tjetër kandidat për kryeministër; të tjerë thonë se mandati tani i takon Lidhjes Social Demokrate për formimin e qeverisë.

Anëtarë të Lidhjes Social Demokrate nuk e kanë fshehur kënaqësinë nga dështimi i të mandatuarit të parë Gruevski, ndërsa drejtuesi i partisë i bëri thirrje presidentit Ivanov që t’ia japë atij mandatin për formimin e qeverisë.

“Gjithçka tjetër, do të paraqiste shkelje të kushtetutës”, tha Zoran Zaev, duke shtuar se qeveria e drejtuar prej tij do t’u garantojë të drejta barabarta të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike apo fetare.

Dy partnerët qeveritarë të nëntë vjetëve të fundit, VMRO dhe BDI e lanë në pritje opinionin publik për njëzet ditë sa kishte afat zoti Gruevski për formimin e qeverisë, për të njoftuar vetëm 20 minuta para skadimit të afatit mbrëmë në mesnatë se nuk u arrit marëveshja midis tyre.

Burime brenda partive thonë se VMRO-DPMNE kishte rënë dakord për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, dhënien e postit të kryetarit të parlamentit BDI-së dhe 6 deri 8 ministri, por se partia shqiptare në çastet e fundit të kishte kërkuar plotësimin e kërkesave nga deklarata e përbashkët e tre partive shqiptare, përkatësisht BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët.

Pas këtyre zhvillimeve, BDI-ja nuk saktëson nëse opsioni per koalicion me VMRO-në, i parë nga 5 gjithsej, që ishte të jetë lënë mënjanë.

Opsionet tjera të BDI-së janë koalicioni me LSDM, formimi i një qeverie teknike, mbetja e saj në opozitë dhe zgjedhje të reja. Opsioni i fundit është i dëshirueshëm nga VMRO-ja, e cila paralajmëron, nga ana tjetër se mund të pasojnë situata konfliktesh, nëse nëpërkëmbet, siç thotë, vullneti i qytetarëve dhe i votuesve. Kjo gjë nënkuptohet si kërcënim nga vëzhguesit, të cilët nuk shohin ende një zgjidhje të krizës politike, por druajnë nga mundësia e thellimit të mëtejshëm të saj.

Ambasada amerikane ndërkaq, thotë se po e ndjek procesin e formimit të qeverisë ndërsa u bën thirrje partive që të vazhdojnë bisedimet të cilat do t’i çonin drejt formimit të qeverise së re. (voa)

Chevy Bolt në epiqendër të panairit të makinave

Chevy BoltTë premten u hap në Uashington panairi i makinave 2017, ku u shfaqën disa modele të reja interesante. Ndërkohë që makinat me vetëngarje janë ende larg, prodhuesit po përpiqen të mahnisin blerësit me motorët elektrikë, rendiment më të lartë, komfort dhe stil. Gjithashtu, vazhdon të rritet gjatësia e distancave që mund të përshkojnë modelet e reja.

Nëse doni të shijoni eksperiencën e makinave të fuqishme, por krejtësisht të pavarura nga aspekti i kursimit të karburantit, ndotjes apo edhe dëmit ndaj mjetit, atëherë mund të ngisni një simulator makinash.

Por në realitet, konsumatorët duket se po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga makinat e reja plotësisht elektrike ose hibride.

Pas një suksesi fillestar me veturën me bateri, Chevy Volt, kompania General Motors po paraqet makinën e re elektrike me çmim më të përballueshëm Bolt EV. Kompania thotë se ajo ka dy avantazhe kryesore.

“Me një mbushje baterie përshkon një distancë të madhe prej 380 kilometrash dhe çmimi më i përballueshëm është rreth 37 mijë dollarë.”

Deri në shtator, makina Bolt EV do të shitet në tregun amerikan dhe në Evropë, ku do të quhet Opel Ampera E.

Firma Chevrolet thotë se do të vazhdojë zhvillimin e makinave të vetëdrejtuara, dhe në bashkëpunim me shërbimin taksi Lyft, do të përdorë makinën Bolt EV për këtë qëllim.

Prodhues të tjerë automobilësh, si firma Ford, bazohen ende tek dashurimi i amerikanëve me mjetet e mëdha dhe të fuqishme. Edhe varianti i ri më kursimtar i Ford Mustang, me motorin 2.3 litërsh dhe 310 kuaj fuqi, vazhdon të konsumojë rreth 10 litra karburant për 100 kilometra brenda qytetit.

Për tifozët e makinave të sportit, firma Chrysler-Fiat ofron makinën me dizenjo të re, Jeep Compass, e cila i jep mundësinë shoferit të përzgjedhë sisteme kontrolli për mot me borë, terren ranor, me baltë apo shkëmbor. Çmimi i saj bazë fillon tek 20 mijë dollarë.

Toyota ua kaloi konkurrentëve duke shfaqur modelin Camry 2018, që ka qenë makina më e shitur familjare në Amerikë për disa dekada. Kompania ka bërë disa ndryshime të rëndësishme, në përpjekje për të tërhequr blerësit e moshave më të reja.

“E kemi ulur qendrën e gravitetit, zgjeruam gjerësinë, shtuam një sistem të dyfishtë frenimi në rrotat e pasme, duke e bërë kështu më të shkathët në manovrim.”

Në panairin e Uashingtonit gjenden edhe seksionet e zakonshme të furgonëve, kamionëve, makinave të sportit dhe disa prototipeve të pazakonta. Ndërsa makinat vetëngarëse mbeten ende në fazën eksperimentale. (voa)

Gruevski dështon, Maqedonia pa qeveri

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk ka pranuar të futet në koalicioni me mandatarin Nikolla Gruevski. Mbrëmë në mesnatë kaloi afati ligjor i paraparë me kushtetutë për formimin e qeverisë me partinë VMRO-DPMNE.

GruevskiZëdhenesi i BDI-së Bujar Osmani pak para mesnate tha se kjo parti nuk mori vendim në lidhje me pesë opsionet, të cilat i ka analizuar gjatë gjithë kohës. Sipas tij, të gjitha 5 opsionet akoma mbeten në tavolinë. Por kryesia e BDI-së ka konstatuar se debati  nuk mund të përfundojë në afatin e paraparë me ligj dhe se në BDI-j akoma nuk ka argumente të mjaftueshme për të përcaktuar se cili nga 5 opsionet është më i dobishëm për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Nuk ka argumente”

“Në mënyrë unanime kemi konstatuar se për momentin nuk kemi argumente të mjaftueshme për t’u përcaktuar për njërin nga pesë opsionet të cilët i kemi në tavolinë, kështu që debatet dhe konsultimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, ka thënë Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së.

BDI-ja në bisedime me VMRO-DPMNE-në ishte futur në bisedime për të formuar qeveri me kërkesat që janë pjesë e deklaratës së partive politike shqiptare, tri prej të cilave për këtë parti janë të panegociueshme: zyrtarizimi i gjuhës shqipe, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe procesi i integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Për ne ishte me rëndësi të respektohet vullneti i qytetarëve shqiptar. Kontratën që e kemi nënshkruar me ata, vendimin ta kemi sa më të mirë dhe të bazuar në argumente. Vlerësuam se nuk është shterur  debati dhe nuk mund të sillnim një vendim. Vlerësoj se më me rëndësi është vendimi i duhur se sa vendimi në kohë”, thotë Osmani.

VMRO-DPMNE: Zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme

Partia VMRO-DPMNE e Gruevskit ka kuntuar përmes një deklarate me shkrim se bisedimet kanë dështuar, ndërsa si mundësi për dalje nga kriza e re ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. “VMRO-DPMNE konsideron se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, e jo të thellimit të saj. VMRO-DPMNE vlerson se mbajtja e zgjedhjeve të reja është vendim i pjekur, ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së reformave prioritare në plan të parë”, thuhet në komunikatën e publikuar menjëherë pas vendimit të BDI-së. Çdo zgjidhje tjetër, sipas VMRO-DPMNE, do të çonte Maqedoninë drejt një konflikti të ri, në shoqërinë edhe ashtu të ndarë në këtë vend.

Analisti politik Gjorgji Spasov mendon se Gruevski nuk do të lejojë askend tjetër që të bëhet kryeministër . “Ndaj nga partia e tij kanë dalur menjëherë me qëndrimin se nëse Gruevski nuk bëhet kryeministër, atëherë zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja“, shpjegon ai. Spasov dyshon se VMRO-DPMNE dhe BDI kanë ndonjë “plan rezervë”. Ai pret vazhdimin e keqpërdorimeve për të pamundësuar krijimin e ndonjë qeverie tjetër.

Mundësitë e presidentit

Pas dështimit të mandatarit Nikolla Gruevski të formojë koalicionin qeveritar, mbetet dilema nëse presidenti Gjorgje Ivanov do t’ia japë mandatin partisë së dytë – LSDM-së së Zoran Zaevit, për të nisur bisedimet për formimin e qeverise së re. Ditët e fundit ka pasur vlerësime të ndryshme të analistëve që pretendojnë se presidenti duke u bazuar në paqartësitë që dalin nga Kushtetuta, mund të taktizojë për të anashkaluar LSDM-në dhe mandatin sërish t’ia delegojë një anëtari tjetër të VMRO-së. Por, ekspertët juridikë edhe në rastin e parë kanë konstatuar shkelje nga ana e presidentit. Sipas tyre, mandati iu dha Gruevskit pa u siguruar paraprakisht nëse ai e kishte shumicën parlamentare ashtu siç kërkohet me Kushtetutë.

Rezultatet dhe kombinimet

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të zhvilluara me 11 dhjetor, VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, LSDM – 49, BDI -10 dhe tri parti të tjera shqitpare kanë fituar 8 vende në parlament. Për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota, por këtë shumicë nuk e ka siguruar deri tani akush. VMRO-DPMNE është në pushtet që nga viti 2006 dhe tradicionalisht ka sunduar me ndihmën e partive shqiptare. (dw)