Studiuesit komentojnë krizën politike në Shqipëri

Zhvillimet më të fundit në jetën politike të Tiranës me qëndrimet e LSI-së për një qeveri besimi dhe dorëzim mandatesh, si dhe për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje u pritën me komente të ndryshme nga studiuesit e politikës shqiptare.

Ajo që për disa është një ftesë dialogu, për të tjerë është një mesazh i paqartë.

Zhvillimet më të fundit në jetën politike të Tiranës me qëndrimet e LSI-së për një qeveri besimi, për për dorëzim mandatesh dhe për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje u pritën me komente të ndryshme nga studiuesit e politikës shqiptare.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se zakonisht gjatë krizave politike në Shqipëri palët konsumojnë gjithë mjetet e presionit gjatë ballafaqimit dhe në fund vjen çasti për dialog, dhe si e tillë mund të shihet nisma e mbrëmshme e LSI-së.

Nga ana tjetër, studiuesi Roland Lami, profesor në Universitetin Europian të Tiranës, thotë se demokracia shqiptare është e ngrirë sa kohë që procesi zgjedhor është i pabesueshëm, reforma gjyqësore nuk ka fryte konkrete pas 10 muajsh qysh kur u miratua, lufta ndaj korrupsionit nuk ka të dënuar konkretë dhe liria e medias është ende në tregues negativë.

Njëra palë është mbyllur te çadra e zgjedhjeve ndërsa pala tjetër është te çadra e vetingut, tha ai, ndërsa deklaratat e mbrëmshme nga LSI-ja nuk dhanë asnjë mesazh për publikun, madje shtuan edhe më shumë mjegullën dhe errësirën ku ndodhet shoqëria shqiptare.

Zoti Krasniqi thotë se para zgjedhjeve nuk mund të krijohen kompromise dhe kabinete të qëndrueshme, por vendi ka nevojë për një paketë masash të përhershme mbi sjelljen e institucioneve në prag zgjedhjesh.

Ai shtoi se qeveria në fund të mandatit bën legalizime masive falas, rritje pagash, koncensione dhe amnisti financiare vetëm për të shtuar votat, të cilat duhen parandaluar si shembuj të korruptimit elektoral me paratë e publikut të gjerë.

Sipas zotit Krasniqi, mund të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për postet shtetërore pas zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa në rrafshin politik ai sheh mundësinë e një marrëveshje të ngjashme me atë të Romës në vitin 1997.

Ndërsa zoti Lami thotë se LSI bëri disa deklarata konfuze, por nuk mori përsipër asgjë për ta lëvizur përpara procesin e dialogut.

Ashtu si vetë partitë politike janë të ngurta dhe të paqarta deri tani mbi hapat e mëtejshëm në këtë proces, as analistët ende nuk po shohin ndonjë shenjë për dialog dhe mirëkuptim, ndërkohë që ditët kalojnë, afatet skadojnë dhe prova e parë e ashpërsisë së palëve do të duket në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Kavajës.

Siri, sulm me gaz helmues, dhjetra të vdekur

helmimVëzhguesit dhe punonjësit e ndihmave civile thonë se qeveria siriane ose avionët luftarakë rusë kanë kryer një sulm me gaz helmues në një qytet që mbahet nga kryengritësit në veri të Sirisë, duke vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra të tjerë.

Një koalicion i organizatave humanitare dhe mjekësore perëndimore, i quajtur “Union of Medical Care and Relief Organizations”, thotë se numri i të vdekurve arrin në 100 dhe të plagosurit janë më shumë se 350.

Aktivistët e opozitës siriane e përshkruan sulmin si ndër më të rëndët në luftën e përgjakshme të Sirisë që vazhdon prej gjashtë vjetësh. Grupi kryesor opozitar politik, Koalicionit Kombëtar Sirian, e quajti atë një “masakër të tmerrshme.”

Rusia “mohoi kategorikisht” të ketë patur ndonjë rol në sulm. Qeveria e Sirisë ka mohuar përdorimin e armëve kimike kundër civilëve.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë të mërkurën në mëngjes një takim të ngutshëm për të diskutuar mbi ngjarjen.

Video dhe dëshmi rrënqethëse

Qendra e Medias në Idlib, që përfshin aktivistë pro-opozitarë dhe punëtorë shpëtimi të njohur si Helmetat e Bardha, publikoi video dhe fotografi që paraqesin pasojat e sulmit ajror në qytetin Khan Sheikhoun. Në video mund të shihet një vajzë pranë një ventilatori dhe trupat e disa fëmijëve të mbuluar me batanije.

Në video të tjera, mund të shihen mjekët duke u përpjekur të risjellin në jetë një vajzë të vogël dhe duke ndihmuar të rriturit që kanë vështirësi në frymëmarrje. Një foto tjetër tregon punëtorët e shpëtimit duke ngarkuar trupin e një njeriu në pjesën e prapme të një kamioni. Banorët vendas thonë se presin që numri i të vdekurve të rritet.

Njerëzit ishin të asfiksuar, kishin të vjella dhe u ra të fikët pak minuta pas sulmit, njoftoi Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup vëzhgimi me qendër në Londër që mbledh informacion nga aktivistët në terren. Grupi tha se i kishte marrë njoftimet e para për sulmin nga mjekët e qytetit. Observatori tha se të paktën 11 fëmijë ishin mes të vdekurve.

Reagon SHBA

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dënoi “sulmin e patolerueshëm”, dhe tha se SHBA mban përgjegjës regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad. Ai tha gjithashtu se “veprimet monstruoze” të regjimit janë rezultat i “dobësisë” së treguar nga administrata e mëparshme e zotit Barack Obama.

Sulmi, i cili i kapi në gjumë shumë prej banorëve të qytetit, ndodh në prag të një takimi të rëndësishëm ndërkombëtar në Bruksel për të ardhmen e Sirisë, nën kryesinë e zonjës Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme.

Telefonat Android dhe siguria e aplikacioneve

InstagramAplikacionet e telefonave inteligjentë, Android përdorin dhe shkëmbejnë dhënat personale të përdoruesve, thuhet në një studim të ri të realizuar nga Universiteti Virginia Tech.

Ky është studimi i parë për “komunikimin mes aplikacioneve dhe tregtisë së informacionit”.

Studiuesit thonë se ka dy lloje kërcënimesh: viruset e llojit “malware” dhe aplikacionet të cilat përdorin bashkëpunimin mes tyre për të mbledhur të dhënat personale të përdoruesve. Në lidhje më këtë të fundi, ata thonë se nuk janë të sigurtë nëse kjo është bërë qëllimisht nga krijuesit e aplikacioneve.

Studimi përshkruan një skenar të rrjedhjes së informacionit, duke thënë, për shembull, se një aplikacion që shërben si elektrik dore mund të punojë me një aplikacion tjetër për të zbuluar informacione të përdoruesit, si listën e kontakteve apo vendndodhjen.

Ekipi i studiuesve në më shumë se tre vjet ka analizuar mbi 100.000 aplikacione nga Google Play, si dhe rreth 10.000 aplikacione të prekura nga viruse të llojit “malware”. (voa)

Fillon takimi pozitë-opozitë, a do të ketë marrëveshje?

takimi ksTakimi në mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës tashmë ka filluar.

Në këtë takim i cili po mbahet në ambientet e “Swiss Diamond”, po marrim pjesë nënkryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca, nga Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi e Jakup Krasniqi, nga AAK, Ardian Gjini kurse nga koalicioni PDK- LDK po marrin pjesë, Xhavit Haliti, Elmi Reçica dhe Lutfi Haziri, transmeton Telegrafi.

Në takim do të diskutohet për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Asnjëra prej subjekteve politike nuk ka dhënë ndonjë detaj se për çka tjetër do të debatojnë./Telegrafi/

Tregtia Shqipëri-Kosovë, rënie të fortë

Tregtia SHQIPERI KOSOVShifrat zyrtare tregojnë për nivele të ulëta të shkëmbimeve tregtare me Kosovën, pavarësisht disa mbledhjeve të përbashkëta të qeverive për të rritur bashkëpunimin ekonomik.

Sipas INSTAT, eksportet e Shqipërisë me Kosovën përbëjnë rreth 7% të totalit të eksporteve, ndërsa importet vetëm 1%.

E ndërsa për Shqipërinë, Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten partnerët kryesorë tregtarë, bizneset kosovare duket se preferojnë më shumë ato serbe.

“Marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk janë të mira, por bizneset kanë një obsesion psikologjik. Bizneset shqiptare preferojnë ato greke dhe kosovarët ato serbe. Duhet të ketë më shumë takim mes bizneseve se qeverive”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Vetë bizneset ankohen për problemet që u shfaqen në doganë.

“Certifikatat fitosanitare për shembull. Kosova na bllokon neve, ne bllokojmë Kosovën. Është një çështje që duhet zgjidhur”, deklaroi Alban Zusi.

“Këtu ka një problem, laboratori ynë është i certifikuar, ai i Kosovës jo”, tha ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Për zëvendës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Muniz, të vetme, Shqipëria dhe Kosova janë dy tregje të vogla por të bashkuara ato mund të jenë më të forta.

Për të thithur më shumë investime amerikane dy vendet duhet të ecin përpara me reformat dhe për Shqipërinë kryefjala është reforma në drejtësi.

“Qeveria po punon fort për të promovuar reformën për të ardhmen europiane të Shqipërisë, por edhe si incentiv për investimet”, tha Muniz.

/ Top Channel

Fitorja e Vuçiqit – kaos në opozitë

Vucic1Në fillim të qershorit Aleksandar Vuçiq do të ndërrojë zyrën – nga kryeministria në presidencë. Po çfarë do të thotë fitorja e furishme me 55 % të votave? Dhe cila është rëndësia e 16% të Jankoviqit?

Jashtë festohej me fishekzjarrë, ndërsa brenda me muzikë dhe – Milloran Dodikun! Në këtë atmosferë dhe me rreth dy miliona vota “në xhep”, Vuçiqi doli para gazetarëve dhe tha se këto zgjedhje nuk ishin fare të lehta. Por me rëndësi është që “fitorja ishte e pastër si loti”. Vuçiq festoi fitoren e tij, por foli me tone të qeta. Natyrisht që nuk munguan as tonet e himnit “Marsh na Drinu”. Vuçiq nuk harroi të falënderojë edhe Presidentin Putin apo Kancelaren Merkel dhe shumë të tjerë.

Twitteri dhe Vuçiqi

Vucic DodicVuçiq dhe Dodik

Hartuesit e sondazheve kishin të drejtë – Vuçiqi fitoi në raundin e parë. Por ato kanë dështuar në prognozat për “shoqëruesit e tij”. Vendin e dytë e zuri Sasha Jankoviq, pastaj Beli Preletaçeviq dhe Vuk Jeremiq, i cili pas një rezultati shumë të dobët, me siguri që mbrëmë ka qenë një prej personave më të dëshpëruar në Serbi. Vojisllav Sheshel, Boshko Obradoviq dhe Sasha Radulloviq kanë shënuar rezultate shumë më të dobëta se sa kanë shpresuar.

„Vuçiqi ka mbështetje të fuqishme, por ka dhe kufizime. Atë nuk e mbështesin pa rezervë popullata urbane dhe gjenerata e re, thotë Erik Gordi, profesor në Kolexhin Universitar në Londër. “Dobësia më e madhe e tij megjithatë është që ai nuk ka mësuar të sillet si burrështetas. Ai ende sillet si një luan i ri i Partisë Radikale Serbe. Liderët e vërtetë nuk merren me pankarta, me mafiat e drogës, grindjet në avionë etj. Ata kërkojnë konsensus rreth çështjeve madhore të shtetit”

Vuçiqi megjithatë është më i dashuri për masat në Serbi. “Ai njerëzve u sugjeron se jetojnë më mirë se në realitet”, thotë për DW, Aleksej Kishjuhas, nga Fakulteti Filosofik në Novi Sad. Intelektualët dhe pseudointelektualët duket se nuk po e kuptojnë rëndësinë e jetës reale, sepse janë mbështjellë në fluskën e Twitterit, duke shpresuar se gjërat do të zgjidhen në raundin e dytë.

„Përgjigjen e gjejmë nëse shikojmë lëvizjet demografike, thotë Kishjuhas. “Në masat e gjera ka tendenca të sjelljes autokratike, të paktën tek disa shtresa, ku ka një mosbesim strukturor ndaj demokracisë. Vuçiqi e ka identifikuar me sukses këtë varfëri kulturore të njerëzve në Serbi dhe e ka pasqyruar veten me sukses si një figurë dominante mbi fatin e Serbisë.

Opozita në udhëkryq

Vuçiqi edhe më tej do të sundojë në Serbi – të paktën deri në vitin 2022. Por tani si President. Në fjalimin e tij ai tha se nuk duhen pritur ndryshime të mëdha në politikë. Ditët dhe javët e ardhshme do të vendosë se kush do të jetë “Mirko” i ri – siç ishin Mirko Cvetkoviq në kohën e Boris Tadiqit apo Mirko Marjanoviq nën Millosheviqin (pra kush do të jetë kryeministër i ri.)

Po opozita? Vitin e ardhshëm mbahet beteja për Beogradin, pra zgjedhjet për kryetar bashkie, ku demokratët kanë më shumë shanse se në nivelin e Serbisë. Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që Vuçiqi të organizojë edhe në Beograd zgjedhje të parakohshme me qëllim që të shfrytëzojë momentin.

„Opozita nuk ka ndonjë udhëheqës”, thotë Gordi. Sasha Jankoviq ka aktualisht mbështetjen më të madhe. Ai mund të artikulojë interesat e opozitës vetëm nëse tejkalon hijen e vet – pra mbështetjen vetëm tek banorët e qyteteve të mëdha. Ndërsa kandidati kontrovers Beli Preletaçeviq ka mbledhur rreth vete të rinjtë, ndonëse as ata vetë nuk e dinë pse e kanë votuar. Votimi për të është një dëshirë që të refuzohet sistemi i tanishëm, ndonëse ai nuk ka ofruar asgjë, kurrfarë programi të majtë apo djathtë, apo ndonjë revolucion.

Rënia e të djathtës politike

E djathta në Serbi ka shënuar një rënie të madhe – nëse e përjashtojmë vet Vuçiqin si të djathtë. Vuk Jeremiqi ka pasur një fushatë të shtrenjtë dhe shpresonte se do të mbledhë bllokun liberal dhe konservator. Por ai ka dështuar totalisht. Rasti i tij dëshmon se në krahun e djathtë ka një paqartësi të jashtëzakonshme dhe se “njerëzit nuk duan të votojnë për një Tomisllav Nikoliq me diplomë”, mendon Kishjuhas.

Edhe Gordi është i ashpër në vlerësimet e tij: „As neofashistët e vjetër si Shesheli, apo të rinj si Obradoviqi, apo imitatorët e neofashistëve si Jeremiqi, nuk kanë gjetur simpati tek zgjedhësit. Shoqëria serbe nuk është e tillë, ndonëse kështu është dukur në kohën e Millosheviqit.” (dw)

Tusk: Kriza në Maqedoni duhet zgjidhur për të shmangur tensionet ndëretnike

Tusk IvanovPresidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk i cili vizitoi Shkupin në një kohë kur krizës politike nuk i shihet fundi, tha se duhet gjetur një zgjidhje për të mos lejuar ndezjen e tensioneve ndëretnike.
Ai solli një mesazh të fortë nga drejtuesit dhe institucionet e Bashkimit Evropian:
“Përkushtimi i BE-së ndaj perspektivave të Maqedonisë është shumë i qartë,” tha ai.
Duke iu drejtuar presidentit maqedonas, zoti Tusk tha se ai kupton që momenti është i vështirë dhe se ai e ka të vështirë në këtë gjendje të krijuar.
“Por kjo kohë, theksoi ai, nuk kërkon asgjë tjetër përveç të qenurit burrë shteti”.
Donald Tusk tha se vendi ka nevojë të madhe për unitet në këtë kohë.
“Shpresoj se do ta ndiqni këtë rrugë dhe do të shmangni gjithçka që do të mund të ndizte tensione në vija etnike, theksoi ai, duke shtuar se kriza e vazhdueshme po e pengon Maqedoninë të ecë drejt rrugës euro-atlantike. Ju takon juve që të gjeni një zgjidhje bazuar në parimet demokratike dhe në ndërgjegje. Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë jetëgjatë; kur ta gjeni, mund të keni besim tek mbështetja jonë”, u shpreh Zoti Tusk.
Ndërkaq, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov nuk ka reflektuar ndaj këmbënguljeve evropiane për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë, shumicës së re parlamentare.
Ai nuk ka ndryshuar qëndrimin se platforma e partive shqiptare të cilën ai e quan platformë e një vendi të huaj, i dëmton interesat e Maqedonisë. Ai përsëriti akuzat për përzierjet direkte në punët e brendshme të Maqedonisë; se platforma ndezë tensionet në raportet ndëretnike; se manipulohen qytetarët me çështje jashta marrëveshjes kornizë të Ohrit; se kërkohet ndryshim i kushtetutës.
“Maqedonisë, tha Ivanov, i duhen reforma evropiane dhe jo platforma të huaja”.
Tusk dhe Ivanov kanë biseduar edhe për çështjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Presidenti i Këshillit Evropian u shpreh me tone mjaft pozitive në lidhe me qëndrimet dhe srategjinë e Maqedonisë kundrejt çështjes së refugjatëve dhe imigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët kanë shfrytëzuar Maqedoninë si rrugë drejt vendeve të BE-së. (voa)

Shpërthim në metronë e Shën Petersburgut, 9 të vrarë

Metro PetersburgTë paktën 9 persona janë vrarë në një shpërthim në një stacion metroje në qytetin rus të Shën Petersburgut. Të paktën 50 të tjerë janë plagosur.

Shpërthimi ndodhi në stacionin e metrosë “Sheshi Senaja” në qendër të qytetit. Të gjitha stacionet e metrosë në qytetin e dytë më të madh të vendit janë mbyllur.

Zyrtarë të komitetit rus kundër terrorizmit njoftuan se në një tjetër stacion të metrosë së Shën Petersburg ishte çaktivizuar një pajisje shpërthyese.

Shkaku i shpërthimit ende nuk është përcaktuar, por Presidenti rus Vladimir Putin tha se hetuesit po shqyrtojnë të gjitha mundësitë, duke përfshirë terrorizmin.

“Arsyet janë ende të paqarta, prandaj është herët për të folur rreth tyre. Hetimi do ta tregojë. Por, natyrisht, ne gjithmonë mbajmë parasysh të gjitha mundësitë, që mund të jenë krim lokal dhe, para së gjithash, akt terrorizmi,” tha ai.

Putin mbërriti në Shën Petersburg sot për të folur në një forum vjetor për mediat, të organizuar nga një lëvizje politike që mbështetet nga Kremlini. (voa)

Serbi, Vuçiç fiton zgjedhjet presidenciale

VucicKryeministri konservator i Serbisë Aleksandar Vuçiç fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës me një diferencë të thellë, duke konfirmuar kontrollin e tij mbi jetën politike në një vend në kërkim të marrëdhënieve të ngrohta me perëndimin, ndërsa forcon lidhjet me aleaten tradicionale, Rusinë.

Anketat e pavarura tregojnë se 47-vjeçari Vuçic ka marrë rreth 55 për qind të votave. Kjo i siguron fitoren që në raundin e parë, duke marrë më shumë se 50 për qind të votave të kërkuara për të formuar qeverinë. Rivali i tij më i afërt, kandidati i opozitës Sasha Jankoviç, ka marrë mbi 16 për qind.

Që nga vitit 2008 Vuçic, me profesion avokat, ka nxitur politikat për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, duke sinjalizuar një ndryshim dramatik nga qëndrimi i tij ultra-nacionalist i viteve ’90, si anëtar i Partisë Radikale serbe të ekstremit të djathtë.

Ai ka nxitur gjithashtu përmirësimin e lidhjeve me Kosovën si një kërkesë kyçe për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Pritet që Vuçic të emërojë një aleat në postin e kryeministrit si dhe të transformojë pozicionin e presidentit nga një post ceremonial në një zyrë prej nga mund të kontrollojë jetën politike të vendit me 7.2 milionë banorë.

Zgjedhjet, sprovë për popullaritetin e Z. Vuçiç

I dyti pas tij radhitet kandidati opozitar Sasha Jankoviç, ish Avokat i Popullit të në Serbi që ka fituar rreth 15 për qind të votave, sipas grupit vëzhgues Ipsos dhe Qendrës për Zgjedhje të Lira e Demokratike.

“Për mua është me rëndësi që këto zgjedhje dëshmuan se shumica e qytetarëve serbë mbështetë vazhdimin e rrugës evropiane duke ruajtur në të njëjtën kohë lidhjet me Kinën dhe Rusinë”, u tha Vuçiç mbrëmë përkrahësve të tij duke shpallur fitoren që e cilësoi “të pastër si loti”.

Serbët hodhën të dielën votën e tyre për të zgjedhur presidentin e ri, në ato që shiheshin si sprovë për popullaritetin e kryeministrit aktual, Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç vendosi të heqë dorë nga posti i kryeministrit para se të mbushej një vit nga fillimi i mandatit të dytë, me premtimin për të ruajtur një drejtpeshimin ndërmjet aspiratave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të ruajtur lidhjet tradicionale me Rusinë.

“Politika e Serbisë është që të qëndrojë në rrugën evropiane. Ky është qëllimi ynë strategjik. Arsyeja kryesore është që ne duam të jemi dhe të kemi një shoqëri sikurse në shumicën e vendeve të zhvilluara evropiane. Në anën tjetër, unë u them Bashkimit Evropian dhe Washingtonit se Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira më Federatën Ruse, të kemi bashkëpunim të mirë ekonomik dhe ta përmirësojmë atë, sepse kemi pasur rënie të tregut vitin e kaluar”, tha ai gjatë fushatës.

Në Serbi, zyra e kryeministrit ka më shumë fuqi sesa ajo e presidentit. Vuçiç nuk ka dhënë shpjegime përse ka zgjedhur të largohet nga një zyrë me fuqi institucionale për të mbajtur një post kryesisht ceremonial. Por, analistët thonë se ai druante që presidenti aktual, Tomislav Nikoliç, mund të humbte zgjedhjet dhe posti t’i mbetej opozitës.

Opozita e rimëkëmbur kishte pak shpresë, meqë udhëheqësit e ndarë të saj nuk u morën vesh për një kandidat të përbashkët dhe Vuçiç u përball 10 syresh.

Kritikët e tij paralajmërojnë se zoti Vuçiç po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë së Rusisë nën Vladimir Putinin që i ka dhënë tashmë mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar zotin Vuçiç për përbaltje të kandidatëve, për kontroll të medieve dhe për frikësim të votuesve.

Zoti Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat. Partia e tij Përparimtare Serbë në pushtet bleu ditën e enjte hapësirat e faqeve të para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme, për të reklamuar logon kuq e blu të kandidatit të saj.

Serbia u bë republikë e pavarur në vitin 2006, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia është vend kandidat për në BE që në vitin 2012 dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në vitin 2014.

Serbët e Kosovë në zgjedhjet presidenciale serbe

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ndërmori të dielën operacionin e quajtur “grumbullimi i votave” për t’u mundësuar serbëve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

Misioni kishte hapur katër qendra të grumbullimit të votave me degë të ndryshme në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, siç u veprua për zgjedhjet e kaluara.

Misioni i OSBE-së , planifikon që pas përfundimit të operacionit, votat e grumbulluara do t’i dërgojë në Rashkë dhe Vranjë të Serbisë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit të atjeshëm Zgjedhor.

Serbët e Kosovës janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë meqë kjo u është garantuar me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë shpesh është kundërshtuar nga një numër subjektesh politike, të cilat pohojnë se në këtë mënyrë po pengohet integrimi i komunitetit serb.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. (voa)

Ekonomia shqiptare, në 2016 rritja 3,46%

InstatEkonomia shqiptare në 2016 rregjistroi një rritje prej 3,46 përqind, sipas vlerësimit parprapak të bërë të ditur sot nga Instituti i Statistikave. Një shtysë të ndjeshme në këtë rritje duket se ka dhënë tremujori i katërt, në të cilin Produkti i brendshëm bruto rezultoi në nivelin e 3,97 përqind. Për 9 mujorin e parë të vitit, rritja ekonomike kishte qenë 3,27 përqind.

Ndikim në ecurinë e ekonomisë në tremujorin e fundit duket se ka patur aktiviteti i Ndërtimit, i cili u rrit me 6,81 përqind, i nxitur sipas Instat-it, kryesisht nga kompanitë që kanë kryer punime private për realiziomin e projektit të gazsjellësit TransAdriatik Pipeline (TAP). Po ashtu dhe grupi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 5,14 përqind, falë ndikimit të drejtpërdrejtë që ka dhënë ecuria e sektorit të energjisë elektrike e rritur me 61,94 %.

Rritja në 2016, është lehtësisht më e madhe se parashikimi i Qeverisë apo dhe i Fondit monetar ndërkombëtar, në nivelin 3.4 përqind. Për vitin 2017 pritshmëritë janë më të larta, për një nivel rritjeje në kuotat e 3.8 përqind. (voa)