Phillips: Ballkani, vija e re e frontit në ballafaqimin Moskë-Uashington

David Philips, drejtori i Institutit për Paqe në Universitetin Kolumbia në New York, tha sot në Prishtinë se një vijë e re e frontit në luftën e ftohtë të Rusisë me Shtetet e Bashkuara, shtrihet në Ballkan.

Sipas zotit Philips, Rusia qëndron prapa veprimeve destabilizuese të Serbisë kundruall Kosovës, ndërsa në rrafshin ndërkombëtarë ai tha se Rusia po tenton të ndërhyjë në procese demokratike në mbarë botën duke marrë shembull edhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Francë.  (voa)

 

 

Kosovë, Hapet fushata elektorale

MitingAmbasada amerikanë në Prishtinë bëri thirrje të mërkurën për shmangien e çdo forme të dhunës e frikësimit gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Në mesnatë partitë politike hapën edhe zyrtarisht fushatën dhjetëditëshe për zgjedhjet e 11 qershorit, ndonëse fushata në terren ka filluar që me shpalljen e këtyre zgjedhjeve në fillim të këtij muaji. 26 subjekte politike nga të cilat 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy nisma qytetare, do të konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa mbi një milion e 900 mijë votues kanë të drejtë vote.

Ambasada amerikane nëpërmjet një komunikatë bëri thirrje që të gjithë kandidatët politik të përkushtohen për zgjedhje të lira, të besueshme e të qeta.

Në këto zgjedhje, ne do t’i ndihmojmë Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane duke vendosur ekipe vëzhguese anekënd vendit në ditën e votimit. Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime të besueshme lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politik, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre veprimeve. Presim që të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe ata që aspirojnë të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës të ngritin zërin fuqishëm kundër sjelljeve të tilla“, thuhet në komunikatë.

Ambasada thekson se “qytetarët meritojnë një proces të hapur dhe transparent zgjedhor ku të gjithë kandidatët kanë të drejtë të dëgjohen nga votuesit, ku përfaqësuesit e medieve pa dhunë ose kërcënime kanë të drejtë të shpërndajnë informacione lidhur me zgjedhjet, dhe të gjithë votuesit kanë të drejtë të vendosin vet pa ndonjë trysni nga jashtë. Ambasada shpreson që kandidatët do t’u përmbahen këtyre standardeve përgjatë gjithë periudhës së fushatës dhe votuesit do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votojnë dhe të zgjedhin me vëmendje ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit i cili synon të vazhdojë drejt rrugës së integrimeve euro-atlantike“, përfundon komunikata e ambasadës amerikane.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive.

Bashkimi Evropian tashmë ka filluar vendosjen e një misioni prej rreh 100 vëzhguesve për zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa për vëzhgimin e tyre janë zotuar edhe diplomatët euro perëndimorë të akredituar në Prishtinë.

Policia e Kosovës dhe mekanizmat tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Pesë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndonëse autoritetet në Serbi janë vënë në përpjekje për të bashkuar serbët e Kosovës në një listë të përbashkët. Por, kësaj radhe serbët e Kosovës janë të ndarë. Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

Zgjedhjet e 11 qershorit po përshkohen edhe me thrirjet e organizatave vendase e ndërkombëtare që qytetarët e Kosovës të mos i votojnë kandidatët e partive politike që janë të akuzuar apo dyshuar për korrupsionin.

Sido qoftë, fushata tashmë ka filluar me tubime të partive politike që kësaj radhe janë përqendruar më shumë në çështje ekonomike sesa në ato politike siç kishte ndodhur në të kaluarën. (voa)

Aleksandër Vuçiç betohet të qëndrojë mes lindjes e perëndimit

VucicNjë ditë pasi formalisht dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dha të mërkurën betimin në postin e presidentit duke u zotuar për të punuar për paqen e qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa po punon për fuqizimin e forcave të armatosura të Serbisë.

Një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, Aleksandër Vuçiç shënoi një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 2 prill.

Partitë opozitare që e kanë akuzuar atë për parregullsi në zgjedhje, planifikojnë protesta të mërkurën në mbrëmje, kundër siç thuhet, sundimit autokratik të tij.

“Ne duhet ta bëjmë rajonin të tillë që dallimet të jenë përparësi dhe jo themel i përleshjeve”, tha ai gjatë fjalimit përurues në parlamentin serb, gjatë të cilit ju referuar luftërave të viteve të 90-ta gjatë cilave ai kishte luajtur një rol aktiv si mbështetës i idesë së zgjerimit të kufijve të Serbisë.

Aleksandër Vuçiç ishte pjesë e Partisë Radikale Serbë të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel.

“Derisa bisedojmë me të gjithë, në po ashtu duhet të forcojmë mundësitë tona mbrojtëse”, tha ai, duke theksuar qëndrimin se “Serbia nuk do t’i bashkohet NATO-s apo ndonjë aleance tjetër ushtarake.

“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë, përfshirë edhe Kosovën si pjesë përbërëse të saj…”, tha ai gjatë betimit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të viti 2008 por është përfshirë në një proces normalizimi në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Si kryeministër ai ishte përsëritur se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Serbisë. Në të njëjtën kohë ai ka forcuar lidhjet më aleatin tradicional, Rusinë, e cila do të furnizojë Beogradin me avionë ushtarak dhe tanke, duke nxitur shtim tensionesh në Ballkan.

Ai shkurtimisht përmendi sot integrimet evropiane duke theksuar se “askush nuk duhet të dyshojë në rrugën evropiane të Serbisë”.

AI tha se Serbia do të ruajë lidhjet me Rusinë e Kinën, por njëkohësisht do të përmirësojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur para mbështetësve të tij të mbledhur para parlamentit, ai u zotua për “ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë dhe të së ardhmes së fëmijëve tanë”.

Posti i presidentit është më shumë ceremonial në Serbi, por të mërkurën ai la të kuptohet se synon të luaj rolin udhëheqës në politikën serbe. Aleksandër Vuçiç, pasoi në këtë post ish shefin e tij Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij pro ruse. (voa)

Gabriel: BE duhet të jetë me aktive në mbështetje të Ballkanit

GabrielMinistri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha sot se Bashkimi Evropian duhej të punojë më shumë në mënyrë që mbështetja e gjerë e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet më e dukshme. Zoti Gabriel i bëri komentet në një konferencë për Evropën Juglindore të mbajtur në ambasadën çeke në Berlin.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel bëri thirrje për hapa konkrete për të shmangur që vendet e Ballkanit Perëndimor të humbasin interesimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian:

“Nuk duhet të ndodhë që në Serbi, për shembull, një pjesë e madhe e popullsisë sipas sondazheve ende beson se Rusia është mbështetësja më e madhe e vendit”, tha ministri i jashtëm gjerman.

Zoti Gabriel shtoi se nuk duhet të duket çudi fakti që interesimi në Ballkanin Perëndimor për procesin e anëtarësimit është i kufizuar. Arësyeja, tha ai, është se shumica e njerëzve nuk janë në dijeni të veprimeve të Bashkimit Evropian.

“Kur i hedh një vështrim Ballkanit, rajonin tonë fqinj, që është kaq i rëndësishëm për ne, shqetësohem për disa zhvillime atje. Prandaj jam i bindur se të gjithë ne, veçanërisht vendet e rajonit, duhet të punojnë më shumë për një të ardhme paqësore, të begatë dhe evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe Europën në tërësi,” tha ministri i jashtëm gjerman.

Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ato të mos largohen nga ideja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vettingu, mbyllet faza e verifikimit

VetinguNë Shqipëri komisioni i Posaçëm parlamentar për verifikimin e kandidatëve që do të jenë anëtar të strukturave të cilat do të duhet të kryejnë procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjykatësve shqiptarë, mbylli sot veprimtarinë e tij. Pavarësisht kritikave që përfaqësuesit e opozitës por dhe ai i LSI-së patën ndaj procesit të përzgjedhjes, lista me 68 kandidatë i kalon tani dy komisioneve të tjera që do të bëjnë përzgjedhjen e emrave të cilët do të votohen më pas nga parlamenti:

Në ditën e fundit të punës së tij Komisioni parlamentar i Verfikimit, përmbylli procedurat, në një seancë me punimet me dyer të mbyllura. Komisioni, i cili kishte dëgjuar më parë të gjithë kandidatët, pati përpara tij tre lista, 67 persona të cilët plotësonin kriteret formale dhe kishin marrë rekomandim pozitiv nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, një grup i cili kishte marrë rekomandim negative dhe grupi i tretë, i cili nuk plotësonte kriteret formale. Lista e parë i kalon automatikisht, pas verifikimit, dy Komisioneve parlamentare të Përzgjedhjes. Ndërsa nga listat e tjera vetëm një kandidaturë mori votat e nevojshme për t’ju bashkangjitur listës që kalon në fazën e mëpasshme. “Në përfundim të kësaj procedure, Komisioni i Verifikimit, i përcjell për votim, dy Komisioneve të tjera Përzgjedhëse, një listë të kandidatëve prej 68 emrash që plotësojnë kriteret formale dhe nuk kanë marrë rekomandim negativ nga ONM-ja”, deklaroi Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Verfikimit.

Por përfaqësuesi i LSI-së në Komision Luan Rama shprehu vërejtje për kriteret e përdorura në përzgjedhje nga Avokati i Popullit dhe ONM-ja: “Dikush që ka vëllanë ose burrin në sistemin e Drejtësisë, i jepet rekomandim negativ, dikujt tjetër që ka po vëllanë, apo burrin, ose motrën, nuk i jepet rekomandim negativ. Kjo është shprehje flagrante e aplikimit të dy standarteve, e subjektivizimit dhe përpërgjegjshmërisë në përzgjedhjen e kandidatëve”

Në të njejtën linjë edhe përfaqësuesi i opozitës Flamur Noka, i cili gjithashtu foli për një nivel të ulët profesional të kandidatëve, duke mos kursyer kritikat për lidhje politike të disa të tjerëve: “Ata 5-6 profesionistë që mund të ishin, ishin politik. Pjesa tjetër ishte e mbushur me nivelin e ulët të sistemit të drejtësisë. Merreni me mend se cfarë produkti do të ketë Vettingu dhe Refroma në Drejtësi”.

Mes 68 kandidatëve do të përzgjidhen 12 anëtarët e Komisionit që do të bëjë vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe dy zëvendësat e tyre, 6 anëtarët e Kolegjit të Apelimit dhe dy zëvendësa, dhe dy komisionerët publik e zëvendësat e tyre. Përzgjedhja e tyre bëhet nga dy Komisione të posaçme parlamentare, pa debat, përmes një sistemi të fshehtë elektronik. Të gjithë kandidatët e përzgjedhur do i nënshtrohen votimit në bllok nga ana e parlamentit, me tre të pestat. (voa)

Sonte pritet miratimi i kabinetit qeveritar të Maqedonisë

ZaevSonte pritet të miratohet kabineti qeveritar i Maqedonisë. Shumica parlamentare, pas pesë muajsh arriti të zhbllokojë pengesat në parlament që kishte paraqitur partia VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kryeministri i mandatuar Zoran Zaev pritet të mbajë një fjalë përmbyllëse para ligjvënësve, rreth mesnatës, para se të votohet kabineti i tij. Para tij pritet të flasë drejtuesi opozitar Gruevski.

Seanca parlamentare që filloi dje dhe po vazhdon edhe sot, është përshkuar me mjaft kritika midis opozitës së re dhe partive që do të marrin pushtetin, ndërsa deputetët social-demokratë gjatë paraqitjeve nuk kanë lënë pa folur për ngjarjet e dhunshme në parlament para një muaji.

Qeveria e zotit Zaev do të ketë njëzetë e gjashtë ministra, prej tyre gjashtë pa portofol. Zaev ka premtuar se do t’i përkushtohet rritjes ekonomike, reformave në drejtësi dhe integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Nato.

Shumica e re e përbërë nga Lidhja Spcial Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë së bashku 62 vota në parlament. Qeveria miratohet me shumicën e thjeshtë ose 61 vota nga 120 sa ka parlamenti i Maqedonisë.

Me formimin e qeverisë së re do t’i jepet fund pushtetit gati njëmbëdhjetë vjeçar të VMRO-DPMNE-së me prirje nacionaliste. (voa)

Sulm në zonën diplomatike të Kabulit

KabulNga një shpërthim i një automjeti në kryeqytetin afgan, Kabul kanë humbur jetën dhjetëra njerëz dhe janë plagosur qindra të tjerë. Si pasojë ambasada gjermane është dëmtuar rëndë.

Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit (31.05), në kohën e pikut të trafikut në Kabul në afërsi të mjaft ministrive dhe ambasadave të huaja.

Nuk dihej në fillim se ndaj kujt drejtohej sulmi, ku humbën jetën të paktën 49 vetë dhe janë plagosur më shumë se 300 vetë, siç bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë afgane, Sedik Sedikki.

Afghanistan Explosion in Kabul (Reuters/M. Ismail)

Pamjet nga mediat sociale tregojnë makina të shkatërruara dhe trupa të përgjakur. Në afërsi të vendit të sulmit ndodhej ambasada amerikane, ajo gjermane, britanike dhe shtabi i NATO-s e disa ministri afgane. Sipas të dhënave të qeverisë franceze janë dëmtuar si ambasada franceze ashtu edhe ajo gjermane. Si pasojë ambasada gjermane është dëmtuar rëndë.

Mijëra vetë në këtë orar shkojnë në punë në Kabul.

Në fund të prillit talibanët bënë fjalë për “fillimin e ofensivës së pranverës” dhe i kanë shtuar sulmet e tyre.

la/(afp, dpa, rtr)

OBSH: 7 milion të vdekur çdo vit nga duhani

duhanpiresOrganizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se më shumë se shtatë milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje që shkaktohen nga pirja e duhanit, duke shkaktuar kështu një dëm të madh në ekonomitë e vendeve të ndryshme.

Ditën e mërkurë, për të kujtuar Ditën Botërore Kundër Duhanit, agjencia e shëndetit global dhe Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara kanë bërë publik një raport ku dëshmohet qartë ndikimi negativ që ka duhani në mjedis.

“Dëmton tokën, çon në shpyllëzim dhe ka ndikim të rëndë mbi ekonominë, çka ende nuk është faktuar plotësisht për shkak të mungesës së të dhënave, që qeveritë nuk ia kanë kërkuar industrisë së duhanit që t’i raportojë,” thotë Vinayak Prasad i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas këtij raporti, mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.

Përveçse shkaktojnë vdekjen e parakohëshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se miliona njerëz që pijnë duhan vuajnë nga një sërë sëmundjesh që kanë lidhje me pirjen e duhanit, si dhe paaftësi të ndryshme, përfshirë verbimin, amputimin, impotencën etj.

Pavarësisht masave të ndërmarra për kontrollin e duhanit, OBSH raporton se numri i njerëzve që humbin jetën nga pirja e duhanit ka qenë në rritje, sepse ata që vdesin sot me shumë gjasa kanë qenë duhanpirës për një kohë të gjatë dhe duhet një kohë e gjatë që politikat për kontrollin e duhanit të kenë efekt. (voa)

“Ballkani: Kërcënimet për Paqën dhe Stabilitetin”

Albanian ligaDeklarata e Hon. Joseph J. DioGuardi President, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Komiteti për Marrdhënie me Jashte i Kongresit Nënkomitetit për Evropë, Evroazi, dhe Kërcënime të Reja

“Ballkani: Kërcënimet për Paqë dhe Stabilitetin”

17 Maj 2017

Ngjarjet e ndërlidhura me sulmin brutal ndaj Ziadin Selës si lider i reformës politike në Maqedoni Me 27 Prill 2017, Talat Xhaferi u zgjodhë Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë. Ata që përkrahën zgjedhjen e tij, të shqiptarit të pare të zgjedhur në këtë positë, u sulmuan brutalisht nga deputetët e VMRO-DPMNE-se dhe banditët e paramiliatarët e tyre në një përpjekje për të futur frikë dhe terror në mendjet dhe zemrat e atyre që kanë vendosur të reformojnë qeverinë e korruptuar maqedonase nën Kryeministrin Nikola Gruevski, i cili ka udhëheqë me qeverinë sikur të ishte një ndërmarrje kriminale për pesëmbëdhjetë vitet e kaluara. Ai totalisht ka kontrolluar cdo aspekt të qeverisë maqedonase, duke përfshirë gjyqet, përmes korrupsionit, patronazhit, dhe taktikave tjera mafioze. Për muaj të tërë, para ngjarjes trishtuese të 27 Prillit, Ziadin Sela, Kryetar i Komunës së Strugës dhe Kryetar i Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, LR-PDSH (që është në koalicion me Zoran Zaevin e parties maqedonase LSDM, kundershtarë të VMRODPMNE-se), ishte cak i propagandës agresive që tentonte ta paraqiste atë si “armik të popullit” që duhej eliminuar. Rezultati ishte një sulm brutal mbi Selën, në vecanti, nga njerzë të maskuar dhe police të forcave speciale, që u lejuan nga policia qeveritare maqedonase që të sulmonin Deputetët për mëse dy orë rresht pa asnjë intervenim të forcave policore që ishin present aty. Ziadin Sela u qëllua shumë here në kokë, u rrëzua për tokë pa vetëdije, dhe u la për të vdekur nga sulmuesit, kur u tërhoq nga kolegët e tij dhe u rikthye në jetë me ndihmë mjekësore. (Kjo mund të shihet kjartazi edhe nga fotografitë e zmadhuara e te paraqitura këtu të Selës së përgjakur më 27 Prill që i kam sjellë këtu për këtë dëgjim.) z. Kryetar, përdorimi i paramenduar i dhunës për të futë frikë për të arritur tek qëllimet politike duhet të bëjë VMRO-DPMNE-në të njihet si organizatë terroriste nga Departamenti i Shtetit, njejtë sic është vepruar me grupe tjera politike që kanë promovuar terrorizmin.

Partia VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Nikola Gruevski përfaqëson një lëvizje të dhunëshme anti-shqiptare në Maqedoni

VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Nikola Gruevksi është kjartazi një parti politike e dhunëshme anti-shqiptare e cila në gjirin e vet ka shumë anëtarë me të kaluar kriminale, duke përfshirë edhe Deputet që janë denuar për krime të rënda, sic është rasti i Jovan Tarculovskit i cili me 2005 ishte dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime të Luftës në IshJugosllavi për krimet e luftës të bëra ndaj njëqind shqiptarëve gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 në mes të shqiptarëve etnikë dhe forcave të sigurisë së qeverisë maqedonase. Traculovski është tani Deputet nga rradhët e VMRO-së. Kriza e tanishme politike dhe kaosi ekonomik në Maqedoni kanë pasur efekt shumë negative në jetën e popullatës shqiptare, e cila edhe ashtu ka një nivel të lartë të papunësisë, vecanërisht në mesin e të rinjëve. Është e kjartë se diskriminimi ekonomik kundrejt shqiptarëve është përdorur si një instrument i institucionalizuar i spastrimit etnik, në mënyrë të ngjashme sic kishte vepruar edhe tanimë diktatori i ndjerë serb Milosheviq në Kosovë nga 1989 deri më 1999 kur SHBA-të dhe NATO bombarduan Serbinë dhe e sollën Milosheviqin para drejtësisë ndërkombëtare në Hagë. Milosheviqi ishte akuzuar për “krime kundër njerëzimit”—krime këto që tani po përsëriten nga racizmi dhe shovinizmi sllav nën drejtimin e Nikola Gruevskit edhe sot.

Duke e pare situatën e përkeqësuar ekonomike dhe politike në Maqedoni gjatë mëse gjashtëmbëdhjetë viteve pas Marrëveshjes së Ohërit që kishte për qëllim përfundimin e konfliktit të armatosur në mes shqiptarëve etnik dhe maqedonasëve, tani shihet kjartë se rrënjët e këtij konflikti janë politike, jo etnike. Kriza e tanishme është përpjekje për të marrë pushtetin dhe për të kontrolluar resurset financiare nga VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski, që po refuzojnë që në mënyrë paqësore ta transferojnë pushtetin tek Zaev dhe koalicioni i udhëhequr nga LSDM, të cilët kanë arritur shumicën e kërkuar parlamentare sipas kushtetutës së Maqedonisë për të krijuar qeverinë e re qysh me 27 Prill. Frika kryesore që ka VMRO është nga akuzat kriminale që do mund të ngriten ndaj udhëheqjes së partisë, duke përfshirë këtu edhe ndaj Kryeministrit Gruevski si dhe ndaj drejtorit të Shërbimit Sekret, sapo që ata të mos jenë më në pushtet.

Potenciali i Involvimit Rus në Maqedoni

Kjo ngre lartë mundësinë reale të involvimit rus në Maqedoni pasi që Gruevski do të mirëpres cfarëdo lloj ndihme ruse për të kthyer krizën e tanishme politike në konflikt ndëretnik me implikime rajonale pasi që Maqedonia kufizohet me Shqipërinë dhe Kosovën, Greqinë e Serbinë. Dhe, ekziston rreziku i vërtetë se Rusia do të mund të përdorë pozitën e palakmueshme të Gruevskit dhe VMRO-së për të nxitur një front të hapur ndëretnik në mënyrë që të fuqizojë pozitën e vet në Ballkan. Mundësia që kjo të ndodhë, duhet të jetë arsyeje e bollshme për SHBAnë dhe BE-në që t’i kundërpërgjigjen ngjarjeve kaotike të 27 Prillit sa më shpejt që të jetë e mundur. Serbia vec ka paralajmëruar se po përgatitet për më të keqën në Maqedoni dhe se do të intervenojë për të mbrojtur interesat e veta nacionale. Në një skenar të tillë, Rusia mund të shfrytëzojë armiqësitë ndëretnike për të zgjeruar influencën e vet regjionale duke i ofruar përkrahje Maqedonisë edhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohërit është kompremetuar nga Shkupi 2014

Retorika anti-shqiptare e VMRO-se si dhe ekskluziviteti për maqedonët është bërë i kjartë me projektin Shkupi 2014 që qeveria maqedonase e ka implementuar duke ndërtuar muze, ndërtesa qeveritare, dhe monumente tjera me figura historike të rajonit, duke menjanuar krejtësisht identitetin shqiptar nga e gjithë literature, arkitektura, dhe simbolet. VMRO-DPMNE e ka bërë këtë, edhepse shqiptarët ishin shumicë e popullatës në Shkup nga 1800 deri më 1992, kur shumë prej tyre imigruan në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, pas rënjes së komunizmit në Shqipëri. Shkupi 2014 është dhunimi më serioz i Marrëveshjes së Ohërit, gjë që u bo e mundëshme përmes përuljes ndaj VMRO-DPMNE-së të partisë shqiptare në koalicion qeverisës, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të udhëhequr nga Ali Ahmeti, si dhe përmes heshtjes së SHBA-ve dhe BE-së. Si rezultat, gjashtëmbëdhjetë vjet pas Marrëveshjes së Ohërit, shqiptarët në Maqedoni, që përbëjnë të paktën një të tretën e popullatës, kanë më pak të drejta dhe garanca sesa ato që iu janë dhënë serbëve të Kosovës, të cilët përbëjnë më pak se pesë përqind të popullatës së Kosovës dhe janë të mbrojtur përmes një kushtetute modern të përkrahur nga SHBA-të dhe BE. Një shtet që ndalon përdorimin e gjuhës amëtare të një grupi kaq të madh të popullatës së vet, nuk mund të konsiderohet shtet legjitim. SHBA dhe BE janë bashkë-garantuese të Marrëveshjes së Ohërit, por të dyja kanë dështuar të cojnë deri në fund implementin e saj, duke ia dhënë mundësinë Gruevskit që të thyej shpirtin e kësaj marrëveshje paqeje ndëretnike për shumë vite me rradhe.

Rrënjët e racizmit ndaj shqiptarëve në Maqedoni mund të gjenden në ish-Jugosllavi

Më 7 Mars 1937, një memorandum i politikës së brendëshme u paraqitë në Beograd nga Dr. Vaso Cubriloviq, mentor i Ministrit të Brendshëm e brutal Aleksander Rankoviq, dhe kriminelit të luftës Slobodan Milosheviq. Memorandumi, i titulluar “Shpërngulja e Shqiptarëve,”  kishte bërë spastrimin etnik por edhe gjenocidin strategji “të lejuara” për të përmbushë “largimin masovik të shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre” [Kosova, Maqedonia, dhe Mali i Zi] si “kursi më efektiv i veprimit.” Në faqe 5, nga 19 faqe sa ka gjithësej memorandum, të cilin po e dorëzoj si pjesë së kësaj dëshmi, Cubriloviq deklaron se “shqiptarët nuk mund të hiqen qafe përmes metodës së kolonizmit gradual;…mënyra e vetme për t’u marrë me ta është forca brutale e një shteti të organizuar, në të cilën ne gjithëmonë kemi qenë superior ndaj tyre.” Dhe në faqe 7, “mënyra e largimit të tyre” është përshkruar si më poshtë: “largimi masovik i shqiptarëve… është kursi i vetëm efektiv për ne… për të arritur zhvendosjën e një populli të tërë…. Parakushti i pare është krijimi i një psikoze të favorshme për ne… Prandaj, ne duhet të fitojmë kundrejt prijësve fetarë dhe njerëzve me ndikim të tyre, përmes parave apo kërcënimeve për të përkrahur zhvendosjen e shqiptarëve…, dhe përmes agjitatorëve që e cojnë përpara këtë zhvendosje… Mënyrë tjetër do të ishte koercioni nga aparati shtetëror… ashtu që qëndrimi i tyre të bëhet i pamundur… Ne duhet t’i japim edhe armë kolonistëve tanë…. Por, mbetet edhe një mënyrë, që Serbia e ka zbatuar me efekt praktik shumë të madh që nga 1878, dhe e cila është, djegëja secrete e fshatrave dhe qyteteve shqiptare.” Si person që në mënyrë active ka ndjekur ngjarjet që sollën prishjen e Ish-Jugosllavisë që nga viti 1986, në cilësinë e Kongresistit atëherë, dhe që nga viti 1989 si një advokues për të drejtat njerëzore, politike, dhe qytetare të shqiptarëve në Ballkan, mua më është më e kjartë se kurrë më pare se ngjarjet e 27 Prillit 2017 tregojnë se Nikola Gruevski po ndjekë rrugën raciste dhe shoviniste të tanimë diktatorit të ndjerë serb Slobodan Millosheviq, i cili, nëse nuk ndalet tash, do të na shpije në tension ndërtenik më të lartë dhe dhunë politike në Maqedoni, me pasoja të mëdha ligjore për të gjithë që sikur Gruevski shkojnë hapave të Millosheviqit, hapa këta të një rruge të tmerrëshme që e cuan atë në vdekje në celinë e burgut në Hagë, dhe përsëri nuk pamundësuan realizmin e asaj që më së shumti i frigohej, pavarësinë e Kosovës.

Rekomandime

1) SHBA nuk mund të presin edhe më tutje për BE-në që të zgjidhë këtë krizë politike në Maqedoni, për arsyet e dhëna në këtë dëshmi, dhe duhet te marrin një rol udhëheqës tani para se Maqedonia të futet krejtësisht në kaos si dhe para se kostoja e kaosit politik, financiar dhe humanitar të bëhet e papërballueshme për SHBA-të.

2) Një hap që duhet ndërmarrë menjëherë është për SHBA-të t’i përkushtohen implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohërit, tanimë pesëmbëdhjetë vjecare, për të siguruar të drejta të barabarta për popullin shqiptar në Maqedoni. Për të arritur këtë, Kongresi i SHBA-vë duhet të krijojë një Këshill Implementues për Marrëveshjen e Ohërit. Mosekzistimi i një mekanizmi të tillë është një nga arsyejet që ia kanë mundësuar VMRO-DPMNE-së të kontrollojë lidershipin e BDI-së, partnerit të vogël të koalicionit.

3) SHBA-të duhet të kërkojnë përligjëjen e barazisë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasëve me Kushtetutë pasi që Kushtetuta e tanishme (1991) ngërthen në vete nene diskriminuese nga e shkuara jugosllave që trajtojnë shqiptarët në Maqedoni si qytetarë të dorës së dytë.

4) Sulmi shokues i 27 Prillit 2017 mbi Parlamentin e Maqedonisë nga forcat speciale policore u mundësua nga furcat e policisë, të cilat lejuan që dhuna të vazhdonte aty për gati tri orë pa intervenuar fare. Si rezultat i kësaj dhe refuzimit të Presidentit Ivanov për t’ia dhënë mandatin për krijimin e qeverisë koalicionit të LSDM-së të udhëhequr nga Zoran Zaev ku përfshihen edhe partitë shqiptare (pra, me 67 deputetë nga 120 gjithësej), SHBA-të dhe BE-ja duhet që menjëherë të vendosin sanksione ndaj Maqedonisë.

AMA publikon treguesit audiovizivë, buletin për transparencë

amaPër herë të parë Autoriteti i Mediave Audiovizive bën publik buletinin e parë për treguesit në sektorin e medias, që përfshin 6 mujorin e parë të vitit 2016.

Buletini është përmbledhje e treguesve mbi sektorin e mediave audiovizive në Republikën e Shqipërisë, duke përmbushur në këtë mënyrë edhe një nga funksionet kryesore që i atribuohen AMA-s nga ligji për mediat audiovizive.

“Buletini periodik i AMA-s është një produkt i ri që pasqyron të dhënat nga tregu audioviziv në Republikën e Shqipërisë. Kjo iniciativë e AMA-s është një transparencë për publikun, është një  databazë, e cila ju jepet studiuesve, kërkuesve, grupet e interesit për të kuptuar më mirë se çfarë në ndodh në këtë treg”, shprehet Arben Muka, drejtor i programeve.

Në seancën e diskutimeve u trajtuan disa tema, si “Rregullimi i tregut të punës në radhët e operatorëve audiovizivë përmes standardizimit të marrëdhënieve kontraktuale punëdhënës–punëmarrës” si dhe “Aspekte metodologjike në mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave statistikore”.

Ky buletin është i dyti i publikuar, nga AMA, brenda këtij viti pas atij të Këshillit të Ankesave.

/ Top Channel