Rama: Reforma me PD. Të enjten votohet Komisioni

ramaPartia Socialiste mblodhi për herë të parë grupin e saj parlamentar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. E pikërisht nga ai vend ku Lulzim Basha dhe Edi Rama ranë dakord për marrëveshjen e 18 majit, kreu socialist ju rikthye asaj për reformën zgjedhore, duke i cilësuar legjitime kërkesat e Partisë Demokratike, të cilën Rama e quajti opozitën kryesore me të cilën do të arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore.

“Partia Socialiste ka patjetër të gjithë vullnetin e mirë që të çelë një diskutim për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor, por në kuadër të një konceptimi tërësor të marrëdhënies Qeveri-Opozitë, PS-PD. E mirëpresim Partinë Demokratike në një dialog të vërtetë dhe realist lidhur me procesin zgjedhor, por dëshirojmë paraprakisht të përcaktojmë së bashku me PD një kornizë të qartë brenda së cilës do të zhvillohet dialogu dhe bashkëpunimi i shumicës parlamentare me opozitën. Kjo natyrisht nuk përjashton opozitën tjetër, përkundrazi e integron atë, por boshti i dialogut është PS-PD”, tha Rama.

Një pikë që solli debat në mbledhjen e grupit ishte dhe buxheti për institucionet e reja të Vettingut, ku nuk munguan as kundërshtitë, si nga Erjon Braçe, ashtu edhe nga Saimir Tahiri.

Edi Rama: Nuk është çështje numri punonjësisht, por është çështje strukturimi si duhet i një institucioni për të marrë rezultain maksimal. Në rastin konkret, kur është fjala për një proces kaq të rëndësishëm, siç është ai i vettingut, ne jo vetëm nuk do të kursejmë asnjë burim që qeveria ka dhe që duhet t’ja vendosë në dispozicion këtij procesi, por përkundrazi, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme.

Erjon Braçe: Është një vendim që ka në mënyrë të qartë efekte financiare. Kësaj radhe u tejkalua, por unë do ju kërkoj që herë tjetër mos të ndodhë më që vendime të tilla mos të kalojnë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Saimir Tahiri: Dy nga institucionet thanë aty që ne nuk bëjmë dot detyrën me këtë buxhet. Kur këto institucione na e thonë që sot që s’bëjmë dot detyrën, nesër çfarë do na thonë? S’e di, ndoshta duhet parë më pak fleksibilitet nga ana jonë dhe ndoshta nga Ministria e Financave.

Arben Ahmetaj: Unë e ftoj Saimirin që të ulet me mua që të shohim detajet që dhe ai të dalë i qetë që ne i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare.

/ Top Channel

Drejtoresha e Zërit të Amerikës viziton Shqipërinë

Amanda BenettDrejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, e cila po viziton 5 vende të Ballkanit, ishte sot në Shkodër. Ajo shkoi në Shqipëri pas vizitave në Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi. Zonja Bennett theksoi gjatë takimeve rëndësinë e informacioneve të bazuara në fakte dhe të dhëna të sakta. Në këtë vizitë ajo shoqërohet nga drejtori i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj dhe shefi i shërbimit shqip, Arben Xhixho.

Takimin e parë, Drejtoresha Bennett e zhvilloi në qytetin e Shkodrës, ku u prit nga Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, e cila e falenderoi për rolin që Zëri i Amerikës ka luajtur dhe vazhdon të luajë në mbështetje të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe personalitete të tjera të jetës politike dhe sociale në Qarkun Shkodër.

Gjatë qëndrimit në Shkodër, Drejtoresha Bennett u njoh me traditat e qytetit dhe vizitoi Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në një komunikim me mediat, zonja Bennett foli mbi rolin e Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës, tha zonja Bennett, trasmeton në Shqipëri prej 75 vitesh dhe se ajo është drejtoresha e parë që viziton Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve. Ne, tha ajo, e njohim rolin dhe ndikimin që ka Zëri i Amerikës për një shtyp të lirë dhe në mbështetje të zhvillimeve demokratike

Ajo theksoi transparencën në trasmetimet e Zërit të Amerikës.

Ne, tha ajo, financohemi 100 përqind nga qeveria amerikane, por gjithashtu jemi edhe plotësisht të pavarur nga ndikimet, kjo me qëllim që të trasmetojmë në mënyrë sa më transparente për publikun.

Trasmetimi i informacioneve që janë të bazuara në fakte dhe të dhëna të sakta, tha Drejtoresha Bennett, është ajo që ne duam të zhvillojmë në mënyrë që të ndikojmë në zhvillimet demokratike. Ne, tha zonja Bennet, duam me të vertetë të shtojmë praninë në Shqipëri duke mbështetur dhe zgjeruar partneritetin me mediat vendase.

Gjatë vizitës dy ditore në Shqipëri, Drejtoresha e Zërit të Amerikës do të takohet me gazetarë dhe zyrtarë të qeverisë.

Ndërkohë, gjatë vizitës në rajon, Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, u prit mbrëmë në Podgoricë nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i cili nderoi me një mirënjohje shtetërore Zërin e Amerikës me rastin e 75-vjetorit.

Presidenti Vujanoviç vuri në dukje rolin e veçantë të Zërit të Amerikës për dëgjuesit dhe shikuesit e rajonit me informimin objektiv e të paanshëm.

Ndalesën e fundit në 5 vendet e rajonit të Ballkanit, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, do ta bëjë në Kosovë. (voa)

E djathta ekstreme dhe Kancelarja Merkel

NPDPartia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” ka premtuar se do të përdorë programin e saj në parlament që të “rimarrë vendin dhe popullit e saj”, siç dhe janë shprehur udhëheqës të saj. Kjo parti fitoi rreth 14 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, çka u jep atyre 94 vende në parlament, pjesmarrja e parë dhe më e rëndësishme e së djathtës ekstreme në parlamentin gjerman, që nga Lufta e Dytë Botërore. Kristian-Demokratët e kancelares Merkel fituan numrin më të madh të votave, por pjesëmarrja e tyre në parlament është me e ulta në 70 vite. Pas rizgjedhjes, zonja Merkel ka nisur procesin e vështirë të negociatave me partitë e tjera në përpjekjen për të formuar qeverinë e re. Sipas korrespondentit të “Zërit të Amerikës” në Berlin Henry Ridgwell, procesi mund të kërkojë disa muaj kohë për tu përmbyllur.

Shumë besonin se trazirat e shekullit të 20-të e kishin imunizuar Gjermaninë nga një kthim i një partie të ekstremit të djathtë, por rezultati i së dielës provoi të kundërtën.

Ndërsa partia “Alternativa për Gjermaninë” feston rezultatin, kundërshtarët e tyre organizojnë protesta në rrugë.

Ata druhen se axhenda e kësaj partie kundër emigrantëve ngjan me ngritjen e nazistëve në pushtet.

Është hera e parë që nga koha e luftës që një parti raciste e neo-naziste është në parlament. Kjo për ne është vërtet shqetësuese dhe u kujton të gjithëve vitin 1933“.

Mes atyre që u shprehën të frikësuar për shkak të rezultatit ishin edhe grupet e hebrejve.

Bashkëkryetari i partisë “Alternativa për Gjermaninë” ka deklaruar më parë se gjermanët duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por dje në një konferencë shtypi ai mohoi që partia të cilën përfaqëson të jetë raciste.

Fjala “rimarr’ është menduar dhe përdorur simbolikisht. Ne po themi që nuk duam ta humbasin Gjermaninë për shkak të zaptimit nga njerëz apo kultura të huaja”, thotë Alexander Gauland bashkëkryetari i “Alternativa për Gjermaninë”

Sipas analistëve Angela Merkel u ndëshkua gjatë procesit zgjedhor për shkak të vendimit të saj për të lejuar rreth një milion emigrantë në Gjermani në kulmin e krizës në vitin 2015.

Shumë njerëz që votuan për “Alternativën për Gjermaninë” nuk votuan për këtë parti sepse ndajnë një qëndrim me platformën e saj. Në mënyrë të qartë, ishte një votë proteste“, thotë Tanja A. Borzel pedagoge në universitetin “Berlin Free”.

Suksesi i së djathtës ekstreme e sfumoi fitoren e kancelares Angela Merkel që i dha asaj mandatin e katërt në pushtet.

Lidhur me ata që votuan “Alternativën për Gjermaninë”, qëllimi ynë është t’i rifitojmë, përmes një politike të mirë dhe zgjidhjes së problemeve“.

Problemi i saj i parë është formimi i një qeverie. Social-Demokratët që dolën të dytët në zgjedhje, e kanë përjashtuar bashkëpunimin kështu që opsioni më i mirë për kancelaren Merkel ka të ngjarë të jetë një koalicion me Liberalët dhe të Gjelbrit. Por që kjo të ndodhë do të kërkojë kohë.

Do të jetë shumë e vështirë gjetja e një kompromisi për çështje si migrimi dhe refugjatët, por edhe ndryshimet klimatike. Pra sipas të gjitha gjasave negociatat do të jenë të gjata“, thotë Tanja A. Borzel pedagoge në universitetin “Berlin Free”.

Ndërkohë partia “Alternativa për Gjermaninë” tha se do të përdorë platformën e saj të re në parlament që “të përndjekë” Kancelaren Merkel dhe të rimarrë vendin, siç dhe janë shprehur udhëheqësit e saj. (voa)

Irak, kurdët shpallin fitoren në referendumin për pavarësi

Masoud Barzani KurdistanUdhëheqësi kurd i Irakut Masoud Barzani shpalli të martën fitoren në referendumin për pavarësinë dhe bëri thirrje për një “dialog” me autoritetet irakiane, të cilët e kanë hedhur poshtë votimin si jokushtetues.

“Në vend të ngacmimeve, le të kemi dialog për një të ardhme më të mirë”, tha ai, duke shtuar se “negociatat janë rruga e drejtë për të zgjidhur problemet, jo kërcënimet apo gjuha e forcës”.

Të hënën, kurdët e Irakut votuan mbi një referendum për pavarësinë që u kundërshtua nga qeveria në Bagdad, si dhe nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara. (voa)

Ekstremistët fetarë gjejnë alternativa për propagandë

rrjete socialeNdikimi i rrjeteve sociale dhe e ashtuquajtura propaganda “online” është një prej faktorëve më kryesor në periudhën e deritashme, për përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe indoktrinimin e të rinjve me ideologjitë e tilla, vlerësojnë njohësit e aspekteve të sigurisë në Kosovë.

Të paktën, kështu flasin matjet e Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky ndikim dhe kjo mënyrë e të propaganduarit të ideve ekstremiste, kryesisht me bazë fetare, është mjaft e vështirë që të luftohet.

Përfshirja e rrjeteve sociale dhe e internetit në përgjithësi, është jashtëzakonisht e madhe në Kosovë, ashtu sikurse edhe në vendet tjera. Si e tillë, është e vështirë që të vendoset nën kontroll. Por, unë besoj që qasja më e mirë është ndërtimi i kundër- narracionit në rrjetet sociale dhe po ashtu edhe në platformën ‘online’, në mënyrë që të ballafaqohet argumentimi i vërtetë i interpretimit të saktë dhe të themi, më liberal të çështjeve fetare”, tha Ramadani.

Valon Canhasi, ekspert vendor i rrjeteve sociale, duke folur për Radion Evropa e lirë, shpjegon që platformat dhe mediat sociale, sidomos ato që janë “në kohë reale”, sikurse Twitter, fillimisht kanë qenë të përdorura mjaft prej grupeve dhe organizatave të ndryshme, për të shpërndarë përmbajtjen e aktiviteteve të tyre nga e ashtuquajtura “vija e parë e frontit”, në vendet ku zhvillohej konflikti. Por, sipas tij, vetë këto platforma, të cilat kanë numër të madh të përdoruesve, kanë ndërmarrë masat për të penguar propagandimin e ideve ekstremiste dhe radiale, që çojnë në terrorizëm.

Ajo çfarë kam parë tek këto platformat, sikurse Facebook dhe Twitter, është se ato e kanë parë që kanë filluar të kenë ndikim, për shkak së shpërndarja e përmbajtjes ka qenë shumë e shpejtë dhe e madhe, në të njëjtën kohë. Kanë filluar t’i censurojnë. Për shembull, këto platforma kanë bërë një lloj koalicioni, që të mund t’i bllokojnë këto llogari. Ajo çfarë kanë bërë tash është që i kanë bllokuar me mijëra llogari të këtyre organizatave dhe e kanë censuruar përmbajtjen e tyre për shpërndarje, të cilën e kanë krijuar. Tash, në këtë kohë, nuk janë duke u përdorur”, tha Canhasi.

Por, Ramadani thekson se rrjetet sociale dhe platformat ‘online’, në përgjithësi, kanë mjaft hapësira, të cilat mund të shfrytëzohen për indoktrinim, dhe është vështirë që përmes mbylljes apo restrikcioneve të caktuara, të zhvlerësohen apo mbyllen këto hapësira. Sipas tij, edhe qasja në këto rrjete dhe platforma ka evoluuar.

Evoluimi i qasjes ‘online’ i këtyre rrjeteve, respektivisht, të lëvizjeve ekstremiste, është në vazhdimësi e sipër. Gjatë tërë kohës ka ndryshuar. Dhe kryesisht ka pasur jo vetëm mesazhe agresive, por kryesisht ka pasur mesazhe promovuese për lëvizjet ekstremiste. Dhe kjo është ide, e cila duhet të luftohet në mënyrë të prerë”, tha Ramadani.

Edhe Canhasi, vlerëson se qasja e grupeve, organizatave apo individëve me ide ekstremiste në platforma “online”, ka evoluuar.

Ata kanë filluar të përdorin aplikacione, të cilat janë më shumë ‘një për një’, sikur ‘Viber’, ‘WhatsApp’ dhe platforma të ngjashme, që krijojnë grupe të njerëzve, të cilët mund të shprehin interesim, por që janë të mbyllura për publikun”, theksoi Canhasi.

Ramadani thekson se dëmet nga e ashtuquajtura propaganda ‘online’, sipas vlerësimeve të qendrës që drejton, llogariten të barabarta sikurse propaganda e drejtpërdrejtë nga interpretuesit ekstremist të fesë.

Ndërkaq, Canhasi ka thënë se raporti zyrtar i rrjetit social Facebook, tregon se gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka bërë 14 deri në 17 kërkesa për qasje në llogari të disa individëve, por pa shpjeguar arsyet e kërkesave. Ky numër është relativ për faktin se për persona të caktuar kërkesa është përsëritur. (rel)

Plastikë polimeri që ecën vetë

plastik polimeriPolimeri sintetik, kryesisht në formën e plastikës, përdoret për bojërat, për shishet e ujit, apo syzet e diellit dhe DVD-të. Imagjinoni se çfarë mund të krijohet me një plastikë që mund të tundet ose të zvarritet. Është shpikur tashmë një polimer i ri që lëviz si një krimb mëndafshi duke reaguar ndaj burimit të dritës.

Shkencëtarët në Hollandë thonë se ky material polimeri mund të lëvizë nëse i drejtohet një burim drite.

“Përdorim një lloj të veçantë plastike. Është i përbërë nga polimere kristali të lëngshëm, njësoj si përbërësi i lëngshëm që ndodhet në ekranet e sotshme”, thotë Dirk Jan Mulder, i Universitetit të Teknologjisë Eindhoven.

Lëvizja krijohet kur njëra anë kontraktohet si reagim ndaj burimit të dritës ultraviolet, ndërkohë që ana tjetër zgjerohet duke krijuar kështu një valë lëvizjeje.

Kur polimeri përthith dritën, një hije krijohet pas tij që është vendimtare për lëvizjen.

“Ne i dhamë një formë të përkulur, në mënyrë që kur drita hyn, të ndriçojë vetëm njërën pjesë. Pjesa tjetër mbetet në hije ndërkohë që ndaj dritës po reagon vetëm pjesa e ekspozuar duke u zhvendosur”, thotë Anne Helen Gelebart.

Korniza që e rrethon, e shtrëngon polimerin që të lakohet, duke mundësuar kështu lëvizjen.

“Duhet që materiali të ketë këtë formë dhe kornizën rrotull, në mënyrë që kontraktimet të gjenerojnë lëvizjen”, shpjegon Anne.

Krahas argëtimit që ofron, shkencëtarët thonë se materiali mund të gjejë përdorime shumë të nevojshme.

“Mund ta përdorim këtë material p.sh. për panelet diellore në shkretëtirë, të cilat bllokohen nga furtunat e rërës. Me një material të tillë, mjafton drita e diellit për të krijuar dridhjet për t’u vetëpastruar nga rëra”, thotë zoti Mulder.

Një përdorim tjetër mund të jetë tek robotët e vegjël, të cilët të drejtuar prej dritës mund të kacavirren në hapësira të ngushta apo të zhvendosin objekte të vogla. (voa)

E ardhmja e përdorimit të armëve robotike

droneDronët janë instaluar tashmë në çdo arsenal ushtrie, prandaj industritë e mbrojtjes në vende të ndryshme të botës po punojnë intensivisht për ndërtimin e mjeteve robotike tokësore dhe nënujore, duke u përpjekur të mos mbeten prapa të njëri tjetrit. Në vazhdim ju njohim me të ardhmen e robotëve luftarakë:

Ndërsa intelektualë të shquar dhe organizata të të drejtave të njeriut bëjnë vazhdimisht thirrje për ndalimin e plotë të të ashtuquajturve “robotë vrasës”, disa thonë se tashmë është tepër vonë.

Dronet-armë janë tani standart në çdo arsenal të ushtrisë, prandaj fokusi po zhvendoset në mjediset tokësore dhe nënujore.

”Sot të gjithë fluturojnë modele të ndryshme të mjeteve ajrore pa pilot me përmasa të ndryshme dhe kjo prirje po bëhet tepër serioze, sikurse sheh të hyjnë robotë gjysëm autonomë në industrinë dhe bizesnin e makinave komerciale, pra dhe ushtria nuk është e ndryshme nga fushat e tjera.”- thotë specialisti i firmës gjermane për ushtrinë.

Ky automjet i vogël robotik për të gjitha terrenet, i ndërtuar nga prodhuesi gjerman Rheinmetall, modifikohet me lehtësi për të mbajtur armë vdekjeprurëse. Prodhuesi i tij thotë se roboti do të jetë i aftë të dallojë miqtë nga armiqtë dhe se do t’u bindet komandave të operatorëve njerëzorë.

Grupe të të drejtave të njeriut, si “Human Rights Watch” kanë shprehur prej kohësh shqetësim lidhur me rrezikun e armëve robotike autonome.

“Një nga gjërat që na përmban nga barbarizmi në luftë, është dallimi midis luftëtarëve dhe civilëve. Na shqetëson fakti që një armë robotike nuk do të jetë në gjendje të bëjë dallimin mes një fëmije që ka në dorë një akullore dhe dikujt që mban armë.”- thotë zyrtari i “Human Rights Watch”.

Në botën e sotme të polarizuar, vendet e ndryshme kanë shqetësim për mundësinë e një kundërshtari, i cili do të ishte në gjendje të ndërtonte teknologji që u jep atyre avantazh në konflikt. Ekspertët thonë se përparimet në robotikë dhe në nanoteknologji mund t’i zhvendosin konfliktet në të ardhmen nën ujë, prandaj po bëhen kërkime të konsiderueshme në këtë drejtim.

“Bota drejtohet përherë e më tepër nga mjedisi ujor për burime natyrore; po ashtu po shqyrtohet mundësia për të operuar në një mjedis ujor; kjo thjeshtohet nga anijet autonome, që kryejnë një sërë veprimesh. Kërkohet që Marina Mbretërore të jetë në ballë të mendimit tekonologjik, për të realizuar sigurinë dhe mbrojtjen e nevojshme për mbështetjen e interesave britanike.”

Në fillim të vitit 126 themelues dhe drejtorë të më tepër se 100 kompanive robotike dhe të inteligjencës artificiale nga 28 vende të botës nënshkruan një letër të hapur, ku u bëhej thirrje qeverive që të marrin masa për ndalimin e plotë të armëve autonome. Por ende nuk janë marrë masa në këtë drejtim. (voa)

Homologu malazez i thotë Pacollit në takim se demarkacioni është punë e kryer për ta

pacolli_darmanoviqShefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës zyrtare që po e zhvillon në Mal të Zi, është takuar me homologun e tij malazez, Sërgjan Darmanoviq.

Pacolli raportohet të ketë thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës është i pamundur në këtë moment shkaku i raporteve të partive.

“Ne jemi të vetëdijshëm që marrëveshja është nënshkruar por kërkojmë mirëkuptim dhe durim”, ka thënë Pacolli pas takimit që ka pasur me homologun e tij malazias, Sërgjan Darmanoviq, raporton KTV.

Pacolli shtoi se Kosova është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje strategjike me Malin e Zi dhe të mbajë takime të përbashkëta të qeverive të dy shteteve.

Ndërsa Darmanoviq është shprehur se demarkacioni për këtë shtet është punë e përfunduar.

“Unë besoj se institucionet kosovare do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në ish Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy komisionet tona dhe një komision ndërkombëtare. Siç kam deklaruar më herët, demarkacioni mes dy vendeve është punë e kryer”, ka thënë ai.

Darmanoviq pret edhe njohjen e pakicës malazeze me Kushtetutën e Kosovës si edhe hapjen e pikëkalimit të ri kufitar me Kosovën. (koha)

Top Story, universitet publik apo universitet privat?

top storyDebati për universitetet për akreditimin dhe vlerësimin e tyre është një debat që tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen dhe dalja e një raport të agjencisë britanike të akreditimeve ka ndezur akoma më shumë diskutimin mbi këtë temë.

Në raportin e kësaj agjencise, universiteti publik duket sikur e ka humbur monopolin e cilësisë.

Për të diskutuar mbi këtë raport dhe për gjendjen reale në universitetin publik dhe privat në vend, këtë të hënë në Top Story ishin të ftuar anëtari i Komisionit të Arsimit, Luçiano Boçi, drejtori i Kurrikulave në UT, Çlirim Duro, sipërmarrësi në arsimin privat, Henri Çili dhe pedagogu, Agron Gjekmarkaj.

Drejtori i Kurrikulave në UT tha se ky institucion ka marrë një draf-raport nga agjencia britanike e akreditimit dhe ky raport është kundërshtuar në disa pika.

“Akreditimi është një proces që Universiteti i Tiranës e ka mbështetur dhe në fund kemi një draft-raport të ekspertëve shqiptarë dhe britanikë, që na solli 19 problematika. Ne bëmë kundërshtimet tona dhe këto kundërshti i paraqitëm tek grupi i ekspertëve”, tha ai.

Sipas Duros, UT plotëson të gjitha standardet dhe argumentoi mungesën e strategjisë së këtij institucioni, një vërejtje e bërë edhe në raportin e akreditimit me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë.

“Kemi strategjinëe e vjetër të zhvillimit, por ligji i ri na imponon një strategji të re. Strategjia e re, për shkak të ligjit kërkon që ajo të shkojë nëpër universitetet. Ne kemi strategjinë e vjetër dhe jemi duke hartuar strategjinë e re”, deklaroi ai.

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi hodhi mëdyshje saktësinë e vlerësimit për disa universitete publike dhe fajësoi për këtë reformën në arsimin e lartë dhe përplasjen për anëtarin në Bordin e Administrimit të Universitetit.

“Ligji i ri kërkon që strategjia të kalojë njëherë tek Bordi i Administrimit dhe më pas të kalojë në Senat dhe universitete. Situata dhe konfliktualiteti me Ministrinë e Arsimit për kontrollin e bordit solli këto pasoja. Universitetet publike janë akredituar mes një tronditjeje ligjore. Nuk është i saktë akreditimi për të gjitha universitetet publike. Reforma nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv në organizimin e universiteteve publike. Reforma e fundit ka sjellë të gjitha pasojat dhe mosradorddimin e atyre standardeve që kërkohen në universitetet duhet të riorganizohen sipas ligjit të ri me një afat 2-vjeçar, që nuk ka përfunduar ende”, tha ai.

Pedagogu Agron Gjekmarkaj tha se raporti i britanikëve konfirmon një sërë problematikash serioze të Universitetit të Tiranës, por shtoi se ky universitet vijon të jetë ende më i miri në vend.

“Disa probleme janë neglizhuar tek institucioni kryesor i arsimit në vend, por Universiteti i Tiranës nuk ka simuluar strategji false dhe nuk ka trajnuar studentët sesi të përgjigjen para atyre që do të bëjnë akreditimin”, tha ai.

Gjekmarkaj hodhi dyshimin se goditja ndaj këtij universiteti lidhet edhe me reformën në arsimin e lartë dhe kundërshtimin, sipas tij, të kësaj reforme nga ky institucion.

“Universiteti i Tiranës i ka bërë rezistencën më të madhe ligjit për reformën në arsim dhe duket sikur ky rezultat kërkon që t’i japë të drejtë dikujt politikisht. Universiteti i Tiranës po goditet në imazh për të dalë përballë opinionit për të thënë që ne kishim të drejtë kur kërkuam këtë ligj të arsimit të lartë”, tha ai.

Henri Çili tha se raporti i britanikëve është përfundimtar dhe risjell në vëmendje nevojën për një treg të lirë arsimor. Ai tha se universiteti shtetëror duhet të reformohet.

“Në Shqipëri ka një hipokrezi për universitetin shtetëror, që për mendimin tim duhet të reformohet. Por, ne duhet të kemi konkurencë sipas parimit të tregut. Kështu nuk shkojmë përpara. Shqipëria bëri hapjen e tregut për televizionet, për bankat, për tregun e lirë”, tha ai.

Çili deklaroi se institucionet private të arsimit të lartë janë të gatshme për këtë.

“Universitetet private janë të monitoruara, të ligjshme, kanë kapacitetet dhe janë të shkëlqyera. Duhet t’i japim fund një sistemi hipokrit në arsim. Duhet të dalim të barabartë në treg”, deklaroi ai.

/ Top Channel

Zgjedhjet lokale: LSDM dhe VMRO joshin votuesit shqiptarë

zgjedhjetPartitë politike në Maqedoni janë përfshirë nga ethet e fushatës për zgjedhjet lokale të 15 Tetorit. Janë zgjedhjet e para që organizohen nga qeveria e re pas krizës së rëndë, që kaloi Maqedonia në tre vitet e fundit.

Gara politike në Maqedoni ka filluar. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se kandidatët e partisë së tij kanë projekte të shumta për zhvillimin e komunave dhe se theksi kryesor gjatë fushatës do të jenë projektet e infrastrukturës, që sipas tij do të përmirësojnë jetën e qytetarëve nëpër komuna.

Ahmeti: Ndajmë një hapësirë të përbashkët

Ahmeti gjithashtu ka folur për partneritetin dhe marrëveshjen e arritur me LSDM-në. “Qëllimi është që ne të krijojmë klimë dhe të japim porosi për qytetarët se këta qytetarë ndajnë fatet dhe jetojnë nën qiell dhe hapësirë të përbashkët, andaj mendohej se duhet që edhe politikisht të afrohen mes vete, rreth një kandidati shqiptar, rreth një kandidati maqedonas. Në këtë drejtim ne kemi investuar dhe do të investojmë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Aleanca: Rinia – aseti më i fuqishëm

Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela njëherazi edhe kandidat për kryetar në Komunën e Strugës ka theksuar se rinia shqiptare është aseti i tij më i fuqishëm në zgjedhjet e 15 tetorit.

“Një gjë është e vërtetë, çdo gjë që e kemi bërë e kemi bërë në emrin e rinisë, në emër të perspektivës që duhet ta kenë gjeneratat e reja këtu në vendlindjen e tyre”, ka theksuar Sela në hapjen e fushatës.

Besa: Vëmendje problemeve në terren

Nga Lëvizja Besa, partia më e madhe e opozitës shqiptare, thonë se programi i tyre kryesisht ka të bëjë me nevojat e shqiptarëve në nivelin lokal, që sipas tyre, janë në gjendje të rëndë nga qeverisja e keqe e drejtuesve të tyre nga BDI-ja e Ali Ahmetit. “Lëvizja Besa programin e saj për zgjedhjet lokale e ka projektuar në pesë shtylla; shtylla e parë është që të çlirohen komunat nga borxhet, korrupsioni, mafia urbane, pika tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, stimulimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha përmes tërheqjes edhe të investitorëve të jashtëm, si dhe pika tjetër që ka bëjë me sportin dhe rekreacionin”, thotë Faton Fazliu, nga Lëvizja Besa.

PDSH: Interes që shqiptarët të fitojnë në zonat e tyre

PDSH që drejtohet nga Menduh Thaçi thotë se pala maqedonase përmes partnerëve shqiptarë në qeveri synon të ngushtojë hapësirat e banuara me shqiptarë. “Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që shqiptarët në këto zgjedhje së bashku me aleatët e tyre, të ngadhënjejnë në të gjitha territoret e tyre. Klani i maqedonasve punon me shumë angazhim që në këto zgjedhje në disa komuna, ku nuk janë shumicë të fitojnë kandidatët e tyre. Ata duan që ta shtrydhin territorin, ta zvogëlojnë territorin ku jetojnë shqiptarët, që territori i maqedonasve të rritet në 93 apo 94 për qind”, ka deklaruar Thaçi në konventën partiake.

LSDM dhe VMRO-  synim votat e shqiptarëve

Dy partitë kryesore maqedonase LSDM dhe VMRO në këtë fushatë për zgjedhjet lokale si asnjëherë më parë synojnë votat edhe në vendbanimet shqiptare. Retorika e tyre është zbutur tejmase, ata flasin për shqiptarët dhe të drejtat e tyre elementare. Lidhja Social-demokrate që drejton Qeverinë, edhe në pushtetit lokal do të vazhdojë me retorikën e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke u angazhuar për një shoqëri për të gjithë.

LSDM: Shoqëri për të gjithë

LSDM-ja pretendon që këtë koncept ta zhvillojë në partneritet me BDI-në e Ali Ahmetit, me të cilën është në koalicion qeveritar. “Këto zgjedhje janë zgjedhje të personaliteteve dhe me të drejtë qytetarët kërkojnë kuadro me kualitet të lartë, për të cilët do të votojmë. Ne duam që konceptin tonë për jetë në Maqedoni, apo një shoqëri për të gjithë, ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal. Ne ofrojmë zgjidhjet më të mira, si me kandidat ashtu edhe me programe. Ne si partner qeveritar do ta mbështesim njëri-tjetrin në disa komuna”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Kjo parti ka nxjerrë edhe kandidatë shqiptarë në disa komuna, në të cilat shënoi rezultat të mirë në zgjedhjet e 11 qershorit.

VMRO-DMPNE: Oferta jonë kundër kaosit të LSDM-s

Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski thotë se oferta e tyre, përkushtimi, përgjegjësia dhe dija do të jenë përgjigja më e mirë për kaosin dhe pasigurinë që e ka shkaktuar LSDM-ja.

“Maqedonia do të kthehet në rrugën e suksesit dhe zhvillimit dhe atë rrugë do ta udhëheqim ne së bashku me qytetarët. Këto zgjedhje janë një mëngjes i ri për të gjithë ne”, ka deklaruar Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së opozitare.

Fushata elektorale për zgjedhjet e 15 tetorit zgjat 20 ditë. Në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal marrin pjesë 19 parti politike dhe koalicione si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltar komunal. (dw)