Kryetarët e komunave në Maqedoni duhet të ju përkushtohen standardeve të BE-së për mjedis jetësor

zbogar-Kryetarët e komunave duhet të ju përkushtohen standardeve të BE-së për mjedis jetësor në nivel lokal, u shpreh kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Samuel Žbogar, i cili mori pjesë në forumin “Decentralizimi përsëri në fokus”, që u hap sot në Strugë dhe do të vazhdojë edhe nesër.

Žbogar theksoi se konferenca zhvillohet në kohën e duhur, me pushtetet e reja lokale, sepse ato kanë rol kyç në zbatimin e reformave në nivel lokal.

“Bashkimi Evropian jep përkrahje për shërbime publike efikase dhe për cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve. Kryetarët e komunave duhet t’u përkushtohen standardeve të BE-së për mjedis jetësor në nivel lokal. BE-ja jep përkrahje të rëndësishme financiare, ndërsa komunat duhet t’i sigurojnë dokumentet e duhura për ndërtimin e infrastrukturës komunale dhe monitorim”, tha Žbogar dhe ftoi kryetarët e komunave të udhëhiqen nga cilësitë profesionale të administratave të tyre dhe jo nga revanshizmi.

Gjatë ditës së nesërme në Forum do të marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, në kuadër të seancës “Dialog me kryeministrin”. Forumi organizohet nga ana e UNDP-së në suaza të projektit “Përmirësimi i menaxhimit të komunave”, financiarisht e përkrahur nga BE-ja./Telegrafi/

Schomburg: “Gjykata Speciale është diskriminim për Kosovën”

ShomburgMe dënimin kundër ish-udhëheqësve të kroatëve të Bosnjes Tribunali i Hagës (ICTY) përfundoi misionin. Meritat e drejtësisë ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme, mendon ish-gjyqtari i këtij Tribunali Wolfgang Schomburg.

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugpsllavi (ICTY) me seli në Hagë shqiptoi vendimet në procesin e apelit kundër gjashtë ish-udhëheqësve kroatë të Bosnjes. Për Jadranko Prlić, Bruno Stojić, Slobodan Praljak, Milivoj Petković, Valentin Ćorić dhe Berislav Pušić u dhanë dënime me burgim nga 10 deri në 25 vjet. Ata u dënuan të gjetur fajtorë për krime ndaj njerëzimit, shkelje të Konventës së Gjenevës dhe shkelje të ligjti të luftës. Vetëvrasja në mënyrë demonstrative e Slobodan Praljak në sallën e gyjqit lëshoi hije ndaj shqiptimit të vendimeve këtë të mërkurë (29.11). Pasi u konfirmua dënimi për të me 20 vjet heqje lirie, Praljak thirr “unë nuk jam kriminel” dhe piu diçka nga një shishkë e vogël, që mbante me vete. Pak pas kësaj ai ndërroi jetë në spital.

Wolfgang Schomburg: Kjo është një tragjedi, që një njeri i merr jetën vetes në një situatë të tillë. Për këtë duhet të mendojmë në plan të parë. Edhe në të kaluarën ne kemi pasur situata, kur ka pasur kërcënime me vetëvrasje – si në rastin e grevës së urisë të shpallur nga Vojislav Seselj. Për mua si gjyqtar penal gjerman janë të njohura rastet kur njerëzit në situata të tilla përdorin ekstremin nisur nga motive të ndryshme. Por një incident i tillë i veçuar me një të dënuar nuk mund ta ndryshojë imazhin e përgjithshëm të tribunalit, thekson Schmburg.

Deutsche Welle: Zoti Schomburg, çfarë synimesh kishte bashkësia ndërkombëtare në maj 1993, kur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së vendosi të themelohet Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY)?

Wolfgang Schomburg: Asokohe disa studiues kishin mbledhur shumë material dëshimishë për krime të tmerrshme në ish-Jugosllavi, aq sa Këshilli i Sigurimit nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të themelonte një të ashtuquajtur gjykatë penale ad-hoc. Kjo ishte përpjekja, që në përputhje me Kartën e OKB-së të vendosej paqja dhe kjo jo përmes ndërhyrjes ushtarake, por me mjetet e drejtësisë. Këshilli i Sigurimit mbi bazën e Kartës së OKB-së ka mundësi të ndryshme për t’iu kundërvënë atyre që kërcënojnë paqen. Kjo ishte hera e parë, që për një qëllim të tillë u krijua një gjykatë ad-hoc, pra enkas për këtë rast.

Pra Tribunali Hagës, sikurse u quajt kjo gjykaktë nuk ishte një model të mëparshëm?

Jo, kjo ishte një risi. Për të gjithë ata që ishin marrë gjatë më përpara me një tematikë të tillë, kjo erdhi si e befasishme, një ëndërr që papritur u bë realitet. Gjykata duhej të tregonte, se askush nuk qendron mbi ligjin e kushdo duhet të përgjigjet para drejtësisë, pavarësisht se çfarë roli luan në politikë, në ushtri apo kudo qoftë për vendin e tij. Kjo ishte një arritje e madhe në rrugën për më shumë drejtësi.

Cilat ishin sukseset më të mëdha të Tribunalit të Hagës?

Tribunali tregoi, se edhe të mëdhenjve mund t’u kundërvihesh dhe se nuk vlen “që të voglin ta varësh e të madhin ta lesh të lirë”. Ne në fillim kishim më shumë procese kundër të ashtuquajturve “më të vegjlit”, kundër disa rojeve në kampet e të burgosurve. E ne mundëm t’i gjykojmë ata. Më pas hap pas hapi mundëm të punojmë mbi bazën e dëshmive, që ishin mbledhur në proceset e tjera, e kështu arriti të plotësohet mozaiku. Kjo bëri të mundur, që si Mladiçi ashtu edhe Karaxhiçi të gjykoheshin. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i Tribunalit. Jam i bindur, që më vonë do të habitemi se si një gjykatë e themeluar si të thuash nga hiçi, arriti të ketë një rendiment të tillë.

Çfarë do të konsideronit si gabimin më të madh apo dështimin e Tribunalit?`

Sigurisht ka gjithmonë gjëra, që mund të ishin bërë më mirë, por kjo ishte hera e parë dhe askush nuk ka qenë vërtetë i përgatitur si duhet në fillim. Në të erdhën prokurorë e gjyqtarë nga mbarë bota, me sfond të ndryshëm juridik e profesional dhe jo të gjithë ishin të kualifikuar sa duhet për këtë punë. Po ashtu shtrohet edhe pyetja, nëse ishte e drejtë, që të aplikohej ligji anglo-amerikan. Kjo një herë krijoi vëhtirësi kuptimi në disa procese. Por këto janë pak a shumë vogëlsira, nëse kemi parasysh rezultatin e përgjithshëm. Këtu vërtetë për herë të parë mundën të luftohen krimet e luftës me mjetet e së drejtës ekzistuese. Kjo ishte një arritje e madhe.

Veçanërisht në Kroaci dhe në Serbi gjykimet e Tribunalit konsiderohen si të dëmshme për kombn e tyre.

Kjo nga njëra anë është në natyrën njerëzore: nuk do të pranosh, që në vendin tënd nga persona të veçantë janë kryer krime të rënda. Mendohet direkt në mënyrë kolektive. Nëse gjykimi ka qenë në përshtatje me interesin vetiak, atëherë ai konsiderohet si i drejtë, e nëse është ndryshe, konsiderohet si vendim i padrejtë. Por gjithmonë kemi pasur të bëjmë me fajin individual të personave të veçantë. Unë e njoh edhe nga kodi penal në përgjithësi: ai që humbet është plotësisht i pakënaqur me gjykatën. Por ajo që ka qenë më e rëndësishmja, është, se viktimat janë dëgjuar. Pikërisht nga shumë shoqata të viktimave unë e kam dëgjuar ta thonë këtë. Kjo është më e rëndësishmja. Viktimat për herë të parë kishin mundësinë të konfrotoheshin me dorasit në sallën e gyjqit. Ndonjëherë ishte e vështirë tek shihje, se si viktimat mundoheshin ta shihnin në sy të akuzuarin e ky i shmangej shikimit, sepse nuk mund ta përballonte këtë kontakt në sallën e gyjqit. Askush prej të akuzuarve nuk e kishte menduar, që për shkak të veprave të tij një ditë do të dilte para një gjyqi të rregullt për të dhënë llogari.

Me vendimet në procesin e apelit në rastin e gjashtë kroatëve nga Bosnja faktikisht Tribunali  e mbyll punën e tij pas gati 25 vjetësh. Por e e ka kryer plotësisht punën ky Tribunal?

Sipas mendimit tim po. Nga 161 të akuzuar janë kryer 151 procese, në rastet e tjera kemi të bëjmë me persona që kanë vdekur, ose që rastet u janë kaluar gjykatave lokale. Pra janë përpiluar të gjitha rastet. Njëkohësisht me këtë punë është arritur një kualifikim i jashtëzakonshëm në fushën e drejtësisë. Ajo që është edhe më e rëndësishmja për ish-Jugosllavinë mundën të konstatohen shumë fakte, që sot askush me arsye nuk mund t’i mohojë më ato.

Ndërkohë është krijuar edhe një Gjykatë Speciale për Kosovën, si e shini ju këtë?

Po është e vërtetë që është krijuar edhe një Gjykatë Speciale për Kosovën. Ju lutem mos më pyesni mua se ç’kuptim ka një gjykatë e tillë. Por le t’i kthehem edhe një herë pyetjes së mëparshme, nëse u mbyll më shpejt se ç’duhej ICTY: Nëse në bashkësinë ndërkombëtare ekzsiton mendimi, që ndokund duhet të shqyrtohet ndonjë rast, atëherë do të kishte qenë më mirë që të ishte mandatuar ICTY me këtë. Por unë shtroj pyetjen, se ndërkohë që edhe në ICTY ka pasur disa procese lidhur me Kosovën, atëherë përse duhej trajtuar edhe një herë ky kapitull i Kosovës? Unë e konsideroj këtë në një farë mënyre si diskriminim të Kosovës. Është e vetëkuptueshme, që në rajone të veçanta edhe mund të ngrihen pretendime për raste të caktuara duke kërkuar, që të zbardhen ato në nivel lokal, pasi nuk kanë mund të përmbyllen në një gjykatë ndërkombëtare. Por në rastin e Kosovës unë nuk i kuptoj arsyet dhe kjo më duket si diskriminuese.

 

Wolfgang Schomburg (69 vjeç) ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë në Karlsruhe dhe në vitet 2001 – 2008 i pari gjyqtar gjerman në Tribunalin e Hagës. Ai ka qenë gjithashtu gjyqtar deri në vitin 2008 në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ruandën në Arusha. (dw)

Pacolli: Kosova nuk e ka luksin të këmbejë territore

PacolliZëri i Amerikës: Zoti Pacolli po e nis pikërisht nga komentet tuaja dje në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut. Ju thatë se sipërmarrësit e rinj mund ta çojnë përpara Ballkanin. por për këtë duhet një parakusht që të shihet nga e ardhmja dhe të mos shihet e shkuara. Sa e mundur është kjo të ndodh sidomos në realitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Behgjet Pacolli: Ne duhet të nisemi nga realiteti gjithmonë, jo nga fantazitë dhe realiteti është se secili në Kosovë dhe në Serbi synon të ndërtojë për vetveten një të ardhme më të mirë, një jetë më të mirë, një perspektivë më të mirë për veten, familjen e vet dhe për rrethin e vet që e ka. Dhe kemi pa se çdo gjë që është bërë me dhunë ose në njëfarë forme pa vullnetin e secilit, ajo nuk ka dalë mirë në fund, dhe për këtë them se të rinjtë sidomos ndërmarrësit e rinj, të cilët nuk janë ngarkuar me problemet e të shkuarës, nuk janë të ngarkuar me hidhërimet e të shkuarës, ata do të ishin më së afërti të drejtimit të një procesi i cili shkon drejt një perspektive të ndritshme.

Zëri i Amerikës: Por a është realiste dëshira juaj?

Behgjet Pacolli: Dëshira ime por unë besoj se këtu përfaqësoj dëshirën e çdo të riu edhe në Kosovë por edhe në rajon. Secili i ri, nëse sot flet me të, ai ka për synim një jetë më të mirë, një jetë më dinjitoze dhe kjo normalisht arrihet me një parakusht, parakushti është që ti të jesh shumë i qartë me veprimet e tua, që të jesh shumë kreativ në krijimin e ideve tua dhe parakushti tjetër është që ti ta duash atë ide dhe të jesh i fascinuar me atë ide të cilën ti do ta implementosh. Unë besoj se të rinjtë tanë këtë kreativitet e kanë, kanë edhe ide se si të ecet përpara dhe çdo gjë është brenda asaj ideje pos dhunës, luftës, shkatërrimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, po i referohemi edhe një tjetër komenti që keni bërë po dje në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut, e cila le të themi ka ngjallur disa pakënaqësi, zëra kritikë brenda Kosovës, kryesisht të analistëve mbi mënyrën dhe thirrjen që i bëtë ministrit (Ivica) Daçiç, për të krijuar një zonë të lirë ekonomike në Mitrovicën e Veriut. Deklarata juaj u pa sikur ju po i jepnit Serbisë autoritet mbi këtë pjesë që në fakt i takon Kosovës. Si i shihni ju këto kritika?

Behgjet Pacolli: Nuk është ashtu. Wshtë dikush që do të nxjerr dhjam nga pleshti, dhe ajo ka qenë krejtësisht në kontekst kur unë kam folur me Daçiçin dhe i kam thënë eja të ndërtojmë ura të reja, eja të ndërtojmë rrugë të komunikimit dhe në atë pjesë të Kosovës për të cilën Daçiç vetëm pak përpara e tha se ajo pjesë nuk mund të zgjidhet, problemi i asaj pjese nuk mund të zgjidhet pa forcë. Unë i thash se ne kemi krijuar një zonë të lirë ekonomike në jug dhe sigurisht do të ishte e drejtë ose nëse doni drejt t’ju them, i kam thënë që eja të jesh edhe ta shikosh spektaklin se ne edhe veriun do ta fusim në kuadër të zonës së lirë ekonomike. Dhe kjo është një thirrje krejtësisht spontane, sikurse i thua eja dhe të bëjmë diçka, do të thotë një thirrje që t’i kthehet konstruktivitetit, t’i kthehet punës, se unë jam edhe një herë se vetëm me punë e vetëm me veprimtari ekonomike, vetëm me ngritjen e standardit jetësor ku automatikisht ngritët edhe vetëdija e qytetarëve, çdo problem mund të zgjidhet e sidomos problemet që janë të mbushura me tensione politike.

Zëri i Amerikës: Po a mund të zgjidhen këto me një thirrje të vetme? Si e shikoni nga ana tjetër?

Behgjet Pacolli: Kjo nuk është një thirrje, kjo është vetëm një përgjigje në thënien e zotit Daçiç se çështja e veriut mund të zgjidhet vetëm me forcë, gjegjësisht synimi i tij gjatë dy takimeve që i kemi pas dje, edhe atë në konferencë por edhe takimin me dyer të mbyllura, çon drejt ndërrimit të territoreve. Kosova nuk e ka luksin të ndërrojë territore, Kosova do të mbrojë territoret e veta sipas Kushtetutës së vet dhe sovraniteti i Kosovës duhet të funksionojë dhe duhet të ruhet me ato vende të cilat i përkasin Kosovës, vende në bazë të të cilave është deklaruar edhe pavarësia për këtë vend.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, një nga problemet e trashëguara të qeverisë është edhe çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Dje pati një deklaratë nga zëvendës kryeministri Hoxha në të njëjtin forum që morët pjesë edhe ju se kjo çështje mund të arrihet madje me konsensus në janarin e vitit 2018. Do të ndodhi kjo gjë?

Behgjet Pacolli: Është një problem , ju e dini që publiku në Kosovë ka qenë i ndarë. Një pjesë e madhe e qytetarëve ka besuar në dokumentin që është nënshkruar. Në parlamentin e Malit të Zi është miratuar, dhe pritet të miratohet edhe ne Parlamentin e Kosovës, por është edhe çështja tjetër e qytetarëve të Kosovës të cilët besojnë që ai dokument nuk është i drejtë dhe për këtë qeveria e Kosovës ka formuar një komision tjetër dhe mbetet të shihet çfarë do të sjellë ky komision. Nëse sjellë dëshmi dhe shihet se Kosova ka humb territor, çdo qytetar i Kosovës nuk do të jetë dakord dhe ne jemi që Kosova të mos humb as një metër territor që posedon. Nëse shohim se nuk ka fakte praktikisht ne duhet t’i kthehemi marrëveshjes që është nënshkruar dhe të fokusohemi në atë marrëveshje dhe si e tillë të kaloj në Parlamentin e Kosovës. Unë besoj që edhe partitë opozitare në momentin që të binden se nuk ka gabime në marrëveshjen e parë edhe ato sigurisht do të jenë të përgjegjshme dhe do ta votojnë këtë marrëveshje e cila është duke e bllokuar Kosovën por edhe shumë të tjera.

Zëri i Amerikës: A ka shanse që kjo marrëveshje të miratohet shumë shpejt duke pasur parasysh se kritikat e kanë mbajtur deri më tash të pa miratuar?

Behgjet Pacolli: Po them me përgjegjësi të plotë; nëse komisioni i dytë i cili është formuar nga zoti Haradinaj nuk sjellë dëshmi në bazë së cilës duhet të anulohet marrëveshja paraprake, ka mundësi që marrëveshja paraprake të kaloj për shkak se vet udhëheqësi i Lidhjes Demokratike i një partie të përgjegjshme dhe institucionale, më ka thënë se LDK do të jetë e përgjegjshme pa marr parasysh a qëndron në opozitë apo në pushtet dhe se do të votojë çdo gjë që është e drejtë dhe me të cilën është marr vesh me Malin e Zi, do të thotë nëse ka në tavolinë një marrëveshje në të cilën shihet që Kosova nuk ka humbur territor në anën tjetër ajo marrëveshje ka mundësi të pranohet prej Malit të Zi, Lidhja Demokratike do ta votoj dhe me votat e saj unë besoj që nuk do të kemi problem të kemi dy të tretat dhe kjo marrëveshje të kalojë.

Zëri i Amerikës: Por, ju mezi formuat qeverinë, mezi i bëtë 61 vota?

Behgjet Pacolli: Unë besoj që formimi i qeverisë është diçka tjetër kurse Kosova është edhe e opozitës edhe e qeverisë, prandaj këtu jemi shumë përgjegjës në këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, cili është realiteti i ndikimit rus jo vetëm në Ballkan por kryesisht në Kosovë. Flitet për një mësymje të rusëve në Ballkan dhe kryesisht për të penguar proceset integruese. Në Kosovë si është realiteti?

Behgjet Pacolli: Sot patëm një takim, ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor me këshilltarin për siguri të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u bisedua për ndikimin rus në rajon. Secili nga ne por edhe zoti Daçiç tha se për shkak të mungesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon i është lëshuar vendi ndoshta Rusisë. Unë do të dëshiroja që prezenca amerikane të shtohet në Ballkan, që të kemi më shumë prezencë amerikane si në siguri por edhe në ekonominë e vendit tonë dhe duke u rritur kjo prezencë e SHBA-së dhe perëndimit sigurisht që do të tkurret hapësira për veprimtarinë nga ana e Rusisë.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ndjehet presioni rus?

Behgjet Pacolli: Ne e ndjejmë atë dhe më së shumti në media. Mediet ndikojnë edhe te veprimet e mëvonshme të cilat Serbia i ndërmerr kundër Kosovës. Veprimtaria e Serbisë në fushën diplomatike kundër Kosovës dhe të gjitha pengesat që sot Serbia i ka vënë për të penguar lëvizjen e lirë të mallrave, të kapitalit dhe njerëzve të Kosovës nëpër Serbi dhe pengesat tjera do të thotë janë pengesa reale prej të cilave Serbia duhet të distancohet.

Shërbimi i fshehtë gjerman kthen vështrimin nga Ballkani, fokusohet në Bosnjë

BNDShërbimi Federal Informativ gjerman, BND e ka përqendruar vëmendjen gjithnjë e më shumë në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, bën të ditur Berliner Zeitung. Shtetet e brishta të rajonit janë shqetësim për BND.

Shërbimi Federal Informativ gjerman për botën e jashtme, BND është gjithnjë e më i shqetësuar për tendencat islamike në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë e deklarojnë burime nga shërbimi i fshehtë, të cilat citohen në numrin e së martës të gazetës Berliner Zeitung. Shërbimi i fshehtë raportohet se po e kthen vëmendjen tek i gjithë rajoni i brishtë i Ballkanit.

Për shumë dekada, popullata myslimane e Bosnjë-Hercegovinës ka përqafuar një interpretim shumë liberal të fesë islame. Por dallimet fetare u gjallëruan në procesin e shpërbërjes së shtetit socialist në vitet 1990 dhe që atëherë ndikimi i fesë në rajon ka qenë në rritje. Bosnja po përballet me një ndikim në rritje të shteteve të Gjirit.

Sipas raportit të së martës, Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit po investojnë shumë para për të nxitur në shoqërinë boshnjake një doktrinë shumë më strikte vahabiste të drejtimit sunit të fesë islame. Fondacione bamirësie saudite po pompojnë fonde në ndërtimin e qendrave të faljes, duke përfshirë edhe Xhaminë e Mbretit Fahd në Sarajevë, xhamia më e madhe në Ballkan, e cila dominohet nga Vahabitët.

“Shtetet e brishta”

Qindra vetë nga Bosnja dhe shtete të tjera me popullatë kryesisht myslimane në rajon, Kosovë dhe Shqipëri kanë shkuar vitet e fundit në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar me milicët xhihadistë.

Dy javë më parë, shefi i BND, Bruno Kahl foli për lindjen e shteteve të dobëta në rajon, të cilat mund të preken lehtë nga luftërat civile dhe që mund t’u shërbejnë terroristëve si zonë tërheqjeje ose zonë operative. Në fjalën e tij në Fondacionin e afërt me CSU, Hanns-Seidel Kahl tha konkretisht:

“Indeksi i shteteve të brishta për 2016 ofron në këtë kuadër një pamje pak inkurajuese nga vështrimi gjerman. Në të, shtete si Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia grupohen në kategoritë Warning deri High Warning (paralajmërim deri paralajmërim i fortë)”. Kahl sqaroi më tej në fjalën e tij se kjo nuk do të thotë se në këto vende ka pësuar kolaps sistemi shtetëror. Por se “me sa duket ai gjithsesi nuk u përgjigjet standardeve të Evropës Perëndimore e Qendrore”.  (dw)

Pagesat e PD për lobim në SHBA, Prokuroria nis hetimet

BashaNë Shqipëri Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime rreth shpenzimeve që Partia Demokratike rezulton të ketë kryer ndaj kompanive të lobimit në Shtetet e Bashkuara në prag të zgjedhjeve të qershorit të kaluar, por që nuk janë të deklaruara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shumica e majtë ka hedhur dyshime të forta për burimin e të paktën 675 mijë dollarëve që kompanitë amerikane kanë deklaruar pranë Departamentit të Drejtësisë. Sot kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh se Partia e tij ka deklaruar në KQZ çdo shpenzim sipas ligjit.

Çështja e pagesave që Partia Demokratike ka bërë ndaj kompanive amerikane të lobimit, u bë publike nga Rrjeti ballkanik i gazetarëve investigative BIRN, javën e shkuar. Sipas artikullit, i cili i referohej deklarimeve që ‘Muzin Capitol Partners’ ka bërë pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë, përmes një tjetër kompanie të saj “Stonington Strategies” dy pagesa për një total prej 525 mijë dollarësh nga Partia demokratike, dhe një tjetër prej 150 mijë dollarësh nga ‘Biniatta Trade LP,’ e cila sipas BIRN, është e regjistruar në Edinburg të Skocisë , dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale. Pagesa nga ‘Biniatta Trade LP” rezulton gjithashtu të jetë kryer për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Për BIRN-in, zëdhënësja e Partisë Demokratike ka mohuar pagesat e deklaruara nga “Muzin Capitol Partners”. Pak ditë më parë në një deklaratë të saj PD u shpreh se “kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane”.

Por çështja është se në deklarimet e bëra në Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, këto pagesa nuk figurojnë. Prej ditësh Partia Socialiste përmes deklaratave të saj po e akuzon Partinë demokratike për përdorim të fondeve të paligjshme. Prokuroria e Tiranës nga ana e saj ka nisur hetimet, dhe mësohet se ka kërkuar dokumentacionet përkatëse si nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për deklarimet e PD-ës, ashtu dhe nga vetë Partia Demokratike për të marrë kontratat e e lidhura me kompanitë amerikane.

Çështja u bë pjesë e debatit dhe sot në parlament. “Ky fond është krijuar në një ishull offshore për të fshehur gjurmët që të çojnë te një njeri, Lulzim Basha”, deklaroi kryetari I Grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Por zoti Basha u përgjigj shkurt duke deklaruar se “Partia demokratike ka deklaruar çdo shpenzim në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve sipas ligjit”.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në deklarimet e PD-ës, nuk ka asgjë mbi pagesat prej 675 mijë dollarësh, por vetëm dy pagesa prej afërsisht 50 mijë dollarësh secila në favor të “Barnes&Thornburg”, po për lobim. Në total, të ardhurat e deklaruara nga Paria demokratike janë 88 milion lekë, afërsisht 785 mijë dollarë, ndërsa totali i shpenzimeve të saj për fushatën është 58 milion lekë ose 518 mijë dollarë. (voa)

Zogu i Zi, avioni më i avancuar me pilot i zbulimit

zogu i ziPara se satelitët dhe avionët pa pilot të teknologjisë së lartë të fillonin të grumbullonin të dhëna zbulimi për ushtrinë, Shtetet e Bashkuara mbështeteshin në avionët supersonikë që mund të depërtonin me shpejtësi në hapësirën ajrore të vendeve kundërshtare, bënin fotografi dhe të dilnin para se të kapeshin. Avioni i fundit i këtij lloji doli nga përdorimi në vitin 1998 dhe ka disa rekorde botërore. Por tani, avionët spiunë mund të gjenden vetëm në muze.

Dikur Lockheed SR-71, i njohur edhe si Zogu i Zi, ishte avioni ushtarak më i avancuar në botë. Ai zë vendin e nderit në Qendrën Udvar-Hazy të Institutit Smithsonian, pranë Uashingtonit.

Të tjerë të ngjashëm mund të gjenden në muzeume më të vogla në gjithë vendin, si Parku Ajror i Zogjve të Zinj në Palmdale të Kalifornisë.

Guida vullnetare Bill Flanagan, dikur fluturonte me avionin SR-71, si Oficer i Sistemeve Zbuluese.

“Mund ta shohësh dritaren e vogël që është mbuluar me pëlhurë. Ajo ishte zyra ime. Unë kontrolloja radarin, sistemin e navigimit, mjetet elektronike, si edhe isha piloti dytësor për pilotin kryesor”.

Zogu i Zi, SR-71 u krijua pasi një nga paraardhësit e tij, U-2 i Lockheed-it, u godit dhe u rrëzua mbi Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, gjatë një misioni zbulimi të CIA-s.

Duke kuptuar të metat e avionit U-2, CIA kërkoi një avion më të shpejtë dhe që të fluturonte në lartësi më të madhe, por edhe i vështirë për t’u diktuar nga radari.

U deshën vetëm dy vjet, me mjete mekanike, analoge, llogaritëse, që inxhinierët të ndërtonin një A-12, një avion spiun me një sedilje.

“Por Forca Ajorore donte një avion zbulimi që të mund të kishte më shumë sensorë sesa A-12 dhe U-2 mbante vetëm një kamera dhe ndoshta një regjistrues”.

Kështu lindi SR-71. Me një shpejtësi mbi 3 mijë e 500 kilometra në orë dhe një maksimum shërbimi prej pothuajse 26 kilometrash të lartë, ishte pothuajse i paprekshëm nga zjarri nga toka. Një prej tyre fluturoi nga Los Anxhelesi në Uashington për 64 minuta.

“Disa nga kolegët e mi që kishin qenë në rrjetin e mbrojtjes së Paktit të Varshavës më thanë se e kishin parë Zogun e Zi për një fragment shumë të shkurtër në radar dhe nuk mund ta besonin se sa shpejt kishte lëvizur në radar dhe ishte zhdukur”.

Pas shumë debatesh në Kongres dhe Pentagon lidhur me projekte të avancuara teknologjike, avionët SR-71, u nxorrën përfundimisht nga përdorimi në vitin 1998. Punën e tyre filluan ta bënin avonë pa pilotë dhe satelitë zbulimi. Por edhe sot e kësaj dite, Zogu i Zi mbetet avioni me pilot më i shpejtë dhe që fluturon më lart në botë. (voa)

Majami dhe kërcënimi nga rritja e nivelit të oqeanit

MajamiPërgatitja për një shekull me batica të larta është një sfidë kryesore për zyrtarët e qyteteve nga Bostoni deri në Bangkok. Në qytetin amerikan të Majamit dhe rrethinave të tij jetojnë gati 3 milionë njerëz, me miliarda dollarë të pasurive të patundshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona i hedh një vështrim ndikimit që rritja e nivelit të detërave mund të ketë në një nga qytetet më të pambrojtura në Shtetet e Bashkuara.

Anijet të shumta me turistë nisen nga Majami, një qytet me një bregdet të bukur.

Por, ndërsa niveli i ujit të detërave rritet nga ndryshimet klimatike, kjo sjell shumë probleme.

“Ky është sistemi i kullimit të ujit gjatë stuhive, ndërsa niveli i ujit po rritet me ngadalësi”, thotë Sue Brogan, një banore e Majamit.

Sue Brogan jeton në lagjen “Shorecrest” të Majamit, në një rrugë që është pak metra mbi nivelin e detit.

Kur baticat arrijnë nivelin më të lartë, oqeani shtrihet mbi sistemin e kullimit dhe një pjesë e ujit derdhet në këtë lagje.

Një problem i përkohshëm por që zonja Brogan e di se situata do të përkeqësohet.

“Është një situatë paralajmëruese. Çfarë do të ndodh më vonë? Nëse nuk i trajtojmë këto probleme, në nivel lokal dhe global, më vonë do të kemi probleme të mëdha”.

Pjesë të mëdha të jugut në shtetit Florida rrezikohen të përmbyten nga uji në dekadat e ardhshme.

Në Gjirin Biscayne dhe në qytetin e Majamit, autoritetet po ngrejnë nivelin e rrugëve, po instalojnë e pompa uji dhe masa të tjera mbrojtëse.

Këto masa kanë një kosto të lartë. Banorët po paguajnë për përmirësimin e infrastrukturës me një kosto prej gjysmë miliardë dollarësh, thotë drejtori i punëve publike, Eric Carpenter.

“Fatmirësisht, banorët tanë, njerëzit që po paguajnë për këtë projekt, e kuptojnë se kostoja e mosveprimit është shumë më e madhe”.

Banorët e qytetit të Majamit kanë arritur në të njejtin konkluzion. Votuesit kohët e fundit miratuan një masë për përdorimin e bonove me vlerë 200 milionë dollarë për përmirësimin e infrastrukturës në lagjen Shorecrest dhe gjetkë.

Zyrtarët e qytetit po bisedojnë me banorët rreth zgjidhjeve më të debatueshme si ridizajnimi i lagjeve të tëra,

Duke blerë disa nga shtëpitë që rrezikohen më shumë nga përmbytjet dhe duke e kthyer tokën në parqe që mund të thithin ujërat nga përmbytjet.

Zyrtarja e mbrotjes nga katastrofat natyrore në Majami, Jane Gilbert, thotë se kjo nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“Është një projekt afatgjatë. Sa më shumë që flasim për këto projekte tani, aq më e lehtë do të jetë për pjesëmarrësit në këto biseda për të qenë të përgatitur kur të vijë koha për zbatimin e tyre”.

Me kalimin e kohës, masat radikale mund të jenë të nevojshme. Fati i Majamit varet shumë nga niveli dhe shpejtësia e fryerjes së oqeanit. Por, ritmi po shtohet.

Caroline Lewis, drejtuese e Institutit CLEO mbi ndryshimet klimatike, thotë se largimi nga bregu është i pashmangshme.

“Duhet të shpërngulemi shpejt. Por nëse mund të kemi një tërheqje të planifikuar, ne mund të zbatojmë disa nga idetë për t’i mbajtur atje njerëzit sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo do të ishte në arritje e madhe nga e cila mund të mësonte mbarë bota.”

Por në qytetin e ndërtuar në një shkretëtirë moçalore, ka shumë optimistë.

“Ekziston një zgjidhje inxhinierike për çdo problem. Kjo varet nga vullneti politik për të tejkaluar çdo vështirësi që mund të shoqërohet me zgjidhjet, dhe vullneti për t’i provuar dhe financuar ato”, thotë Eric Carpenter, zyrtar i qytetit.

Pikërisht këto janë pyetjet me të cilat Florida dhe qytetet bregdetare të botës do të përballen në dekadat e ardhshme. (voa)

Shqipëri: Investimet më të mëdha aty ku ka më pak prioritet

mbeturinatVendgrumbullime mbetjesh pa leje mjedisore, djegie mbeturianash, hedhje mbetjesh spitalore buzë lumejve. Keqmenaxhimi i mbetjeve të ngurta është një ndër faktorët kryesorë të ndotjes në Shqipëri.

Prej fundit të vitit 2016 qeveria gjermane po e ndihmon qeverinë shqiptare për ndërtimin e një strategjie për mbetjet e ngurta. Këshillimet bëhen përmes Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Hermann Plumm, drejtor i projektit pranë GIZ-it, thotë, se e sheh me pozitivitet rritjen e vëmendjes nga organizatat jofitimprurëse, qytetarët dhe qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare ka vendosur të investojë për herë të parë një shumë shumë të madhe parash, rreth 200 milionë euro, që do të përdoren në dhënien e koncesioneve për ndërtimin dhe funksionimin e incerenatorve. Nga ana tjetër, sipas Plumm, është e nevojshme të ndërtohen landfille më moderne për mbetjet inerte, ato urbane dhe përmirësim të sistemit të grumbullimit.

Mungesë e theksuar ndërgjegjeje për mjedisin

Sipas Plumm “mbi të gjitha është e nevojshme të nisë diferencimi i mbetjeve që në shtëpi. Gjë e cila faktikisht kërkohet nga ligji që qytetet e vogla ta realizojnë deri në vitin 2018 dhe qytetet e medha duhet ta kishin realizuar deri në fund të vitit 2016, por asnjë qytet nuk po e bën këtë gjë. Dhe një problem tjetër është që shumë njerëz kanë një mungesë të theksuar ndërgjegjësimi për mjedisin. Ne shohim njerëzit që kanë vese të të hedhurit mbeturina nga makinat ose nga shtëpitë e tyre, të cilat përfundojnë në rrugë dhe askush nuk thotë: edhe unë jam pjesë e ketij problemi, edhe unë jam përgjegjës për zonat publike.”

Qeveria nuk ka qasje sitematike për problemin e mbeturinave

A po ndjek qeveria shqiptare strategjinë e duhur në menaxhimin e mbetjeve në territorin shqiptar? Sipas Plumm “nuk ka një qasje sitematike për këtë problem. Nga njëra anë kemi investime të mëdha që vijnë nga qeveria dhe nga ana tjetër ka qytete si Kamza, Rrogozhina, Lushnja që lexon në shtyp se njerëzit protestojnë kundër hedhjeve të mbeturinave pa kriter, që njerëzit djegin mbeturinat, madje duket se edhe grumbulluesit e autorizuar nga bashkitë hedhin mbetjet në lumenj ose skandalet me mbetejet spitalore që kemi pasur së fundmi.”

Në pikëpyetje është në këtë mes sistemi monitorues, sepse kompanitë që janë të licensuara nuk po i trajtojnë mbetjet toksike në mënyrën që ato duhet të trajtohen, por i hedhin buzë lumejeve. “Kjo është një shenjë shumë e keqe. Unë mendoj se qasja e qeverisë duhet të përqëndrohet dhe të jetë më sistematike për të krijuar një sistem nga a-zh dhe jo një sistem që zgjidh diçka këtu dhe në anën tjetër ku nuk po ndodh asgjë.

Në shumë bashki përshmbull ka nevojë urgjente për gjëra elementare, ndërkohë që ne flasim për incerenatorët. Por në një sistem ku nuk ekziston diferencimi fillestar i mbetjeve inceneratorët nuk mund të punojnë kurrë në mënyre ekonomike”, thotë për DW, Hermann Plumm.

Investimet më të mëdha shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet

Po cila është zgjidhja e duhur për të patur një mjedis sa më të pastër? Sipas Hermann Plumm incenrimi, që kthen mbetjet në energji, është zgjidhja e fundit. “Para së gjithash duhet të reduktojmë nivelin e mbetjeve, pastaj vjen ripërdorimi, pastaj riciklimi dhe në fund të gjithë mundësive, në fund të kësaj hierarkie, vjen incenrimi, që kthen mbetjet në energji. Ne si GIZ dhe shumë donatorë të tjerë në Shqipëri do të dëshironim të mbështesnin qeverinë dhe bashkitë që të krijojnë një sistem që fillon nga fillimi dhe jo nga fundi i hierariksë. Dhe ky është ligj në Shqipëri. Strategjia ekzistuese mbi mbetjet e ngurta në Shqipëri parashikon këtë hierarki, që do të thotë prioritet. Por fatkeqësisht më duhet të them që investimet më të mëdha po shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet.(dw)

Kosovë, arrestohen tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje

Albin KurtiPolicia e Kosovës arrestoi të premten tre deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj Bujup dhe Albulena Haxhiu, ndaj të cilëve të mërkurën ishin lëshuar urdhër arreste. Arrestimi u krye në oborrin e parlamentit të Kosovës, derisa deputetët po shkonin në seancën e së premtes.. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë deputetët tjerë të lëvizjes Vetëvendosje që u përpoqën të kundërshtojnë arrestimin.

Të tre deputet pritet të dërgohen na paraburgim, pas vendimit të një gjykatësi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili të mërkurën lëshoi urdhër arrest për të tre deputetët për shkak të mosparaqitjes së tyre në një seancë gjyqësore lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës vitin e kaluar në Parlamentin e Kosovës.

Katër deputetë të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, akuzohen “për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se deputetët u arrestuan në mënyrë brutale dhe me urdhra politik.

Kjo është një vazhdimësi e përndjekjes masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj lëvizjes Vetëvendosje veçanërisht kohëve të fundit me dënimin e katër aktivistëve tanë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e as dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, në këtë rast për shkak të protestës sonë me ç’rast e mbrojtëm sovranitetin e Republikës dhe integritetin territorial të vendit”, tha zoti Ymeri.

Vitin e kaluar, për më shumë se gjashtë muaj deputetët e opozitës organizuan protesta dhe bllokuan punën e parlamentit me gaz lotsjellës kundër marrëveshjeve të arritura me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. (voa)

Gjykata Speciale do të merret me individë dhe jo me organizata apo etni

EkaterinaKryetarja e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, Ekaterina Trendafilova, qëndroi të enjten në Kosovë në vizitën e saj të parë që nga emërimi në këtë post. Ajo tha se Gjykata akoma nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

Kryetarja e dhomave të specializuara në Gjykatën Speciale për Krime Lufte, Ekaterina Trandafilova, e shoqëruar nga administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, qëndruan të enjten me (23.11) në Kosovë. Trandafilova tha se “Gjykata Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte, akoma nuk ka ngritur asnjë akuzë dhe siguroi qytetarët e Kosovës se kjo kjo gjykatë do të merret me individë dhe jo me organizata, apo etni. Ajo tha se kushdo që ka kryer krime lufte, të cilat bien nën jurisdiksionin e Gjykatës, do të nxirren para drejtësisë, duke siguruar se “Gjykata do të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht”. Këto komente, Ekaterina Tandafilova, i bëri në vizitën e saj të parë në Kosovë, që nga emërimi në krye të kësaj Gjykate. Vizita në Kosovë u tha se kishte për qëllim prezantimin e strukturës, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara të Gjykatës.

Gjykata e gatshme

“Rregullorja për dëshmi ka hyrë në fuqi më 5 korrik të këtij viti dhe se prej 5 korrikut dhomat e specializuara janë plotësisht funksionale dhe janë të gatshme që atëherë të fillojnë me procedura gjyqësore, nëse ngritën aktakuzat nga prokurorët”, tha Trandafilova, duke shtuar se mbrojtja e dëshmitarëve është një fushë që ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Asnjë takim i zonjës Trandafilova me udhëheqësit më të lartë të Kosovës nuk ndodhi, pos me ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri dhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, bëri të ditur se në takim me Ekaterina Trandafilova, kanë biseduar, “për mandatin e Dhomave të Specializuara dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse të Kosovës”.

Sipas një njoftimi me shkrim nga ministria e Drejtësisë thuhet se, “ministri Tahiri vuri theksin në sigurimin e një procesi të drejtë, transparent dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut”. Po ashtu thuhet se palët janë njoftuar “për hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për të siguruar mbrojtje juridike dhe asistencë teknike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që mund të paraqiten para këtyre dhomave të specializuara, sikundër konfirmohet gatishmëria e institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet që rrjedhin nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç tashmë është emëruar me ligj nga Parlamenti i Kosovës si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të ish-UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës i ka themeluar Dhomat

Parlamenti i Kosovës me (03.07.2015) me shumicë votash pati miratuar ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ndonëse, kjo ishte kundërshtuar fuqishëm nga partitë politike opozitare të asaj kohe, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Opozita kosovare pati deklaruar se “themelimi i Gjykatës Speciale nga kuvendi i Kosovës dhe që udhëhiqet krejtësisht nga autoritetet ndërkombëtare, përbën cenim të rendit kushtetuese dhe krijon sistem paralel të drejtësisë”. Selia e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë do të jetë në Hagë, për faktin që siç ishte thënë,”dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë”.

Me një janar të këtij viti, hyri në fuqi ratifikimi i parlamentit të Holandës, që e lejon në territorin e saj, fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson se ”kjo Gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte”. Tash për tash akoma nuk njoftohet se kur do të ngritën aktakuzat e para. Por mediet në Prishtinë shkruajnë se kjo mund të ndodhë në këtë vjeshtë.