”Rruga e Arbërit” e afron Shkupin me Tiranën për 100 kilometra

RRUGA E ARBRTProjekti për ndërtimin e Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë është gati. I njëjti është miratuar edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe nevojitet të pranohet nga Qeveria, thotë përpiluesi i projektit, inxhinieri Shefik Aliti. Ai thotë se ky projekt është gati që në vitin 2008 dhe i njëjti ishte pranuar edhe nga ish-ministri i Transportit të Shqipërisë, Sokol Olldashi.

“Gjatësia prej Tirane deri në kufirin me Maqedoninë në fshatin Kollare nën Dibër ka qenë 64 kilometër. Prej aty pastaj shkon krahu në Peshkopi lartë, ndërsa tek ne më e arsyeshme është që autostrada të kalojë prej kufirit Maqedoni-Shqipëri te fshati Kollare deri te Ura e Boshkut. Ne në territorin e Maqedonisë kemi paraparë 12 kilometër autostradë me dy kahje, jo me një kahje. Pastaj kemi paraparë që autostrada të kalojë në krahun e majtë të Liqenit të Mavrovës, mbi fshatrat Liçifurov dhe Leunov dhe të arrjë deri në Gostivar dhe të lidhet me rrugën Gostivar-Kërçovë” thotë Shefki Aliti, inxhinier, njofton Shenja.

Aliti thotë se projekti që parasheh ai shkurton rrugën Shkup-Tiranë për 100 kilometër, ndërsa ka edhe ka dobi ekonomike. “Rruga e Arbrit sipas tij, do të bëjë të frekuentueshme pjesën e Dibrës, do të ndihmojë në lehtësimin e njerëzve dhe mallrave, si dhe për rrugë si kjo është lehtë të gjinden edhe investitor. Por kushti kryesor sipas Alitit është që kjo rrugë të jetë me parametra të autostradës”

“Ne kërkojmë autostradë që të shkojmë nga Shkupi për në Tiranë për 190 kilometër apo sa e ka tash 198 kilometër Qafëthana. Domethënë deri sa të mbërrijmë në Qafëthanë ne arrjmë në Tiranë. Arsyeshmëri ekonomike ka sepse ka mbi 5 mijë automjete në ditë, mund të arrjë në 10 mijë sepse do të jetë rruga më e shkurtër për në Tiranë, por duhet të bëhet marrëveshje mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Shqipërisë. Gjithë autostradat në Maqedoni ndërtohen me para të bankave evropiane dhe tash edhe banka kineze i financon. Kur të jepet edhe ky projekti jonë që e kemi projekt ide edhe në nivelin general, çdo bankë këtë e finanson kur bëhet fjalë për dy drejtime, ndërsa në një drejtim nuk finanson askush”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezentoi ditë më parë projektin për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”, i cili ndryshon nga projekti i Qeverisë së kaluar të drejtuar nga Sali Berisha. Rama tha se projekti i tij shkurton për 100 kilometër rrugën nga Tirana deri në Dibër, ndërsa paralajmëroi se këtë temë do ta diskutojë edhe në mbledhjen e përbashkët me Qevernë e Maqedonisë që është planifikuar të mbahet në Pogradec.

Në Kosovë nisi fushata zgjedhore për zgjedhjet e balotazhit

balotazh Në 19 komuna të Kosovës, përfshirë qendrat e mëdha, me 19 nëntor votohet për kryetar komunash. Ky është rrethi i dytë i zgjedhjeve. Një komunë e banuar me shumicë serbe shkon në rivotim.

Në Kosovë nisi zyrtarisht fushata për zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen në 19 nga 38 komunat e Kosovës. Kësaj radhe do të votohet vetëm për kryetar komunash, në ato komuna ku në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, asnjë kandidat nuk e mori numrin e mjaftueshëm të votave mbi 50% të pjesëmarrjes, sa janë të nevojshme për t’u zgjedhur në raundin e parë. Fushata për rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash do të zgjatë pesë ditë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë të ditur se të drejtë vote kanë rreth 1.8 milion votues. Në ditën e zgjedhjeve, do të jenë të hapura 614 qendra të votimit nga 899 sa ishin në raundin e parë.

Zgjedhje në 19 komuna

“Këtë të diel në raundin e dytë, zgjedhje mbahet në 19 komuna vetëm për kryetarë të komunave. Ndërsa në komunën e Parteshit, ku janë konstatuar parregullësi në raundin e parë, do të rivotohet vetëm për kryetar të komunës. Në 19 komunat e Kosovës, ku do të mbahet raundi i dytë. Do të hapen 614 qendra të votimit, me gjithsej 1.777 vendvotime”, njofton zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit për kryetar komunash, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në 9 komuna, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, Aleanca Kosova e Re në një komunë, Nisma në një komunë dhe Alternativa në një komunë.

Koalicione të reja

Këto subjekte politike këtë fazë që nga raundi i parë i zgjedhjeve me 22 tetor, shfrytëzuan rastin për të bërë koalicione në nivel lokal nga më të ndryshmet. Gara më e fortë për kryetar komunash, parashihet të jetë në qendrat e mëdha, që janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaji, Gjilani dhe Mitrovica. Në Prishtinë për kryetar komune, garojnë (LDK-VV), në Prizren, (PDK-VV), në Ferizaj, (PDK-LDK), në Mitrovicë, (PDK-AKR), në Gjilan, (LDK-VV) dhe në Gjakovë (AAK-Alternativën).

Ngjashëm si edhe në proceset zgjedhore paraprake, edhe në këtë raund zgjedhjet do të vëzhgohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe vëzhguesit e ambasadave të vendeve më të industrializuara. Në raundin e parë të zgjedhjeve, me 22 tetor zgjedhjet kanë përfunduar në 19 komuna.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një komunë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 2 komuna. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa në raundin e parë nuk arritën të fitojnë asnjë komunë. Lista Serbe ka fituar në 9 komuna të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Sipas raportit të vëzhguesve evropianë, në këto komuna procesi nuk ka qenë tërësisht demokratik, sepse “janë evidentuar presione tek votuesit që të votohet vetëm për një subjekt politik” – në këtë rast për listën “Srpska”, që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd. Qeveria e Kosovës këtë e cilësoi një ndërhyrje të papranueshme të drejtpërdrejtë të Beogradit në zgjedhjet lokale në Kosovë. (rel)

Mbi 300 të vrarë nga tërmeti në kufirin Iran-Irak

iran irakNjë tërmet që ra të dielën në kufirin mes Irakut dhe Iranit ka shkaktuar më tepër se 300 të vdekur dhe ka plagosur 2 mijë e 500 vetë.

Media iraniane njoftoi sot se ka 328 viktima, shumica e tyre në qytetin Sarpol-e-Zahab të provincës Kermanshah.

Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës dhe vazhdojnë edhe sot për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga fatkeqësia.

Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti prej 7.3 ballësh e kishte qendrën në qytetin Halabja në rajonin e Kurdistanit në Irak.

Kryeministri irakian Haider al-Abadi tha se i kishte kërkuar agjencive të shëndetësisë të përpiqen me të gjitha mjetet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur nga kjo fatkeqësi natyrore. (voa)

Skllevërit modernë në Ballkan

sklleverit modernFirmat e modës i prodhojnë lirë produktet e tyre të shtrenjta në Europën Lindore e Ballkan. Ligjet shkelen, rrobaqepëset marrin një rrogë që nuk mjafton për të jetuar, e qeveritë e rajonit i mbështesin praktika të tilla.

Ato janë dëshmi tronditëse nga një botë e fshehtë. „I thashë drejtorit tim, që nuk marr dot frymë me këtë makinë qepëse. Brenda në fabrikë janë 30 gradë, dhe kur punojmë në makinë temperatura rritet”, rrëfen një punëtore tekstili në Serbi. Pas kësaj drejtori i makinës e merr tubin e ajrit ia drejton në fytyrë rrobaqepëses e koleges së saj dhe thotë: „Ky është problemi juaj, e nëse ju nuk arrini dot ta përballoni, ka shumë njerëz që presin të zënë vendin tuaj. Dera është atje.” Një tjetër rrëfen se „menaxhmenti i firmës kërkoi të mblidhnim para për një matës tensioni, sepse na ‚trajtojnë‘ vetë dhe nuk duan të thërrasim një mjek po qe se na bie të fikët”

Të dyja punëtorët duan të mbesin anonime, si shumë të tjera që patën guximin e raportuan për Studimin Europian për Tekstile të Pastra. (CCC) mbi kushtet e punës në industrinë serbe të tekstilit. Vërtet shihet si fat të gjesh një vend pune në ekonominë e tregut, në një vend ku papunësia zyrtarisht kap 16%, tek të rinjtë madje 30%.

Të trajtuar si skllevër

Në një kohë që punëtorët e industrisë së tekstilit, që i përket kryesisht investitorëve të huaj e ku punohet për tregun europianoperëndimor, duhet të durojnë kushte prodhimi nën dinjitetin njerëzor dhe arrogancën e drejtuesve të tyre. Në këtë industri sundon një atmosferë frike, rregullisht ka kërcënime për humbjen e vendit të punës. Shpesh nuk ofrohen të plota ditët e pushimeve dhe në tualet ose nuk lejohet të shkosh ose me kufizim. „Punëtoret raportojnë, se trajtohen si makineri apo skllevër, jo si njerëz. Atyre u bërtitet, edhe ngacmimi seksual është në rend të ditës,”, thotë Bettina Musiolek, koordinatore e CCC për Europën Lindore dhe Juglindore në bisedë me Deutsche Wellen.

Të gjitha këto për një punë me orë shtesë të papaguara dhe një rrogë nën kufirin e varëfrisë. Në Serbi zyrtarisht ekzistenca minimale kap shifrën e 278 eurove, dhe një familje me katër anëtarë ka nevojë të paktën për 652 euro që të mbijetojë. Ndërkohë punëtorët e industrisë së tekstilit fitojnë vetëm 202 euro në muaj, në industrinë e këpucëve 227 euro. Rreth 100.000 vetë janë të punësuar në Serbi në këtë sektor.

Parajsë e rrogave të ulta në mes të Europës

Por Serbia nuk përbën përjashtim. „Për markat globale të modës, vendet e Europës Lindore dhe të Ballkanit janë parajsë e rrogave të ulta”, theksojnë autorët e studimit. Mes tyre gjenden firma si Benetton, ESPRIT, GEOX apo Vero Moda, por edhe marka botërore si Armani, Calzedonia, Dolce & Gabbana e H&M. Madje edhe markat e luksit Louis Vuitton, Prada dhe Versace prodhojnë lirë aty produktet e shtrenjta.

Këto vende ofrojnë punëtorë të kualifikuar e me çmim të lirë. Rrogat mujore të punëtoreve mezi i arrijnë pagat minimale shtetërore, që variojnë nga 89 euro në Ukrainë në 374 euro në Sllovaki. Një rrogë që mjafton për të jetuar duhet të ishte katër deri në pesë herë më e lartë.

Manipulim i konsumatorit

Ndërkohë këto marka vendosin etiketën „Made in Europe” ose „Made in EU” duke i ofruar kështu konsumatorit idenë se markat prodhohen në kushte të ndershme. „Në realitet të 1,7 milionë punëtoret e tekstilit në rajon jetojnë në varfëri”, thuhet në studimin e CCC-së. „Nganjëherë as nuk kemi për të ngrënë”, thotë një punëtore ukrainase. Këto kushte janë të mundura vetëm në një ambient shoqëror tejet miqësor ndaj punëdhënësve. „Këtu bëhet fjalë kryesisht për një zonë pa sindikata, askush nuk i mbron interesat e punëtorëve”, thotë Musiolek.” Në një kohë që qeveritë japin subvencione direkte ose jo direkte për firmat e huaja. Kështu në Serbi, firma të tilla marrin subvencione të majme si dhe truall nën vlerën e tregut, nganjëherë edhe pa para, e këtyre favoreve i shtohen edhe lehtësimet tatimore apo një infrastrukturë falas.

Marrëdhënie si në kapitalizimin e hershëm

Ka një konkurrencë ekonomike të drejtuar për poshtë, thotë Stefan Aleksiq, një nga autorët e studimit në bisedë me Deutsche Wellen. „Rreth Serbisë ka vende edhe më të varfra, e të gjithë luftojnë për të njëjtat investime. Kështu krijohet konkurrenca. Kush i ofron kapitalit të huaj kushte më të mira për një prodhim të lirë.” Rezultati katastrofik.”Shtetit financon prapambetjen ekonomike”, thotë Aleksiq.

Megjithatë fushata për veshje të pastra nuk bën thirrje për bojkotim. „Punëtoret na thonë gjithmonë „Ne kemi nevojë për këto punë. Por ato duhet të paguhen si duhet dhe të përmirësohen kushtet e punës”, thotë Bettina Musiolek. Rruga deri aty është ende e gjatë. „Fillimisht duhen forcuar sindikatat. Nuk mund ta besosh se marrëdhëniet e punës aty janë si në kapitalizmin e hershëm dhe se sa të dobët janë aktorët e tregut të punës”, thekson Musiolek. (dw)

Rezolutë e re për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë

Tachi Mogherini VucicNxjerrja e një rezolute të re nga ana e Kuvendit të Kosovës, pritet t’i paraprijë hyrjes së Kosovës në fazën e re të dialogut me Serbinë. Kështu të paktën paralajmërojnë deputetët, sidomos ata nga tabori opozitarë.

Ndonëse rezolutat nuk kanë karakter obligativ, deputetët besojnë se përmes saj do të shprehet një qëndrim dhe vullnet politik i përfaqësuesve të shtetit, i cili më pas do të duhej të përfillej nga liderët politikë që do të përfaqësojnë vendin në dialogun me Serbinë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e fundit në Bruksel, në fillim të korrikut dhe në fund të gushtit të këtij viti, ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë paralajmëruar ngritjen e nivelit të përfaqësimit politik, në nivelin e presidentëve, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të partive në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se tashmë nevojitet një rezolutë e re nga legjislativi, me të cilën do të përcaktohej korniza e fazës së re të dialogut me Serbinë, niveli i përfaqësimit politik dhe përgjegjësitë e përfaqësuesit.

Ahmet Isufi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i së cilës, Ramush Haradinaj udhëheqë ekzekutivin e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekziston nevoja për një konsensus nacional për të përcaktuar formatin e bisedimeve dhe platformën e cila garanton mbrojtjen e interesave të Kosovës. Për një gjë të tillë, si dhe për nivelin e përfaqësimit në dialogun e Brukselit, sipas tij, nevojitet një pajtim i liderëve politikë.

Liderët institucionalë dhe politikë duhet të pajtohen për një marrëveshje të përbashkët, sa i përket bisedimeve, duke krijuar kornizën mbi dialogun, në interes të Kosovës, si dhe Kuvendi të nxirrte një rezolutë, e cila do të autorizonte autoritetet e shtetit se si do të duhej të zhvillohej dialogu dhe kush ta përfaqësojë atë”, tha Isufi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj nga radhët e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, para se të nisë faza e re e dialogut në Bruksel, është e domosdoshme që në Kuvendin e Kosovës të ekzaminohet situata lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme që kanë dalë nga dialogu me Serbisë, si dhe përfitimet nga ky proces. Sipas tij, në rast se vazhdojnë bisedimet, paraprakisht, do të duhej të qartësoheshin rolet e institucioneve të larta në raport me dialogun dhe kjo do të duhej të bëhej me një rezolutë të re të Kuvendit.

Do të ishte një udhërrëfyes se kah po shkon Kosova në këtë proces, në këtë dialog, cili është roli i Kryeministrit dhe i Kuvendit në këtë proces, cili është roli i Presidentit në këtë proces. Më pas, të vendosen ndoshta edhe konturat se kur mund të përfundojë ky proces, sepse është thënë se do të zgjasë disa vjet, por tash kemi hyrë në vitin e gjashtë që nga miratimi i rezolutës së fundit të Kuvendit të Kosovës, ku është autorizuar Qeveria”.

Prandaj, është imperativ dhe detyrim sot, që Kuvendi edhe një herë të deklarohet rreth kësaj, në mënyrë që edhe të hiqet pesha krejtësisht individuale dhe vendimi individual i presidentit, që e ka marrë që ai vet, që të involvohet në këtë proces dhe të tjerët t’i heqë nga loja, duke propozuar ide të ngjashme si ‘Grupi i unitetit’ dhe kështu me radhë”, thotë Selmanaj.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përfaqësimi në nivel presidentësh në dialogun e Brukselit, nëse ka edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, nuk do të duhej të refuzuar apriori nga subjektet politike parlamentare. Megjithatë, sipas tij, për një gjë të tillë, duhet ndërtuar konsensus.

Ne po themi që duhet një konsensus. Nëse nuk arrihet që të sigurohen votat për të kaluar një rezolutë në Kuvend, atëherë kjo dërgon mesazhin se një konsensus i tillë nuk ekziston. Kjo e bën pozitën, e cilitdo që e përfaqëson Kosovën në këtë dialog, qoftë Presidenti apo Kryeministri, më të dobët”.

Prandaj, është koha kur spektri politik në Kosovë duhet të fillojë të mendojë për gjërat përtej interesave individuale të partive dhe të mendohet pak më gjerë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash dhe këtu fajin e kanë të gjitha partitë politike, duke përfshirë këtu edhe zotin Thaçi, kur ai e drejtonte Partinë Demokratike të Kosovës”.

Rreth një muaj më parë, në një debat të organizuar ndërmjet shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ishte kërkuar që legjislativi të ketë një rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, si dhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Kuvendi i Kosovës, më 18 tetor të vitit 2012, pati miratuar një rezolutë që parashihte normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Përfaqësimi politik në dialog, deri më tash, ishte në nivelin e kryeministrave. (rel)

Bashkimi i pushtetit dhe opozitës për integrimet evropiane

zaev parlamentNë fund të janarit të vitit të ardhshëm, përfaqësuesit e partive politike parlamentare të Maqedonisë, ekspertë nga Bashkimi Evropian, në prani të eurokomisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn si dhe përfaqësuesve të Parlamentit dhe Qeverisë franceze, do ta fillojnë procesin e dialogut të ndërsjellë mes pozitës dhe opozitës në Maqedoni të titulluar “Zhan Mone”, me qëllim të shtytjes së proceseve që kanë të bëjnë me integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Projekti ‘Zhan Mone’,nuk është gjykatë për të zgjidhur çështjet ndërmjet palëve në skenën politike në Maqedoni, por është një mundësi për dialog miqësor dhe të hapur, përmes të cilit do të zgjidhen problemet”, ka deklaruar për mediat eurodeputeti Ivo Vajgëll, duke prezantuar para opinionit të Maqedonisë projektin “Zhan Mone” të Parlamentit Evropian, pasi paraprakisht ai ka realizuar bisedime me përfaqësuesit e partive parlamentare të Maqedonisë.

Me shumë rëndësi është që Maqedonia i ka filluar ndryshimet dhe realizmi i reformave do të ndihmojë në drejtim të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Vajgël .

I pyetur se kush do të marrë pjesë në këtë takim, duke pas parasysh se liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit i është marrë pasaporta nga gjykata, me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike, Vajgëll tha se mjafton të jenë prezent përfaqësuesit e partive politike.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka thënë se Parlamenti i Maqedonisë është i gatshëm të hap procesin e dialogut të quajtur “Zhan Mone”.

Parlamenti i Republikës së Maqedonisë është i gatshëm, bazuar edhe në deklaratat e përfaqësuesve të partive politike, që të hap dialogun e ashtuquajtur ‘Zhan Mone’, i cili në asnjë mënyrë, ashtu siç u konkludua, nuk nënkupton vazhdimin e atij procesi të bisedimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, në Shkup dhe rreth Shkupit. Por, ka të bëjë me gatishmërinë e re të përbërjes parlamentare dhe subjekteve politike në Parlament, që përmes formës së dialogut që pritet të arrihet deri tek zgjidhjet e duhura të pranuara nga të gjithë ne, që të mund atë rekomandim reformues të mund ta zbatojmë në kohën më të shkurtë të mundshme”, tha Xhaferi.

Ndryshe, realizimi i një takimi të mbyllur për mediat, mes përfaqësuesve të partive politike parlamentare të Maqedonisë me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë evropianë në afërsi të Parisit në shtëpinë “Zhan Mone”, ka për qëllim përmirësimin e raporteve mes pozitës dhe opozitës në Maqedoni, në funksion të kapërcimit të sfidave rreth integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Ideja për realizimin e një takimi të këtillë mes aktorëve relevantë politikë në Maqedoni, vjen në momentin kur negociatorët e Maqedonisë dhe Greqisë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Metju Nimic, intensifikojnë bisedime për zgjidhjen e kontestit të emrit, që do të çonte kah zhbllokimi i proceseve euroatlantike.

Në këtë drejtim, kryeministri i Maqedonisë Zoan Zaev për mediat ka thënë se Maqedonia duhet të shfrytëzojë rrethanat e volitshme për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka me Greqinë.

Me Republikën e Greqisë kemi gjasa më të mëdha se më herët që të gjejmë zgjidhje. Pres që deri në fund të këtij muaji të fillojnë të lëvizin gjërat, të paktën mes negociatorëve me Nimicin. Unë qëndroj në disponim në nivel të kryeministrave, ministri i Punëve të Jashtme është i gatshëm, tashmë kemi biseduar edhe me Presidentin e shtetit. Duke i pasur parasysh këto, Maqedonia patjetër duhet të jetë e gatshme për të bërë hapa në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje. Unë shpresoj se edhe opozita maksimalisht do të kyçet në zgjidhjen e kësaj çështje”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. (rel)

Kodi +383 në proces të operacionalizimit

kodi 383Nga shumica e vendeve nëpër botë, Kosova mund të thirret përmes kodit të saj telefonik shtetëror +383, derisa nga fillimi i vitit 2018 është paraparë të fillojë largimi i kodeve ekzistuese, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë autoritet kompetente.

Aktualisht në Kosovë janë prezent tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Të gjitha këto kode, sipas kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi do të largohen përfundimisht në qershor të vitit të ardhshëm.

Deri më tani zbatimi i kodit telefonik +383 është duke ecur sipas dinamikës së paraparë nga ARKEP, i cili ka përcaktuar obligimet për operatorët telefonisë mobile dhe fikse të cilët janë duke zbatuar kodin 383”.

Deri më tani, nga shumica absolute e vendeve të botës, Kosova mund të thirret ndërmjet kodit +383 nëse përdoret në vend të kodeve ekzistuese, derisa nga fillimi i vitit 2018 do të fillojë një fazë e re ku do të fillohet me largimin e kodeve aktuale dhe faza përfundimtare kur do të largohen këto kode dhe do të përdoret vetëm +383, do të jetë 30 qershori i vitit 2018”, sqaron Gashi.

Barra kryesore për zbatimin e kodit telefonik të Kosovës, shton Gashi, është mbi operatorët e telefonisë, pasi që ata duhet të bëjnë ndryshimet teknike brenda strukturës së tyre për zbatim të kodit.

Në Kosovë janë mbi dy milionë përdorues të telefonisë mobile dhe asaj fikse.

Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, i tha Radios Evropa e Lirë se është shënuar progres në zbatimin e kodit +383 dhe shumica e operatorëve botërorë e kanë hapur numeracionin.

Shumë operatorë ndërkombëtarë e kanë zbatuar kodin+383. Ndër këta operatorë ndërkombëtarë vlen të ceken operatorët e mëdhenj që po operojnë në shumë shtete të botës. Ne si Telekom i Kosovës pranojmë thirrje me +383 edhe në rrjetin mobil edhe fiks, dhe këto thirrje menaxhohen direkt nga ana e Telekomit të Kosovës”, thotë ai

Për kodin e Serbisë +381, i cili shfrytëzohet nga Kosova, thotë Latifaj, janë krijuar parakushtet që tani të mbyllet dhe për këtë vetëm pritet një vendim i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Derisa për kodin +377 dhe +386, sipas tij, janë shumë çështje teknike të cilat nuk do duhet të përfundojnë gjatë vitit 2018.

Derisa për kodin e telefonisë mobile të Monakos +377 ka ende punë për t’u bërë, duhet të bëhet përgatitjet teknike për të zëvendësuar sim kartelat që kemi tek konsumatorët tanë. Jemi në fazën e nënshkrimit të kontratës me operatorët ekonomikë, në mënyrë që të krijojmë parakushte për ndërrim të sim kartelës. Kjo duhet të ndodh sipas një projekt-plani gjatë qershorit të vitit 2018, por nuk jam optimist që ajo datë mund të arrihet, marrë parasysh përgatitjet tona dhe fazën ku jemi ne”, thekson ai.

Mungesa e kodit dhe përdorimi i kodeve të shteteve tjera i shkaktuan Kosovës humbje të mëdha. Të dhënat e Qeverisë së Kosovës treguan se kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik kishte arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Gashi thekson se me funksionalizmin e kodit +383, Kosova do te ketë përfitime të mëdha ekonomike dhe kostot që janë shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik do të eliminohen.

Në momentin kur funksionalizohet kodi +383, Kosova nuk do të ketë nevojë të përdorë kodet e shteteve tjera që ka përdorur, operatorët e telefonisë nuk do të kenë nevojë të paguajnë për shfrytëzim të kodeve të shteteve të tjera, dhe ato do të hyra do të kthehen brenda tregut të Kosovës, dhe Kosova përfundimisht do ta rrumbullakon identitetin e vetë shtetëror në fushën e telefonisë dhe në gjithë adresarët në tërë botën do të ekzistojë vetëm kodi +383”, thotë Gashi.

Kosova kishte marrë kodin telefonik +383 në dhjetor të vitit të kaluar, pas arritjes së një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Derisa, në muajin maj të këtij viti dy operatorët ilegalë të Serbisë të cilët kishin funksionuar në territorin e Kosovës, kryesisht në komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, janë shuar.

Derisa, operatori i tretë i cili po ashtu kishte operuara ilegalisht, tanimë është i regjistruar dhe funksionon në bazë të licencës së përkohshme dhe të kufizuar në Kosovë. (rel)

Maqedoni: Forcat politike, dakord për dialog

Ivo VajgelRaportuesi i Parlamentit për Maqedoninë, Ivo Vajgël duket se ka arritur t’i bindë të gjitha palët politike për angazhimin në dialog brenda institucionit Zhan Mone të Parlamentit Evropian që do të krijonte hapësirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Shkup. Takimi, megjithatë do të mbahej në nivel të deputetve, përkatësisht të grupeve parlamentare të partive kryesore.

Në takimin e pritshëm që planifikohet të mbahet në muajin janar të vitit të ardhshëm në shtëpinë e themeluesit të BE-së do të ketë debat të hapur me ekspertë të njohur evropianë të çështjeve ligjore.

Atë që zoti Vajgël ka dëgjuar prej të gjitha partive politike, është se ekziston vullneti dhe disponimi i të gjitha partive që ta vendosin interesin e shtetit para së gjithash dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv për të mirën e vendit.

Por, raportuesi Vajgël u shpreh se dialogu “Zhan Mone” nuk zëvendëson dhe nuk paraqet vazhdimësi të marrëveshjes së Përzhinës dhe se synimi i Parlamentit Evropian nuk është bërja e amandamenteve për reformat e propozuara nga eksperti evropian Rajnhard Pribe dhe atyre të pranuara tashmë nga parlamenti i Maqedonisë.

“Ne nuk do të zgjidhim asnjë problem. Do të diskutojmë në mënyrë demokratike për ato; Problemet duhet të zgjidhen në këtë institucion të lartë të Maqedonisë, në parlament,” tha zoti Vajgël.

“Ne do të donim ta shikojmë të gjithë rajonin e Evropës juglindore të integruar brenda Bashkimit Evropian”, tha raportuesi për Maqedoninë, duke theksuar se çdo vend veç e veç do të vlerësohet mbi bazat e meritave të veta. Ai vuri në dukje reformat ambicioze të Maqedonisë siç tha, një kriterium kyç ky për mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim.

Opozita maqedonase, e cila doli si humbëse e thellë në zgjedhjet e fundit lokale, thotë se nuk i njeh ato për shkak të trysnive e shantazhit, sipas saj, ndaj votuesve dhe blerjes së votës.

Ndërkohë, autoritetet qeveritare presin që në fillim të vitit të marrin një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia ka qenë ndër vendet e para të rajonit që mori statusin ‘vend kandidat për anëtarësim në BE’, por problemet dhe krizat e brendshme mbase dhe orientimi jo shumë i qartë i pushtetit të kaluar kanë zvarritur me vite synimet integruese të saj. (voa)

Johannes Hahn: Liria e medias element kyҫ për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

HahnIntervistë ekskluzive për DW e komisionerit të BE për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgerimit. Hahn flet për lirinë e medias dhe perspektivën europiane.

DW: Komisioner Hahn, në konferencën që po zhvillohet në Tiranë, “BE- Ballkani Perëndimor, Ditët e Medias” ju thatë se garantimi i lirisë së shprehjes dhe medias është një nga kriteret politike që duhet të plotësojnë vendet që aspirojnë të hyjnë në BE. Çfarë mbështetje politike mund t’u japë BE vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përballuar sfidat që paraqet plotësimi i këtij kriteri?

Johannes Hahn: Së pari kemi shumë probleme në Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar gazetarët dhe për t’i mbështetur ata në kualifikimin e tyre profesional. Kjo është një gjë. Gjëja tjetër është që liria e shprehjes është një nga elementët kyҫ të procesit tonë të integrimit, të hapjes së negociatave për pranimin e vendeve kandidate në BE. Me vendet kandidate për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor, me të cilat kemi filluar negociatat e anëtarësimit, po shikojmë kapitujt 23 dhe 24 që merren pikërisht me lirinë e medias, shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit. Po i kryejmë negociatat duke i mbyllur këto kapituj, që nga fillimi deri në fund duke u kujdesur për lirinë e shprehjes dhe të medias. Dhe kjo është një nga elementët e shumtë që ndihmon për të përmirësuar cilësinë e medias në Ballkanin Perëndimor.

DW: A ka gjasa që strategjia për të shndrruar median, në një fuqi transformuese në procesin integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor të ketë përqasje rajonale, përderisa mangësitë, problemet dhe sfidat janë pak a shumë të njëjta?

Johannes Hahn: Fuqia transformuese e medias po, por unë preferoj të flas për procesin dhe jo për negociata. Ndryshimi i sjelljes, i qëndrimit, kërkon kohë.  Një zhvillim pozitiv ku mund të shihen arritje është lufta kundër korrupsionit. Nuk është vetëm e nevojshme të jetë në fuqi  një legjislacion i duhur, por që ky legjislacion edhe të zbatohet. E njëjta gjë vlen edhe për zhvillimin e medias dhe mënyrën sesi gazetarët mund të bëjnë biznesin e tyre. Dhe këtu duhen parë rezultatet. Kjo është e mundur nëse ka një perspektivë europiane.

DW: A mund të ketë një bashkëpunim rajonal edhe për të përballuar sfidat e garantimit të lirisë së shprehjes dhe të medias në kuadër të procesit të Berlinit?

Johannes Hahn: Targeti, qëllimi i Procesit të Berlinit, është bashkëpunimi rajonal, pra një tjetër instrument, një mjet, element për të nxitur vendet të punojnë së bashku. Dhe nëse punojnë së bashku ka më pak oreks për të luftuar njëri-tjetrin. Ky është në parim koncepti europian. Dhe kjo na ndihmon edhe në fusha të thera si p.sh. shteti  i së drejtës etj.

DW:  Cili është qëndrimi i vendeve anëtare të BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në mesin e vitit të ardhshëm, 2018?

Johannes Hahn:  Pres që Progres-Raporti për Shqipërinë, që do të dalë në prill të vitit të ardhshëm, të jetë pozitiv. Po ashtu pres raport pozitiv edhe për vendet fqinje, të përfshira në proceset e integrimit: Maqedoninë dhe Malin e Zi. Nuk ka feedback negativ për Shqipërinë prej asnjërit nga vendet anëtare. Por Shqipëria duhet të zgjidhë problemn e azilkërkuesve në vendet e BE, pasi ai dëmton reputacionin e Shqipërisë në opinionin publik të vendeve anëtare. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në rrugën e duhur.

SHBA reagon pas arrestimit të amerikanëve në Turqi

MikeNënpresidenti Mike Pence i shprehu shqetësimin e tij të thellë Kryeministrit turk Binali Yildirim për arrestimin e shtetasve amerikanë dhe të një punonjësi vendas të konsullatës së Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, zoti Pence dhe zoti Yildrim, i cili po viziton Uashingtonin, shpresojnë se takimi i tyre do të hapë një kapitull të ri në marrëdhënien SHBA – Turqi. Ata ranë dakort për nevojën e një dialogu konstruktiv, si miq dhe aleatë, për sfidat e marrëdhënies dypalëshe.

Kryeministri turk Binali Yildirim mbërriti në Uashington të martën për një takim të planifikuar me Nënpresidentin Mike Pence. Por, Shtëpia e Bardhë e shtyu takimin, pasi Nënpresidenti Pence udhëtoi drejt Teksasit në nderim të viktimave të masakrës në kishën e Sutherland Springs. Shtyrja i dha mundësinë zotit Yildirim të vizitojë monumentet e Uashingtonit, ndërkohë që takimi me dyer të mbyllura u zhvillua dje në Shtëpinë e Bardhë.

“Nënpresidenti falenderoi kryeministrin e Turqisë për kontributin ndaj sigurisë globale dhe luftën kundër ISIS-it. Ai nënvizoi angazhimin e SHBA-së përkrah Turqisë në përballjen me PKK-në dhe të gjitha kërcënimet e tjera terroriste. Nënpresidenti shprehu shqetësimin e thellë për arrestimet, bazuar në gjendjen e emergjencës, të shtetasve amerikanë, stafit vendas të misionit tonë në Turqi, gazetarëve, dhe anëtarëve të shoqërisë civile, si dhe bëri thirrje për një zgjidhje të këtyre rasteve”, informoi gazetarët zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Zonja Nauert i tha Zërit të Amerikës se Nënpresidenti Pence ngriti çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili u burgos një vit më parë në Turqi, nën akuza për mbështetje të klerikut turk me qëndrim në SHBA, Fetullah Gulen. Zonja Nauert tha se Nënpresidenti Pence është i apasionuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë fetare.

Përpara se të nisej nga Ankaraja, zoti Yildirim tha se dëshironte të diskutonte ekstradimin e zotit Gulen, si dhe çështjen e Reza Zerrabit, një tregtar floriri turko-iranian i arrestuar në SHBA në vitin 2016, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj Iranit.

“Kemi disa shqetësime për raste të shtetasve tanë të arrestuar në SHBA. Kërkesa të ngjashme ka edhe SHBA-ja, të cilat po trajtohen nëpërmjet kanaleve diplomatike. Pra të dyja palët po kërkojmë një rrugëdalje”, u shpreh Kryeministri Yildirim.

Presidenti Donald Trump dhe ai turk Recep Tayyip Erdogan e kanë bërë të qartë se duan të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të nxisin marrëdhënien SHBA – Turqi. Por, analistët thonë se kjo do të jetë e vështirë, për shkak të pikëpyetjeve të respektimit të shtetit ligjor nga ana e zotit Erdogan.

“Edhe nëse vërtet Erdogan dhe Trump do të dëshironin të zgjidhnin problemet, mendoj se për shkak të mënyrës se si perceptohet Turqia këtu në Uashington, do të jetë e vështirë për Presidentin Trump të ndërmarrë hapa në kundërshtim me konsensusin e përgjithshëm në Uashington”, thotë Gonul Tol, e Institutit për Lindjen e Mesme.

Departamenti Shtetit njoftoi këtë javë rikthimin e shërbimit të kufizuar të vizave në Turqi, duke sinjalizuar njëfarë përmirësimi të marrëdhënies SHBA – Turqi, pasi të dyja vendet patën ndaluar dhënien e vizave pas arrestimit të personelit diplomatik amerikan. (voa)