Mijra njerëz protestuan në Sýntagma për emrin e vendit fqinj

greqia protesta ertMe parrullën kryesore «Greqia e bashkuar kurrë nuk mposhtet», mijra njerëz nga çdo skaj i Greqisë, morrën pjesë në tubimin që u zhvillua dje në Sýntagma, për të protestuar kundër përdorimit të termit «Maqedonia» në emrin e vendit fqinj.

Folësi kryesor ishte kompozitori Míkis Theodorákis, i cili u prit me entusiazëm dhe duartrokitje nga të gjithë.

Grekët sot të bashkuar japin përgjigjen: Maqedonia është një, ishte dhe do të jetë gjithmonë greke, tha Míkis Theodorákis dhe kërkoi të zhvillohet referendum për çështjen e emrit.

Kisha e Greqisë nuk mund të pranojë termin Maqedonia ose ndonjë derivat tjetër si pjesë e emrit të një shteti tjetër, theksoi Mitropolíti i Sýros, Dorótheos.

Në këtë tubim ishin të pranishëm mjaft deputetë, ish kryeministri Antónis Samarás, kryetari i Bashkimit të Qendrës, Vasílis Levéndis dhe Sekretari i Përgjithshëm i Agimit të Artë, Níkos Michaloliákos.

Përfaqësuesit e Komisionit Koordinues të tubimit dorëzuan një rezolutë përkatëse për Presidentin e Republikës.

Policia në njoftimin e saj vlerëson, se pjesëmarrësit në tubim arritën në 140.000, ndërsa organizatorët e këtij tubimi flasin për rreth 1,5 milion. (ert)

“Pritshmëritë për Strategjinë e BE për Zgjerimin”

Komisioni evropianDitën e martë Komisioni europian pritet të prezantjë strategjinë e tij të zgjerimit me vendet e Ballkanit perëndimor. Në Shqipëri ekspertë të procesit të integrimit, e shohin atë si një rikthim të vëmendjes së Europës drejt rajonit dhe si një mundësi e cila nuk duhet humbur, veçanërisht për Shqipërinë, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Deklaratat e para të presidentit të Komisionit europian Jean Claude Juncker pas marrjes së detyrës, pak vite me pare, nuk lanë vend për optimizëm për perspektivën e zgjerimit, kur ai u shpreh se kjo çështje nuk do të ishte pjesë e mandatit të tij. E ndërsa procesi vijoi rrjedhën e tij, qasja duket se ka ndryshuar. Strategjia e zgjerimit e cila pritet të prezantohet të martën shihet si një marrëdhënie e re që mund të krijohet mes Brukselit dhe Ballkanit perëndimor.

Për 8 vite ministre e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, flet për një lloj rizgjimi të BE-së: “Tashmë ka një ndryshim vëmendje. Do të propozohen besooj mekanizma të rinj të një marrëdhënieje edhe më të fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit europian, e cila do të jetë e dyanshme. Pra ne, nuk na zbritet asgjë nga realizimi i detyrimeve tona. Por nga ana tjetër është e rëndësishme që BE-ja është zguar nga një përgjumje. Pra, kanë kuptuar tani që investimi në zgjerimin e BE-së drejt Balkanit Perëndimor, është çështje e sigurisë së vetë Europës, nuk është politikë e Jashtme, është politikë e Brendshme për të ruajtur stabilitetin dhe shmangien e të gjithë influencave të këtyre sirenave interesante që kanë qenë të pranishme në rajon”.

Edhe zoti Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve politike, mendon se për shkak të gjeopolitikës duket se Bashkimi Europian është i interesuar të rishikojë dhe një herë marrëdhëniet me rajonin: “Eshtë më shumë deklarim politik që i referohet Rusisë apo fuqive të tjera prezente në rajon, dhe që dëshiron ti japë një ushqim brezave të rinj që janë gati të zhgënjyer nga mungesa e një perspektive të qartë”

Gledis Gjipali i cili prej vitesh ndjek nga afër procesin e integrimit, në krye të Lëvizjes europiane në Shqipëri, vëren se në ndryshim nga pak vite më parë ka një klimë më mirëpritëse ndaj Ballkanit edhe për shkak të disa zhvillimeve pozitive në rajon: “Hap një dritë jeshile që zgjerimi do të jetë afër nëse vendet vijojnë në mënyrë progresive të rrisin ritmin e reformave, të bëjnë të ashtquajturat detyrat e shtëpisë në procesin e integrmit. Pra ka një klimë me mikpritëse nga BE-ja”.

Shqipëria shpreson të hedhë një hap të rëndësishëm me hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Dhe të gjithë janë të një mendjeje se do të ishte një shans i humbur e me pasoja nëse nuk do të realizonte këtë objektiv. “Eshtë një rast i cili nuk duhet humbur, ndonëse shumë raste të tjera, për fat të keq, që Shqipëria ka patur i ka humbur – shprehet zoti Gjipali – Por duhet të kemi parasysh që vonësat e tanishme ndikojnë shumë në të ardhmen. Mund të bëhet fjalë për pesë apo shtatë vjecarë shtyrje në procesin e anëtarësimit”.

Zoti Krasniqi shpreson që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive sepse, sic shpjegon ai 3-4 vende që janë skeptike, do kenë 4 muaj në dispozicion për të marrë përgjigje nga autoritetet shqiptare: “Eshtë absurde që ne të humbim një tren i cili do jetë shumë e vështirë të kthehet pas, sepse mund të rikthehet në të ardhmen, por do tëjetë i vonuar në raport me vendet e tjera të rajonit. Unë pres që ato dy lloj kushtesh kryesore që janë reforma në Drejtësi dhe një lloj sistemi më funksional i demokracisë, janë gjëra krejt të arritshme dhe arrihen qoftë dhe me një marrëveshje të dytë politike si ajo e majit 2017. Kërkon vullnet politik dhe një lloj bashkëpunimi, të jo më shumë se dy tre aktorëve politik”.

Për zonjën Bregu, “për shumë arsye Shqipëria e ka merituar prej kohësh çeljen e negociatave”, ndonëse siç thekson ajo “për arsye të tjera nëse do të shihej vetëm si proces i zbatimit të detyrimeve, sigurisht që mund të ketë probleme të mëdha për të avancuar, por – shton ajo – një vend nuk bëhet më i mirë kur është i harruar. E di që këtu me shumë miq politik nuk ndaj të njejtin opinion, por vazhdoj të besoj që është me përfitime së brendshmi. Në kushtet aktuale, por jo vetëm, gjatë gjithë këtyre viteve të gjata të luhatjes së sitemit demokratike në Shqipëri, nuk di motor më të mirë për të çuar përpara reformat se sa e ardhmja europiane e vendit. Sikurse nuk di që të ketë monitories dhe kontrollor më të fortë për cilësinë e reformave tona, por sigurisht dhe si element i fortë së brendshmi, për të ofruar atë sfidë e cila sot në fakt i mungon Shqipërisë, atë sfidë e cila i mungon edhe Qeverisë”.

Për zonjën Bregu “përtej retorikës dhe vendimmarrjes politike, Bashkimi europian duhet të ketë dhe një arsyetim më të mirë për strategjinë financiare, sepse shpjegon ajo, sot duhen më shumë fonde sot për t’ju qasur dhe për të ngritur standartet europiane. Ndërsa nga ana tjetër, në rast të hapjes së bisedimeve vendi duhet të jetë i përgatitur për këtë proces: “Shqipëria ka kapacitete të cilat mund të mos jenë sot të gjitha në administratën shqiptare dhe për hir të ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë gjthë këtyre votive dhe për hir të ndryshimeve të fundit të administratës për shkak të riorganizimit të saj. Por Shqipëria ka kapacitete të cilat në fakt duhen mbledhur dhe organizuar për të krijuar një grup të mirë i cili të jetë serioz për të çuar përpara negociatat”.

Nëse Strategjia e Zgjerimit pritet të jetë shtrati në të cilin procesi i integrimit do të lëvizë në të ardhmen, ecuria e afërt e secilit prej vendeve të rajonit do të mësohet pas publikimit të raporteve respektive në muajin prill. (voa)

Gjirokastër, toka po rrëshqet

gjirokasterBanorët e pallatit në lagjen Kodra e Shtufit thonë se ende janë të paqartë mbi masat, ndërsa tregojnë se kodra kishte paralajmëruar për rrëshqitje rreth dy muaj më parë kur u panë të çara në rrugën tashmë të shembur, por nuk u mor asnjë masë për parandalimin.

“Nuk di gjë. Nuk mund të akuzojë njeri. Të merren masa të menjëhershme. Eksperti të vijë sa më shpejt. Duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt”, shprehen banorët.

Nëse kërkesa e bashkisë do të marrë përgjigje për shpalljen e gjendjes së emergjencës civile, pritet që ndërhyrjet të shtrihen në një territor të gjerë të prekur prej pasojave të motit brenda në qytet dhe në tri njësi administrative. Ndërhyrja ne zone tejkalon çdo mundësi të buxhetit lokal.

Niko Rogo, profesor i gjeomorfologjisë në Universitetin e Gjirokastrës, ka zgjedhur ta zhvillojë temën e tij mësimore mbi rrëshqitjet pikërisht në vendngjarjen e fundit.

“Është një rast shumë i mirë për konkretizimin e mësimit teorisë me praktikën. Rrëshqitjet janë një dukuri e zakonshme për ne në këtë periudhë. Njeriu duhet të ishte treguar më i kujdesshëm në ndërtime”, shprehet Niko Rogo.

“Masat nuk ishin marrë si duhet. Ndërtimet nuk janë bërë me ndihmën e specialistit”, thotë një studente.

Në Gjirokastër janë aktive tre rrëshqitje të mëdha që po rrezikojnë dy pallate disa vila dhe 9 shtëpi historike në tri lagje të ndryshme.

Situata ka nisur 9 vite më parë ku një pallat u shemb duke marrë tri jetë. Rrëshqitjet vijuan të kërcënojnë edhe gjatë viteve në vijim duke u shënuar 5 të tilla dhe kulmuan këtë fillim viti pas reshjeve intensive që përfshinë Jugun e vendit.

Top Channel

Protesta në Athinë për emrin e Maqedonisë

protesta athine 2Dhjetëra mijëra demonstrues marshuan të dielën në Athinë për të protestuar ndaj një kompromisi të mundshëm mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin.

Policia vlerësoi se rreth 140,000 njerëz morën pjesë në tubim ndërsa organizatorët e marshit pretenduan se 1.5 milion njerëz nga Greqia dhe diaspora greke u mblodhën për t’i bërë thirrje qeverisë kundër ndërmjetësimit të një marrëveshje lidhur me emrin zyrtar të Maqedonisë fqinje.

“Miliona protestuesit që organizatorët mendonin se do të mblidheshin ishin vetëm një mendim i dëshiruar,” tha kryeministri grek Alexis Tsipras në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.

“Shumica dërrmuese e popullit grek konkludojnë se çështjet e politikës së jashtme nuk duhet të trajtohen me fanatizëm”.

Greqia dhe Maqedonia janë grindur se kush do ta përdorë emrin që nga pavarësia e Maqedonisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Shumë grekë thonë se duke lejuar vendin fqinj të përdorë emrin grek është fyerje për historinë greke dhe nënkupton një pretendim në territorin grek i njohur gjithashtu si Maqedonia – një krahinë e rëndësishme në perandorinë e lashtë të Aleksandrit të Madh.

Greqia ka bllokuar përpjekjet maqedonase për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për shkak të mosmarrëveshjes për emrin. Vendi i Maqedonisë është i njohur zyrtarisht në OKB si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Por Tsipras, një majtist, ka qenë i hapur për të negociuar një kompromis në mosmarrëveshjen 27-vjeçare, duke shkaktuar protesta në të dyja vendet.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha javët e fundit se vendi i tij do të zëvendësonte emrin e aeroportit dhe një rruge të madhe pas Aleksandrit të Madh “për të demonstruar, në praktikë, se jemi të vendosur për të gjetur një zgjidhje”. (voa)

Protesta masive në Athinë: Maqedonia është greke

maqedonia greqiRezistenca e nacionalistëve, populistëve të djathtë, konservatorëve dhe klerikëve kundër një kompromisi në debatin e emrit me Maqedoninë po zgjerohet: qindra mijëra grekë protestuan në Athinë.

Dy javë pas tubimit të madh në Selanik qindra-mijëra demonstrues protestuan në Athinë nën moton emri i  Maqedonisë i takon vetëm Greqisë. “Maqedonia është greke dhe vetëm greke”, “Ne jemi maqedonasit e vërtetë” dhe “Larg duart nga Maqedonia” bërtisnin njerëzit që kishin ardhur në Athinë me rreth 2.500 autobus nga i gjithë vendi. Shumica e tyre u vërshuan në Sheshin Sintagma para Parlamentit. Disa demonstrues qenë veshur me kostume tradicionale, si ato të rebelëve grekë që luftonin në fillim të shekullit XIX në Maqedoni kundër bandave bullgare dhe njësive otomane.

Mes stanjacionit dhe pasionit

Studiuesi i shkencave politike Levteris Koussoulis beson, se rifillimi i demonstratave është pjesë tipike e shoqërisë greke, që është ngurtësuar mes stanjacionit dhe pasionit. “Disa në këtë vend ndihen të lidhur në një mënyrë veçanërisht të prapambetur me historinë. Ata bllokohen të kapur pas së shkuarës dhe nuk e kuptojnë, që bota ecën përpara”, kritikoi Koussoulis në bisedë me DW.

Në kërkim të një kompromisi

Grekët e pretendojnë emrin Maqedoni si pjesë të trashëgimisë historike dhe u tremben po ashtu pretendimeve territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër. Edhe sot Athina ende insiston për kërkesën, që vendi fqinj ta ndryshojë emrin “Republika e Maqedonisë” të sanksionuar në kushtetutë.

Por pas ndryshimit të qeverisë në Maqedoni grekët janë tërhequr nga pozicioni i ngurtë. Që prej disa kohësh po pranohet, që vendi fqinj të përdor një emër që përmban mbiemrin “maqedonas”. Kësaj linje dëshiron t’i përmbahet kryeministri i majtë Alexis Tsipras. Pas një raundi të ri bisedimesh me ndërmjetësimin e OKB-së u bë e ditur, se qeveria në Athinë e pranon kompromisin për emrin “Gorna Makedonija” (Maqedonia e Epërme). (dw)

Greqi-Maqedoni: Grindje me pasoja

maqedonia grekeMosmarrëveshja për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë mund të ketë ndikim në stabilitetin e gjithë Evropës Juglindore, mendon Reinhard Veser.

Mosmarrëveshja për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë është më shumë se një shfaqje teatrale mes dy shteteve. Ajo mund të ketë ndikim në stabilitetin e gjithë Evropës Juglindore. Për shkak se Athina nuk dëshiron të lejojë që Maqedonia të ketë të njëjtin emër si një krahinë e Greqisë, ajo ka bllokuar prej vitesh çdo afrim të fqinjit të saj verior me BE-në dhe NATO-n. Kjo gjë ka çuar për vite të tëra në orientime autoritaro-nacionaliste në Maqedoni, të cilat pothuajse do ta kishin shpërbërë këtë vend. Pasojat për shtetet përreth do të ishin të paparashikueshme.

Mundësia e re për të arritur një zgjidhje për mosmarrëveshjet për emrin u bë e mundur prej një kthese demokratike në Maqedoni. Kjo do të jetë në rrezik nëse Athina, do t’i rikthehej për shkak të demonstratave masive nacionaliste, sërish qëndrimit kokëfortë. Jashtë Greqisë një gjë e tillë do të gëzojë dikë: Kremlinin, i cili dëshiron ta pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Moska po tregohet në këtë çështje po aq cinike dhe fleksibël sa gjithmonë. Deri tani ajo tregohej zemërmadhe kundrejt nacionalistëve maqedonas, tani ministri i Jashtëm Lavrov u rekomandon grekëve që të mos bëjnë asnjë kompromis. (dw)

Strategjia e re e BE për Ballkanin: Dera e hapur por kur hyhet brenda?

dera e hapurKomisioni Europian del me një strategji të re për Ballkanin që të nxisë procesin e reformave. Serbia e Mali i Zi për herë të parë dëgjojnë vitin 2025 si kohë të mundshme anëtarësimi. David MacAllister thekson kushtet.

Rruga e vendeve të Ballkanit drejt integrimit në Bashkimin Europian është ndërkohë një rrugë dhjetëravjeçare. Në vitin 2003 BE i premtoi Ballkanit perspektivën e integrimit në BE, por deri më tani vetëm Sllovenia është pranuar në vitin 2004 dhe Kroacia në vitin 2013. Të tjerët në Ballkan presin me zhgënjim, por zhgënjim ka edhe në BE, sepse nuk janë bërë reformat e kërkuara. BE kërkon rregullisht forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendet e Ballkanit dhe pret rezultate konkrete.

Por për t’i dhënë impulse të reja integrimit të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian bën të ditur më 6 shkurt në Strasburg, strategjinë e re të Ballkanit Perëndimor. KE bën fjalë për “shans historik për të lidhur të ardhmen fort e pakthyeshmëm me Bashkimi Europian”. Strategjia do të paraqitet nga komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, i cili për revistën gjermane, “Der Spiegel” tha se “dera jonë është e hapur, por për të kaluar duhet të sjellësh rezultatet e duhura.”

Strategjia që paraqitet të martën synon përshpejtimin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE. Në dokumentin e Komisionit Europian me titull “Një perspektivë e besueshme zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor theksohet se “një anëtarësim i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interesin politik, të sigurisë dhe interesin ekonomik të unionit”, por më parë duhen bërë reformat e nevojshme. Me këtë startim të ri perspektivës së besueshme të integrimit KE kërkon krijojë një “forcë nxitëse për transformim në rajon.” BE do të ofrojëa sistencën e saj për procesin e reformave. Në dokumentin e KE nënvizohet, se “BE do të përforcojë mbështetjen për procesin e transformimit”. Komisioni ka përpiluar një “plan aksioni” të detajuar e katërfaqësh.

Serbi – Mali i Zi anëtarësim në 2025-n?

Përfituesit kryesorë në dokumentin e strategjisë pritet të jenë Serbia dhe Mali i Zi. KE nënvizon se të dyja këto vende mund të anëtarësohen në BE që në vitin 2025, nëse bëhen reformat e duhura. Duhet theksuar se është hera e parë që KE përmend një afat konkret anëtarësimi për këto vende. “Me vullnet politik, jetësimin e reformave dhe zgjidhjet që presin të grindjeve me fqinjët, Mali i Zi dhe Serbia mund të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025″, shkruhet në dokumentin e strategjisë së Komisionit Europian.

Por viti 2025 nuk është afat i vendosur përfundimisht. Politikani gjerman, eurodeputet e kryetar i komisionit për politikën e jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister theksoi në një intervistë për medien gjermane “Funkemediengruppe”, se afati i 2025-s është i hapur si kohë dhe synon t’i japë dinamikë procesit. “Data konkrete e anëtarësimit të një vendi të ri anëtar varet nga koha se kur “ky vend do të përmbushë vërtet kriteret e forta ligjore, politike dhe ekonomike”, kanë thënë McAllister.

Në rastin e Kosovës Komisioni Europian kërkon shprehimisht në strategjinë e re një ” marrëveshje të gjerë normalizimi, të detyrueshme ligjërisht mes Serbisë dhe Kosovës”. KE përmend në strategjinë e saj se edhe vendet e tjera të Ballkanit duhet të zgjidhin grindjet me fqinjët para anëtarësimit. Ndërsa revista gjermane “der Spiegel” bazohet në të dhëna të Komisionit Europian, kur shkruan se KE pritet të japë rekomandim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. E kërkon të afrojë më shumë këto vende, edhe sepse Kina dhe Rusia kërkojnë të rrisin influencën e tyre, shkruan agjencia e lajmeve dpa.

la/dpa/Spiegel/afpd

Syzet e para në botë që filmojnë 360 gradë

Syze 360Ndërsa realiteti virtual po bëhet gjithnjë e më popullor, po shfaqen edhe lloje të ndryshme kamerash 360-gradëshe për konsumatorët. Më të veçantat janë një palë syze me kamera të instaluara në skeletin e tyre, që mundësojnë për herë të parë një filmim të tillë tredimensional.

Këto syze mund të ishin fare mirë pasardhës i Google Glass dhe GoPro.

“Janë syze me stil tërheqës dhe përmbajnë katër kamera, dy përpara dhe dy prapa”, thotë Adil Suranchin i kompanisë prodhuese, “Orbi”.

Rezultati është video tredimensionale me rezolucion 4K.

“Këto janë syzet e para në botë që filmojnë në 360 gradë”, thotë zoti Suranchin.

Syzet mundësojnë që pajmet të filmohen nga këndvështrimi i saktë i personit, ndërsa duart i ka të lira.

“I vendos syzet, shtyp një buton, dhe mund t’i thuash lamtumirë të gjitha paisjeve mbështetëse që duhen për kamerat e sotshme. Secila prej kamerave ka fushëpamje prej 180 gradësh, pra mund të filmoni gjithçka rrotull”, thotë zoti Suranchin.

Kompania ka menduar edhe për aspektet e privatësisë, për të cilat shumë njerëz shqetësohen.

“Kemi drita sinjalizuese LED, të cilat ndizen kur po regjistrohen pamje, kështu që të gjithë njerëzit rrotull të dinë që po filmohen”, thotë zoti Suranchin.

Videoja mund të shpërndahet menjëherë, dhe mund të ruhet në një kartë memorieje. Syzet i rezistojnë ujit, kanë xhama të polarizuar, mund të porositen për 399$, dhe kompania fillon shpërndarjen në muajin gusht. (voa)

Gjermani: Kërkohen me dëshpërim kujdestarë shëndetësorë

infermiereNë Gjermani po bëhet gjithnjë e më akut problemi i kujdesit shëndetësor për të moshuarit. Ende mund të mbushen boshllëqet me forca pune të ardhura nga jashtë. Por ekspertët paralajmërojnë për iluzionet.

Rreth 3,3 Milionë të moshuar kanë nevojë për përkujdes shëndetësor në Gjermani, sipas të dhënave provizore të Ministrisë së Shëndetësisë në Gjermani. Numri i tyre rritet, shoqëria plaket shpejt. Deri në vitin 2030 pritet të jenë më shumë se katër milionë. Por për ta mungojnë kujdestarët. Kështu sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Punës  në mars 2017 për 14.600 vende pune të hapura ka pasur vetëm 3.000 kujdestarë shëndetësorë të papunë. Në të ardhmen do të ketë edhe më shumë mungesa. Fondacioni Gjerman për Mbrojtjen e Pacientit llogarit se në 8 vitet e ardhshme do të mungojnë 200.000 forca pune të plota në sektorin e kujdesit shëndetësor. Deri në vitin 2030 kjo mungesë do rritet deri në 500.000 vetë.

Shumë pak të rinj duan të punojnë në këtë profesion, edhe kur punojnë, pas disa vitesh ata e braktisin atë. Kushtet e punës janë të vështira, vlerësimi për këtë lloj pune i vogël. „Shumë kujdestarë i kthejnë kurrizin kësaj pune, sepse kuptojnë se cekin aty kufijtë e tyre fizikë dhe shpirtërorë”, thotë Eugen Brysch nga Fondacioni për Mbrojtjen e Pacientit. Rol luan edhe pagesa jo e mirë. Sipas një studimi të publikuar në janar të Institutit për Tregun e Punës dhe Profesionet një kujdestar me orar të plotë në kujdesin shëndetësor të pleqve fiton 2621 Euro bruto, 16% më pak se mesatarja e profesioneve të tjera. Edhe më keq dalin ata që vazhdojnë shkollimin profesional, ata marrin 1870 Euro bruto.

Jo përqëndrim tek importimi i personelit

Studiesja e këtij sektori Cornelia Heinze foli në Deutschlandfunk të enjten e kaluar për një largim të forcave të kualifikuara të Gjermanisë drejt vendeve që i paguajnë më mirë kujdestarët e pleqve, si Austria, Zvicra, por edhe vendet skandinave. Ndërsa institucionet gjermane i kthejnë sytë nga kujdestarët që mund të marrin nga Europa Qendrore e Lindore, Ballkani apo edhe Filipinet.

Vlerësimet lidhur me këtë problematikë janë të ndryshme. Gernot Kiefer, kreu i Shoqatës së Sigurimeve Shëndetësore Shtetërore tha në janar për “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”, se ai shikon vërtet „potencial të përfitohen njerëzit me sfond migracioni”, por shton se „kush beson se sfida e mungesës së kujdestarëve në Gjermani do të zgjidhet me importimin e forcave të punës, ai është naiv.” Ndërsa Franz Wagner, presidenti i Këshillit Gjerman të Kujdesit Shëndetësor beson po ashtu se sistemi vetëm mund të lehtësohet pak me ardhjen e të huajve. Nga ana tjetër drejtuesit e azileve të pleqve thonë, se pa personal të huaj puna ngec.

Kreu socialdemokrat, Martin Schulz në fushatën zgjedhore kërkoi marrjen e kujdestarëve shëndetësore pa shumë burokracira. Pa forcat punëtore nga Lindja europiane, sistemi do të kishte pësuar kolaps, tha ai.

Gjuha – faktor i rëndësishëm

Tani koalicioni me bazë të gjerë – nëse vjen puna deri aty-  do të krijojë me një program të shpejtë 8000 vende të reja për kujdestarë shëndetësorë. Kjo është pak po të mendosh, se 13.5000 azile pleqsh nuk do të përfitonin as edhe një vend të plotë të ri pune. Georg Nüßlein, deputet kristiansocial thotë se madje edhe më këtë shifër të ulët do të jetë e vështirë të mbushen vendet e punës. „E dimë se do të jetë e vështirë të zëmë 8000 vendet e punës, sepse duhet që t’i kemi njëherë këta njerëz.” Për këtë koalicioni me bazë të gjerë do të bëjë diçka. „Me pagesa më të mira për punonjësit, reduktimin e stresit të punës dhe turneve do të ketë më shumë kërkesa për këto vende pune.”

Por pa forca nga jashtë ky problem nuk do të zgjidhet dot. Problemi qëndron tek njohuritë gjuhësore. Sidomos në mënyrën e komunikimit me të moshuarit, njerëz nganjëherë dementë, të vetmuar komunikimi është shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër edhe kualifikimet që sillen nga vendet e tjera nuk njihen në Gjermani, ose nuk mjaftojnë për punësimin. Deficitet e kualifikimit të kujdestarëve shëndetësore që vijnë nga jashtë përpiqet t’i nivelojë një projekt pilot në Dortmund. Në Shkollën Katolike të Profesioneve të Kujdestarisë Shëndetësore nga maji i vitit të kaluar zhvillohen kualifikime plotësuese për pjesëmarrësit nga BE dhe nga vendet jo anëtare. Edhe një kurs i gjermanishtes me fjalorin specifik të punës është pjesë e këtij kualifikimi. E veçanta e konceptit është kombinimi i shkollimit, integrimit dhe mbështetjes financiare. (dw)

Shqipëria shënon rritje, ndërsa Kosova rënie në indeksin e lirive ekonomike

Heritage FondationHeritage Foundation

Fondacioni Heritage publikoi raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike në botë, sipas të cilit 102 nga 180 vende të përfshira kanë shënuar përmirësim, ndërsa 75 kanë pësuar rënie.

Shqipëria ka 64.5 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike. Kjo e radhitë atë në vendin e 65-të.

Rezultati i saj i përgjithshëm është rritur për 0.1 pikë me përmirësimin dramatik të ‘shëndetit fiskal’, që kompenson rezultatet e ulta në efektivitetin gjyqësor dhe rënien në liritë e të bërit biznes.

Shqipëria radhitet e 32-ta në mesin e 44 vendeve të rajonit të Evropës, ndërsa rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren rajonale, por mbi mesataren botërore.

Në raport thuhet se kalimi i Shqipërisë në një sistem më të hapur dhe më fleksibël ekonomik është lehtësuar nga një dekadë e ristrukturimit thelbësor. Përparimi në rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë ishte i konsiderueshëm. Një regjim tregtar konkurrues i mbështetur nga një kuadër rregullator relativisht efikas, ka inkurajuar zhvillimin e një sektori sipërmarrës në rritje.

Më gjithë këtë përparim, duhen më shumë reforma, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, për të inkurajuar rritjen e lirisë ekonomike dhe për të siguruar zhvillim të vazhdueshëm e më të fuqishëm ekonomik.

Mbrojtja e të drejtave të pronës ende po rikthehet pas epokës së gjatë komuniste. Korrupsioni endemik, më i dukshëm në gjyqësor, kufizon seriozisht llogaridhënien e qeverisë. Gjyqësori i pavarur është subjekt i trysnisë politike, frikësimit dhe burimeve të kufizuara. Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por nuk mund të kualifikohet plotësisht pa zbatuar reformat gjyqësore të kërkuara nga BE-ja.

Raporti thekson mes tjerash se gjatë tri viteve të fundit, shpenzimet qeveritare kanë arritur në 30.1 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar (GDP) ndërsa borxhi publik është i barabartë me 71.5 për qind të GDP-së.

Vendi, thuhet në raport, mirëpret investimet e huaja, ndërsa sistemi financiar mbetet i zhvilluar relativisht mirë dhe i qëndrueshëm. Sektori bankar është i mbikëqyrur mirë, por përqindja e kredive problematike ka qenë në rritje.

Kosova ka 66.6 pikë duke u radhitur e 56-ta në botë në indeksin e lirive ekonomike. Rezultati i saj i përgjithshëm ka rënë për 1.3 pikë më një tatëpjetë të thellë në pikët për të drejtat e pronës, ndërsa ka shënuar përparim në politikat fiskale dhe liritë e të bërit biznes.

Kosova radhitet e 27-ta në mesin e 44 vendeve të rajonit të Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren rajonale dhe mbi mesataren botërore.

Kosova, thuhet në raport, është shteti më i ri në Evropë dhe një nga më të varfrit. Përkundër faktit që ka arritur të regjistrojë ritme pozitive të rritjes ekonomike, thuhet në raport, ekonomia karakterizohet nga një integrim shumë i kufizuar rajonal ose global ekonomik, nga paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, furnizimi i paqëndrueshëm me energji, nga një ekonomi e madhe joformale që vlerësohet se arrin 35 për qind të GDP-së dhe një sundim i dobët i ligjit. Zgjidhja e kërkesave të pronës mbi banesat, pronat bujqësore dhe atyre tregtare, mbetet një çështje serioze dhe e diskutueshme.

Raporti thekson se qeveria ka vazhduar të shënojë përparim në zgjidhjen e pretendimeve pronësore ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe pakicës serbe. Kushtetuta siguron një gjyqësor të pavarur, por drejtësia është e ngadalshme dhe nuk ka llogaridhënie të mjaftueshme për zyrtarët gjyqësorë, të cilët u nënshtrohen ndërhyrjeve politike. Korrupsioni endemik mbetet një problem serioz.

Në raport thuhet se gjatë tri viteve të fundit shpenzimet e qeverisë arritën 27.1 për qind të GDP-së, ndërsa borxhi publik është i barabartë me 20.6 për qind të këtij prodhimi.

Qeveria e Kosovës është e hapur për investime. Sistemi bankar i dominuar nga bankat e huaja mbetet i qëndrueshëm, ndërsa kreditë e këqija janë problem serioz, thuhet mes tjerash në raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike. (voa)