BE: Nuk ka integrim evropian pa normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Christian DanielssonPërfaqësues të Bashkimit Evropian vizituan sot Kosovën ku zhvilluan takime me zyrtarë të lartë shtetëror. Ata thanë se rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë e qartë por se asnjë shtet nuk mund të përparojë në këtë rrugë derisa të mos ketë pajtim të plotë, e posaçërisht në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, tha sot në Prishtinë se perspektiva e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e qartë por ajo duhet t’i përmbushë detyrat e veta në mënyrë që të ecë përpara në këtë rrugë.

Zoti Danielsson i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku tha se edhe strategjia e Bashkimit Evropian qartëson detyrat që mbesin për t’u përmbushur nga Kosova.

“Kjo ka të bëjë me çështjet siç janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik si edhe pajtimi. E poashtu më në fund është përcaktuar qartë se çka ne si Bashkim Evropian mund dhe do të bëjmë për ta përakrahur Kosovën në përpjekjet e saj”, tha zoti Danielson.

Drejtori Menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Thomas Mayr-Harting, tha se as Serbia dhe as Kosova në fakt nuk mund të ecin përpara në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian pa normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes tyre.

“Askush nuk mund të shënojë përparim në rrugën evropiane nëse nuk ka pajtim të plotë dhe në rastin specifik në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Strategjia e përcakton shumë qartë se Serbia nuk mund të ketë përparim nëse nuk ka zbatim të pakthyeshëm të një marrëveshjeje ligjore për normalizim të plotë dhe mendoj se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm”, tha zoti Harting.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrat në procesin integrues të Kosovës.

“Strategjia për Ballkanin Perendimor e ka lënë të hapur rrugën për Kosovën dhe e ka definuar këtë rrugë, por na mbetet shumë punë për të bërë”, u shpreh Hardinaj.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian folën edhe për çështjen e shënimit të vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, si një kusht kryesor për liberalizimin e vizave duke thënë se tashmë kjo çështje është në dorën e të dy shteteve përkatëse dhe se Bashkimi Evropian do të ishte i kënaqur me arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt.

Kosova shpalli pavarësinë dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj ndërsa është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën që i kanë mundësuar asaj negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon. (voa)

Norovirusi shkakton shqetësim në Pjong Çang

Pjong Cang 2018Organizatorët e Lojërave të Piong Çangut dhe organizata koreane e shëndetit publik kanë krijuar një grup pune për të penguar përhapjen e norovirusit. Mbi 100 vetë janë prekur nga ky virus që shkakton probleme të sistemit të tretjes. Organizatat e shëndetit thonë se po vënë në karantinë personat e infektuar, po dizinfektojnë zonën dhe po informojnë publikun mbi masat që duhet të marrin për të mos lejuar përhapjen e infeksionit.

Organizatorët e Olimpikeve dimërore kanë vënë në karantinë mbi një mijë punonjës pasi analizat treguan se ishin prekur nga norovirusi, një infeksion i sistemit të tretjes që shkakton shqetësime në stomak, të vjella dhe diarre.

“Norovirusi është një virus shumë ngjitës, mund të përhapet thjesht me prekje,” thotë Dr. Cynthia Sears.

Virusi mund të mbijetojë për ditë, madje edhe javë të tëra mbi një numër sipërfaqesh dhe mjafton një kontigjent i vogël për të infektuar dikë.

“Përhapet edhe nga të vjellat, pasi mikrobi mund të lëvizë në një farë mase përmes ajrit. Nga stërkalat e të vjellave njerëzit mund të marrin një kontigjent të mjaftueshëm që i infekton. Përhapet përmes jashtëqitjes, nëse ka ndotje të tillë,” thotë Dr. Sears.

Virusi përhapet me shpejtësi mes njerëzve, sidomos atyre në mjedise të mbyllura si në anije turistike apo në shtëpi pleqsh. Mund të përhapet në turma njerëzish.

Norovirusi mund të përhapet edhe përmes ushqimit apo ujit të ndotur, nëse personi që përgatit ushqimin apo sjell ujin është i infektuar.

Simptomat zgjasin vetëm pak ditë, më pas pacienti kalon një periudhë plogështie.

Mënyra për ta luftuar është higjena: larja me kujdes dhe shpesh e duarve; dizinfektimi i sipërfaqeve që mund të jenë infektuar sidomos në ambjente gatimi dhe banjo dhe duke mos prekur fytyrën me duar.

Nëse ndiqen këto masa, sportistët do të kenë mundësi ta përqëndrojnë vëmendjen tek garat olimpike. (voa)

Markoviç: Mali i Zi dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së kufirit me Kosovën

MarkovicKryeminitri i Malit të Zi Dushko Markoviç tha të mërkurën se vendi i tij dëshiron që si një fqinj dhe mik i mirë të ndihmojë Kosovën në zgjidhjen e çështjes së kufirit dhe të njejta të ratifikohet. Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë së bashku me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zoti Markoviç tha se çështja e shënimit të kufirit është diskutuar në takim pasi që sipas tij është e rëndësishme për të dyja vendet.

“Mali i Zi dëshiron që si një fqinj i mirë dhe si mik të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje për të arritur deri te një marrëveshje mbi kufirin shtetëror. Ne nuk duam që në këto momente dallimet e caktuara të krijohen problem dhe në pyetjet tona të hapura, kështu që ne kemi diskutuar për këtë çështje me qëllimin më të mirë si miq të vërtetë dhe në vazhdimin e dialogut që tashmë e kemi dhe do të jemi në gjendje ta forcojmë dhe të kërkojmë zgjidhjen më të mirë në mënyrë që të kemi një marrëveshje ratifikimi dhe në këtë mënyrë që Kosova të sigurojë një mundësi të madhe kur bëhet fjalë për integrimet evropaine”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehu besimin se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Ekziston një vullnet i mirë që të gjendet një dalje nga gjendja në të cilën jemi duke pasur parasysh zhvillimet e mëhershme dhe jam me shpresë që do të gjendet një dalje për këtë gjendje”, tha kryeministri Haradinaj.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike janë vënë në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Malin e Zi për të tejkaluar situatën në të cilën është futur Kosova. Autoritetet vendase po synojnë që nëpërmjet një marrëveshjeje të korrigjojnë siç thuhet gabimet e bëra nga ish Komisioni për Shënimin e kufirit.

Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.

Marrëveshja nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ndodhet në kryesi të parlamentit, në pritje të një pajtimi ndërmjet partive politike që janë thellësisht të ndara rreth kësaj çështjeje.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane. (voa)

Tiranë: Reporteri gjerman Frei kërkoi nga drejtësia shqiptare të kapë peshqit e mëdhenj të krimit

FreiRaportuesi për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe Europën në Bundestag-un gjerman deputeti Thorsten Frei vizitoi sot Shqipërinë.

Kjo vizitë ishte në vazhdën e monitorimit të gjendjes këtu në prag të rekomandimeve që Komisioni Europian pritet të japë për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Raportuesi Frei shprehu kritika para shtypit për një seri çështjesh që shqetësojnë opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar mbi përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga Komisioni Europian, në krye të të cilave është lufta kundër krimit të organizuar.

“Mungojnë proceset ndaj peshqit e mëdhenj të krimit dhe drogës. Europa kërkon prova të forta se Shqipëria po e lufton vërtet krimin dhe korrupsionin. Ende nuk po kapet ndonjë peshk i madh, për të treguar vendosmërinë e institucioneve në goditjen e krimit” – tha ai.

Reporteri Frei tha se Shqipëria ka përpara 5 detyra kryesore para se të fillojnë negociatat për antarësim.

Grupi parlamentar CDU-CSU duhet të marrë një vendim cfarë u bë me 5 pikat, por ne kemi shtuar dy pika të tjera: dekriminalizimi i politikës dhe reformën e qëndrueshme zgjedhore.

Sipas tij, pika më e rëndësishme është reforma në drejtësi dhe vettingu, por vend kryesor zë lufta ndaj krimit, kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike.

“Vërtet ka një rënie të kultivimit të bimëve narkotike, por trafikimi dhe shitja vazhdojnë të jenë problem i madh, si thotë policia italiane. Duhet vërejtur me kujdes nëse kjo rënie e kultivimit ka ardhur nga aksionet e policisë, apo thjesht se ka mbiprodhim nga vitet e mëparshme” – tha ai.

Reporteri gjerman Frei tha se “imuniteti i ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri duhej hequr në parlament pa shumë diskutime të mëdha”, dhe nuk ka arsye pse duhet të mbrohen disa persona nga politika, sepse para ligjit janë të gjithë të barabartë, dhe nuk merr vendime politika, por është çështje e organeve gjyqësore.

“Rast i ish-ministrit Tahiri – tha reporteri gjerman – ka vërtet me rëndësi për të parë se sa është gati Shqipëria të trajtojë tema të tilla me peshë nga politika, dhe si do të vazhdojë më tej në këtë rrugë”.

E rëndësishme që të rinjtë të mos largohen nga vendi dhe të shohin perspektivë në këtë vend, tha zoti Frei.

Vlerësimet e tij janë të rëndësishme sepse ndryshe nga shtetet e tjera antare të BE-së ku vendimin për hapje negociatash me antarë të rinj e marrin qeveritë, në Gjermani këtë vendim e merr parlamenti, i cili ngarkon deputetë të vet si raportues në këto raste.

Shqipëria duhet të ketë mundësi të tërheqë investime të huaja, të forcojë ekonominë, të ulë nivelin e papunësisë, të forcojë aftësitë konkurruese të ekonomisë, tha ai.

Duhet rritur përqindja që zë industria në ekonominë shqiptare, sepse të gjitha këto, tha zoti Frei, janë të rëndësishme për antarësim në BE.

“Politikanët duhet të diskutojnë për tema themelore dhe jo të merren për individë. Reforma zgjedhore është po ashtu një nga 5 pikat kyçe për fillimin e negociatave. Pranimi i zgjedhjeve duhet të jetë më i mirë. Reforma zgjedhore është në rekomandimet e OSBE. Vitin tjetër ka zgjedhje vendore dhe rekomandimet duhet të zbatohen shpejt, që të rritet besueshmëria e zgjedhjeve” – tha zoti Frei. (voa)

Pengesat e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë

WTO OMCKa më gjatë se 10 vjet që kur kanë filluar bisedimet dhe përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Por, ende nuk është kryer as procedura formale e aplikimit.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike për aplikim në këtë organizatë.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se dokumentacioni është i gatshëm, por ende nuk është vendosur së në çfarë modaliteti do të aplikohet.

Dilemat janë në mes të anëtarësimit të rregullt të Kosovës apo anëtarësimit si shtet vëzhgues për një periudhë fillimisht pesëvjeçare.

“Dokumenti i cili tashmë është i përgatitur, quhet ‘Memorandumi mbi Regjimin e Tregtisë së Jashtme’, dokument ky, i cili përfshinë më vete politikat tregtare dhe ekonomike të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i Organizatën Botërore të Tregtisë”, tha Dervisholli.

Kjo organizatë ndërkombëtare ka selinë në Gjenevë të Zvicrës. Funksioni i saj është nxitja dhe vënia në zbatim e ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami thotë se gjatë periudhës sa ka udhëhequr këtë ministri, ka pasur mbi dhjetë takime me përfaqësues të vendeve anëtare në OBT.

Ndërkaq, hezitimi për të aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë, sipas saj, ndërlidhet me faktin se pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, mund të kundërshtojnë këtë anëtarësim.

“Na është thënë se edhe nëse aplikoni pa pasur konsensus të plotë të shteteve anëtare, asnjëherë nuk vihet në rend dite. Kështu që, duhet të përgatitet mirë terreni”, tha Bajrami.

Ajo rikujton edhe rastet kur Kosova, përkundër aplikimit, nuk ka arritur të bëhet anëtare e organizatave e mekanizmave ndërkombëtarë, duke marrë si shembull UNESCO-n (Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim).

“Jemi këshilluar, sidomos nga Ambasada Amerikane në atë kohë, që duhet shumë të lobohet para se të aplikohet, në mënyrë që çështja të trajtohet. Dhe jo vetëm të vendosësh një aplikacion, i cili atje ndoshta do të mbulohej nga pluhuri”, tha Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Lobimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me partnerët ndërkombëtarë për aplikim në OBT, ka filluar më herët dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, thotë Sytrime Dervisholli.

Sidoqoftë, Dervisholli shpreson se gjatë këtij viti, Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë.

“E kemi parasysh edhe faktin që pastaj negociatat janë të gjata për anëtarësim në OBT dhe mund të marrin kohë disa vite. I kemi shembuj vendet e rajonit, ku procesi i negociatave ka ndodhur deri në 10 vite”, tha Dervisholli.

Organizata Botërore e Tregtisë ka filluar punën në vitin 1995. Nga shtetet e rajonit, në vitin 2012, Mali i Zi është bërë anëtar i plotë i kësaj organizate.

Kurse, Kazakistani në vitin 2015 është bërë anëtari i fundit i 162-të i Organizatës Botërore të Tregtisë, pas 20 vitesh sa ka zgjatur procesi i negociatave. (rel)

Vitet e shtetësisë në favor të importit

patateEdhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova, nuk arriti të fuqizojë sektorin e prodhimtarisë. Vendi vazhdon të importojë gati të gjitha produktet duke filluar nga ato të konsumit e deri te produktet strategjike.

Struktura e importit në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Doganave të Kosovë, ka një llojshmëri të madhe, por, kryesisht në aspektin e të hyrave dhe vlerës prijnë nafta dhe derivatet e saj, duhani, automjetet, industria e ushqimit dhe tekstilit, e të tjera.

Kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro.

Importuesi më i madh në Kosovë mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet.

Megjithatë, janë disa produktet të importuara që sipas të dhënave të Doganave të Kosovës gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare nuk importohen në masë çfarë kanë qenë më parë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për Radion Evropa e Lirë se disa produkte janë zëvendësuar me produktet vendore, pasi që importi i atyre produkteve ka shënuar rënie nëpër vite.

“Në bazë të statistikave ka një progres. Nëse kthemi në vitin 2006 apo 2007, importi i ujit të ambalazhuar ka qenë një nga importet më të mëdha deri në 50 milionë litra brenda vitit, derisa 10 vite më vonë ky import është vetëm deri në 8 milionë litra brenda një viti, pra kemi një zëvendësim të atij produkti”.

“Po ashtu, edhe importi i lëngjeve ka pasur import me miliona litra, derisa tani kemi një pjesë të madhe të importit që është zëvendësuar. Viteve të fundit kemi parë një ulje të importit të perimeve, që ka një indikator që kemi rritje të produkteve bujqësore”, thotë Stavileci.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë dhe ekspert të fushës thonë se përgjatë këtyre 10 viteve janë një varg faktorësh që kontribuuan në moszhvillimin e duhur të këtij sektori.

Eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se sektorit i prodhimtarisë është duke i bartur pasojat e një privatizimi jo të duhur që ishte bërë ndërmarrjeve shoqërore.

“Një shkaktar kryesor i ngecjes së sektorit të prodhimit është privatizimi i korruptuar që ka ndodhur në Kosovë, ku asetet kryesore publike kanë kaluar në duart të politikës ose njerëzve të afërt të tyre dhe ata nuk kanë pasur aftësi dhe as qëllim që të rikonsolidojnë fabrikat dhe kapacitet prodhuese të cilat i ka pasur Kosovë. Për pasojë, fabrikat kryesore të Kosovës janë shndërruar në ndërtesa banimi, i është ndërruar destinimi dhe kishim një shkatërrim të trashëgimisë prodhuese që kishim në Kosovë”, thotë Gashi.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se është bërë shumë pak gjatë këtyre 10 viteve në aspektin e politikave fiskale.

Bilanci negativ tregtar më të cilin përballet vendi, sipas Zekës, është reflektim i 100 për qind i politikave të gabuara fiskale që janë aplikuar nga institucionet e vendit gjatë këtyre 10 viteve.

“Diku në vitin 2010 në Kosovë ndryshon legjislacioni tatimor dhe nuk preket asgjë për sa i përket lehtësirave për prodhueseve. Ne vitin 2013 nxirret një ligj për mallrat e liruara nga detyrimet doganore, që liron një pjesë shumë të kufizuar të lëndës së parë, kjo është bërë mënyrë selektive për t’i sjell përftime vetëm një grupi të bizneseve. Në vitin 2014, Qeveria vendos që të lirojë nga detyrimet doganore një pjesë të makinerive dhe në të njëjtën kohë nxjerr një vendim ekzekutiv për pushime tatimor një vendim ky i cili nuk zbatohet kurrë”.

“Pastaj në shtator të viti 2015 ndryshon sërish legjislacioni tatimor dhe aty prezantohen pushimet tatimore ku asgjë nuk ndodh deri në qershor të viti 2017, atëherë kur Qeveria në largim aprovon e ashtuquajturën 2.0, e cila sërish nuk zbatohet nga Qeveria e re dhe tani në vitin 2018 kemi masa të reja fiskale të cilat po zbatohen në mënyrë gjysmake dhe si të tilla lënë hapësirë që pas 2 viteve të merren vendime tjera”, sqaron Zeka.

Por, pavarësisht të gjitha vështirësive, disa kompani prodhuese të Kosovës kanë bërë hapa pozitiv dhe kanë arritur që disa produkte që janë importuar t’i zëvendësojnë me produkte vendore.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Pronari i saj Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se me një përkrahje më të fuqishme shtetërore, bizneset prodhuese do të ishin më të suksesshme dhe do të kontribuonin më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ashtu siç ka mundur të bëhet më tepër në të gjitha segmentet e shoqërisë në Kosovë, edhe në sektorin e prodhimit ka mundur të bëhet shumë më shumë. Mospërkrahja më e madhe e Qeverisë na ka dëmtuar, megjithatë sot qëndrojmë shumë më mirë se para 10 viteve”, thotë Palushi. (rel)

Ruzhin: Marrëveshja është afër, Greqia kërkon një garantues

Nano-RuzhinProfesori Nano Ruzhin konsideron se me deklaratat e kryeministrit grek, Tsipras, për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, kuptohet se zgjidhja e çështjes së emrit është shumë afër, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, kjo nënkupton se pas arritjes së marrëveshjes, kërkohet garantuesi i saj, që në këtë rast duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë, e cila kërkon dy të tretën e votave në Kuvend, shumicë që vështirë se do të arrihet.

Ai shton se megjithatë, edhe ky ndryshim nuk është i sigurtë, pasi që mund të vijë një parti tjetër dhe ta rikthejë emrin e vjetër. Kjo frikë, sipas Ruzhin vjen në aspektin e Gjykatës Kushtetuese e cila mund ta rrëzojë një marrëveshje ndërkombëtare, siç ishte rasti me Shqipërinë, kur marrëveshja e detit me Greqinë u rrëzua./Telegrafi/

Optimizëm se çështja e emrit zgjidhet brenda tre muajve

protesta shkup emriBisedimet mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit për emrin e Maqedonisë janë intensifikuar si asnjëherë më parë, me takime të nivelit të lartë.

Takimi i sotëm mes ministrave të Punëve të Jashtme të të dy vendeve me ndërmjetësin, Matthew Nimetz në Vjenë të Austrisë, pritet të hyjë në thelbin e kontestit pas gatishmërisë së Qeverisë së Maqedonisë për pranimin e një emri me përcaktim gjeografik si: Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Vardarit apo Maqedonia (Shkupi). Një takim mes dy ministrave është mbajtur edhe mbrëmë po në Vjenë, por detaje nuk janë dhënë nga asnjëra palë.

Takimet pritet të shtrihen edhe në nivelin e kryeministrave, por detaje për kohën dhe vendin e takimit ende nuk janë kumtuar. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka shprehur bindjen se deri nga fundi i muajit maj mund të ketë një zgjidhje të mundshme, por edhe ai nuk ka saktësuar detaje. Zaev ka theksuar se Qeveria mbetet në qëndrimin se zgjidhja nuk duhet të përfshijë edhe ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja, Radmilla Sheqerinska thotë se bazuar në qëndrimet e deritanishme edhe të zyrtarëve perëndimorë, anëtarësimi i vendit në institucionet euroatlantike nuk është i lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, por me kritere tjera që po ashtu janë edhe në interes të qytetarëve të vendit.

“Absolutisht vlerësoj se shkelja e ligjeve apo e Kushtetutës nuk duhet të jetë pjesë e obligimeve që duhet të përmbushë Maqedonia, pasi një ndër kushtet kryesor është sundimi i së drejtës. Kjo është theksuar edhe nga vetë Aleanca e Atlantikut të Veriut në samitin e fundit, kur riafirmoi qëndrimin për të pranuar Maqedoninë në mesin e saj. Pra, përveç kontestit me Greqinë si kritere që shihet si me prioritet janë sundimi i ligjit, zgjedhjet e besueshme, media të pavarur dhe rritje e transparencës dhe e përgjegjësisë së institucioneve. Këto kritere kërkohen edhe nga qytetarët tanë kështu që jo rastësisht NATO dhe BE shihet nga ana e tyre si aleatët më të fuqishëm të vendit”, thotë Sheqerinska.

Në deklaratat e zyrtarëve grekë që transmetojnë mediat në Maqedoni, bëhet e qartë se Athina do të insistojë me çdo kusht që zgjidhja të përfshijë edhe ndryshimin e Kushtetutës. Me këtë pala greke kërkon që përveç emrit të ndryshojë edhe identiteti dhe gjuha.

Opozita në Maqedoni ka akuzuar ndërkohë institucionet për mungesë të transparencës, duke shprehur dyshimet se Qeveria po negocion edhe ndryshime tjera, përveç emrit.

“Jemi dëshmitar të pazareve të turpshme me interesat më të larta shtetërore. Maqedonia dhe populli maqedon nuk kanë merituar një sjellje të këtillë nga Zoran Zaev dhe garnitura qeveritare. Qytetarët janë të shqetësuar dhe presin që Qeveria t’i mbrojë interesat kombëtare”, ka deklaruar Igor Janjushev nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Dallime në qëndrime ka edhe mes partive shqiptare. Opozita, por edhe forumi i intelektualëve shqiptarë kanë reaguar lidhur me mospërfshirjen e shqiptarëve në negociata, ndërsa thonë se do të kundërshtojnë çdo zgjidhje e cila nuk pasqyron realitetin demografik në Maqedoni.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se shqiptarët janë pjesë e procesit dhe se sipas saj me rëndësi për momentin është që të ketë zgjidhje e cila do të zhbllokonte procesin eurointegrues. (rel)

Tiranë: Nisin polemikat për reformën zgjedhore

KSATakimi i 12-të i Këshillit të Stabilzim Asociimit u zhvillua sot në mjediset e parlamentit në Tiranë për të diskutuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it mbi proceset zgjedhore.

Përfaqësuesja e Parlamentit Europian, Monica Macovei, tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të nevojshme dhe duhen kryer para zgjedhjeve.

Sipas saj, zgjedhjet e kaluara nuk ishin më të këqijat por ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të rëndësishme.

“Bashkëpunimi duhet të vijë nga të gjithë dhe keni përpara disa rekomandime që duhet t’i përmbushni. Pavarëisht se kush është në maxhorancë apo në opozitë, që t’i shërbeni vendit duhet të kuptoni që korrupsioni çon në varfëri” – tha zonja Macovei.

Bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, deputeti i Partisë Demokratike të opozitës, Oerd Bylykbashi tha se problemi kryesor i Shqipërisë sot është shitblerja e votave.

“Burimi kryesor për blerjen e votave janë paratë që vijnë nga droga dhe korrupsioni qeveritar. Raporti i OSBE/ ODIHR përmendi 13 herë dukurinë e blerjes së votave. Një studim i BE-së zbuloi se 20 për qind e të anketuarve shqiptarë iu ofruan para dhe mallra në këmbim të votës” – tha zoti Bylykbashi.

Megjithatë, ai theksoi se mirëkuptimi për reformën është jetik për suksesin e saj.

Përfaqësues të Partisë Socialiste pohuan në takim se zgjedhjet e fundit ishin më të mirat në 27 vite, ndonëse nuk ishin pefekte.

Deputeti socialist Eduard Shalsi tha se zgjedhjet ishin më të çliruara nga pesha e traditës negative të zgjedhjeve.

“SHBA dhe BE meritojnë mirënjohje për marrëveshjen e 18 majit dhe për qeverinë teknike. Falë asaj marrëveshje, patëm zgjedhjet më të qeta dhe më të patrazuara se kurrë më parë, qoftë nga retorika, qoftë nga ndikimi I partive” – tha zoti Shalsi.

Ai theksoi se janë të gjitha mundësitë për të përmirësuar proceset zgjedhore dhe për këtë janë gati detrat dhe rekomandimet e OSBE-së. (voa)

Ambasadori Lu komenton për tërheqjen e ish Kryeprokurorit

LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu komentoi sot kërkesën e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të mos qenë më pjesë e sistemit të Drejtësisë. Duke folur për televizionin “News 24”, ambasadori amerikan u shpreh se “vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”.

Fundjavën e shkuar zoti Llalla njoftoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë shqiptare. Ligji parashikon që pas përfundimit të detyrës, Prokurori i Përgjithshëm mund të emërohet gjykatës i Apelit. Këtë njoftim zoti Llalla ia ka nisur për dijeni dhe organeve të ngarkuara me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur edhe me termin Vetting. Ish Prokurori i përgjithshëm është në listën e drejtuesve të Lartë të sistemit të Drejtësisë emrat e të cilëve po i nënshtrohen këtij procesi.

Tërheqja për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë duket se mund t’i japë atij mundësinë që verifikimet ndaj të ndërpriten, ndonëse ky rast mund të hapë polemika mbi interpretimin e ligjit, i cili parashikon që “subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji… Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit”. Por ky nen u analizua nga Gjykata Kushtetuese, kur vitin e kaluar dy shoqatat e gjyqtarëve që veprojnë në Shqipëri, ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndër të tjera dhe shprehjen “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Në vendimin e saj të dhjetorit të kaluar, Gjykata nuk e ka marrë parasysh kërkesën për shfuqizim, duke e quajtur nenin plotësisht kushtetues, por në interpretimin e saj Gjykata thekson se “për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”. Në një rast të tillë sipas Gjykatës Kushtetuese zbatohen parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës sipas së cilit “subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Sipas ambasadorit amerikan “tërheqja nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori Lu.

Gjatë vitit të fundit të tij në detyrë, zoti Llalla pati përplasje të forta publike me ambasadën amerikane. Atij ju refuzua viza për në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ambasadori amerikan e akuzoi hapur se prej kohësh ishte angazhuar kundër Reformës në Drejtësi, ndërsa për largimin e tij nga detyra ambasada amerikane u shpreh se “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.

Zoti Llalla u largua nga detyra dy muaj më parë në përfundim të mandatit, ndërsa zëvendësimi i tij me një drejtues të përkohshëm, zonjën Arta Marku u shoqërua me polemika të forta dhe kundërshtime nga ana e opozitës, sipas së cilës qeveria po vendoste kontrollin mbi Prokurorinë. (voa)