Irak: 88 miliardë dollarë për rindërtimin

irakMilicia terroriste “Shteti Islamik” kontrollonte në Irak në kulmin e tij rreth një të tretën e territorit të shtetit. IS u shpall në dhjetor i mundur, por në Mosul dhe në vende të tjera çmimi ishte shkatërrimi i plotë.

Një gjysmë viti ka kaluar që kur Mosuli, kryeqyteti i provincës Ninive u çlirua nga duart e Shtetit Islamik (IS). Për muaj të tëra lufta nuk pushoi, luftohej në çdo rrugë. Numri i të vrarëve ndërkohë llogaritet në 10.000 vetë. Pjesa historike e qytetit, në Bregun Perëndimor të Tigrit, ndodhet në gërmadha. Megjithatë: nga dikur 200.000 vetët, ndërkohë këtu jetojnë tani rreth pesë mijë vetë. Kudo ende ka kurthe me lëndë shpërthyese, ende në lagje ndihet kutërbimi tipik i kufomave. Me eskavatorë dhe me duar, nëpunësit e qytetit kërkojnë kufoma, çdo ditë nxirren kufoma të tjera. Drejtuesi i ekipit, Duraid Mohammed:

“Administrata e qytetit ka ngritur një komitet, që duhet të nxjerrë kufomat e militantëve të IS, të cilat ndodhen kudo në qytet – në mënyrë që të pengojmë sëmundjet dhe epidemitë dhe të shpëtojmë nga kutërbimi – dhe në mënyrë që të ndihmojmë familjet që të kthehen – që jeta të bëhet si më parë.”

Por mungon uji i pishëm dhe energjia elektrike. Në të gjithë provincën Ninive nuk punon as një ndër dhjetë klinika mjekësh. Një mjek asistent thotë se “Në Lindje të qytetit gjendja nuk është kaq e keqe. Por në Perëndim janë shkatërruar të gjitha klinikat. Na duhen medikamente, gjithçka. Kur i pyesim punonjësit se pse nuk vijnë në punë, na thonë se nuk mund të punojnë pa rrogë – nuk mund të paguajnë as përpareset e mjekut”.

irakianRindërtimi i vendit kushton më shumë se buxheti i Irakut

Nga 19 provinca nën sundimin e IS, shtatë u dëmtuan rëndë. Sot Kalifati islamik është shkatërruar, por në shumë vende me çmimin e shkatërrimit të plotë të zonës. Sipas një raporti të Bankës Botërore, të hartuar së fundi me porosi të qeverisë irakiane, rindërtimi i vendit kushton në plan afatshkurtër dhe afatmesëm 88 miliardë dollarë – kjo shumë është më e madhe se i gjithë buxheti i shtetit për këtë vit. Prandaj edhe Iraku i pasur me naftë duhet të kërkojë tani ndihmë. Dhannoon Qader, një fshirës rrugësh nga Mosuli Perëndimor ka pak shpresë se paratë e donatorëve ndërkombëtarë do të mbërrijnë aty ku duhet të mbërrijnë.

“Nuk duam që ata të marrin nga çdo projekt një pjesë të parave. Por më e rëndësishmja është që të rihapen shkollat. Aktualisht në shkollë nuk shkon asnjë fëmijë – sepse të vetmet shkolla të hapura janë në pjesën tjetër të qytetit”.

Shumë irakianë e konsiderojnë të korruptuar qeverinë. Prandaj rrjetet ndërkombëtare të vendeve donatore janë shumë të vëmendshme që paratë të mos zhduken në kanale të errëta. 3,2 milionë irakianë kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa 2,6 milionë të tjerë vazhdojnë të jenë në arrati. Por për të dyja grupet, gjendja e furnizimit është në pjesën më të madhe problematike. (dw)

Vuçiq në Zagreb: “Nuk jam çetnik”

Vucic KolindaPresidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po zhvillon një vizitë dy ditore në Kroaci. Ai dërgoi mesazhe paqe, por rezervat janë tepër të mëdha.

Në prag të vizitës së Vuçiqit në Zagreb ka pasur mosmarrëveshje shumë të mëdha mes Serbisë dhe Kroacisë. Është folur për snajperistë dhe forca të mëdha sigurie gjatë kësaj vizite, mundësinë e protestave të mëdha dhe incidenteve apo ofendimeve. Shumë media komentonin këtë atmosferë të nxehtë, sikur lufta të kishte përfunduar dje. Raportet mes Kroacisë dhe Serbisë janë ftohur dukshëm pas largimit nga pushteti të ish-presidentëve Ivo Josipoviq dhe Boris Tadiq.

Para gazetarëve presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq tha se Vuçiqin e ka ftuar në Kroaci për të ndërprerë shkallëzimin e konfliktit retorik mes dy shteteve, që ka shkallëzuar kohët e fundit për shkak të një ekspozite për llogorin e ushtashëve në Jasenovac, të cilën e ka organizuar misioni i Serbisë në OKB.

„Për shumë çështje nuk jemi dakord, por në disa vende kemi afruar mendimet, e në disa të tjera do të vazhdojmë bisedimet. Kemi rënë dakord se do të vazhdojmë bisedimet. Kemi rënë dakord që sa më parë të zgjidhin çështjen e të zhdukurve. Zoti Vuçiq dhe unë do të bisedojmë me shoqatat e të pagjeturve“, tha Grabar-Kitaroviq, e cila e quajti si temë me prioritet fatin egati 2000 serbëve dhe kroatëve, të cilët ende llogariten si të zhdukur.

protesta anti vucicProblemi me kufirin

„Qëndrime të ndryshme kemi edhe sa i përket kufirit. Kroacia mendon se problemi duhet të zgjidhet mbi bazën e librave kadastrale, ndërsa Serbia mendon se çështjet kontestuese duhet të zgjidhen mbi bazën e ligjeve. Do të përpiqemi që këtë problem ta zgjidhim me bisedime bilaterale. Nëse nuk është e mundur, do të shkojmë në arbitrazh”, theksoi Aleksandar Vuçiq. Palët presin që ky problem të zgjidhet në kuadër të negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse Brukseli nuk dëshiron që sërish të ketë probleme të ngjashme, si ato mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

Vizita e Vuçiqit në Zagreb dhe takimet me Grabar-Kitaroviq si dhe kryeministrin Andrej Plenkoviq kanë treguar se Kroacia dhe Serbia kanë dallime të mëdha në politikën e jashtme. Plenkoviq ka paralajmëruar se pala kroate duhet të hapë edhe çështjen e dëmshpërblimit për dëmet e bëra gjatë luftës. Vuçiq në prag të takimit ka deklaruar se do të ishte më mirë sikur pala kroate të mos hapte këtë temë. Takimi Vuçiq-Plenkoviq është majtur pas dyerve të mbyllura, ndaj nuk dihet se çfarë është biseduar. Vuçiq tha se në takim është përmendur edhe kjo temë, por nuk dha detaje.

Demonstruesit kërkojnë që Vuçiq të kërkojë falje

Mbetet të shihet nëse procesi i filluar i bisedimeve do të vazhdojë me tone pozitive, sepse shumë demonstrues në Zagreb kanë kërkuar që Vuçiqi të kërkojë falje për krimet e bërë serbe në Kroaci si dhe për deklaratat e tij gjatë viteve 90-të. Në vitin 1995 ai u kishte premtuar serbëve në Glinë se ata kurrë nuk do të jenë pjesë e Kroacisë. Të gjithë mendojnë se Vuçiq duhet të kërkojë falje, por këtë nuk e pret gati askush. Megjithatë në Zagreb nuk ka pasur ndonjë protestë tepër të madhe gjatë kësaj vizite.

„Nuk jam çetnik”

„Të gjtihëve në Kroaci dua t’u them se unë nuk jam çetnik dhe askush nga familja ime nuk ka qenë. Protestat janë normale në shtetet demokratike, por kjo nuk më ka shqetësuar shumë”, theksoi Vuçiq. Presidenti i Serbisë ka sjellë me vete në Zagreb dokumentacionin për zhvillimet në vendin Dvor na Uni, të cilat gjatë luftës ishin transportuar në Serbi. Ai thotë se ka sjellë të dhënat edhe për tre persona të zhdukur gjatë luftës, ndërkohë që nuk dihet fati i 1.945 personave.

Analistët në reagimet e para thonë se vizita nuk ka shënuar asnjë befasi dhe nuk i ka plotësuar pritjet, ndonëse askush nuk ka pritur ndonjë rezultat epokal. (dw)

Shqipëria, marrëveshje me FRONTEX-in për kufijtë

frontexShqipëria nënshkroi sot një marrëveshje më Agjencinë europiane të Rojes bregdetare e kufitare, FRONTEX-it për një administrim më të mirë të kufijve. Marrëveshja u firmos nga ministri I Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Komisioneri europian për Migrimin dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos, Kjo është e para e këtij lloji që Frontex arrin me një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Palët nënshkruan dhe një marrëveshje për luftën kundër drogave, e cila do t’I lejojë Shqipërisë të përfitojë nga fondet europiane për këtë fushë

Shqipëria mbylli me shpejtësi bisedimet që çuan në firmosjen sot të marrëveshjes, e cila do të lejojë ndër të tjera ardhjen në territorin e saj të ekipeve të FRONTEX-it, Agjencisë europiane që ka përgjegjësinë e sigurimit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Për Komisionerin europian Dimitris Avramopoulos “kjo marrëveshje do të sigurojë një menaxhim më të mirë të migracionit të parregullt në interes të përbashkët, si të Bashkimit Europian ashtu edhe të Shqipërisë. Kjo është marrëveshja e parë e cila është një model, dhe ne shpresojmë që të përmbyllim së shpejti marrëveshje të ngjashme të cilat aktualisht janë duke u negociuar me Serbinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe me partnerë të tjerë kyç në të ardhmen”.

Në 2016 rajoni i Ballkanit u kthye në rrugën kryesore të kalimit të emigrantëve që largoheshin nga zonat e luftës, kryesisht nga Iraku e Siria, duke bërë që çështja e sigurisë së kufijve të Bashkimit europian të vihej në qendër të vëmendjes.

Edhe për ministrin e Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj, marrëveshja e arritur është shumë të rëndësishme: “Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë se do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve”.

Palët firmosën gjithashtu dhe një memorandum mirëkuptimi për luftën kundër drogave e cila do t’i japë mundësi Shqipërisë “të ketë qasje në fonde për nisma në fushën e politikave kundër drogës. Kam kënaqësinë të them që tashmë do të kemi mundësinë që të mbështesim ato iniciativa që janë të rëndësishme për luftën tonë të përbashkët kundër drogës. Ashtu si terrorizmi dhe krimi i organizuar rrjetet e drogës nuk njohin kufij. Këto çështje mund të adresohen vetëm duke punuar sëbashku në një mënyrë të koordinuar”, u shpreh komisioneri europian.

Ministri Xhafaj deklaroi se Shqipëria është e angazhuar për luftën ndaj këtyre fenomeneve. Ndërsa vitin e kaluar, pas përhapjes së gjerë të kultivimit të marijuanës, sipërfaqet e mbjella u reduktuan në mënyrë drastike, zoti Xhafaj theksoi se “rikonfirmova vendosmërinë tonë se po bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar përfundimisht që Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të treguar vendosmëri dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit”, rezultatet e para të të cilit janë inkurajuese”. Zoti Xhafaj tha se e kishte njohur Komisionerin europian dhe me procesin e rivlerësimit që pritet të nis së shpejti në radhët e policisë.

Zoti Avramopoulos vlerësoi hapat përpara që ka bërë Shqipëria duke deklaruar se nën dritën e strategjisë së re të Zgjerimit të prezantuar nga KOmisioni europian javën e shkuar, vendi ka tashmë një dritare e mundësi historike për ta lidhur fort të ardhmen e saj me BE-në, u shpreh ai.

Maqedoni: rihapet procesi gjyqësor për rastin “Mostra”

MonstraAutoritetet gjyqësore në Maqedoni rihapën të hënën rastin e quajtur “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e katër djemve të rinj maqedonas dhe një peshkatari në rrethinat e Shkupit në vitin 2012.

Për këtë vepër fillimisht ishin akuzuar tetë persona, gjashtë nga të cilët qenë dënuar me burg të përjetshëm. Vepra qe cilësuar si akt terrorist, por para pak muajsh lënda u ritkhye në shkallën e parë me vendim të Gjykatës së Apelit, me kërkesë të prokurorisë publike dhe të dënuarit u liruan nga burgu për t’u mbrojtur në liri.

Megjithatë, dy prej te akuzuarve, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviç i qenë shmangur drejtësisë, duke u arratisur në Kosovë, sipas të dhënave të autoriteteve maqedonase. Ata dy vazhdojnë të jenë të pakapshëm për organet maqedonase.

Rigjykimi i filluar në gjykatën themelore në Shkup me akuzën e vjetër, megjithatë u shtye për në muajin mars. Prokuror i ri i lëndës do të jetë Naum Panovski, i cili njihet si prokuror në rastin e Kumanovës.

Ndërkaq, pala mbrojtëse kërkon ndërrimin e këtij prokurori dhe lënien e rastit Prokurorisë së Posaçme. Njëri nga familjarët e të akuzurave, Bedri Hajdari u tha gazetarëve se shpreson që deri në seancën e radhës organi i akuzës ta tërheqë këtë aktakuzë dhe akuzën ta përfaqësojë Prokuroria e Posaçme, e cila, sipas tij, për disa muaj po merret me përgatitjen e akuzës.

Ndërkaq, Prokuroria e posaçme pret që së pari të miratohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve. Avokatët mbrojtës kërkojnë njoftime nga oragnet e rendit dhe hetuesia mbi veturën e dyshimtë të tipit Opel Omega, për çka fillimisht ishte thënë se ishte përdorur nga të akuzuarit për kryerjen e veprës. Po ashtu ka pasur spekulime se makin i përkiste policisë.

Ngjarja pati shkaktuar shqetësime dhe trazira; Organet e rendit të kohës patën deklaruar se rasti ishte kryer nga terroristë që kishin luftuar në betejat e Lindjes së Mesme, por asnjëherë nuk ishin ofruar dëshmi bindëse për përfshirjen e të akuzuarve, ndërsa qindra shqiptarë qenë hedhur në protesta të dhunshme para gjykatës në Shkup duke e quajtur këtë një rast të montuar kundër njerëzve të pafajshëm. Madje, edhe ish-drejtuesi i opozitës, tash kryeministër, Zoran Zaev pat thënë në një rast se në bazë të bisedave të përgjuara telefonike, persona të pafajshëm po mbaheshin në burg, por pa dhënë hollësi të tjera nëse përgjimet ofronin të dhëna mbi autorët e vërtetë të tragjedisë.

Për vrasjen e pesëfishtë pranë liqenit të Smillkovës qenë dënuar
Halil Demiri, Haki Aziri, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviç dhe Agim Ismajloviç me burg të përjetshëm. (voa)

Krijimi i koraleve që u rezistojnë ndryshimeve klimatike

koraletShkëmbinjtë koralorë janë baza e ekosistemit që mbështet gati një të katërtën e të gjitha specieve detare, por për shkak të ndryshimeve klimatike, gjysma e koraleve të botës janë zhdukur në 50 vitet e fundit. Duke marrë parasysh se ky problem ende po vazhdon, shkencëtarët po kërkojnë mënyra për të krijuar korale më të mira që mund t’u rezistojnë temperaturave në rritje.

Duke notuar mes këtyre sistemeve shkëmbore, këta shkencëtarë skocezë zbuluan se cili mund të jetë çelësi për shpëtimin e shkëmbinjve koralorë të botës.

Është kjo pjesë e vogël e koraleve, e quajtur korallith që është unik sepse nuk qëndron në të njëjtin vend.

“Një larvë e koraleve vendoset në një guralec të vogël ose në një copë nga rrënojat e koraleve të vdekura. Pastaj ajo mbështillet nga një kore dhe rritet deri në këtë pikë kur shndërrohet në një koral të lëvizshëm. Si ky këtu, ai do ketë inde dhe skelet, dhe mund të lëvizet nga valët dhe të rrokulliset. Madje edhe kur peshqit vijnë për tu ushqyer karali do të lëvizë”, thotë Sebastian Hennige nga Universiteti i Edinburgut.

Dhe për shkak të kësaj lëvizjeje, korallithet mund të ndihmojnë në zgjerimin e zonës së koraleve.

“… ata rrotullohen dhe bëhen gjithnjë e më të mëdhenj. Dhe në një moment ata bëhen aq të mëdhenj sa nuk mund të jenë të lëvizshëm, pra ata nuk mund të lëvizen nga valët dhe do të jenë të qëndrueshëm. Në këtë pikë, një pjesë e korallithit mund të vdesë dhe pastaj kjo pjesë e zhveshur e shkëmbit bëhet e përshtatshme për zbarkimin e specieve të tjera të cilat mund të rriten aty”.

Por korallithet janë gjithashtu të rëndësishëm sepse ata janë të fortë dhe mund të jenë në gjendje t’u rezistojnë temperaturave në rritje dhe acidifikimit që po vret shkëmbinjtë koralorë të botës me një ritëm kaq të shpejtë.

“Ata mund të mos jenë aq të bukur, por janë tepër rezistentë ndaj ndryshimeve të mjedisit dhe temperaturës”, thotë Hiedi Burdett nga Universiteti Heriot-Watt.

Dëshmi e rezistencës janë fosilet e tyre.

“Këto koralithe kanë ekzistuar për shumë vite, dhe ato i gjejmë në të gjithë të dhënat e fosileve, sepse ata janë aq elastikë sa që u kanë rezistuar ndryshimeve mjedisore dhe u kanë mbijetuar proceseve të zbardhjes dhe ngjarjeve katastrofike”.

Por nuk është e qartë nëse edhe korallithet mund t’i bëjnë ballë shpejtësisë së ndryshimit që vjen nga ngrohja globale.

“Por tani, gjithçka po ndodh shumë më shpejt, pra rritja e temperaturës së oqeaneve dhe acidifikimi i tyre po ndodh me një ritëm shumë më të shpejtë se më parë”.

Studiuesit tani po punojnë për të parë se si reagojnë koralithet ndaj proceseve si zbardhja e koraleve. (voa)

Zëvendëskancelari austriak frenohet për Kosovën

zevendeskancelari austriakZëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache ndezi debat me deklaratën e cituar se “Kosova është pa dyshim pjesë e Serbisë”. Por zëdhënësi i tij e hodhi poshtë citimin.

Të hënën (12.02) zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache pritet në Beograd për bisedime. Por një citim në fundjavë për Kosovën i ka paraprirë vizitës së tij. Një gazetë beogradase proqeveritare, “Politika” ka cituar në fundjavë zëvendëskancelarin austriak Heinz-Christian Strache (FPÖ). Sipas “Politika” Strache ka thënë se “Kosova është padyshim pjesë e Serbisë.” Një deklaratë kjo që bie ndesh me politikën e deritanishme të Austrisë, e cila ka qenë ndër shtetet e paraq që e ka njohur Kosovën.

Zëdhënësi i Straches, Martin Glier e hodhi poshtë citimin në bisedë me agjencinë austriake të lajmeve, APA. Sipas tij Strache nuk e ka thënë këtë në intervistë. Austria “e ka njohur Kosovën si një nga vendet e para dhe është që atëherë përkrahëse e fuqishme e Kosovës.”

Eurodeputeti austriak i partisë konservatore austriake, ÖVP, Othmar Karas reagoi me zemërim pas intervistës. “Ky sulm i ri kundër rendit të paqes në Ballkan” e bën atë “të tronditur dhe e lë pa fjalë”. Edhe Claudia Gamon nga liberalët e rinj ka shprehur kritikë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. “Zëvendëskancelari dhe partia e tij nuk heqin dorë nga fitilat në Ballkan”. Ndërsa Lëvizja Paneuropiane e Austrisë thekson se e ka ndjekur “me tundje të fortë koke” thëniet e Straches që “dukshëm i kanë shpëtuar zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan”. Deri më tani nuk është folur për një regjistrim audio të intervistës.

 

la/dpa,apa

Kurti: Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së

albin-kurti“Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për edicionin e së shtunës të gazetës sllovene DELO.

Ai, në këtë intervistë flet për shumë gjëra që kanë ndodhur këto 10 vjet shtetësi të Kosovës.

I pyetur për bashkimin me Shqipërinë Kurti ka thënë se “Ka të bëjë me zgjidhje të drejtë dhe të mirë, që më mjafton të përpiqem për këtë qëllim. Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së. Zgjidhje e mirë është edhe shqiptarët e bashkuar edhe në Evropë të bashkuar”.

“Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë do të duhej të vendosnin njerëzit në referendum në të dy shtetet. Bashkimi do të ishte legjitim nëse për të do të vendoste shumica e shtetasve në të dy anët e kufirit”.

Intervista e plotë e Kurtit:

Intervistë për edicionin e së shtunës të gazetës sllovene DELO, botuar më 10 shkurt 2018

Kosova duhet ta ketë të drejtën për bashkim me Shqipërinë

kurti-deloNë burgun e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Kushtinicës ka kaluar dy vite e gjysmë burg, për shkak të aktivizmit të tij politik poashtu ka qenë i burgosur edhe në Kosovën e pavarur. Unmik-u dhe regjimi kosovar e kanë burgosur më shumë se 20 herë. Së fundmi ishte i mbyllur vitin e kaluar, ku në shkallën e parë ishte dënuar me 18 muaj burg.

A vendos Qeveria e Kosovës në vendin e vet në mënyrë të pavarur?

Kurti: Sigurisht vendos për shumë gjëra, si për shembull në shpërndarjen e buxhetit, megjithëse në shumë raste nuk punon mirë. Për bujqësi ndan vetëm 2% të buxhetit. Për arsim ndan para vetëm sa për të paguar arsimtarët, e jo për të përmirësuar kushtet e nxënësve dhe studentëve. Korrupsioni nuk po zvogëlohet, për më shumë ai po rritet. Në gjykata janë rreth gjysmë milioni dosje, janë nëpër sirtarë të cilat i ka mbuluar pluhuri. Në Kosovë nuk ka bankë zhvillimore investive, që do të mbështeste ndërmarrësinë lokale. Nepotizmi vazhdon. Partitë, që vijnë në pushtet, shohin në atë mundësi që të shpërblejnë klientelen e tyre besnike, në vend se të ishin të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Është e vërtetë se nuk është gjithçka në dorë të Qeverisë. Kosova ende vazhdon të mos e ketë sovranitetin e plotë, armatë dhe kontroll në tërë territorin, në veçanti në veri të Kosovës. Tri problemet më të mëdha të Kosovës janë: Mitrovica, që akoma vazhdon të jetë qytet i ndarë, papunësia e madhe, dhe, korrupsioni. Për zgjidhje e këtyre, Qeveria do të mund të bënte më shumë se që ka bërë.

A nuk është fati i shteteve të vogla, siç është Kosova, që pak a shumë duhet të heqin dorë nga sovraniteti i tyre?

Kurti: Të heqësh dorë nga sovraniteti është veprim sovran. Së pari, duhet ta kesh që të mund të heqesh dorë. Kosova asnjëherë s’e ka arritur as sovranitetin nominal, që e kanë shtetet si Shqipëria, Mali i Zi apo Sllovenia. E kam të qartë se shteti pas anëtarësimit në BE ose NATO nuk ka më sovranitet të plotë, mirëpo vendosja për hyrje në integrimet ndërkombëtare duhet të jetë veprim i vullnetit të çdo populli apo shtetit të caktuar. Arritja jonë më e madhe është njohja e pavarësisë, Kosovën deri tash e kanë njohur 115 shtete. Këtu kemi arritur përparim. Sa i përket konsoldimit të brendshëm kemi qenë të pasuksesshëm. BE dhe NATO janë integruar në Kosovë me misionet e paqes, EULEX-in dhe KFOR-in më herët, që na kanë mundësuar kyqjen në lidhjet euroatlantike.

Pse jeni kundër dialogut mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel?

Kurti: Dialogu i Brukselit, që ka filluar në vitin 2011 dhe që u ndërpre në vitin 2017, ishte gabim i madh politik, që ka sjellur shumë pak përfitime. Në parim nuk jam kundër dialogut, por jam kundër dialogut pa parime. Qëllimi ishte i ashtuquajturi normalizim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e që në Bruksel prezantohen përgjithësisht ndryshe si nga Beogradi apo nga Prishtina. BE ishte asimetrike në dialog, sepse e njeh Serbinë, por jo edhe Kosovën. Në Kosovë është misioni EULEX, që ka fuqi ekzekutive, në ndërkohë kur në Serbi nuk ka ndonjë gjë të tillë. Kjo nuk mund të sjellte rezultate pozitive. Na nevojitet Kosovë normale, ashtu siç Ballkanit i nevojitet një Serbi normale. Nëse përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet me një Serbi jonormale përfundon vetë jonormal. Serbia është shtet autoritar dhe jodemokratik në krye me njeriun që ka qenë minsitër për informacion në kohën e qeverisjes së Millosheviqit. Përgjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë, të dhunuar kanë qenë rreth 20 mijë vajza dhe gra, ndërkaq të zhdukur rreth 1500 persona, 120 mijë shtëpi të djegura, më shumë se një milion shqiptarë kanë qenë të përzënë nga shtëpitë e tyre. Serbia nuk fajësohet për krimet , askush asnjëherë nuk ka kërkuar falje, e as ka paguar dëmet e luftës.

A munden që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë pa ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, në veçanti amerikanëve?

Kurti: Kjo është e pamundur. Por thelbësore për shoqëri kohezive dhe integrime të të gjitha komuniteteve është dialogu i drejtpërdrejt me serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë. Ka nevojë për dialog nga poshtë lartë dhe jo anasjelltas, mes shtetasve dhe jo mes shqiptarëve dhe serbëve. Bujqit shqiptarë dhe serbë do të mund të flisnin rreth zhvillimit të bujqësisë dhe bashkë mund të bisedonin se si do të mund t’i ndihmonte shteti. Integrimi në Kosovë është i mundshëm me zhvillim dhe jo tolerancë. Nuk jam kundër tolerancës, mirëpo na duhet bashkëpunim për zhvillim. Nëse Serbia nuk do t’i njeh krimet e shkaktuara dhe pavarësinë e Kosovës, është dialog pa substancë dhe humbje kohe. Nëse Prishtina sillet mirë ndaj Serbisë, Aleksandër Vuçiq si djathtist tipik ekstrem, nga ky vendim nuk beson se ka të bëjë me zemergjerësinë tonë, por më shumë është shenjë dobësie.

A nuk është joreale pritshmëria që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet dhe që lojtarët e mëdhenj do ta lejonin formimin e Shqipërisë së madhe?

Kurti: Shqipëria e madhe është këngë, që e kanë shpikur në Beograd në mënyrë që te mund ta krijonin Serbinë e madhe. Shqiptarëve ju ka mbetur etiketa, ndërkaq serbët kanë marrë territor. Kosova duhet ta ketë të drejtë të bashkohet me Shqipërinë. Kushtetuta nuk na lejon që t’i bashkohemi çfarëdo shteti, që do të thotë, se do të kemi probleme edhe me bashkimin në BE. Secili shtet duhet të jetë i lirë dhe të ketë të drejtë të bashkohet me shtetet e tjera. Kjo është perspektivë e jashtme e sovranitetit dhe e drejtës për vetëvendosje. Në Kosovë perspektiva e jashtme nuk është e lejuar, megjithëse Kosova shekull më parë është shkëputur dhunshëm nga Shqipëria. Në konferencën e Londrës 1913 ministri i jashtëm i atëhershëm Edward Grey deklaroi se për shkak të ruajtjes së paqes në Evropë shqiptarëve ju bë një padrejtësi e madhe. Një vit më vonë shpërtheu lufta e parë botërore. Nuk dëshiroj që për shkak të bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë të fillojë lufta e tretë ballkanike, por do të doja që kjo të arrihej përmes rrugës paqësore dhe demokratike. Kjo është dëshira e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, që është kufiri i dikurshëm i Serbisë dhe Jugosllavisë. Për bashkim ekziston gjithashtu edhe interesi ekonomik. Shqipëria ka det, ujë dhe male, ndërkaq Kosova tokë të mirë bujqësore, xehe dhe minerale.

A nuk është e vështirë të realizosh ëndrrat?

Kurti: Ka të bëjë me zgjidhje të drejtë dhe të mirë, që më mjafton të përpiqem për këtë qëllim. Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së. Zgjidhje e mirë është edhe shqiptarët e bashkuar edhe në Evropë të bashkuar. Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë do të duhej të vendosnin njerëzit në referendum në të dy shtetet. Bashkimi do të ishte legjitim nëse për të do të vendoste shumica e shtetasve në të dy anët e kufirit.

Si e shikoni krijimin e gjykatës speciale për krime të luftën së UÇK-së dhe përpjekjet për shfuqizimin e saj?

Kurti: Kjo gjykatë është e padrejtë dhe e dëmshme për Kosovën, sepse është gjykatë etnike që do të gjykojë vetëm shqiptarët . Kjo është gjykatë kundër UÇK-së. Nga ana tjetër lojërat e Hashim Thaçit për shfuqizimin e gjykatës nuk janë as serioze e as të sinqerta. Për këtë, VETËVENDOSJE! nuk do të bëhet pjesë e këtij instrumentalizimi dhe nuk do ta mbështesim verbërisht iniciativën për shfuqizimin e gjykatës speciale.

Jeni për formimin e Ushtrisë së Kosovës, megjithëse bashkësia ndërkombëtare formimin e forcave mbrojtëse në ushtri profesionale e kushtëzon me pëlqimin e serbëve në Kosovë?

Kurti: Ne jemi të vetëdijshëm se për formimin e Ushtrisë së Kosovës është e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës për të cilën duhet të votojnë shumica e deputetëve serbë, të cilët kanë mandat të garantuar në Kuvend. Sikur çdo shtet edhe Kosova duhet të ketë armatën e saj. Kjo nuk do të jetë lehtë. Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës ende nuk është përdorur deri në këtë masë që këto forca të ngriheshin në nivelin më të lartë të mundshëm.

Në dialogun me Serbinë jeni vënë te amerikanët që janë kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, që kushtëzojnë gjithashtu themelimin e Ushtrisë së Kosovës…

Kurti: Amerikanët janë forcë e fuqishme në Kosovë dhe më gjerë. Janë pjesë e pushtetit në Kosovë. I jemi falënderues për rolin e tyre në bombardimin e NATO-s dhe në njohjen e pavarësisë. Shumë shtete e kanë njohur Kosovën për shkak të SHBA-së dhe jo për shkak të lobimit të ministrave tanë të jashtëm. Nëse dialogu me Serbinë mohon historinë e problemit, se Serbia ka okupuar Kosovën dhe si agresor ka ushtruar aparteid, atëherë nuk ka rëndësi kush ndërmjetëson në negociata me Beogradin.

VETËVENDOSJE! në vitin 2015 nuk ka votuar për ndryshime kushtetuese që e kanë mundësuar formimin e Gjykatës Speciale. Pikëpamjen e saj nuk e ka ndërruar VETËVENDOSJE!, mirëpo PDK-ja me në krye Hashim Thaçin, që dëshiron ta shfuqizojë gjykatën për interesa personale dhe jo të Kosovës. Kjo gjykatë do të sjell shumë dëme, që do t’i ndjejmë në 20 vjetët e ardhshme. Më mirë do të ishte të kishim gjykatë normale, që do të luftonte kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Mjaft ka qenë me ”speciale” të tilla si gjykata speciale. UNMIK-u, EULEX-i dhe Gjykata e Hagës nuk e kanë gjetur askënd në tregtimin me organe njerëzore. Gjykata ndërkombëtare është shumë e ngarkuar politikisht, për të më me rëndësi është stabiliteti sesa të drejta e njeriut.

Nuk kemi arritur t’i bindim amerikanët se janë më të rëndësishëm kriminelët e paqes sesa ata të luftës. Në pushtet janë njerëzit më të pasur në Kosovë. Ka shumë fakte në dispozicion, që i kanë vjedhur njerëzit dhe kanë abuzuar me pozitën e tyre dhe buxhetin e Kosovës. Në vend që UNIMK-u, EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare të përndiqnin për shkak të këtyre veprimtarive të dënueshme, akoma kthehemi te lufta, për të barazuar krimet e forcave shqiptare dhe serbe përgjatë luftës. ShBA-të janë partneri ynë, që nuk do të thotë, që gjithmonë të pajtohemi për çdo temë. ShBA-të janë të domosdoshme për mbrojtjen e Kosovës para Serbisë dhe Rusisë.

Çfarë mundësish ka koalicioni qeverisës i luftës me në krye Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin që të mbijetojë në pushtet dhe ta nxjerr Kosovën nga stagnimi dhe kriza e kontrolluar?

Kurti: Qeveria aktuale ka qenë më së shumti e angazhuar në emërimin e 70 zëvendës-ministrave. Qëllimi i kësaj Qeverie të madhe pa vizion zhvillimor për shtet është që sa më shumë staf të instalojë në pozicione sa më të larta. Kjo sigurisht është Qeveria më e shtrenjtë e pasluftës. Në Parlament vështirë mbijeton me 61 nga 120 sa ka gjithsej deputetë, kështu që ka shumë mundësi që do të bjerë sivjet. Kjo natyrisht varet nga opozita që do të mund t’i bashkonte forcat për rrëzimin e Qeverisë. VETËVENDOSJE! ka 32, Lidhja Demokratike 23 deputetë.

Për shkak të pikëpamjeve tuaja radikale VETËVENDOSJE! nuk bashkëpunon në ekzekutiv, megjithëse është subjekti më i fuqishëm politik në vend…

Koalicioni qeverisës para zgjedhjeve ka numëruar 12 parti. Që VETËVENDOSJE! të mbetej në opozitë, është nevojitur koalicion prej 20 partish. Ndoshta ata ja kanë dalur me këtë për herë të fundit.

A nuk varet kjo edhe nga faktorët ndërkombëtarë?

Kurti: Ambasadat në Kosovë, para se të gjithash pesë kryesoret – ShBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia – thonë se nuk ekziston asnjë kriter shtesë për VETËVENDOSJE!-n që të marrë pushtetin, përveç shumicës parlamentare prej 61 ulësesh në Kuvend. Pas zgjedhjeve të fundit nuk ishim larg nga LDK, mirëpo i pari i këtij subjekti, Isa Mustafa, nuk dëshironte koalicion me ne.

Çka mund të arrini me hedhjen e gazit në Parlament dhe protestat në rrugë?

Kurti: Protestat në rrugë janë shprehje e vitalitetit shoqëror dhe e demokracisë. Arsye për protestë ka shumë. Demokracia përfaqësuese është e domosdoshme mirëpo shpesh nuk mjafton. Njerëzit nuk mund të marrin pjesë në mitingje dhe të votojnë një herë në katër vjet. Kushtet ishin ekstreme, sepse dëshironin ”bosnjëzimin” e Kosovës me ndihmën e bashkësisë së komunave serbe. Do të merrnin entitet të ngjashëm sikur në Bosnjë dhe Hercegovinë, që ka Republikën serbe. Në Bosnje me 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe formuan bashkësinë e komunave, me 9 janar 1992 shpallën pavarësinë, me 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën e tyre, me 14 dhjetor 1995 morën njohjen ndërkombëtare në Dayton.

Çfarë kanë bërë gjatë luftës në Bosnje dëshiruan ta ndërtojnë në paqe në Kosovë. Serbia dëshiron të vendosë Serbinë e madhe me Serbi të vogla në regjion. Nuk e dëshiron më bashkimin e Serbisë në një shtet me zgjerim të territorit në Ballkan, më shumë dëshiron të kontrollojë territor të banuar me serbë në shtete tjera. Kjo është e ngjashme sikur Federata Ruse. Megjithëse pjesa lindore e Ukrainës nuk i përket asaj, Moska e kontrollon. Ky model po përsëritet në Ballkan. Dezintegrimi i Bashkimit Sovjetik e ka themeluar Federatën Ruse në qendër si oktapod me tentakulat e saj. Dezintegrimi i Jugosllavisë së dikurshme e ka themeluar oktapodin me Serbinë në qendër me tentakulat te fqinjët. Republika serbe në Bosnjë, forcat proserbe e proruse në Mal të Zi dhe Maqedoni dhe pjesa veriore dhe enklavat serbe në jug të Ibrit në Kosovë.

Nëse të gjithë do të jetonin më mirë kjo nuk do të ishte më me rëndësi…

Kurti: Beogradi nuk e ka tek ajo, që serbët të jetojnë më mirë, e lëre më të tjerët. Beogradi i përdor serbët si mjet për përfitim të sa më shumë territoreve, mirëpo jo për më shumë mirëqenie të njerëzve. Ka të bëjë me qasje imperaliste. Në botë nuk janë vetëm fuqitë e mëdha imperialiste, por edhe ato regjionale. Serbia ishte këso fuqie e vogël imperialiste në këtë pjesë të Ballkanit. Problemi kryesor i Ballkanit mbetet Serbia. Në 25 vitet e fundit kanë pasur vetëm 2 vjet e gjysmë udhëheqës demokratik dhe e kanë vrarë. Dy javë para atentatit mbi Zoran Gjingjiqin ka shkuar Vojisllav Sheshel në Hagë. Vuçiq për shkak të largimit të tij në burg ka qajtur në mitingun protestues. Në Ballkan kanë ndodhur ndryshime progresive në Shqipëri e Maqedoni me socialdemokratët në pushtet, pozitive është edhe hyrja e Malit të Zi në NATO, dy vitet e fundit nuk kanë qenë më të këqinjtë as në Bosnje, problemi kryesor mbetet Beogradi me pushtet autoritar të ekstremit të djathtë.

Ku e shihni Kosovën pas 10 vitesh?

Kurti: Zhvillimi ekonomik është më i rëndësishmi, i cili do të sigurojë vende të reja pune për të rinjtë e arsimuar. Pakica serbe ka nevojë të integrohet në shoqërinë kosovare. I nevojshëm po ashtu është edhe restaurimi i Trepçës, ndërkaq Mitrovica duhet të bëhet qytet i bashkuar. Duhet të sigurohet sundimi i ligjit, që do të merret me udhëheqësit e korruptuar. Nëse të gjitha këto nuk bëhen nuk do të mundemi të arrijmë në dekadën e ardhshme, ky do të ishte dështim i shtetit. Ose do t’i bëjmë të gjitha këto, ose do të jemi shtet vetëm në letër.

Shqiptarët duan të jenë pjesë e vendimmarrjes për emrin e ri

protestaBisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kanë shtuar zërat në mesin e shqiptarëve se edhe ata duan të jenë pjesë e mbylljes së këtij problemi, apo që zgjidhja e mundshme të reflektojë karakterin shumetnik të Maqedonisë.

Forumi i intelektualëve shqiptarë, vlerëson se çdo zgjidhje që mund arrihet, nuk do të jetë e vlefshme për shqiptarët nëse nuk pasqyron realitetin në Maqedoni, si shtet ku jetojnë dy bashkësi të mëdha etnike, maqedonasit shqiptarët.

“Pa një marrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, çdo vendim, çdo emërtim i vendit do të jetë i pavlefshëm për arsye se praktika na ka mësuar që të mendojmë kështu. Në vitin 1991, shqiptarët nuk u përfillën as për Kushtetutën, as për flamurin, as për pavarësinë, e as për asgjë tjetër, prandaj ajo edhe e solli luftën e vitit 2001”.

“Pra, patjetër emri i Maqedonisë duhet të përfshijë realitetin pasi një emër ku përmenden vetëm maqedonasit dhe injorohen shqiptarët, unë besoj se do të jetë bazë për një situatë kofliktuoze në të ardhmen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, një nga drejtuesit e Forumit Shqiptar, duke bërë të ditur se ky mekanizëm së shpejti do të dalë edhe më një propozim konkret për emrin e ri të Maqedonisë.

Pollozhani për këtë anashkalim të shqiptarëve, fajëson BDI-në, partinë politike shqiptare në qeveri, e cila, sipas tij, ka marrë rolin e të nënshtruarit në qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Bisedimet për çështjen e emrit deri më tani janë zhvilluar mes grupeve negociuese të të dy vendeve, ndërsa tani mes vet ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët më pas për rrjedhën e bisedimeve apo qëndrimet e palës tjetër, do t’i informojnë drejtuesit më të lartë shtetërorë.

Në këto bisedime konsultuese përveç BDI-së, nuk merr pjesë opozita shqiptare, e cila gjithashtu ka reaguar për mospërfshirjen e saj, ndërsa ka bërë të ditur se do të kundërshtojë çdo zgjidhje që mund të jetë me ndonjë emërtim sllav.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët, jemi kundër tendencave për sllavizmin e emrit, ashtu siç e kemi thënë që jemi kundër emrit sllavo Maqedoni. Gjithashtu, jemi kundër propozimit që dëgjohet në qarqet diplomatike rreth idesë që të përdoren emra me përcaktim gjeografik të shkruar vetëm në gjuhën maqedonase si “Gorna Makedonija”. Ne e kundërshtojmë këtë, sepse edhe kjo paraqet tendencë për sllavizëm dhe përvetësim të emirit”, deklaron Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në opozitë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Qeveri, thonë se shqiptarët janë pjesë e zgjidhjes së kontestit dhe se emri i ri duhet të pasqyrojë realitetin. Por, Bujar Osmani zëvendëskryeministër për çështje evropiane, gjatë vizitës së fundit në Beograd ka deklaruar për mediet se për këtë parti më me rëndësi është që të gjendet një zgjidhje pasi kjo do të zhbllokonte procesin euro- integrues.

“Unë mendoj që shqiptarët janë shumë të interesuar se si do të quhet Maqedonia. Emri i Maqedonisë duhet të reflektojë realitetin demografik në vend dhe prandaj ne jemi pjesë e këtyre bisedimeve. Por, për ne është shumë me rëndësi të zgjidhet, të mbyllet kjo çështje, për shkak se po bllokon integrimin në NATO dhe për ne NATO-ja është si të jesh apo të mos jesh. Është çështje ekzistenciale për shtetin, është çështje ekzistenciale për popujt që jetojnë brenda, përfshi këtu edhe shqiptarët”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri Zoran Zaev së fundi ka deklaruar se qeveria që ai drejton pranon një zgjidhje për emrin me përcaktim gjeografik, ndërsa si emra të mundshëm për zgjidhje përmenden Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Bisedimet pritet të intensifikohen nga java e ardhshme, ndërsa Qeveria nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje deri nga fundi i marsit. Në rast të ngecjes së negociatave pritet përfshirja në to e diplomatëve të lartë perëndimorë.

Zgjidhja e kontestit 25-vjeçar do të nënkuptonte edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe zhbllokimin e procesin të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (rel)

Kosovë, bisedimet me Serbinë pa ndikim në normalizim të marrëdhënieve

KCSSNjë studim i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve të anketuar pohojnë se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk ushtrojnë ndikim në normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa e kanë vlerësuar të dëmshme marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Rezultatet janë përmbledhur në një edicion të posaçëm të “Barometrit të Sigurisë”, në të cilin qendra ka përmbledhur qëndrimet e opinionit publik për politikën e jashtme dhe bisedimet me Serbinë.

Donika Emini nga kjo qendër thotë se vlerësimet e tilla janë rrjedhojë e tensioneve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Shumica dërrmuese e të anketuarve, 58 për qind e të anketuarve shqiptarë dhe 61 për qind e atyre serbë, pohuan se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk kanë asnjë̈ ndikim në normalizimin e marrëdhënieve. Rreth 73 për qind e të anketuarve besojnë̈ se marrëveshja e Asociacionit është shumë e dëmshme dhe do të ketë ndikim domethënës në funksionimin e brendshëm të Kosovës. Është e domosdoshme të përmendet se një përqindje shumë e kufizuar e të anketuarve serbë, rreth gjashtë për qind, besojnë se Asociacioni do të ketë̈ ndikim negativ në Kosovë”, tha ajo.

Raporti po ashtu nxjerrë në pah dallime edhe tek opinionet e të anketuarve lidhur me përfitimet e palëve nga bisedimet.

“Rreth 48 për qind e të anketuarve shqiptarë besojnë se Serbia po përfiton më shumë se Kosova, duke iu referuar kryesisht perspektivës së anëtarësimit të Serbië në Bashkimin Evropian, e cila kryeson procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, rreth 29 për qind e të anketuarve serbë besojnë se Kosova po përfiton më shumë se Serbia”, tha zonja Emini.

Sipas, zonjës Emini, 90 për qind e qytetarëve shqiptarë të Kosovës vazhdojnë ta llogarisin Serbinë si një nga kërcënimet më të mëdha të jashtme për sigurinë e Kosovës.

Raporti nxjerrë në pah se Shtetet e Bashkuara të Amerikës shihen si shumë miqësore ndaj Kosovës dhe si një nga aleatët dhe partnerët strategjikë më të mëdhenj të Kosovës. Ndërkaq, qasja e Rusisë ndaj Kosovës konsiderohet si shumë armiqësore.

Sipas raportit, 93.6 për qind e të anketuarve besojnë se Kosova duhet të anëtaresohet në Bashkim Evropian.

Komisioni Evropian shpalli gjatë javës strategjinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor që hap dyert për integrimin e rajonit. Serbia bashkë me Malin e Zi shihen si të parat që mund të përfitojnë nga zgjerimi, por para anëtarësimit Serbia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, duhet të arrijë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve. (voa)

Majko: qëllimi ynë, ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit

majkoNë një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, tha se institucioni që ai drejton përpiqet për organizimin e diasporës, por pa iu imponuar komunitetit të shqiptarëve jashtë vendit. Ai tha se pavarësisht se pjesëtarët e diasporës kanë pikëpamje të ndryshme politike, synohet që të nxiten veprime në ndihmë të interesave të komunitetit. “Qëllimi im – tha ai, – është që ta ndihmojmë diasporën për ruajtjen e identitetit, edukimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe.”

Zoti Majko tha se në Nju Jork, falë interesimit të pushtetit lokal dhe lobingut të diasporës, në shkolla do të hyjë mësimi i dy-gjuhësisë: gjuha shqipe do të mësohet krahas me anglishten dhe se ka shpresa që ky shërbim të hyjë edhe në shtete të tjera amerikane.

Ministri Majko tha se në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të ngrihen qendra kulturore të shqiptarëve, falë kontributit financiar të diasporës, por shtoi se në këto projekte do të kontribuojnë edhe qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ai tha se ngritja e këtyre qendrave do të vazhdojë, sipas modelit të qendrës së ngritur nga biznesmeni Richard Lukaj në Nju Jork.

Ministri shqiptar i diasporës tha se në Shqipëri qeveria ka miratuar së fundi ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, që do të jetë një agjenci në funksion të interesave të diasporës. Ligj pritet t’i kalojë së shpejti Parlamentit.

Zoti Majko shtoi se qeveria shqiptare ka filluar punën për një projektligj që do të lidhet me një fond për zhvillimin e diasporës. Ai tha se në diasporë ka një pasuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale, por sekreti në punën me të, qëndron tek mënyra e komunikimit. Ministri Majko tha se po përpiqet të krijojë në administratën shqiptare një atmosferë të mirë për investitorët nga diaspora, pasi kjo administratë është mësuar të punojë vetëm me investitorë nga Shqipëria.

Zoti Majko foli edhe për nevojën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Pytjes për kërkesën e diasporës për të votuar në zgjedhjet e Shqipërisë, ai ju përgjigj se institucioni që ai drejton po bashkëpunon me Komisionin e Venecias, me OSBE-në dhe me shoqërinë civile për realizimin e kësaj dëshire të diasporës. (voa)