Roth: BE nuk bën pazare me Shqipërinë e Maqedoninë

Michael RothIntervistë ekskluzive me ministrin gjerman të shtetit për Çështjet e Europës, Michael Roth për politikat e BE-së ndaj Shqipërisë e Maqedonisë pas vendimit europian për hapjen e mundshme të negociatave në vitin 2019.

DW: Zoti Roth, të martën Këshilli i BE-së mori vendim t’i hapë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë pas një viti dhe po të jenë plotësuar disa kushte. Ky vendim u interpretua në mënyra kundërthënëse në vendet e prekura: Opozita e mori për sinjal negativ, qeveritë si sinjal pozitiv. Si duhet kuptuar ky vendim sipas jush?

Michael Roth: Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë një hap mjaft të madh përpara në rrugën e tyre drejt BE-së dhe për këtë miqtë tanë maqedonoveriorë dhe shqiptarë mund të jenë shumë krenarë. Ata kanë arritur shumë, kanë realizuar shumë reforma, por mbetet edhe shumë për të bërë. Dhe ura që ndërtuam tani deri në qershor të vitit të ardhshëm duhet të jetë mjaft solide që në fund të qershorit të vitit të ardhshëm të dyja vendet ta kalojnë këtë urë drejt negociatave të anëtarësimit për BE.

DW: Cilat argumente sollën dy vendet, Franca dhe Holanda, që ishin kundër fillimit të negociatave e që iu desh t’i bindnit ju?

Roth: Sigurisht njëri prej argumenteve nuk kishte fare të bënte me gjendjen në Shkup dhe në Tiranë. Ai kishte të bënte me Bashkimin Europian që është i tronditur nga krizat, që është i zënë më shumë me hallet e veta. Ata shtrojnë pyetjen: A ia dalim dot në këto kohëra, kur na duhet t’i shpenzojmë të gjitha fuqitë për të rregulluar punët tona, që të zhvillojmë negociata ambicioze anëtarësimi. Mua nuk më bind ky argument, sepse unë vazhdoj të jem i bindur, se është në interes të të gjithë Europës që Ballkani Perëndimor të mbetet ose të bëhet i qëndrueshëm dhe i ankoruar te shteti ligjor.

DW: Kur ju thoni, se nuk e kanë fajin vetë vendet, por problemet e brendshme të BE-së, atëherë a mund të ndodhë që pas një viti BE-ja sërish të jetë e ngarkuar me problemet e saj dhe që sërish negociatat të shtyhen?

Roth: Ky ishte vetëm njëri nga argumentet që nuk kishte të bënte me këto dy vende. Por, sigurisht, vazhdon të ketë shtete anëtare të BE-së që kanë dyshime se a janë të mjaftueshme përparimet e bëra. Para së gjithash në lidhje me luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetin ligjor. Prandaj edhe qeveria ime parashtroi një kompromis që u prit me shumë simpati, por tekefundit unë tani jam i kënaqur që ramë dakord për një qëndrim të përbashkët, i cili duhet parë si inkurajim i forcave reformuese në Shqipëri dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

DW: Përveç këtyre rezervave, mos pritet që këto dy vende të ofrojnë ndihmesë në kapërcimin e krizës së refugjatëve?

Roth: Nuk ka pazare ndërmjet Bashkimit Europian dhe këtyre dy shteteve. Ne ia njohim Ballkanit Perëndimor që deri tani ka bërë shumë për pranimin e refugjatëve, prandaj nëse këto vende tregohen të gatshme për të na ardhur në ndihmë për politikat e refugjatëve dhe të emigrantëve, nuk do të ketë rabat në politikat e zgjerimit dhe më duket e padrejtë të ushtrohet presion ndaj këtyre dy shteteve, sepse njëra nuk ka lidhje me tjetrën.

DW: Çfarë duhet të ketë arritur Shqipëria konkretisht deri në qershor 2019?

Roth: Shqipëria është bërë etalon me procesin e Vettingut për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe presim që procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe të prokurorëve më të rëndësishëm të dalë me sukses. Ky është njëri prej sektorëve. Nëse do të luftohet më me forcë edhe krimi i organizuar, atëherë kjo sigurisht që do ta rrisë besueshmërinë, sidomos te ato shtete që ende kanë rezerva.

DW: Po Maqedonia? Presidenti i Maqedonisë ka deklaruar se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë. Opozita është kundër. A nuk mendoni se kjo do të çojë në keqësimin e situatës deri në shtator, kur të bëhet referendumi për çështjen e emrit?

Roth: Unë dua vetëm të apeloj tek të gjitha palët përgjegjëse në Shkup që ta marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre historike. Ndoshta nuk e dine të gjithë se çfarë do të vinin në rrezik. Unë e kuptoj se ky kompromis mund të ketë qenë shumë i dhimbshëm për ndokënd, por ai është çelësi i portës për Bashkimin Europian dhe anëtarësimin në NATO.

Është një çelës që hap një portë për paqe dhe pajtim afatgjatë në rajon dhe unë kam përshtypjen se shumica e njerëzve në rajon e kanë kuptuar këtë. Por nga ana tjetër, edhe ne duhet të mësojmë me sa duket se Ballkani Perëndimor meriton një vëmendje më të madhe, sepse stabiliteti dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor duhet të hyjnë te interesat e mirëfillta të BE-së dhe se aty nuk duhet lejuar të krijohet një vakum politik.

(dw)

Qeveria maqedonase ka plan për reforma

Zaev MogheriniZëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë Mile Boshnjakovski thotë se qeveria i ka të qarta detyrimet që duhet të përmbushë deri në qershor të vitit të ardhshëm sukurse ka kërkuar BE-ja.

Rezultate evidente në reformimin e gjyqësorit, hetime aktive dhe përmbyllje të rasteve korruptive dhe kriminale përfshi edhe nivelet e larta – këto janë detyrimet që duhet të arrihen Reformim nevojitet edhe në shërbimet e sigurisë dhe administratë. Sipas Boshnjakovskit qeveria ka përpiluar plan të detajuar për detyrat që duhet realizuar.

“Së shpejti do të publikohet edhe plani 18-të dhe në të do të përfshihen të gjithë indikatorët se çka saktë do të duhet të punohet. Ju sigurojmë se dimë saktë se çfarë po punojmë dhe kjo u njoh nga mbarë BE-ja. Do të duhet të kemi rezultate evidente në proceset që janë duke u realizuar, kemi reforma në shërbimet e sigurisë, diçka që nisëm dhe në mënyrë intensive po punojmë me planin 3-6-9. Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin tonë në reformat deri në qershor të 2019-ës”, ka thënë Boshnjakovski. Sipas tij Maqedonia është e njohur si vend i ndryshimeve pozitive, i procesit dinamik të reformave, të inkluzivitetit dhe i dialogut të përgjithshëm. Kemi marrë njohje se jemi vend në të cilin ka vullnet të mirë politik që t’i zgjidhë kontestet me fqinjët dhe vend i qytetarëve, të cilët kanë treguar se kanë vizion të shprehur qartë për të ardhmen evropiane, thotë boshnjakovski.

Vendimi i Brukselit motivues për Maqedoninë

Kryeministri Zoran Zaev ka shpreh kënaqësi të madhe nga vendimi i djeshëm për marrje të datës për negociata me Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2019.

“Duke pasur parasysh se në maj të vitit 2019 janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, vendimi i BEsë është tërësisht me pritjet tona. Ne jemi të lumtur dhe në mënyrë plotësuese të motivuar”, – ka deklaruar Zaev.

“Posaçërisht më vjen mirë që dy fqinjët e tanë, Bullgaria dhe Greqia zhvilluan diskutim të frytshëm dhe luftuan për këtë vendim të dëshiruar për Maqedoninë, si dhe për Shqipërinë”, ka shtuar kryeministri.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka thënë se data e shtyrë për një vit për fillimin e negociatave me BE-në duhet të shfrytëzohet si periudhë për përgatitjen dhe përmbushjen e kushteve që kërkon Komisioni Evropian. Kjo vonesë sipas tij, nuk ndikon negativisht në procesin integrues të vendit.

“Referendumi që pritet të organizohet për emrin, do të jetë verifikim i mbështetjes së mbi 80% të qytetarëve të cilët janë pro strukturave euro-atlantike dhe mbështetje për ndryshimet e nevojshme kushtetuese”, është shpreh Xhaferri.

Opozita me kritika ndaj qeverisë

Kryetari i VMRO-DMNE-së Hristijan Mickoski ka theksuar se Maqedonia vazhdon të mbetet jashtë rrugës europiane meqë nuk mori rekomandim të pastër për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE sikurse kishte paralajmëruar kryeministri Zaev. Me këtë qeveri Maqedonia ka vetëm humbje vlerëson Mickovski.

“Jo vetëm që i shiti interesat shtetërore dhe kombëtare, jo vetëm që u përpoq të ratifikojë një akt kapitullimi, tash e shohim se përfitimi nuk është. Gjithë kohës përpiqej të manipulojë me ndjenjat e qytetarëve dhe ndërgjegjen e tyre. Do të përpiqen të krijojnë mjegull, të paarritshmen t’ua shfaqin si të arritshme, do të përpiqen të na tregojnë se prej tash mjaltë dhe qumësht do të rrjedhë nga shteti”, ka deklaruar Mickoski. Lideri i VMRO-DPMNE-së tha se qeveria dhe Zaevi nuk kanë as plan, as vizion se si të vazhdojnë më tej.

“Kjo që ndodhi tash është edhe një humbje e diplomacisë tonë, më e pakta që mund të bëj është që ministri i Punëve të Jashtme të japë dorëheqje të pakthyeshme”, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

Sipas zëdhënësit të Aleancës për Shqiptarët Flakron Bexheti nuk ka datë për hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe se LSDM-ja dhe BDI-ja po gënjejnë opinionin publik. Ai më tej përmend kushtet që ka vendosur BE-ja për çeljen e negociatave të cilat janë, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimin e shteti ligjor dhe reforma në administratën publike. Sipas zëdhënësit të ASH-së, Bashkimi Evropian do të vendos vetëm pas një viti për hapjen ose jo të negociatave me Maqedoninë. (dw)

EULEX-i transferon lëndët tek institucionet kosovare të drejtësisë

eulexNga fillimi i muajit korrik, prokuroritë në Kosovë do të nisin me shqyrtimin e lëndëve, të cilat transferohen nga EULEX-i. Kosova ka rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX tashmë ka filluar të bëjë transferimin e lëndëve tek institucionet kosovare të drejtësisë, pas përfundimit të mandatit mbi dhjetë vjeçar dhe kalimit në një mision me mandat këshillues. Prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Sylë Hoxha, thotë se lëndët e EULEX-it, i merr Prokuroria Speciale e Kosovës dhe këtë transferim lëndësh ai nuk e sheh problematik, megjithëse ka disa mangësi në fillim të këtij procesi.

“Nga fillimi i muajit korrik të këtij viti, prokuroritë do të nisin me shqyrtimin e lëndëve të cilat kalohen nga EULEX-i. Në fillim janë vërejtur disa mangësi, sepse këto lëndë nuk po na vijnë krejt të kompletuara, shembull, kemi raste kur na dërgohen vetëm kopjet e lëndëve, jo edhe origjinali”, citojnë mediet lokale prokurorin Sylë Hoxha. Megjithatë ai thotë, se prokurorët e Kosovës tashmë kanë përvojë në raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të krimeve të luftës.

“Sa u takon lëndëve të krimeve të luftës ne i kemi prej një kohe dy prokurorë që merren vetëm me lëndë të kësaj natyre. Pastaj për krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë veç jemi duke i punuar ato lëndë dhe për ne nuk paraqet ndonjë sfidë. Prokurorët nga Kosova janë të aftë të punojnë pa iu nënshtruar ndikimeve politike. Ne kemi pasur raste me aktakuza edhe për ministra edhe për sekretarë të përhershëm apo edhe për kryetarë komunash, dhe nuk kemi pasur kurrfarë pengese në këtë drejtim”, thotë Sylë Hoxha.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Betim Musliu, i tha DW-së se “kredibiliteti i misionit EULEX në Kosovë nuk është i mirë”, prandaj ai nuk e di se çfarë mund të këshillojë misioni tash me mandatin e ri që ia dha Këshilli i Bashkimit Evropian. “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve gjyqësore, me fokus në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të cilat EULEX-i ka pasur mandat ekskluziv për trajtimin e këtyre rasteve dhe gjetjet dëshmojnë se performanca e EULEX-it lë shumë për të dëshiruar. IKD vlerëson se ka pasur një dështim të madh të EULEX-it në zbatimin e kompetencave ekskluzive. Dështimi më i madh i EULEX-it si mentorues është në ngritjen e kapaciteteve profesionale vendore”, thotë Betim Musliu.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sipas zotit Musliu ka kohë që ka rekomanduar krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale për luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Këto organe sipas tij, do të merreshin me procesin e verifikimit dhe rekrutimit të hetuesve policorë, prokurorëve dhe gjykatësve kosovar.

Që nga përfundimi i luftës deri në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte nën menaxhimin e administratës së OKB-së. Në vitin 2008, shumë kompetenca kaluan tek institucionet kosovare, mirëpo, megjtihatë lëndët e ndjeshme, siç ishin lëndët e korrupsionit të profilit të lartë dhe ato të krimeve të luftës mbeten kompetencë e misionit EULEX, i cili sapo ishte dislokuar në Kosovë. Duke qenë që të pakta ishin rastet e krimeve të luftës që morën zgjidhje nga misioni EULEX, me një rezolutë të Këshillit të Evropës, Kosovës iu kërkua që ta themelojë Gjykatën Speciale për krime lufte. Kjo gjykatë akoma nuk ka nisur punën, ndërsa, misioni EULEX, tash e tutje do të mbrojë dëshmitarët në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale.

Më 4 qershor të këtij viti, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me një letërkëmbim me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, njoftuan për përmbylljen e mandatit të deritashëm i misionit të EULEX-it. Vetëm katër ditë pas, me 8 qershor, Këshilli i BE-së mori vendim për zgjatjen edhe për dy vjet të mandatit të misionit EULEX, por tash në një format tjetër, atë të monitorimit, por, edhe në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve, përkrahjen e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Gjykatës Speciale). Kështu u bë e ditur nga Këshilli i BE-së, ku u mor vendimi për mandatin e ri të misionit, që do të zgjasë deri më 14 qershor të vitit 2020 me një buxhet prej 169 milionë eurosh.

“Misioni i ri do të jetë i fokusuar në këto pika: monitorim të rasteve të caktuara dhe gjykimeve, monitorimin, mentorim dhe këshillim për Shërbimin Korrektues dhe mbështetje operacionale për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë – Serbi”, thuhet në komunikatën e Këshillit të BE-së.

Disa herë shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare kanë kritikuar sistemin kosovar të drejtësisë si jo efikas në luftimin e profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është Departamenti amerikan i Shtetit i cili në raportet e mëhershme, thotë se “Qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjet që mundësojnë përndjekjen e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem serioz në Kosovë”. Në Kosovë, punojnë rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë, ndërsa, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të mbetet i lartë. (dw)

Një aplikacion që shpëton jetë

AplikacionQendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se vetëvrasjet përbëjnë një ndër 10 shkaqet kryesore të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Dy adoleshentë kanë gjetur një mënyrë për të zvogëluar shkallën e vetëvrasjeve, falë një aplikacioni që përdoret në telefonat inteligjentë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo bisedoi me shpikësit e tij, motër e vëlla, të cilët kohët e fundit u nderuan me një çmim nga shoqata amerikane jofitimprurëse e Shëndetit Mendor.

Lajmi i vetëvrasjes së personalitetit televiziv Anthony Bourdain si dhe stilistes së famshme Kate Spade, tronditën mbarë botën. Ngjarjet ndodhën në të njëjtën kohë kur Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikoi një raport që dëshmonte një rritje me 25 për qind të vetëvrasjeve në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999.

Të dhënat tregojnë qartë se problemi po përkeqësohet dhe ajo që nevojitet është parandalimi i vetëvrasjeve“, thotë Deborah Stone e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

Charlie dhe Hannah Lucas, motër e vëlla, janë krijuesit e aplikacionit “NotOK”, një mjet dixhital për të ndihmuar në trajtimin e problemit.

Aplikacioni “NotOK” është në thelb një buton paniku dixhital, që kur shtypet dërgon një mesazh me shkrim që thotë: “Nuk jam mirë! Më telefononi, më shkruani ose hajdeni këtu!”, thotë Charlie Lucas bashkëkrijues i aplikacionit.

Mesazhi shkon tek një grup i parazgjedhur personash, deri në 5 kontakte të ngushta, së bashku me vendndodhjen e dërguesit të tij. Krijuesit e aplikacionit mbrritën tek kjo ide ndërsa Hannah luftonte me një sëmundje që i shkaktonte gjendje të fikti.

Quhet sindromi postural ortostatik i takikardisë. Në thelb më shkakton gjendje të fikti. Kam humbur ditë të tëra shkolle për këtë shkak, pasi isha gjithmonë ai fëmija i sëmurë, që kishte takime me mjekun, ndodhej në urgjencë, merrte serume, bënte analiza gjaku, gjithçka“, thotë Hannah Lucas bashkëkrijuese e aplikacionit.

Hannah thotë se shpesh kishte qenë viktimë e bullizmit në shkollë për shkak të gjendjes së saj.

Kisha gjithmonë frikë. Situata mbrriti në një pikë kur kisha frikë të largohesha nga krevati. Nisa të vuaj nga depresioni dhe ankthi, situata ishte vërtet shqetësuese, kisha çrregullime të ngrënies, dëshirë për të lënduar veten dhe përpjekje të shumëfishta për vetëvrasje. Ishte e tmerrshme“, thotë ajo.

Kam qenë i paaftë ta ndihmoj për një kohë të gjatë sepse sa herë që ajo binte, unë nuk mund të isha atje, nuk mund ta dërgoja tek doktori, nuk mund të bëja asgjë për të. Pasi më rrëfeu idenë e saj, thashë pse jo… dhe po atë ditë krijova prototipin e aplikacionit”, thotë Charlie Lucas.

Aktualisht gjendja e Hannës është më e mirë. Ajo thotë se aplikacioni nuk është vetëm për parandalimin e vetëvrasjes, por mund të përdoret nga të gjithë ata që nuk ndihen mirë.

Pavarësisht asaj që po kaloni, duhet t’i ruani lidhjet me njerëzit, sepse izolimi i vetes thjesht do t’i bëjë gjërat më keq“, thotë Hannah.

Charlie dhe Hannah Lucas kanë fituar disa çmime për aplikacionin, përfshirë një të marrë së fundmi nga organizata amerikane jofitimprurëse e Shëndetit Mendor. Që nga dita që doli në përdorim për publikun e gjerë aplikacioni është shkarkuar më shumë se 15 mijë herë. (voa)

Hulumtuesit testojnë rrjetin 5G

5GFundi i këtij viti do të shënojë hapat e parë të instalimit të rrjetit të shumë-pritur celular, që njihet si 5G, i cili ofron qasje më të shpejtë në internet. Në mes të provave për gatishmërinë e këtij rrjeti janë edhe hulumtuesit nga universitetet “Lund” dhe “Bristol” në Suedi. Synimi është që shpejtësia prej 1 gigabit për sekondë, të jetë mesatarja normale për pajisjet në rrjetin 5G.

Në kampusin e universitetit Lund në jug të Suedisë gjendet laboratori i parë në botë për testimin e rrjetit 5G.

Profesori Fredrik Tufvesson merret me hulumtimet në Universitetin Lund.

“Kemi laboratorin e parë që kryen prova në kohë reale për dërgimin dhe marrjen e të dhënave masive, ku demostrojmë se kjo teknologji aktualisht funksionon në mjedise të zakonshme dhe se mund të vihet në zbatim.”

Në një ndarëse të madhe janë montuar 144 antena individuale. Dy telefona celularë të bashkangjitur mbi tuba portativë, ku secili është i lidhur me tela në bazën e stacionit, imitojnë katër përdorues të ndryshëm duke transmetuar të dhënat e tyre në stacionin bazë.

“Bazuar në të dhënat e marra në stacionin bazë, ne mund të llogarisim dhe ndajmë përçimin e ndryshëm të të dhënave”, thotë profesori Tufvesson.

Gjatë provave laboratorike vitin e kaluar, hulumtuesit arritën të regjistrojnë shpejtësi 20 herë më të lartë se rrjeti i sotëm 4G.

Pas provave në laborator, tani po testojnë aftësitë e teknologjisë kur përdoruesit janë në lëvizje.

Studenti Erik Bengtsson në një dhomë aty pranë po kryen teste të tjera.

“Në njërën anë kemi mbi 200 antena dhe 128 në krahun tjetër. Synimi është që të transmetojmë sinjalin shumë shpejt mes të gjitha antenave dhe masim trasmetimin nga një antetë tek tjetra. Kështu mund të masim karakteristikat e dhomës dhe si reagon sinjali në bazë të madhësisë së dhomës.”

Në dhomën tjetër të provave, profesori Tufvesson tregon përfitimet që teknologjia 5G do të sjellë për industrinë.

“Industrive do t’u mundësohet përdorimi i aplikimeve të reja me pengesa më të pakta në rrjet dhe siguri më të madhe. Këto janë dy gjëra të nevojshme për të arritur nivelin tjetër të lidhjeve celulare, për përdorim të plotë në lëmin industrial.”

Shpresa është që rrejti 5G të ndihmojë në rritjen përdorimit të teknologjisë për pajisjet në internet, duke ofruar infrastrukturën e nevojshme për shkëmbime të dhënash në sasi të larta. (voa)

Shqipëria dhe Maqedonia fillojnë bisedimet në fund të 2019

BE ALShtetet e Bashkimit Evropian kanë rënë në parim dakord për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Megjithëse ato nuk do të zhvillohen aq shpejt sa kanë shpresuar këto vende.

Po me kusht: Vendet e Ballkanit Shqipëria dhe Maqedonia mund të shënojnë në kalendaret e tyre fillimin e bisedimeve të pranimit me Bashkimin Evropian. Megjithëse ato nuk do të zhvillohen aq shpejt sa kanë shpresuar. Fillimisht duhet të plotësojnë kushtet.

Shtetet e Bashkimit Evropian kanë rënë në parim dakord për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por vendet duhet të tregojnë se po bëjnë përparime në reforma, para se bisedimet e para të fillojnë në fund të vitit tjetër, bënë të ditur diplomatët të martën (26.06) në Luksemburg, mbas bisedimeve të ministrave për çështjet evropiane të vendeve të BE.

Me fillimin e bisedimeve të pranimit, Bashkimi Evropian kërkon të shpërblejë të dy vendet për përpjekjet e bëra në fushën e reformave dhe t’ i nxisë për reforma të tjera. “Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë “përparime që ia vlen të përmenden”, tha ministri gjerman i shtetit për çështjet evropiane, Michael Roth, nga Partia Socialdemokrate. Përveç kësaj një rol luajnë interesat e politikës së sigurimit dhe interesat ekonomike.

Vendet e Ballkanit ndodhen midis Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të BE që ndodhen në kufirin evropian si Greqia, Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe Kroacia. Si shumë e ndërlikuar shihet në Bruksel “boshllëku” i krijuar në mes të Bashkimit Evropian, ku mundohen aktualisht të rrisin ndikimin e tyre Rusia, Kina dhe Turqia.

«Ne duhet të pranojmë të gjithë që paqja, stabiliteti dhe demokracia në Ballkanin Perëndimor janë të një rëndësie të madhe për të gjithë ne në Bashkimin Evropian” komentoi Roth.
Por deri sa Shqipëria dhe Maqedonia të bëhen vërtet anëtare të Bashkimit Evropian do kalojnë dhe disa vjet. Arsyet pse është kështu janë mes të tjerash deficitet në fushën e shtetit juridik, pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe luftimi i kriminalitetit. Nëse janë plotësuar kriteret apo jo, vlerësohet nga shtetet anëtare me votim në secilin nga vendet.

Sipas të dhënave nga rrethet diplomatike marrja e vendimit nga vendet e BE u bë mbas zhvillimit të diskutimeve shumë të vështira. Kompromisi parashikon që fillimi zyrtar i bisedimeve të pranimit të kushtëzohet me një vlerësim tjetër të përpjekjeve për bërjen e reformave. Kështu për shembull Shqipëria duhet të tregojë edhe një herë se po bën përparime në fushën e shtetit juridik dhe luftimin e korrupsionit dhe të kriminalitetit të organizuar. Për Maqedoninë do të vlerësohen përparimet në luftimin e korrupsionit dhe reformën e administratës publike.

Që bisedimet e pranimit mund të kthehen mbrapsht apo të pezullohen krejt e tregon aktualisht rasti i Turqisë. Bisedimet me Turqinë, vend kandidat për pranim filluan më 2005, por aktualisht kanë ngrirë për shkak të zhvillimeve në vend.

E paqartë mbeti ditën e martë, se sa e lidhur është drita jeshile e vendeve të BE-së me pranimin e Shqipërisë, për të ndërtuar kampe pritëse për refugjatët. Kancelari austriak Sebastian Kurz dhe presidenti i Parlamentit Antonio Tajani, patën folur ditët e fundit për ngritjen e një kampi të tillë jashtë kufijve aktual të Bashkimit Evropian.

Një “Jo” për fillimin e bisedimeve të pranimit do kishte qenë goditje e fortë për Maqedoninë, e cila deklaroi para pak kohësh, se është e gatshme të ndryshojë emrin për të shuar grindjet shumëvjeçare me Greqinë.
Krah Maqedonisë dhe Shqipërisë kandidatë zyrtarë për pranim në BE janë edhe Mali i Zi dhe Serbia. Me këto vende janë madje duke u zhvilluar bisedime. Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova shihen si kandidate potenciale për bisedimet. (dw)

Wess Mitchell: Evropa, Ballkani dhe trysnitë politike

Wes MitchellNdihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Wess Mitchell bëri një pasqyrë të politikës amerikane në Evropë duke theksuar se kontinenti është edhe një herë një teatër i konkurrencës serioze strategjike. Në një seancë dëgjimore para një nënkomisioni të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal, diplomati amerikan tha se Evropa po përballet me presione në shumë fronte si fushatat strategjike nga Rusia dhe Kina, vala rekord e imigracionit, ambicjet e Iranit në Mesdhe dhe një krizë besimi në institucionet evropiane.

Rusia dhe Kina janë veçanërisht agresive në Evropën Qendrore dhe Lindore. Përparësia jonë, tha ndihmës sekretari Mitchell, është të frenojmë agresionin rus.

“Ne kërkojmë një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia të ndalë sjelljen e saj agresive. Ne nuk do të bëjmë kompromis me parimet tona apo aleatët tanë. Siç tha Sekretari Pompeo, vitet e politikës së butë që mundësuan agresionin rus kanë marrë fund; ne do të vazhdojmë t’ia rrisim kostot agresionit rus derisa

Presidenti Putin të zgjedhë një rrugë të ndryshme”.

Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë një strategji afatgjatë për të forcuar praninë amerikane në Mesdheun Lindor duke kultivuar Greqinë si një shtyllë stabiliteti në Mesdhe dhe në Ballkanin Perëndimor dhe duke punuar për të forcuar sistematikisht sigurinë dhe bashkëpunimin energjitik me Qipron.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën tha se Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.

“Përmes një diplomacie aktive dhe koordinimi të ngushtë me BE-në, ne mbështetëm udhëheqësit vizionarë, kryeministrin Tsipras dhe kryeministrin Zaev për arritjen e një marrëveshjeje historike në ngërçin për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ne kemi shtuar komunikimin me Serbinë dhe Kosovën dhe po promovojmë reforma në Bosnjë-Hercegovinë”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të senatores Jeanne Shaheen lidhur me demonstratat e zhvilluara në Greqi dhe Maqedoni dhe mundësinë që këto zhvillime të ndikojnë negativisht në ratifikimin e marrëveshjes, ndihmës sekretari i Shtetit tha se është i shqetësuar nga mundësia e një ndërhyrjeje të Rusisë, e cila u pa qartë në Malin e Zi. Ai tha se përfaqësuesit rusë kanë bërë deklarata kërcënuese duke e bërë situatën shqetësuese. “Ua kemi bërë të qartë rusëve se po e monitorojmë situatën nga afër dhe se nuk i takon Moskës të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë”.

Ndihmës sekretari i Shtetit e sheh zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë të një përmase si marrëveshja e Dejtonit që i dha fund konfliktit të viteve 90 në Ballkan. Ai tha se efektet e suksesit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë do të shërbejnë si një mundësi e mirë për të vazhduar zgjidhjen e problemeve të tjera në Ballkan, si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjendja në Bosnje-Hercegovinë. (voa)

Ivanov nuk e nënshkruan vendimin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë

ivanovPresidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka bërë të ditur se nuk e nënshkruan vendimin e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

“Nuk kam mandat që ta nënshkruaj vendimin. Një nga shtyllat e politikës sime të programit parazgjedhor ka qenë se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues”, nënvizon Ivanov në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Ai thekson më tej se nuk pranon ide as propozime të cilat “do ta rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin maqedonas të bashkëjetesës”.

Z. Ivanov thotë se marrëveshja me Greqinë nuk ka bazë kushtetuese:

se ligji për ratifikimin e marrëveshjes nuk është në përputhje me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Ai vlerëson se marrëveshja e vë Maqedoninë në një pozitë të nënrenditur dhe të varur ndaj një shteti tjetër, përkatësisht ndaj Greqisë dhe kjo, sipas tij, “është e dënueshme me ligj prej më së paku pesë vjet burg për personin që e bën këtë vepër”.

Parlamenti i Maqedonisë para një jave e miratoi me 69 vota marrëveshjen e nënshkruar në rajonin e Prespës greke më 17 qershor nga ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov në praninë e kryeministrave të dy vendeve fqinje dhe të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të OKB-së.

Pas këtij vendimi të presidentit maqedonas, parlamenti pritet ta miratojë për së dyti marrëveshjen, pa zhvilluar më debat dhe në një rast të tillë presidenti i vendit, sipas kushtetutës, detyrohet ta dekretojë vendimin.

Por, Ivanov ka treguar edhe më parë se nuk i përfillë detyrimet kushtetuese, siç ishte rasti me ligjin e gjuhëve që i mundësonte një shtrirje të gjerë përdorimit të gjuhës shqipe e që nuk mund të hyjë në fuqi pa nënshkrimin e presidentit.

Nga ana tjetër, drejtues shtetërorë me ndikim dhe të organizatave ndërkombëtare kanë uruar kryeministrat Zaev dhe Tsipras për marrëveshjen, e cila Republikës së Maqedonisë Veriore do t’i hapte rrugët e integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Qeveria në Shkup planifikon që marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit ta nxjerrë në referendum në fillim të vjeshtës. Më pas, parashihen të bëhen edhe ndryshime kushtetuese. (voa)

“Mos kini frikë nga shqiponja!”. Rama publikon llogarinë, kontribute për Xhakën e Shaqirin

shqiponjaFobisë ndërkombëtare, kryesisht serbe dhe organeve të futbollit europian e botëror, komuniteti shqiptar i është kundërpërgjigjur për të legjitimuar një mënyrë festimi normale dhe mbi të gjitha që s’duhet të tremb askënd.

Gjithçka nis me festimin e golave që bën dy futbollistët shqiptarë të përfaqësueses zvicerane Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirit, në ndeshjen që fituan 2-1 ndaj Serbisë. FIFA notës së protestës së palës serbe dhe lobimeve të tyre ju përgjigj me gjobitje të dy lojtarëve shqiptarë me nga 10 mijë franga secilin nga dy lojtarë shqiptarë dhe 5 mijë franga kapitenin zivceran Lishtajner, që bëri të njëjtën gjë.

Për këtë padrejtësi ka reaguar edhe Kryeministri i vendit Edi Rama, i cili nëpërmjet një publikimi në rrjetin e tij social “Facebook”, ka sqaruar edhe një herë që shenja e dy duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv, në “Raiffeisen Bank” është hapur llogaria “MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA”.

Kjo është një llogari në të cilën po kontribuohet për të paguar gjobën e cila në total është 25 mijë franga zvicerane për të tre lojtarët. Një nismë e tillë është ndërmarrë edhe në europë ku prej rreth 14 orësh ka filluar grumbullimi i fondeve. Sipas të dhënave të para flitet të jenë grumbulluar deri në këto momente rreth 12 mijë dollarë.

Top Channel

FIFA gjobiti futbollistët shqiptarë të Zvicrës

xhaka shaqiri“FIFA mbështeti RACIZMIN!!!.

Shenja e shqiponjës me duar simbolizon shqiponjën e flamurit të kombit shqiptar me të cilën identifikohen shqiptarët. Ndërsa serbët kanë averzion ndaj çdo shenje shqiptare.

Me dënimin e  futbollistëve shqiptarë, që festuan duke bërë shenjën e shqiponjës, FIFA ra pre e mosdurimit serb ndaj cdo gjëje  shqiptare dhe në mënyrë indirekte FIFA fatkeqësisht mbështeti RACIZMIN.”

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, gjobiti dy futbollistët e Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka dhe i paralajmëroi ata lidhur me festimin e tyre pas golave që shënuan në ndeshjen kundër ekipit të Serbisë, të cilin Zvicra e mundi me 2 me 1 të premten në kuadër të kampionatit botëror të futbollit.

Të dy futbollistët shqiptarë, me prejardhje nga Kosova, festuan duke bërë shenjën e shqiponjës, që është simboli në flamurin kombëtar shqiptar.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall dhjetë vjet më parë më mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore.

Të dy futbollistët u gjobitën e nga 10 mijë franga zvicerane, (afërsisht 10 mijë e 126 dollarë amerikanë) për “sjellje josportive në kundërshtim me parimet e lojës fer”, ndërsa kapiteni i ekipit të Zvicrës, Stephan Lichtsteiner, i cili u bashkua me festimet, u gjobit me 5 mijë franga zvicerane dhe u paralajmërua.

FIFA gjobiti me 54 mijë franga Federatën Serbe të futbollit dhe e paralajmëroi atë për “shpalosjen e parullave dhe mesazheve diskriminuese” nga tifozët, ndërsa presidenti i saj Slavisha Kokeza dhe trajneri Mladen Kërstajiç, u gjobitën me nga 5 mijë franga.

Futbollistët shqiptarë, i kanë hedhur poshtë pohimet se veprimet e tyre kishin prapavijë politike.

“Për mua ishte vërtetë një ditë e posaçme”, ka deklaruar Granit Xhaka pas ndeshjes së të premtes. “Kjo është një fitore për familjen time, për Zvicrën, Shqipërinë e Kosovën. Veprimi ishte për të gjithë ata që më mbështesin dhe nuk kishte të bënte me kundërshtarët. Ishte një lojë vërtetë emocionale”, tha ai.

Xherdan Shaqiri tha se “nuk ka të bëj asgjë me politiken, kjo ka të bëj me futbollin”.

Trajneri serb Mladen Kërstajiç, është gjobitur “për shkak të deklaratave pas ndeshjes”. Mediet cituan atë të ketë thënë se gjyqtari gjerman Felix Brych, që sipas tij nuk akordoi një penalti për ekipin e tij, “duhet të vihet para gjykatës së Hagës” duke ju referuar Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Zvicra fitoi kundër Serbisë me rezultatin 2 me 1 të premten në një ndeshje që nxiti shume emocione e reagime ne Serbi dhe në Kosovës. Golat për Zvicrën u shënuan nga futbollistët Xhaka e Shaqiri.

Fitorja e Zvicrës u kremtua edhe në Kosovë si dhe u mirëprit edhe nga udhëheqës politik shqiptarë, ndërsa politikanë në Serbi e cilësuan të trishtueshme humbjen në ndeshjen e së premtes. (VF)