Pete Marocco po viziton Kosovën

Pete MaroccoZëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Pete Marocco, po qëndron në Kosovë, në kuadër të një vizite ne rajon.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me zotin Marocco, tha në një postim në rrjetin social Facebook se Kosova është e angazhuar për fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

“Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Qëndrueshmërisë dhe Sigurisë, Pete Marocco, e informova për veprimet që ka ndërmarrë qeveria për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm, dhe në këtë aspekt ne qëndrojmë të pa luhatur përkrah aleatëve tanë”.

Sipas kryeministrit Haradinaj, anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të ndihmonte në luftimin e krimit ndërkombëtar. “Në këtë drejtim, përkrahja e shteteve mike, veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë, është e domosdoshme, në funksion të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”,thuhet në postimin e kryeministrit Haradinaj.

Zoti Marocco, po diskuton me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nismat rajonale për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, përpjekjet për të forcuar dialogun ndërfetar dhe mbështetjen për anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian. (voa)

BE kërkon bashkëpunimin e Kinës, Shteteve të Bashkuara, Rusisë

Kina EUBashkimi Europian po i kërkon Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që të punojnë me Evropën “për të parandaluar konfliktet dhe kaosin” ndërsa “arkitektura e botës po ndryshon”. Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha të hënën se këto tre vende kanë detyrimin të mos fillojnë luftëra tregtare por të reformojnë Organizatën Botërore të Tregtisë. Tusk dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker janë në Pekin për t’u takuar me kryemiminstrin Li Keqiang për dialogun e përvitshëm mes Kinës dhe Bashkimit Evropian.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk foli në hapjen e një takimi mes Kinës dhe Bashkimit Evropian në Pekin të hënën, pak orë përpara samitit të shumëpritur mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Helsinki.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin se arkitektura e botës po ndryshon para syve tanë dhe se është përgjegjësia jonë e përbashkët për ta bërë këtë, një ndryshim për mirë”.

Zoti Tusk tha se Evropa, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të punojnë për të ruajtur rendin global dhe për ta përmirësuar atë duke reformuar rregullat ndërkombëtare të tregtisë.

“Është detyra jonë e përbashkët për Evropën dhe Kinën, Amerikën dhe Rusinë, që të mos e shkatërrojmë rendin, por ta përmirësojmë atë, të mos fillojmë luftërat tregtare që janë kthyer në konflikte të nxehta aq shpesh në historinë tonë, por në mënyrë të përgjegjëshme dhe të guximshme të reformojmë rregullat bazuar në ligjet ndërtkombëtare. Kjo është arsyeja që u bëj thirrje homologëve tanë kinezë, por edhe presidentëve Trump dhe Putin që së bashku ta fillojnë këtë proces përmes një reforme në Organizatën Botërore të Tregëtisë”.

Javën e kaluar, Tusk, ish-kryeministër i Polonisë, kundërshtoi kritikat e presidentit Trump për aleatët evropianë dhe i kujtoi atij që të mbajë mend se kush janë miqtë e tij kur të takohet me Putinin. (voa)

Truri kontrollon përfundimin e filmit

hulumtimi ne NottinghamSa herë ju ka rastisur që nuk ju pëlqen fundi i një filmi? Falë teknologjisë, ndryshimi i fundit të filmit nga spektatorët tani është pothuajse i mundur. Një hulumtues në Mbretërinë e Bashkuar ka prodhuar një film me metrazh të shkurtër që ka disa miliona variante përfundimi. Dhe fundi i këtij filmi mund të manipulohet nga sinjalet e trurit që transmeton shikuesi.

Ajo nuk është një kinema e zakonshme lëvizëse dhe filmi që shfaqet aty nuk është i zakonshëm. Një pjesëtar i kësaj audience po shqyrtonmundësinë nëse shikuesit mund të manipulojnë ato që ndodhin në film. Filmi “The Moment” është ideja teknologjike e një hulumtuesi në Universitetin Nottingham i cili po përdor sinjalet e trurit nga një pjestar i audiencës për të vendosur se çfarë ndodh në film.

Studentja Hulda Cheng nga Amerika ka vënë në kokë një pajisje që lexon aktivitetin elektrik në tru dhe quhet EEG. Pajisja vëzhgon reagimet e saj gjatë filmit.

“Në fillim të filmit kur personazhet vënë maska, u frikësova, dhe u mundova ta ndaloja, por dolën më shumë skena të ngjashme. Sa herë që doja të ndryshoja skenat, kjo nuk ndodhi. Nuk e di pse.”

Sensori nuk mund të kuptojë atë që po mendon individi që ka veshur helmetën, por mund të tregojë nëse vëmendja po shtohet apo po ulet. Ndryshimet që vërehet tek vëmendja sinjalizojnë ndryshimet vizuale tek filmi. Pra, pajisja ofron ndryshimin e skenës së filmit kur mendon se individi po humbet interesin.

Filmi trillues shtjellon ngjarje të errëta të së ardhmes së afërt kur lidhjet e trurit me kompjuterat janë më të përparuar teknikisht dhe të gjithë janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin.

Pajisja që mban në kokë, dërgon sinajle valore në kompjuterin portativ të krijuar nga hulumtuesi Richard Ramchurn i Universitetit Nottingham. Kompjuteri është i pajisur me programe që mund të ndryshojë redaktimin e skenave dhe zërave.

“Për këtë film 24 minuta të gjatë kemi krijuar miliarda kombinime të ndryshme.Çdo skenë mund të ndahet dhe kemi variacione të ndryshme të çdo skene, por edhe çdo sekondë mund të jetë ndryshe. Çdo sekondë ofron një variant të ri të filmit, pra kemi variacione të pafundme të filmit. Gjëja më interesamte është se si shikuesit e kuptojnë filmin.”

Zoti Ramchurn thotë se individi që shikon filmin krijon disa të dhëna psikologjike që nga djersitja apo transmetimi i sinjaleve që lidhen drejtpërdrejt me ndjesitë gjatë shikimit. Në bazë të këtyre të dhënave, thotë ai, individi mund të të ndryshojë skenat.

Në audiencë ndodhet edhe regjisori vizual i filmit, Mat Johns.

“Ngjarja është në një ardhme ku të gjithë janë të lidhur tek platforma që quhet ‘The Moment’ dhe ka shumë të dhëna personale, si të thuash media sociale në një nivel tjetër.”

Hulumtuesi Ramchur thotë se individët që lejojnë mendjen e tyre të zhytet thellë në film, kanë shanse më të mëdha që të influencojnë ndryshimet e skenave nga ata që nuk kanë ndjesi të drejtpërdrejta. Aktualisht ai po fton më shumë njerëz për të provuar nga afër eksperiencën e filmit ku shikuesit mund të përcaktojnë përfundimin. (voa)

Injorimi i dëshmorëve të protestave të Gostivarit në shërbim të një klase politike të kapur

Më 9 korrik 2018 u bënë 21 vjet nga dita kur pushteti në duart e sllavomaqedonasve ushtroi masakrën e paparë në kohë paqeje ndaj shqiptarëve të paarmatosur të Gostivarit, të cilët dolën në protesta paqësore per të drejtën e përdorimit të lirë të flamurit të tyre kombëtar.

Me këtë rast, ekspedita e egër ndëshkuese policore e udhëruar nga LSDM, në atë kohë në qeveri koalicioni me PPD,  la tre të vdekur dhe qindra të plagosur, si dhe ushtroi dhunë çnjerezore në mbi një mijë qytëtarë shqiptarë të Gostivarit, mu ne qender të Gostivarit, gjatë gjithe ditës dhe gjithë natës pas protestave. Me urejtje të pashembullt u rrah barbarisht çdo shqiptar që lëvizte rrugëve të Gostivarit, mu para kamerave të mediave, para syve të opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm që bëri veshin shurdhër. Dhe e gjitha kjo nuk ndodhi në kohë lufte. Kjo masakër nuk ndodhi në një ditë të largët të historisë së shqiptarëve në këto treva. Kjo ndodhi tani, dhe është akoma e freskët në kujtesën e shqiptarëve. Këtë akt barbar nuk e bëri ushtria e ndonje vendi të largët. Nuk u urdhërua dhe zbatua nga personazhe historike të së kaluarës së largët. Këtë akt barbar e urdhëruan, miratuan dhe zbatuan aktorët e njëjtë politikë që sot i gjejmë sërish në pushtet. E njëjta parti politike sllavomaqedonase por tani me shërbëtorë të rinj shqiptarë, që sot vjen me ambalazhimin e ri, atë të partisë shpëtimtare të shqiptarëve nga “gogoli” VMRO, dhe partisë që do të sjelli drejtësi dhe të ardhme europiane për ta. Po e njëjta parti xhelate e cila as që e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje shqiptarëve për këtë dhe për krimet tjera barbare mbi popullatën civile shqiptare. Janë aktorët e njejtë të skenës së kontaminuar politike, si nga pala sllave ashtu edhe nga pala shqipfolëse në shërbim të tyre, me mendesinë e njëjtë mesjetare të skllavëruesit dhe skllavit të bartur në shekullin 21, të cilët tani me mish e shpirt punojnë për të rehabilituar xhelatët dhe bashkëpunëtorët e tyre të së kaluarës dhe me këtë edhe të tashmes. Mu për këtë, klasa politike renegate e shqiptarëve në pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, në vend se të organizojë solemnitete të denja për kujtimin e dëshmorëve Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dautin që sakrifikuan jetën e tyre për një kauzë të drejtë, si dhe për të nderuar të gjithë ata gostivaras, protestues të guximshëm që nderuan flamurin kombëtar duke rrezikuar jetët e tyre, ata organizojnë akademi përkujtimi per xhelatin Abdurahman Aliti, i cili në cilësinë e kryetarit të PPD -së në koalicion me LSDM, dha pëlqimin për vrasjen e këtyre shqiptarëve dhe dhunën ç’njerëzore që ushtroi ekspedita mizore e policisë sllavomaqedonase mbi ta. Me iniciativën e vet kryetarit të BDI-së në koalicion qeveritar, i cili tanimë nuk fsheh rolin e tij prej renegati dhe kolaboracionisti, pikërisht këto ditë u organizua akademi përkujtimi për njeriun që në jetën e tij nuk sakrifikoi as të zezën e thojit për popullin e tij, por përkundrazi qëndroi gjithë jetën në pushtet, duke shijuar benefitet e 12 viteve deputet dhe 4 viteve ambasador, si shpërblim për dëgjueshmërinë dhe miratimin e të gjitha axhendave antishqiptare të padronëve të tij. Shqiptarët, ashtu si nuk toleruan që klasa politike e tyre e kapur, në emër të integrimit të bastardojë gjuhën shqipe për të mbrojtur identietin e vjedhur të sllavomaqedonasve, dhe për t’u siguruar atyre fqinjësi të mire me grekët, ashtu nuk duhet të pranojnë as injorimin e dëshmorëve të tyre si kusht për integrim të tyre si bastardë brenda shteteve sllave. Shqiptarët nuk duhet të pranojnë asnjë lloj integrimi, ashtu të coptuar, dhe duke falur xhelatët, ende pa kërkuar ata falje, e gjitha kjo për të siguruar mbijetesën politike të klasës së tyre politike të koruptuar dhe të kriminalizuar. Pavarësisht përpjekjeve të bandës kriminale shqiptare në pushtet për ta injoruar, zhvlerësuar dhe për ta lënë në harresë këtë datë historike, shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë me respekt dhe mirenjohje sakrificën e dëshmorëve Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dauti si dhe guximin e gostivarasve në mbrojtje të flamurit tonë kombëtar

Afrim Fanda

Asociacioni, ndërmjet Kushtetutës dhe negociatave politike

mitrovica serbiaFormimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe ka mbetur peng i kërkesave politike të përfaqësuesve politikë të bashkësisë serbe në Kosovë, përballë verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të dhjetorit të vitit 2015, ku thuhet se Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e vitit 2015, në disa pika nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit, vlerësojnë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të çështjeve juridike kushtetuese.

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, i cili përbëhet nga katër serbë, ka shprehur edhe më herët skepticizmin se Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca në rast se formohet bazuar në vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, janë nxitur debatet se Asociacioni do të mund të formohet nëpërmjet një ligji të veçantë, që do t’i jepte Asociacionit kompetenca ligjore të rëndësishme, për t’i krijuar pavarësinë e nevojshme në raport me autoritetet qendrore të vendit.

Zenun Pajaziti, deputetet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e koalicionit në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se idesë për një ligj të veçantë për Asociacionin, duhet qasur me kujdes dhe se askush në Kosovë nuk ka mandat që ta anashkalojë Kushtetutën e vendit.

“Në mënyrë eksplicite, për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një opinion dhe mendoj që të gjithë ne jemi të thirrur që ta ruajmë këtë opinion. Por, procesi i bisedimeve, tash, na nxjerr në situata, në të cilat një marrëveshje e mundshme në mes dy palëve (Kosovës dhe Serbisë) me ndërmjetësimin e partnerëve tanë, mund të rezultojë edhe me ndryshime ligjore dhe të tjera te të dyja palët. Mendoj se ne nuk kemi ardhur ende në këtë pikë. Duhet t’ia lëmë procesit të bisedimeve, të dialogut, mundësinë që të nxjerrin në pah kërkesat, të dy palët”, thotë Pajaziti.

Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se kërkesat e Grupit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, janë të papranueshme, sepse janë në s’përputhje të tërësishme me Kushtetutën e Kosovës dhe me gjithë legjislacionin e vendit.

“Ata e duan një ligj kushtetues, me të cilin do të rregulloheshin të gjitha çështjet, por që në fakt e krijojnë një krijesë, republikë brenda republikës. Pra, një krijesë kuazishtetërore, por që në fakt është shtetërore, me ingerenca dhe kompetenca edhe vendimmarrëse dhe më tepër se ekzekutive, duke përfshirë edhe pavarësinë ekonomike brenda saj. Janë kërkesa të papranueshme dhe në s’përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në të cilin ka konstatuar që mbi 23 herë është shkelur Kushtetuta në njërën prej dy marrëveshjeve të Brukselit. Gjithashtu, janë në s’përputhje edhe me vetë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thekson Baraliu.

Profesor Baraliu shton se kërkesa e serbëve për një ligj kushtetues për Asociacionin, është krejtësisht në kundërshtim me konceptin e një shteti unitar, i cili është në përmbajtjen e Kushtetutës së Kosovës.

Por, çfarë në rast se kërkesa e palës serbe në dialogun e Brukselit, do të jetë formimi i Asociacionit sipas një ligji të veçantë?

Deputeti Pajaziti thotë se nuk duhet paragjykuar rrjedha e dialogut.

“Unë i kam parë debatet, tash që kanë dalë këto dy ditë, rreth statutit të Asociacionit. Mendoj që ne duhet të presim propozimet e palëve. Po e përsëris që askush nuk ka mandat në vendin tonë që të bëjë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën. Nëse ka një propozim të tillë, ne duhet të hyjmë në një proces tjetër të ri, një proces të ndryshimeve kushtetuese. Mendoj që nuk kemi ardhur në këtë pikë dhe shpresoj që të mos vijmë”, shprehet Pajaziti.

Por, profesor Baraliu shpreh mendimin se në asnjë mënyrë nuk duhet ofruar hapësirë që të shtrohen nismat apo idetë eventuale të Ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit apo kujtdoqoftë tjetër, për një ligj të veçantë apo ligj kushtetues për Asociacionin.

“Nga të tilla fjalë, iniciativa dhe propozime për projekt-statute, mund të krijohen realitete, të cilat në fakt e rrezikojnë funksionimin e Republikës së Kosovës si shtet dhe për më tepër si shtet republikë e qytetarëve. Rrezikojnë barazinë e qytetarëve dhe krijojnë disbalanse dhe situata asimetrike në dobi të dikujt, pra, duke favorizuar në këtë rast komunitetin serb përmes këtij Asociacioni dhe duke diskriminuar të gjitha komunitetet tjera, pakicë dhe shumicë”, vlerëson Baraliu.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dorëzuar në fund të qershorit një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e Ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit.

Zyrtarët nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dashur të flasin lidhur me kërkesat eventuale të këtij Ekipi menaxhues, si dhe për ndonjë përgjigje eventuale të Qeverisë ndaj atyre kërkesave.

Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. (rel)

Hahn, me Ramën në Bruksel: Negociatat, qëllim i përbashkët

rama-hahnNjë javë përpara se të mbërrijë në Tiranë, bashkë me ekipin e tij, për të vënë në jetë zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm, Komisioneri Johannes Hahn u shfaq në krah të kryeministrit shqiptar Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel.

Hahn u shfaq optimist për ecurinë e reformave nga Tirana zyrtare, për atë që e quajti qëllim të përbashkët.

“Komisioni Europian do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e reformave për hapjen e negociatave për vitin e ardhshëm. Do të bëhet gjithçka për të ecur përpara me hapat e parashikuar për negociatat. Ne do të jemi edhe në Tiranë. Do të flasim me qeverinë dhe opozitën. Do të arrijmë këtë qëllim për shoqërinë shqiptare. Është qëllim i përbashkët, që na përket të gjithëve”, tha Johannes Hahn, Komisioneri për Zgjerimin.

“Jemi të gatshëm të nisim përgatitjet për hapjen e negociatave dhe të përmbushim gjithçka na është kërkuar. Nuk do të humbasim asnjë moment, edhe pse na presin muaj të vështirë përpara. E rëndësishme është që pamë një numër shumë të madh vendesh të BE-së që njohën meritat e Shqipërisë, pasi 25 vende ishin për hapjen e menjëhershme të negociatave”, tha Edi Rama, kryeministër.

I pyetur nëqoftëse një marrëveshje me Greqinë fqinje do të përshpejtonte hapat për Shqipërinë drejt BE-së, Komisioneri Hahn u përgjigj:

“BE-ja nuk pranon asnjë vend që ka konflikte me ndonjë fqinj. Ka pasur keqkuptime për vijën kufitare, besoj se do të zgjidhet brenda dy javësh”.

Top Channel

Veliaj: Teatri i ri spektakolar, 8 herë më i madh në tokën ekzistuese

veliajGjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në Rrugën e Kavajës për shtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se një nga arsyet pse teatri po sulmohet kaq shumë, lidhet me shembujt e deritanishëm, ku çdo projekt i nisur nga qeveria dhe bashkia është kurorëzuar me sukses.

“Arsyeja pse teatri po sulmohet kaq shumë është e thjeshtë: e dinë që po iu fut një pune qeveria e bashkia, do ta “qajnë” atë punë, siç me këndin e lojërave te Liqeni, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, Sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri etj. Në fakt, kjo është një përpjekje e dëshpëruar e ca kalamajve që drejtojnë sot opozitën, të cilët e dinë që teatri i ri do të jetë një vepër spektakolare, 8 herë më i madh në tokën e vet, e sigurisht, do të marrë çmime. Ata i druhen faktit që për 4 vite nuk bënë asgjë në Tiranë dhe e dinë që gjëja tjetër ku qeveria e bashkia do vërë dorë, do jetë një mrekulli. Kjo i shqetëson”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku komentoi sulmin e pakuptimtë të opozitës ndaj arkitektit danez, Bjarke Ingels, një nga më të mirët në botë në fushën e arkitekturës. “Jam i ndërgjegjshëm që në Tiranë ka politikanë me rezidencë në Holandë, por ama sillen si ballkanas 500 vite të prapambetur. Kur një ‘politikan holandez’ i thotë një arkiteti danez s’të lë të futesh në Shqipëri, i ngjan një kalamani të llastuar të një lagje tipike tironse, që nuk lë askënd të vijë nga lagjja tjetër e të luajë tek lagjja e tij. Fatkeqësi e opozitës, që ka kalamaj për drejtues, ndërkohë fat për Tiranën që është zgjuar nga gjumi, që ka një qeveri e një bashki në krye të punëve për të ecur përpara. Siç po vazhdojmë me korsitë e biçikletave, do vijojmë me teatrin e ri, me korsitë e dedikuara të autobusëve, me ndërhyrjet në Ujësjellës”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ndihet i keqardhur nga politikanët me rezidencë në Holandë, që shohin vetëm hallin e tyre. “Kanë vetëm hallin e tyre; rezidencën e kanë në Holandë, shtëpinë në Holandë, fëmijët i rrisin në Holandë dhe kur ne mundohemi ta bëjmë sadopak Shqipërinë si Holanda e Danimarka, këta sillen si fëmijë”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te rrjeti i ri i biçikletave, kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se ndërtimi i korsive të reja ka sjellë trefishimin e përdoruesve në kryeqytet. “Jam i lumtur me mënyrën si po shpërndahet me shpejtësi të jashtëzakonshme i gjithë rrjeti i biçikletave në Tiranë. Falenderoj shumë kolegët e ambasadës holandeze që kanë dizenjuar një rrjet inxhinierik, i cili do t’i japë qytetit korsitë minimale të paktën brenda Unazës dhe besoj se nëse numrat vazhdojnë e rriten, siç janë rritur këto kohë, ku është trefishuar numri i atyre që përdorin biçikletat qoftë mobike apo biçikletat e tyre private, them se Tirana është në rrugë të mbarë”, tha Veliaj. Ai premtoi më shumë hapësira të dedikuara për këmbësorët, ndërsa theksoi se rikthimi i biçikletave do të shpëtojë kryeqytetin nga trafiku.

“Nëse projektojmë e ndërtojmë për këmbësorë, do kemi këmbësorë, siç është sheshi ‘Skënderbej’ apo Pazari i Ri apo këndi i lojrave; nëse projektojmë e ndërtojmë për biçikleta, do kemi më shumë për biçikleta, e nëse ndërtojmë për makina do kemi më shumë makina. Do të thotë që pjesa tjetër duhet ndarë në mënyrë demokratike mes atyre që kanë biçikleta dhe këmbësorëve. Kjo është një përpjekje për t’i qëndruar reputacionit të Tiranës, e cila po merr çmime pothuajse çdo javë për ndryshimet që po bën” tha Veliaj.

Brenda një kohe të shkurtër, Bashkia e Tiranës do të përfundojë dhe lidhjen e korsisë së biçikletave nga zona e “21 Dhjetorit” me “Vasil Shanton”, “Zogun e Zi” e deri te Pallati me Shigjeta, duke përmbyllur edhe një cikël të madh që është rreth 12 km. Por, projekti nuk do të ndalet me kaq, pasi ai do të vijojë edhe vitin e ardhshëm me të tjera kilometra të dedikuara për qytetarët që preferojnë të lëvizin me biçikletë.

Top Channel

Si mund të dalësh nga NATO-ja

Quarti qendror i NatosA kërcënoi Presidenti i SHBA Trump me dalje të vendit të tij nga NATO-ja apo jo? Sido që të jetë, një shtet mund të dalë nga NATO dhe mund të dalë çuditërisht lehtë.

Në nenin 13 të Marëveshjes së NATO-s thuhet: “Pas një vlefshmërie kohore 20 vjeçare të Marrëveshjes çdo shtet që ka lidhur marrëveshjen mund të dalë nga kjo marrëdhënie, dhe kjo mund të ndodhë pikërisht një vit pas deklarimit të ndërprerjes së marrëveshjes përballë qeverisë së SHBA, e cila do t’u njoftojë qeverive të shteteve të tjera që kanë lidhur marrëveshjen dorëzimin e çdo deklarate për ndërprerje të marrëveshjes.”

Pra një vit afat për ndërprerje të marrëveshjes, pa nevojë për të dhënë argumentim, pra e gjitha shumë thjesht. Në dallim nga Bashkimi Evropian, në të cilin deri pak vite më parë as që ishte parashikuar një dalje si Brexiti që kemi përpara, dhe prandaj nuk qe përcaktuar asnjë procedurë, te NATO-ja, që prej themelimit të saj ekziston mundësia që të largohesh prej aleancës.

Megjithatë, në historinë gati 70 vjeçare të NATO-s nuk ka pasur asnjë dalje të vetme nga organizata. Por ka pasur dalje nga struktura e saj ushtarake. Kjo do të thotë që disa shtete vërtet kanë mbetur anëtarë të NATO-s, por për një periudhë kohe nuk kanë dashur që t’i vënë trupat e tyre në shërbim të strukturave komanduese të NATO-s. Të gjitha këto shtete megjithatë e kanë sprapsuar më vonë këtë hap të tyre.

Jo dalje, por largim nga strukturat ushtarake

Shembulli më i njohur është Franca. Presidenti i Francës, Charles de Gaulle e perceptonte NATO-n në vitet 1960 gjithnjë e më shumë si instrument të interesave gjeopolitike amerikane dhe si ngushtim të pavarësisë franceze. Prandaj forcat e armatosura franceze u larguan në vitin 1966 nga strukturat komanduese të NATO-s. Pasojë e kësaj ishte edhe që kuartieri kryesor i NATO-s, që atëherë ndodhej në Paris, u zhvendos në Bruksel. Franca u kthye vetëm në vitin 2009, nën Presidentin Sarkozy në strukturat ushtarake të NATO-s. Që në vitet 1990, në kohën e luftërave të Jugosllavisë pati një riafrim të palëve.

Franca nuk mbeti rasti i vetëm. Edhe Greqia nuk ka qenë në vitet 1974 deri 1981, Spanja në vitet 1986-1999 pjesë e strukturës komanduese të NATO-s, por anëtarë të NATO-s ato mbetën. (dw)

Reagimet nga Maqedonia: Ftesa për në NATO – ëndërr e realizueshme

Zaev NatoBisedimet për anëtarësim në NATO nisin me marrjen e fteses. Por Maqedonia duhet të finalizojë marrëveshjen me Greqinë deri në mars të vitit 2019.

Bisedimet paraaderuese të Maqedonisë për anëtarësim në NATO tani më mund të konsiderohen si të nisura që nga momenti i marrjes së ftesës për anëtarësim.  James Mackey nga departamenti i çështjeve politike dhe të sigurisë pranë NATO-s do të jetë përfaqësuesi kryesor i Aleancës Veritlantike në bisedimet para anëtarësimit. Bisedimet pritet të përfundojnë më së voni deri në mars të vitit 2019, ndërsa deri atëherë Maqedonia do të duhet ta finalizojë Marrëveshjen me Greqinë për emrin, me qëllim që vendet anëtare të NATO-s të nisin ratifikimin e protokollit aderues.

Procesi i tërësishëm i anëtarësimit pritet të përfundojë brenda 1 viti e gjysmë. Koordinatori kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për hyrje në NATO Stevo Pendarovski thotë se për Maqedoninë detyrë më konkrete është implementimi deri në fund i marrëveshjes me Greqinë. “NATO-ja do të na vlerësojë nëpër këtë prizëm, nuk do të jetë e mjaftueshme t’i plotësojmë vetëm kushtet juridike, teknike ushtarake, por edhe politike”, ka deklaruar  Pendarovski.

Zaev: Sukses i qytetarëve

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev nga Brukseli i ftoi qytetarët e Maqedonisë më 14 korrik në festë të përbashkët në 15 qytete nëpër vend për ta festuar ftesën për në NATO si një sukses të madh për të gjithë qytetarët. “Maqedonia shkon vetëm përpara, ndërsa qytetarët po radhitin edhe një sukses të madh. Urime Maqedoni. NATO-ja vendosi të dërgojë ftesë për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës. E morëm ftesën për t’u bërë aleat i vendeve më të fuqishme të botës. Pritëm edhe një ditë të madhe. I realizuam qëllimet tona strategjike, ëndrrat dhe shpresat tona të përbashkëta “, ka deklaruar Zaev.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani nga selia e NATO-s në Bruksel përmes video-porosisë ka thënë se ftesa për anëtarësim në NATO është ditë historike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. “Sot mbyllim një kapitull nga zhvillimi shoqëror dhe shtetëror i Maqedonisë. Ne fillojmë proces të ri i cili bëhet i pakthyeshëm për anëtarësim në NATO dhe  BE. Këto janë hapa komplementare”, thotë Osmani në video porosinë.

VMRO sërish me kritika

Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një video të publikuar bënë thirrje për protesta këtë të diel në Kavadar, kundër politikës qeveritare.

“Nuk ka as datë pa kusht për negociata me BE e as ftesë të pakushtëzuar për NATO. Kjo po ndodh pasi ne kemi një qeveri të paaftë. Ju duhet të ndaloni humbjet, dhe përgjigja për këtë është secili prej jush të protestoj. Prandaj, ne do të vazhdojmë të protestojmë, ju thërras në qytetin e Kavadarit të dalim në marsh proteste”, është shprehur Mickoski.

LSDM : Anëtarësimi në NATO ofron benificione të shumta

Nga LSDM-ja në pushtet kundërpërgjigjen se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë vetëm stabilitet në siguri , anëtarësimi ka domethënie edhe për më shumë investime, përforcim i besimit ndërkombëtar në ekonominë e Maqedonisë, vende të reja të punës dhe më shumë para në çdo familje. “Pas viteve të izolimit, pasigurisë dhe ngecjes, sot dyert për anëtarësim në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në janë të hapura, identiteti maqedonas dhe ardhmëria janë siguruar. Maqedonia bëhet pjesë e familjes të cilës i takon”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ftesa për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonoisë me NATO është një lajm i mirë jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë por edhe për gjithë rajonin, vlersojnë analistët “Anëtarësimi në NATO e rritë sigurinë dhe sjell beneficione tjera për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Edhe për ne në këtë rast, vlen e njëjta procedurë, e cila ishte edhe për Shqipërinë edhe për Kroacinë, por kusht shtesë është finalizimi i Marrëveshjes me Greqinë”, thotë analisti Sefer Tahiri.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruxhin nuk pret pengesa në procesin e referendumit apo të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese, kushte këto që duhet t’i plotësojë Maqedonia për aderim në NATO. Por në rast të dështimit eventual, atëherë sipas tij vendi do të ishte pa perspektivë apo t’i bashkohej grupit të shteteve të lindjes.

Ndërsa analisti Blerim Hyseni thotë se marrja e ftesës është moment historik për Maqedoninë, ajo vulos përcaktimin e saj perëndimor. “Në krahasim me vendet e tjera anëtare të NATO-s, rruga e Maqedonisë për anëtarësim ka qenë e gjatë, sepse Maqedonia ka pasur specifikat me çështjen e emrit, por e rëndësishme është që Maqedonia mori drejtimin për anëtarësim në NATO, të cilën e kanë dëshiruar të gjithë”, shprehet Hyseni. (dw)

Me sytë nga qielli, dy eklipse gjatë korrikut

eklipsiPër muajin korrik, janë të paktën dy takimet që duhen shënuar në axhendë, nëse jeni të apasionuar pas fenomeneve të ashtuquajtur eptiko-astronomik.

Të premten, më 13 korrik, do të ketë një eklips të pjesshëm të diellit, ndërsa më 27 korrik do të verifikohet një eklips i bukur hënor. Për të parë të parin nga dy episodet, duhet në fakt të jesh në Australi.

Hëna nuk do të arrijë të mbulojë plotësisht diskun diellor, duke lënë të lirë njërën pjesë. Për të shijuar këtë spektakël, duhet të ngrihesh në agim, kjo pasi maksimumi i eklipsit parashikohet për në orën 5.01 minuta të mëngjesit.

Pamja më e mirë do të jetë në Hobart në Tasmani, ndërsa fenomeni do të shihet më i kufizuar në Australi. Ndërsa për eklipsin hënor, ekspertët thonë se do të jetë i plotë dhe më i gjati i shekullit pasi do të zgjasë 103 minuta.

Do të mund të shihet edhe tek ne, duke filluar nga ora 21 e mbrëmjes. Eklipsi tjetër i pjesshëm i diellit është parashikuar të ndodhë më 11 gusht, por do të shihet vetëm arktik. Por, takimi më i rëndësishëm do të jetë ai me eklipsin e plotë të diellit, më 2 korrik 2019.

Për këtë okazion, observatori i Evropës jugore, në Kili, do të nxjerrë në shitje në Esoshop, duke filluar nga nesër, 300 bileta për të marrë pjesë në ndjekjen e eventit. Në atë datë, hëna do të mbulojë diskun e diellit, duke kthyer ditën në natë, me një eklips total që do të jetë i dukshëm për rreth 150 kilometra në Kilin qendror.

Top Channel