Vuçiq e Thaçi takohen në Bruksel më 18 korrik

thaci mogherini vucicBashkimi Evropian kërkon ritëm të intensifikuar në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe zbatim të marrëveshjeve të mëhershme. Takimi i radhës mbahet javën që vjen.

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbahet javën e ardhshme me 18 korrik, ka konfirmuar zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, e cila lehtëson dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë takim pritet të diskutohen marrëveshjet e mëhershme Kosovë-Serbi, ato që nuk po zbatohen, si dhe hapat e tjerë drejt një marrëveshje përfundimtare, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogherinit. “Në këtë takim do të shqyrtohet progresi në marrëveshjet e arritura dhe do të planifikohen takimet e ardhshme, me synim që dy palët të vazhdojnë punën në ritëm të intensifikuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së Moghernit.

Debatet në Prishtinë

Në Prishtinë ndërkohë, akoma po vazhdojnë debatet ndërmjet partive politike parlamentare nëse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet ta drejtojë dialogun me Serbinë apo jo.

Janë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe lëvizja Vetëvendosja të cilat në mënyrë kategorike e kundërshtojnë idenë e Presidentit për krijimin e një ekipi negociator gjithëpërfshirës, që do të kryesohej nga vet Presidenti Thaçi.

“Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë. Për LDK-në, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në një reagim të para një javë të LDK-së. Kjo parti kërkoi madje nga Kuvendi i Kosovës, që “urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”.

Përgjigja e Presidentit

Ndërkohë, në përgjigje të kësaj Presidenti Thaçi, tha se “politikat populiste po rrezikojnë që Kosova ta humbë momentin për arritjen e një marrëveshje me Serbinë”. “Kjo po rrezikohet nga politikat populiste që kanë qëllime elektorale. Askush nuk mund ta udhëheqë dialogun i vetëm, e as të vërë veto apo ta bllokojë procesin për të ecur përpara. Të gjithë liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi në këtë proces të rëndësishëm dhe në të njëjtën kohë t’i ndajnë meritat”, u përgjigjet kritikave Thaçi.

Por, pavarësisht kritikave të opozitës dialogu me Serbinë nuk do ta ndalet, konfirmon Bekim Çollaku, këshilltari i parë i Presidentit të Kosovës. Ai thotë se “Kosova e ka ekipin e vet negociator dhe në takim do të shkohet para se të fillojë periudha e pushimeve verore për institucionet e Bashkimit Evropian, por edhe për ato të Kosovës”.

“Republika e Kosovës e ka ekipin negociator plotësisht funksional, i cili udhëhiqet nga Presidenti. Ekipi negociator përbëhet nga bartësit e institucioneve shtetërore, pra Presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe liderët e partive politike parlamentare që janë pjesë e koalicionit qeverisës”, citojnë mediet lokale këshilltarin Çollaku.

Takimi i radhës dhe pretendimet e palëve

Takimi i fundit ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuçiq, u zhvillua me 15 qershor në Bruksel. Të dy presidentët paralajmëruan kompromise por edhe vendime të vështira, detajet e të cilave nuk dihen. Por sa është i mundshëm në këto rrethana kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të arritur në një marrëveshje finale pajtimi, që më ngulm e kërkon Bashkimi Evropian, në mënyrë që të dyja vendet të mund të ecin drejt integrimeve evropiane. Blerim Burjani, analist politik i tha më herët DW-së, se synimet e palëve tashmë dihen, “Kosova synon ulëse në OKB dhe në fund njohje nga Serbia, ndërsa, kjo e fundit nëpërmjet Asociacionit të Komunave më shumicë Serbe kërkon hise brenda territorit të Kosovës”.

“Serbia e dëshiron një ndarje të butë, si një variant, ku serbët do të kenë trajtim si entitet juridik i veçantë, siç është përcaktuar edhe nga grupi i punës për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe. Në të, vetë serbet caktojnë në mënyrë të pavarur vullnetin e tyre statusor pa ndikim nga Prishtina. Nga ana tjetër, Kosova ka kërkuar që këtë statut ta kontrollojë dhe mbikëqyrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, edhe ashtu Serbia ka avantazh në këtë temë si propozues, pastaj i mbetet Kosovës të deklarohet për këtë e që politikanët e Kosovës kësaj teme i ikin politikisht duke ia dërguar Gjykatës Kushtetuese për ta hequr qafe debatin për “tradhti” dhe gjëra tjera. Pra, kompromisi me Serbinë në këto rrethana duket i pamundshëm”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, në takimin e 15 qershorit në Bruksel Thaçi dhe Vuçiq, u pajtuan që “të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë po e kërkon edhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që Serbisë ti hapet rruga për anëtarësim, ndërsa, Kosova të vazhdojë të njëjtën rrugë por fillimisht në përmbushjen e kritereve që dalin nga marrëveshja e stabilizim asocimit (MSA) e nënshkruar në tetor të vitit 2015 ndërmjet BE-së dhe Kosovës. (dw)

Trump kërcënon sërish – Po përçahet NATO?

Trump NatoE mërkura, dita e parë e samitit të NATO-s në Bruksel kaloi me grindje, por në fund partnerët ranë në ujdi për një deklaratë të përbashkët. Të enjten presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi hapur aleancën.

Megjithë presionin masiv nga presidenti amerikan Trump në samitin e NATO-s në Bruksel, Gjermania nuk premton përfundimisht rritje masive të shpenzimeve gjermane për mbrojtjen. Gjermania në kuadër të këtij debati “mund të pyesë veten, sa mund të bëjmë më shumë”, tha Merkel, por ajo theksoi se Gjermania ndërkohë është vendi i dytë me kontigjentin më të madh të trupave në NATO dhe prej vitesh angazhohet në Afganistan.

Pas ditës së parë të samitit dyditor që zhvillohet në Bruksel normaliteti në aleancën transatlantike nuk po kthehet aq lehtë. Të enjten në ditën e dytë të samitit të NATO-s, presidenti amerikan kërcënoi hapur me pasoja, nëse partnerë si Gjermania nuk do të paguajnë menjëherë, thonë diplomatët. Trump ka kërcënuar me veprime unilaterale të amerikanëve, ata do të shohin punën e tyre, nëse partnerët nuk do të paguajnë menjëherë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Njoftimi vjen nga agjencia e lajmeve dpa, që i referohet disa burimeve.

NATO vendosi shpejt për një takim të posaçëm pas kërcënimeve të Trumpit. Merkel bëri fjalë për “samit shumë intensiv” dhe “diskutime shumë serioze”. Ajo nuk komentoi zërat se Trump për shkak të shpenzimeve të pakta për mbrojtjen, ka kërcënuar me daljen nga NATO. “Mund të përmbledh se cili është rezultati”, tha Merkel. “Miratim për NATO-n, dhe gatishmëri të qartë të të gjithëve të japin kontributin e tyre për shkak të gjendjes së ndryshuar të sigurisë.”

Çfarë mund të ndodhë?

Pas deklaratave të Trumpit, 29 anëtarët e aleancës janë ulur në një takim të posaçëm në Bruksel. Nëse Trump e ka seriozisht me këtë kërcënim, ende nuk dihet. Teorikisht mendohet një reduktim i angazhimit të  SHBA në NATO, në rastin më ekstrem edhe prishja e plotë, tërheqja e amerikanëve nga aleanca transatlantike.

Në samit Gjermania ka refuzuar të bëjë premtime të gjera për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Qeveria gjermanë kërkon të japë vetëm 1,5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen deri në vitin 2024. Kjo është për Trumpin tërësisht e pamjaftueshme. Ai ankohet për një shpërndarje të padrejtë të barrës në aleancë. Sipas prognozave vetëm Greqia, Polonia, Rumania, e Lituania, Letonia, Estonia do të arrijnë plotësimin e kriterit për shpenzime 2% për mbrojtjen në vitin 2018.

Dita e parë e samitit me grindje dhe shpresa

Të mërkurën, në ditën e parë të samitit, presidenti amerikan Donald Trump sulmoi Gjermaninë duke e quajtur një vend të kthyer në “robe të Rusisë”, që kërkon që SHBA ta mbrojë nga Rusia, por jep miliarda për gaz në Rusi. Por ai nuk i vuri pikëpyetje aleancës transatlantike. Madje nga qarqet franceze u dëgjua, se ai bëri propozime vërtet konstruktive dhe pozitive në samit. Burime britanike thanë, se Donald Trump madje u shpreh pozitivisht për Europën. “Kishim diskutime, kishim diferenca mendimi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i lehtësuar.

Në fund të mërkurën (11.07) pati një ujdi, krerët e qeverive dhe vendeve anëtare janë dakord të shpenzojnë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. (dw)

Javën e ardhshme mbahet raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi

thaci mogherini vucicShefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka caktuar për të mërkurën më 18 korrik raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se në takimin ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të shqyrtohet përparimi në diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për planet dhe hapat e ardhshëm për t’u siguruar se puna do të vazhdojë më një ritëm të përshpejtuar.

Muajin e kaluar të dyja palët ishin pajtuar “të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve, që është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina. (voa)

Marrëveshja Shqipëri-Greqi, Rama: Do mbyllet me një pakt të ri

RamaKryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për agjencinë greke të lajmeve “AMNA”, duke u shprehur se Shqipëria dhe Greqia do të arrijnë një marrëveshje për një dokument të ri strategjik bashkëpunimi.

“Problemet janë të vështira mes dy vendeve, por zgjidhja e tyre është absolutisht e nevojshme. Gjëja më e rëndësishme është që jo vetëm t’i zgjidhim këto probleme, por t’i çojmë ato në një tjetër nivel, bashkëpunimi dhe partneriteti. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të kapërcejnë të kaluarën dhe të arrijnë në nivelin e marrëdhënieve që kanë qytetarët e dy vendeve mes njëri-tjetrit”, tha Rama.

Rama foli edhe për marrëveshjen e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë, duke vlerësuar këto arritje për emrin e ri të Maqedonisë.

‘Është një periudhë që duhet të vlerësojmë arritje dhe kryesisht marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut , në saj të udhëheqjes së guximshme të Tsipras dhe Zaev, të cilët morën pjesën e rrezikut për të konfirmuar diçka që nuk ishte asaj e lehtë, por ata gjithashtu treguan se ka zgjidhje nëse ka vullnet”, tha Rama.

Sa i përket Samitit të Londrës me vendet e Ballkanit Perëndimor, Rama u shpreh se ndikon që vendet të qëndrojnë të bashkuara, por në një kohë jo të mirë për Bashkim Europian.

“Është një proces i rëndësishëm, i cili filloi 5 vite më parë dhe po vazhdon me një ritën të kënaqshëm. Këto takime ndihmojnë në masën më të madhe për të na mbajtur të bashkuar dhe të lëvizim së bashku. Sigurisht, kjo po ndodh në një kohë kur gjërat në Europë nuk janë duke shkuar mirë, kështu që duket si një mallkim për Ballkanin. Ne po përmirësohemi, Europa po shkon në drejtimin e kundërt”, tha Rama.

Top Channel

Presidenti Trump e cilëson Gjermaninë “peng” të Rusisë

Trump 2Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi publikisht dhe me forcë Gjermaninë në fillim të takimit vjetor të NATO-s në Bruksel, për shkak të mbështetjes së saj ndaj marrëveshjes me Rusinë për gazsjellësin e Detit Baltik, duke e akuzuar Gjermaninë se është “peng” i Rusisë.

Gjatë një takimi të “nxehtë” në mëngjesin e së mërkurës me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti Trump tha se Gjermania i paguan miliarda dollarë Rusisë dhe “ne duhet ta mbrojmë nga Rusia”.

Presidenti Trump tha gjithashtu se është “shumë e pavend” që Shtetet e Bashkuara po paguajnë shumë më tepër për të mbrojtur Evropën sesa anëtarët e tjerë të NATO-s, duke përsëritur ankesën e vazhdueshme të ngritur gjatë ditëve të fundit qoftë në fjalime apo në rrjetin social twitter.

Ai kërkoi që vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë para për aleancën mbrojtëse që ishte shtylla e bashkëpunimit ushtarak perëndimor pas Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari Stoltenberg nënvizoi ndërkaq se vendet anëtare ishin në gjendje të punojnë së bashku me gjithë dallimet.

Shkëmbimi dramatik sikur përcaktoi tonin e asaj që pritej të ishte një ditë e tensionuar e takimeve me udhëheqësit e aleancës ushtarake.

Presidenti Trump pritet të vazhdojë të përplaset me aleatët e NATO-s lidhur me shpenzimet e tyre gjatë takimit të lartë që po mbahet në një periudhë të marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet presidentit amerikan dhe aleatëve më të ngushtë tradicional të Shteteve të Bashkuara. (voa)

Turqia dhe aleanca e NATO-s

ErdoganPresidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohet me homologët e tij perëndimorë në një samit të NATO-s të mërkurën në Bruksel. Samiti vjen në atmosferën e pikëpyetjeve lidhur me angazhimin e Turqisë ndaj aleancës ushtarake, duke pasur parasysh lidhjet në rritje të Ankarasë me Moskën.

Nën Erdoganin, marrëdhëniet turko-ruse janë thelluar politikisht dhe ekonomikisht. Të dy vendet, së bashku me Iranin, po bashkëpunojnë ngushtë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Siri. Shqetësimin e NATO-s e shton vendimi i Ankarasë për të blerë raketa ruse S-400, për të cilat aleanca ka paralajmëruar se mund të komprometojnë sistemet e saj ushtarake.

“Duhet të vendosim midis NATO-s e BE-së nga njëra anë dhe Iranit e Rusisë nga ana tjetër”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i organizatës “Global Source Partners”. “Kjo do të jetë zgjidhja më e vështirë. Por nuk mund të rrimë më në mes; cilado anë që marrim, pala tjetër do të japë ndëshkimin”.

Ankaraja pohon se mbetet e përkushtuar ndaj aleancës së saj strategjike me Perëndimin, duke argumentuar se marrëdhëniet e saj me Teheranin dhe Moskën janë të bazuara në tregtinë dhe nevojën për të punuar së bashku për të zgjidhur konfliktin sirian.

“Turqia gjithmonë e ka përdorur këtë diplomaci të balancës së forcës,” thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Husein Bagçi, i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara.

“Marrëdhëniet turko-ruse po shkojnë gjithnjë e më shumë në një drejtim pozitiv, por Turqia e di kufizimin e kësaj marrëdhënieje. Turqia nuk dëshiron të largohet nga NATO-ja; kjo është jashtë çdo diskutimi”, thotë Bagci.

Zoti Erdogan pritet të takohet me Presidentin e SHBA Donald Trump në periferitë e samitit. Bashkë me çështjen e blerjes së raketave ruse nga Ankara, pritet që në rend të ditës të jenë edhe sanksionet e prishtme amerikane kundër Iranit.

Ankaraja po lobon për ta përjashtuar Iranin nga sanksionet që pritet të hyjnë në fuqi më vonë këtë vit pas tërheqjes së Presidentit Trump nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Teheranit. Irani është një furnizues i rëndësishëm i naftës dhe gazit për Turqinë, e cila është e varfër në burime energjie. (voa)

Samiti më i vështirë i NATO-s

TrumpNATO shpreson që anëtari i saj më i rëndësishëm, SHBA të mos shkaktojë dëme të mëdha në samitin e Brukselit të mërkurën. Po, në këtë pikë kanë arritur marrëdhëniet transatlantike, mendon Bernd Riegert.

Spektakli i Trumpit vjen në Europë. Titujt kryesorë i ka siguruar që tani presidenti për javën e ardhshme. Ai mund t’i trembë Kanadanë dhe partnerët europianë në Bruksel. Ai mund të shkelë rregullat në çajin me mbretëreshën. Ai mund të lidhë miqësi burrash në Finlandë pas një loje golfi me presidentin Putin.

Ka pasiguri në Bruksel për turneun europian të presidentit „America First” që gjendet në fushatë zgjedhore. Trump nuk do të ketë drojë të hapë gojën për faturat absurde për mbrojtjen. Vërtet që europianët shpenzojnë më shumë për ushtrinë, por kjo nuk i mjafton Trumpit. Për të kuptuar si mendon Donald Trump mjafton të dëgjosh fjalimin e tij të fushatës zgjedhore në Indiana javën e fundit: Ai përmendi direkt kancelaren Merkel, duke pyetur, se çfarë parash po merr nga gjermanët? Gjermanët bëjnë pazare energjitike me rusët, dhe ne amerikanët jemi budallenjtë që paguajmë çdo gjë. Këtë do ta ndryshojë Trump sigurisht dhe kërcënon me tërheqje të mundshme trupash nga Gjermania.

Mbrojtje kundrejt parave?

Në fantazitë më të këqija të diplomatëve në Bruksel shihet edhe një lloj vendosjeje tarifash për trupat amerikane në Europë. Mbrojtje kundrejt parave. Para për të mbrojtur? Nuk u mendua në kategori të tilla për aleancën që bazohej në vlera politike. Donald Trump mendon kështu. Ai kërkon avantazhin e tij, e për këtë ai negocion fort pa marrë parasysh partnerët. Këtë ai e ushtroi njëherë në samitin e G7-s në Kanada. Do të ishte një çudi, nëse ai nuk e përdor këtë metodë të suksesshme edhe tek NATO. Europianët duhet të përgatiten. Trump i përzien konfliktet tregtare dhe politikën e sigurisë. „Doni mbrojtje atomare nga rusët, atëherë lejoni produktet amerikane pa dogana në Europë.” Ky është ekuacioni i thjeshtë i Donald Trump.

Burri i shtetit në Shtëpinë e Bardhë shkon më mirë me diktatorët dhe autokratët se me aleatët, që ai i mban për parazitë. NATO do të përpiqet të bindë Trump, se gjithnjë e më shumë shtete po lëvizin drejt objektivit të 2% shpenzime për mbrojtjen. Gjermania është shumë e ngadalshme në këtë drejtim, gjendja e Bundeswehrit është dëshpëruese. Edhe aftësia vepruese e trupave europiane lë për të dëshiruar. Me këto probleme do të duhet të dalë para Trumpit Angela Merkel në Bruksel. Dhe presidenti amerikan do ta shfrytëzojë momentin. Ai ndodhet në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e kongresit amerikan në nëntor.

Të ardhmen e marrëdhënieve brenda NATO-s e ka skicuar Ministria e Mbrojtjes e Polonisë. Polakët kanë ofruar dy miliardë në vit për stacionimin e trupave amerikane. Ky model mund t’i pëlqejë Trumpit. Shtetet e NATO-s vetëm mund të shpresojnë, që presidenti i fuqisë më të rëndësishme ushtarake të njohë detyrimin për ndihmë brenda aleancës. Në rastin më ekstrem ai mund të kërcënojë me shfuqizimin e kësaj për të realizuar kërkesat e tij. Kjo nuk përjashtohet, para dy vjetësh ai e quajti NATO-n të vjetëruar. Ndërkohë që ngritja e një bashkëpunimi ushtarak të fuqishëm brenda BE do të kërkojë vite.

Do ta ndikojë Trumpi Putinin?

Zemërdridhur europianët presin samitin e kreut të Kremlinit, Vladimir Putin. Shumë vende europiane e shohin Rusinë si rrezikun kryesor. Në këtë takim do të flitet për një listë të gjatë problemesh: nga konflikti në Ukrainë deri tek lufta kibernetike. Samiti i NATO-s do të përpilojë rekomandimet. Nëse Donald Trumpit do t’i kujtohen këto rekomandime, kjo mbetet të shihet. Ai është i përgatitur për gjithçka në takimin me Putinin, tha Trump. Nëse gjërat shkojnë mirë, sipas këndvështrimit të NATO-s, Trumpi do të duhet ta ndikojë Putinin. Nëse gjërat shkojnë keq, frontet do të ashpërsohen.

E sigurtë është: spektakli i Trumpit është i suksesshëm, gjithmonë sipas mënyrës së tij. Vetëlëvdatat e tij të tingëllojnë që tani në vesh: NATO, Mbretëresha, Putin? Do të jetë fantastike. It’s gonna be great! (dw)

Goditje kundër vjedhësve shqiptarë falë bashkëpunimit ndërkombëtar

Hajduti105 raste vjedhjesh në Gjermani dhe në Francë janë zbardhur dhe shkojnë në llogari të këtij grupi shqiptarësh. Vlera e dëmit të shkaktuar është rreth gjysmë milionë euro.

Gazeta “Badische Zeitung” i kushton një artikull në numrin e së mërkurës (11.07) rastit të arrestimit të një grupi vjedhësish nga Shqipëria, që vepronin në jug të Gjermanisë dhe në Francë. Aksioni ishte i koordinuar mes autoriteteve franceze, atyre gjermane, Europolit dhe  policisë shqiptare. Në kuadër të këtij bashkëpunimi u realizuan në fillim të korrikut një seri kontrollesh nëpër shtëpi dhe restorante në Shqipëri, ku janë seksuestruar sende të vjedhura si dhe prova të tjera për veprimet e grupit. Vlerësimi i sendeve dhe provave do të pasojë. Si të dyshuar për vjedhjet janë marrë në arrest hetimor ndërkohë pesë persona.

Hetime afatgjata

Kontrolle janë kryer edhe në Gjermani në Ortenau, në Offenburg, ku brenda korrikut do të hapen proceset gjyqësore. Hetimet e kanë pasur fillesën e tyre, sipas një njoftimi të Prokurorisë, të Presidiumit të Policisë në Offenburg dhe Europolit, në fillim të vitit 2017, pasi në zonën e Rastatt, Offenburg dhe Freiburg ishin shtuar vjedhjet nëpër shtëpi. Atëherë qe arrestuar një nënshtetas shqiptar, ndërkohë që dyshimi ndaj dy shqiptarëve të tjerë nuk u provua tërësisht. Ndërkaq edhe autoritetet franceze hetonin ndaj një grupi shqiptarësh, që ishte i specializuar për vjedhje nëpër shtëpi në Europë. Në janar 2018 në Gjermani u arrestuan tre shqiptarë, pasi informacioni vinte nga autoritetet franceze të hetuesisë, që kishin vrojtuar se si grupi po e shtrinte veprimtarinë edhe në Gjermani. Hetimet e përbashkëta çuan në mars 2018 në gjurmët e një personi tjetër, që u arrestua në Paris. Gjatë këtyre proceseve arritën të zbardhen shumë vjedhje të kryera nëpër shtëpi.

Kontrolle edhe në Shqipëri

Duke pasur dyshime, që në grup vepronin edhe persona të tjerë hetimet u zgjeruan në bashkëpunim me Europolin e me policinë shiptare. Si rrjedhojë janë kryer dy takime pune nën drejtimin e Autoritetit Policor të Bashkimit Europian mes shteteve të prekura Gjermanisë, Francës si dhe Shqipërisë. Në këto takime janë përpiluar strategjitë e përbashkëta të veprimit. Puna efektive u mundësua edhe nga mbështetja financiare prej Zyrës Federale të kriminalistikës dhe nga projekti i BE-së, PRINZ. Ky projekt është pjesë e fondit të BE-së për sigurinë e brendshme.

Në kuadër të aksionit të emërtuar “Joint Action Day” u realizuan kontrolle në nëntë shtëpi në Shqipëri. Policia shqiptare veproi e autorizuar dhe me mbështetjen e autoriteteve hetimore franceze dhe gjermane si dhe nga Europoli. Në Shqipëri është arrestuar edhe një person, i cili do të përgjigjet para gjyqit në Tiranë për vjedhje të kryera në vitin 2017 në Europë. Grupi i shqiptarëve dyshohet të ketë kryer rreth 60 akte penale në Gjermani dhe 45 në Francë. Krahas parave cash janë vjedhur edhe bizhuteri e orë. Përmes hetimeve financiare janë zbuluar transfertat në para si dhe personat e tjerë të involvuar të grupit, prej më shumë se 40 vetësh. Aksioni i sukseshëm jashtë territorit të BE-së në Shqipëri, sipas deklaratës së shtypit, u bë i mundur falë mbështetjes nga Europoli në Hagë, shkruan “Badische Zeitung”.

 

vfb/la(bz)

Franca favorite për titull

Franca BelgjikaFranca për herë të tretë në historinë e futbollit gjendet në finalen e Kampionatit Botëror. Me 1998 ajo fitoi titullin, me 2006 ka humbur në penallti nga Italia, ndërsa tani në finale pret Kroacinë apo Anglinë.

Minuta e 56 e gjysmëfinales Francë-Belgjikë. Sulmuesi francez Kylian Mbappé e ndalon topin në zonën e rreptësisë me këmbën e djathtë, ndërsa me dhembrën e këmbës së mbajtë e çon në drejtim të bashkëlojtarit. E gjitha zhvillohet kaq shpejtë sa që të kujton një perfeksionizëm në futboll. Bashkëlojtari Olivier Giroud, nuk arriti të shënojë nga ky aksion, por kjo skenë tregon gjithë potencialin që ka Equipe tricolore, i cili në ndeshjen e gjysmëfinales mundi me meritë Belgjikën dhe u kualifikua për finalen e madhe që do të mbahet ditën e dielë.

Mbrojtja e fuqishme

Mbappé është vetëm 19 vjeç dhe konsiderohet si talenti më i madh i futbollit. Ai ka potencial që një ditë të bëhet pasardhësi i yjeve të tanishme, Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi. Por ajo që e ka dërguar Francën deri në finale është në fakt mbrojtja shumë e fuqishme. Madje edhe golin vendimtar kundër Belgjikës e shënoi një mbrojtës – Samuel Umtiti. Trajneri Didier Deschamps e ka kuptuar se kampionatet fitohen vetëm me një mbrojtje të fuqishme dhe jo me lojë atraktive. Edhe në ndeshjen me Belgjikën u koncentrua tek ruajtja e golit të vet, ndërsa kundërshtarin më së shumti rrezikonte me kundërsulme.

“Les Bleus” kanë dëshmuar gjatë këtij Kampionati Botëror se kanë edhe sulmues të jashtëzakonshëm, të cilët brenda pak sekondash mund të arrijnë nga gjysmëfusha e tyre deri tek goli i kundërshtarit. Ata ndihmohen nga mesfushorët shumë të mirë. Lojtarët si Paul Pogba, Antoine Griezmann dhe natyrisht Mbappé janë në gjendje të mposhtin çdo mbrojtje të kundërshtarit.

Koordinimi i mirë

Trajneri i kombëtare franceze Deschamps ka arritur që në këtë kampionat të koordinojë mirë lojtarët me përvojë me ata të rinj, të cilët janë të etur për suksese. Dhe pavarësisht se kush do të jetë kundërshtar të dielën – Kroacia apo Anglia – Equipe tricolore konsiderohet favorit për të fituar titullin e kampionit të botës. Do të ishe kjo hera e dytë, pas vitit 1998. Por edhe kundërshtari në finale me siguri që do të përpiqet të gjejë rrugën e fitores. (dw)

Maqedonia do të ftohet për t’u anëtarësuar në NATO

NatoFtesa për anëtarësim në NATO për Maqedoninë vjen pas zgjidhjes së konfliktit për emrin me Greqinë. Por NATO druhet për aktivizim të Moskës para referendumit në Maqedoni.

Me gjithë konfliktin për shpenzimet e mbrojtjes, shefat e shteteve dhe të qeverive të NATO-s do të ftojnë në takimin e tyre të nivelit të lartë Maqedoninë, për t’u anëtarësuar në NATO. Kjo bëhet e mundur nga kompromisi i arritur në qershor, për grindjen prej dekadash me fqinjin Greqi për emrin e Maqedonisë. Në këtë mënyrë ky vend ballkanik me emrin e ardhshëm “Republika e Maqedonisë së Veriut” mund të bëhet për një ose dy vjet anëtari i 30-të e NATO-s.

Por para kësaj duhet të formalizohet dakordimi me Greqinë. Parlamenti i Shkupit tashmë ka votuar në mbështetje të propozimit. Por ende nuk është mbajtur referendumi për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë. Ai pritet të zhvillohet në shtator ose në tetor. Vetëm pas kësaj do të japë përfundimisht dritë të gjelbër edhe parlamenti i Greqisë.

Për shkak të mosmarrëveshjes për emrin, Greqia pati bllokuar jo vetëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian. Frika e Greqisë ishte se fqinji me emrin e vendit Maqedoni mund të ngrinte pretendime për provincën me të njëjtin emër të Greqisë. Për këtë shkak Maqedonia u bë në vitin 1993 anëtare e OKB-së vetëm nën emrin e përkohshëm Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (shkurt në anglisht FYROM).

A do të mobilizojë Moska kundërshtarët e ndryshimit të emrit të Maqedonisë?

Në NATO janë anëtarësuar që prej fundit të Luftës së Ftohtë 13 shtete. Shumica e këtyre shteteve kanë qenë më parë në sferën e ndikimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Pas rënies së Perdes së Hekurt Moska kërkoi të bashkëpunonte me NATO-n, por zgjerimi në lindje i Aleancës i rëndoi shumë raportet dypalëshe.

Vendi i fundit që u anëtarësua në NATO ishte në qershor 2017 Mali i Zi. Pas ftesës zyrtare për anëtarësim Moska kërcënoi me “kundërmasa”. Prokuroria e Malit të Zi konstatoi më pas se “organet shtetërore ruse” qendronin pas një përpjekjeje për përmbysje në Malin e Zi në tetor 2016. Në NATO tani druhen seriozisht se para referendumit Moska mund të bëjë përpjekje që të mbështesë në Maqedoni kundërshtarë të zgjidhjes së çështjes së emrit.

Para Malit të Zi, më 2009 anëtarë të NATO-s u bënë Shqipëria dhe Maqedonia. Në vitin 2004 NATO-ja pranoi së bashku si anëtarë të saj Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Çekia, Polonia dhe Hungaria qenë shtetet e para nga ish-blloku lindor që u anëtarësuan më 1999 në NATO.  (dw)