Stoltenberg, e shpejtë ftesa për Maqedoninë

StoltenbergSekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se pret që aleanca të bjerë dakord të ftojë Maqedoninë për të filluar bisedimet e pranimit në Aleancë.

Sapo të finalizohet dhe të zbatohet marrëveshja mbi çështjen e emrit, ne do të mund të ftojmë ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s nën emrin e saj të ri: Republika e Maqedonisë Veriore”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë për shtyp të martën në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai tha se kjo do të përbënte “një sinjal të fortë” që dera e NATO-s është dhe do të vazhdojë të jetë e hapur.

Maqedonia zgjidhi një mosmarrëveshje 10-vjeçare me Greqinë, anëtare e BE-së dhe e NATO-s, duke rënë dakord të quhet Maqedonia e Veriut.

Ndërsa merrte pjesë në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër, ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov i tha agjencisë së lajmeve Reuters se vendi i tij “ka shpresa të mëdha dhe se mendon se gjithçka do të ndodhë këtë javë”. Ai tha gjithashtu se vendi i tij “duhet të jetë gati për të filluar bisedimet e pranimit”.

Në këmbim të ndryshimit të emrit, Athina do të tërhiqet nga kundërshtitë e saj ndaj Shkupit për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. (voa)

Anëtari i Gjykatës së Lartë, i dënuar në Itali

Admir ThanzaNë Shqipëri të dhënat e grumbulluara nga Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit, i cili mbikqyr dhe ndihmon procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, zbuluan sot se gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka qenë dënuar në vitin 1999 për vjedhje në Itali ku dhe është dënuar. Gjatë seancës dëgjimore, gjykatësi tha se kishte marë përsipër krimin për të ndihmuar një të afërm të tij, por ai e ka mbajtur të fshehur këtë fakt. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme në të tre shtyllat e rivlerësimit, ndërkohë që gjyqtari Thanza rezulton të jetë hetuar dhe për korrupsion, në një çështje të mbyllur më pas nga prokuroria.

Ndërsa nuk ka mbushur ende 50 vjec, gjyqtari Admir Thanza ka patur një karrierë për t’u patur zili, me një ngjitje të shpejtë në majat e sistemit, nga anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në anëtar të Gjykatës Kushtetuese në moshën 40 vjeçare dhe aktualisht në Gjykatën e Lartë. Por sot, në seancën dëgjimore të procesit të rivlerësimit, ai pa se gjithshka rrezikon t’i shembet para syve. Atij i janë komunikuar probleme me pasuritë e deklaruara: fshehje të të ardhurave apo deklarime të rreme. Probleme janë konstatuar dhe në vlerësimin profesional, për mënyrën e administrimit të dosjeve. Ndërsa goditja më e madhe ka ardhur lidhur me integritetin e figurës së tij.

Ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë procesin kanë zbuluar një fakt që ai e ka mbajtur fshehur prej shumë vitesh e që nuk e ka deklaruar as gjatë procesit të rivlerësimit. Në qershor të vitit 1999, ndërsa ishte në funksionin e gjyqtarit, ai është dënuar nga Gjykata e Pizës në Itali me 40 ditë burgim dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhje në bashkëpunim me të tjerë, madje ka qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit kur është dhënë vendimi.

Gjyqtari e ka pranuar këtë ngjarje, duke shpjeguar se ai nuk e kishte kryer vjedhjen porse kishte marrë përsipër aktin e bërë nga kunata e tij për të shpëtuar nipin që ndodhej i shtruar në spital nga një sëmundje e rëndë, dhe nëse do të dënohej e ëma atëherë ajo do të kthehej në Shqipëri dhe nipi s’do kish patur mundësi kurimi.

Po ashtu ndaj tij, u bë i ditur dhe një tjetër fakt i vetëm para dy viteve të cilin ai sërish nuk e kishte deklaruar në formularët e vettingut. Për gjyqtarin Thanza, ka patur dhe një procedim penal për korrupsion. Ndërsa policia vëzhgonte të afërmin e një të dyshuar për një vepër penale, ajo ka filmuar takimin me gjyqtarin Thanza. Dyshimet kanë qenë për një pagesë e bërë në favor të tij që ai të ndërhynte për të lehtësuar pozitën e të akuzuarit në gjykatën e Shkodrës. Por çështja është mbyllur në korrik të vitit 2016 nga prokurori Kosta Beluri.

Koincidencë ose jo, prokurori Beluri kishte radhën sot pas gjykatësit Thanza që të dilte para Komisionit të pavarur të Kualifikimit. Ndërsa pasuria e tij ka rezultuar pa probleme, pushimi i çështjes ndaj Thanzës ka qenë pika e errët në procesin ndaj tij. Rreth këtij momenti janë vërtitur edhe pyetjet e trupës gjykuese, ndërsa prokurori ka deklaruar se çështja i ka kaluar atij dy muaj nga momenti i filmimit, gjë që e pamundësonte vërtetimin e korrupsionit të dyshuar. Sipas tij policia do të duhet të kishte ndërhyrë për të bërë ndalimin në flagrancë. Ai deklaroi gjithashtu se pamjet që i ishin vënë në dispozicion nuk kishin qenë të qarta, ndryshe nga ato që zotëron vetë KPK për ngjarjen, duke këmbëngulur më pas, se ishte i bindur se kishte vepruar drejt.

Por nëse shpjegimet e tij kanë qenë bindëse ose jo për Komisionin, kjo mbetet për t’u mësuar pas dy ditësh, ndërkohë që për Thanzën, vendimi do të jepet pas një jave. (voa)

Hahn: Javën e ardhshme nisin përgatitjet në Tiranë e Shkup

HahnKomisari i BE, Johannes Hahn thotë për DW se javën e ardhshme do të asistojë në Tiranë e Shkup në procesin përgatitor të nisjes eventuale të negociatave për BE. Për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet raporti i BE.

DW: Në Londër po zhvillohet tani takimi i pestë i Ballkanit Perëndimor. Në qendër është tema e sigurisë dhe e stabilitetit. Cilat pika themelore do të jenë arritur në fund?

Johannes Hahn: Siguria është njëri aspekt dhe tjetri është zhvillimi ekonomik. Për këtë kemi pasur një konferencë javën e kaluar në Vjenë. Kur bëhet fjalë për sigurinë është çështja e bashkëpunimit midis njësive përkatëse në rajon dhe organizatave përkatëse në nivel evropian, si në çështjen e luftimit të terrorizmit, të luftës kundër kriminalitetit të organizuar, larjes së parave, trafikut të qenieve njerëzore etj. Kjo është një gjë që në thelb funksionon shumë mirë, por që ende mund të përmirësohet.

A mund ta sqaroni pak më konkretisht për rajonin, çfarë do të thotë kjo për sigurimin e kufijve, çfarë marrëveshjesh janë lidhur, si do të angazhohet Frontex-i në të ardhmen më fort?

Dihet që aktualisht në BE po zhvillohet një diskutim për mënyrën si duhet trajtuar migrimi, valët e ardhshme të migrimit. Dhe e përbashkëta që theksohet është, që për këtë, do të na duhet të përgatitemi. Dhe pjesë e këtyre përgatitjeve është që të vazhdojë bashkëpunimi këtu me vende partnere në Ballkanin Perëndimor, të cilat luajtën një rol shumë konstruktiv në valën e migrimit në 2015-ën. Prej viteve 2013-2014 BE ka investuar më shumë se 320 milionë euro në trajnimin dhe në pajisjen si dhe në mbështetjen financiare për këto vende, kur bëhet fjalë për trajtimin e migrimit. Këtë mbështetje do ta vazhdojmë të tillë. Tani është fjala që në një rast urgjent, punonjës të Frontexit të mund të vendosen në këto vende.

Në lidhje me luftimin e terrorizmit ka që tani diskutime dhe marrëveshje me Europolin. Si do të jetë ky bashkëpunim në të ardhmen?

Këtu ka marrëveshje që Europol të hapë në kryeqytetet e veçanta nga një Zyrë Ndërlidhjeje, që të bashkëpunojë ngushtë me forcat lokale policore dhe të garantojë në këtë mënyrë që të funksionojë komunikimi.

Pikërisht nga Austria vjen diskutimi për itinerarë të rinj refugjatësh në Ballkan, megjithëse shifrat nuk flasin fare për këtë, por kjo është një temë që dominoi fort edhe këtu në samit. Krahas aspekteve të sigurimit të kufirit, për çfarë u ra dakord në lidhje me pranimin apo përcjelljen e refugjatëve?

Bosnjë-Hercegovina është aktualisht veçanërisht në fokus, sepse këtu, disa vetë, më të vërtet disa vetë, përpiqen që të hyjnë në BE. Ne këtu e mbështesim qeverinë dhe administratën e Bosnjë-Hercegovinës p.sh. për vënien në dispozicion të strehimeve, që për dimrin p.sh. të merren masat e duhura, po të jetë e nevojshme që njerëzit këtu të kenë strehim dhe ushqim.

Nga ana tjetër, fjala është që ne të bashkëpunojmë me institucionet lokale, që në rast nevoje të bëhen riatdhesime, në mënyrë që këtu të mos krijohet fare situata, që njerëzit që nuk kanë fare perspektivë që të marrin azil të kthehen në vendet e origjinës së tyre.

Tiranë e Shkup: “Javën e ardhshme nis procesi përgatitor për negociatat”

Një temë që u diskutua këtu është edhe afrimi me BE, vazhdimi i negociatave të anëtarësimit, të ravijëzuara me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Që javën e ardhshme kjo punë do të kalojë në një fazë konkrete.Çfarë mund të na thoni që tani konkretisht për këtë aspekt?

Javën e ardhshme do të jem si në Shkup, ashtu edhe në Tiranë, për të asistuar, kur të përgatisim procesin përgatitor, të ashtuquajturin screening për fillimin e mundshëm të negociatave vitin e ardhshëm. Është patjetër e nevojshme që ne të bëjmë një lloj inventari se ku ndodhet vendi përkatës kandidat në të gjitha aspektet e tij juridike në krahasim me gjendjen juridike në BE, dhe në bazë të gjendjes të caktojmë objektin e negociatave.

Kjo është një punë shumë e gjerë dhe do të varet shumë që sa të angazhuar do të kontribuojnë të dyja vendet për këtë, por gjithsesi kjo është diçka që besoj se do të jetë e tillë.

Problemi i sundimit të ligjit është një problem i rëndësishëm në të gjitha negociatat. Në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ngecje në vend e edhe hapa pas. Cilat janë hapat e ardshëm që shihni këtu?

Secili vend ka detyrat e tij të shtëpisë. Shqipëria, për shembull, ka në këtë drejtim arritje për t’u shënuar me reformën e saj të gjerë të drejtësisë, e cila tani ndodhet në fazën e zbatimit me asistencë ndërkombëtare. Kjo vlen në fakt për të gjitha shtetet e rajonit, veçanërisht përsa i përket rritjes së pavarësisë, cilësisë, profesionalizmit dhe të transparencës së drejtësisë, për të fituar edhe besimin e qytetareve dhe qytetarëve në këto institucione. Kjo pasqyrohet në fund në tërheqjen e investorëve të huaj, kur ata mund të kenë besim te një drejtësi funksionuese dhe e pavarur.

Muajin e ardhshëm përfundon raporti për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ju ravijëzuat që që muajin e ardhshëm do të bëhet hapi pasues për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kur do të ndodhë kjo dhe cilat do të jenë hapat e ardhshëm?

Ne ndodhemi në redaktimin përfundimtar të raportit tonë, sepse dihet që Kosova kishte edhe dy pika të hapura. Njëra është zgjidhur, pra vendimi dhe adaptimi përkatës në kushtetutë i një konflikti kufitar me Malin e Zi. Kjo tani është sqaruar.

Dhe e dyta është një zhvillim i qendrueshëm i vazhdueshëm në luftë kundër kriminalitetit, kundër kriminalitetit të organizuar. Nga ana jonë në maj dërguam një mision dhe tani raporti është në fazën përfundimtare. Sapo të përfundojë kjo dhe unë besoj që do të përfundojë pozitivisht, ne do të japim përfundimisht dritë të gjelbër.

Kufiri detar Greqi – Shqipëri: Hahn “Jam shumë optimist”

Si një përparim ju ravijëzuat edhe një sukses në grindjen kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Çfarë mund të na tregoni për këtë?

Hahn: Midis Greqisë dhe Shqipërisë ka një sërë çështjesh ende të hapura. Edhe këtu ka pasur për disa muaj negociata të mira dhe njëra nga temat është sqarimi i kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shpresoj që këtu të prezantohet së shpejti një zgjidhje, sepse edhe kjo bën pjesë në këtë grup temash, që një anëtar të ri ne mund dhe duam ta pranojmë vetëm atëherë kur janë zgjidhur të gjitha konfliktet bilaterale. Po unë jam shumë optimist, që kjo do të jetë e mundur të realizohet në javët e ardhshme.

Procesi i Berlinit – bilanc i ndërmjetëm

Pra përsa i përket procesit të zgjerimit ka përparime, në një kohë që procesi i Berlinit ka ngecur pak. Si e shihni të ardhmen e procesit të Berlinit?

Unë në asnjë mënyrë nuk shoh që procesi i Berlinit të ketë ngecur, sepse procesi i Berlinit ka ofruar iniciativa mjaft të rëndësishme dhe ka dhënë shtysa të tilla, veçanërisht përsa i përket bashkëpunimit rajonal.

Me të vërtetë ne kemi përparime të mira në projektet ndërkufitare infrastrukturore, masat e para ndërtimore janë vënë në rrugë të mbarë, përsa u përket rrugëve dhe shinave; kemi pasur një takim të nivelit të lartë për digjitalizimin shumë premtues. Nga njëra anë aty u bë fjalë për hardware, për infraskturë të IT, por edhe për software.

Ajo ku jemi me të vërtetë pak mbrapa, dhe që ishte njëri nga pikësynimet, është bashkëpunimi në fushën energjetike, si përsa i përket prodhimit të energjisë, ashtu edhe përsa i përket shpërndarjes së saj. Nga ana tjetër kemi shënuar përparime të mira në zhvillimin e një hapësire ekonomike, sepse për shumë vjet këtu nuk ka pasur përparime në vëllimin e tregtisë, në një kohë kur tregtia me Evropën është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit në 46 miliardë euro. Por në vitin 2017 kemi pasur rritjen e parë, 13 përqind të tregtisë ndërrajonale dhe kjo mund të rritet edhe më tej po të arrijmë që ta zhvillojmë këtë hapësirë të përbashkët ekonomike, ku të eleminohen barrierat e kontrollet doganore, ku të kemi një njohje reciproke të çertifikatave e kështu me radhë, këtu ka ende shumë për të bërë.

Pra procesi i Berlinit vazhdon, vitin e ardhshëm në Poloni. Cilat do të jenë për mendimin tuaj pikërëndesat?

Hahn: Kjo duhet diskutuar me miqtë polakë. Mendoj që polakët kanë një përvojë të shkëlqyer me përdorimin e mjeteve të fondeve strukturore – po ta shikoni Poloninë ajo është një vend që lulëzon, jo së fundi edhe me mbështetjen e BE. Po për këtë duhen edhe njohuri, ekspertizë në vend që mjetet të mund të tërhiqen. Dhe nga kompetenca ime e mëparshme si komisari përgjegjës e di që kjo është një sfidë. Që të përballesh që herët me këto gjëra është gjithmonë mirë. Në plan afatgjatë, synimi duhet të jetë që të gjitha konferencat përkatëse, që kanë të bëjnë me rajonin të zhvillohen po në rajon, sepse kjo e forcon mendimin e autorësisë.

Johannes Hahn është Komisari për Zgjerimin i BE. Intervistën e zhvilloi në Londër Adelheid Feilcke.

(dw)

 

Komisioni Europian lanҫon instrumentin financiar të garancisë për Ballkanin Perëndimor

Summit London150 milionë Euro për periudhën 2019 – 2020, në total 1 miliardë euro investime nga Komisioni Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor për stabilitet ekonomik.

Ҫelësi i përafrimit me BE për Ballkanin Perëndimor (BP) mbetet bashkëpunimi mes vendeve të tij dhe gjithë rajonin me BE. Forcimi i bashkëpunimit në këto dy kahje është kryefjala e Samitit për BP, që po zhvillohet në Londër. Komisioni Europian , në një deklaratë për shtyp nga punimet e Samitit, të martën( 10.07.2018) citon Federica Mogerinin, Përfaqësuese e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe Ҫështjet e Sigurisë, të ketë thënë, të martën në Samitin e Londrës  “kemi qenë të gjithë duke punuar së bashku për ta tërhequr rajonin sa më afër BE politikisht, ekonomikisht dhe për sigurinë. Kemi parë rezultate të mrekullueshme, zgjidhje për çështjet më të vështira bilaterale. Ballkani Perëndimor po ecën vazhdimisht. Sot rikonfirmojmë se jemi së bashku me rajonin në atë rrugë, duke ndarë përkushtimin ndaj së ardhmes sonë të përbashkët”.

Stabiliteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor

Zona Ekonomike Rajonale, për të cilën palët ranë dakort në Samitin e Triestes, 2017 mbetet instrumenti kryesor për zhvillimin social-ekonomik të rajonit. Prej saj pritet rritja e interesit të investitorëve të huaj dhe nxitja e tregëtisë, që si në një reaksion zinxhir krijojnë vende të reja pune. Një vit pas zbatimit të Planit të Veprimit për këtë qëllim dëshmon për rritje të tregëtisë ndërrajonale, theksohetr në njoftimin për shtyp të KE.

Rritjes së stabilitetit ekonomik i shërben edhe rritja e aftësive digjitale në rajon, si një vazhdim i Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor, të miratuar në qershor në Sofje. Ndërkohë që shqyrtimi i mënyrave për të rritur financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe fillimin e bizneseve të vogla pa financim bankar rezultoi në fokus të Samitit. Drejtim tjetër është për stabilitetin ekonomik të BP transmetimi i energjisë në rajon dhe shfrytëzimi më i mirë dhe në mënyrë të qëndrueshme i potencialeve hidrike të rajonit. Për të mbështetur këto objektiva, Komisioni Evropian, në bashkëpunim me institucionet financiare partnere, paraqiti një instrument të ri të garancisë, i cili do të fillojë veprimin në fillim të vitit 2019 në kuadrin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Me angazhimin fillestar të BE-së deri në 150 milionë euro në 2019-2020, garancia do të synojë të lërvrojë deri në 1 miliardë euro investime në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal. Garancia do të lejojë ndarjen e rrezikut financiar për të zhbllokuar investimet private në një gamë të gjerë sektorësh si bizneset e reja të vogla dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Investime në infrastrukturë si edhe në sektorët socialë dhe të njohurive digjitale, pra duke i kushtuar vëmendje pengesave kryesore që pengojnë në rajon aksesin tek financat”, thekson njoftimi per shtyp i KE.

Forcimi i bashkëpunimit në ҫështjet e sigurisë

Në këtë fushë prioritare kryetarët e shteteve të BP, drejtuesit e vendeve partnere të BE në Procesin e Berlinit kanë ndarë ide sesi të thellojnë bashkëpunimin BP- BE për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë: terrorizmi, radikalizimi, sulmet kibernetike, krimi i organizuar, trafiku i armëve të zjarrit. Kryefjala mbetet rritja e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit në BP duke përfshirë edhe shkëmbimin e informacionit, thekson njoftimi për shtyp i KE. Lidhja mes korrupsionit dhe sigurisë përbën një fokus tjetër të diskutimeve. Kryetarët e shteteve të BP përsëritën angazhimin e tyre për të luftuar korrupsionin, thekson KE në njoftimin për shtyp.

Lehtësim i bashkëpunimit politik

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë janë në qendër të rrugëtimit të vendeve të BP drejt BE-së, gjë që përfshin edhe arritjen e pajtimit të qëndrueshëm dhe të sinqertë në rajon. Krerët e shteteve dhe ministrat e vendeve të BP do të shkëmbejnë pikëpamje për çështje të dyanshme dhe të trashëguara,  si krimet e luftës dhe personat e humbur. BE-ja përkrah bashkëpunimin rinor në Ballkanin Perëndimor si çelësin e suksesit për të rritur lidhjet rajonale – në shumë projekte të BE. Për më tepër, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit për Rininë (RYCO) pritet të paraqesë në Samit arritjet e saj më të fundit dhe Planin  Strategjik 2019-2021 për nxitjen e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon.

Samiti i Londrës është pjesë e procesit të Berlinit, nismë diplomatike e kancelares gjermane Merkel, e mbështetur nga disa shtete anëtare të BE – Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Britania e Madhe – që synon të mbështesë përpjekjet drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Samiti i Londrës u zhvillua pas publikimit nga Komisioni Evropian, në shkurt 2018 të strategjisë “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit dhe angazhimit të shtuar të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, Samitit BP – BE në Sofje në qershor të këtij viti,  Samitin të Këshiilit Europian , muajin e kaluar, më 28 qershor, ku Shqipëria dhe Maqedonia morrën një datë për hapjen e negociatave, në vitin e ardhshëm, 2019 nëse përfundojnë reformat dhe arrijnë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (dw)

Kaos politik në Londër

MayLargimi i dy ministrave nga qeveria britanike e ka futur këtë vend në një kaos politik. Aktualisht nuk dihet saktë se kush e ka fjalën kryesore në Londër, mendon Barbara Wesel.

Fillimisht ministri për Brexitin David Davis e menjëherë pas tij edhe ministri  i Jashtëm dhe një prej udhëheqësve të idesë për Brexit, Boris Johnson: Të dy ata dhanë dorëheqjen në përpjekjen që të parandalojnë tentativën e kryeministres britanike Theresa Mays, për një ndarje më të “butë” nga Bashkimi Evropian. Largimi i koordinuar i dy idelogëve më të ngurtë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE krijon kaos në kabinetin qeveritar të Theresa May dhe i shusn shpresat e BE-së, se javët e ardhshme mund të ketë bisedime substanciale për ndarje dhe për fillimin e raporteve të reja mes BE dhe Britanisë së Madhe.

Brexiti shkakton kaos

Të premten e kaluar Theresa May tentoi të arrijë unitet në kabinetin qeveritar, por përpjekjka e saj dështoi. Konsvertorët britanikë janë të përçarë thellë për mënyrën e daljes nga BE dhe raportet e ardhshme me të. Politikanët më konservatorë nuk janë të gatshëm për kompromis, ndërsa të tjerët thonë se një Brexit i ashpër do të ishte çmenduri. Në mes të tyre nuk ka asnjë urë që i bashkon. Kryeministrja është kapur fort pas pushtetit, por nuk është e qartë nëse ajo do t’i mbijetonte një mocioni mosbesimi në Parlament. Shpresa e vetme e saj është fakti që këtë punë aktualisht askush nuk mund ta bëjë më mirë se ajo vet.

Konservatorëve të ashpër u mungon mbështetja në Parlament. Jacob Rees-Mogg, emri i të cilit përmendet si udhëheqës i mundshëm i qeverisë, nuk mund të sigurojë shumicën. Gjërat janë futur në qorsokak. Kaosi po mbizotëron në skenën politike. Brexiti po përçan britanikët dhe partinë konservatore dhe po helmon skenën politike. BE-ja iu lut Londrës para disa muajve që të negociojë me Brukselin dhe jo të merret vetëm me problemet e brendshme. Tani situata po keqësohet edhe më shumë.

Propozimet e May ishin vetëm fillimi

Theresa May pohon se propozimet e saj, megjithë krizën politike, janë rruga më e mirë për Brexit. Por propozimet e saj i mbrojnë vetëm interesat britanike. Ndaj ato nuk mund të jenë pikënisje për negociata me BE-në. Kjo përzierje e propozuar nga May për pak union doganor dhe pak tregti të brendshme, sipas dëshirës së britanikëve, nuk është sipas shijes së BE. Britania e Madhe duhet të bëjë lëshime të tjera dhe të futet në negociata të detajuara, që do të rezultonin me një zgjidhje evropiane. Por edhe nëse Theresa May e mbijeton këtë luftë politike me kundërshtarët, ajo mund të bjerë më vonë, sepse Brukseli me siguri që nuk do të pajtohet me kërkesat e saj.

Kaosi në qeverinë britanike është për BE-në një manovrim i panevojshëm. Aktualisht ka gjëra më të rëndësishme sesa mosmarrëveshjet në qeverinë britanike. Samiti i NATO-s ku kërcënojnë mosmarrëveshje serioze me Trumpin, takimi i Trumpit me Putinin, grindjet për çështjen e refugjatëve dhe ngritja e populistëve në Poloni, Itali dhe Austri janë temat që tërheqin më së shumti vëmendjen e BE-së.

Ndërkohë që negociatat për Brexitin kushtojnë energji dhe kohë. Duket se kundërshtarët e Evropës në Londër e kanë mbivlerësuar veten dhe besojnë se mund t’i zgjidhin vet të gjitha sfidat. Por vazhdimi i negociatave është i pakuptimtë, përderisa qeveria britanike nuk e shpjegon njëherë e përgjithmonë se kush e ka fjalën kryesore në çështjen e Brexitit. Diplomëtat e BE-së duhet të presin deri në përfundimin e luftës për pushtet në Londër. E kjo mund të zgjasë.

Por nëse ndonjë prej ideologëve të Brexitit vjen në pushtet, Evropa mund t’i harrojë të gjitha shpresat për zgjidhje praktike. Ata duan të largohen nga BE-ja pa arritur ndonjë marrëveshje tjetër për raportet mes tyre. Disa anëtarë të qeverisë britanike janë nisur drejt një humnere dhe duket se askush nuk mund t’i ndalë. (dw)

NATO nuk pret ndonjë bllokadë për Maqedoninë

NATO-dhe-Maqedoni verioreBurimet e larta diplomatike të NATO-s thonë se nuk presin ndonjë bllokadë për dhënien e ftesës për Maqedoninë në Samitin e NATO-s, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga fundi i muajit qershor, gazeta “New York Times” publikoi informacion sipas të cilës Donald Trump do të mund të bllokojë ftesën për në NATO për Maqedoninë për shkak marrëdhënieve me Vladimir Putin. Sot burimet e larta diplomatike thonë se nuk ka ndonjë indikacion për diçka të tillë.

“Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë indikacion se Uashingtoni do të kishte ndryshuar qëndrimin për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë”, janë kategorikisht të bindur diplomatët në NATO.

Ambasada amerikane në NATO sot vet e konfirmoj se SHBA dëshiron ta shikoj Maqedoninë anëtare të NATO-s, por theksojnë se më herët për këtë qytetarët ta konfirmojnë marrëveshjen me Greqinë në referendum.

Nga NATO theksojnë se nuk shikojnë se si do të mund të anëtarësohet Maqedonia në NATO nëse dështon referendumi në vend./Telegrafi/

Samiti i Londrës rikthen investimet për siguri dhe stabilitet në Ballkan

BE AngliSamiti i Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Londër, ka mbledhur liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, partnerë të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e institucioneve evropiane, që të punojnë së bashku për t’i dhënë mbështetje sigurisë, stabilitetit dhe përparimit të rajonit.

Kryeministrja britanike, Theresa May është mikpritëse e këtij takimi, i cili paraqet Samitin e pestë me radhë që mbahet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shefat e delegacioneve të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët janë të pranishëm në samit, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, janë pritur sot nga kryeministrja britanike, Theresa May.

Kjo e fundit, ka kryesuar sesionin plenar të samitit, në të cilin ishte paralajmëruar se do të bëhet prezantimi i planeve për Samitin në Varshavë, në vitin 2019.

Kryeministrja britanike May, ka publikuar pakon e masave për ndihmë për Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar përparimin e sigurisë kolektive dhe stabilitetit ekonomik të rajonit.

Në faqen zyrtare të Samitit të Londrës, është thënë se pakoja e masave do ta ndihmojë rajonin që të zgjidhë sfidat komplekse të sigurisë.

Kryeministrja May ka theksuar se Samiti i Londrës edhe një konfirmim më shumë i Qeverisë britanike për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.

“Historia ka dëshmuar se stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit Perëndimor nënkupton një Evropë më stabile dhe më të sigurt. Ne po e braktisim Bashkimin Evropian në marsin e ardhshëm, por edhe më tej jemi të përkushtuar për përparimin e prosperitetit dhe sigurisë të Ballkanit Perëndimor, tash, por edhe në vitet që do të vijnë”, ka thënë May.

Duke folur për pakon e masave, kryeministrja britanike May, ka vlerësuar se këto masa do ta ndihmojnë edhe vendin e saj.

“Pakoja që e kam publikuar sot do ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor që të ballafaqohet me kërcënimet ndaj përparimeve të tyre, sikurse krimit serioz dhe të organizuar, tregtisë me drogë dhe terrorizmit. Por, në të njëjtën kohë do të ketë efekt edhe në Britaninë e Madhe, duke i zvogëluar aktivitetet kriminale në vet burimin e tyre dhe me këtë do të pengojë që kriminaliteti të arrijë deri te rrugët britanike”, theksoi May.

Pakoja e masave përfshinë rritjen për 95 për qind të financimit britanik në rajon dhe nga 41 milionë funte, sa ishin mjete financiare nga Fondi për parandalimin e konflikteve, për siguri dhe stabilitet në vitin 2018 / 2019, është ngritur shuma në 80 milionë funte për vitin 2020/2021.

Gjithashtu, do të dyfishohet numri i britanikëve, të cilët do të punojnë në rajon, në çështjet e sigurisë që ndikojnë në Britaninë e Madhe dhe në Ballkan.

Në Samitin e Londrës është duke marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashin.

Në një komunikatë për media të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, është thënë se kryeministri Haradinaj, gjatë fjalimit të tij në sesionin e samitit, ka reflektuar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, duke thënë se Kosova po ndjekë frymën e Procesit të Berlinit dhe se vendi ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj, ka shpalosur përkushtimit e vendit për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal. Ai ka paraqitur projektet e Kosovës, të arriturat dhe sfidat, me të cilat është duke u përballur Kosova që nga nisja e procesit të Berlinit, por edhe duke e theksuar përkushtimin e Kosovës për fqinjësi të mirë, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, dhe rrugën evropiane si të vetmen alternativë.

“Kosova që nga përfshirja e saj në Procesin e Berlinit ka qenë e angazhuar në forcimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, rrugën euro-integruese dhe bashkëpunimin ekonomik me të gjitha vendet e përfshira në këtë proces”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar rolin e të gjitha vendeve të BE-së në këtë proces.

Një sesion tjetër i samitit do të kryesohet nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Gjithashtu, në sesionin plenar, lidhur me temën “E ardhmja e Procesit të Berlinit” është paralajmëruar se do të flasin kryeministri polak Mateush Moravjecki, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn.

Me fjalimin e komisionarit Hahn, kanë nisur punimet e së martës të Samitit të Londrës. Ai ka folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Hahn ka thënë se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimorë duhet të bëjnë ndryshime për të përparuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Ai, gjithashtu, ka vlerësuar se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shënuar përparime, ndërkohë që ka shprehur mbështetjen për hapjen e negociatave të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Lidhur me këto dy të fundit, ai ka theksuar se gjatë vitit të ardhshëm do të vlerësohet ecuria e të dy vendeve.

Samiti fokusohet në 3 çështje kryesore: Rritjen e stabilitetit ekonomik, trajtimin e papunësisë për të rinjtë dhe ndërlidhjen rajonale; Forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe të sigurisë për t’i paraprirë kërcënimeve të përbashkëta përfshirë, korrupsionin, krimin e organizuar, trafikimin e njerëzve, drogës dhe armëve të zjarrit, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm; si dhe lehtësimin e bashkëpunimit politik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe tejkalimin e problemeve të akumulua nga konfliktet e viteve 1990.

Samiti në Londër është pjesë e Procesit të Berlinit dedikuar Ballkanit Perëndimor iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, i cili ishte pasuar përgjatë viteve me samite tjera, gjatë të cilave ishin nënshkruar marrëveshje të shumta në fusha të caktuara. (rel)

Erdogan emëron dhëndrin ministër të financave

Erdogan 1Ministër i Thesarit dhe Financave, zoti Berat Albayrak”. Kjo fjali e Presidentit Erdogan shkaktoi rënien e mëtejshme të monedhës vendase, lirës.

Vetëm pak orë pasi bëri betimin si President me pushtet të zgjeruar i Turqisë, zoti Erdogan caktoi në drejtimin e ekonomisë së vendit dhëndrin e tij.

Zoti Erdogan zhvilloi një fushatë të gjatë për zhvendosjen e sistemit kushtetues të Turqisë drejt një presidence ekzekutive. Ai tashmë premton një transformim të mëtejshëm të vendit, të cilin e ka dominuar politikisht prej 15 vjetësh.

Përzgjedhja e zotit Berat Albayrak për postin e ministrit të thesarit dhe financave ka ngjallur debate.

Mungesa në kabinetin qeveritar e emrave të mirënjohur pro-tregut shkaktoi një rënie të mëtejshme me 3% të lirës. Monedha e rifitoi vlerën e humbur brenda ditës së martë. Lira ka humbur këtë vit gati 1/5-tën e vlerës së saj përkundër dollarit.

Ndërkaq, ekonomia vazhdon të jetë çështja më delikate për zotin Erdogan.

Investitorët kanë qenë gjithnjë të shqetësuar prej tendencës së zotit Erdogan për një kontroll më të madh të politikave monetare. Caktimi i dhëndrit të tij në drejtimin e financave e përkeqëson më tej situatën.

Një ndër dekretet e para që zoti Erdogan nënshkroi sapo bëri betimin, ishte marrja e autoritetit për emërimin e guvernatorit të bankës qendrore dhe të anëtarëve të komisionit për politikën monetare.

Më parë, emërimet për këto poste bëheshin nga këshilli i ministrave. (voa)

Tajlandë, shpëtohet i gjithë ekipi i bllokuar në shpellë

TajlandeNë Tajlandë, të 12 djemtë dhe trajneri i tyre janë nxjerrë nga një shpellë e përmbytur ku ishin bllokuar për më shumë se dy javë, thanë trupat e marinës tajlandeze SEAL.

“Të 12 djemtë dhe trajneri janë nxjerrë nga shpella,” thuhej në një postim në Facebook të trupave të posaçme të marinës tajlandeze. “Të gjithë janë shëndoshë e mirë,” thuhej aty.

Shpëtimi i djemve të martën erdhi në ditën e tretë radhazi të përpjekjeve për t’i nxjerrë ata nga kompleksi i shpellës Tham Luang që nga fundi i qershorit. Katër djem u shpëtuan të dielën dhe katër të tjerë të hënën. Djemtë e mbetur dhe trajneri i tyre u nxorën të martën. (voa)

Grindja për Brexit: ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson jep dorëheqjen

BrexitKriza qeveritare në Londër po shkallëzohet. Pak orë pas dorëheqjes së ministrit për Brexitin, David Davis, kryeministres britanike i duhet të zëvendësojë edhe ministrin e Jashtëm.

Kryeministrja Theresa May e pranoi dorëheqjen e Johnsonit, bëri të ditur zyra e saj. Emri i pasardhësit do të publikohet së shpejti.

Në mes të një faze delikate negociatash me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është larguar nga kabineti edhe një anëtar tjetër i rëndësishëm i qeverisë. Me këtë, qeveria May ndodhet në një krizë masive qeveritare, nëntë muaj para Brexitit. Vërtet që shkaqet e dorëheqjes së Boris Johnsonit ende nuk dihen. Megjithatë, të dielën (08.07) në mbrëmje pati dhënë dorëheqje për shkak të një mosmarrëveshjeje për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian ministri i Brexitit, David Davis.  Ashtu si Davis, Boris Johnsoni bënte pjesë në mbështetësit e vijës së pakompromis për Brexitin. Për shkak të mospajtimeve në kabinetin britanik, negociatat e shkëputjes nga BE me Komisionin Evropian thuajse ngecën në vend.

Një njeri i fjalëve të qarta dhe të rënda

Mbetet e hapur nëse Johnsoni synon ta rrëzojë qeverinë. May i pati imponuar qeverisë të premten një mbledhje dymbëdhjetë orëshe maratonë në Chequers, në veriperëndim të Londrës. Ministrat qenë të detyruar që gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të dorëzonin edhe celularët e tyre. Në mbrëmje May shpalli që qeveria e saj pati rënë dakord për një strategji të re për daljen nga Bashkimi Evropian. Por pajtimi ndodhi vetëm nën një presion të madh.

May: BE të mendohet, ndryshe shkëputemi pa marrëveshje

Në një deklaratë pas dorëheqjes së dy ministrave të saj, kryeministrja britanike May vlerësoi kontributet e tyre. Në adresë të Bashkimit Evropian, May tha, se ai duhet të merret në mënyrë konstruktive me propozimet e saj të reja për Brexitin. Alternativa është që BE ta shohë Britaninë e Madhe që del nga BE pa një marrëveshje. May shtoi se modelet që ofron Brukseli deri tani janë të papranueshme për Britaninë e Madhe.

“Ajo që propozojmë ne është sfiduese për Bashkimin Evropian, kërkon që ata të mendohen edhe një herë, që të shohin pas pozicioneve të zëna deri tani dhe të bien dakord për një balancë korrekte të drejtash dhe detyrimesh”, deklaroi Theresa May para para parlamentit britanik.

Periudha tranzitore e Brexitit nuk do të zgjatet, shtoi ajo. Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk do të ketë jurisdiksion mbi Britaninë e Madhe pas Brexitit.

Sipas kryeministres britanike, sinjalet nga liderë të Bashkimit Evropian sugjerojnë se mund të avancohet në negociatat e Brexitit. Bashkimi Evropian megjithatë është në pritje të publikimit të “dokumentit të bardhë” nga Britania e Madhe, ku do të shtjellohen propozimet e reja britanike. BE ka thënë se nuk do ta lejojë Britaninë e Madhe që të zgjedhë fushat më të leverdisshme për të, nga ato që ofron Bashkimi Evropian. (dw)