Presidenti i Kosovës takon kryeministrin rus në Ankara

Medvedev ThaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën mbrëma se është takuar në Ankara me kryeministrin rus, Dimitry Medvedev.

Takimi i shkurtër është zhvilluar në kuadër të ceremonisë së përurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh në votimet e muajit të kaluar.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti Thaçi shkruan se “kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona. Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjellë paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.

Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ndjek një vijë të hollë ndërmjet synimit për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Moskën.

Rusia mbështet qëndrimin serb ndaj Kosovës dhe nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s. (voa)

Erdogan – Sulltani i parë i Turqisë moderne

erdoganTë hënën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan bën betimin si president. Erdogan ka tanimë më shumë kompetenca se asnjë lider tjetër turk në Turqi para tij. Pak para betimit pati një valë pushimesh nga puna.

Pasi presidenti Erdogan të bëjë betimin në Ankara të hënën (09.07) Turqia kalon nga sistemi parlamentar në sistemin presidencial. Të dielën me dekret ai liroi nga detyra më shumë se 18.600 nëpunës të shtetit, mes tyre  9000 policë, rreth 6000 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 199 akademikë. Ky është ndoshta dekreti i fundit para heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme që pritet pas ngjitjes së tij në post.

Kanë kaluar 13 vjet që kur AKP dhe themeluesi i saj, Erdogan erdhën në pushtet. Fillimisht dukej sikur ishin vitet e demokracisë, lirisë së mendimit dhe paqes shoqërore. Por tani Turqia po i jep kompetenca të jashtëzakonshme një presidenti autoritar, me tendenca gjithnjë e më shumë islamiste dhe nacionaliste. Me shfuqizimin e funksionit kontrollues të parlamentit ai merr pushtetin e vetëm për të vendosur mbi ekzekutivin. E përmes kompetencës së përcaktimit të anëtarëve më të lartë të aparatit të drejtësisë, ai do mund të kontrollojë kështu edhe drejtësinë.

Pa krahasim me SHBA dhe Francën

Ersin Kalaycioglu nga Qendra Politike e Universitetit Sabançi të Stambollit thotë se nuk është ende e qartë, si do të ndryshohet sistemi. “Deri më tani sistemi i ri është diskutuar me ne vetëm në vija të trasha. As opinioni publik dhe as studiuesit nuk i njohin detajet.”

Erdogan ka përsëritur shpesh se edhe demokraci të tjera kanë sistem presidencial. Por sistemi presidencial i Turqisë ndryshon nga ai francez apo amerikan. Kështu për shembull në SHBA presidenti nuk e ka kompetencën të shpërbëjë kongresin. Erdogan mund ta bëjë këtë dhe të shpallë zgjedhje të reja. Në Francë i përcakton parlamenti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në Turqi përkundrazi i merr presidenti vendimet që prekin këtë gjykatë të rëndësishme.

Studiuesja Ersin Kalaycioglu kujton tiparet autokrate të sistemit presidencial në Turqi. “Si në sistemin amerikan ashtu edhe atë francez kemi një shoqëri të mirëformuar civile. Këtë ne nuk e kemi.”

Po ashtu Erdogani në të ardhmen mund të operojë edhe me dekrete presidenciale. Deri më tani ai lejohej ta bënte këtë vetëm në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme. Por tani Erdogani mund ta minojë në çdo kohë judikativen. Duket e pamundur që të funksionojë një sistem i pavarur dhe jo partiak i drejtësisë. Sipas politologut turk, Dogu Ergil ndarja e pushteteve dhe pavarësia e drejtësisë, kaq të rëndësishme për demokracinë janë faktikisht të shfuqizuara me sistemin e ri.

Rreziku ultranacionalist

Ende nuk dihet, nëse aleanca që Erdogani mbylli me partinë nacionaliste, MHP do t’i shtojë tensionet në vend. Shumë vetë mendojnë, se qëndrimi i ashpër i MHP sidomos në çështjen kurde dhe refuzimi i disa vlerave demokratike, do të krijojë një atmosferë edhe më nacionaliste në Turqi. Erdogan ka nevojë për MHP për të siguruar shumicën në parlament. Kjo mund të kthehet në pengesën kryesore për zgjidhjen e problemit kurd dhe afrimin e Turqisë më Bashkimin Europian.

Interes të madh paraqet edhe e ardhmja e zhvillimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Në vitin 1999 Turqia ka shtruar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE, në 3 tetor 2005 filluan negociatat. Por në 13 vitet e fundit nuk është arritur ndonjë progres për t’u shënuar. Dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme para dy vjetësh, ato faktikisht janë ndalur.

Kriza e re Turqi-SHBA

Kati Piri, raportuese e Parlamentit Europian për Turqinë është shprehur për një ndalimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Në një kohë që marrëdhëniet BE-Turqi rrezikojnë të ngrijnë, një krizë tjetër është shfaqur edhe në marrëdhëniet me SHBA. Ka disa pika që i rëndojnë ato: Fetullah Gülen, që bëhet përgjegjës për puçin ushtarak nga Erdogan jeton në SHBA. Uashingtoni punon me krahun e armatosur kurd të Sirisë, YPG, por që nga Turqia shihet si organizatë terroriste. Turqia po ashtu kërkon të blejë raketa S-400 nga Rusia, megjithë anëtarësinë në NATO. Të gjitha këto çështje i kanë futur në qorrsokak marrëdhëniet SHBA-Turqi.

Politologu Dogu Ersil i referohet edhe një sondazhi të fundit në Turqi: Sipas tij, SHBA është në Turqi më e papëlqyer se në Iran. Në shoqëri po përhapet një qëndrim gjithnjë e më armiqësor ndaj SHBA dhe BE, thotë Ergil, pavarësisht politikës së Erdoganit. (dw)

Michael Roth: “Sa më i qendrueshëm Ballkani Perëndimor, aq më mirë për BE-në”

RothBallkani Perëndimor ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian, thotë ministri i shtetit Michael Roth, në intervistë për DW, në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor në Londër. Ndaj ky rajon nuk duhet lënë vetëm.

DW:  Zoti ministër i shtetit, këtu në Londër fillon Western Balkan Summit numër 5. Çfarë na pret, cilat janë objektivat e këtij samiti?

Michael Roth: Që të japim një sinjal të qartë që situata në Ballkan ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian. Ne deklarojmë mbështetjen për perspektivën në BE (të Ballkanit), në formulojmë shpresa, por edhe duam të ndihmojmë shumë konkretisht që të forcohet sundimi i ligjit, që të ketë para së gjithash perspektiva pozitive për brezin e ri, që të mund të kontribuojmë për bashkëpunimin rajonal dhe para së gjithash për pajtimin. Askush nuk lejohet ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor, pikërisht tani jo, ndaj në këtë kuadër kjo këtu në Londër është një konferencë e rëndësishme.

A do të ketë premtime të tjera financiare?

Ne kemi bërë shumë premtime financiare. Ajo që ka rëndësi tani është që projektet, për të cilat është rënë dakord edhe të përfundojnë me sukses. Këtu unë jam shumë i paduruar. Në anën e arritjeve ka disa gjëra pozitive që mund të përmenden, për shembull Zyra Rajonale e Rinisë të Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të shërbejë para së gjithash për ta afruar brezin e ri. Këtu do të dëshiroja që të realizohen më tepër projekte. Është një fakt që të gëzon shumë, që ka pasur një sërë aplikimesh me projekte, të cilat ende nuk ka qenë e mundur që të miratohen, sepse mjetet financiare janë të kufizuara. Këtu të gjithë duhet të bëjmë më shumë.

Po e njëjta gjë duhet thënë për infrastrastrukturën. Ne patëm pak kohë më parë takimin e nivelit të lartë të digjitalizimit. Duhet të bëhet e qartë, që në fund edhe të mbërrijë diçka te njerëzit në Ballkanin Perëndimor, pikërisht vende pune e edhe ndjesia, se nuk i kanë lënë vetëm.

Në përgatitjen e takimit të krijohet përshtypja se pikërëndesa e këtij takimi të nivelit të lartë është tema e sigurisë. Po ta teproj pak: a mund të thuhet se deri tani u bë fjala për rininë, kjo është pikënisja gjermane, pastaj u bë fjalë për bashkimin doganor dhe për një pikënisje ekonomike, të cilin e përfaqëson Komisari dhe tani britanikët vunë temën e sigurisë në rend të parë. A është një vëzhgim i saktë ky? A është kjo një tendencë?

Ne natyrisht do të hedhim edhe njëherë vështrimin se çfarë u nis në procesin e Berlinit dhe ku duhet të këmbëngulim edhe një herë, çfarë nuk ka ndodhur ende dhe çfarë ka ndodhur. Pra gjithnjë ka një proces pasues, por është shumë e drejtë që ne theksojmë edhe rëndësinë në politikën e sigurisë të Ballkanit Perëndimor. Këtë me sa duket ende nuk e kanë të qartë të gjithë: sa më i qendrueshëm dhe më i sigurtë Ballkani Perëndimor, aq më mirë është për Bashkimin Evropian. Ai është fqinji ynë, ka një sërë shtetesh anëtare të BE, të cilët shtrihen në fqinjësi të drejtpërdrejtë me Ballkanin Perëndimor, pra ai nuk është një rajon që është shumë i largët. Dhe ekziston fusha e migrimit, ekziston fusha e luftimit të terrorizmit, ekziston para së gjithash fusha e përhapjes së armëve të kalibrit të vogël…

(A mund të ngul këmbë pak?) Për temën e sigurisë edhe për Evropën është shumë e qartë që ka rëndësi tema e luftimit të arsyeve të arratisë, e mënjanimit të arratisë, e migrimit. Si tematizohet kjo në këtë samit për Ballkanin, në bashkëpunim me shtetet e Ballkanit Perëndimor?

Ne nuk duhet t’i lëmë vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në vitet e shkuara disa shtete kanë arritur suksese të konsiderueshme si shtete tranzit, atje janë pranuar shumë refugjatë dhe këtë ne duhet ta vlerësojmë lart dhe çmojmë. Kemi nevojë për një strategji gjithëevropiane dhe prandaj një politikë migratore, e cila konceptohet pa Ballkanin Perëndimor, nuk mund të jetë një politikë e suksesshme dhe e qendrueshme.

A mund ta konkretizoni këtë në lidhje me të gjithë temën e pranimit të refugjatëve, të izolimit të kufijve? Si do të integrohet Ballkani Perëndimor në këtë drejtim për mendimin tuaj?

Natyrisht që ne kemi një kufi të jashtëm të BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por ne nuk duam të ndërtojmë një “kështjellë Evropë”. Prandaj është shumë, shumë e rëndësishme që të bashkëpunojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat edhe mbajnë një përgjegjësi, dhe që t’i ndihmojmë ato që të jenë në gjendje t’i përgjigjen si duhet kësaj përgjegjësie. Pra këtu bëhet edhe fjalë edhe për solidaritet.

Pyetja e fundit: Ne këtu jemi në Londër, Londra është kryeqytet i një vendi, i cili është larguar nga BE dhe njëkohësisht këtu bëhet fjalë për një perspektivë anëtarësimi në BE të gjashtë shteteve ballkanike. A nuk kemi këtu një kontradiktë në njëfarë mase? Si e shikoni këtë?

Mbretëria e Bashkuar ende është pjesë e Bashkimit Evropian. Po të dëgjonin mendimin tim personal, britanikët as nuk do të dilnin, por në fund ata duhet të vendosin vetë. Dhe për aq kohë sa të jetë anëtare e BE, Britania e Madhe duhet të veprojë në përputhje me përgjegjësinë e saj. Dhe gjendja në Ballkanin Perëndimor u intereson jo vetëm gjermanëve ose austriakëve, por duhet të na interesojë të gjithëve dhe të gjithë ne mbajmë përgjegjësi për demokracinë, për sigurinë dhe për stabilitetin, por edhe për mirëqënien e njerëzve të Ballkanit Perëndimor dhe në qoftë se britanikët duan të japin për këtë një kontribut konkret, ai është shumë i mirëpritur. (dw)

Gjermania me ligj imigrimi: Kërkohen punonjës të kualifikuar

AufenthaltstitelQeveria gjermane do të paraqesë brenda këtij viti një ligj imigrimi. Për këtë ranë dakord partitë në koalicionin qeveritar. Por përmbajtja e një ligji të tillë është ende e paqartë.

Mbi 50 leje të ndryshme që të lejojnë të jetosh në Gjermani njeh legjislacioni gjerman. Këtu bëjnë pjesë viza për artistët, leja e kufizuar e qendrimit, leja e pakufizuar e rezidencës, Karta Blu e Bashkimit Evropian për punonjës shumë të kualifikuar e kështu me radhë. Veç kësaj ekzistojnë edhe shumë rregulla e dekrete, të shpërndarë në të gjithë legjislacionin gjerman. Një ligj i posaçëm për imigrimin deri tani mungon në Gjermani.

Kërkesë bazë e SPD

Ka vite që kërkesa për një ligj imigrimi është pjesë e programit të SPD, prej vitesh dështon SPD në rezistencën e partnerëve konservatorë të koalicionit CDU dhe CSU. “Gjermania nuk është vend imigrimi”, dëgjoje gjithmonë nga këto parti. Më vonë një ligj imigrimi është penguar me tezën se ka rregullime ligjore të shumëllojshme për këtë, prandaj nuk nevojitet një ligj imigrimi.

Por socialdemokratët e shohin këtë krejt ndryshe: “Rregullat aktualë të imigrimit janë një monstër burokratike”, ankohet për shembull politikani përgjegjës për politikën e brendshme në SPD, Burkhard Lischka në bisedë me DW. Edhe sikur të mbash parasysh vetëm nevojën që Gjermania të arrijë të dalë e suksesshme në garën ndërkombëtare për punonjësit më të mirë të kualifikuar, duhet të kërkosh “një ligj të thjeshtë, të qartë dhe të kuptueshëm migrimi”, thotë Lischka.

Imigrim në punë, jo në sistemet e mbrojtjes sociale

Ndërkohë, edhe partitë unioniste janë të gatshme që të flasin për një ligj imigrimi – vetëm se ai nuk duhet të quhet kështu: “Orientimin bazë e ofron marrëveshja e koalicionit qeveritar – dhe atje ne flasim për një ligj migrimi të punonjësve të kualifikuar”, thekson Philipp Amthor në bisedë me DW. Deputeti i CDU-së në Bundestag është anëtar i Komisionit të Punëve të Brendshme, migrim për të, si për të gjitha partitë unioniste do të thotë: imigrim në punë.”Nuk kemi dhe kaq pak migrim”, shprehet Amthor.

Konflikti i ardhshëm është i paraprogramuar

Sido që të quhet në fund: që në tetor, ministri i Brendshëm Seehofer do të paraqesë diçka, që mund të kishte pamjen e një ligji imigrimi. Se cila do të jetë saktësisht përmbajtja e tij është e paqartë. SPD-ja pati prezantuar para zgjedhjeve parlamentare një koncept, i cili orientohet mjaft në modelin e Kanadasë: çdo vit të lejohet të imigrojë në Gjermani një numër i caktuar imigrantësh. Ata do të përzgjidhen në bazë të një sistemi, në të cilin do të jepeshin pikë për arsimin, përvojën profesionale, njohuritë e gjermanishtes dhe të afërmit në Gjermani. Njëri nga hartuesit e konceptit është deputeti i SPD-së Karamba Diaby. DW-së Diaby i shpjegon:

“Me ligjin e imigrimit ne duam të kujdesemi për transparencë dhe të tregojmë se mbi bazën e cilave kritere mund të punosh dhe të jetosh në Gjermani.” Sipas këtij modeli, teorikisht do të ishte e mundur që të imigrosh në Gjermani pa pasur një ofertë për një punë të caktuar.

Ky është edhe njëri nga shkaqet pse e refuzojnë politikanët unionistë një model me pikë. “Te tema i imigrimit duhet të jetë e qartë një gjë”, thotë Armin Schuster, zëdhënës i CDU-së në Komisionin e Brendshëm. “Imigrimi në Gjermani kryhet përmes aksesit në tregun e punës”. Me fjalë të tjera: pa ofertë konkrete për punë nuk bëhet asgjë.

Nga informaticieni indian te kuzhinieri ukrainas

Por edhe në vetë partitë unioniste ndërkohë është e qartë se rregullat e tanishme janë shumë të ndërlikuara.”Deri tani kemi pengesa shumë të larta”, thotë Philipp Amthor. Prandaj me më shumë gjasa është një ligj i cili t’i përmbledhë rregullat ekzistues dhe t’i bëjë ato më pak të ngatërruara – këtë e mbështet edhe këshilli i ekspertëve për migrimin. Nuk është fjala vetëm për njerëz me kualifikime të larta. Më i thjeshtë duhet të bëhet migrimi për njerëz me profesione të thjeshta, por të kërkuara. “Nuk është fjala vetëm për superinformaticienin indian, por – dhe këtë mund ta them duke u nisur nga zona ime elektorale – edhe për kuzhinierin ukrainas.”  (dw)

Përpjekje për shpëtimin e djemve në një shpellë në Tajlandë

tajlandaZyrtarët në Tailandë thonë se të paktën katër vetë në mesin e një grupi prej 12 djemsh dhe trajnerit të tyre të futbollit janë shpëtuar, pasi patën ngecur në një shpellë më tepër se dy javë më parë.

Kreu u operacionit të shpëtimit, tha se zhytësve do t’u nevojiten rreth 10 orë, për t’u përgatitur për fazën e ardhshme të operacionit të shpëtimit dhe se i gjithë procesi po shkon “më mirë nga sa pritej.”

Duke Speed, i cili ka qenë anëtar i marinsave amerikane, tani anëtar i grupit Trender International, i tha Zërit të Amerikës se ndalimi i përpjekjeve të shpëtimit është thjesht çështje logjistike.

Katër djemtë që u shpëtuan të dielën u çuan menjëherë në spital.

Në përpjekjet e shpëtimit që janë përqëndruar në shpellat Tham Luang, në tajlandën veriore, janë angazhuar 13 zhytës të huaj dhe 5 tajlandezë

Secili nga djemtë është planifikuar të shoqërohet nga dy zhytës.

Zyrtarët thonë se mudn të duhen 2-4 ditë për evakuimin e të gjithë djemve, por operacioni duket se po zhvillohet më shpejt se sa parashikohej.

Në Tajlandë bie shi dhe djemtë së bashku me trajnerin e tyre kanë ngecur tek një copë vend, në thellësi të shpellës së rrethuar nga uji, gjë që e shton urgjencën për shpëtimin e tyre.

Ndërkohë, niveli i oksigjenit në shpellë ka rënë, duke e vështirësuar gjendjen e djemve, që kanë pakur shumë pak ushqime dhe ujë, që nga data 23 qershor, kur ata ngecën në shpellën 10 kilometra të thellë.

Trajneri 25-vjeçar që shoqëron djemtë i ka falenderuar njerëzit për mbështetjen e tyre dhe u ka kërkuar falje prindërve për këtë ngjarje.

Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter të dielën se qeveria amerikane po bashkëpunon ngushtë me zyrtarët tajlandezë, për shpëtimin e djemve.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1015947163292008451))

(voa)

Zaev ftesën për në NATO do ta merr personalisht nga Stoltenberg

Zaev-NATO-Ftesën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në Aleancë, Kryeministri Zoran Zaev do të marrë personalisht nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditën e enjte në orën 13:30, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kjo thuhet në agjendën fillestare të qeverisë dërguar gazetarëve të akredituar të cilët do të monitorojnë ngjarjen. Takimi dyditor i udhëheqësve të NATO-s fillon ditën e mërkur. Për ditën e en konferencë shtypi për shtyp e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg është planifikuar për të enjten, pas të cilit do të mbajë një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin maqedonas.

Përveç Kryeministrit Zaev, në takimin e NATO-s  me delegacioni e qeverisë do të marrë pjesë në takimin edhe zv. kryeministri për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov dhe Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. /Telegrafi/

Sejdiu: Kosovës s’i duhen kompromise të reja me Serbinë

fatmir sejdiu“Unë mendoj se Kosova i ka bërë kompromiset e veta. Janë kompromise, të cilat janë dhënë me Pakon e Ahtisarit… Keni parasysh formulat, të cilat nuk i gjejmë në asnjë shtet tjetër, për mënyrën e qeverisjes, për praninë e komuniteteve pakicë, për të drejtat e tyre, posaçërisht nëse e marrim komunitetin serb”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Sejdiu, Kosova dhe Serbia, tashmë po hyjnë në fazën finale të dialogut. Sa e shihni të mundshme arritjen e një marrëveshjeje të obligueshme për të dyja palët që çon drejt normalizimit dhe njohjeve reciproke?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se është e nevojës gjithmonë që Kosova dhe Serbia ta përfundojnë edhe këtë pjesë të bisedimeve për një qëllim të vetëm dhe tepër të rëndësishëm, për popujt e dy vendeve, në kuptimin e kapërcimit të asaj që është pengesë në komunikimet normale, në lëvizjen e lirë të qytetarëve, në ecje të tjera të zakonshme që bëjnë shtetet e tjera sovrane dhe të përshpejtimit të procesit për integrime. Prandaj, them se pikërisht kjo pjesë, me të gjitha vështirësitë e veta ka edhe disa sinjale që eventualisht mund të dalin me rezultat.

Por, duhet të them, po ashtu, dhe të shpreh shqetësimin tim se kjo formë e dialogut ka zgjatur shumë. Ka zgjatur, fatkeqësisht, për shkak të mungesës së elementeve shumë të nevojshme paraprake, që të hyhet në dialog të tillë dhe për të realizuar edhe për Kosovën, atë qëllim që ne e kemi shprehur edhe në kohën e bisedimeve të mëhershme, që ky proces të përfundojë me një marrëveshje, apo një traktat paqeje – një marrëveshje që do të ishte përfundimi i gjithë kësaj pjese që mund të jetë pengesë eventuale.

Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është se Kosova e ka përfunduar pjesën e statusit politik të saj, është shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Është shtet që është vënë në bankën e zezë praktikisht me momentin e ngritjes së kërkesës së Serbisë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare, për të vlerësuar se a është pavarësia e Kosovës e shpallur, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare apo jo. Ajo përgjigje është dhënë dhe fatkeqësisht në ecje e sipër, Serbia ka arritur që të instalojë një logjikë, e cila ka qenë pengesë edhe në këtë proces të dialogut edhe në ecje të mëtejshme sepse një dialog çfarë Serbia e ka menduar gjithmonë sipas prizmit të saj të shikimit, është dialog i cili nënkupton në një formë apo formë tjetër, prishjen e konceptit të përparshëm, të të gjithë asaj që ne e quajmë si proces të përfunduar.

Me këtë, deshëm apo nuk deshëm, vetë natyra e dialogut – e thënë fillimisht si dialog në nivel teknik dhe shkohet në nivele të mëvonshme, të cilat praktikisht kanë bërë që tash e sa vjet të jetë një zvarritje jashtëzakonisht e madhe – të jetë një element i cili drejtpërdrejt ka ndikuar edhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të jetë një proces, që në po të njëjtën mënyrë e ka penguar Kosovën në anëtarësimin e saj në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe po ashtu, në shikimet e përgjithshme në raport mes dy vendeve.

Unë kam pasur rezervat e mia që herët për këtë natyrë të kërkesave të Serbisë. Dihet një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dialogu të vazhdojë. Që atë kohë kam thënë se ai dialog duhet të definohet qartë. Kjo është në shtator të vitit 2010. Kam thënë se duhet të dihet formati i tij dhe të dihet se çfarë duam prej tij, por jo një dialog që do të hyhet me një të panjohur apo shumë të panjohura – një dialog që shpesh ka rrëshqitur në çështje, të cilat janë jashtëzakonisht të ndjeshme, sepse e shohim interesimin e vazhdueshëm të Serbisë për t’u përfshirë në çështje të brendshme të Kosovës.

Kjo ka të bëjë jo vetëm me strukturat paralele, por edhe me kërkesat e tjera që kanë prodhuar efekte negative deri më tani, sepse kanë instruktuar serbët, qoftë edhe ata që janë në institucione të Kosovës, sidomos në fazën e fundit, që të jenë një shtrëngesë në lëvizjet tona normale, e të cilat lëvizje do të jenë thjesht një përmbushje e garancive që janë dhënë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një Kushtetutë e cila është me standarde për trajtimin e të drejtave të lirive të njeriut dhe të komuniteteve, etnive pakicë, jashtëzakonisht të avancuara.

Rrjedhimisht, i shohim këto zhvillime, sidomos në fazën e fundit, se si kanë ardhur dhe diçka që gjithmonë ka qenë si përpjekje e keqinterpretimit të dokumenteve të mëhershme. Po e zëmë, Dokumenti i Ahtisaarit, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mënyra se si Serbia dëshiron që nëpërmjet një kërkese të shtuar dhe presionit që bën me njerëzit, posaçërisht në veri dhe në komunat me shumicë serbe, që ta ngritë në pjesën e përgjegjësive të tyre, në nivele ekzekutive, e që është e pamundshme.

Prandaj, kam shumë frikë se këto lëvizje që Serbia i ka bërë, fatkeqësisht i ka imponuar në shumë situata. Praktikisht, i kanë vënë në një pozitë jashtëzakonisht të ndjeshme edhe raportet e dialogut, raportet mes dy vendeve, duke pasur parasysh dhe jo fort insistimin e thellë dhe me ambicie të plota që të përfundohet, në natyrën çfarë unë do ta quaja në situatën më të mirë të menduar këtë tip të dialogut.

Tani kemi një situatë, e cila unë them se është e ndjeshme për Kosovën, një situatë e cila praktikisht e ka sjellë që dialogu gati, në një formë apo në formë tjetër, të jetë tema e përditshme edhe në media, dhe të jetë temë e përditshme, ta quajmë, në ambiciet e faktorëve të tjerë dhe këtu Serbia, fatkeqësisht e ka luajtur lojën e vet. Shiheni paralelen që ajo(Serbia) e bën, në të njëjtën kohë, sa vrapojnë njerëzit e Serbisë pra Ministria e Jashtme, të sektorëve të tjerë, t’i pengojnë njohjet e Kosovës. Bile, të shtyjnë shtete, apo të kërkojnë prej tyre tërheqjen e njohjes së bërë për Kosovën,sikurse dhe çështje të tjera – e keni parasysh ta zëmë UNESCO-n para dy vjetësh etj.

Radio Evropa e Lirë: Janë paralajmëruar edhe kompromise të vështira për të dyja palët. Nëse për Serbinë, kompromisi më i madh do të ishte njohja e shtetit të Kosovës, cili do të ishte kompromisi i Kosovës në raport me Serbinë?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se Kosova i ka bërë kompromiset e veta. Janë kompromise, të cilat janë dhënë me Pakon e Ahtisarit, është një dokument jashtëzakonisht gjithëpërfshirës dhe emrin e ka të natyrës së tillë sikur edhe vetë përmbajtja. Keni parasysh formulat, të cilat nuk i gjejmë në asnjë shtet tjetër, për mënyrën e qeverisjes, për praninë e komuniteteve pakicë, për të drejtat e tyre, posaçërisht nëse e marrim komunitetin serb. Serbët diku në 5 për qind, sa është pjesëmarrja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Kosovës, kanë të drejtat e barabarta me shqiptaret që janë shumicë që janë përtej 92 për qind.

Keni parasysh atë, vendet e rezervuara në Parlament, vendet e rezervuara në pushtetin lokal dhe çështjet e tjera, të cilat lidhen me vendimmarrjen, në të 2/3 e detyrueshme dhe të nevojshme të komuniteteve pakicë për çështje të rëndësishme dhe shoh sot, deshëm apo nuk deshëm të themi, ata, siç thashë edhe më herët, i kanë penguar edhe shumë procese në mënyrë të paarsyeshme ta zëmë çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës, apo e ndonjë iniciative tjetër, e cila domosdo, duhet të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Prandaj, do të jetë mirë edhe për të (Serbinë) dhe për vetë serbët në Kosovë që të përfundojë me procesin e njohjes, sepse kemi thënë një formulë që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që me deklaratën e miratuar nga deputetët dhe me premtimet esenciale që janë dhënë nga mekanizmat ndërkombëtarë, si ndërmjetësues se kjo është përmbyllje e një procesi duke pasur parasysh edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të dy – tre vjetëve sa ka zgjatur deri më 2012, dhe atëherë është përfunduar.

Çka është tjetra? Tjetra është se Serbia, praktikisht, ka dëshiruar të involvohet vazhdimisht në gjithë strukturën e brendshme dhe hapësirat e brendshme, duke instruktuar njerëzit që të bëjnë edhe obstruksione, të cilat kanë qenë të dëmshme edhe për perspektivën e tyre. Dhe, nuk e di cili duhet të jetë kompromisi i dhembshëm për Kosovën tash! Unë e di që shtrohen shumë tema. Shtrohet tema, ta zëmë, e ndarjes së Kosovës, bisedohet e thuhet në qarqe të ndryshme e kuluare, të cilat unë nuk dua t’i marr shumë serioze, po mbase, nganjëherë janë edhe se gicilojnë bisedën se janë shtruar edhe në forma të tilla edhe më herët. Ndarja e Kosovës dhe përpjekja që në njëfarë mënyre të ketë ridizajnime të kufijve në këto hapësira të Evropës Juglindore, është jashtëzakonisht e rrezikshme.

E kam thënë edhe në kohën kur kam qenë president i vendit, edhe më herët, dhe e përsëris edhe tash; të jetuarit brenda një etnie brenda kufijve të vet, është zgjedhje ideale, në këtë rast edhe për shqiptarët zgjedhje ideale do të ishte atë që Serbia e thotë apo dikush tjetër, ta quajmë, bashkimin me Shqipërinë. Mirëpo, zgjedhja racionale është kjo që Kosova ka zgjedhur dhe mendoj se është një kompromis jashtëzakonisht i madh. Një kompromis që përputhet esencialisht me qëndrimet që kanë qenë edhe të Grupit të Kontakti. Kemi parasysh ato tri pikat e rëndësishme të fillimit të vjeshtës së vitit 2005, se Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen e vitit 1999 dhe para saj; se Kosova nuk do të ketë ndryshime të kufijve; dhe se Kosova nuk do të bashkohet me ndonjë vend tjetër.

Pra, ta quaj një trepikësh jashtëzakonisht esencial, i cili ka qenë udhëheqës në proceset e mëvonshme.

Unë e kam udhëhequr dialogun me Serbinë gati dy vjet të plota dhe i di qëndrimet që kanë qenë dhe debatet e mëdha që janë zhvilluar. Në ato debate ka qenë esenciale, sepse ka qenë edhe përfaqësuesi i federatës ruse, zoti Archenko në atë kohë, ishte përfaqësuesi i SHBA-së, ambasadori Frank Wisner , dhe ishte përfaqësuesi i BE-së , ambasadori Wolfgang Ischinger.

Dhe, çka ishte e rëndësishme ishte se në pikat esenciale, domosdo se përputheshin, se ishin të përbashkëta. Në anën tjetër, Serbia, fatkeqësisht, në forma të ndryshme të trysnive, ka arritur që të krijojë ta quaj një status- quo të neveritshme, jo të lehtë edhe për qytetarët serbë.

Keni parasysh zhvillimet e fundit, presionet tek ata, sepse ata e pranojnë (presionin) që ta lëshojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës, apo mekanizmat e tjerë të institucioneve të Kosovës që është dëm edhe për vetë serbët.

Natyrisht, që është dëm edhe për proceset e mëtejme. Prandaj, unë uroj që këtë fazë finale që po e quajnë, nuk e di se sa është finale, uroj që të përmbyllen këto procese. E mira e së mirës ka qenë që natyra e dialogut të jetë natyrë e dialogut teknik, jo të ngrihet asnjëherë në rrafshet që esencialisht mund të tangojnë (prekin) kornizat themelore të ndërtuar deri tash edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe natyrisht të kemi një rehati në ecjet e mëtejme.

Radio Evropa e Lirë: Janë përmendur edhe vijat e kuqe të dialogut. Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar dialog pa vija të kuqe, ndërkohë që ka shumë mospajtime rreth deklaratave të tij. Si e shihni ju një dialog eventual pa vendosjen e vijave të kuqe në të?

Fatmir Sejdiu: Esenciale për një proces është që të dihet skema kryesore se deri ku dhe si mund të shkohet në të. Me fjalë të tjera, të jetë një agjendë e përcaktuar qartë. Natyrisht, unë nuk them se ajo duhet të debatohet me secilin, por të jetë shumë e qartë dhe të jetë e pranueshme për interesat e vendit.

Uroj të jetë kësisoj! Nuk jam asnjëherë për format e dialogut që mund të jenë të infinitiv. Unë nuk dua të besoj se përfaqësuesit e Kosovës në këtë rast të mund të lëshohen në një rrafsh të tillë që të shkohet pa vija të kuqe apo pa një formë të kornizimit të procesit të dialogut dhe të jetë e pafund.

Po duhet të jetë diçka që praktikisht që dihet ecja, pikat esenciale të trajtesave, apo të problemeve që do të shtrohen dhe natyrisht fokusin, apo atë që ne e konsiderojmë të ligjshme, të natyrshme dhe të pranueshme për të ardhmen e Kosovës dhe për qytetarët e saj.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, që dialogu po shkon drejt finale, në Prishtinë ende nuk ka një konsensus ndërmjet partive politike. Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi të brendshëm?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se është e nevojshme që për tema të mëdha – në këtë rast deshëm apo nuk deshëm, na ka ardhur si një temë e rëndësishme në të përditshmen tonë – që të ketë konsensus, që të ketë një marrëveshje.

Çdo marrëveshjeje të mirë dhe të nevojës, duhet t’i prijë, ta quaj ndjenja e komunikimit dhe vetë komunikimi i thellë, i ngjeshur dhe i hershëm.

Nëse, kjo nuk ndodh, mendoj se mund të jetë jo fort e hijshme dhe mund të jetë jo fort rezultative në kuptimin e asaj, sepse te vetë qytetarët ka shqetësime. Unë nuk them dhe nuk dua se besoj në institucione se kjo mund të jetë një formë për të investuar në përçarje të mëtejshme.

Radio Evropa e Lirë: Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se ndoshta ka munguar pak më herët, thjesht një nevojë e komunikimit dhe në të njëjtën kohë, një përpjekje shumë më serioze. Nuk e di se çka bëhet në pjesën e brendshme të aktiviteteve, por besoj se nuk është e mjaftueshme vetëm thirrja që në opinion del“Ejani apo po shkojmë, apo si…”, siç jemi mësuar t’i dëgjojmë nganjëherë.

Për mua është tepër e rëndësishme, siç punohet në kanale të tjera dhe me partneret e tjerë, po ashtu edhe në pjesën e jetës sonë të brendshme të ketë një komunikim të sinqertë.

Mbase ka dikush që e thotë vetëm sa për ta, siç thonë, ‘larë gojën’ dhe nuk është aty. Por, është shumë e rëndësishme se është momenti kritik – njerëzit duhet ta gjejnë energjinë, duhet të jetë një respekt i përhershëm për strukturën e institucioneve të vendit, hierarkitë e tyre dhe përgjegjësitë e tyre çfarë ato i kanë, si dhe një komunikim që duhet të rezultojë. Kjo, sepse, fundja, gjithmonë si pjesë të formulës që është esenciale, se edhe pozita dhe opozita, i kanë përgjegjësitë e veta. Që të dyja krijojnë institucionet e Kosovës dhe fizionominë e saj. Për ne është e rëndësishëm që ai moment të gjendet si duhet, njerëzit të bashkërendojnë veprimet e tyre, idetë dhe natyrisht konsensusi del thjesht, ndoshta edhe nga një rropatje eventuale një dialog që mund të jetë edhe më i thellë, por që duhet të dalë me rezultat.

Sejdiu: Gjithmonë i gatshëm për udhëheqjen e LDK-së

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund t’i kthehemi edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e keni drejtuar për disa vjet. A planifikoni kthimin tuaj në funksionet partiake, pra në LDK?

Fatmir Sejdiu: Unë e kam dhënë përgjigjen time rreth kësaj pyetjeje që e shtroni ju, se është shtruar në forma të ndryshme. Gjithmonë kam qenë, jam, dhe do të jem i gatshëm që nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e saj mendojnë se mund të jem në përgjegjësi të veçuara, në këtë rast edhe në udhëheqjen e partisë, jam i gatshëm, absolutisht po.

Nuk jam njeri që insistoj domosdo, absolutisht, por insistoj që LDK-ja të bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Në këtë rast, unë jam një nga njerëzit që kujtoj se e kam energjinë, e kam bagazhin tim, thjesht edhe politik, edhe përvojën jashtëzakonisht të bollshme, por ajo gjithmonë mund të begatohet edhe plus që të jap kontributin tim në çdo situatë.

Prandaj, ajo që më shtyn mua ta them këtë, është brumi i saj, është esenca e saj, është përmbajtja e saj, është projekti i saj që nga fillimi – filozofia e saj politike. Ka çështje, me të cilat nuk jam pajtuar e nuk pajtohem as sot, me zhvillimet brenda LDK-së, dhe nuk është momenti që tash ato t’i elaboroj.

Mirëpo, ajo që mua më mban në LDK, është ajo që e kupton dhe është thjesht shprehje e unit, identitetit të saj real në anëtarësinë gjerë që ka dhe në strukturat e saj të gjera. Kjo, sepse LDK-ja është një parti, unë them gjithmonë, e fuqishme, pavarësisht nuancave kohore dhe momenteve që kanë qenë në procese të caktuara zgjedhore, nganjëherë thjesht procese jokorrekte, nganjëherë jo, por shumë raste, i dini edhe vetë në kronikat tuaja, e nganjëherë jashtëzakonisht jokorrekte, dëmtimet që janë bërë. Njerëzit kanë menduar se (flas për strukturën e LDK-së) rezultati do të jetë vetëm ai i kutisë (votës aty), por rezultati është edhe dikush tjetër se si është mbushur kutia apo si është abuzuar, dhe kanë ndodhur ato procese.

Por, është e rëndësishme ajo që LDK-ja e ka një identitet real, në një filozofi që ka themelet e saj nga dhjetori i vitit 1989, në atë kohë kur edhe Presidenti Ibrahim Rugova merr timonin e saj. Dhe, ta quajmë gjithë ajo ndjenjë që është në anëtarësinë e saj e zhvilluar – shpeshherë kemi anëtarë jashtëzakonisht cilësor që nuk janë në struktura në të sotshmen, por janë njerëz që nuk dalin në parti tjetër. Ata mund të kenë hidhërime edhe me LDK-në, mos ta vënë votën, mos të dalin në proces zgjedhor, por janë njerëz që nuk kanë lëvizur nga aty. Unë jam një nga njerëzit e tillë, sepse e dini në kohën kur ju i keni përcjellë edhe disa procese që kanë qenë, unë kam pasur hidhërimet e mia, që është e logjikshme, është e njerëzishme, por nuk kam kaluar në ndonjë subjekt tjetër.

Dhe, mendoj se kjo është një qasje e re që një parti politike e ka, sepse jemi ngopur me lëvizjet, siç i quajnë në Shqipëri, me “merkaton” që bëhet për një treg me lojtarë, me lëvizjet që kanë bërë njerëzit nga një parti në një parti tjetër, në forma të ndryshme. Ajo është e neveritshme dhe atë(dukuri) e kemi pasur të pranishme në Kosovë dhe fatkeqësisht është edhe tash.

Por, unë them se pikërisht kjo qasje që unë e kam dhe që e kanë shumë njerëz, me të cilët mendojmë bashkë, ka bërë që LDK-ja ta ruajë fizionominë e vet edhe në këtë aspekt. Ata që kanë dalë, kanë provuar parti të reja, janë therë, flas në kuptimin më negativ të mundshëm, ose kanë bërë shërbime thjeshtë për partinë… E keqja më e madhe mund të jetë kur brenda LDK-së, sikurse edhe në parti të tjera, mund të ketë njerëz që punojnë për parti të tjera.

Mund të ketë njerëz që në projektet e tyre janë në shërbime të caktuar, të tillë që praktikisht dëshirojnë t’i mbajnë dy pozicione dhe të shohin se ka e mban barra. Praktikisht, është një diçka jokorrekte, ka ndodhur, ka shenja të tilla, pra ka pasur shenja të tilla se ka pasur, por s’dua të them emra.

(rel)

Samiti i Londrës do të shpallë nisma të reja për sigurinë në rajon

SamitiPrania e Britanisë së Madhe në Balkanin Perëndimor do të rritet, theksoi zëvendësambasadori britanik, Sean Melbourne në konferencën rajonale “Procesi i Berlinit – Samiti i Londrës 2018″, të zhvilluar në Tiranë.

Zv. Ambasadori i Britanisë së Madhe  në Tiranë, Sean Melbourne, deklaroi të premten  (6.07.2012), se vendi i tij do të rrisë praninë dhe angazhimin në Ballkanin Perëndimor. Në konferencën rajonale  “Procesi i Berlinit- Samiti i Londrës 2018” ai paraqiti synimet kryesore të Samitit. “Promovimi dhe mbështetja e Ekonomisë Dixhitale në të gjithë rajonin, Çështjet e Sigurisë dhe zgjidhja e Mosmarrëveshjeve Bilaterale janë objektivat tona kryesore. Por Samiti i Londrës do të shpallë gjithashtu nisma të reja për sigurine në rajon, axhendën dixhitale dhe zhvillimin ekonomik,” tha  zv. Ambasadori Britanik në Tiranë, Sean Melbourrne.

Bashkëpunimi Ekonomik, Politik dhe Siguria

Samiti i Londrës është i pesti në serinë e samiteve në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Merkel, në vitin 2014, për t’i dhënë impulse të reja afrimit të Ballkanit Perëndimor ( BP) me BE. Pjesëmarrësit në konferencë vlerësuan se promovimi dhe mbështetja e ekonomisë dixhitale është një mundësi për krijimin e një klime më të mirë biznesi, nxitjen e iniciativave private të rinisë, zgjidhjen e problemit urgjent të papunësisë tek të rinjtë, forcimin e bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi politik lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës dhe forcimin e demokracisë dhe barazisë gjinore në rajon.

Ndërsa forcimi i sigurisë mbetet parakusht i përballimit më me efektivitet i kërcënimeve të përbashkëta si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe qënieve njërezore, terrorizmi. Të premten ( 6.07.2018) në Tiranë , u firmos Marrëveshja e Mirëkuptimit per Shkëmbim të Informacionit në fushën e Drejtësisë Penale mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe që konkretisht do të thotë hetim dhe parandalim më efikas i veprimtarive antiligjore në territoret e dy vendeve, përmes shkëmbimit të të dhënave kriminale. Zhvillimi i samitit të pestë të Procesit të Berlinit në Londër është tregues  i vazhdimit të angazhimit të  Britanisë së Madhe në BP. Që edhe pse duket paradoksal pas Brexit, nuk është i tillë. Kjo pasi stabiliteti, siguria dhe paqja në rajon kanë rëndësi edhe për Britaninë e  Madhe edhe duke qënë jashtë BE, si një faktor global.

Zbatimi i ligjit- objektiv i munguar në Samitin e Londrës.

Në samitin paraardhës të vitit të kaluar, në Trieste, sundimi i ligjit, shteti i së drejtës ishte përfshirë si një nga synimet e samitit. Jovana Marovic, drejtore Ekzekutive e rrjetit “Politikon” në Malin e Zi  e quajti të gabuar mospërfshirjen në Samitin e Londrës. “Sundimi i ligjit është parakusht i të gjitha reformave që po ndërmarrin vendet e BP për progres në afrimin me BE. Shoqëria civile në nivel rajonal në forumet e zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit, ka rekomanduar që sundimi i ligjit të përfshihet në Procesin e Berlinit, si një nga objektivat e tij madhore. Madje, për këtë qëllim shoqëria civile ka propozuar ngritjen e një “Task Force Rajonale”, tha Jovana Marovic.

Parlamentet e BP – të lëna jashtë procesit të Berlinit 

Në samitet e deritanishme të Procesit të Berlinit dy kanë qënë aktorët kryesore: qeveritë e 6 vendeve të BP dhe shoqëritë e tyre civile. Dr. Majlinda Bregu , ish-Ministre e Integrimit dhe Sekretarja e ardhshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në janar 2019, tha në konferencë se parlamentet duhet të përfshihen në Procesin e Berlinit dhe në serinë e samiteve të Berlin Plus. “Pritshmëritë nga Samiti i Londrës janë që ai të jetë një Samit Produktiv në arritjen e synimeve të tij kryesore. Por parlamentet e 6 vendeve të BP duhet të përfshihen në nismat e Procesit të Berlinit. Po kështu edher roli i shoqërive civile të rajonit duhet të institucionaizohet,” tha Dr. Majlinda Bregu.

Samiti i Londrës do të zhvillohet në fillim të javës që vjen, nga 9-10 korrik 2018. Zoran Nechev, koordinator i Rrjetit ” Europa Jug- Lindore Think Tank” dhe studiues në Institutin për Democracy ‘Societas Civilis’ tha në konferencë se “për herë të parë në këtë samit do të marrë pjesë edhe Greqia si një vend anëtar i BE dhe që mund të kontribojë në arritjen e synimeve të Procesit të Berlinit për progres në afrimin të rajonit me BE.”

Me sa duket përpjekjet e Greqisë për të zgjidhur mosmarrveshjet me Maqedoninë për emrin dhe me Shqipërinë për kufirin detar mes dy vendeve si edhe Ligjin e Luftës, së vitit 1941 – që ende ekziston pasi nuk është ratifikuar për t’u hequr nga Parlamenti grek – janë në bazë të përfshirjes së Greqisë në Samitin e Londrës. (dw)

Turqia, dekret për pushimin nga puna të 18 mijë punonjësve

erdoTurqia ka nxjerrë një dekret për pushimin nga puna të më tepër se 18 mijë punonjësve civilë.

Rreth gjysma e personave të përfshirë në listën e publikuar sot, janë oficerë police.

Më tepër se 5 mijë vetë janë personel ushtarak, të cilët po ashtu ishin përfshirë në dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe 199 akademikë. Me dekretin e ri, po ashtu mbyllen tre gazeta dhe një stacion televiziv.

Turqia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme që nga korriku i vitit 2016, kur pati një tentativë për grusht shteti për rrëzimin e Presidentit Recep Tayip Erdogan. Qeveria turke fajësoi për këtë klerikun me banim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gullen.

Para njoftimit të së dielës, që nga viti 2016, në Turqi janë pushuar nga puna me dekrete emergjente, më tepër se 100 mijë njerëz.

Analistët politikë presin që gjendja e jashtëzakonshme të hiqet këtë muaj.

Si rezultat i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit, Turqia tani ka një presidencë të fuqishme. Roli i kryeministrit merr fund dhe ministrat do t’i raportojnë drejtpërdrejt presidentit.

Gjatë fushatës për rizgjedhjen e tij, Erdogan tha se do t’i jepte fund gjendjes së jashtëzakonshme.

Sistemi i ri presidencial hyn në fuqi të hënën, kur zoti Erdogan të bëjë betimin si president. Atëhere ai do të lejohet t’i nxjerrë dekretet vetë, me forcën e ligjit.

Kritikët thonë se gjendja e jashtëzakonshme është shfrytëzuar nga qeveria turke për frikësimin e kundërshtarëve politikë, një akuzë të cilën ajo e mohon.

Fundi i gjendjes së jashtëzakonshme, shihet si një mundësi për fuqizimin e përpjekjeve të Ankarasë për riparimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian. BE-ja e ka kritikuar me forcë Turqinë për masat shtypëse ndaj popullsisë dhe ka bërë thirrje vazhdimisht që t’i jepet fund atyre.

Erdogan pritet të takohet me udhëheqësit europianë gjatë javës, kur ai të marrë pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel. (voa)

Jeta e përditshme në Iran: “Ne kemi frikë”

iranPas daljes së SHBA nga marrëveshja atomike me Iranin, Europa, Rusia dhe Kina duan ta shpëtojnë atë: Ministrat e jashtëm takohen në Vjenë. Njerëzit në Iran janë të dëshpëruar. Për qeverinë në Teheran koha nuk pret.

“Tema më e rëndësishme gjatë udhëtimeve me taksi përmes Teheranit janë sanksionet”, thotë. 51-vjeçarja shtëpiake nga Teherani është e indinjuar. Frika e saj është, se “atmosfera është mbytëse. Ne nuk besojmë, që politikanët tanë mund të na drejtojnë për të dalë nga kjo krizë.”

Babai i Azam-it është 75 vjeç. Ai ka probleme me qarkullimin e gjakut dhe është i varur prej medikamentit warfarin. Ky preparat për hollimin e gjakut ndërkohë mezi gjendet në Teheran. “Ka disa javë që më duhet t’i bie qytetit kryq e tërthorë duke pyetur në farmaci nëse e kanë këtë medikament.”

Mungojnë mallrat e importit

Për njerëzit e zakonshëm në Iran këto janë pasojat e sanksioneve, sepse Irani nuk mund ta prodhojë vetë warfarin. Ky medikament tani importohet – edhe nëse importet mbërrijnë – ai mund të gjendet në sasi fare të vogël. Ndërkohë është rritur edhe çmimi i tij.

Edhe më shumë vështirësohet situata, që vendi ndodhet në krizë ekonomike. Qëkurse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në maj anuloi marrëveshjen atomike me Iranin, monedha vendase ka rënë ndjeshëm në raport me dollarin. Zyrtarisht dollari këmbëhet me afërsisht 43.000 rial, monedha iraniane. Para një viti këmbimi ishte me 32.000. Në tregun e zi sot dollari shitet më poshtë 85.000 rial.

Me daljen nga marrëveshja atomike dhe me kërcënimin me sanksione jo vetëm ndaj vet Iranit, por edhe sipërmarrjeve që bëjnë biznes m Iranin, SHBA përpiqet ta gjunjëzojë ekonomikisht këtë vend.

Vështirësi në sektorin financiar

Ndër instrumentat më efikasë të SHBA-së janë sanksionet në sektorin bankar. Institucionet monetare të Iranit duhet të shkëputen prej tregut global të kapitalit, aq më shumë vështirësohet situata, kur dihet që ato sapo e rifituan aksesin në treg me marrëveshjen atomike. Në fund të qershorit shumica e bankave europiane e ndërprenë qarkullimin e pagesave me Iranin. Pasoja është, që sipërmarrjet europiane mund t’i llogarisin me vështirësi import-eksportet me Iranin.

“Kjo rrënon biznesin dhe jetën tonë”, thotë Esmael, një biznesmen 38-vjeçar nga Teherani. Ai qendron në cep të një rruge me mjaft qarkullim jo larg pazarit të Teheranit.  “Ne kemi zgjedhur Rohanin, sepse ai donte të vendoste paqen me Perëndimin. Ne i përmbahemi marrëveshjes, Por përse duhet të ndëshkohemi, se SHBA-ja papritur ndryshon mendimin?”

Esmael së fundi ka qenë dy herë në Gjermani. Ai ka vizituar panairet e industrisë. Donte të importonte makineri gjermane për ambalazhimin e produkteve ushqimore, pasi ato për shkak të cilësisë vlerësohen shumë në iran. Tani planet e tij janë pezulluar.  “Europa mund të na mbështesë ne dhe të përfitojë prej kësaj. Irani është një vend i madh dhe i qendrueshëm në Lindjen e Mesme. E ç’të mirë ka Europa nëse ne zhytemi në kaos?”

SHBA-ja do ndryshimin e sistemit në Iran

SHBA-ja me sa duket punon në Iran për kthimin e regjimit autoritar në demokraci. Ndaj  SHBA-ja u ka bërë thirrje partnerëve të vet tregtarë, që duke nisur nga 4 nëntori 2018 të ndërpresin të gjitha importet e naftës nga Irani. Koreja e Jugut si aleate e SHBA-së në Azi i është përgjigjur kësaj thirrjeje duke e bllokuar që nga korriku këtë tregti. Eksporti i naftës është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të Iranit.

Ndonëse edhe 19-vjeçari teheranas Saeed dëshiron një vend demokratik, ai e konsideron të gabuar politikën e SHBA-së: “Presioni nga jashtë nuk na ndihmon neve. Prej krizës ekonomike vuajnë njerëzit e thjeshtë si prindërit e mi. Ata janë të shqetësuar, që duke nisur nga semestri tjetër do të rriten tarifat për studimin. Po ashtu ata i trëmben një lufte të mundshme.”

Zhgënjim nga udhëtimi në Europë

Presidenti i Iranit këtëjavë zhvilloi vizita në Europë. Tema qendrore ishte: shpëtimi i marrëveshjes atomike. Pas bisedimeve në Zvicër dhe në Austri, që tani kryeson presidencën e BE-së, Rohani ishte i zhgënjyer. “Paketa e sugjeruar nga BE-ja nuk përmban propozime konkrete dhe praktike për zgjidhje”, kritikoi Rohani të enjten (05.07) në mbrëmje.

Në një bisedë telefonike me kancelaren Angela Merkel Rohani u ankua në faqen zyrtare të presidencës, se kësaj oferte i mungon një plan aksioni apo një plan i qartë kohor për vazhdimin e bashkëpunimit. Irani do t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje, por vetëm “me kusht që ne të mund të përfitojmë prej marrëveshjes”, shprehet Rohani.

“Unë nuk do të harroj asnjëherë se si ne kemi kërcyer në rrugë prej gëzimit, kur u nënshkrua kjo marrëveshje”, thotë shkrimtarja dhe gazetarja 38-vjeçare Pegah. “Ne e kemi mbështetur Rohanin dhe politikën e tij e ai përfaqëson interesat tona. dalja nga marrëveshja atomike e SHBA-së është si një shpallje lufte ndaj popullit iranian. BE-ja tani duhet të qendrojë në anën tonë dhe të mbështesë paqen.”

Me takimin në nivelin e ministrave të jashtëm në Vjenë (06.07) Europa, Rusia dhe Kina duan të nisin përpjekjet për ta shpëtuar këtë marrëveshje. (dw)