Shtëpia e rrënuar e Osman Takës, luftëtarit shqiptar që mahniti armiqtë

shtepia e osman takesNjë histori nga Epiri, në kufi të Shqipërisë dhe Greqisë, me përmasat e një legjende: ajo e Osman Takës, luftëtarit që shpëtoi nga dënimi me vdekje duke i bërë për vete armiqtë me kërcimin e tij. Sot pa një përkujtimore dhe me shtëpi gati të rrënuar

Duket gati si një legjendë. Si ajo e Shehrazades, vajza nga Lindja që i shpëtoi vdekjes duke rrëfyer për njëmijë e një net, çdo mbrëmje, një histori emocionuese. Apo si historia e Arionit, kitaristit grek që me melodinë e tij thërret nga deti delfinin që do ta shpëtojë nga mbytja duke e mbajtur në shpinë deri në breg të detit. Mirëpo këtë herë historia është e vërtetë, dhe si e tillë përcillet jo vetëm në burime të besueshme, por edhe nga rrëfimet e fëmijëve të fëmijëve të atij që e jetoi. Është transmetuar nëpërmjet fjalës duke qenë se nuk rezulton në kohë aq të lashta saqë t’i jepen ngjyrimet e një miti, apo që të jetë të shtrembëruar nga brezi në brez, pasi historia ka ndodhur në gjysmën e dytë të viteve ‘800. Dhe protagonisti nuk është një artist profesionist, as një vajzë me një fantazi pjellore, por një luftëtar i ri i rritur në qendër të Epirit.

Histori dhe legjendë

I riu, kryetar i një grupi anti-otoman kishte rënë në  duar të armiqve dhe ishte dënuar me vdekje. Disa tregojnë se përballja e Osmanit me otomanët ndodhi për çështje nderi, pasi motra e tij ishte ngacmuar nga disa ushtarë otomanë. Kështu, djaloshi shqiptar reagoi ashtu siç duhej dhe mundej të vepronte, pra me hakmarrje. Taka vrau autorët që i cenuan nderin e motrës. Në Konispol tregojnë se i riu shqiptar jetoi duke u fshehur për të mos rënë në dorë të Osmanëve, që normalisht ishin të djallëzuar dhe i bënin “sytë katër” për ta shtënë në dorë. Në raste si ky i tij dënimi me vdekje ishte i pashmangshëm dhe në fakt kështu u dekretua. Sipas rregullores së osmanëve të dënuarve kur kapeshin u lejohej të shprehnin një dëshirë të fundit. Dhe provoni të gjeni se cila qe dëshira e Osman Takës? Të kërcejë: për herë të fundit në jetë të tij, të kërcejë. Dhe kështu nga Konispoli u thirrën instrumentistët që do ta shoqëronin në vallëzim me instrumentet e tyre të bukur, si dhe shokët e tij valltarë. Atë ditë në oborrin e Kalasë së Janinës u shtrua një sofër. Dhe kështu në sytë e Beut dhe të familjes së tij, si dhe para të gjithë funksionarëve dhe zyrtarëve Osman Taka nisi të kërcejë.  Tregojnë se ishte një valle e shkurtër ( që zgjati diku tek tre minuta): por me lëvizje kaq intensive dhe prekës, plot melankoli dhe krenari, aq sa i la të gjithë pa fjalë. Ishte e shoqja e Beut që e theu e para heshtjen, duke protestuar që jo, një valltar kaq i bukur dhe kaq i zoti nuk duhet të varej. Dhe atëherë të gjithë të pranishmit ranë dakord me këtë kërkesë, madje edhe shokët e ushtarëve të vrarë, derisa në fund edhe guvernatori, që si gjithë të tjerët e admiroi me zemër atë valle që nuk e kishte parë kurrë më parë deklaroi publikisht se i riu meritonte të jetonte. Kështu ai do të mund të kërcente, në atë mënyrë, me ata hapa, në mënyrë të paimitueshme. Pra, me pushtetin që kishte anuloi dënimin dhe e ridërgoi Osman Takën të gjallë me shokët e tij në Konispol.

Osman Taka, pa një përkujtimore dhe me shtëpi të braktisur

Fabrizio Polacco nga “Balcanicaucaso” ndjek një histori me përmasat e një legjende në Konispol, atë të Osman Takës, luftëtarit që mundi t’i shpëtojë vdekjes për shkak të aftësive të tij për të kërcyer  vallen e famshme të Konispolit. Për afro 3 minuta i riu shqiptar arrin të bindë xhelatët me lëvizjet ekspresive se duhet të jetonte. Historinë Polacco-s ia rrëfen një nga banorët e vendit Vullneti. Ai shprehet i habitur për faktin se në Konispol nuk gjendet asnjë monument, apo diçka që të kujtojë këtë figurë që tek e fundit të gjithë e njohin. I vetmi vend ku ai arrin të gjejë gjurmë të këtij rrëfimi është në një lokal, ku gjendeshin piktura që ilustronin historinë e ndodhur qindra vjet më parë. Mirëpo në Konispol ekziston ende ajo që ka qenë shtëpia e Takës, një shtëpi prej guri gati e shkatërruar tërësisht. Fabrizio nuk ka mundur të hyjë në shtëpi, pasi ditën e vizitës së tij nuk kishte gjetur askënd. Në një situatë të tillë, ku një personazh si Osman Taka nuk përkujtohet dhe shtëpia e tij është braktisur, Polacco ngre pyetjen më thelbësore: “Kush do t’i shtrijë dorën” kujtimit të Osman Takës, luftëtarit që qe i aftë të mahnitë armiqtë e tij? (shekulli)

Pelegrinazh në kulmin e verës: Myslimanët në Mekë

MekaMiliona besimtarë, vapë dhe falje: Eshtë Haxh në Mekë. Një herë në vit qyteti saudit është epiqendra e pelegrinazhit dhe sheshi ku mblidhen më shumë njerëz në botë.

Eshtë ekstremisht nxehtë në malin Rahma: 48 gradë. Sivjet pelegrnazhi përkon me pikun e sezonit të verës. Rrugës për në vendin qendror të Haxhit rreth 25 km në juglindje të Mekës – ushtarë të rinj sauditë i spërkasin pelegrinët me ujë të ftohtë dhe kujdesen, që ata të freskohen për pak çaste. Vullnetarë shpërndajnë shishe të vogla me pije freskuese. Të moshuar, gra e fëmijë trajtohen me prioritet. Unë dua që shishen time të ujit t’ia jap dikujt tjetër, por gruaja pranë meje nga India refuzon ta marrë. Ajo më tregon bidonin e saj të madh të ujit me ngjyrë të verdhë.

Shumë vetë kanë ujë me vete për të qenë të përgatiur mirë për rrugëtimin e gjatë në diellin përvëlues. Por herë pas here ndokujt në mesin e turmës i merret fryma nga mungesa e oksigjenit. Vazhdimisht unë përpiqem të thith sa më shumë ajër, duke ngritur kokën sipër. Për këtë udhëtim besimtarët janë nisur nga anë të ndryshme të të gjithë botës. Disa pelegrinë kanë kursyer gjatë gjithë jetës së tyre për këtë ditë, në mënyrë që të mund ta përmbushin detyrimin e tyre fetar.

Ata natën flenë në tokën e ngrohtë duke u mbuluar me qilimat e hollë shumëngjyrësh të lutjes dhe janë në varësi të korierëve sauditë të ushqimit, që shpërndajnë vazhdimisht gjatë rrugës porcioneme orizi me mish për pelegrinët. Në “ditën Arafa” është numri më i madh i besimtarëve në këtë vend. Për shkak të datës fiks të kësaj etape të pelegrinazhit faktikisht të gjithë pelegrinët takohen këtu – sivjet llogaritet të jenë 2,7 milionë syresh. Ndërsa në zonat e tjera të pelegrinazhit besimtarët mund të shkojnë në ditë të ndryshme.

Shpresë për faljen e mëkateve në “ditën Arafa”

mali i meshiresVizita në Xhabal ar-Rahma, “mali i mëshirës” në Mekë është e detyrueshme, në mënyrë që Haxhi të jetë i vlefshëm. Sipas legjendës vendi në rrëzë të malit “Arafa” do të thotë “njohje”. Adam dhe Eva janë ritakuar këtu, pasi u dëbuan prej parajsës. Në këtë vend duhet ta ketë mbajtur fjalimin e tij të fundit ndaj myslimanëve edhe Profeti Muhamed. Në këtë predikim lamtumire ai është shprehur për barazinë mes njerëzve, të drejtat e gruas dhe Haxhin.

Mes lindjes së diellit dhe perëndimit, pra në një periudhë relativisht të shkurtër kohore dhe në një sipërfaqe të kufizuar, afërsisht 78 kilometra katrorë takohen të gjithë pelegrinët. Një grup burrash e grashë nga Indonezia falen me zë të lartë, ata mbahen pas njeri-tjetrit përmes pëlhurës së bardhë, në mënyrë që të mos humbasin prej turmës.

Me të mbërritur në mal, një grua nga Gana ngre duart lart. ajo mban një pëlhurë të verdhë me mbishkrimin “Ghana Pilgrimage 2018″. Lotët i rrjehdin asaj në fytyrë. Edhe disa burra ndodhen plot përulësi në mal, ata djerësijnë, falen dhe qajnë.  Sipas legjendës Zoti në këtë ditë i fal shumë njerëz. Myslimanët besojnë, se një Haxh është një fillim i ri në jetë, që këtu lahen të gjitha mëkatet. Vendimtare për këtë është qendrimi në “malin e mëshirës”. Pelegrinët egjiptianë thërrasin në kor “Zot jam këtu, këtu ndodhem unë!” (dw)

 

Ushqyerja me qumësht gjiri

foshnja ne gjiZyrtarët botërorë të shëndetësisë u tronditën kur Shtetet e Bashkuara kundërshtuan një rezolutë për të inkurajuar ushqyerjen e foshnjeve me qumështin e gjirit, veçanërisht pas shumë dekadash studimesh që kanë treguar përfitimet si për nënat ashtu edhe foshnjet. Zëri i Amerikës bisedoi me dy mjekë të shquar që mbështesin fuqimisht rezolutën e OKB-së bazuar në studime shkencore dhe shpjegojnë të mirat dhe rreziqet e ushqyerjes me qumësht gjiri dhe me formulë.

Miliona foshnje në mbarë botën do të rriten mbarë nëse marrin qumështin e nënës për 6 muajt e parë të jetës – ose më gjatë. Gjetjet vijnë nga studimi më i madh dhe më i hollësishëm deri tani mbi të mirat e ushqyerjes me gji. Ai u botua në revistën mjekësore The Lancet dy vjet

më parë. Studimi tregon se ushqyerja me gji mund të shpëtojë jetët e 800,000 foshnjeve në vit.

Pediatrit thonë se ndërsa gratë duhet të kenë opsione, shkenca mbështet qartësisht ushqyerjen me qumështin e gjirit.

“Kjo është vërtetuar bazuar në disa dekada studimesh”, thotë mjeku Dennis Kuo në Universitetin Buffalo.

Ushqyerja me gji ka vlera ushqimore, ul infeksionet dhe është më e lirë se ushqyerja me formula.

“Ne e dimë se menjëherë pas lindjes, kur nëna e vendos fëmijën në gji, foshnja merr kolostrumin, qumështin fillestar që prodhon nëna dhe që ka përmbajtje të lartë imunoglobine që mbron fëmijën nga infeksioni. Pra ky qumësht është shumë i rëndësishëm për foshnjet dhe ushqimi vetëm me qumësht gjiri i vazhdon këto përfitime shëndetësore për foshnjen”, thotë mjekja Joan Younger Meeks.

Për gratë që përdorin formulën për foshnjet, uji i pastër është një domosdoshmëri jo vetëm për formulën, por edhe për pastrimin e shisheve. Lugët e përdorur për të matur formulën duhet gjithashtu të jenë të pastra. Nëse jo, foshnja mund të ketë diarre e cila mund të jetë fatale.

Dhe për shkak se formula është e shtrenjtë, nëse një nënë përpiqet ta zgjasë atë, foshnja nuk do të ketë mjaftueshëm për të ngrënë.

“Përfitimet e ushqyerjes me gji janë jashtëzakonisht të larta për t’u mbrojtur nga këto sëmundje”, thotë mjeku Dennis Kuo.

Foshnjet që ushqehen me qumësht gjiri kanë më pak infeksione të veshëve dhe më pak probleme të tretjes. Ata rriten ndryshe. Qumështi i gjirit i mbron fëmijët nga obeziteti më vonë në jetë.

Formulat janë përmirësuar me kalimin e kohës me shtimin e acideve yndyrore dhe proteinave më cilësore, por mjekët thonë se asgjë nuk mund ta zëvendësojë qumështin e gjirit.

“E vlerësoj faktin se formulat po përmirësohen gjithnjë e më shumë, por kam vërejtur se edhe kolegët tanë që punojnë në industrinë e formulave e pranojnë se qumështi i gjirit është standardi i artë dhe do të thoja se qumështi i gjirit është ende më i miri”.

Ushqyerja me gji gjithashtu sjell përfitime të qarta edhe për nënën. Pikë së pari, ajo zvogëlon shanset për të patur hemoragji pas lindjes.

Mjekët thonë se gratë duhet të mbështeten nga mjekët e tyre, nga familjet, komunitetet dhe nga punëdhënësit e tyre në mënyrë që të ushqejnë me sukses fëmijët e tyre – për t’u dhënë të porsalindurve shansin më të mirë për një jetë të shëndetshme. (voa)

The Guardian: A mund të shkakton konflikt shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?

KOsova-e-re-Kritikët pretendojnë se zgjidhja potenciale e kufirit në linja etnike paraqet precedent të rrezikshëm në Ballkan, shkruan Guardian.

Mund të jetë një marrëveshje që sjellë zgjidhje të qëndrueshme, prosperitet dhe integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian, por mund edhe të zhyt rajonin në një konflikt të përtërirë, transmeton Telegrafi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u përgatitur që ta vizitojë Kosovën gjatë muajit të ardhshëm, duke dëshmuar se Beogradi dhe Prishtina po “lundrojnë” nëpër idenë e arritjes së një marrëveshje për ndarje të territorit të diskutueshëm, apo të arrijnë marrëveshje për shkëmbim territoresh përgjatë vijave etnike.

Vuçiq dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, gjithashtu pritet të rifillojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Bruksel që synojnë të sjellin një zgjidhje të qëndrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës, duke i hapur rrugë dy vendeve për anëtarësim në BE.

Por shqetësimi për një marrëveshje të mundshme për ndarjen e Kosovës është duke u rritur. Kritikët thonë se me këtë veprim do të hapet “kutia e Pandorës” në Ballkan, me ndarje etnike të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë. Madje edhe në Shqipëri, që kufizohet me Kosovën, ndarja është duke u konsideruar nga shumë njerëz si një tronditje, kurse kryeministri Edi Rama po akuzohet për heshtjen e tij.

Vuçiq do ta shfrytëzojë vizitën e tij më 9 shtator në Kosovë për ta prezantuar “udhëzuesin e politikës shtetërore ndaj Kosovës”. Javë më parë, ai tha se është pro ndarjes së Kosovës përgjatë vijave etnike, që do të thotë se pjesa veriore matanë lumit Ibër që banohet nga shumica serbe të integrohet në Serbi. Ndërkaq, presidenti i Kosovës është duke u akuzuar për këtë duke përdorur terma të paqartë.

“[Një marrëveshje] duhet të jetë e fundit dhe historike për t’i dhënë fund konflikteve mes Kosovës dhe Serbisë njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Bekim Çollaku.

“Të dy palët, përfshirë bashkësinë ndërkombëtare, po mendojnë shumë, madje jashtë kutisë, në mënyrë krijuese, duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Objektivat e Kosovës janë të qarta: nuk ka ndarje sipas vijave etnike, por vetëm korrigjim paqësor për kufirin dhe njohje reciproke”, ka shtuar Çollaku.

Raportet tregojnë se Lugina e Preshevës, është e një rëndësie të veçantë strategjike për Serbinë, e cila mund t’i dorëzohet Kosovës në këmbim. Shumica e dërrmuese e kosovarëve janë shqiptarë.

Kosova fitoi luftën e përgjakshme të pavarësisë nga Serbia në vitet ‘1998-99 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë atë si provincë të saj. Ndërkaq, Rusia ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB kurse pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Një burim i qeverisë serbe tha se disponimi te ndërkombëtarët për ndarje të mundshme të Kosovës ka ndryshuar, pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane Angela Merkel. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, takoi dhëndrin dhe njëherit këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, gjatë korrikut ku diskutuan për ndarje.

“Ata po bisedojnë; opsione të ndryshme janë në tryezë”, tha një burim i qeverisë serbe.

“Pozicioni amerikan po ndryshon nga ai që ishte plotësisht kundër ndarjes, duke shprehur gatishmëri për ta diskutuar si opsion. Franca është gjithashtu mjaft pozitive lidhur me këtë çështje. Por jo edhe Gjermania”, ka shtuar ky burim.

Një burim i qeverisë së Kosovës konfirmoi se “disa nga bashkësia ndërkombëtare, dita ditës janë duke u shprehur të hapur për këtë ide [të ndarjes]”.

Megjithatë të dy palët e pranojnë se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mbetet një sfidë serioze. Por, asnjëri nuk do të dalë me propozime konkrete.  Beogradi nuk është duke i zbuluar taktikat e negociatave.

“Do të kemi shumë probleme brenda vendit”, ka thënë një burim serb. “Askush nuk është gati të mendojë për një zgjidhje, duke filluar nga kisha ortodokse serbe dhe opozita”, ka shtuar burimi serb.

Kritikët argumentojnë se rishikimi i kufijve përgjatë vijave etnike do të krijonte një precedent të rrezikshëm për pjesën tjetër të Ballkanit, pas luftërave të përgjakshme etnike që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Plani i keq i ndarjes territoriale-etnike në Kosovë do të na kthejë në tmerrin e viteve të ’90-ta”, ka deklaruar Sava Janjiq.

“Ideja e territoreve etnikisht të pastra do të bëhet model që do të krijojë efekte të forta në gjithë Evropën dhe do të forcojë ideologjitë radikale. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë diçka”, ka shtuar ai.

Çollaku këmbëngul se një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët “nuk do të destabilizojë rajonin dhe nuk mund të ketë ndonjë domino efekt”. Por çfarëdo zgjidhje territoriale do të shihet nga afër në Bosnje dhe Hercegovinë, ku Republika Srpska e dominuar nga serbët rregullisht kërcënon që të shkëputet, kurse në Maqedoni, ku rreth një e katërta e popullsisë janë shqiptarë, do të koncentrohej në perëndim dhe veri të vendit.

“Ndarja e Kosovës mund të hapë kutinë e Pandorës së Ballkanit duke kërkuar zgjidhje të bazuar në parime etnike”, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së jashtme të Bosnjës.

“Është formulë e përsosur për një fatkeqësi të re në Ballkanin Perëndimor. Shteti i brishtë i Bosnjës dhe Hercegovinës mund të zhduket para syve tanë, duke përhapur një spirale të re të nacionalizmit. Ajo mund të inkurajojë ekstremistët shqiptarë të kërkojnë të njëjtën zgjidhje në Maqedoni”, ka shtuar ai. /Telegrafi/

Nis gjykimi për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë

kuvendi rmNë Gjykatën Penale në Shkup, të martën ka filluar gjykimi ndaj 31 personave, pjesëmarrës në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar, të cilët ngarkohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rregullit kushtetues dhe sigurisë”. Ndërkaq, dy persona të tjerë akuzohen për asistim në kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas akuzës, ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë janë realizuar përmes një aksioni i cili ka qenë mirë i koordinuar.

Më 27 prill të vitit 2017, një grup protestuesish u futën me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë, ku u sulmuan deputetët, në mesin e tëcilëve ishte dhe kryeministri aktual i Maqedonisë Zoran Zaev, por më së keqi e pësoi deputeti Zijadin Sela, i cili mori lëndime të rënda trupore.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Mitko Cavkov, ish-ministër i Punëve të Brendshme, pesë deputetë të VMRO-DPMNE-së, drejtuesit e protestave të njohur si “Lëvizja për Maqedoni të përbashkët”, pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit, artisët ,etj.

Ndërkaq, për ditët në vijim janë caktuar edhe 37 termine për seancën kryesore.

Avokatët mbrojtës kanë pas një varg vërejtjesh sa i përket marrjes së dëshmive në kohë nga Prokuroria. Njëherësh, avokatët mbrojtës kanë kërkuar ndarjen e procedurës në disa lëndë, për shkak të numrit të madh të të pandehurve.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se me shumë rëndësi është që i tërë procesi të jetë transparent, por mbi të gjitha të zgjerohet hetimi. Ata kërkojnë që sa më parë, para bankës së të akuzuarave të gjenden jo vetëm aktorët e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, por edhe ata që urdhëruan ushtrimin e dhunës në Institucionin ligjvënës në ditën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferit.

“Nëse trupi gjykues ka disponim për të ardhur deri tek urdhërdhënësi, duhet ta zgjerojë hetimin. Në procedurat penale me rëndësi është planifikimi, argumentimi i tërë procesit gjyqësorë…Shpresoj të zgjerohet procedura hetimore sepse vetëm në atë mënyrë mund të arrihet deri tek urdhërdhënësi. Por, si duket gjithçka ngec në zgjerimin e procedurës penale për të hutuar opinionin, e vetëm e vetëm që të mos arrihet deri tek urdhërdhënësit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Selmani ish-gjykatës, aktualisht ligjërues i së Drejtës Penale në Universitetin Tetovës.

Ndryshe, zyrtarët e VMRO-DPMNE-së në vazhdimësi kanë kërkuar amnisti për të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit. Por, ata në Kuvend nuk kanë dorëzuar ndonjë propozim-ligj konkret, përmes së cilit do të kërkohej amnistia për të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje. Këtë gjë e ka bërë Lëvizja “Për Maqedoni të Përbashkët”.

Zyrtarët e pushtetit në vazhdimësi kanë theksuar se amnisti për këtë çështje nuk do të ketë.

Gjatë mbajtjes së seancës gjyqësore, një grup i protestuesve në mbështetje të të pandehurve, para Gjykatës së Shkupit ka brohoritur “Lironi vëllezërit tanë patriotë ”, “Evropa është mafi”, NATO Fashiste” etj. Për të parandaluar incidentet eventuale, para Gjykatës së Shkupit është u vendos kordoni policor. (rel)

Gjermani: Viza për punonjës që i mungojnë tregut të punës

pas hartaTë tërhiqen më shumë punonjës të kualifikuar në Gjermani – ky është qëllimi i ligjit në planifikim të migracionit, që është duke e përgatitur aktualisht qeveria federale.

Një gjë e kanë të qartë autorët e projektligjit të ri për migracionin e punës: papunësia e ulët dhe popullsia në plakje në Gjermani ua bëjnë të vështirë sipërmarrjeve, që t’i zenë me punonjës të kualifikuar vendet vakante të punës. Po ashtu autorët e projektligjit e pranojnë, që edhe punësimi i shtetasve të BE-së nuk do të jetë i mjaftueshëm, për të kompensuar mungesën e punonjësve të kualifikuar në tregun gjerman.

Gjermania për këtë arsye duhet të jetë shumë më efektive në tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga vendet e treta, thuhet në dokumentin përkatës – me vende të treta nënkutpohen vendet jashtë BE-së.

Dokumenti i formuluar nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe i pasuar për plotësim në Ministrinë e Punës dhe të Ekonomisë në fund të gushtit do t’i dorëzohet kabinetit të kancelares Angela Merkel. Me këmbënguljen e ministrit të Brendshëm kristiansocial (CSU)Horst Seehofer synohet që të evitohet një “migrim në sistemet e sigurimit social”.

Gjermania nuk preferon sistemin e pikëve

Ndryshe nga vendet si Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia, qeveria gjermane nuk do të aplikojë sistemin e pikëve. Në një sistem të tillë migrantët i nënshtrohen një verifikimi prej disa etapash, në të cilin vlerësohen kryesisht arsimimi, gjendja financiare, njohuritë e gjuhës dhe aftësitë për në tregun e punës. Sipas kushteve që plotësojnë migrantët klasifikohen me një numër të caktuar pikësh. Nëse numri i pikëve është i lartë atyre u jepet një vizë. Nëse numri i pikëve është i ulët, ata nuk pranohen.

Një sistem i tillë me pikë u propozua në vitin 2016 nga partia socialdemokrate. Asokohe propozimi u mirëprit edhe nga partitë e tjera të qendrës së majtë. Në draftin aktual rekomandohet, që njerëzit të përzgjidhen mbi bazën e kritereve të sipërpërmendura, por jo me sistem pikësh.

Se si mund të bëhet vlerësimi në rrethana të tilla, për këtë ekspertët aktualisht nuk janë të qartë. “Shtroj pyetjen, se si mund të zbatohet kjo”, thotë Thomas Liebig, studiues i migracionit pranë OECD-së (Organiazat për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin). “Unë nuk e di, se si mund të vlerësohen kritere të tilla. Në këtë rast është i nevojshëm një sistem pikësh.”

Rregullore e thjeshtë për kandidatët e kualifikuar

Për njerëzit me nivel të lartë arsimimi Gjermania ka ndërkohë një ndër ligjet më të thjeshta të migracionit në mbarë botën. “Në kushtet aktuale është më e thjeshtë të vish në Gjermani se sa p.sh. të shkosh në Kanada”, thotë Liebig. “Sistemi gjerman përqendrohet ndërkohë tek kualifikime mjaft formale. Nëse keni kualifikimin dhe një punë, mund të vini në Gjermani. Madje nuk është e detyrueshme të flisni gjermanisht.”

Njerëzve me kualifikim të nivelit të lartë Gjermania u jep një vizë. Ju mund të vini edhe pa një vend konkret pune në Gjermani dhe të kërkoni punë.

Por ajo që mungon në Gjermani, janë njerëzit me kualifikim të ashtuquajtur të nivelit të mesëm: infermiere, kujdestarë, ndihmës në kopështet e fëmijëve dhe profesionistë si elektriçistë apo marangozë. Për të gjitha këto zanate duhet të ketë një kualifikim të zyrtarizuar. Sipas Liebig punë të tilla mbulojnë 60 përqind të tregut gjerman të punës.

Deri tani ka pasur pengesa për njohjen e kualifikimeve të tilla. Shmangia e kësaj pengese, parashikohet në draft si “kyçi për një integrim të sukseshëm në tregun e punës” .

Shembull Danimarka

Eshtë e paqartë në draft, se çfarë kërkesash të mëtejshme janë të nevojshme: çfarë niveli të njohurive të gjuhës gjermane duhet të vërtetojë migranti i mundshëm? Duhet që aplikantët të kenë një ofertë konkrete pune nga një ndërmarrje gjermane?

Ndërkohë duket, sikur qeveria gjermane po tenton të japë viza për ata që kërkojnë punë dhe kanë një nivel mesatar kualifikimi. Një model i tillë është provuar si mjaft i preferuar në Danimarkë. Por në Gjermani me këtë nuk ka asnjë përvojë.

Shumë gjëra varen nëse punëdhënësit gjerman janë të gatshëm ta marrin parasysh një risk të tillë, pra të punësojnë njerëz me vizën përkatëse. “Kjo është një pikëpyetje e madhe”, thotë Liebig. Ai tërheq vëmendjen, se shumë sipërmarrje gjermane nuk preferojnë të punësojnë njerëz nga jashtë. “Ne i kemi pyetur punëdhënësit gjerman, nëse kanë interes të marrin punonjës nga tregje të huaja pune. Përgjigja dominuese ka qenë: jo, në asnjë mënyrë.”

“Për momentin duket sikur po aplikohet një sistem prej dy etapash: vijnë njerëz që kërkojnë punë. Nëse gjejnë një vend pune, atëherë ata marrin një vizë”, shpjegon Liebig.

Thjeshtimi i burokracisë

Për t’u bërë më atraktive për njerëzit me aftësi të veçanta apo arsimim të caktuar, Franca para pak kohësh ka precizuar një ligj migracioni. Ashtu si në Gjermani synohet që të thjeshtohet burokracia. Në rastin e Francës kjo prek kryesisht punonjës me funksione drejtuese për sipërmarrje ndërkombëtare, të cilët fitojnë mbi 5.000 Euro në muaj – normalisht këta janë shkencëtarë, punonjës në industrinë e argëtimit, punonjës sezonalë dhe profesione të regjistruara.

Ndërsa Suedia ndjek një politikë shumë më liberale – “parimisht atje mund të shkosh për çdo lloj pune”, thotë Liebig. Franca në të kundërt është e mbyllur. Gjermania do të pozicionohet diku në mes.” (dw)

Kërkime për trajtimin e sëmundjes së neuroneve motorike

NeuronetMjekët shpresojnë të ndryshojnë pritshmëritë për pacientët që jetojnë me sëmundjen e neuroneve motorike, sëmundja me të cilën shkencëtari i hapësirës Stephen Hawking jetoi për disa dekada.

Një raund i dytë provash klinike do të zhvillohen më vonë këtë vit, duke përdorur ilaçe për të goditur një gjen difektoz, që mjekët besojnë se mund të shkaktojë sëmundjen tek disa njerëz.

Dani Baird ka parë vëllezërit dhe motrat e saj të vdesin me sëmundjen e neuroneve motorike.

Kjo do të thotë se kur këmbët e saj filluan të dobësoheshin, Baird e dinte se kishte të njëjtin gjen difektoz të vëllezërve dhe motrave të saj.

Ajo ka formën e trashëgueshme të sëmundje së njohur edhe si skleroza laterale amiotrofike (ALS), e cila prek pesë deri në dhjetë për qind të pacientëve.

Baird thotë se kur motra e saj u diagnostikua me këtë sëmundje në moshën njëzet vjeçare, ishte një ngjarje dramatike, sepse askush nuk kishte dëgjuar për sëmundjen.

Jo shumë kohë pasi motra vdiq, vëllai i saj më i vogël filloi të kishte simptoma të dobësimit të muskujve. Ai vdiq kur ishte tridhjetë e tetë vjeç.

Pastaj me të njëjtën sëmundje u diagnostikua vëllai i saj i madh.

Familja ka një difekt në kodin gjenetik, që ndikon në prodhimin e proteinave.

Tani mjekët besojnë se e kanë identifikuar atë si një mutacion në gjenin SOD1. Ky është vetëm një nga trembëdhjetë gjenet, secili prej të cilëve studjuesit besojnë se mund të shkaktojë sëmundjen e neuroneve motorike.

Profesori i neurogjenetikës, Chris Shaw e shtyu Bairdin drejt provës klinike, por tashmë në moshën 67 vjeçare, ajo është e shqetësuar për dy vajzat dhe nipërit e saj, të cilët të gjithë kanë trashëguar gjenin problematik.

“Më tmerroi ky fakt, pasi kam parë vëllain tim me këtë sëmundje dhe dija se çfarë më priste. Isha veçanërisht e lidhur me vëllain tim të vogël dhe kam kaluar shumë kohë me të kur ishte i sëmurë. Por me të vërtetë, nuk e kam menduar kurrë se do të prekesha edhe unë nga sëmundja, prandaj, natyrisht, fillimisht shpresoja se ishte diçka tjetër, kështu ju drjejtova mjekëve“, thotë Baird duke kujtuar diagnozën.

Kjo është Qendra e Kërkimeve Biomjekësore që zhvilloi provën klinike për gjenin SOD1, në të cilën mori pjesë Baird; kjo ishte faza e parë kur përcaktohej në se ajo e kishte sëmundjen, si edhe për të përcaktuar dozën e trajtimit. Baird do të jetë në një provë të dytë që fillon më vonë këtë vit.

Profesori i neurologjisë Chris McDermott shpjegon se si funksionon kjo terapi.

“Tani kemi teknologji gjenetike të quajtur oligonukleotide antisensë, të cilat janë copa të shkurtra të materialit të ADN-së , që ne mund t’i injektojmë në palcën kurrizore, të cilat pastaj lidhen me gjenin difektoz dhe do të ndalin prodhimin e proteinës toksike”, thotë profesori.

Shkencëtarët po punojnë për prodhimin e një virusi, i cili do të prodhojë vazhdimisht një molekulë që vazhdimisht korrigjon molekulat difektoze. Një virus mund të përhapet gjerësisht përmes trurit dhe palcës kurrizore dhe të prekë qelizat problemaike në një trajtim të vetëm.

Christopher Shaw shpjegon se si funksionon terapia e tanishme:

“Ne trashëgojmë një kopje të gjenit nga të dy prindërit dhe në një kopje ka një mutacion. Pra, provat klinike me terapinë e gjeneve që janë duke u zhvilluar me antisenset, po përpiqen të godasin gjenin difektoz, pra, një nga ato kopje që prodhon proteina toksike. Nëse godasim gjenin, do të kemi më pak proteina toksike; qelizat mund të përballojnë atë sasi të vogël dhe shpresojmë që në këtë mënyrë pacientët të mbijetojnë “, shpjegon profesori.

Ndikimi i sëmundjes mund të shihet duke parë neuronet në tru.

Në një tru të shëndoshë, neuronet motorike u japin udhëzime muskujve, duke u treguar atyre se çfarë duhet të bëjnë. Me sëmundjen e neuroneve motorike mesazhet nuk arrijnë tek muskujt, ata thahen dhe dobësohen.

Në këtë laborator Dr Laura Ferraiuolo po krijon neurone nga qelizat e lëkurës, me synimin për zhvillimin e barnave për të trajtuar sëmundjen në fjalë.

“Ne marrim qelizat e lëkurës nga pacientët dhe individët që nuk kanë sëmundjen dhe i ri-programojmë këto qeliza të lëkurës në neurone. Kur prodhon neurone nga një individ i shëndetshëm, sheh se këto qeliza krijojnë një rrjet shumë të ndërlikuar “.

E kundërta është e vërtetë për neuronet e rritur nga pacientët me sëmundjen e neuroneve motorike: “Kur marrim qeliza të lëkurës nga një pacient i prekur nga sëmundja, shohim se ky rrjet është më pak i ndërlikuar dhe aktualisht ka më pak neurone. Pra, ajo që ne po përpiqemi të bëjmë në laboratorin tim, është të përdorim këtë model për të gjetur ilaçe që mund të shpëtojnë këtë lloj sjelljeje, që në të vërtetë mund të rrisë numrin e neuroneve dhe numrin e lidhjeve që qelizat krijojnë me njëra-tjetrën”, thotë Ferraiuolo.

Kjo është një përpjekje e shumëanëshme për të gjetur një trajtim për sëmundjen.

Më vonë këtë vit në Kolegjin King në Londër, do të fillojë një tjetër provë për një tjetër gjen të gabuar, i cili prek shumë më tepër pacientë me sëmundjen e neuroneve motorike.

Deri tani mjekët thonë se janë në gjendje të identifikojnë difektet e gjeneve përgjegjëse për 15 deri në 20 për qind të të gjithë pacientëve që kanë këtë sëmundje. (voa)

Lundrim virtual

lundrim virtualRyan Abrahamsen, founder of Terrain 360, a virtual river mapping company, on the Patuxent River in Maryland, with passenger.

Rreth 400 vjet më parë, eksploruesi anglez, Kapiteni John Smith lundroi nëpër gjirin e Çesapikut në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, që njihet si pellgu më i madh ujor i vendit ku uji i ëmbël nga lumenjtë dhe rrjedhat përzihet me ujin e kripur të oqeanit. Ai përpiloi hartat e gjirit dhe lumejve që derdheshin në të. Tani vizitorët mund të realizojnë një udhëtim virtual në 11 nga këta lumenj. Korrespondentja Deborah Block lundroi nëpër lumin Patuxent me një barkë të vogël të pajisur me aparate fotografike dhe kompiuter për të parë si realizohet projekti i realitetit virtual:

Në lumin Patuxent në Meriland, një ndër lumenjtë që derdhen në Çesapik, kjo barkë është projektuar dhe ndërtuar nga Ryan Abrahamsen ((Abra-HAM-sen)), themelues i kompanisë “Terrain 360”. I frymëzuar nga programi “Google Street View” që ofron pamje reale të rrugëve në qytete, Abrahamsen ka krijuar një tur virtual të lumenjve siç shihen gjatë udhëtimit me barkë. Procesi është mjaft i komplikuar:

“Kemi montuar gjashtë aparate fotografike, një ndjesor për dritën dhe një mjet orientimi fizik GPS. Në pjesën e poshtme kemi një kompiuter me ekran të ndritshëm që kontrollohet me prekje të ekranit. Aparatet fotografike komandohen nga kompiuteri, i cili gjithashtu regjistron të dhënat dhe pamjet, GPS-s merr koordinatat, regjistrohet presioni atmosferik, lagështia dhe temperatura”.

Gjatë lundrimit, lentet me rreze të gjerë fotografojnë çdo 12 metra. Për të krijuar pamjet me rezolucion të lartë që ofrojnë imazhin panoramik të lundrimit, duhen qindra mijëra fotografi.

Sot, Abrahamsen i shton hartës së lumit Patuxent 200 mijë fotografi të reja nga një liman ku ai ka kapur shumë detaje të ndryshme

Udhëtimi virtual në 11 lumejtë e gjirit të Çesapikut financohet nga shoqata ambjentaliste “Chesapeake Conservancy” dhe mund të shihet në faqen e tyre elektronike chesapeakeconservancy.org:

“Donim të ofronim për publikun informacion dhe frymëzim që të dalin e t’i vizitojnë lumenjtë, të eksplorojnë gjirin e Çesapikut që pastaj të duan ta mbrojnë atë,” thotë presidenti i shoqatës, Joel Dunn.

Abrahamsen thotë se vizitat virtuale tregojnë bukurinë e lumenjve, por shpalosin edhe problemet mjedisore.

“Brigjet janë dëmtuar nga erozioni, ka ndotje, shihen derdhjet e ujit nga qytetet, shihen goma makinash. Publiku sheh gjëra që duhet të pastrohen, sheh nevojën për t’u kujdesur për mjedisin ku jetojmë, për ekosistemin e lumenjve”.

Lumenj si Patuxent dhe të tjerë që derdhen në gjirin e Çesapikut ndodhen fare pranë qyteteve të mëdha si Uashingtoni dhe Baltimore dhe janë një mundësi për banorët e këtyre qyteteve që të shijojnë këtë bukuri të natyrës.

“Njerëzve mund t’u shërbejë udhëtimi virtual nga shtëpia apo zyra për të planifikuar një udhëtim real. Por mund ta vizitojnë faqen edhe kur janë duke lundruar apo kudo tjetër,” thotë presidenti i shoqatës “Chesapeake Conservancy”.

Këta lumenj janë pjesë e turneut “Harta Historike e Kapitenit John Smith,” i pari tur historik në Shtetet e Bashkuara që zhvillohet plotësisht në rrugë ujore.

Në janar të vitit 2019 do të nënshkruhet protokolli për anëtarësim në NATO

NATO-dhe-Maqedoni-Nga pjesa e dytë e vitit 2018 fillojnë bisedimet për anëtarësim në mes Republikës së Maqedonisë dhe NATO-s, me procedura të rregull çka ishin ballafaquar të tëra vendet anëtare, deklarojnë nga Qeveria, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Anëtarësimi i plotë i Republikës së Maqedonisë në NATO është i arritshëm. Vendi ynë do të bëhet anëtare e sistemit më të fuqishëm të sigurisë kolektive që bashkon 900 milionë qytetarë. Vendet më të forta në botë do të jenë aleatët tanë, gjë që do ta realizojë qëllimin tonë strategjik. NATO është garancia më e fortë për stabilitetin, sigurinë, ruajtja e kufijve dhe integritetit territorial. Anëtarësimi në NATO është njëkohësisht një parakusht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe prosperitetin”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Për më tepër, Republika e Maqedonisë do të duhet të deklarojë angazhimin dhe gatishmërinë e saj për t’iu përmbajtur standardeve politike të NATO-s, mbrojtjes dhe çështjeve ushtarake, të ndajë fonde të mjaftueshme për të zbatuar të gjitha detyrimet e saj, të marrë pjesë plotësisht në strukturat e Aleancës dhe çështje të tjera të ndërlidhura me sigurinë.

Përveç kësaj, Republika e Maqedonisë do të duhet të shprehë gadishmërinë e saj për t’u bashkuar me të gjitha marrëveshjet formale që janë pjesë nga korpusi i marrëveshjeve ndërkombëtare të NATO-s dhe rregullave të NATO-s.

Përveç kësaj, paralelisht me bisedimet e pranimit, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë duhet të zhvillojë një program për vazhdimin e reformave. Programi duhet të sigurojë një kuadër për vazhdimin e reformave të brendshme (p.sh. sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma të shërbimeve të sigurisë dhe të shërbimeve të inteligjencës), si dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe zbatimi i plotë i marrëveshjes me Greqinë.

Kjo është procedura standarde për anëtarësimin në NATO në të cilat kanë kaluar të gjitha vendet anëtare deri më tani. /Telegrafi/

Televizionet serbe zbulojnë planin Thaçi-Vuçiç: Ja si do të ndahet Kosova

tv serbiKëto ditë televizionet e Serbisë kanë filluar që në edicionin e lajmeve të shfaqin, më të zgjeruar hartën e Serbisë. Tashmë, në ekrane, Serbisë i është bashkuar Republika Serbe dhe Veriu i Kosovës. Ky duket të jetë hapi i parë i implementimit të idesë së liderëve serbë dhe presidentit Hashim Thaçi, për t’i lëvizur kufijtë.

Pjesë e hartave që shfaqen në televizionet serbe është bërë tashmë edhe Republika Srspka e Bosnjës dhe Veriu i Kosovës, shkruan Gazeta Express. Lajmet e mbrëmjes në televizionin “Prva” janë shoqëruar me hartën e një “Serbie të madhe”.

“Çfarë po shfaqet në lajmet e mbrëmjes në Serbi këto ditë: hartat që duken sikur Serbia ka aneksuar Republikën Srpska dhe Veriun e Kosovës”, ka shkruar në Twitter, Jasmin Mujanoviç, eksperti i politikës për Evropën Juglindore.

Atë çfarë po shfaqet tashmë në televizionet serbe, në kohën kur lëvizja e kufijve është kundërshtuar nga të gjithë fuqitë e mëdha, Mujanoviç e krahason me kohën e Millosheviqit.

“Kjo është e një vijë me atë që ka bërë RTS gjatë kohës së Millosheviçit”. Deklaratat e fundit të Presidentit, Aleksander Vuçiç, për ‘përcaktim kufijsh’ në baza etnike, janë konkretizuar me hartat që televizionet po shfaqin.

Mujanoviç thotë se presidenti serb dhe lideri i Republika Srpskas, Millorad Dodik, po duan dhunë. Prekja e kufijve në Ballkan është cilësuar nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian si tensionim i situatës dhe destabilizim. (shekulli)