Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave në Shqipëri

Pergjime ShqiperiMateriali në vazhdim u përgatit për Zërin e Amerikës nga gazetarja Klodiana Lala dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN.

Dhjetra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hedhin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor.

Në katin e tretë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, zyrat e prokurorëve që drejtojnë hetimet e dosjeve 339 dhe 339/1 janë të mbushura dëng me dokumente. Fletët e fashikujve gjenden të shpërndara mbi tavolina dhe dysheme, ndërkohë që një seri kutish kartoni të mbushura me CD presin radhën për t’u zbardhur.

Mbi njërën prej kutive dallon shënimi me shkrim dore “korrupsion dhe blerje votash; 42 CD”.

Një kat më poshtë, katër oficerë të policisë gjyqësore transkriptojnë përgjime që datojnë nga viti 2016. Nuk ka ende një bilanc të qartë, por mbeten ende dhjetra CD me përgjime të patranskriptuara.

Dosja hetimore 339 zuri fill në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës.

Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat.

E ndarë më vete në vitin 2017, nga dosja 339/1 është zbuluar vetëm “maja e ajsbergut”.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore.

Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN ngrejnë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.

Për të parë dokumentet e përgjimeve klikoni këtu.

Bisedat telefonike tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.

Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës.

Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri.

Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien këmbanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës. Ndërsa dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi refuzuan të komentonin mbi ecurinë e hetimeve.

Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje.

I kontaktuar nga BIRN, Dako refuzoi të komentonte mbi marrëdhëniet e shtrira në kohë me vëllezërit Avdyli, mbi ç’mënyrë ishte ndihmuar prej tyre në zgjedhje apo nëse në këmbim, u kishte ofruar atyre zgjidhje të problemeve.

“Unë nuk jam marrë asnjëherë në pyetje nga Prokuroria,” tha ai.

Vota, dreka dhe trafik influence

Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45 vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10 vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta.

Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt.

Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.

Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikon me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.

Një prokuror në dijeni të hetimit, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se kreu i dyshuar i bandës, Astrit Avdyli komunikonte me kryebashkiakun Dako jo me telefonin e tij, por përmes personave të tjerë. Prokurori i tha BIRN se rrjedhja në media e lajmit se kryebashkiaku Dako ishte përgjuar në nëntor 2017 e dëmtoi hetimin. Por komunikimet u ndërprenë vetëm përkohësisht.

“Mund të them që janë me dhjetra telefonata të përgjuara,” tha prokurori. “Kryesisht flisnin për takime të ndërsjella, për të drekuar apo darkuar. Komunikonin edhe për probleme të tjera, kërkonin zgjidhje të problemeve të përditshme,” shtoi ai.

Përgjimet e siguruara nga BIRN tregojnë se Dako ishte zyrtari më i lartë, por jo i vetmi që kultivoi raporte të ndërsjellta me vëllezërit Avdyli.

Një numër zyrtarësh lokalë në institucione kyçe si inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përgjuar gjatë komunikimeve me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ndërkohë që këta të fundit kërkonin favore të llojeve të ndryshme.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se vëllezërit Avdyli kanë komentuar apo ndjekur me interes zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndonëse nga bisedat nuk del qartë se kush ishte kandidati i preferuar.

Bashkia e Durrësit rezulton të jetë vetëm njëra prej zonave të influencës së grupit të dyshuar kriminal, ndërsa të dhënat hetimore tregojnë se ata janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash.

“…Nga përgjimet e telefonave celularë në përdorim të shtetasit Gjevi Ndoka evidentohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, si para dhe gjatë fushatës zgjedhore është përfshirë në mënyrë aktive duke ofruar dhe dhënë të holla (para) zgjedhësve për të votuar kandidatët për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste, të dhëna këto që dalin nga përgjimet,” shkruhet në dosjen hetimore.

Megjithatë, jo të gjitha transaksionet për votat kanë shkuar fjollë.

Një telefonatë e përgjuar dy ditë pas zgjedhjeve, të cilët hetuesit e çështjes e identifikojnë në zonën e Kavajës- por që BIRN nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur, tregon jo vetëm fenomenin e blerjes së votës, por edhe fotografimin e saj dhe presionin për të kthyer paratë mbrapsht.

“Është filmue ajo punë, le tashi. Të më japë lekët mbrapsht Miri, ka mbaruar ai muhabet,” thotë njëri prej biseduesve. “Ne i japim lekët me mbaru ato punë e halle që keni, jo me dhanë lekë e mos me dhanë votën,” shtohet aty, duke kërkuar që lekët të kthehen urgjentisht mbrapsht.

Makineria e Dibrës

Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë dominante e debatit politik në Shqipëri.

Partia Demokratike në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur Partia Socialiste mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin.

Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.

“Të dyja këto parti [Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim] treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport.

Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.

Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit-i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorrën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje.

Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë.

Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende.

Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni.

“Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Trenova u largua nga çështja, pasi u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho.

BIRN mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës.

Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur.

Minimi i zgjedhjeve

Përfshirja e “individëve të fortë” në zgjedhjet shqiptare nuk është një fenomen i ri. Që pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së vendit ndaj zgjedhjeve pluraliste, partitë politike kanë kërkuar herë pas herë edhe “muskujt” në garat kundër kundërshtarëve.

Megjithatë, ekspertë dhe monitorues të sistemit zgjedhor në Shqipëri shprehen të shqetësuar për përhapjen e fenomenit pas zgjedhjeve të vitit 2013 si dhe sofistikimin e mënyrës sesi krimi i organizuar dikton në zgjedhje.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se monitoruan këtë aspekt në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rezultoi se në disa zona specifike, roli i grupeve kriminale në fushatë ishte edhe më i madh se ai i partive politike.

Krasniqi rendit Dibrën, Elbasanin, Shkodrën, Durrësin, Kavajën dhe Lezhën si zona më problematike.

“Fillimisht patëm sponsorizim të botës së krimit ndaj politikanëve lokalë që duan të merren me politikë, më pas kaluam në kandidim të vetë elementëve kriminalë në zgjedhje. Në fazën e tretë kemi të dy fenomenet, sponsorizim dhe kandidim,“ tha Krasniqi për BIRN.

Ndërsa Dritan Taulla, zv.kryetar i Shoqatës KRIIK argumenton se forcimi i lidhjeve politike ka ardhur me evoluimin e aktivitetit kriminal dhe fuqizimin ekonomik të individëve të implikuar në krime.

“Kanë evoluar edhe format e mbështetjes ndaj politikës, derisa në vitin 2013 pati një numër të konsiderueshëm personash me precedentë penalë në funksione publike (përfshi parlamentin), ç’ka shpuri në nevojën emergjente për dekriminalizim,” tha Taulla.

Ekspertët Krasniqi dhe Taulla rendisin një mori formash të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje, që lidhen kryesisht me përcaktimin e komisionerëve, financimin e kandidatëve të caktuar, përfshirjen direkte në tregtimin e votës apo intimidimin e zgjedhësve apo komisionerëve të partive kundërshtare.

“Në këmbim ata fitojnë “imunitet politik” apo përfitime ekonomike përmes pjesmarrjes së tendera publikë,” tha Krasniqi.

Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje fajësohet edhe për humbjen e moralitetit dhe të integritetit politik në Shqipëri. Ekspertët kujtojnë përgjimet e publikuara të kryebashkiakut Dako dhe reagimin e këtij të fundit, si anashkalim të moralitetit politik, të llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

“Për më tepër, mungesa e një reagimi publik nga partia në emër të së cilës kryebashkiaku Dako është zgjedhur, sugjeron se kjo nuk është thjesht një qasje personale e tij,” tha Dritan Taulla për BIRN.

Krasniqi bie dakord, ndërsa shton se lidhjet mes krimit dhe politikës kanë dëmtuar shtetin dhe integritetin e tij.

“Ata kanë krijuar idenë përgjithshme se në demokraci gjithcka është në shitje. Sot është krijuar ideja se askush nuk mund të fitojë në zgjedhje nëse nuk merr mbështetjen e grupeve të tilla,” përfundoi Krasniqi.

(voa)

Shkencëtarët kanë zbuluar rrjetën e panjohur të enëve të gjakut në kockat e njeriut

enet e gjakutShkencëtarët gjermanë të Universitetit Duisburg-Esen, në trupin e njeriut kanë zbuluar një rrjetë të panjohur deri më tani të enëve të gjakut, e cila gjendet në kocka dhe i kontribuon përhapjes së shpejtë dhe efikase të qelizave të gjakut dhe imunitetit nëpër gjithë trupin

Shkencëtarët në eksperiment kanë përdorur substancën kimike – etil cinamat në kockat e brejtësve. Pastaj kanë përdorur mikroskopinë e dritës fluoreshente dhe të rëntgenit dhe kanë arritur të detektojnë disa qindra kapilare, të cilat janë quajtur “enë transkortikale të gjakut”, transmeton Telegrafi.

Sipas hulumtuese, kërçiku i minjve mund të përmbajë më shumë se një mijë enë të tilla të gjakut, ndërkaq nëpër ta kalon më shumë se 80 për qind e gjakut arterial dhe 59 për qind të gjakut venoz.

Hulumtuesit kanë bërë eksperiment të ngjashëm edhe në njeriun, ndërkaq vetë profesori Guncerishte vullnetar.

Me atë rast, shkencëtarët kanë zbuluar që në kërçikun e njeriut ekziston sistem i ngjashëm me enë të trasha të gjakut, edhe pse, sipas hulumtuesve, nevojiten eksperimente të mëtutjeshme për t’u përcaktuar funksioni i saktë i tyre.

Ky zbulim do të ndihmojë që të sqarohet se në cilën mënyrë ilaçet, të cilat janë injektuar në palcën e kurrizit, ndihmojnë në përhapjen e gjakut dhe të qelizave imune. /Telegrafi/

Qeveria e Maqedonisë nis përdorimin e gjuhës shqipe

Qeveria e Maqedonisë ka nisur procedurat për fillimin e zbatimit në praktikë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht të gjuhës shqipe.

Zëdhënësi i Qeverisë së këtij shteti, Muhamet Hoxha ka thënë se në mbledhjen e së mërkurës të kabinetit qeveritar, ministrat shqiptarë për herë të parë i kanë mbajtur fjalimet e tyre në gjuhën shqipe.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka theksuar se me përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, mundësohet zgjidhja ligjore që në të njëjtën kohë paraqet shembull për përkushtimin e institucioneve që jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe në praktikë t’u mundësohet bashkësive etnike e drejta e përdorimit të gjuhës së tyre.

Qeveria gjithashtu ka marrë vendim për nisjen e procedurës për zbatimin në praktikë të emrit të ri të shtetit, “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Në të gjitha institucionet e nivelit qendror, si në objektin e Qeverisë, të ministrive, Kuvendit, vendkalimet kufitare e organe tjera, tabelat do të duhet të zëvendësohen me emrin e ri të shtetit, ndërsa një hap i tillë do t’iu rekomandohet edhe institucioneve të pushtetit lokal. Tabelat do të jenë edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç është e rregulluar me ligj.

Vendimet e Qeverisë në Shkup janë marrë disa ditë pasi Kuvendi i Greqisë ka ratifikuar marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar të emrit.

Marrëveshja e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar ka zhbllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO si dhe pritet të rezultojë me nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.

rel

Zyrtarë të SHBA-së dhe Evropës diskutojnë terrorizmin e mbështetur nga Irani

USADepartamenti amerikan i Shtetit ka thënë se koordinatori i tij për fushën kundërterrorizmit, Nathan Sales, do të udhëtojë këtë javë në tre shtete skandinave për të diskutuar çështje që përfshijnë “terrorizmin e mbështetur nga Irani” në Evropë.

Ky Departament ka thënë se ambasadori Sales do të udhëtojë në Danimakë, Suedi dhe Norvegji, për të diskutuar faktin se Irani “vazhdon të jetë sponsor shtetëror i terrorizmit në botë”.

“Në vjetët e fundit regjimi ka udhëzuar apo përkrahur komplote terroriste në Francë, Danimakë, Holandë, Shqipëri dhe vende tjera”, është thënë në deklaratë.

Më herët gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione të reja kundër shërbimeve iraniane të inteligjencës dhe dy iranianëve, që janë akuzuar për tentim të kryerjes së sulmeve kundër kundërshtarëve të Qeverisë iraniane në Danimarkë, Holandë dhe Francë.

Teherani ka mohuar këto pretendime, duke thënë se akuzat kanë pasur qëllim dëmtimin e marrëdhënieve në mes të Iranit dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria e Holandës ka akuzuar këtë vit Iranin për mundësi të përfshirjes në vrasjen e dy personave me shtetësi holandeze mirëpo kombësi iraniane.

Sipas autoriteteve amerikane, bisedimet e ambasadorit Sales do të fokusohen edhe në dënimin e luftëtarëve të huaj terroristë, që kanë udhëtuar nga Evropa dhe vende tjera të botës së bashku me grupin militant, Shteti Islamik në shtetet si Siria dhe Iraku.

“Shtetet e Bashkuara janë duke iu bërë thirrje partnerëve që t’i riatdheësojnë qytetarët e tyre dhe t’i ndëshkojnë për krimet që kanë kryer”, është thënë në deklaratë.

rel

Kaos në politikën kosovare për dialogun dhe taksat

Thaci Mogherini HajredinajPresidenti Thaçi publikon letrën që ia ka dërguar Presidentit Tramp. Haradinaj i shkruan vendeve të Quintit. Ndësa Veseli kërkon suspendim të taksave. Opozita me kërkesa të tjera.

Tre udhëheqësit e institucioneve kryesore të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, nuk duket se janë unik për qasjen e Kosovës në dialog me Serbinë, ndonëse të tre kërkojnë që SHBA-ja të jetë e përfshirë në këtë dialog. Vetëm në këtë javë, Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, publikuan tri letra të ndara, ku secili paraqet pikëpamjet e veta lidhur me kërkesën e faktorit ndërkombëtar për ta hequr taksën ndaj Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Thaçi i shkruan Trumpit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, publikoi një letër me përgjigjen që ia ktheu Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, ku thotë se ai “e ka siguruar Presidentin Tramp se Kosova do ta kryejë pjesën e saj të punës dhe do ta ndjekë thirrjen e tij në letrën e dhjetorit, që Kosova të flasë me një zë gjatë bisedimeve për paqe”.

“Më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë”, shkruan Presidenti Thaçi.

Sipas tij, marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme, apo konflikt i ngrirë, por paqe e përhershme. “Ne po mundohemi të dalim nga ky qark dhe të arrijmë një marrëveshje permanente në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe që nënkupton që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Një arritje e tillë historike kërkon angazhim maksimal nga të dyja palët. Unë zotohem se do të kryej pjesën time të punës”, shkruan Thaçi.

Haradinaj: Jepni tokë ose një republikë…

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, lidhur me mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale me Serbinë, tha se “bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova të japë tokë në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”. “Kanë kërkuar që të jepet tokë. Kanë kërkuar veriun e Kosovës, ku janë minierat, është pasuria. Sot, nuk kryejnë shumë punë, por ndoshta në të ardhmen, janë shumë jetike për Kosovën. Ose është tjetra. Na është thënë se nëse nuk jepni tokë, jepeni një republikë brenda Republikës”, tha Ramush Haradinaj në një akademi përkujtimore.

Dy ditë më parë dhe pa u konsultuar fare me Presidentin Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, u dërgoi një letër vendeve të QUINT-it dhe SHBA-së, ku ka vënë disa kushte që duhen plotësuar në mënyrë që qeveria e tij ta heqë taksën ndaj produkteve serbe, e cila do të mundësonte rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ai kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, “iniciimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“SHBA dhe BE të japin zotime publike dhe të garantojnë që në konferencë, mes të tjerash, nuk do të ketë çfarëdo rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre”. Kjo kërkesë e kryeministrit kosovar është një nga 5 kushtet, të cilat ai i renditi në dokumentin, të cilin, ua ka dërguar ambasadorëve të SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë.

Veseli kërkon suspendim me kushte

Në anën tjetër, ishte kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ai i cili pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnet, propozoi që taksa ndaj produkteve serbe të suspendohet me kushte për 120 ditë në mënyrë që Serbia të reflektojë. Kadri Veseli, tha se “shqetësimet serioze, të shprehura në deklaratën e fundit të Ambasadës Amerikane, si vazhdimësi e letrës së Presidentit Trump, por edhe qëndrimin konsistent amerikan në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë, i marrim me seriozitetin më të madh dhe do t’iu përgjigjemi në mënyrë konstruktive”.

“Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje-Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, shprehet kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

LDK akuzon Haradinajn

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, akuzon qeverinë Haradinaj duke thënë se “është në prag të prishjes së raporteve me SHBA-në. Kështu thotë Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

“Kosova në prag të prishjes së marrëdhënieve miqësore me SHBA. Kryeministri në largim deklaron se kjo nuk është problem. Lajme të tilla nuk duhet të prodhohen në Kosovë. Ne duhet të prodhojmë lajme për investitorë të huaj që investojnë në Kosovë, për arritje në diplomaci, për përmirësim të jetës së qytetarëve dhe lajme për plotësim të kërkesave për integrim evropian”, thotë shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti.

KurtiVV paralajmëron protesta

Ndërsa udhëheqësi tjetër i opozitës nga Lëvizja Vetëvendosja, Albin Kurti, ka paralajmëruar protesta të reja në Kosovë nëse, siç u shpreh në parlament, ”Presidenti Thaçi nuk ndalet nga ideja për prekjen e territorit të Kosovës”. “Qytetarët nuk do të lejojnë asnjëherë që të preket territori i Kosovës dhe të negociohet mbi sovranitetin e vendit”, u shpreh Kurti.

Serbia nuk pranon që ta rinisë dialogun me Kosovën, përderisa Prishtina zyrtare nuk e heq taksën ndaj prodhimeve serbe. Presidenti Vuçiq, thotë se ai është i gatshëm për kompromis me Kosovën.

Analistët akuzojnë politikanët

Analistët politikë thonë se mos-unifikimi i skenës politike kosovare, ka bërë që Serbia të fitojë terren dhe të bindë një pjesë të faktorit ndërkombëtar që çështja e Kosovës akoma nuk është zgjidhur, edhe pse Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Blerim Burjani analist politik, i tha DW-së, se “konfuzioni për dialogun dhe opsionet e zgjidhjes së çështjes së normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, është krijuar në fillim me lojëra me terminologji shkëmbim dhe korrigjim kufijsh”.

“Kjo ka krijuar një rezistencë të fuqishme të hapjes së debatit për tema të ndjeshme që atakon interesat e shteteve edhe në BE. Kritika ka ardhur nga Gjermania, përkatësisht kancelarja Angela Merkel, dhe qendrimi i kundërt i SHBA për hapje debati dhe me qëndrime të hapura për palët nëse arrijnë ato një zgjidhje”, thotë Burjani. Sipas tij, tre udhëheqësit kryesorë politik duhet ta ndërtojnë një qëndrim unik që flitet në emër të Kosovës.

“Duhet të përkrahet në këtë kontekst qëndrimi i SHBA për zgjidhje të balancuar. Nëse të tre (Thaçi, Haradinaj dhe Veseli) kanë dilema me veten e tyre, atëherë nuk mund të kenë dilema ndaj mikut të Kosovës, SHBA-së që është garantuese e pavarësisë së Kosovës, themelimit të ushtrisë dhe forcimit të shtetit të Kosovës”, thotë Blerim Burjani.

dw

Qendra e re klinike do të ndërtohet në Gjorçe Petrov

Qendra e re Klinike Shkup-“Lokacioni më ideal për ndërtimin e qendrës së re klinike është ajo në Gjorçe Petrov në afërsi të rrethrrotullimit, ndërsa ndërtimi do të duhej të fillojë në fund të këtij viti”, këtë e tha sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në emisionin “Top Tema”.

Sipas tij, themelet e qendrës së re klinike do të vendosen në fund të këtij viti, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kemi tri lokacione, në Zllokuqani, Gjorçe Petrov dhe Petrovec që i shqurton grupi punues në ministrinë e Shëndetësisë e përbërë nga ekspertë. Sipas grupit punues mungesë te lokacioni Zllokuqani është se shpronësimi ishte i shtrenjtë, në Petrovec lokacioni i ofruar ishte në afërsi të Aerodromit”, tha Filipçe duke shtuar se ekspertët i dhanë përparësi lokacionit në Gjorçe Petrov që është në vend ideal menjëherë afër rrethrrotullimit.

Filipçe theksoi se po shqyrtohen modalitetet dhe se projekte të gatshme, ndërsa komuna po punon në planin urbanistik.

Sipas dinamikës, ministri Filipçe pret që të fillojë ndërtimi në fund të vitit 2019 ndërsa pacienti i parë do të pranohej për 4 deri 5 vite.

Evropa Drama vazhdon – Akti tjetër i betejës së Brexit

EU ENKush e ka kontrollin për Brexit? Qeveria apo parlamenti në Londër? Vendi ka hyrë në një qorrsokak, nuk po arrihet dot asnjë mazhorancë për ndonjërën nga format e Brexit. Tani deputetët duan të marrin një vendim.

Një luftë pushteti e paparë. Dhoma e Ulët ndërmerr përpjekjen për t’ia marrë qeverisë kontrollin për hapat e tjerë në lidhje me Brexit. Tradicionalisht në sistemin britanik qeveria ka përparësi dhe parlamenti vetëm të drejtën për të thënë Po ose Jo për vendimet e saj. Por duket se rregullat e njohura nuk po funksionojnë më, sepse “speaker” – kryetari i parlamentit të martën nga një seri draftesh të paraqitura nga deputetët do të zgjedhë ato që ai do t’i lejojë për debat dhe në fund për votim. Nëse përpjekja “puçiste” funksionon, atëherë Dhoma e Ulët mund të gjejë vetë një rrugëdalje nga kriza e Brexitit.

Jo Brexit i ashpër dhe as zgjatje e afatit

Një draft i deputetes laburiste, Yvette Cooper ka shanset më të mira të pranohet e ndoshta të arrijë një mazhorancë përtej partiake. Synimi kryesor: të pengohet një Brexit i ashpër pa marrëveshje me BE përmes një vendimi të parlamentit. Ky propozim do të mundësonte që qeveria të kishte kohë deri në fund të shkurtit të gjente një zgjidhje kompromisi me BE që do të kalonte në parlament. Në rast se kjo nuk funksionon, atëherë ajo duhet t’i drejtohet BE me një kërkesë për shtyrje deri në verë. Për këtë Londra duhet të jepte një arsye të fortë – kjo mund të ishte ose një referendum i ri ose zgjedhje të reja.

Ky propozim do të kishte efekt detyrues për Theresa Mayn, sepse në fund do të duhet të merrte formën ligjore. Plani i Cooperit ka mbështetje të gjerë nga partia laburiste, megjithëse kreu i partisë, Jeremy Corbin nuk është shprehur hapur për të. Edhe pjesa tjetër e opozitës e pjesë të partisë konservatore do ta mbështesnin këtë draft, sepse ato duan të pengojnë që Britania e Madhe të dalë pa marrëveshje nga BE. Llogaritjet e deritanishme kanë parashikuar një mazhorancë të ngushtë për këtë draft.

Manovër lehtësuese për Theresa May

Ndërsa kryetari i grupit konservator në parlament synon një manovër lehtësuese për Theresa May. Propozimi i Graham Brady është testim i mazhorancave që do të krijoheshin në parlament për rastin e heqjes nga marrëveshja të të ashtuquajturit “backstop” (mekanizmi mbrojtës për moskrijimin e një kufiri të Irlandës me Irlandën e Veriut. Backstop do duhej të ishte i pakufizuar dhe sipas tij, nëse BE e Britania e Madhe në fazën e tranzicionit pas daljes nga BE nuk ia dalin të mbyllin një marrëveshje tregtare, atëherë Britania e Madhe mbetet në unionin doganor të BE dhe Irlanda e Veriut po ashtu në tregun e brendshëm europian. Kështu duhet të pengohen kontrollet kufitare dhe këmbimi i lirë i mallrave. (shën.red)

Brady vendos “rregullore të tjera” në vend të backstop. Pavarësisht se sa shpesh e thotë BE këto ditë, pra që backstop është pjesë e pandryshueshme e marrëveshjes, dhe se nuk është i kufizuar në kohë e nuk mund të shfuqizohet njëanshëm, rezistenca e Brukselit nuk jep efekt. Sipas disa deputetëve konservatorë, May do të fitonte “fuqi luftuese”, nëse do të shkonte në Bruksel me një mazhorancë të tillë fiktive për një marrëveshje të ndryshuar teorikisht. Ajo mund të thotë, se një Brexit i rregulluar do të varet, nga ajo se sa “fleksibël” është BE në çështjen e Irlandës.

Premton Theresa May atë që nuk e mban dot?

Të hënën në mbrëmjë pati disa sinjale, se kryeministrja vetë me këtë propozim do të dalë para parlamentit edhe njëherë, për të testuar, nëse  e arrin një mazhorancë për një marrëveshje të ndryshuar. Kokëkrisje, sepse May do t’u premtonte deputetëve diçka, që nuk e ka nën kontroll: Heqjen apo shfuqizimin e backstopit irlandez. Konservatorët që duan në Brexit të ashpër e kanë refuzuar May. Ata nuk do ta mbështesin atë në një votim të tillë.

A dihet të mërkurën më shumë?

U duk fillimisht, se parlamenti po e gjen një rrugëdalje nga qorrsokaku i Brexit. Por vazhdimi vetëm me taktika i politikës po pengon gjetjen e një zgjidhjeje. Lidershipi i laburistëve nuk vendos për një kurs të qartë dhe përdridhet mes një mbështetjeje të dobët për Brexit dhe kërkesën e mjaft laburistëve për një referendum të dytë. Kurse konservatorët janë të përçarë si në votimin para dy javëve. Vetë Theresa May i ka bërë rezistencë të gjitha kërkesave për zgjidhje kompromisi dhe një dialogu të vërtetë me opozitën. Ajo vazhdon të veprojë si edhe më parë e pandikuar nga këto thirrje. (dw)

TI: Kosova dhe Shqipëria kanë probleme të mëdha me korrupsionin

koruptioniOrganizata Transparency International ka paraqitur raportin e saj për problemet me korrupsionin në 180 vende të ndryshme gjatë vitit 2018. Kosova dhe Shqipëria renditen keq në këtë raport.

Numri më i lartë i pikëve në renditjen e Transparency International është 100 pikë, nëse në një vend nuk ka aspak korrupsion. Ndërsa me 0 pikë vlerësohet një vend, i cili është tërësisht i korruptuar. Ndër vendet me nivelin më të ultë të korrupsionit gjatë vitit 2018, sipas Transparency International, është Danimarka me 88 pikë. Ndërsa pasojnë Zelanda e Re, Singapori, Suedia dhe Zvicra. Shikuar nga rajonet e ndryshme, gjendja më e mirë paraqitet në Evropën Perëndimore, me një mesatare prej 66 pikë.

Cilat vende dhe rajone janë më të korruptuarat?

Rezultatet më të dobëta në luftimin e korrupsionit gjatë vitit të kaluar kanë shënuar vendet që vuajnë nga luftërat, si Somalia, Siria, Sudani i Jugut dhe Jemeni si dhe Koreja e Veriut.

Rajoni më i korruptuar është jugu i Saharasë në Afrikë, ku shumë vende kanë probleme me institucionet e shtetit dhe mungesën e vlerave demokratike, njofton Transparency International.

Probleme shumë të mëdha kanë edhe vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore. Sa i përket vendeve të Evropës, Bashkimi Evropian ka një mesatare prej 66 pikësh. Mesatarja mund të jetë edhe më e lartë, por këtë e kanë dëmtuar disa vende si  Kroacia, e cila është në vendin e 68 me 48 pikë, Pastaj Rumania me 47, Hungaria (46), Greqia (45) dhe Bullgaria (43).

Ndërsa ndër vendet e Evropës Juglindore, Bosnjë-Hercegovina ka mbetur në të njëjtin vend si para një viti, Sllovenia, Kroacia dhe Mali i Zi kanë shënuar rënie me një pikë, ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Serbia kanë shënuar rënie me dy pikë.

Ndër vendet me renditjen më të ulët janë Bosnje-Hercegovina me 38 pikë, si dhe Kosova dhe Maqedonia me 37 pikë.

Gjendja në Gjermani

Gjermania në këtë renditje zë vendin e 11 nga 180 vende, me një indeks prej 80 pikësh, sikur edhe Mbretëria e Bashkuar. Më mirë se Gjermania janë renditur Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Singapuri, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Holanda, Kanadaja dhe Luksemburgu. Një vit më parë, Gjermania ishte në vendin e 12 me 81 pikë, pra gjendja ka ndryshuar shumë pak. NëTransparency International thotë se “gjendja në Gjermani po shënon ngecje në disa vitet e fundit.” (dw)

Emigrim? Por si ndikon ai tek shëndeti?

emigrantMigrimi dhe zhvendosja ndikojnë në shëndetin e refugjatëve dhe migrantëve. E drejta e shëndetit të jetë e drejtë edhe për migrantët, kërkon Zyra Zajonale për Europën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH mblodhi të dhënat për të krijuar një ide të përgjithshme mbi gjendjen e shëndetit të refugjatëve dhe migrantëve dhe sistemit të shëndetësisë në 53 vende të rajonit të Europës, ku jetojnë 920 milionë banorë. Përqindja e migrantëve të huaj është e ndryshme nga poshtë 2 përqindshit si në rastin e Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Polonisë, Rumanisë deri në 50 përqind si në rastin e Monakos, Andorës, Lihtenstajnit.

Secili nga vendet mund të jetë vend origjine, tranziti dhe destinacioni për refugjatët dhe migrantët. Aktualisht nuk ekzistojnë indikatorë ose standarte për shëndetin e migrantëve dhe refugjatëve, thotë OBSH, prandaj ajo i bën thirrje vendeve që të merren me këtë çështje.

Shëndeti i migrantëve

Sipas raportit, migrantët dhe refugjatët gëzojnë në përgjithësi shëndet të mirë, por ekzistojnë rreziqe të sëmuren kur ndodhen në tranzicion, në kampe ose në çadra me kushte të vështira sanitare, ose në vendet e pritjes për shkak të kushteve të rënda të jetesës dhe vështirësive të përshtatjes, ushqimit të papërshatshëm ose stresit në rritje. Prandaj është e rëndësishme që të mbrohen nga infeksionet bakteriale, virale dhe nga parazitët. Raporti vëren se përhapja e tuberkulozit tek migrantët dhe refugjatët është e të njëjtit nivel me vendet e pritjes. Po ashtu pjesa më e madhe e atyre që janë HIV pozitiv, e marrin infeksionin mbasi kanë mbërritur në Europë. Ndryshe nga sa presupozohet shpesh, rreziku për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse nga refugjatët dhe migrantët tek popullsia pritëse është shumë i vogël.

Çrregullimet psiqike post traumatike janë tek refugjatët dhe azilkërkuesit më të përhapura se tek popullsia pritëse. Depresioni dhe ankthi janë shumë më të përhapura, të lidhura me proceset e gjata të azilit dhe kushtet e dobta socio-ekonomike si papunësia ose izolimi.

Mungesat

OBT vëren se për arsye të ndryshme që kanë të bëjnë me statusin legal të qëndrimit, barrierat gjuhësore dhe diskriminimin, migrantët dhe refugjatët hasin në vështirësi për t’u futur në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ka vende, në të cilat strategjitë kombëtare të mbrojtjes së shëndetit nuk ofrojnë kujdes shëndetësor për refugjatët dhe migrantët.

Prandaj organizata i bën thirrje të gjitha vendeve të zbatojnë politika që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor për të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre legal. 12 përqind e gjithë punonjësve në Europë janë migrantë dhe kushtet e punës janë shumë të ndryshme, bëhet fjalë pra për rreth 90 milionë vetë. Punonjësit burra janë më të prekur nga aksidentet në punë se sa punonjësit vendas.

Mali i Zi më shumë migrantë

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nivelin më të lartë të migrantëve në Ballkan e ka Mali i Zi me 70.984, që përbëjnë 11,3 përqind të popullsisë, ndjekur nga Serbia me 801.903 migrantë të huaj, 9,1 përqind të popullsisë. Në Maqedoni jetojnë 130.972 migrantë ndërkombëtarë, shifër që përbën 6,3 përqind të popullsisë. Bosnjë Hercegovina është vendi me numër më të paktë migrantësh dhe refugjatësh prej 37100 që përbëjnë 1,1 përqind të popullsisë, pasuar nga Shqipëria me 52.484 migrantë ndërkombëtare, 1,8 përqind e popullsisë.

Nga Shqipëria vjen tendenca tjetër: Migracioni drejt Europës. 2841 persona nga Shqipëria kërkuan vitin e kaluar azil në Gjermani, kurse nga Kosova 1224, bën të ditur për Deutsche Wellen Zyra Federale Migracionit dhe Refugjatëve, BAMF.

dw

Maqedonia “bëhet” veriore

AleksandriParlamenti grek aprovoi paktin historik të emrit me Maqedoninë. Mbas dekadash grindjeje politike të dy vendet ballkanike shpresojnë të kenë marrëdhënie të mira fqinjësie në të ardhmen.

Dimri është i ftohtë dhe me borë, më shumë se zakonisht por kjo është e vetmja shenjë që tregon se një vend që ndodhet në thellësi të Europës dhe në Ballkanin jugor u kthye brenda natës në “verior”. Disa qenë janë shpërndarë rreth statujës 30 metra të lartë të Aleksandrit të Madh që ndodhet në qendër të Shkupit, kryeqytetit të vendit që tani quhet “Republika e Maqedonisë veriore”. Ata janë rojet e vetme të një projekti të krijimit të vonshëm të kombit, një projekti që dështoi si financiarisht ashtu edhe nga pikëpamja estetike.

“Statuja monumentale e Aleksandrit të Madh, i cili duhet të forconte artificialisht identitetin etnik të Maqedonisë, kthehet në mes të sheshit qendror të kryeqytetit në një hiç gjigand”, thotë politologu maqedonas Gordan Georgiev për Deutsche Wellen. Kur u vendos monumenti, grekët u acaruan shumë dhe e interpretuan atë si një përpjekje të maqedonasve për të përvetësuar trashëgiminë kulturore të Maqedonisë. Kjo nuk nxiti marrëdhëniet e mira fqinjësie.

Tani, 700 km në jug, në Athinë parlamenti grek pranoi sot Marrëveshjen e Prespës duke i dhënë kështu fund një grindjeje 27 vjeçare për emrin. Parlamenti në Shkup e pati bërë këtë më 11 janar, duke aprovuar emërtimin e vendit si “Maqedoni veriore”.

Politikë e re ballkanike

Ajo çka deri tani është parë nga bota si grindje e çuditshme dhe e pakuptimtë, duhet të shërbejë si shembull i mirë për një politikë të re ballkanike, të moderuar dhe të orientuar nga e ardhmja.

Republika e Maqedonisë ose ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), siç quhen nga Greqia, i shton emrit të saj një karakteristikë gjeografike për t’u dalluar nga rajoni greko-verior që ka të njëjtin emër. Marrëveshja historike midis të dy vendeve, në të cilën u rregullua çështja e emrit, u nënshkrua më 17 qershor 2018 në rajonin kufitar të Prespës, nga kryeministrat grek dhe maqedonas Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev.

Nga njëra anë me të duhet të mundësohet që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të çohen përpara bisedimet e pranimit me BE. Nga ana tjetër zgjidhja e çështjes së emrit duhet të shërbejë si bazë për marrëdhënie të mira fqinjësie në një rajon, zhvillimi i të cilit është penguar shpesh në të kaluarën nga problemet kufitare dhe problemet e identitetit.

“Ky pajtim historik hap rrugën për një partneritet strategjik dhe një bashkëpunim të ngushtë në disa fusha, që janë të interesit të përbashkët,” thotë ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov për Deutsche Wellen, pak pas përfundimit të votimit në Athinë. Ai beson shumë se madje kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës, “do e kuptojnë këtë gradualisht”. “Ne jemi aleatë natyrorë me fqinjin tonë grek,” thotë Dimitrov.

Kapërcimi i miteve

Në këtë çështje gjestet dhe simbolika janë shumë të rëndësishme. Kështu tek monumenti i Aleksandrit të Madh në Shkup, në të ardhmen do të shkruhet se luftëtari i famshëm është pjesë edhe e trashëgimisë helene dhe jo vetëm e trashëgimisë sllavo- maqedone. Dhe një komision i përbashkët greko- maqedon është duke punuar në sqarimin e një sërë çështjesh historike, arkeologjike dhe pedagogjike, çështje që i ndanë dy kombet në dekadat e fundit.

Puna e tyre ndodhet para sfidave të shumta, jo vetëm për shkak të presionit të nacionalistëve nga të dy anët e kufirit. Protesta masive, nganjëherë të dhunshme, kundër kompromisit zhvillohen rregullisht si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi. Drejtuesit e partive konservatore në opozitë, Nea Demokratia në Greqi dhe VMRO-DPMNE në Maqedoni, nuk e pranojnë marrëveshjen.

“Në të dy vendet janë shtuar rrëfenjat nacionaliste dhe fashiste,” thotë shkrimtarja maqedonase Kica Kolbe në një bisedë me Deutsche Wellen. “Nga kjo grindje përfitojnë vetëm politikanët e korruptuar nacionalistë. Kjo është arsyeja pse ata e luftojnë me forcë marrëveshjen. Sepse ajo dobëson propagandën e tyre.” Si anëtare e “Komisionit të Përbashkët Interdisiplinor”, Kolbe është konfrontuar shpesh me të kaluarën e saj.

Ajo ka lindur më 1951 në një kamp refugjatësh në afërsi të Shkupit, pasi prindërit e saj ishin dëbuar nga Greqia Veriore gjatë luftës civile që zgjati nga 1946 deri 1949. Autorja e ka përjetuar vetë vuajtjen dhe kompleksitetin e konfliktit shumëvjeçar midis dy kombeve. Kjo i forcoi edhe më shumë vullnetin, që të përkrahte pajtimin dhe kompromisin midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Pajtim dhe normalizim

“Pajtimi është për grekët dhe maqedonët i rëndësishëm, për të parë se ata nuk e zgjedhin dot fqinjin,” thotë Kica Kolbe. “Nëse dy persona janë në grindje një ndërmjetësues mund të ndihmojë. Në këtë rast ndërmjetësuesi është një dokument: Marrëveshja e Prespës. Dhe mesazhi i dokumentit është i qartë: Të dy palët duhet të flasin me njëri tjetrin për çdo gjë, që i ndan.”

Me aprovimin e Parlamentit të Athinës nuk ka përfunduar e gjitha. Ditët e ardhshme qeveria maqedonase duhet të informojë Kombet e Bashkuara për ndryshimin e emrit. Dhe parlamenti grek duhet të votojë edhe një herë, kësaj here për protokollin e pranimit në NATO. Me të Maqedonia Veriore duhet ta ketë të mundur të anëtarësohet plotësisht në aleancën politike dhe ushtarake.

Në Maqedoninë Veriore ekziston bindja se ky zhvillim nuk mund të ndalet më. Prandaj në media po fillon të shkruhet gradualisht më shumë për tema të tjera si ndotja e ajrit, ekonomia e dobët, largimi dramatik i mijëra të rinjve dhe i njerëzve të arsimuar. Edhe vetë qentë e shpërndarë rreth monumentit të Aleksandrit të Madh janë kthyer papritur në një temë më të madhe për shtypi se sa dilema e “përjetshme”: A ishte kalorësi grek apo maqedonas?