Deri ditën e premte do të bëhet i ditur emri i kandidatit të përbashkët mes LSDM dhe BDI

lsdm-bdiKryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim sot pasdite pas takimit me kryeministrin e kryetarin e LSDM Zoran Zaev në Kuvend tha se është arritur marrëveshje që në zgjedhjet presidenciale të shkohet me kandidat të përbashkët ndërsa emri do të bëhet i ditur deri ditën e premte.

“Biseduam për emrat dhe gjatë ditëve të ardhshme do të vendosim për njërin. Do të ketë mbledhje edhe me partitë tjera politike me qëllim që edhe ata të përshihen në nismë”, tha Ahmeti pas takimit me kryeministrin Zaev, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në pyetjen e gazetarëve nëse për BDI janë të pranueshëm emrat e Oliver Spasovskit dhe Nikolla Dimitrov, Ahmeti nuk u përgjigj konkretisht, duke përsëritur qëndrimin se vendimi përfundimtar do të dihet deri në fund të kësaj jave.

Ahmeti shtoi se takimin me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM, Zoran Zaev nuk kanë biseduar rreth mospajtimeve në koalicion./Telegrafi/

Mbyllet hetimi për Tahirin

TahiriNë Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të çojë në gjykatë dosjen për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria ka thirrur nesër zotin Tahiri për t’i komunikuar akuzat. Më pas, sipas procedurave, do të jetë gjykatësi i hetimeve paraprake që do të bëjë vlerësimin përfundimtar nëse çështja do të shkojë për gjykim.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e ish ministrit, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Në maj të vitit të kaluar zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë.

Ish ministri i Brendshëm ka kërkuar disa herë publikisht që Prokuroria të mos zvarriste hetimet ndaj tij.

(voa)

 

Kritikohet ashpër platforma e Prishtinës për dialog me Serbinë

parlamenti ksKomisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, përkundër opozitës, procedoi platformën për dialog me Serbinë. Ndërkohë një deklaratë e ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mass, gëzon Haradinajn e nervozon Vuciqin.

Kritika të ashpra i janë bërë  platformës së dialogut  me Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, platformë kjo që megjithatë pa përkrahjen e komisionit, u procedua për në kryesi që të caktohet një datë për seancë plenare ku platforma pritet të merr ose jo, miratimin. Platforma e dialogut është hartuar nga ekipi negociator i Kosovës, ku nuk marrin pjesë partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-së. Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, që vjen nga partia opozitare LDK-së, tha se në parimin e katërt të platformës së dialogut thuhet se “do të shqyrtohen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë”, që do të thotë sipas saj se “çështje e hapur është territori i Kosovës”.

Vetëvendosja: Të ndalet presidenti Hashim Thaçi të mos të bëjë shkëmbim të territorit

“Pra rezultati që e kemi para nesh është një dokument që as nuk e mbron territorin e Kosovës dhe rrjedhimisht nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e saj”, tha Vjosa Osmani, që kryesonte mbledhjen e komisonit me plot tension në debate ndërmjet anëtarëve të pozitës dhe opozitës. Kritikat e lëvizjes Vetëvendosja u adresuan te Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vazhdon të këmbëngulë për një marrëveshje me Serbinë ku mund të flitet edhe për “korrigjim territori’. Glauk Konjufca shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes,  tha se “nëse në shtetin e Kosovës, ka nevojë për ndonjë platformë, ajo do të duhej të ishte, një platformë sesi të ndalet presidenti Hashim Thaçi që të mos të bëjë shkëmbim të territorit të Kosovës me Serbinë”.

“Presidenti nuk përfaqëson politikë të vetën, kokë më vete, të cilën e zbulon vet si politikë të jashtme të Kosovës. Ai e përfaqëson politikën e jashtme të Kosovës, të definuar nga Parlamenti dhe të artikuluar në Kushtetutë. Gjithçka që presidenti shkon përtej kësaj në formulimin e politikës së jashtme, ta dini që e ka shkelur Kushtetutën”, thotë Glauk Konjufca. Deputetët e tjerë që vijnë nga partitë politike në pushtet, pjesë e komisionit thanë se Kosovës në këtë moment i duhet uniteti politik dhe të flasë me një zë në raport me Serbinë.

Platforma për dialog

Në fillim të këtij muaji, Kuvendi i Kosovës me shumicë të thjeshtë më 61 vota pro, ka votuar në parim Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbisë. Një javë më parë hartoi edhe platformën e dialogut, por, e cila akoma nuk ka marrë besimin e parlamentit.

Në këtë platformë Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”. Platforma e Prishtinës që ka 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës për dialogun, ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetë e çartë dhe pa dykuptimësi”.

Parimi i parë  i platformës, thekson se “qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, duke vazhduar më tej se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka”.

Tek udhëheqësit më të lartë të institucioneve, ka dallime sa i përket qasjes së Kosovës në dialog dhe taksës së vendosur nga qeveria për produktet e Serbisë e që është bërë mollë sherri  për ndërprerjen e dialogut. Serbia nuk po pranon që të rinisië dialog me Kosovën, pa u hequr taksa.

Haradinaj: “Kufijtë e Kosovës nuk do të lëvizin”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, tha të hënën se taksa “ndaj mallrave serbe po e pengon formalizimin e ndarjes së Kosovës”, ndërsa kritika adresoi te një pjesë e politikanëve të Kosovës dhe Brukselit të cilët, sipas tij, “dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e kanë shndërruar në dialog për territore”.

“Njëzet vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel duke e shndërruar në dialog për territore”, tha kryeministri Haradinaj në një akademi perkujtimore, duke ritheksuar se “kufijtë e Kosovës nuk do të lëvizin”.

“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtimi në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksat 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj, pas  kësaj, në profilin e tij publikoi një deklaratë nga një intervistë dhënë medies gjermane të shefit të diplomacisë  gjermane Heiko Mass, i cili shpreh mbështetjen për Kosovën. Haradinaj  shkruan: “Jam i lumtur që të ndajë me ju deklaratën mbështetëse që vjen nga Gjermania mike, për reformat e ndërmarra shtetërore. Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane “Stuttgarter Nachrichten”, kushtuar Kosovës, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas e ka vlerësuar lart angazhimin e Qeverisë së vendit tonë duke thënë se “Reformat, të cilat janë kryer atje janë mbresëlënëse dhe kjo duhet të pranohet”. Ky është edhe një rikonfirmim se mbështetja e parezervë e Gjermanisë për Kosovën është rezultat i partneritetit të ngushtë e të sinqertë me shtetin gjerman, si dhe është vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën europiane të Kosovës”, shkroi kryeministri Haradinaj. E deklarata e shefit të diplomacisë gjermane nuk i ka pëlqyer Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, i cili e interpreton në këtë mënyrë: “Deklarata e kreut të diplomacisë gjermane Heiko Mass se ai do të vazhdojë të mbështesë Prishtinën pa marrë parasysh taksat për mua është një zhgënjim i madh”, tha Vuçiq.

Çështja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit u përfshi në diskursin publik të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaci. Vuçiq, që deklaron për vendosjen e një kufiri me Kosovën, nënkupton shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë, ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi angazhohet siç thotë për “korrigjimin e kufijve”, apo demarkimin e tyre, duke kërkuar që  Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. E këto ide po vazhdojnë të kundërshtohen ashpër në Kosovë, më se shumti nga kryeministri, Ramush Haradinaj. E Presidenti Hashim Thaçi, thotë se është momenti i duhur për një marrëveshje gjithpërfshirëse me Serbinë që duhet të ndodhë këtë vit, në të kundërtën sipas Presidentit Thaçi, rajoni mund të destabilizohet.

(dw)

Florian Hahn: Nuk ka pse të refuzohet marrëveshja e ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi

HahnNë intervistë ekskluzive me DW, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe dialogun Kosovë-Serbi

Deutsche Welle: Zoti Hahn, disa ditë më parë, ju patët  një deklaratë për Shqipërinë, ku kritikonit hapin e opozitës për dorëzimin e mandateve. Cilat ishin reagimet që morët nga partia partnere juaj në Shqipëri?

Florian Hahn: Kam marrë disa reagime, por jo direkt nga partia jonë partnere.

Pra, ju nuk keni aspak mirëkuptim për këtë hap të opozitës?

Unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, parlamenti.

Por opozita pretendon se nuk mund të kryejë më rolin e saj kontrollues në parlament, se nuk dëshiron t’i shërbejë qeverisë vetëm si fasadë.

Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin parlamentin. Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi.

Tashmë kjo ka ndodhur. Çfarë do t’u këshillonit ju ndërkohë partnerëve tuaj?

Kjo është një situatë e vështirë: Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Në se ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh.

Por këtë nuk e dëshiron kreu partiak?

Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Kjo është pyetja tjetër sesi kuptohet demokracia. Janë njerëzit, përfaqësuesit e popullit që janë zgjedhur dhe jo partia, ata që vendosin nëse dikush do ta dorëzojë mandatin apo jo.

Pra, ju nuk keni asnjë këshillë se si duhet të vijohet më tej.

Kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe kam këshillën që mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.

A do të kishte kuptim ndoshta të bëheshin zgjedhje të reja?

E çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së? Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Vitin e kaluar, grupi parlamentar i CDU/CSU-së vendosi disa kushte për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. A ka bërë Shqipëria progres në këto pika?

Në disa aspekte shohim se nuk është bërë asnjë lëvizje, në aspekte të tjera ka përmirësime të mëdha, si për shembull, në procesin e Vettingut. Por situata aktuale, e sidomos bojkotimi i parlamentit është një hap i madh prapa.

Këtë e bëri opozita, po punën e qeverisë si e gjykoni?

Ne e shohim Shqipërinë si një të tërën. Për ne është me rëndësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj edhe duam që ajo të jetë e qëndrueshme dhe të ndajë me ne vlerat tona demokratike. E këtu ka së paku shumë pikëpyetje.

Ministrja e jashtme e Francës ka thënë këtë javë gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç se ende nuk janë pjekur kushtet në BE për raunde zgjerimi. A nuk është ky sërish një sinjal frenues për Ballkanin Perëndimor? 

Nuk e di se çfarë thotë një ministre e jashtme në një bisedë, në të cilën unë nuk kam qenë i pranishëm. Vendimtar do të jetë raporti i progresit të Komisionit, i cili do të bëhet i  njohur më 29 maj të këtij viti. Mbi bazën e këtij progresraporti do të marrim një vendim në Bundestag dhe natyrisht që do të marrim për bazë edhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Tani, në Ballkanin Perëndimor po diskutohet edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. A mendoni se protestat, të cilat sigurisht po ndodhin edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë ndikim mbi këtë proces?

Natyrisht, ne kemi një interes të madh që këtu të arrijmë përparime.  Por shohim se ka aktorë, të cilët janë shumë të interesuar që këtu të mos ketë një rezultat pozitiv. Ne këtu dëshirojmë progres pozitiv.

Progres pozitiv do të thotë edhe ndryshimi i kufijve?

Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë  për vendin e tyre , atëherë mendoj, se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë.

Ju keni kështu një opinion të ndryshëm nga shumë kolegë të grupit tuaj parlamentar në Bundestag.

Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje.

Po efektet e të ashtuquajturës Kutia e Pandorës?

Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet menjëhere.

Një fjalë mbi tërheqjen e Partisë Fshatare Kroate nga grupi i PPE-së në shenjë protestë kundër politikave të Orbanit.

Besoj se dorëheqja ka një motivim më të brendshëm. Ajo parti përfaqësohet me vetëm një deputet në PE. Nuk është një humbje thelbësore e madhe për PPE, por, sigurisht, simbolike. E për këtë më vjen keq.

* Florian Hahn (CSU) është që nga viti 2018 zëdhënës i politikave për Evropën në grupin parlamentar CDU / CSU në Bundestagung Gjerman.

Çështja Huawei dominon në Kongresin e Teknologjisë në Barcelonë

HuaweiRobotët, makinat, dronët dhe pajisjet e lojrave virtuale të lidhura me rrjetin 5G janë ndër mijëra mjetet futuriste të paraqitura në Kongresin Botëror të Teknologjisë këtë vit në Barcelonë. Megjithëse ekziston një entuziazëm i madh për mënyrën se si teknologjia e telefonave celularë 5G do të transformojë jetën tonë të përditshme,

konferenca është lënë në hije nga mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pekinit mbi gjigantin kinez të telekomit Huawei. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar qeverinë kineze se ajo mund të përdorë produktet e kompanisë Huawei për spiunazh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell sjellë hollësitë.

Është mëngjes herët në Kongresin Botëror Teknologjisë celulare, koha për një kafe mëngjesi të përgatitur nga një robot. Lëvizjet e ndërlikuara kontrollohen nga distanca nëpërmjet rrjetit celular tepër të shpejtë, 5G.

Edhe në këtë botë futuriste, jo gjithçka shkon siç është planifikuar.

Teknologjia 5G më në fund ka arritur në treg, duke ofruar shpejtësi mbi një gigabajt për sekondë dhe vonesa tepër të vogla, një lidhje praktikisht e menjëhershme nëpër rrjete.

Ekspertët thonë se ajo hap fusha të reja të lidhjes. Lëvizje të vogla të kontrolluara përmes rrjetit 5G.

Teknologjia premton të transformojë jo vetëm telefonat celularë, por edhe botën rreth nesh, thotë Paul Triolo i Grupit Euroazia, i cili foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it nga Kongresi në Barcelonë.

“Aspektet kyçe të teknologjisë 5G, si disa nga komunikimet me vonesa tepër të vogla dhe sensorët masiv, komunikimet masive mes pajisjeve elektronike, që mund të gjejnë më tepër një përdorim industrial, do të mund të ndikojnë tek gjërat si infrastruktura kritike. Pra, do të ketë shumë më tepër të dhëna jo personale apo industriale që lëvizin në hapësirën kibernetike rreth nesh dhe që me të vërtetë po shqetëson njerëzit. Për shembull, forcat ushtarake në vendet si Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të përdorin pjesë të mëdha të rrjetit komercial.”

Huawei është një nga kompanitë që ofron rrjetin 5G. Uashingtoni e ka ndaluar kompaninë të paraqesë teknologjinë e saj 5G në Shtetet e Bashkaura, duke cituar legjislacionin kinez që kërkon që kompanitë të bashkëpunojnë me shtetin, nga frika në rritje se Huawei mund të përdoret si një kal i trojës për të spiunuar rivalët.

Zëvendës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Politikat Kibernetike, Robert L. Strayer, i cili po merr pjesë në Kongresin Botëror të Teknologjisë së Celularëve, u bëri thirrje aleatëve që të bëjnë të njëjtën gjë.

Robert L. Strayer, Zv/Sekretar i Departamentit të Shtetit për Politikat Kibernetike

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me këto qeveri dhe rregullatorë në këto vende për t’i arsimmuar ata për atë që dimë dhe për të vazhduar traditën e ndarjes së praktikave më të mira për mënyrën se si të gjithë ne mund të lëvizim me sukses në gjeneratën e ardhshme të teknologjisë. Do të thoja se ka shumë alternative të tjera në Perëndim”.

Huawei dhe qeveria kineze kanë hedhur poshtë këto akuza. Por Australia, Zelanda e Re dhe Japonia kanë ndjekur hapat e Uashingtonit, duke ndaluar përfshirjen e teknologjisë 5G të Huawei në tregjet e tyre. Evropa është ende e pavendosur.

“Bashkimi Evropian në veçanti dhe Shtetet e Bashkaura duhet të sqarojnë këtë politikë, çfarë do të thotë ndalim ose çfarë do të thotë një lloj ndalimi i pjesshëm, dhe nëse ekziston një rrugë e mesme që mund të gjendet këtu”.

Pajisjet elektronike tërheqëse tashmë kanë demonstruar potencialin që pritet të ofrojnë rrjetet 5G.

Por pyetja se kush i kontrollon këto rrjete, dhe të dhënat që ato mbajnë, duket se është shumë më e rëndësishme për këtë botë futuriste. (voa)

Ministrja Xhaçka pritet në Maqedoni me flamur “Made in China”

olta-flamuri kinezMinistrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është pritur me një flamur shqiptar në variantin “Made in China”, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ministrja shqiptare ka zhvilluar së fundmi një vizitë zyrtare në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut ku është takuar me kryeministrin Zaev dhe me homologen e saj Radmila Šekerinska.

Në postimin e saj në rrjetet sociale shihet që flamuri i përdorur gjatë pritjes së saj nga kryeministri Zaev është në variantin kinez.

Ndërkohë në një tjetër takim ajo është pritur me një flamur kuq e zi që është varianti i duhur i flamurit tonë kombëtar.

Nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, madje edhe vet kryeministri Rama priten me pseudo-flamuj kombëtar në vizita zyrtare jashtë vendit.

Kujtojmë që vizita e Xhaçkës në Shkup vjen pas nënshkrimit të Protokollit të Anëtarësimit me NATO-n dhe pas ratifikimit në Kuvendin e Shqipërisë. (shekulli)

Vala e plagjiaturave – Kur meritokracia zëvendësohet nga paraja ose partia

trKur plasi skandali i plagjiaturave në Shqipëri të gjithë u tronditën nga përmasat e tij brenda politikës. Quo Vadis Shqipëri? Drejt Europës me elita fiktive? Sipas ekspertëve, mungesa e meritokracisë nxit emigrimin.

Kur skandalet në një vend plasin në mënyrë periodike, kur akuza për afera të larta korruptive mbushin kryetitujt e mediave, por në fund i lihen harrimit e jo marrjes së përgjegjësisë, njerëzit vërtet mësohen me të keqen, por humbasin besimin tek ata që kanë në krye. Shoqëria mpaket e rritet dëshira për t’u larguar nga një vend, siç po ndodh në Shqipëri. Ankesa më e shpeshtë – ky është një vend, ku postet nuk merren me meritë. Skandali i fundit i plagjiaturave që goditi si një dallgë e re e ftohtë shoqërinë e forcoi edhe më shumë këtë mungesë meritokracie. Jo se fiktiviteti nuk njihej , por përmasat e tij e nivelet që kapte ishin shokuese.

Radhazi dolën në media kapituj doktoraturash të kopjuara, diploma fiktive, zbulime deklarimesh të pasakta për studime në universitete. Personat pas tyre ishin ndër emrat më të njohur të Shqipërisë. Deputetë, funksionarë të lartë, zëvendësministra, një ish-ministre, një ministre e qeverisë aktuale. „Numri i individëve me diploma të diskutueshme është rreth një e treta e parlamentit, numri i individëve që është provuar që kanë diploma fiktive, tituj fiktivë ose kurse fiktive të deklaruara është provuar të paktën në 10-15 raste”, thotë drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i marrë gjatë me këtë temë. Që praktikisht do të thotë se në Shqipëri tanimë një kastë politikanësh me integritet të dyshimtë merr vendimet për një popull që pret kaq shumë nga politika. Për shkrimtarin e njohur, Moikom Zeqo, një nga deputetët e parlamentit të parë pas rënies së diktaturës, ky është “një mashtrim kombëtar”. Në një intervistë për gazetën “Dita”, ai e cilëson këtë fenomen në politikë si fabrikim të personaliteteve të rremë.

Të zbukurohesh me tituj për të rritur prestigjin

Plagjiatura, një virus që prek më shumë politikanët? Politologja e Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, që merret me Ballkanin Perëndimor, Dr. Natascha Wunsch thotë për DW, se „titujt si ai i doktorit shkencor shihen në shumë vende si një kualifikim pozitiv për poste publike, e kjo i shtyn herë pas here politikanët që gabimisht të duan të zbukurohen me tituj të tillë dhe/ose të dorëzojnë edhe plagjiatura.”

Edhe në Gjermani pati disa raste të zbulimit të plagjiaturave, nga qytetarë që i verifikuan rastet e dyshimta, por ato rezultuan me disa heqje titujsh dhe me dorëheqje, madje edhe të ministrit gjerman të Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg dhe ministres së Arsimit Annete Schawan asokohe. Në Shqipëri, veҫ dorëheqjes së një zëvendësministri arsimi, publikimet e plagjiaturave me fotografim të kapitujve të kopjuar janë mohuar nga gati të gjithë emrat e përmendur të deputetëve të parlamentit shqiptar. Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i mohoi akuzat për plagjiaturë. Shkrimtari dhe ish-deputeti, Moikom Zeqo kërkon hapur dorëheqjen për raste të tilla. “Cilido deputet që ka marrë një titull e që është vërtetuar plagjiatura duhet të japë menjëherë dorëheqjen.”

Qeveria zyrtarisht e dënon fenomenin, por sipas drejtorit të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi qeveria nuk i kushton rëndësi të madhe, megjithëse aktualisht kemi një ish-ministre dhe një ministre aktuale me diploma fiktive. “Paradoksi bëhet edhe më absurd, kur zyrtarisht qeveria ka mbajtur retorikë kundër fiktivitetit në titull dhe karrierë…e në krah qëndrojnë ministra të akuzuar për plagjiatura.”

Si u futën “të fortët” në politikën shqiptare?

Por pika e kthesës në politikën shqiptare, kur madje në parlament u futën jo vetëm njerëz me diploma jo të marra me meritë, por edhe elementë kriminalë, që siç dihet, shkaktoi debate për vite me radhë, i ka rrënjët më të thella. Politologu Afrim Krasniqi shpjegon se në një moment të caktuar, kur politika kishte probleme përfaqësimi, ajo iu afrua njerëzve që njihen si “të fortët”, biznesmenëve të tranzicionit. “Ata kishin dy cilësi, dominimin në zona elektorale dhe paranë, por jo statusin social. Këtë ata u munduan ta krijojnë përmes CV-ve fiktive.” E për shkak se Parlamenti Shqiptar e merr si të mirëqenë deklarimin e deputetit dhe nuk bën verifikime të mëtejshme, valën e fiktivitetit që iu sul parlamentit shqiptar këto vite nuk e ndali kush.

Nuk e ndali as Ministria e Arsimit. Kërkesës së Institutit të Studimeve Politike kjo ministri, i përgjigjet se ka të drejtë të verifikojë vetëm individët që kanë trokitur në ministri dhe kanë bërë regjistrimin me sjelljen e diplomave. “Kur i kemi paraqitur listën e deputetëve me diploma të deklaruara, ata na kanë thënë, nga këta kaq persona kanë deklaruar dhe ia kemi njohur, për të tjerë që nuk kanë bërë kërkesë nuk mbajmë përgjegjësi.”, thotë Afrim Krasniqi. Vërtet që Ministria e Arsimit e ka një rregullore për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve.”Ministria siguron software për kontroll automatik apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë”, thuhet në një nga vendimet e Këshillit të Ministrave të vitit të kaluar, por duket se këto janë më shumë fjalë të bukura në letër.

Dështimi i institucioneve përgjegjëse për produktin shkencor

As institucionet më të rëndësishme të verifikimit të vërtetësisë e cilësisë së  produktit shkencor, universitetet nuk kanë arritur me sa duket ta kryejnë detyrën e tyre. Universitetet duhet të bënin verifikimin e secilit nga rastet e përmendura, por universitetet nuk e bëjnë, thotë Afrim Krasniqi. „Sistemi është shumë i mbyllur, bordet dhe drejtuesit e universiteteve zgjidhen nga qeveria. Ata janë zyrtarë të vegjël, ndërkohë që akuzat janë bërë për nivele të larta.”

Nuk ishin universitetet, ato që zbuluan skandalin e plagjiaturave në diplomat apo doktoraturat e politikanëve, por individë të angazhuar. Vladimir Kola, i cili ka përfunduar doktoraturën për të drejtën publike në Itali është njëri nga personat, që zbuloi një seri plagjiaturash, mes tyre edhe të politikanëve. Për Deutsche Wellen ai shpjegon pse i hyri një rruge të tillë: „Motivet janë të shumta,  por së pari nga fakti se në konkurset, ku kam konkurruar për personel akademik, kam vënë re qartazi mungesë meritokracie dhe serioziteti, ku kandidatë pa doktoraturë apo pa ndonjë shkrim shkencor me cilësi, gjendeshin të listuar te fituesit, apo të punësuar, ndërsa të tjerë me doktoraturë, si në rastin tim, nuk dilnin fitues. …Jam shtyrë të zbuloj plagjiaturat e ndryshme, pasi kam vënë re se kishte edhe interes publik mbi probleme të tilla.”

Fenomeni i masterizimit

Fenomeni nuk është i pranishëm vetëm në politikë. Sipas Vladimir Kolës ”fenomeni është i pranishëm tek të gjitha kategoritë, por natyrisht njerëzit që janë të pushtetshëm, në përgjithësi “gardhin” që duhet të kapërcesh për të marrë doktoraturën e shohin ose e kanë më të ulët se të tjerët.”

Ky fiktivitet shqetësues në Shqipëri duket se rrënjët i ka ekonomike. Ka qenë një ligj i arsimit të lartë i vitit 2007, i cili i hapi rrugën masterizimit masiv të viteve të fundit, “sepse doli një vendim i Këshillit të Ministrave, sipas të cilit individët që kanë gradë shkencore në mënyrë automatike nëse punojnë në administratën publike marrin rritje rroge. E pothuaj se e gjithë administrata publike qendrore u fut në master apo nivele të tjera të kualifikimit”, shpjegon Afrim Krasniqi.

Një master sillte rrogë më të mirë, edhe nëse ai nuk bëhej në profesionin që ushtrohej. Një master të ndihmonte të ruaje vendin e punës. Reforma e re arsimore e ka ndryshuar këtë, por pasojat nuk janë zhdukur. Zhytjen në fiktivitet e pranojnë jashtë mikrofonit të gjithë, por megjithatë një “veting” në këtë drejtim nuk është i dëshirueshëm. “Fenomeni prek një  një numër të madh personash. Askush nuk ka interes”, thotë Afrim Krasniqi.

Shija e hidhur e humbjes së besimit

Quo Vadis Shqipëri? Drejt Europës me elita fiktive? Drejt Europës me shitblerje masterash e plagjiatura? “Në Shqipëri është krijuar ideja se gjithçka shitet, edhe shkenca, i gjithë sistemi krijon impaktin, se kur e kanë bërë këta, e kanë bërë karrierë, pse duhet ta vrasë mendjen unë, të bëj studime të thelluara, kur e marr të gatshme”, kritikon Afrim Krasniqi. Me “ata” nënkuptohen politikanët, elita drejtuese e vendit. Me “unë” të rinjtë që janë në prag të karrierës.

Pasoja – një zhgënjim i madh i brezit të ri për një vend, ku meritokracia zëvendësohet nga paraja apo partia. Protestat studentore të muajit të fundit në Tiranë e shprehën qartë këtë zhgënjim. 79% e të rinjve në Shqipëri duan të largohen nga vendi, sipas një vrojtimi të institutit Gallup. Politologja gjermane, Dr. Natascha Wunsch shikon tek përhapja e rasteve të plagjiaturave rrezikun e deziluzionimit në shoqëri. “Përhapja e rasteve të plagjiaturës jo vetëm varros besimin tek një politikë nxitëse e meritokracisë, por ajo mund të ketë si pasojë edhe emigrimin e personave të mirëshkolluar. Ky problem është shumë më i gjerë, sepse në tërësi procedurat meritokratike në vendet në tranzicion nuk janë të zhvilluara mirë, dhe postet publike zihen shpesh me lidhje personale apo përkatësi partiake. Kjo jo vetëm çon në zhgënjim nga popullata, por ka efekt negativ edhe në cilësinë e vendimmarrjes në proceset politike. Prandaj ka rëndësi që të jenë lart në axhendë të reformave politike procedurat transparente në administratën publike.”

Kërkohet një mekanizëm efektiv i parlamentit shqiptar, me kompetenca vepruese për të shmangur në të ardhmen infiltrimin e individëve me diploma fiktive, kërkon Afrim Krasniqi. Skandali i plagjiaturave në Shqipëri hodhi edhe një hije tjetër të errët mbi politikën  shqiptare, që vuan nga imazhi i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar. Por e pati edhe një një anë të mirë: Ishte hera e parë që në Shqipëri u fol kaq hapur e gjatë për një problem të tillë. Plagjiaturat i kanë sensibilizuar të gjithë. “E kush do të publikojë tani në të ardhmen, apo do të hyjë në politikë, do të ketë vëmendje më të madhe”, shpreson Afrim Krasniqi.

dw

Haradinaj: Tarifat ndaj mallrave serbe pengojnë formalizimin e ndarjes së Kosovës

HajredinajKryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të hënën se tarifat ndaj mallrave serbe po e pengojnë formalizimin e ndarjes së Kosovës, ndërsa kritikoi një pjesë të politikanëve në Kosovë e Bruksel se e kanë shndërruar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në atë për territore.

Ai i bëri këto komente gjatë një akademie përkujtimore kushtuar veprimtarit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, i cili u vra 29 vjet më parë në Bruksel nga shërbimet e fshehta jugosllave.

“Sot, njëzet vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia”,tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia nëse çmimi për të është dhënia e territoreve.

“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtimi në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra tarifat 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje”,tha kryeministri Haradinaj.

Mundësia që kufijtë e Kosovës dhe Serbisë të bëhen pjesë e një procesi bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, është hedhur në verën e vitit të kaluar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçic dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Derisa presidenti serb flet për vënie kufiri, duke nënkuptuar shkëputjen e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe bashkimin me Serbinë, presidenti Thaçi angazhohet për “korrigjimin e kufijve”.

Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur kundërshtime në Kosovë ku ndër më të zëshmit është kryeministri Ramush Haradinaj.

Idetë kanë nxitur reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Gjermania prin si kundërshtare e ideve të tilla meqë sipas saj mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”. (voa)

Oscar 2019: “Green Book” – filmi më i mirë

OscarGjatë natës së kaluar në SHBA janë ndarë çmimet më prestigjoze në kinematografi – Oscar. Ceremonia e 91-të me radhë e e Akademisë u mbajt në teatrin “Dolby” në Hollywood

Emocionet e shumta e përshkruan edhe këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve Oscar për arritjet më të mira të vitit në kinematografi. Gara ishte shumë e ngushtë në shumë kategori. Çmimin me prestigjioz e mori “Green Book”, në kategorinë “Filmi më i mirë”.

Ndërsa regjisori më i mirë u shpall Alfonso Cuarón me filmin “Roma”.

Rolet më të mira

Ndër kategoritë e pritura me shumë kureshtje ishte edhe çmimi i aktorit më të mirë (Rami Malek me filmin “Bohemian Rhapsody”) dhe aktorja më e mirë – Olivia Colman me filmin “The Favourite”.

Për rolet dytësore çmimin Oskar e kanë fituar në kategorinë e meshkujve Mahershala Ali, me filmin “Green Book”, dhe Regina King në kategorinë e femrave me filmin “If Beale Street Could Talk”.

Muzikë

Ceremoninë e shoqëruan me tinguj muzikor aktori Bradley Cooper dhe këngëtarja Lady Gaga, të cilët u paraqitën së bashku me një performancë jashtëzakonisht të mirë me këngën  “Shallow”, nga filmi ‘A Stari is Born”. Kjo këngë fitoi çmimin “Kënga më e mirë origjinale”.

 

la/bc/ag

Green Book, Fitues i Oskarit si Filmi më i Mirë

Green BookFilmi Green Book ishte fituesi i çmimit më të lakmuar të ceremonisë së Oskarve mbrëmë në Hollivud, duke siguruar çmimin në kategorinë e filmit më të mirë, ndërsa aktori Mahershala Ali fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor. Filmi fitoi edhe për skenarin më të mirë origjinal. Ishte një nderim që përshtatej me frymën e larmisë etnike e tematike aktualisht në Hollivud, siç dëshmohej edhe nga filmat që konkurruan sivjet për Oskar.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, kjo dramë e bazuar në ngjarje reale shtjellon historinë e një pianisti të njohur afrikano-amerikan që zë miqësi me shoferin e tij të bardhë gjatë udhëtimit të tyre përmes jugut të Shteteve të Bashkuara në fillimet e viteve 1960 kur ende mbretëronte ndarja e rreptë racore. Filmi është pritur me reagime të përziera nga kritika, disa duke e kritikuar se nuk ka respektuar ngjarjet reale në shtjellimin e subjektit, të tjerët duke kritikuar personazhin e shoferit si një “shpëtimtar i bardhë” gjë që e fut filmin në kategorinë e realizimeve që e tregojnë përvojën afrikano-amerikane përmes syve të personazheve të bardhë.

Aktori Mahershala Ali, i cili interpreton pianistin Don Shirley, fitoi Oskarin si aktori më i mirë në rol dytësor. Filmi fitoi edhe në kategorinë e skenarit më të mirë origjinal.

Aktori Viggo Mortensen dhe regjisori Peter Farrelly folën me Zërin e Amerikës për filmin:

“Farrelly bëri një punë aq të mirë si regjisor, sa që gati-gati të duket e lehtë, duket si një film që nuk ka dashur shumë mund. Por nga eksperienca ime që kam lexuar mijëra skenare e kam shkruar vetë tre skenare, e di sa e vështirë është të gjesh balancën, në rastin e filmit Green Book, mes tensionit dramatik, humorit të pasforcuar, dialogut të mprehtë, të paharrueshëm dhe plot nënkuptime dhe një historie që krijon një ritëm të ngadaltë por të pandalshëm, e gjitha kjo për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm,” thotë aktori Viggo Mortensen.

Suksesi i filmit Green Book simbolizon përpjekjet e Hollivudit për të pasqyruar larmi racore, etnike e tematike në konkurrentët për Oskar.

Roma, filmi i regjisorit Alfonso Cuaron fitoi tre Çmime Oskar, në kategorinë e kinematografisë më të mirë, regjisorit më të mirë dhe si filmi më i mirë në gjuhë të huaj. Historia tregohet nga këndvështrimi i një vajze indigjene meksikane që punon si shërbëtore në një familje të klasës së mesme në Qytetin e Meksikos. Në komentet që bëri kur mori çmimin si regjisori më i mirë i vitit, Cuaron falenderoi dy aktoret që portretizojnë shërbëtoret e familjes: Marina de Tavira dhe Yalitza Aparicio, duke i cilësuar si zemra e filmit.

Aktorja e filmit Yalitzia Aparicio është e para aktore që i përket popullatës indigjene të Amerikës, e cila konkurroi në kategorinë e aktores më të mirë për Oskar.

Roma mund të mos kishte siguruar kaq popullaritet nëse nuk do të ishte produksion i Netflix-it, platforma dixhitale që e shpërndau filmin në televizorët e miliona shikuesve në mbarë botën. Platformat dixhitale po prezantojnë një gamë më të larmishme filmash për teleshikuesit, thotë eksperti i medias Richard Craig:

“Shpresojmë që me këtë të arrijmë të hapim portat e mundësive për ata zëra që tradicionalisht nuk kanë pasur mundësi të konkurrojnë, pasi realizimet e tyre nuk janë përfshirë deri tani në nivelet më të larta të konkurrimit”.

Olivia Colman fitoi Oskarin si Aktorja më e Mirë për portretizimin e Mbretëreshës Anne në filmin The Favorite nga regjisori Yorgos Lanthimos. Filmi është një dramë politike e rrëfyer nga këndvështrimi i tre grave.

Black Panther e regjisorit Ryan Coogler fitoi tre Oskar, në kategorinë e Arritjes më të Mirë Muzikore dhe dy për kostumografinë. Hannah Beachler dhe Ruth E. Carter janë të parat afrikano-amerikane që ndrohen në kategoritë e dizenjos dhe realizimit të kostumografisë. Në komentet për Zërin e Amerikës, stilistja Carter shpjegon se për kostumet e filmit Black Panther kishte marrë frymëzim nga folklori afrikan.

“Kostumet janë të shoqëruara me armatime, me mburoja, por janë edhe shumë të bukura. Kanë ngjyra të theksuara, mburojat duken si të mbuluara me gurë të çmuar. Këto kostume nderojnë traditën, prandaj aktorët ndjehen kaq të frymëzuar prej tyre, pasi mbajnë në trup historinë”.

Regina King fitoi Oskar si Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor për interpretimin në filmin If Beale Street Could Talk, ku ajo luan rolin e Sharon Rivers.

Filmi BlackkKlansman i regjisorit Spike Lee u hedh një vështrim të guximshëm marrëdhënieve racore në Amerikë. Ky realizim fitoi në kategorinë e Skenarit më të Mirë të Adaptuar.

Rami Malek mori Oskar si Aktori më i Mirë i vitit për personifikimin e Freddy Mercuryt, këngëtarit legjendar të Queens ndeshur me dramën e brendshme si një artist homoseksual në filmin Bohemian Rhapsody.

Në kategorinë e filmit më të mirë multiplikativ fitoi Spider-Man into the Spider Verse, një realizim i ri mbi aventurat e njeriut-merimangë që për herë të parë ka në rolin e personazhit kryesor një djalë afrikano-amerikan.