Ministri gjerman: BE të marrë vendim në qershor për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Michhael RothBashkimi Evropian duhet të marrë një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor.

Kështu deklaron ministri gjerman i Shtetit për Evropën dhe Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth (SPD), për të përditshmen gjermane “Der Tagesspiegel”, ku mes të tjerash thekson se: “Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe përmbushim angazhimet tona”.

Ndërsa shprehet se data e duhur për hapjen e negociatave për dy vendet duhet të jetë qeshori, Roth rikujtoi faktin që BE kishte paracaktuar vitin e kaluar afatin për këtë vendin. Mandej politikani i SPD shton se vendimi pozitiv kërkon guxim, pasi Unioni ende kërkon më tepër kohë në Bundestag.

 “Koha më e mirë për të vendosur mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit. Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion,” tha ai.

Kujtojmë që KE rekomandoi të mërkurën që krerët e BE-së të nisin negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

(shekulli)

A janë përgjimet në BDI të ndërlidhura me aksionin “Fshesa”?

Ali OsmaniProkuroria Speciale Publike është duke i analizuar të ashtuquajturat “bomba” nga bisedat telefonike, të cilat të martën në mbrëmje u bënë publike në rrjetet sociale, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë nga ky institucion.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarre të gjitha masat që sa më parë të zbardhet ky rast dhe ndaj kryesit të veprës, do të ngrihet akuzë penale.

“Tashmë është konstatuar se kush qëndron mbrapa profilit në Facebook, prej ku janë plasuar këto përmbajtje dhe për atë është njoftuar Prokuroria. Gjithashtu, është njoftuar edhe rrjeti social Facebook në lidhje me këtë. Pas pastrimit të plotë të rastit, MPB-ja do të dorëzojë padi penale kundër kryerësit dhe për këtë, në mënyrë përkatëse do ta informojë opinionin”, thuhet në njoftimin me shkrim të Policisë së Maqedonisë së Veriut.

Mbrëmjen e së martës në rrjetin social Facebook, përmes një profili privat “el Cheka”, u publikuan disa biseda telefonike, në të cilat pretendohet se janë duke biseduar funksionarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, ku përmendet rasti “Monstra”, dhe çështje të tjera.

Personi që ka publikuar bisedat e përgjuara telefonike, ka thënë se ato i ka siguruar nga një pjesë e grupit të dënuar për ngjarjet e Kumanovës, shtetas të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se ai nuk i ka dëgjuar këto biseda, duke nënvizuar se bisedat e përgjuara nuk do të kenë impakt në raportet me partnerin e koalicionit qeveritar, BDI-në.

“Organet hetuese duhet të merren seriozisht me këtë rast”, ka theksuar Zaev.

Ai ka shtuar se nuk ka njohuri nëse këto biseda janë pjesë e materialeve të përgjuara që i ka poseduar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, apo bëhet fjalë për materiale të tjera duke lënë mundësinë që bisedat e përgjuara mund t’i posedojë dhe një palë e tretë, pasi sipas tij, opozita kishte vetëm 1/3 e bisedave të përgjuara telefonike nga Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim.

Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Bashkimi Demokratik për Integrim kanë kërkuar nga organet kompetente përgjegjësi

Pavle Trajabov, ish-ministër i Punëve të Brendshme, thotëpër Radion Evropa e Lirë, se një pjesë e madhe e bisedave të përgjuara, janë në duar të grupeve të caktuara dhe si të tilla, është vështirë që shteti t’i kontrollojë.

“Nuk besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kapacitet që ta menaxhoj gjithë këtë situatë me materialet e përgjuara të lëshuara në tregun e zi, edhe pse pushteti i ka detyrë të veprojë në mënyrë parandaluese. Ky proces do të zgjasë. Me rëndësi është që tani mos të ketë hapësirë për keqpërdorimin e sistemit të përgjimit”, vlerëson Trajanov.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se publikimi materialeve të përgjuara po ndodh në momentin që është paralajmëruar aksioni “Fshesa”, që parasheh ndryshime në Qeveri.

“Tendenca është që të dëmtohet një parti politike në momentin që vendi është në një fazë që pritet ajo ‘fshesa’ e kryeministrit të shtetit t’i japë ato rezultatet e veta ashtu siç mund të ketë disa kategori apo grupime që mund të tentojnë ta dëmtojnë procesin apo të kenë përfitim nga ajo”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Abert Musliu, njohës çështjeve politike.

Përmbajtja e bisedave të publikuara telefonike, ndërkohë, sipas një pjese të analistëve flet edhe për gjendjen, në të cilën ndodhen drejtuesit e politikës, moralin e tyre dhe përfshirjen në veprimtari të paligjshme.

“Ajo që dëgjohet është skandaloze, është e dhimbshme, e tmerrshme, dhe flet për nivelin e ulët që ka politikë-bërja në Maqedoninë e Veriut. Pse bëhet tani kjo çështje? Mendoj se duhet analizuar çështja se pse këto biseda nuk janë publikuar më herët po publikohen pikërisht këto tani, ndërkohë që ka shumë incizime të tjera”.

“Këto incizime tregojnë se estabilishmenti politik në Maqedoninë e Veriut ka nevojë që të largohen figurat kryesore politike, nga z.Zoran Zaev deri te z. Ali Ahmeti, për shkak se vendi nuk mund të futet në BE dhe NATO me këto personalitete që janë të komprometuara”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Materialet e përgjuara në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos kaluan nën kompetencë të Prokurorisë Speciale, por disa herë me radhë në rrjetet sociale dhe ueb-faqe të ndryshme, ato janë publikuar në periudha të ndryshme.

rel

Wolfgang Petritsch: Zgjidhja për Kosovën pa SHBA dhe Rusinë

Wolfgang PetritschWolfgang Petritsch flet për mundësinë e zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbis. Petritsch nuk përjashton mundësinë e ndryshimet e kufijëve – nëse palët janë dakord.

Deutsche Welle: Zoti Petritsch, komisioneri i BE-së Johannes Hahn tha se për të zgjidhur problemet në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kërkohet një vendosmëri e madhe. Por statusi i Kosovës mbetet një problem i madh. Si mund të zgjidhet ky problem dhe a jeni i sigurt se zgjidhja mund të gjendet në muajt e ardhshëm?

Wolfgang Petritsch: Unë kam qenë pothuajse një vit më parë, në pranverë dhe verë të vitit të kaluar, shumë i angazhuar për të çuar përpara idenë e dy presidentëve (Thaçi dhe Vuçiq), të cilët me sa duket janë të gatshëm për kompromis paqësor, për një kompromis të madh historik mes serbëve dhe shqiptarëve. Unë nuk mendoj se duhet të pranojmë të gjitha propozimet. Por, Gjermania tani papritur është kundër një marrëveshje të këtillë, ndonëse një përfaqësues i Berlinit ka qenë prej fillimit në ekipin e Federica Mogherinit dhe me sa duket e ka mbështetur strategjinë e saj. Tani Gjermania, zonja Merkel, thotë: Ne nuk duam.

Më duhet t’ju ndërpres: Ju thoni se ka ide të dy presidentëve, të cilat duhet mbështetur apo jo? Por opinoni i gjërë nuk e di se cilat janë këto ide që mund të mbështeten apo jo, dhe nuk e di qartë se çfarë do të thotë kjo ide. A është kjo në të vërtetë ideja për ndarjen e Kosovës, apo shkëmbimin e territoreve? Për çfarë është fjala?

Për fat të keq ky është një problem, sepse opinioni i gjërë nuk është përfshirë. Mendoj se ky është një problem i madh për Brukselin, Beogradin dhe Prishtinën. Mendoj se Brukseli do të ishte në gjendje të zhvillojë një dialog të hapur për mundësinë e arritjes së një kompromisi. Pikërisht për shkak se në Bruskel është vendosur se nuk ka linja të kuqe, se është i mundur edhe shkëmbimi i territoreve, ndaj duhet të luhet me letra të hapura. Nuk mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë prej të gjitha zgjidhjeve. Por në rrethanat e tanishme, nuk ka zgjidhje më të mirë. Gjithmonë ekzistojnë vetëm kompromise të vështira, të cilat duhet të arrihen për të qetësuar gjendjen përfundimisht. Shikoni se çfarë ka ndodhur ditët e fundit dhe sa shpejtë emocionet mund të çojnë në ngritjen e tensioneve. Gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu. Në esencë, kam menduar dhe mendoj se BE-ja nuk ka shumë kohë. Të dy palët duhet të futen në një proces të gjërë, të ngjashëm si Dejtoni apo Oslo, ku të merreshin vesh për një kompromis. Ndërsa mundësitë ekzistuese dihen prej vitesh.

Pak më lart kritikuat Gjermaninë për shkak se nuk do të pranojë ndryshimin e kufijëve. Si e shihni ju iniciativën e zonjës Merkel dhe presidentit Macron për takime në Berlin dhe Paris? A do të thotë kjo se palët po largohen nga projektet e BE apo është vetëm vazhdimësi e tyre?

Kam frikë se kjo është një prej atyre iniciativave që kemi parë edhe më parë në konstelacione të ndryshme dhe të cilat për fat të keq nuk sjellin sukses. Nëse vetëm pak ditë pas konferencës së Berlinit kemi një situatë si kjo tani në veri të Kosovës, atëherë më duhet të konstatoj se takimi i Berlinit nuk ka qenë i suksesshëm. Dyshoj se në Paris do të jetë më mirë.

Si do ta zgjidhnit Ju këtë çështje, pasi që ekzistojnë ide të ndryshme? Edhe vet e dini se idetë për shkëmbimin e territoreve apo ndryshimin e kufijëve janë shumë të rrezikshme. Ka dhe njerëz që flasin për incidente të reja, luftëra të reja…

Pa dyshim që ka shumë rreziqe, por ato duhet të jenë pjesë e negociatave dhe kompromiseve. Propozoj që tani të organizohet diçka si – dialog plus.

Çfarë do të thotë kjo?

Ata të dy (presidentët Thaçi dhe Vuçiq) nuk duhet të takohen vetëm një herë në muaj apo dhe më rrallë. BE duhet t’i ftojë të dy palët për diskutime intensive për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në Bruksel apo në ndonjë vend tjetër. Mendoj se mund t’i ftojë edhe në Vjenë, ku palët në një proces shumë intensiv negociator do të tejkalonin dallimet dhe kontradiktat, dhe do të gjenin zgjidhjen më të mirë, mbi bazën e propozimeve që ekzistojnë mbi tavolinë.

Ju jeni duke folur në fakt për një Dejton të ri, por në kornizat evropiane, apo jo?

Apsolutisht. Kjo duhet të jetë një zgjidhje evropiane. Nuk do të doja që në këtë proces të jenë të pranishëm Uashingtoni apo Moska. Tek e fundit ky është problem evropian, ndaj edhe zgjidhja duhet të gjendet në Evropë. Ndaj mendoj se ky proces duhet të zhvillohet në Evropë.

Por ju e keni të qartë se Serbia dhe Kosova nuk duan që vendimet të merren pa Rusinë dhe Shtetet e Bashkaura të Amerikës.

Të dy palëve duhet thënë: Duam zgjidhje evropiane. Në fund të fundit, të dy vendet duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se interesa e Evropës duhet të jenë në plan të parë. Këtë duhet ta kuptojnë të dy palët.

Para pak ditësh në veri të Kosovës ka pasur një aksion policor, i cili ka shkaktuar reagime të ashpra, madje edhe dhunë dhe plagosje me armë zjarri. Keni frikë nga shkallëzimi i situatës në Kosovë?

Së pari, më duhet të them se duhet të sqarohen rrethanat se si erdhi deri te ky aksion, i cili ka qenë i tepruar. Dhe natyrisht, personat e arrestuar duhet të nxirren para gjykatave të rregullta. Kur dihet se çfarë disponimi kemi në terren, mendoj se është e domosdoshme që OKB dhe BE, të cilat janë prezente në Kosovë, të vëzhgojnë me kujdes këtë proces, këtë proces juridik, gjyqësor, në mënyrë që gjërat vërtet të sqarohen deri në fund.

Zoti Petrisch, Beogradi ka kërkaur heqjen e taksave, ndërsa Prishtina ka refuzuar këtë kërkesë. Si mund të vazhdohet dialogu në këto kushte?

Jam i bindur se palët duhet të plotësojnë disa kushte.

Cilat?

Natyrisht në radhë të parë bëhet fjalë për Pristhinën dhe qeverinë atje. Ne e dimë që qëndrimet për taksat janë të ndryshme. Por mendoj se situata është shumë e qartë: Taksat duhet të suspendohen për të filluar një dialog i kuptimtë. Ky është parakushti. E më pas duhet të flasim për zgjidhjet e vërteta të problemeve dhe jo vetëm për masa të ndara, të cilat më shumë duken si reagime të tepruara.

Po, por kryeministri Haradinaj ka deklaruar se me futjen e taksës është parandaluar ideja e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve. Njerëzit janë të frikësuar nga kjo ide, sepse ideja mund të jetë e rrezikshme edhe për vendet e rajonit.

Në negociata për zgjidhjen përfunditmare duhet të futeni të hapur. Duhet të niseni nga fakti që dialogu i Brukselit i ka përgatitur disa detaje, të paktën në letër, jo formalisht dhe se ka pasur përparime në dialogun pesëvjeçar. Këto përparime janë bazë për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare. Të gjitha të tjerat që kanë ndodhur ndërkohë janë aksione të njëanshme, të cilat duhet të tërhiqen. Pra edhe taksta 100%.

Nëse Serbia dhe Kosova vërtet merren vesh për ndryshimin e kufijëve, pse Republika Serpska duhet të mbetet në Bosnje-Hercegovinë, në qoftë se pranohet parimi i ndryshimit të kufijëve të jashtëm të shteteve të tanishme?

Këtu mund të citoj presidentin e Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, i cili thotë se nuk ekziston kurfarë lidhje mes B-H dhe gjendjes në Kosovë. Pse? Sepse nëse ndryshojnë kufijtë e Kosovës përmes një procesi negociatash, atëherë ky është një rezultat i pranuar nga të dy palët. Ndërsa Dodiku në Sarajevë nuk ka ndonjë partner me të cilin do të mund të negocionte për një zgjidhje të këtillë.  Duhet aplikuar pra normat ndërkombëtare, sipas së cilave marrëveshjet për ndryshimin e kufijëve të jashtëm mes shteteve sovrane mund të bëhen vetëm me – konsensus.

Së pari, në Bosnje nuk ka konsensus për këtë. Dhe së dyti, është shumë me rëndësi të thuhet se Bosnja ekziston në kufijtë e përcatkuar me Marrëveshjen e Dejtonit. Kjo marrëveshje ndërkombëtare ka mundësuar krijimin e Republikës Serpska dhe çdo përpjekje e palës serbe për ndryshimin e kufirit të Bosnjes do të thoshte automatikisht humbje e statusit ndërkombëtar të Republikës Serpska. Këtë duhet pasur parasyshë, sepse për këtë çështje mendohet shumë pak.

Si mendoni, si është e mundur që Republika Serpska të humbë statusin e saj?

Sepse me Marrëveshjen e Dejtonit janë përcaktuar kufijtë ndërkombëtarë të pranuar nga Beogradi dhe Zagrebi. Pra dy fuqitë vendimtare janë garancë e Marrëveshjes së Dejtonit dhe ato janë të obliguara të njohin nënshkrimet e tyre.

Ju mendonni pra se ndryshimi i kufijëve në Kosovë nuk do të rezultonte me ndryhsimin e kufijëve në vendet tjra të rajonit?

Pikërisht ashtu është. Nëse shikoni pak më mirë, këto janë dy gjëra të ndryshme dhe vërtet duhet shikuar si gjëra të ndara. Për fat të keq, madje edhe diplomatët dhe politikanët që merren me këto çështje, shpesh harrojnë se këto gjëra janë vendosur para 25 vitesh në Dejton. Ndërsa çështja e vetme e hapur ka mbetur – kufiri mes Kosovës dhe Serbisë. E për zgjidhjen e këtij problemi kërkohen dy palë. Kërkohen edhe garancat e Evropës për njohjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, për njohjen e kufijëve mes dy palëve. Përveç kësaj, kufijtë duhet t’i garantojnë dhe mbështesin të gjithë – Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Uashingtoni, Moska dhe Brukseli.

Por në samitin e Belinit, përveç presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi, të gjithë të tjerët kanë qenë kundër mundësisë së ndryshimt të kufijëve të jashtëm dhe ndarjeve. Ju megjithatë mendoni se kjo është e mundur?

Jo, jo… Unë nuk pytem fare në këtë çështje. Kjo është e parëndësishme.

Mirë, por? 

E përsëris: Unë dua t’i jap përparësi zgjidhjes me të cilën dakordohen të dy palët. Kompromisi në Ballkan është një fjalë e panjohur. Këtu për herë të parë kemi dy presidentë të cilët kanë arritur dhe nënshkruar një kompromis, tek i cili kanë ardhur me shumë mund, por me rrugë paqësore. Shikuar nga aspekti historik, kufijtë kanë ndryshuar gjithmonë vetëm me mjete ushtarake.

Ndërsa në shembullin e Bosnje-Hercegovinës kemi marrëveshjen e imponuar të Dejtonit, me të cilin njëra palë nuk identifikohet, as pas 25 vitesh. Bashkësia ndërkombëtare, Evropa, duhet të nxjerrë mësime nga kjo. Ne duam një zgjidhje për Kosovën, duam një kompromis të cilin e pranojnë të dy palët.

Intervistën zhvilluan: Bahri Cani dhe Ivan Gjerkoviq

Kosovë, shtetasi rus i UNMIK-ut shpallet person i padëshiruar

Barikada mitroviceKryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të premten se ka kërkuar nga ministria e Jashtme që shtetasi rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara të shpallet person i padëshiruar.Ai ishte ndaluar të martën gjatë operacionit të policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe për arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.

Shtetasi rus, i cili u lirua po atë ditë, ishte ndaluar gjatë ndërhyrjes së policisë për të larguar nga rruga barrikadat e vendosura nga serbët lokal në komunën e Zubin Potokut. Policia tha se në njërën nga barrikadat ishte një makinë e UNMIK-ut dhe dy punonjës të kësaj organizate.

Të premten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se i ka kërkuar ministrisë së Jashtme që në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të shpallet person i padëshirueshëm shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov.

Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin. Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit!”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Ramush Haradinaj.

( A mund të shpallet punonjësi i OKB-së person i padëshirueshëm?

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nuk e ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për shpalljen e punonjësit të saj person të padëshirueshëm.

Në fillim të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres, kishte theksuar se një gjë e tillë “nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara”, duke reaguar ndaj vendimit të qeverisë së Somalisë e cila e shpalli “të padëshirueshëm”, përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së atje, Nicholas Haysom.

“Siç thuhet në Konventën e Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, doktrina për personat e padëshirueshëm, zbatohet për marrëdhëniet diplomatike dypalëshe ndërmjet shteteve. OKB-ja nuk është shtet dhe personeli i saj nuk është i akredituar në vendet ku ata janë të vendosur, por punojnë nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm “, thuhej në reagimin që mban datën 4 janar të këtij viti.)

Ndalimi i tij të martën kishte nxitur edhe reagimin e shefit të misionit të UNMIK-ut Tahir Zanin, i cili tha se “çdo lëndim i pjesëtarëve të UNMIK-ut do të përballet me përgjigje ligjore diplomatike e ndërkombëtare”.

Ministria e Jashtme ruse kërkoi “llogaridhënie nga përgjegjësit për këtë incident”, ndërsa shefi i saj, Sergey Lavrov kritikoi operacionin e Prishtinës, duke vlerësuar se provokimet e tilla janë të dobishme për ata që duan të krijojnë një “tampon zonë” ndërmjet Rusisë dhe Ballkanit. Që kjo të ndodhë, ata kanë nevojë t’i fusin të gjithë në NATO”, tha ai të mërkurën gjatë një vizite në Lubjanë të Sllovenisë.

Mikhail Krasnoshchenkov, tashmë ndodhet në Serbi, ku është shtruar në spitalin e Beogradit për trajtim pas lëndimeve të pësuara në operacionin e policisë.

Të premten ai u vizitua nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se operacionet si ai i fundit në Kosovë, kanë për qëllim “t’u fusin serbëve frikën në palcë”.

Ai tha se shqiptarët e “kanë vetëm një faltore ku luten – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk çajnë kokën për çfarëdo që bëjnë kundër Rusisë dhe Serbisë. Për ta është me rëndësi që t’i lavdëroj misioni amerikan në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë për aksionin kundër korrupsionit”, tha ai duke ju referuar deklaratës së zotit Lane D. Bahl në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë se “Shtetet e Bashkuara përshëndesin përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit”.

Operacioni i Policisë së Kosovës, ka thënë ai, “ishte një përpjekje për ta bërë këtë. Autoritetet arrestuan individë të dyshuar për përfshirje në kongtrabandë dhe krim të organizuar. Policia arrestoi të dyshuar të shumë grupeve etnike. Operacioni u krye në disa zona të Kosovës dhe jo vetëm në veri”, tha mes tjerash ai duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të “shmangin veprimet që përshkallëzojnë tensionet”.

Prishtina tha se operacioni ishte drejtuar kundër personave të përfshirë në veprimtari kriminale dhe i bëri thirrje Beogradit të mos e politizojë atë dhe të mos vihet në krah të keqbërësve.

voa

SHBA, raportohen më shumë raste fruthi se kurrë më parë

Vaksina fruthiZyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se janë raportuar deri më tani 971 raste fruthi në Shtetet e Bashkuara. Kjo shifër ia kalon rekordit prej 963 rastesh, të raportuara në vitin 1994.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha të enjten se nëse epidemia në qytetin e Nju Jorkut vazhdon deri në vjeshtë, Shtetet e Bashkuara mund të humbasin statusin e tyre si vend që ka eliminuar fruthin.

“Humbja e këtij statusi do të ishte një goditje e madhe për të gjithë vendin dhe do të fshinte punën e bërë nga të gjitha strukturat e shëndetit publik”, thuhet në deklaratën e CDC-së.

Fruthi u deklarua i eliminuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000, dhe CDC-ja thotë se një ndër arsyet kryesore ishte disponueshmëria dhe përdorimi i gjerë i vaksinës së sigurtë.

Luftimi i propagandës kundër vaksinave

CDC-ja, Organizata Botërore e Shëndetit, si dhe ekspertë të tjerë janë duke luftuar propagandën e prindërve dhe aktivistëve anti-vaksinë që refuzojnë të imunizojnë fëmijët e tyre, duke këmbëngulur se vaksina është e rrezikshme.

“Sërish dëshiroj të siguroj prindërit se vaksinat janë të sigurta. Ato nuk shkaktojnë autizëm. Rreziku më i madh është sëmundja që vaksina parandalon. Fruthi është i parandalueshëm dhe mënyra për ta ndalur këtë epidemi është duke u siguruar që të vaksinohen të gjithë fëmijët dhe të rriturit që e kanë këtë mundësi”, thotë drejtori i CDC-së, Robert Redfield.

4 milionë raste, përpara epokës së vaksinës

Përpara vitit 1963, kur u gjykua e perfeksionuar vaksina e fruthit, CDC-ja thotë se rreth 4 milionë amerikanë infektoheshin çdo vit nga fruthi. Deri në 500 prej tyre humbnin jetën.

Virusi i fruthit është tepër ngjitës dhe përhapet kryesisht nëpërmjet kollës dhe tështimave.

Krahas refuzimit të disa prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre, CDC-ja thotë se epidemia e tanishme ka të bëjë edhe me udhëtarë që dyshohet se e kanë sjellë virusin nga vendet ku ka epidemira të mëdha, si Izraeli, Filipinet dhe Ukraina.

voa

Gjermania me perceptime të ndryshme për Shqipërinë

DE ALBEdhe pas publikimit të progres-raportit të BE-së, vazhdon mospërputhja e mendimeve mes partive të koalicionit gjerman për Shqipërinë. Pritjet nga vizita e Haradinajt në Berlin

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi kryetar i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul, thotë se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018. Wadephul e publikoi këtë deklaratë të enjten paradite në Berlin, si reagim ndaj rekomandimit të Komisionit të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Wadephul pohon se ekziston një marrëveshje me grupin parlamentar socialdemokrat që çelja e negociatave me Shqipërinë të tratjohet në shtator të vitit 2019.

Qëndrime të kundërta mes Wadephul dhe Roth

“Grupi parlamentar CDU/CSU do të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do ta krahasojë atë me analizat e tjera që ka në dispozicion. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, pohon Wadephur, duke shtuar se “një shqyrtim i këtillë nuk mund të bëhet me nxitim”. Sipas tij, kjo as nuk do të justifikohej dot para popullsisë gjermane, e as nuk do të ishte e drejtë ndaj vendeve në fjalë. “Ndaj Bundestagu gjerman do të mund të vendosë vetëm në fund të shtatorit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse është rënë dakord me kolegët e grupit parlamentar socialdemokrat”.

Ky qëndrim i grupit parlamentar CDU/CSU, të kancelares Angela Merkel, bie ndesh me atë të ministrit të Gjermanisë për Evropën, Michael Roth (SPD), i cili ngul këmbë që Shqipërisë t’i çelen negociatat në qershor, sikurse është premtuar një vit më parë. Roth argumenton në një artikull të publikuar të mërkurën në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e saj dhe se e meriton çeljen e negociatave.

Wadephul: Asnjë kusht i ministrave nuk është përmbushur

Në anën tjetër, Wadephul është kundër këtij perceptimi, me fjalët se “sipas një analize fillestare Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet e vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së, më 26 qershor 2018.” Wadephul jep si shembuj “mosfunksionimin e sistemit gjyqësor, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”.

“Nuk janë krijuar ende as organi i posaçëm antikorrupsion e as Byroja kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak procedura gjyqësore për raste korrupsioni të nivelit të lartë dhe asnjë dënim. Kjo ishte një nga kërkesat e ministrave të jashtëm të BE-së, në qershor të vitit 2018″, shkruan në deklaratën e tij deputeti kristiandemokrat.

Sipas tij, po aq të dobëta janë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar. “Nuk është hapur asnjë proces gjyqësor kundër politikanëve dhe kriminelëve, që në fillim të vitit dolën se kishin të bënin me blerjen e votave”, thotë ai. Një mangësi që përmend Wadephul është edhe “mospërfundimi i ligjit zgjedhor, një kusht ky i vënë nga ministrat e jashtëm një vit më parë”.

Wadephul pohon se “Shqipërisë i duhet edhe shumë kohë derisa të jetë gati për negociatat e anëtarësimit” dhe se “duhet të bëjë përpjekje maksimale për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator.”

Ende pa opinion zyrtar për negociatat

Qeveria gjermane ende nuk ka krijuar një opinon unik për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithëse ministri Roth është i mendimit se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha të mërkurën se “do të analizojmë me kujdes progres-raportet dhe pastaj do të shohim se cilat janë konkluzionet operative që do të ndërmarrim”. Në të njëjtën linjë argumentoi edhe zëdhënësja e Ministrisë së jashtme, Maria Adebahr, e cila lajmëroi se tema e çeljes së negociatave do të jetë në axhendën e ministrave të jashtëm të BE-së, më 18 qershor të këtij viti.

Për të dhënë një po për çeljen e negociatave, qeverisë gjermane i duhet më parë opinioni i shumicës së deputetëve gjermanë. Sipas burimeve të DW në Berlin, ditët e fundit ka pasur shumë ecejake për ta bindur Parlamentin gjerman ta trajtojë këtë çështje në fillim të qershorit. Burimet tona thonë se deputetët konservatorë deri tani nuk e kanë pranuar këtë kërkesë. Një vendim ky që, sipas analistëve, ka qenë më i lehtë të merret, në një kohë kur edhe vende të tjera, si Franca, Holanda dhe Danimarka, janë kundër fillimit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Opinione të ndryshme për krizën

As për zgjidhjen e krizës në Shqipëri qeveria e kancelares Angela Merkel nuk ka krijuar një opinion unik, megjithëse kohët e fundit në Shqipëri janë dëgjuar shumë deputetë nga partia e saj me përfytyrime pjesërisht të ndryshme nga njëra-tjetra për zgjidhjen e krizës. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Adebahr, e quajti të mërkurën “të gabuar vendimin e opozitës për t’u larguar nga Parlamenti” dhe shprehu “keqardhjen që opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.”

Dialogu pozitë-opozitë 

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU e përmend në deklaratën e tij të ditës së enjte (30.05.2019) sërish krizën në Shqipëri dhe kërkesën e tij për “një dialog të mirëfilltë mes qeverisë dhe opozitës për kapërcimin e krizës shtetërore”  dhe vazhdon të ofrohet për të dhënë ndihmesën e tij në zgjidhjen e krizës. “Grupi parlamentar CDU/CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet të jenë të gatshme për  një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk duhet përjashtuar që më parë”, thotë Wadehpul.

Në një deklaratë të mëparshme të dhënë ekskluzivisht për DW, së bashku me kolegun e tij Christian Schmidt, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e jashtëm, Wadephul kishte lënë të hapur edhe opsionin e shtyrjes së zgjedhjes, si një mundësi për të dalë nga kriza.

Vizitat e politikanëve shqitparë në Gjermani

Javën e ardhshme në Gjemani pritet të vijnë një sërë politikanësh nga Ballkani Perëndimor, ndër ta edhe kreu i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Vizitat e tyre janë jozyrtare, por nuk përjashtohet mundësia që të flitet për mundësitë e ndihmesës gjermane për kapërcimin e krizës në Shqipëri.

Vizita më e rëndësishme javës së ardhshme në lidhje me Ballkanin Perëndimor, pritet të jetë megjithatë ajo me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të enjten paradite (6.05.) do të takohet me kancelaren Angela Merkel. Sipas zëvendës-zëdhënëses së qeverisë, Martina Fietz, takimi do të jetë në kuadër të përgatitjeve për samitin e korrikut në Paris, ku krerët e Kosovës do të takohen me ata të Serbisë, nën ombrellën dhe me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

dw

Përçarjet e qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për raport-progresin

RamaOpozita dhe qeveria në Shqipëri kanë qëndrime të kundërta për raport-progresin e KE. Qeveria e premt me entuziazëm, ndërsa opozita me skepticizëm.

Rekomandimi pozitiv, pa kushte, i Komisionit Europian, (KE) të mërkurën (29.05.2019), drejtuar Këshillit Europian të BE, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, është pritur me entuziazëm nga qeveria dhe skeptizicëm nga opozita, e cila parashikon madje refuzimin. Ky është i treti rekomandim që jep për Shqipërië KE, duke filluar nga viti 2017.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca, e konsideroi të mërkurën rekomandimin e këtij viti, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, “një gur kilometrik shumë të rëndësishëm, të arritur nga Shqipëria”. Për Ramën, KE dha rekomandimin ngaqë “Shqipëria ka bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë. Komisioni ka konfirmuar progres dhe bazuar në fakte, shifra dhe analiza ka rekomanduar përsëri hapjen zyrtare të negociatave,” tha kryemnistri në konferencën për shtyp.

Por opozita jashtë sistemit politik, që hoqi dorë nga mandatet parlamentare në shkurtin e kaluar dhe që atëhere vazhdon protestat në rrugë dhe sheshe për të larguar kryeministrin Rama dhe rrëzuar qeverinë e tij, të akuzuar prej saj për korrupsion dhe lidhje me krimin, mendon ndryshe.

Berisha, ish-lideri i Partisë Demokratike, (PD) shkruan në median sociale se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara. Këshilli Europian do të votojë për hapjen e negociatave kur ato të plotësohen, diku nga fundi i vitit 2020, për të mos thënë edhe më vonë”.

Ndërsa Basha, lideri aktual i PD, shprehu të mërkurën bindjen se “Këshilli Europian do të votojë në qershor për moshapjen e negociatave me Shqipërinë.”

” Ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane,” tha Basha.

Të njëjtin qëndim mban edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI),  që është bashkuar me të djathtën opozitare. Klajda Gjosha, ish-deputete e kësaj partie dhe ish-ministre e Integrimit Europian, vuri në dukje se “sot për sot janë katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër”.

Pollo – BE fiksim në stabilitetin rajonal, pa kritika konstruktive

Por opozita jashtë parlamentare nuk ka një qëndrim „en block” ndaj rekomandimit dhe parashikimit negativ për vendimin e Këshillit Europian. Genc Pollo, ish-deputet i PD, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, tha për DW se shpreson që kësaj here negociatat të hapen.

“Shpresoj të jetë e treta, e vërteta dhe BE t’i përgjigjet rekomandimit me një vendim pozitiv”. Procesi i negociatave mund të jetë një ndihmë e vyer për të kapërcyer situatën tejet  të rënduar me kapjen e shtetit, me mpleksjen e qeveritarëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, tha për DW, Genc Pollo.

Ai kritikoi BE që nuk ka ndihmuar me politikat e tij në 5 vitet e fundit që situata aktuale në Shqipëri të mos jetë aktualisht kaq e përkeqësuar. “Nëse BE, në pesë vitet e shkuara nuk do të kishte fiksim tek stabiliteti rajonal i garantuar nga ” të fortët” apo tek një reformë e vetme  komplekse, por tek të pesta prioritetet dhe kriteret e Kopenhagen-it  si dhe të bënte kritika konstruktuve në nivelin e atyre të deri  2013-ës, kjo do të kishte qënë  një ndihmë e vyer për Shqipërinë Europiane dhe situata nuk do të ishte përkeqësuar kaq shumë”, tha Genc Pollo për DW.

Apel partive politike – kaloni përtej ndasive partiake

Vendimi i Këshillit Europian në qershor, për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazohet në analizën e Progres Raportit 2019 dhe diskutimet e vendeve anëtare, një procedurë kjo për ҫdo vend kandidat për anëtarësim.

”Tre javët në vijim të diskutimeve do të jenë kyҫe. Çdo shtet anëtar duhet të jetë plotësisht i bindur dhe ҫdo shtet anëtar ka procesin e vet të vendim-marrjes për këtë ҫështje. Shqipëria ka nevojë për një konsensus kombëtar për prioritetin madhor të integrimit europian duke tejkaluar kështu polarizimimin, treguar vullnet të fortë politik për të qënë të bashkuar në objektivin e integrimit europian dhe kaluar përtej polarizimit dhe ndasive partiake”, tha ambasadori i BE, në Tiranë, Soreca.

Në të njëjtën linjë me ambasadorin  Soreca, edhe Kryemnistri Rama i bëri thirrje Bashës dhe “opozitës që është në rrugë” të ndryshojnë qëndrim. “Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e rradhës. Është mirë të mos furnizojnë ata që mund të jenë të lëkundur apo në kërkim të arësyeve për të thënë “jo” me pamje të gënjeshtërta protestash partiake nga Tirana, protestash që nuk janë popullore, që nuk pasqyrojnë realitetin,” tha të mërkurën kryeministri Rama.

Opozita ka paralajmëruar të zhvillojë protestën kombëtare  antiqeveritare të rradhës këtë javë, të shtunën më 31 maj.

dw

Dhjetëra të vdekur e të zhdukur nga përmbytja e një anijeje në Danub

Danub BudapestTë paktën 7 veta humbën jetën dhe afro 20 syresh u zhdukën, kur një anije me turistë nga Koreja e Jugut u mbyt në ujërat e ftohta e të rrëmbyeshëm të Danubit në kryeqytetin hungarez.

Sipas autoriteteve, anija u përplas me një lundër tjetër turistike përpara se të përpihej nga uji në afërsi të parlamentit hungarez në Budapestin e përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm.

Në Seul, ministria e Jashtme tha se në anije kishte 30 turistë si dhe pesë pjesëtarë të ekuipazhit. Shtatë qytetarë nga Koreja e Jugut u shpëtuan, shtatë humbën jetën, ndërsa 19 llogariten te zhdukur.

Operacioni i shpëtimit është vështirësuar shumë nga rrymat e forta në Danubin e fryrë nga reshjet e mëdha.

voa

Anët pozitive dhe negative në raportin për Kosovën

Hahn RamushAutoritetet në Kosovë vlerësojnë se raporti i progresit për Kosovën është real. Por nuk pajtohen me disa rekomandime. Taksa ndaj mallrave të Serbisë nuk hiqet.

Prishtina zyrtare i pranon konstatimet në raportin e progresit për Kosovën, por nuk pajtohet me rekomandimin e thënë qartë në raport që Kosova duhet ta heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, sepse kjo e shkel marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Kosova në raport është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Por në raport është theksuar edhe progresi i bërë në zbatimin e disa çështjeve dhe reformave kyçe të lidhura me BE-në. Këtu është përmendur përmirësimi i kuadrit ligjor në Kosovë, fushat e sundimit të ligjit dhe të administratës publike. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi e pranoi raportin nga shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, tha se raporti ka gjëra pozitive dhe negative për Kosovën.

Haradinaj: Taksa nuk hiqet

“Në disa raste është pozitiv, ndërsa në raste të tjera ka kritika, si për shembull rasti i taksës. Por përgjithësisht është raport që përmban suksese dhe kritika ndaj Kosovës”, është shprehur kryeministri. Haradinaj, tha se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk hiqet, përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Edhe ministrja Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë se raporti i progresit për Kosovën është real dhe ngecjet e theksuara tashmë institucionet e Kosovës i kanë evidentuar.

“Shumë nga rekomandimet që i gjejmë në këtë raport, ne i kemi evidentuar dhe i kemi theksuar edhe në paraqitjet tona publike. Të gjithë e dimë se duhet të vazhdojmë të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe duhet të forcojmë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pas analizimit te rekomandimeve do të nisim menjëherë planin për realizmin e rekomandimeve”, thotë ministrja e Integrimit evropian, Dhurata Hoxha.

Thaçi: BE i ka mbyllur dyert

Në raportin e progresit, Kosova ende mbetet e fundit në procesin integrues. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar me kritika drejt Bashkimit Evropian, i cili “i ka mbyllur dyert Kosovës”.

“Po ndodhë ajo që nuk duhet te ndodhte, pasi që BE-ja i ka mbyllur dyert për Kosovën. Ne kemi zbatuar të gjitha kriteret për liberalizim. Tash e 3 vite është dhënë rekomandimi për liberalizim, ndërsa nuk ka vendim nga shtetet anëtare dhe kjo po i kushton Kosovës që të mbetet vendi padrejtësisht më i izoluar në Evropë. Izolimi nuk është me fajin tonë, por nga paaftësia e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë vendim për liberalizimin e vizave”, tha presidenti Thaçi, në një konferencë ndërkombëtare që mbahet në Prishtinë për perspektivat dhe sfidat për Ballkanin Perëndimor. E gjitha kjo, sipas tij, rezulton me mundësinë që Kosova të shënojë regres.

“Ende pesë vendet e Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa aspirata jonë është që sa më shpejtë të jemi pjesë e familjes evropiane. Ne ende nuk kemi arritur marrëveshjen përfundimtare të paqes, e cila mund të sjellë njohje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ende nuk jemi anëtarësuar në OKB, ku kemi një veto të palëvizshme nga Rusia, pra jemi në një gjendje në një “status quo” që për mua paraqet rrezik për regres dhe mundësi për vazhdimin e konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Thaçi.

Koordinatori për reforma

Qeveria e Kosovës, tash e dy vjet ka emëruar një koordinator nacional për reformat, që janë kërkesa të vazhdueshme të BE-së për integrimin e Kosovës me strukturat e BE-së. Besnik Tahiri, koordinatori i qeverisë, tha se “raporti vlerëson progresin, reformën në Administratën Publike, në miratimin e Pakos së Ligjeve të Reformës, duke u konsideruar hap i rëndësishëm drejt krijimit të një shërbimi civil modern, profesional dhe përmirësimit të llogaridhënies”.

“Raporti për Kosovën pasqyron progresin në disa fusha kyçe që përvitshëm reflektoheshin si probleme. Megjithatë disa nga shqetësimet dhe problemet e identifikuara në raport janë veçse në proces të adresimit, siç është numri i madh i kabinetit, përmes Ligjit për Qeverinë, apo edhe mekanizmat që pamundësojnë ndërhyrjet politike në punësimet në administratë përmes akteve nën-ligjore të Ligjeve të Reformës së Administratës Publike”, tha koordinatori nacional për reformat në qeverinë e Kosovës, Besnik  Tahiri.

Rekomandimi i KE për Maqedoninë e Veriut

MogheriniNë raportin për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian nënvizon arritjet dhe reformat e këtij vendi në fushën e gjyqësorit, ndërkohë që kërkon vazhdimin e angazhimeve në luftën kundër korrupsionit.

Zyrtarët e lartë të BE-së Mogherini dhe Hahn thanë se rekomandimi për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut “është i pastër si kristali”.

Autoritetet shtetërore maqedonase prisnin që raporti i Komisionit Evropian të rezultojë me rekomandim për fillimin e negociatave, por në Shkup ende ka pasiguri nëse data do të merret në qershor apo në vjeshtë.

Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, ndërkaq theksuan arritjet dhe reformat e dy vendeve të Ballkanit perëndimor dhe rekomandimin e tyre Këshillit të Evropës mbi bazë të meritave individuale, ndërkohë që sipas zyrtarëve të lartë evropian vendimi pozitiv do të sillte dhe do të shtonte qëndrueshmërinë në këtë pjesë të Ballkanit. Zonja Mogherini tha se është dëshira e madhe e popujve për ndryshime të dy vendeve, ajo që ka çuar përpara reformat:

“Parapëlqej të mos e përdor kategorinë ‘shpërblim’ sepse negociimi dhe anëtarësimi në një të ardhme në BE është një proces i bashkimit të një familjeje dhe nuk është një çmim që e fiton, por një proces në të cilin angazhohesh”, tha zonja Mogherini.

Maqedonia e Veriut është njës shembull ndriçues për vendet tjera dhe është dëshmi për tërheqjen drejt së ardhmes evropiane.

Maqedonia e Veriut, - shtoi Komiisoneri Johannes Hah, -është bërë një shembull i madh i pajtimit dhe i marrëdhënieve të mira fqinjësore për të gjithë rajonin”. Ai përsëriti atë që kishte thënë pak dit më parë se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që nuk ka konflikt të ndërsjellë me ndonjë prej fqinjëve të saj. “Kjo do të duhej nënvizuar”, tha komisioneri.

Sa i përket zbatimit të reformave, ai nënvizoi forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, themelemimin e Komisionit Shtetëror për luftën e korrupsionit dhe reformat në administratën publike, si dhe menaxhimin e mirë të zgjedhjeve të fundit presidenciale.

“Jemi zotuar dhe i kemi premtuar popullit të Maqedonisë së Veriut dhe politikanëve se nëse shënojnë arritje dhe hapin politikat kundrejt vendeve fqinje dhe nëse do të arrinin kompromisin me Greqinë për emrin, do të duhej të shpërbleheshin”, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, deputeti nga Sllovenia, Ivo Vajgël.

“Hetimet dhe gjykimi i rasteve të niveleve të larta duhet të vazhdojë”, tha në Shkup ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, i cili më pas ua dorëzoi disa prej atoriteteve raportin e Komisionit Evropian.

Ndërkohë, analistët janë dakord me mendimet e raportuesve të Parlamentit Evropian se nëse nuk do të ketë negociata dhe zgjerim, do të humbet besimi i vendeve të Ballkanit për BE-në.

Xhelal Neziri vlerëson se Këshilli i Evropës do të vendosë, nëse jo në qershor atëherë pas pak muajsh hapjen e negociatave.